Dashnor Kaloçi
Pjesa e dytë
Memorie.al publikon disa dokumenta arkivore të nxjerra nga Arkivi i Ministrisë së Brendëshme në Tiranë, të cilat i përkasin viteve 1966-1975, në një dosje në ngarkim të ish-Drejtorit të Sigurimit të Shtetit në Ministrinë e Mbrojtjes Popullore, gjeneral-major Halim Xhelo, e cila përmban dokumentet e procesit hetimor e gjyqësor të tij, etj., duke filluar nga data 8 shkurt e vitit 1966, kur ai u arrestua nga kolegët e tij të Sigurimit të Shtetit, (për shkak të një letre anonime që i kishte bërë sekretarit të parë të Komitetit Qendror të PPSh-së, Enver Hoxha), e deri në datën 25 maj të vitit 1975, kur u përpilua edhe proces-verbali i vdekjes së tij, në burgun e Burrelit, ku ai vuante dënimin e ri dënimin, “për agjitacion e propagandë”! Siç do të shohim në dokumentet në fjalë të dosjes gjyqësore në ngarkim të gjeneral-major Halim Xhelo Koçiut, me origjinë nga fshati Dukat i Vlorës dhe me banim në Tiranë, akuza kryesore ndaj tij, është letra anonime që ai i bëri në atë kohë diktatorit Enver Hoxha. Ai analizonte me detaje vijën e gabuar politike që po ndiqte udhëheqja e lartë e PPSh-së, (duke kopjuar dhe imituar Kinën e Mao Ce Dunit), e cila e kishte çuar popullin në mjerim të plotë, aq sa fshatarësia kooperativiste, vuante edhe për bukën e gojës. Përveç kësaj akuze, organet hetimore dhe gjyqësore të asaj kohe, me porosi nga “lart”, për ta diskretituar gjeneralin disident, e kanë akuzuar edhe për “vjedhje të pasurisë shtetërore”, duke përvetësuar disa shuma monetare (në dollarë dhe në lekë), për një aparat televizori që ai kishte blerë jashtë shtetit dhe disa metra kabull, që me vendim gjykate, ju vunë në ngarkim dhe i’u sekuestruan. Por, duket se udhëheqja e lartë e PPSh-së e personalisht Enver Hoxha, nuk kanë qenë të kënaqur me dënimin prej shtatë vitesh, që iu dha fillimisht Halim Xhelos nga ana e Kolegjit Ushtarak të Gjykatës së Lartë, (i kryesuar nga kolonel Vangjel Kocani dhe dy ndihmsat e tij, Kolonel Koço Tollkuçi dhe Minella Trebicka), dy vite më vonë, në vitin 1968, teksa vuante dënimin në burgun e Burrelit, ai ri dënohet përsëri, nga një tjetër trupë gjykuese, (Sybi Dedej, Hajri Shehu dhe Frederik Nosi), në bazë të disa dëshmive të dhëna nga disa bashkëvuajtës të tij në atë burg, ish-ushtarak të Ministrisë së Punëve të Brendshme. Në mbyllje të këtyre dokumenteve, do publikojmë edhe prces-verbalin e vdekjes së tij në burgun e Burrelit që mban datën 25 maj të vitit 1975, të firmosur nga mjeku, Myslym Hysa, zv/prokurori i rrethit, Vangjel Muzina dhe komandanti i burgut, Idajet Deda të cilët e konsideruan atë si “vetëvrasje”! Për më shumë rreth këtyre, na njohin dokumentet në fjalë, që publikohen për herë të parë nga Memorie.al
Dokumenti i vitit 1966, i përpiluar nga Kolegji Ushtarak i Gjykatës së Lartë, me vërtetimin e dënimit të gjeneral-major Halim Xhelo Koçiut
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË “Kolegji ushtarak”
GJYKATA E LARTË Tiranë, më 15/3/1966
Nr. 16 Akti
VËRTETIM – DËNIMI
Halim Xhelo, i biri i Koçiut dhe i Xhikos, i datëlindjes 1923, lindur në Dukat të Vlorës dhe banues në Tiranë, me origjinë shoqërore, fshatar i pasur, me gjendje shoqërore nën punës, (oficer me gradën Gjeneral-Major), i martuar, ka tre fëmijë, ish-A.P., i padënuar më parë, mban urdhra dhe dekorata të ndryshme, i arrestuar më 8 shkurt 1966, i përfaqësuar nga Avokat, Gaqo Progri.
Me vendimin Nr.13. datë 9-10/3/1966, të këshillit gjyqësor të Kolegjit Ushtarak të Gjykatës së Lartë, është deklaruar fajtor dhe është dënuar:
Për krimin e agjitacionit dhe të propagandës, sipas nenit 73 – pika e I-rë të K.P. e ka dënuar me 7 (shtatë) vjet të heqjes së lirisë dhe të konfiskimit të televizorit të markës “Vest”, në bazë të nenit 34 të K.P. me heqjen e gradës Gjeneral-Major, dhe në bazë të Kodit Penal, me humbjen e të drejtës elektorale, për dy vjet kohë.
Ndryshon cilësimin e veprës kriminale nga neni 80 pika e I-rë, në nenin 81 të K.P. dhe në bazë të këtij neni të fundit, e dënon me 1 (një vit) heqje të lirisë.
Përfundimisht në bazë të nenit 48 të K.P. e dënon me 7 (shtatë) vjet heqje të lirisë, me konfiskimin e një televizori të markës “Vest”, me heqjen e gradës Gjeneral-Major, dhe me heqjen e të drejtës elektorale për dy vjet kohë.
E deklaron të pafajshëm për krimin e shpërdorimit të pozitës zyrtare, parashikuar nga neni 325 të K.P. për mungesë provash përsa i përket kalimit të televizorit “Vest” në doganë dhe për mungesë të elementëve të krimit për episodet e tjera.
Vuajtja e dënimit, i fillon nga data e arrestimit, 8 shkurt 1966.
Lëshojmë këtë vërtetim dënimi, për t’ja dërguar repartit, ku i pandehuri do të vuajë dënimin.
KRYESEKRETARI I KOLEGJIT USHTARAK
Ramiz Çitozi
Dokumenti i vitit 1968, i përpiluar nga Kolegji Ushtarak i Gjykatës së Lartë, i kryesuar nga Sybi Dedej, për ridënimin e gjeneral-major Halim Xhelo Koçiut
REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË KOLEGJI PENAL
GJYKATA E LARTË Nr, 63 i Regj. Themeltar
Nr. 60. i vendimit
V E N D I M
NË EMËR TË POPULLIT
Këshilli gjyqësor i Kolegjit Ushtarak të Gjykatës së Lartë, nën kryesinë e:
Sybi Dedej, – Anëtar i Gjykatës së Lartë, me anëtar:
Frederik Nosi – ” ”
Hajri Shehu – ” ”
në seancën e hapët më 17.5.1968, morën në shqyrtim çështjen penale Nr. 63, që i përket të gjykuarit:
HALIM KOÇIU, i biri i Xhelos dhe i Xhikos, 45 vjeç, lindur në Dukat të Vlorës, banues në Tiranë, me origjinë shoqërore fshatar i mesëm, me gjendje shoqërore oficer madhor, me arsim 2 vjet të lartë, i martuar, me 3 fëmijë, pa parti, i dënuar në bazë të nenit 73/I-rë dhe 81 të K.P. me 7 vjet heqje të lirisë, dhe është duke e vuajtur këtë dënim, qysh më 8.2.1966.
I AKUZUAR SE:
Duke qenë në burg, ka zhvilluar agjitacion e propagandë, për minimin dhe dobësimin e pushtetit popullor, d.m.th., se ka kryer krimin e parashikuar nga neni 73 pika I-rë i K.P.
Me vendimin Nr.7. dt. 13. IV. 1968, Gjykata e Qarkut të Tiranës (Peshkopi), e ka deklaruar fajtor Halim Xhelo Koçiun dhe në bazë të nenit 73, pika e I-rë, të K.P. e ka dënuar me 8 (tetë) vjet heqje të lirisë, në bazë të nenin 49 të K.P., duke bërë bashkimin e dënimeve, e ka dënuar përfundimisht me 12 (dymbëdhjetë) vjet heqje të lirisë.
Vuajtja e dënimit do t’i fillojë nga data 13.4.1968.
Kundër këtij vendimi është ankuar i gjykuari Halim Xhelo Koçiu, i cili ka parashtruar këto shkaqe për prishjen e tij:
Vendimi i gjykatës është i pabazuar në prova. Dëshmitarët e akuzës, janë persona të dënuar për krime kundër shtetit dhe të a’tillë që nuk mund t’u besohet. I tillë mund të përmendet, Ramadan Huda, të cilin e kam pas arrestuar kur isha me funksione në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe në këtë rast, do të hakmerret kundra meje. Unë jam krejtësisht i pafajshëm dhe vendimin e mësipërm e atakoj si të pa bazuar, as në ligj dhe as në fakte.
Kërkoj të deklarohej i pafajshëm.
KËSHILLI GJYQËSOR I KOLEGJIT PENAL TË GJYKATËS SË LARTË
Pasi dëgjoi relacionin e anëtarit Hajri Shehu, mendimin e prokurorëve, Enver Hicka, për lënien në fuqi të vendimit dhe pasi shqyrtoi çështjen në tërësi,
V Ë R E N:
Gjatë gjykimit ka rezultuar se i gjykuari Halim Xhelo Koçiu, duke vuajtur dënimin e dhënë në vitin 1966, në bisedat me të burgosurit politikë, ka vazhduar të zhvillojë agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor.
Masat e marra nga Partia dhe Qeveria për çrrënjosjen e burokratizmit dhe revolucionarizimin e mëtejshëm të jetës së vendit, i ka komentuar si kopjime kineze dhe si të tilla, që gjoja kanë rritur numrin e personave të pakënaqur. Ai, në vazhdim të bisedave me përmbajtje armiqësore, është shprehur se ligjet e shtetit tonë nuk janë në rregull dhe se gjoja në burgjet, mbahen shumë njerëz të pafajshëm, të kaluar nga mosha dhe që nuk marrin vesh fare nga politika. Personat bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, i ka quajtur si njerëz të pandershëm dhe ka nxitur në të burgosurit, ndjenjën e hakmarrjes kundër tyre.
Ka lavdëruar klikën revizioniste hrushoviane të Bashkimit Sovjetik: sikur ajo ka zhvilluar më tej liritë demokratike të shtetasve. Ka folur mbi potencialin ekonomiko-ushtarak të SH.B.A. dhe të Bashkimit Sovjetik dhe në kushtet aktuale, ka vënë në dyshim mundësinë e fitores së revolucionit të madh Kulturar Proletar në Kinë dhe të luftës të popullit vietnamez. Ai është shprehur se Li Shao Çia dhe personat e tjerë që e pasojnë atë, janë më të njohur në arenën ndërkombëtare se kryetari Mao Ce Dun, se gjoja ata kanë nën influencën e tyre, shumicën e provincave të Kinës.
Duke vlerësuar zhvillimin e ngjarjeve ndërkombëtare në të kundërtën e perspektivës të tyre, i gjykuari ka bërë aluzion mbi mundësinë e përmbysjes së Pushtetit Popullor në Shqipëri. Kështu në një rast, kur njëri prej të burgosurve ka shfaqur shpresën e lirimit para kohe, i gjykuari i është përgjigjur në gjuhën greqisht, se ata do të lirohen, vetëm pas përmbysjes, që sipas tij, do të ndodhë pas tre vjetësh.
Gjatë leximit të shtypit të përditshëm, është shprehur midis të burgosurve, se gjoja gazetat tona nuk thonë të vërtetën mbi ngjarjet në Kinë dhe në Vjetnam.
Ai duke pasur urrejtje ndaj udhëheqësve të Partisë dhe të Shtetit, në një rast është shprehur me fjalë fyese kundër njërit prej tyre.
I gjykuari si në hetuesi dhe në gjyq, ka mbajtur qëndrim mohues, por fajësia e tij është provuar nga thëniet e dëshmitarëve: Pandeli Varezi, Vangjel Koçaj, Niko Ligu dhe Ramadan Huta.
Pretendimi i të gjykuarit, se është i pafajshëm dhe se nuk duhet besuar dëshmitarëve të akuzës, është i pabazuar. Pavarësisht se janë të burgosur, dëshmitarët Pandeli Varezi, Vangjel Koçaj dhe Niko Ligu, nuk kanë asnjë shkak që t’i atribuojnë të gjykuarit, fajësinë e pranuar. Thëniet e tyre në hetuesi dhe në gjyq, pajtohen edhe me thëniet e dëshmitarit, Ramadan Huta, të cilat pa të drejtë, i gjykuari i ka konsideruar të njëanshme.
Në kundërshtim me sa pretendohet, gjykata në caktimin e masës së dënimit, ka çmuar drejt rrezikshmërinë shoqërore të veprës dhe vetë autorit, i cili, megjithëse është duke vuajtur dënimin për një krim të tillë, nuk ka hequr dorë nga veprimtaria armiqësore kundra pushtetit popullor, duke ndikuar negativisht në rehabilitimin e personave të tjerë të dënuar.
Në këto rrethana, vendimi i gjykatës është i drejtë dhe duhet lënë në fuqi.
PËR KËTO ARSYE
Këshilli gjyqësor i Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, në bazë të nenin 313 pika I të K.Pr.P.
V E N D O S I
Lënien në fuqi të vendimit Nr. 7, datë 13.4.1968, të Gjykatës së Qarkut të Tiranës (Peshkopi).
Tiranë, më 17/V/1968
ANËTAR ANËTAR KRYESUESI
Hajri Shehu Frederik Nosi Sybi Dedei
Dokumenti i vitit 1975, me proces-verbalin e përpiluar në burgun e Burrelit, për rrethanat e vdekjes së gjeneral-major, Halim Xhelo Koçiut
P R O C E S –V E R B A L
(Vdekjeje)
I mbajtur sot më 25.6.1975, ora 12., në zyrën e Komandës së Repartit 321, në prani të ndihmës-prokurorit të rrethit, Vangjel Muzina, të komandantit të Repartit, Idajet Deda dhe të mjekut ligjor, Myslym Hysa, mbi vdekjen e të dënuarit Halim Xhelo, i biri i Koçit dhe i Xhikos, dt. 1923, në katundin Dukat të rrethit të Vlorës, dhe tani në Repartin 321 Burrel, me shtetësi shqiptare, i martuar me 4 fëmijë, me arsim Dy vjet të lartë, me profesion N/Punës, i arrestuar më 23.4.1968, dhe i dënuar nga Gjykata e Peshkopisë, me vendimin Nr.7. dt. 23. 4.1968, me 12 vjet heqje të lirisë, për faktin se ka kryer agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor. Mbasi u kontrollua dhe u vizitua trupi i tij, u konstatua se i lartpërmenduri ka vdekur më dt. 24.6.1975, rreth orës 10.00, nga sëmundja e asfiksisë mekanike, nga vet varja.
Ky proces-verbal u shtyp në tre kopje, prej të cilave njëra merret nga Prokuroria e rrethit, njëra mbetet në Komandën e Repartit 321, dhe tjetra i jepet zyrës së Gjendjes Civile. Memorie.al
Mjeku I deleguari i Prokurorisë Kom. Rep. 321
Myslym Hysa Vangjel Muzina Idajet Deda
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016