Nga Uvil Zajmi
Pjesa e dytë
Memorie.al / Cilat ishin ndërtesat që u ngritën të parat,në Bllokun e “21 Dhjetorit”, duke filluar nga ndërmarrjet, shkollat, dyqanet, e deri tek banorët e personazhet e njohura, si: mësueset, këngëtarët, piktorët, skulptorët, shkrimtarët, aviatorët, sportistët, nga Marie Kraja, te Prodani, Dionis Bubani e Zef Bumçi dhe cilët ishin malazezët që kanë banuar aty? Mjekët e Ambulancës Nr. 9, dhe historia e familjes së Koci Xoxes, e arratisja e bujshme e vëllezërve Andoni! E gjithë historia e lagjes së famshme që edhe sot vazhdon të njihet me ditëlindjen e diktatorit sovjetik, Josif Visaranoviç Stalin!
Pallatet dhe banorët, Vip-at e Tiranës
Nga Prodani, aviator Gjiknuri, prof, Demiraj, e Nikolla
Pallati i dyti nga ai krah ishte ai ku kanë jetuar, familja e oficerit madhor P. Pano, me gruan Efigjeni; familja e I. Xhaxhiut, ajo e H. Mezhdës, (e njohur se kishte gjashtë fëmijë); familja Sula, me Shpresën, Gani Pepën, dhe ajo e H. Aliaj, mësues fizkulture; familja Xoxi dhe motrat Roza, Linda, Rudina e vëllai Renato; V. Liko, Drejtor i Gjeologjisë, me gruan Theoni, vajzën Irena, mësuese të matematikës. Pranë tyre Dh. Kocani me nënën Antigoni, greke nga Sparta.
Familja e V. Tolës, Dekan i Veterinarisë, ajo e D. Shoshkiç, me tre fëmijët, pastaj e aviatorit Thanas Gjiknuri, më Dianën, Arturin dhe Spartakun, i ndarë fatkeqësisht nga jeta pak kohë më parë. Po në atë kat ka banuar prof. Shaban Demiraj, që bashkë me familjen e pilotit, ishin të vetmit me telefon në shtëpi, ku shkonin banorët për të folur.
Familja Hamzaraj me Uçin e edukimit fizik dhe Abazin (Abin), vëllain; P. Hoxha prokuror dhe A. Tola, drejtoresha e shkollës “Kosova”. Por, ai pallat shquhet edhe për disa familje artistësh si, ajo e muzikantëve Prodani, Anita, Agim e Kujtim e, bashkë me to edhe familja e këngëtares Eda Zari. Gjithashtu aty ka jetuar piktori Qamil Grezda me familjen, si dhe skulptori Llazar Nikolla.
Kullat, aty ku vendosej sirena e alarmit
E para nga e djathta, është ajo mbi Postën, në tarracën e të cilës gjatë viteve të përgatitjes së popullit për luftë, vendosej sirena e alarmit, armatimi në rast sulmi ajror, ka banuar fëmija Minella Andonit, e njohur për arratisjen e madhe të vitit 1988-tës, familja e F. Verçani, mjeke te Ambulanca Nr. 9; familja e motrave me Ledrën, Vocin e bukur, e martuar në Kanada; Familja Tërkuçi, me Qaniun, sozia e Kauzios i njohur edhe për lidhjen klandestine me vajzën ambasadës jugosllave, vëllai Titi, një Luis Armstrong, si trombist në Estradën e Tiranës si dhe Hilmiu që priste biletat te Kinema “Republika”.
Pranë tyre në shtëpi private kanë banuar edhe aktorët Sherri Mita e Lazër Filipi. Ndërsa tek tjetra edhe ajo 5-katëshe me gjellëtoren poshtë, ka kaluar rininë ish-politikani Arben Demeti, me vëllain, volejbollistin Ilir, Mir Findiku, argjendar e trajner njëkohësisht. Ngjitur me të në drejtim jugor pallati që lidh kullën me “Sabaudin Grabranin”, ka qenë familja Haxhinasto me vëllezërit Edmond (ish-ministër e politikan i njohur), e Altini, ajo Caslli, me Shefqetin ish-arbitër i FIFA-s, familja e sportistëve P. e Jeta Pelivanit, ajo J. Malos e T. Kalivenit, veteriner në profesion, por i jashtëzakonshëm edhe në elektronikë, kur realizoi të parin magnetofon në Shqipëri.
Drejt Uzinës “Enver” banesat e familjet
Pas pallatit të Postës, vijnë dy të tjerë: I pari, një katër katësh, ku kanë banuar familja Perleka, ajo e Ladit, M. Bejlerit me fëmijët, mjekun Arben e vajzën Dita, si dhe familja e Mustafa Grëblleshit; motrat Dobi, Zakja, Dëshira, Arta, Vali, familja e përkthyesit Halit Selfo, ajo e Florinës, Çucit, aktores së njohur të Teatrit të Kukllave, e inxhinierit E. Dhramit, familja Mehmeti me Iglin e Mozën, ajo e vëllezërve Bebi e Gole, ajo e Vaskë e Fred Rrapit, etj.
Pastaj, ai vijues pak më i madh, i ndërtuar mbi Mullirin e Mënikve, në të cilin kanë jetuar nga aktorja Eva Pëllumbi, volejbollistet e njohura Monda Beqo, Moza Ibrahimi e M. Dule, familja e prof. B. Hakanit me gruan Zana, fëmijët Liva e Tauland, veteriner, përballë tyre ajo e Agim Çiftes, (Kryeinxhiner i Kombinatit të Autotraktorëve “Enver Hoxha”, në Tiranë), i njohur edhe për dashurinë nga më të bujshme në Tiranë me Ivona Luloçin; familja Karaiska, me Elsën e Gjerardin, ajo E. Hoxhës, ajo Xhani, me Spiron gjinekolog, familjarisht tifozë të Spanjës e “Realit” të Madridit.
Aty kanë banuar edhe vëllezërit Dedja, Fatosi tifozi i “Jugoplastikës”, Ylli e Timi; familja e ing. Fred Gjatës, këngëtares Burbuqe Rada, ajo e Vedat Buzit, ish-kryeinxhinier i Kombinatit Ushqimor “Ali Kelmendi”, i diplomuar në Poloni, i cili u dënua si “armik i popullit” dhe vdiq në burgun e Ballshit. Bashkë me to edhe familja Jani, me Lipin, Alqin e Arin; ajo e Dhori Hanxharit, me djemtë Takun e Benin, familja Strepi, familja Leka me Rozetën dhe vëllain Jani, etj.
Të tjerë persona të njohur: Pal Mirashi, profesori elegant, ish-futbollisti i Kombëtares
Për të vijuar me pallatin përbri ku ka jetuar M. Berberi, ajo e Fedra Ramës, punonjëse në RTSh, familje armene Stani, ajo e basketbollistit Pjerin Bushati, futbollistit P. Mula, volejbollistit dinamovit A.Panteqi, çiklistit Feraizaj, trajnerit të notit, E. Muzina. Po aty ka banuar familja e K. Bozhigradit. Në pallatin tjetër, ishte A. Nikshqi, arbitri i futbollit dhe djali i tij Durimi, notar kampion dhe balerin, ajo Kukaviqi, me vëllezërit basketbollistë, Lorenc e Alban.
Familja Leka, me vajzën Rozeta, djalin Fredi, dhe e Pal Mirashit me gruan Saide, djemtë Alcid (Puni, ish-futbollist i ekipit “Kastrioti” të Krujës), dhe Anton (Boni). Shumë elegant, gjithmonë me xhaketa me dy të çara, me biçikletën e kuqe italiane “Chiapini”, profesor Pali, mjeshtri i futbollit dhe ish-futbollist i Kombëtares që nga Ballkaniada e ’46-ës, do të ndalonte te Sheshi, sa herë që kthehej në drekë, apo mbrëmje. Pak më tutje banonte S. Qirjaku, profesori i matematikës, i frëngjishtes dhe mjeshtër shahut.
Nga Xon Eshja, te kryetarët e Bashkisë
Nga ana tjetër e rrugës, ndërtesa simetrike me ato përballë, pas kullës me gjellëtoren e pastiçerinë poshtë, deri te muri i Uzinës “Enver”, janë katër të tillë. Në to kanë banuar familja e Ramazan Eshjes, intelektualit, këngëtar korist në Teatrin e Operës e Baletit, me kulturë të jashtëzakonshme; ajo e Skënder dhe Edmond Tupjes, familja e mjekes Gj. Ndrenika, gjinekologe e lagjes, mësuese L. Strakosha dhe Edi, djali violonçelist; aktorja Rozana Çeliku, familja Çeçja, me djemtë Firdus, Agron e Shkëlqzen dhe motrën, Petro Gjini, mësuesi i matematikës në Politeknikum.
Familja Bega, me djemtë Genci, Arjani, Goni, Neri, të gjithë shtatlartë mbi 1.80 m. Edhe Mani Guri, xhamaxhiu i njohur me vëllezërit, Tiku një politeknik në profesion aty kanë jetuar, bashkë me to edhe Fredi, futbollist i “Tekstilistit” dhe motra Renata, basketbolliste. Në atë bllok ka kaluar rininë e tij edhe Gaqo Apostoli, inxhinieri deputet, si dhe familja e Ingrid Shulit. Për kuriozitet, në pallatin e tretë, kanë banuar edhe dy kryetarë Bashkie të Tiranës: familjet e Tomorr Malasi e Sali Kelmendi. Mbrapa tyre, ka qenë Pallati i Oficerëve.
Ndërtesa përballë “Sabaudinit”
Aktorët e Cirkut, të shumë njohur, Pina e Pineu Shkurti, familja e Todi Jankut, (boksierit të famshëm, kampion kombëtar në disa vite), me djemtë Leo e Berti, ajo Sokrat Moskos, operator në ish-Kinostudion “Shqipëria e Re”, gruaja Nora Dragusha, valltare e Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore. Familja Hajmeli, me zysh Xhinën, Stefanin muzikant në Ansambël të Shtetit dhe djemtë: Renato e Lorenc, si dhe Shuaip Krypa, dirigjent dhe muzikant në korin e Pallatit të Kulturës, etj,.
Lad Grillo: Mbi Mapon, nga Bubani, te Zef Bumçi
Dallohej nga të tjerët pasi kishte Gastronomin, Mapo-n dhe stacionin e autobuzit si pikë referimi. “Ai pallat ka qenë në formë “Z”-je me një tunel lidhës dhe me një ballkon komunikues për familjet në katin e katërt” – kujton Vladimir Grillo, gazetari i njohur televiziv që bashkë me babain Dhimo, mamanë Zoica e vllain..…kanë banuar aty. “Më parë kemi jetuar te ish-pallatet sovjetike te shkolla “11-Janari”, por me ardhjen e rusëve, na larguan, për tek “pupulitet” një katëshe përballë Uzinës “Enver”.
Një shi i madh i përmbyti, pas të cilës na sistemuan te “21-shi”. Në një shkallë kishim familjen e shkrimtarit të njohur, Dionis Bubanit, djemtë Ilir e Skënder. Aty kanë banuar prof Sadik Meqemeja me gruan Vali, ajo e aktorit të Estradës së Shtetit, Enver Dauti, familja e Zef Bumçit, karikaturisti i njohur i “Hostenit”. Po aty kanë qenë Haxhi Tafaj, këngëtar në Opera, S. Morina me motrën balerinë, Muharrem Afezolli punonjës në Radio-Tirana.
Familja e G. Shimës, vajza Luli dhe djemtë Mondi, Edi e Arti, një rrobaqepës profesionist me emër në të gjithë zonën. Edhe familja e Dhori Hanxharit, ish-shef i Sport-Klub “17 Nëndorit”, me vajzat Tana e Rita. Aty ka banuar edhe sportisti Sh. Pasmaçiu, një ndër pasionantët e Elvis Preslit. Unë aty mbarova të mesmen, universitetin dhe u punësova në RTSh” – kujton me nostalgji Lad Grillo.
Pallati i Kuq, ashtu njihej se ishte i pa suvatuar
Një pallat i pa suvatuar, me tulla të kuqe prandaj ka këtë emër ishte pjesë e “21-shit”, përballë Muzeut, në të cilin kanë banuar, artistë, sportistë, gazetar, publicistë, nga këngëtarja e njohur Naile Hoxha, te Mehmet Elezi, E. Shalsi me djemtë Petrika e Gjergji, ajo e Kostandin Shkurtit, basketbollisti i “17 Nëndorit” me vëllain, Arjan. Po aty ka qenë familja e Arjan Sejkos dhe e profesorit Emin Sejko. Në atë bllok, ka jetuar familja e Xhilda Kostës, atlete, e ndarë nga jeta në moshë të re. Mbrapa, në një shtëpi private ka banuar edhe shkrimtari e aktori i njohur, Skënder Plasari, si dhe trajneri i njohur i shtangës, Hektor Shaqiri. Pastaj vinte pallati i ambulancës, me katin e tretë për qytetarë, ku midis tyre ka banuar familja Meta, me vajzën Desada, gazetare e njohur televizive si dhe familja Ajazi.
Ndërtesat dykatëshe të stilit sovjetik
Të tilla janë vetëm tetë, paralel me Rrugën e “Kavajës”, të spostuara disa dhjetëra metra në thellësi nga e djathta, e që vijojnë deri te ish-Klubi Sportiv “Partizani”. Janë të veçanta pasi janë vetmet dykatëshe, të ndërtuara sipas arkitekturës sovjetike, nga vetë rusët në vitet 1956-‘57, të mbuluara me çati, e me hyrje nga veriu.
Aty kanë banuar mjaft familje të spikatura, si ajo e këngëtares së njohur Nertila Koka, të sportistëve E. dhe Gavrosh Kavaja, futbollistit të Tiranës dhe kombëtares, Arjan Bimo. Gjatë kohës që kryente shërbimin ushtarak, aty ka jetuar edhe futbollisti i njohur i “Vllaznisë”, “Partizani”-t dhe Kombëtares, “Mjeshtri i Merituar i Sportit”, Sabah Bizi, me Ficin, gruan gjimnaste, në një apartament dhënë nga Klubi “Partizani”. Në ato godina ka banuar edhe Serxho e Aldo Gjeçi, familja Dupinin ajo e gazetarit K. Hoxha, familja e mjeku Shkëlqim Koçiu, ajo e Sotir Çokut, por edhe familja e Omer Lanit, me fëmijët Viktor e Besa.
Irini, volejbollistja e Tiranës, Pertef piktori, volejbollistja D. Shutka, Gaqo, shitësi i biletave të sportit, apo Stiri, një ndër shoferët e parë të “TIR”, (automjeteve të rënda me rimorkio që dilni jashtë shtetit). Nini Frashëri, që nuk jeton, familja Hoti, me tre motrat dhe Rajkon (Mondi), i ndarë vite më parë nga jeta. Po te dykatëshi i dytë, ka banuar familja Zogoviç, Stanka, Rajko dhe djali Bogdan, ish-mjek në Urgjencën e Tiranës, (me origjinë nga Mali i Zi dhe aktualisht në Podgoricë).
Personazhet, nga Torja, te Mala, e Irfan Gostivari
“21-shi” ka shumë personazhe që duhen kujtuar: I pari, Viktor Musha (Torja), personi më unikal jo vetëm i “21-shit”, por i njohur në të gjithë Shqipërinë. Dragushi, Vasil Guga, Ladi me syze (që nuk jetojnë), si dhe Pela, njeriu i famshëm që tek ai vinin nga e gjithë Shqipëria, për të blerë pëllumba. Apo Gjergj Doda, mjeshtër llastiku për zogj, kryesisht gardalina. Pastaj Gazmend Mala, i vetëquajturi mjek popullor dhe shërues i magjive.
Te “21-shi” është falsifikuar për herë të parë një kartëmonedhë 20-të dollarëshe, që bëri bujë e habiti hetuesinë për punën mjeshtërore të kryer. I paharruar i atij mjedisi, ka qenë edhe Irfan Gostivari, (Fanja), gjithmonë i ulur në një karrocë lëvizëse, kur në mbrëmje të gjithë mblidheshin rreth tij. Pastaj Ali Mezhda, Pifi (Alfred Muça), Bashkim Sorra, Tik Zakareli, juventini i famshëm, (i ndarë nga jeta disa muaj më pare), Koli i Cajës, Gëzim Baba, Ner Ceni, Joti i Peros, Qamushi, Poli i Big Brothers, Fani, i vetëshpallur masazhator, pa harruar vëllezërit Caslli, Ledio, Enio, Boli e Kocka, e bashkë me to edhe Pirro Muraron, figurantin e lagjes, si dhe Dur Baxhain, një prestigjiator i vërtetë, mbi biçikletë, kur demonstronte në rrethin e policit të trafikut.
Gjithashtu Artur Hajnaj, P. Gjika (Loshi). Dhe Peçi i shkurtër, rrobaqepësi klandestin, që i ka qepur gjithë “21-shit” pantallonat kauboj (33 poshtë, 22 të gjuri), kur masën dhe provën nga frika, e bënte te hyrjet e pallateve. Frekuentues të “21-shit”, ishin edhe sportistët e “17 Nëndorit” e të “Partizanit”.
Bashkë me to edhe studentët e ILK-së (Instituti i Lartë i Kulturës Fizike “Vojo Kushi” në Tiranë. Ishin djemtë e “21 Dhjetorit”, që u arrestuan nga policia, pas ngjarjes e trazirave në trenin që po kthehej nga Kavaja, në marsin e ‘78-ës, ku ata kishin ndjekur takimin “Besa” – “17 Nëndori” 0-0, gjyqi i të cilëve u zhvillua në sallën e lagjes së Kombinatit Tekstileve “Stalin”.
“21-shi” i ngjarjeve rrëqethëse: Nga Xoxe te Andoni!
Kanë qenë disa, jeta dhe historitë e tyre janë tronditëse. Familja e ish-ministrit të Punëve të Brendshme, gjeneral-leitnant, Koçi Xoxes, (figura e dytë pas Enver Hoxhës në vitet 1943-1948), fëmijët Genci, Tondi (Fatos), Çlirimi, Besniku dhe vajza Lirika, te pallati dytë pas kryqëzimit, nga krahu i majtë, e cila ka kaluar atu shumë vite në kohën e diktaturës dhe persekutimin shumë vjeçar. Madje, Tosi u dashurua dhe u martua me Xhildën, banuese te Pallati i Kuq, e cila fatkeqësisht u nda nga jeta në moshë të re, duke lënë një vajzë. Ndërsa historia tjetër, është e lidhur me “dinastinë Andoni”.
Pikërisht kjo familje, ka realizuar edhe arratisjen më të bujshëm e spektakolare si ajo 16 janarit e vitit 1988, kur me një kampion të mbuluar, brenda të cilit ishin mbi 12 persona familjarë, të afërm, fëmijë shpërtheu postbllokun e postës kufitare në Han të Hotit, duke u larguar me shpejtësi drejt ish-Jugosllavisë. Arratisja që ishte një sfidë e madhe për shtetin komunist, bëri bujë edhe jashtë kufijve.
E mirë organizuar, iniciatori dhe drejtuesi kryesor i saj, ishte Minella Andoni, ish-punonjës i Ministrisë së Brendshme i cili, bashkë me familjen, mori edhe dy vëllezërit, Pandin e Petraqin dhe mikun Serxho Gjeçin. Një grup kaq i madh nuk kishte mundur të arratisej më parë nga toka.
Familja Andoni, ka banuar pikërisht te pallati-kullë mbi Postën. Po në atë pallat, ka jetuar edhe Qani Tërkuci, që bashkë me Stefan Hykën e Loçen, u arritën kur kryenin shërbimin ushtarak. Nga Jugosllavia përfunduan në Argjentinë, por pas një grindje, u zbuluan nga policia vendase e cila i ktheu në Shqipëri, duke i garantuar siguri. Por, sapo erdhën i dënuan me disa vite të gjata burgu politik.
Cilat ishin familjet malazeze të 21-shit?
Familje të ardhura nga Malzi i Zi, në vendin tonë pas lufte, kryesisht për motive politike. Te “21-shi”, i sistemuan, pranë njëri tjetrit, e midis tyre flitej se kishte një “marrëveshje” për krushqitë. Te pallati i parë djathtas, ka banuar Dhimitër Joiç, me gruan Valentina, dhe fëmijët Marian, (aktualisht mjek në SHBA), Milka e Viktor. Te ai sipër permanentit, ka jetuar Dobrillo Shoshkiç, gruaja Shpresa, dhe fëmijët Sllave, (sot në Kanada), Diana e Snezhana, basketbolliste të njohura.
Për shumë vite, Dobrillo ka punuar në Radio-Tirana. Përballë, në katin e parë te pallati i Mapo-s, ka qenë Gruja Kallogjerovic, me gruan Nurie, dhe fëmijët Branisllav, Bozhidor e Angjelina. Tek pallatet dykatëshe të stilit rus, ka banuar Marko Markoviç, inxhinier avionësh, i diplomuar në Çekosllovaki. Me Luizën, gruan shkodrane, me profesion mësuese, ata kishin dy fëmijë: Laura e Vilka, që tani jetojnë në SHBA-ës.
Grupimet dhe e folura mbrapsht!
Dimër e verë, te berberi, posta, gjellëtorja, ushqimorja e borduret e tyre, pas pune e shkolle, me orë e pa lëvizur, aty e ngryste mbrëmjen me cigare, diskutime e baste sportive, rinia e “21-shit”. Jo modë, njerëz të thjeshtë, me një mentalitet e psikologji ndryshe nga ata, që frekuentonin daljet në xhiro. Me njohje reciproke, grupi i berberit shquhej për sportin me pasionantët e “17 Nëndorit”, të Serisë A, ‘Jventus’, ‘Inter’, ‘Milan’, të Italië, Anglisë, Gjermanisë dhe Liverpul e Arsenal.
Tek Posta e Gjelltorja, luhej lloto-sporti klandestin me “Tottoneron” ku brenda e jashtë lokalit, qëndronin edhe të pakënaqurit e sistemit. Te familja e Todi Jankut, janë ndjekur ndeshjet e famshme të boksit që transmetoheshin në orët e para të mëngjesit. Te “21-shi” është praktikuar për herë të parë e folura mbrapsht, një komunikim për të mos u kuptuar nga njerëz të dyshimtë lëviznin pranë grupeve.
Ajo bazohej në vendosjen e dy gërmave, apo rrokjes së fundit në fillim të fjalës, psh: “mëshu rëmi”, (“shumë mirë”). Vite më pas, qëndrimi te bordurat u bë i ndaluar, shpesh policia ndërhynte, duke vendosur edhe gjoba deri në 100 lekë, për uljet te vitrinat e dyqaneve dhe djaloshi i pabindur, Pifi, ka qenë rekordmen i tyre. Për disa të rinj që qëndronin natën vonë, vinte një “FIAT” i vogël policie (breshka i thonin), që i detyronte të largoheshin për në shtëpi.
Fusha e Liceut, ku luhej futbolli “klandestin”!
Ndonëse në vitet ‘60-të, “fusha e furrtarit”, ishte ajo që mblidhte djemtë e “21-shit” (përballë Uzinës “Enver”), në periudhën që vijoi, mori famë “fusha e zezë e Liceut”, midis Institutit të Gjuhësisë dhe murit të Shtypshkronjës “8 Nëndori”. Aty stërviteshin ekipet e të rinjve, zhvilloheshin kampionatet e lagjeve, ndërmarrjeve, shkollave dhe Myftari si përgjegjës, i mirëmbante ato. Por, ajo është e lidhur kryesisht me futbollin “klandestin” të viteve ‘80-të, ku luhej me grupe shokësh, midis lagjeve, me një kuotë financiare deri në 100 lekë.
Ato zhvilloheshin të dielën paradite, e ndiqeshin nga shumë spektatorë që në këmbë rrethonin fushën. Dinastia Kika, vëllezërit Kapoli e Janku, Beg Deliallisi, Tonini (me pseudonimin “Antonio” për nga ngjashmëria me artistët italianë), Bashkim Sorra, Tik Zakareli, S. Hyka, A. Bedini, P. Polena, A. Veza, Makja, dy Luanët, Maliqi e Banda (nuk jetojnë), Todi, Lala, Arjani i Gones, Tocja bashkë me organizatorin Genc Përleka (Xhaja), etj., kanë qenë disa nga protagonistët e të djelave të zjarrta të “Fushës së Zezë”.
Dy porta, në mjaft raste pa rrjeta, polemika, dhe Dik Seferi-Lo Bello, arbitri i paharruar që vetëm ai mund t’i drejtonte ato. Dhe një takim i paharruar: Skuadra e “21-shit” kundër Rajonit të Policisë, e organizuar qëllimisht për t’u miqësuar me forcat e rendit, që të mos i ngacmonin, pasi dyshonin për mënyrën si luhej aty. E toleruar, ajo u “fitua” 3-2 nga të ftuarit. Më vonë ai terren u quajt “Parku Sportiv i Lagjes Nr. 9”, pasi kishte edhe fusha basketbolli e volejbolli.
“21 Dhjetori” sot, një shesh me emrin “Ataturk”!
E gjithë zona e “21 Dhjetorit”, varej nga Komiteti Ekzekutiv i Lagjes Nr. 9, një ndërtese modeste e distancuar pak, pranë shtëpive ku kanë banuar intelektualët Aanton Mazreku, Jusuf Vrioni, familja Dreni, e volejbollisteve, Donika e Mira pjesëtare të ekipit të “Dinamos”. Disa nga kryetarët e saj, kujtohen edhe sot, si: M. Puleshi, K. Budina e S. Kokonozi, sekretari i saj. Me sheshin, kanë mbetur pallatet, ndonjëri me një kat më lart, shtuar me punë vullnetare dhe katet e para të kthyera në dyqane, zyra, etj.
Bashkë me to Posta, shkollat “Sabaudin Gabrani” e “Naim Frashëri”, Ambulanca Nr. 9, (jo klinika dentare). Nuk ka Permanent, as Berber, as Gjelltore, as Patiçeri, as Tabela Emulacionit, qëndrime në grupe, as “fusha e zezë”. Familje të larguara, të tjerë të ardhur. Ndonëse vitet kalojnë, dhe sot ai shesh ka emrin “Ataturk”, nga të gjithë vazhdon të njihet “21 Dhjetori”, dhe fatorinot që nuk harrojnë ritualin: “21-shiiiiiii, a ka me zbrit”? Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016