Nga Shpendi Topollaj
Memorie.al / Ndofta pak e mbajnë mend Jorgjien sot. Atë mexosopranon e bukur me atë zërin e rrallë. Dhe patjetër që akoma më të pakët janë ata që e dinë fatin e saj dhe mënyrën tragjike se si vdiq. Pas mbarimit të Liceut Artistik në Tiranë “Jordan Misja”, Jorgjies, i doli bursa për të vazhduar studimet e larta në Konservatorin e Bukureshtit. Ajo e priti me shumë gëzim këtë. Rumania seç kishte një histori të ngjashme me atë të Shqipërisë. Sidomos pushtimet romake dhe ato turke i afronin shumë këto dy vende. Ne kishim Skënderbeun, një hero që i bashkoi princat shqiptarë, dhe rumunët një shekull e gjysmë pas tij, nxorën Mihai Trimin që, bashkoi tri principatat, duke mbetur kështu si simbol kombëtar për atë popull.
Bukureshti, buzë lumit Dumbovica, (degë e Danubit), që ishte bërë kryeqytet qysh nga viti 1862, me ndërtimet, kishat mesjetare dhe njerëzit e shquar të shkencës dhe kulturës, ishte një qytet i madh dhe plot gjallëri. Jo më kot ky qytet, aty nga vitet 1920 – ’30-të, ishte quajtur “Parisi i vogël”.
Njerëzit këtu ishin të qeshur dhe mikpritëse, gjë që kuptohej edhe tek ata shqiptarë që ndër vite u strehuan në këtë vend dhe ku gjetën ngrohtësi e mundësi, për t`i ushtruar lirshëm aspiratat dhe përpjekjet e tyre për kombin.
Pastaj këtu, pedagogët e kuptuan shpejt talentin e Jorgjies dhe punonin me gjithë shpirt me të. Mes tyre edhe ajo ndihej mirë dhe përpiqej ta justifikonte kujdesin që ata tregonin. Sapo dilte nga menca, pasi hante drekën, çdo mbas dite, deri natën vonë, do e gjeje në një klasë duke studiuar ose në sallën e vogël, ku bënte vokalica. Të gjithë studentët e admironin këtë mexosoprano, për vullnetin që kishte.
Por më shumë nga të gjithë, ajo kishte tërhequr vëmendjen e një studenti, po të Kantos, që e thërrisnin Ivanov, i cili ishte nja dy vjet para saj. Ai kishte kohë që e ndiqte me sy Jorgjien, por ajo asgjë nuk kishte kuptuar. Se atë, ashtu e shihnin të gjithë djemtë korridoreve të asaj godine madhështore apo, në sallën e koncerteve.
Dhe një ditë, ai, ashtu si rastësisht u fut kur ajo e ulur pranë pianos, po këndonte arien e Mimisë nga opera “Bohema” me të cilën do paraqitej në provimin e vitit të parë. Si mbaroi Jorgjia së kënduari, Ivanovi duartrokiti dhe i tha:
– “Bravo shqiptarja. Kujtova se po këndonte Çezarina Perrani”.
Vajza u ngrit dhe u kthye nga ai. E njohu, por ngaqë nuk e priste, faqet ju skuqën lehtë dhe pak e turbulluar ja ktheu djalit që vazhdonte të qëndronte afër derës, me një rumanishte të kulluar:
– “Të faleminderit mor Evan Garga, për inkurajimin dhe sidomos për durimin që pate për të më dëgjuar”.
Aty për aty Ivanovi, pak i befasuar nga kultura që ajo kishte, tha fjalët që mesa dukej i kishte paramenduar:
– “Ti e di si i tha ajo zonjusha Çajkovskit”?
– “E di, por s`kaloi shumë dhe premtimi i tij se do t`i qëndronte pranë gjithë jetën doli i kotë”.
– “Ashtu është, por kurrë s`u mor vesh sesi qe e vërteta. Ata u ndanë shumë shpejt pas martese…”!
– “Një fjalë goje, u ndanë…”- dhe e s`e zgjati më Jorgjica, që hodhi trikon krahëve dhe doli duke i thënë atij butë: “Natën e mire”!
Ai, nga ana e tij, ju përgjigj po shkurt:
– “Mirupafshim Mimi”!
Instinktivisht edhe ajo shtoi:
– “Mirupafshim Rodolfo”!
Qysh atëherë, ata i thërrisnin njeri – tjetrit Mimi dhe Rodolfo. Dhe dita – ditës ata u pushtuan nga hovet e vrullshme të dashurisë. Ajo ishte mjaft tërheqëse, me trup të hijshëm, lëkurën si çokollatë dhe sy të ëmbël, kurse ai, i gjatë, me flokët e dendur, sy kaltër dhe buzë të trasha.
Dilnin darkave dhe nuk e fshihnin dashurinë e tyre. Ashtu si pa kuptuar Jorgjia me kënaqësi vinte re ruajtjen e traditës dhe gjithçkaje të mire, kishin trashëguar nga fshati. Shkonin shpesh buzë lumit që rridhte i patrazuar dhe për çfarë nuk bisedonin. Ajo i rrëfente për vendin e saj, për Korçën, Parisin tjetër dhe Voskopojën. Kur kishin pushime, lëviznin ngado.
Deri atje te kështjella e Vlad Drakulës, kishin shkuar. Ivanovi i thosh se ai dhe i biri, nuk kanë qenë ashtu siç përfytyrohen sot. Ata morën trajtat e Carpazit nga romani i Stokerit, shkruar në 1897.
Në raste festash edhe ata të ambasadës shqiptare në Rumani, i ftonin të dy. Kështu që kur vendosën të martoheshin, nuk u nxorën ndonjë pengesë. Edhe prindërit e Ivanovit, e donin shumë sopranon nga Shqipëria. Sidomos e ëma, mburrej me nusen e re e cila, siç u thoshte shoqeve të veta, ishte shumë punëtore dhe gatuante mjaft mirë.
Gjersa Jorgjia të diplomohej, Ivanovi punonte në Teatrin e Operës si bariton. Ndërkohë, ajo lindi dhe një djalë dhe bashkë me diplomën erdhën në Tiranë, ku i pritën me shumë mall. Kishin vendosur të jetonin këtu. Edhe prindërit e Jorgjisë e pëlqyen Ivanovin. Ai dukej i lumtur si nga qyteti ashtu dhe nga njerëzit.
Me punë u rregulluan të dy, po në Opera ku Jorgjies po i besoheshin role kryesore. Deri këtu gjithçka shkonte për bukuri. Por Ivanovi, e shihte se nuk mund të bënte ndonjë karrierë, pasi këtu kishte mjaft tenorë, basë e bariton që, kishin studiuar në Moskë.
Njerëzit e sidomos kolegët, qenë të afrueshëm dhe të sinqertë, madje për të huajt, bënin shumë, por kjo nuk mjaftonte për t`u ndierë i plotësuar Ivanovi. Kështu që ai filloi të mbyllej në vetvete dhe ta shfaqte shqetësimin që kish. U mundua e shoqja ta bindte se, rëndësi kishte që ata duheshin, por ishte e kotë. Kjo gjendje zgjati gjersa një ditë ai i doli hapur:
– “Duhet të shkojmë në Rumani. Atje isha më i vlerësuar. Kjo për mua është gjysmë ekzistencë dhe me këtë situatë nuk mund të pajtohem. Baritonët shqiptarë janë shumë të mire”.
Jorgjia që nuk e priste, u mundua ta bindte që të ndërronte mendje:
– “Rodolfo! E kam kuptuar se ti nuk ndihesh mirë. Por gjërat edhe ndryshojnë. Kjo është diçka psikologjike që u ngjet të gjithëve dhe do të kalojë. Është vetëm fillimi dhe do të mësohesh”.
– “Jo moj Mimi. Kjo është punë që s`bëhet. Dua të shkoj në vendin tim”.
Dhe kur pa se kishte gabuar, korrigjoi:
– “Të tre duhet të shkojmë atje. Ti nuk e ke të vështirë se je mësuar kaq vjet. Pastaj, ime më, ty të do shumë”.
U mërzit sa s`ka Jorgjia, po ç`të bënte. Ishte në mëdyshje dhe kur ua tha prindërve edhe ata u dëshpëruan pa masë.
– “Po, fundja do ndjekësh fatin e tyt shoqi”, – u përpoq ta lehtësonte babai i saj. – “Edhe ai s`ka faj. S`është kollaj të ikësh nga vendi yt. Gjithmonë i huaj do ndihet këtu”. – shtoi dhe e ëma. – “Ja ku është Bukureshti. Kanë shkuar atje gjyshët tanë, me kuaj, e jo tani që avioni…”!
Gjithë ato ditë, u mbyt në lot Jorgjia dhe kur e kuptoi se s`kishte rrugë tjetër, i tha të shoqit të nisej se ajo me djalin do vente atje, pasi të mbaronte sezoni koncertal dhe të bëhej gati. Por kur më në fund shkoi atje, u çudit që në aeroport nuk kishte dalë ta priste Ivanovi, por e ëma, e cila pasi e përqafoi me mall, i tha se do ta llafoste kur të shkonin në shtëpi. Hipën në një taksi dhe tërë rrugës thuajse nuk folën fare.
Jorgjien po e mbysnin parandjenjat e këqija. Shtrëngonte të birin në gjoks dhe shihte e përhumbur rreth e rrotull. I ngjalleshin si nëpër mjegull kujtime të bukura, por që më shumë i bëhej se i kishte parë dikur në ndonjë film.
Pasi hynë në shtëpi, ku takuan ajo vjehrrin dhe i biri gjyshin e plakur dhe pinë diçka të ftohtë, nëna e Ivanovit me një zë të dridhur dhe duke mbajtur me vështirësi lotët, nisi të tregojë se i biri, atje ku punonte, ishte dashuruar me një sekretare dhe tani qenë larguar dhe jetonin të dy në një dhomë hoteli, gjersa të merrnin shtëpi.
– “Ne moj bijë, të kemi dashur dhe do të të duam, edhe pse ky paska qenë fati yt. Na dhimbsesh si ti ashtu dhe nipi ynë, prandaj mos na keqkupto; jo për mëshirë, mund të jetosh me ne. Nga ai, nuk ke për të pasur asnjë shqetësim, pasi ne ia kemi bërë të qartë se nuk pajtohemi me zgjedhjen e tij, për të mos thënë se e dënojmë veprimin që bëri”.
– “U jam mirënjohëse, por si t`a mendoj qetësisht, nesër do t`u përgjigjem”, u tha Jorgjia.
Kur ranë për të fjetur, Jorgjinë nuk e zuri gjumi. Dha e mori duke qarë pa zë dhe atë që vendosi ua tha në mëngjes dhe pleqve:
– “Ju nuk e dini sesa e rëndë është kjo për një femër në vendin tim. Plot andralla ka një grua që e ka lënë burri. Opinioni i tillë është dhe atë nuk mund ta ndryshoj unë. Por më duhet t`i nënshtrohem. Dhe kjo është fyese dhe e padurueshme, veçanërisht kur nuk ke asnjë faj. Nuk dua që edhe im bir të rritet në një vend ku do ta përjetojë përbuzjen. Prandaj do të qëndroj me ju, në qoftë se nuk u rëndem”.
– “Ç`është ajo fjalë moj bijë. Ti këtu do jesh si në vendin tënd, si te prindërit e tu”.
Pasi kaluan disa ditë, Jorgjia shkoi në Konservator dhe pasi ngjiti shkallët, trokiti në derën e rektorit. Ai e priti me dashuri dhe si u ngrit në këmbë, gati bërtiti:
– “O, kush na ka ardhur, studentja e shkëlqyer dhe nusja jonë nga Shqipëria”!
Jorgjia e humbi për një çast dhe si e mblodhi veten foli:
– “Më vjen keq, por nuk jam më nusja e një rumuni. Tani e tutje do të jem një qytetare e thjeshtë e këtij vendi, ku do rris djalin tim, pasi ai më la”.
Rektori, një burrë i moshuar dhe mjaft serioz, u prek shumë nga fjalët e saj dhe pasi i bëri nja dy pyetje të zakonshme i tha:
– Ti ke ardhur për një hall. Me se mund të të ndihmoj”?
Jorgjia, shpjegoi se jetonte me vjehrrin dhe vjehrrën që ishin në pension dhe se duhet të punonte diku, pasi s`kishte kuptim të vazhdonte gjatë kështu.
– “Hë për hë, – u përgjigj pa humbur kohë rektori – a mund të drejtosh korin e provës? Pastaj shohim e bëjmë”.
– “U faleminderit. Nuk kërkoj edhe unë më tepër. Kur mund të filloj”.
– “Qysh nesër”.
– “Vetëm kam edhe një kërkesë. A mund të më jepet mundësia që provat t`i bëj te salla e vogël e vokalicave, ku kam studiuar vetë”?
– “Me gjithë qejf. Ku të duash ti”.
Si e zgjidhi këtë punë, Jorgjies i lexohej në sy mirënjohja. Por mbi të gjitha, kishte mundur që të punonte në atë sallë ku qe njohur me Rodolfon dhe ku, u besoi syve të tij të kaltër e ëndërrimtarë. Nuk e dinte në e donte akoma. Por për ta urryer, kurrsesi. Kurse për atë kohë, as që donte të mendonte keq. E kishte të shenjtë.
Të nesërmen u paraqit atje, dhe hyri në sallën e njohur. Atje asgjë nuk kishte ndryshuar. Po ajo piktura varur në mur, po ajo piano, madje edhe po ajo karrigia ku ulej zakonisht. Hodhi shikimin nga dritarja dhe Dumboviva, njësoj si atëherë, rridhte i qetë. Qeshi hidhur dhe ktheu kokën nga dera, por tani nuk qe më ai djali i gjatë që e kishte krahasuar me Çezira Perranin.
Tani jo ajo, që në 1 shkurt të 1896, kishte luajtur në “Teatër Reggio” të Torinos, Miminë fatkeqe, por edhe vetë Jorgjia, Mimia e vërtetë, për Ivanovin kishte vdekur.
I erdhi ta këndonte edhe një herë arien e saj, kryevepër të Puçinit, dirigjuar prej Toskaninit, drejtori i Teatrit “Skala” e më pas i Operës Metropolitane të Nju Jorkut, që kishte ndërruar jetë jo shumë kohë më parë, por e dinte se kishte vajtur ora për të ardhur djemtë dhe vajzat e korit.
Dhe ata nuk vonuan. Fillimisht u habitën kur zëvendës rektori u paraqiti mësuesen e re, por kur ai u tha se edhe ajo, atje i kishte kryer studimet me medalje ari, u çliruan dhe u miqësuan shpejt me të.
Ditët kalonin vrullshëm dhe djali kishte filluar shkollën. Ai po rritej me kujdesin e pareshtur të gjyshëve të tij. Jorgjia, si padashur nganjëherë, sillte ndërmend librin e një filozofi të shquar rumun, “Lartësitë e Dëshpërimit”, që për ditëlindje ia kishte dhuruar dikur Ivanovi.
E kishte lexuar, por nuk e kuptonte pse ai këshillonte vetëvrasjen si mjet shpëtimi. Në çdo rrethanë, njeriu duhet të gjejë forca dhe të jetojë. Të jetojë me dinjitet, sikurse po jetonte edhe ajo. Të përpiqej si vetë Mimia që luftonte me sëmundjen e cila më në fund e mori.
Por nuk mendonte kështu fati, që ajo mesa dukej e paskej pasur kundra. Pa pritur e pa kujtuar, teksa ajo mbante në duar bakedën dhe po drejtonte korin, u drodhën me zhurmë xhamat e dritareve dhe ajo piktura ra nga muri. S`kaloi shumë dhe mes pluhurit e rrëmujës që u krijua, u kuptua se një tërmet i fuqishëm kishte rënë në Bukureshtin e ëndrrave rinore.
Një tërmet që zuri nën gërmadhat që shkaktoi, trupin e ri dhe të bukur, me atë lëkurën si çokollatë të mexosopranos shqiptare që po e paguante shtrenjtë dashurinë e saj për një djalë që e quajti Rodolfo dhe që i besoi nderit të tij. Një artiste që sot e kësaj dite është harruar në vendin e saj. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016