Nga Lek Pervizi
Pjesa e parë
Memorie.al / Atë mëngjes, sa kishte fillue me dalë drita, në të katër kazermat ciklopike ku ishin të mbyllun e stivosun mija t’internuem, kumbuen krejt përnjëherësh ropamat metalikë shurdhuese të çangave, gëzhoja bronzi gjylesh, që goditëshin me shufra hekuri. Krisma shurdhuese shpërndahej gjatë grykës së Vjosës, duke tmerrue malet përreth dhe kalanë e Ali Pashë Tepelenës, që lëshonte hijen e saj të zezë mbi kampin e internimit i krijuem aty pranë nga regjimi komunist i Tiranës. Të dënuemit zgjoheshin të trullosun nga ai gjumë, që së pakut u binte pak qetësi nga mundimet e përditshme. Rropama e çangës shoqërohej nga thirrjet histerike të përgjegjësit të çdo kazerme: – Zgjohuni! Apeli! Çohuni shpejt! N’apel, n’apel!
Kjo skenë që përsëritej çdo ditë, ashtu ndodhi edhe në atë mëngjes të fillimit të dhjetorit në kazermën Nr. 1 ku unë isha i mbyllun bashkë me ma tepër se gjashtëqind krijesa të tjera, të pafajshme. Krisma e çangës me kishte hequn brutalisht prej gjumit. Zemra me rrihte revan. Nuk ndeja pa mërmëritë disa sharje midis dhamve. Nga të gjithë anët dëgjoheshin fjalë banale të burrave, mallkime të grave, vajë fëmijësh e ankime pleqsh.
Krijohej një gjullurdi që e mbushte hapësinën e hangarit gjigant, një zhurmë e madhe: zana, qarje e thirrje të të intenuemve që duhet të dilnin e të zbrisnin nga skelet prej druni dykatëshe që shërbenin si krevat. Njerëzit duhet të vinin rrotull për të dalё ku bahej apeli. Kur u thirrej emni duhet të përgjigjeshin “këtu” e të kalonin para kapter Selfos, terrori i kampit. Sa kishte heshtun çanga, Pretashi, një malësor trup madh e përgjegjës, i kazermës, edhe ai i internuem, vazhdonte të thërriste me zanin e tij prej baritoni:
– Shpejt, shpejt, të gjithë n’apel! Të gjithë n’apel…n’apel !
Pranë tij qëndronte kapter Selfo, i shkurt e i ngjeshun si një cung lisi i gdhendun keq. I veshun me rrobat e policisë, me një tufë flokësh gri që i dilnin nga kapela mbi ballin e ngushtë të rudhosun. Nën zgavrat e hundës së shtypun, rrinin një palë mustaqe si furçe, të zverdhuna nga tymi i duhanit e duhma e rakisë. Mbante në dorë regjistrin e apelit.
Gishtat e tij të shkurt ngjanin si shtupa të shisheve të venës. Pretashi, afër tij, si një shtyllë elektrike, i rrinte gati me një fener në dorë, që të mund të lexonte emnat e rreshtuen në faqet e zverdhuna të regjistrit. Sepse tri llambat 40 watshe që vareshin nga trenët e kapriatave të çatisë, nuk kishin fuqi me ndriçue atë kazermë ciklopike.
Drita e fenerit përqendrohej mbi fytyrat e dy personazheve. T’internuemit lëviznin n’errësinë si lugetën. Skena ishte e denjё pёr penelin e Rembrantit. Kapteri rrinte i krekosun si një gjel mbi pleh, i mbështetun mbi dy kambë të lakueme, brenda një palë çizmesh me taka të ngrana, qe nuk ishin llustrue kurrë. Një revolver i rrinte i varun anash, si të kaubojve të filmave.
Ai filloi të shqiptonte emnat e të dënuemve, njenin pas tjetrit, si kur t’ishin vargjet e Homerit apo të Dante Alighierit, të cilëve nuk ua dinte as emnat as veprat. Ai që dëgjonte emnin duhet të përgjigjej “këtu” e të kalonte para Selfos, i cili i lëshonte nji shikim e zhbirues për nën vetullave të zeza e të trasha.
– Mrika Gjoni! Thirri ai emnin e pare me atë zanin e tij të trashë e të çjerrë. Ishte emni i pare i listës së gjatë, me të cilin fillonte apeli në kazermën Nr.1.
– Këtu, u përgjigj nanë Mrika, halla ime 70 vjeçe, duke kalue para kapterrit e ndjekun nga dy mbesat dhe nipi, të cilëve u ishin lexue emnat. Nanë Mrika, ishte e shoqja e Gjon Markagjonit, Kapidanit të Mirditës, e internueme qysh më 1945 prej regjimit komunist, mbasi u kishin djegё shtëpitë e grabitё e konfiskue pasunit e pronat, siç kishte ndodhë edhe me familjen tonë e të tjera familje të të njëjtit rang. Recitimi i emnave, vazhdonte me të njëjtin ritëm “poetik”.
Kapteri disa here i thërriste t’internuemit vetëm me emnin pa mbiemën, si për t’u çlodhun nga leximi i gjatë: Kel, Gjosho, Karlet, Pina, Marie, Suzana, Ded, Filé, Prena, Gjela, Dila, Zef, Nikoll, Tom, Selim, Ferid, Hasan, Hava, Bukurie, Dudie, Caje, Elena, Evgjen, Mark, Frrok, Llesh, Gjin, Zorka, Gjuliana, Angjelina, Mara, Nimçe, Zana, Age, Djella, etj., deri te një far vendi kur thirri:
– Gjok! Heshtje. Nuk u përgjigj kush.
– Gjok Kadeli! Heshtje.
Kapteri u nervozue dhe i’u drejtue kunatës së Gjokës, Mrikës:
– Pse nuk përgjigjesh? – i foli i inatosun grues së shkretë që ishte ndalё para tij kokulur e me lot ndër sy.
– Po…po…zoti kapter…Gjoka ka dek sonte natën.
– Uh..uh! …Pra paska vdekur…?! E po mirë t’i bëhet…një armik…një qen më pak! U shpreh Selfo, duke u zgërdhi ndërsa i vështronte fytyrat e zbehta t’internuemve që kishin mbetun harru dhe të pafuqishëm ndaj asaj paturpësie të kapterit. Si ishte e mundun me qeshë e me u zgërdhi e me fye një të vdekun?
Mrika u largue pa hap gojë. Apeli vazhdonte. Ata që kalonin vraponin te vendet e tyne, për t’u mbrojtë prej të ftohtit. Kishte nga ata që i kishte prekun sjellja e poshtër e kapterit, të cilin e shanin plot gojën. Por në prani të tij, askush s’guxonte të thoshte një fjalë. Nuk kishte shaka me të, i hunit dhe i litarit siç ishte. Mbas pak erdhi radha ime.
– Lek!
– Këtu! u përgjigja e bana me kalue. Ai me lëshoi një shikim të vëngërt.
– Ndal! Tha, pa m’i trego ato duer!
Unë i shtriva duert me plagë para syve tё tij duke i rrotullue. Plagët gjakonin. Ai i shikoi duke mbledhë ato buzët e tij prej bulldogu duke m’u drejtue:
– Shiko. Sot vjen doktori. Po nuk të dha raport, atje në punë me shokët e tu. More vesh? Hajt zhduku!
U largova duke kalue para xhenazes së Gjokës, ku u shëndosha kryet kunatës e nja dy kushrinave të tij, që e ruenin. Pastaj fill e të shtresat e mia, ku u struka me u ngroh pakëz. Të ftohtit ishte tepёr therës. Kazerma dukej si një frigorifer i madh. Gjoka kishte dy dit që kishte vdek, por gratë e kishin mbajtë të fshehun aty nën velencën që mirditorët e quanin “postahe kmene”, prej lesh dhie, për të përfitue racionin e bukës. Buka ishte sendi ma i çmueshme në atë kamp, ku njerëzit vuanin dhe vdisnin nga uria. Në grahmat e fundit, i ndjeri Gjok kishte kërkue racionin e tij. Në ato çaste të fundit, ai e mbante bukёn pas gjoksit, si njё relike tё shejtё.
T’internuemit ishin të pushtuem nga ideja e mungesës së ushqimeve. Gjoka, nuk ishte as i pari as i fundit që vdiste nga uria, torturat, mundimet, të ftohtit e sëmundjet. Në mendjen time kujtoja gjyshen e dashtun nëntëdhjetëvjeçare, nanë Mrikёn, që e thirrnin “Nanë Vogla”, që kishte vdek po në atë kamp, e sfilitun nga vuajtjet e sëmundjet, në krah të së resë, mamës sime. Sa pleq e plaka të tjera kishin humbun jetën në ato mjerime! Për mue binte edhe ma e randë ajo vdekje e saj, sepse nuk isha akoma i internuem, dhe më mbeti peng gjithë jetën nga qё isha rrit me dashuninë e saj të pakufishme.
Por nuk ishte vetëm Selfo xhelati i kampit. E pasonin shokë të tjerë të po atij kallëpi duke fillue nga komandanti, toger Xhaferr Pogaçe, që s’dinte as të shkruante as te lexonte. Zëvendësi tij, marshall Syrjaj, i zyrës sekrete, shumë tinzar e i rrezikshëm, dhe me radhë kapterët për çdo kazermë: Koçiu, Tomi, Hyseni, Mihali, etj. Po ashtu rreshterët që shoqnonin t’internuemit në punën e detyrueshme: Qaniu, Duro, Kamberi, Sako, e të tjerë. Të gjithë kriminelё të regjun, njeni ma beter se tjetri. Ua rreshtova emnat qё tё mbetёn tё damkosun pёrjetёsisht.
Unë kisha shkue me vrap fill e në shtresat e mia, ku u struka me i ikë të ftohtit të madh. Kur shkova n’apel, nga nxitimi nuk kisha hedhë krahёve pallton time të vjetër, kështu që të ftohtit me kishte hy deri në palcë. Prej aty kisha mundësi me i pa lëvizjet e njerëzve, dhe vendin ku rrinte xhenazja e Gjokës, nja dhjet metra ma tutje.
Gjumi nuk më zinte ma nga shqetësimi që me kishin krijue fjalët e kapterit për doktorin. Raport mjekësor! Dreq o punë! Ndërkaq kapteri shkurtabiq, Selfo me Pretashin gjigant, ishin ndalun para vendit të xhenazes. I hodhën një shikim trupit të mbuluem me një batanije dhe personave që e rrethonin, të gjithë mirditorë, që përbanin shumicën e t’internuemve.
– Të varroset këtë pasdite, morët vesh? kishte folë preras kapteri, para se të nisej. Njerёzit kishin mbet haru. Askush nuk lëvizi as foli. Pretashi, pas shpinёs sё kapterit, me gishtin mbi buzë, u kishte ba shenj që të mos kundërshtonin. Njëherë që ata kaluan, t’internuemit vinin me i dhanë lamtumirën e fundit bashkëvuajtësit të tyne. Në fund të fundit, shoku i tyne u kishte shpëtue vuajtjeve e torturave të kësaj toke dhe të kapter Selfos.
Kur u informue komandanti i kampit, ky e shtyni varrimin për të nesërmen në mëngjes. Sepse edhe ne kazermën Nr. 4 kishte vdekë një plakë nga Kukësi. U caktuan katër puntorë, për me hap vorret e tyne në bregun e lumit të Bënçës dhe për me përgatitë lesat për transportin e xhenazeve. Vorret e t’internuemve, ishin caktue sipër urës së Bënçës, nja dy kilometra larg, ku ishin transferue nga fusha para kampit, një vit ma parë.
Ajo fushë ishte mbushun fund e krye me vorre, që kishin fillue të hapën edhe nga ana e malit, rrëzë rrugës së makinave që çonte në Gjirokastër. Një ditё prej ditёsh kishte kalue aty vetё diktatori.
– Ç’është kjo punë? Ç’janë këto varre t’internuemish rrëzë rrugës nacionale? Të zhdukën! Mos ta shoh një për mall kur të kaloj sërishmi këndej!
Në transferimin që u bë te Ura e Bënçës, shumë varre mbetën pa u transportue, sepse t’afërmit e të vdekunve, ishin lirue, ose dërgue në kampe të tjera pune. Për gjyshen tonë, shyqyr që ishte nanë Mrika dhe disa kushrina tona, që ia çuan eshtnat në Bënça. Ne ishim të shpërndamë pa ditë njeni për tjetrin. Sa kishte mbarue transferimi i atyne pak vorreve, një t’i fut buldozerin e traktorin fushës, për me zhdukë çdo shenj varri e një ta mbjellë me tërshanë. Kështu që shumica e vorreve, u zhdukën për gjithmonë.
Plagët e duarve ishin shkaktue kur me vëllain e madh Valentin e, të tjerë t’internuem, na kishin çue me pre dru në një Repart Special të Ministrisë së Brendshme. Ishim një grup prej 10 vetësh, të konsideruem si bijët e t’arratisunve ma të rrezikshëm jashtë shtetit. Na kishin fut në një kasolle delesh aq e ulët, sa që duhej të lëviznim këmbadoras. Darvini, do ta kishte pëlqye këtë ndryshim të njeriut në një kafshë katërkëmbëshe, që i përshtatej teorisë tij.
Na detyronin me punue edhe kur binte shi, por ishte e pamundun. Rojet, edhe ato ishin të detyrueme të rrinin nën shiun e pareshtun. Atëherë na lejonin të ndiznim një zjarr të madh, rreth të cilit rrinim për t’u tha, që ishim ba qull. Një shi i ftohtë, gati me u kthye në borë. Ndërsa thaheshim nga një anë, lageshim nga tjetra dhe anasjelltas.
Një të pushue shiu, na nisnin drejt e në pyll, sipër malit të pjerrtë e shkëmbor, ku mezi ngjiteshim. Në këto rrethana, duert e mija u mbuluan me disa plagë të çuditshme. Nuk mund të mbaja asgjë në dorë, e jo ma një sëpatë. Shokët e mi talleshin.
– Lek, po këto janë stigmate si të Krishtit. Ti po bahesh shenjtor…! Ora pro nobis….miserere nobis…! Lutu pёr ne, na mёshiro e na shpëto prej këtij ferri… o shën Leka! Ishte vёrtet pёr tё qeshun edhe pёr fatkeqёsinё e tjetrit, qё isha unё. Në atë kasolle na kishin mbledhun, siç thashë, disa bij baballarësh, ku, bashkë me mue e Valentinin, ishin: Viktor Dosti, Fatbardh Kupi, Tomorr Dine, Avni Agolli, Bexhet Ndreu, Abdurrahman Kaloshi, Reshit Mulleti, dhe nja dhjetë burra, dibranë e malësorë.
Të gjithë qeshnin përveç meje. Isha i shqetësuem. Ç’po ndodh me mue? Valentini, mundohej të më qetësonte. Ai kishte eksperiencën ushtarake dhe i kishte ra me luftue kundër gjermanëve. I njihte kondita e këqia të jetës ushtarake e ç’ishin plagët. Komandanti i repartit, ishte një far rreshter Lulo. Një njeri i ngrysun dhe i ashpër. Ai më kishte pa që nuk punoja dhe qё e kisha mbështet sopatën mbi trungu i lisit që më kishte caktue të rrëzoja. I kishte hyp inati.
– Hej, ti princ atje, kap sopatën e jepi krahëve. Nuk është më koha e gjeneralit tënd, kur më bridhje nëpër shkollat jashtë shtetit!, – thirri, duke me drejtue automatikun.
– Unë po due, po nuk me lajnë duert. Pa shikoji njëherë! – i thashë, duke i shtri duert e gjakosuna. Gjithë nerva ai u afrue, dhe kur e pa gjendjen e duarve, u largue duke tund kokën, ndërsa murmuriste ndër veti, duke sha kapter Selfon, që i kishte çue të tillë derdimen të paaftë. Të nesërmen, rreshter Lulo, më përcolli vetë në kamp, aty para kapter Selfos. Unë isha lodhë e pa frymë dhe e hodha dengun e plaçkave për tokë, para nënoficerëve. Kapter Selfo, më lëshoi një vështrim t’egër, por Lulo nuk e la me folë:
– Dëgjo shoku Selfo, s’kan ç’më duhën këto biçim aristokratësh e bij mamakash debila e sakatë. E kupton apo jo? Më duhen puntorë të forte e të shëndoshë, që dinë ta përdorin sopatën dhe jo do derdimen si ky, që s’bën për asgjë! – ishte shfry rreshter Lulo, krejt i inatosun.
Kurse kapter Selfo, aspak i shqetësuem nga fjalët e Lulos, zgërdhihej duke zbulue ato dhambë kali të zverdhun nga duhani. Por duke me pa duert e gjakosuna u çudit:
– Uh, uh!…Ç’janë këto plagë?! Pse i ke lënë pa lidhur?
– Me se? – iu përgjigja preras.
– Dёgjo ti bir i gjeneralit, se këtu jam unë që komandoj. Marsh e drejt në kazermë e, mos luaj prej aty në daç të shpëtosh lëkurën tënde…! Merri plaçkat e zhduku!
Më caktuen roje nate brenda kazermës, bashkë me një malësor sakat nga dora, Ded Pjetri, prej Shkreli. Për dy muaj, nuk me trazoj kush. Plagët rrinin të hapuna dhe çuditnisht të gjakosuna si në shuplakët asht në kurrizin e duarve, deri të pulsi, dhe askund vend tjetër në trup. Askush nuk dinte me i dhanë shpjegim. Vetëm një plak që mbahej e njihej si mjek popullor, nji kurbinas 70 vjeç, Ndrec Prenga, më qetësonte
– Mos u mërzit se kanë me kalue me kohë. Nuk ka mjekim për to, por asht mire, me i mbajt në diell. Mos i lidh as mos i prek. Por nga kjo e keqe, ke shpëtue nga puna ku shokët e tu, lodhën e rraskapitën e bien viktima, si Gjoka i shkretë. Plaku thoshte të vërtetën. Fiziku im nuk mund t’i përballonte ato mundime. Plagët e duarve ishin shpëtimtare. Ec e jepi shpjegim! Pretashi, si përgjegjës i kazermës, merrte pjesë në mbledhjet me komandën. Ai, të cilin e mbanin si spiun, me kishte thanë se, ishte për ato plagë që nuk më kishin trazue, por kujdes se, të prêt vizita mjeksore. Po nuk të dha raport doktori e ke keq punën.
Kishte tre muaj që nuk ishte duk kambë mjeku në kamp. Njerëzit tregonin çudi për plagët e mia, që kishin ndikue edhe në një dobësim fizik t’imin. Gratë, kur më binte me kalue pranë tyne, me tregonin respekt dhe në sytë e tyne shkëlqenin nga lotët e dhembshurisë, për këtë djal të ri të katandisun aq keq, hije e vetvetes. Dhe ja që doktori po vinte! Unë kisha marrë urdhrin me u paraqit se s’ban në vizitën mjekësor. Aty do të vendosej fati im. Po qe se doktori nuk më lëshon raport, si do më shkonte halli vallë? Unë e ndjeja vetën të vdekun veç kur e mendoja atë punë. Gjithë shqetësimi im, ishte i përqendruam tek ato plagë, dhe nuk kisha asnjë ide se si, isha katandisë fizikisht. I pa lamë. I pa rruem. Me flokët e gjatë dhe fytyrën e zbehun e të tretun.
Hiç fare i vetëdijshëm për gjendjen time. Ashtu i pllakosun në një trishtim të thellë, rrija i mbledhun kambë e duar nën mbulesat, ku kisha gjetë pak ngrohtësi. Kur ja, krisi çanga që lajmëronte punëtorët për bukën e një gllënjkë çaj. Kuzhina ndodhej afro 100 metra larg, përtej fushës, ndërmjet kazermave. Sulm! pothuaj se shumica, nji të marrë racionin e bukës, e kapërdinin në vend, me gjithë gllënjkën e çajit, duke ndenjtë gjithë ditën bark thatë.
Nuk ishin kthye akoma në kazermë, kur ra çanga e punës. Të gjithë ata që ishin t’aftë për punë, nga mosha 15 deri 60 vjeç, akoma me rrobat e laguna nga shiu i ditës së përparshme, ishin të detyruem të paraqiteshin para zyrave, për apelin e punës, e mjer ai që mungonte. Apeli bahej, nga vetë i gjithëpushtetshmi kapter Selfo, që ndante edhe punën. Disa për dru. Disa për pllaka guri. Të tjerë për shtylla minierash.
Nga mëngjesi deri në mbramje, pa orar e pa pushim, dhe pa ushqim. Binte a nuk binte shi e borë. Kështu niseshin puntorët si hordhi e tё leckosun, burra e gra, për t’u torturue e mundue siç kishte vendosë partia e qeveria komuniste, me qëllim për t’i poshtnue, lodhe e dërmue, me i kthye nё skllavën e kafshë pune, e me ua humbë emnin e nderin e familjeve, për t’i kthye në qenie jetësore të pa vlerë, hiç.
Me largimin e puntorve, kazerma u boshatis e mbeti me gratë me fëmijë tё vegjёl, pleq e plaka e ndonjë të sëmunë, si puna ime, e ndonjë të vdekun, si Gjok Kadeli dhe ajo plaka kuksiane. Nuk kalonte java, që të mos të vdiste një ose dy t’internuem.
Sakaq, rreth xhenazes së Gjokës, t‘ishin grumbullue disa gra të moshueme mirditore, që vajtonin me za t’ultë. Komanda e kishte ndalue vajtimet e grave siç ishte zakoni. Në këtë rast, ato kishin lanë dikë që të ruant mos vinte ndonjë kapter. Me vajtue ishte ndalue, përse në fjalët e tyne gratë vajtuese shqiptare, i banin biografinë të vdekmit, por edhe i përmendnin vuajtjet që kishte hequn ndër burgje e internime nga regjimi komunist, siç tregohet në shembullin e mëposhtëm që kam ruajt përmendsh:
« ….Na ka ardh një qeveri pa emeën
Gjysma mashkull e gjysma femën,
N’maje t’gjuhës e ka rrenën,
Ta djeg shpinë e ta prêt pemën.
Që po vret e burgos burra,
Internon njerëz me turra,
Internon familje t’tana,
Pleq e plaka, fëmij e nana,
Mjer shqiptarët ç’i ka gjet
Shum tuj vuejt e shum tuj hjek!
………………………
Enver Hoxha qofsh mallku,
Pleq e fëmijë nё kamp stivu!
Burra e gra, nana, fëmi,
Si bagti mbyllun nё tela,
Si në vath, ku bie kolera,
Vdesin fëmij e pleq si miza,
Të varrosun nepёr driza,
E ke mbush kёt tokё me varre,
N’ breg të përrojve humbën fare,
Qeveri vertët zagare.
Or Enver pa fé e pa Zot!
Qofsh mallkue për jetë e mot,
Të mallkojnë nanat e shkreta,
Për fëmijt q’u humbi jeta!
Këto elegji mortore shushuritëshin nga gratë, dhe përmbanin në vargjet e tyne shprehje denoncuese ndaj terrorit që ushtrohej mbi qenie njerëzore të pafajshme. Dielli po ngrihej mbi malet dhe sa po dilte dita, kur puntorët ishin nisun për në punën raskapitëse. Atë ditë, qielli ishte skjarue e koha ishte e bukur, por bante shumë ftoftë. Gjithçka kishte ngri kallkan, edhe zemrat e internuemve të gjorë, nën peshën e terrorit dhe të mjerimit të kampit. Pastaj dielli filloi të lëshojë rrezet e tij të nxehta, përmes dritareve që i dhanë dritë kazermës.
Një dritare ishte mu sipër meje dhe unë përfitova me ushqye trupin me ato rreze drite të ngrohta e jetëdhënëse, duke ia kthye shpinën për të thithë nxehtësinë e tyne. Nga ajo dritare i lëshova një vështrim kalasë së Ali Pashës, nën hijen e zezë të së cilës shtrihej kampi. Ma vonё do t’i baja njё vizatim me laps mbi njё copё letёr. Ia ktheva duert e plagosuna rrezeve tё diellit, siç më kishte porositë plaku Ndrec Prenga. Plagët sikur digjnin dhe mbanin gjak në disa si vrima gjylpanash. Sa përthahej njena, hapej tjetra. Vërtet diçka e çuditshme. Ndër këto mendime, veç kur krisi çanga e pastrimit, që bahej nga gratë me fëmijë nën pesë vjeç, që nuk i nxirrnin në punë. Ato duhet të pastronin kazermat.
– Pastrimi! Thirrtë Pretashi, duke kalue nëpër korridoret mes skelave. Ai i thërriste me emën gratë e caktueme për atë punë: File, Drane, Zorka, Vidra, Zoja, Prena, Milka, Djella, e tjera. Njena ankohej, tjetra protestonte. Sharje. Fjalë. Pretashi nervozohej. Gratë talleshin. Ma në fund të gjithë ranë dakord dhe filloi pastrimi me do fshesa të mëdha prej gjineshtre, mbasi e kishin spërkat truallin me ujë. Dëgjohej zhurma e fërkimit të fshesave mbi dyshemenë prej betoni, që shoqnohej nga britmat e kalamajve që luanin brenda kazermës sepse, nuk mund të dilnin jashtë nga të ftohtit. Disa pleq ishin mbledh rreth trupit pa jetë të shokut të tyne, të vuajtjeve. Gjok Kadeli, ishte ma i riu ndër ta, por torturat e randa që kishte pësue, mundimet, uria, të ftohtit, e kishin sfilitë deri në një vdekje të parakohshme.
Komanda nuk ndërhynte në këto gjana dhe i lejonte t’internuemit të banin ritin mortor, por në heshtje. Ma tepër ishin gratë që merreshin me atë punë. Xhenazen e Gjokës, e kishin vendosë në një si lesë që kishin ndërtue me drunj, ato puntorët që u caktuan për hapjen e vorrit. Kufomën e kishin mbulue me nja dy metra bezet të bardhe, që në të tilla raste e jepte komanda. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016