Nga Filip Guraziu
Pjesa e dymbëdhjetë
Memorie.al / Kujtoj, me shumë emocion edhe mitingun e parë antikomunist, që u organizue mbas pak javëve, te sheshi para monumentit të Isa Buletinit, në Shkodër, prej përfaqësuesve të Partisë Demokratike. Shkodra mbarë, ishte në atë miting. Prej tribunës së rastit, (soleta e nji dyqani, nji katësh), drejtuesit e PD-së, të sapo formueme, të veshur me pardesy të bardhë, mbajtën fjalime të zjarrta, kundër krimit komunist, gjë që na pati lanë “pa frymë”. Situata politike po ndryshonte 360 gradë.
E paharrueshme, për emocionet që përjetuam, mbetet pjesëmarrja ime me gruan, dhe me shumë shokë e miq (familjen e Beniamin Dedës), në meshën e Kërshëndellave, me 24 Dhjetor 1990, te Kapela e Vorreve të Rrmajit.
Shkodra mbarë ishte në atë vend; Dom Simonit, i doli fjala! Përveç besimit në Zot, ky manifestim demonstronte edhe opozicionin qytetar masiv, kundër dhunës komuniste.
Në familje, me të afërm, miq dhe shokë nuk u bisedonte tjetër, veçse për mundësinë e përmbysjes së sistemit diktatorial, shenjat ishin të qarta. Partia Demokratike u themelue edhe në Shkodër, flitej për zgjedhje të para pluraliste, që u caktuan në datën 31 Mars 1991.
Kazani politik vlonte, si mbas nji skenari të padukshëm, të drejtuar prej Ramiz Alisë, që kishte për qëllim të realizonte (pa dhunë) nderimin e sistemit dhe “dorëzimin” përkohësisht të pushtetit (sa për sy e faqe)! Edhe pse, për shumë arsye dhe ballafaqim faktesh, kishim dyshimet tona (kujtoj fjalimin parazgjedhor televiziv, të kryetarit të Partisë Republikane, Sabri Godo, Mars 1991), n’atë periudhë, prej urrejtjes për komunizmin, nuk “kishim kohë”, me mendue dhe me arsyetue, se sa e sinqertë po u projektonte demokracia, në Shqipni.
Vlerësojshim si jetike, fitimin e të drejtave prioritare, që na ishin mungue prej gjysmë shekulli; si liria e fjalës, e drejta e besimit, e drejta e pluralizmit politik, e drejta për të lëvizë lirisht prej Shqipërisë, si dhe “premtimin”, që u deklaronte, për të drejtën e kthimit të pronës. Në këto kushte edhe ne, familjet e përsekutueme u bashkuam, sinqerisht, me “opozitën” (P.D) kundër Partisë Komuniste në pushtet.
Në muajin shkurt 1991, filloi nji greve urie e studentëve të Universitetit Shtetëror të Tiranës, me kërkesa ekonomike dhe politike, këmbëngulja e grevistëve dhe “skenari”, i Ramiz Alisë konkluduen në favor të kërkesave të studentëve, të cilët të entuziazmuem prej “fitores”, vërshuen në qendër të Tiranës, dhe së bashku me popullin, tue përfitue prej “pasivitetit” të forcave policore, me 20 shkurt 1991, hodhën poshtë monumentin madhështor të diktatorit, Enver Hoxha, e tërhoqën zvarrë nëpër rrugët e Tiranës dhe e poshtnuen, tue e pshurrë publikisht.
Në dukje revolucioni paqësor kishte fitue, ish komunistët hapën rrugë. Askush nuk u dënue për çka ndodhi! Në zgjedhjet e para, pluraliste, të 31 marsit 1991, qarku i Shkodrës votoi, pothuaj, krejtësisht për Partinë Demokratike. Ndryshe, ndodhi në pjesën tjetër të Shqipërisë, sidomos në jug, ku fituan komunistët. Parlamenti i parë pluralist, që doli mbas zgjedhjeve kishte maxhorancë socialiste.
Shkodra nuk e pranoi këtë situatë dhe protestoi në mënyrë të dhunshme me 2 prill 1991, para Komitetit të Partisë. Situata i doli prej kontrollit forcave të policisë, që përdorën armët tue vra 4 demonstrues, e plagosë 84 të tjerë. Urrejtja popullore dogji ndërtesën e Komitetin të Partisë, së Rrethit Shkodër, dhe tentoi po ashtu djegien e Bibliotekës dhe të Radios, por për fat, falë ndërhyrjes së menjëhershme të disa elementëve me “autoritet”, dhe me vizion, turma u tërhoq…!
Indinjata e krimit në Shkodër u shtri në të gjithë vendin, sindikatat shpallën grevë kombëtare, që paralizoi ekonominë dhe mbas tre muajve, të ndodhur nën presionin popullor, por edhe para vështirësive ekonomike të rënda (mungonte buka për popullin, vazhdonte pagesa e 80% e rrogës mujore, tue mos dalë në punë etj.), Presidenti, Ramiz Alia, shpalli formimin e Qeverisë së Stabilitetit, me kryeministër socialistin, Ylli Bufi e me pjesëmarrje prej të gjitha partive parlamentare (11 Qershor deri, 6 Dhjetor 1991), tue u zëvendësua me qeverinë teknike të socialistit, Vilson Ahmeti, e cila mori përsipër pregaditjen e zgjedhjeve të reja parlamentare, të datës 22 Mars, të vitit 1992.
Meqenëse, në Shkodër në zgjedhjet e para pluraliste, të 31 Marsit 1991, patën fitue bindshëm demokratët, gjatë periudhës së qeverisë së stabilitetit e asaj teknike, qyteti dhe qarku mbeti në dorë të përfaqësuesve të Partisë Demokratike.
Reforma, që meriton të kujtohet, lidhet me kthimin e menjëhershëm të dyqaneve të sekuestruem prej regjimit komunist, gjatë periudhës së diktaturës, te pronari i vërtetë si dhe emërime në detyra me rëndësi, në nivel lokal, të përfaqësuesve të opozitës antikomuniste. Në Shtator 1991, pata nderin të emërohem drejtor i Shkollës së Mesme “Jordan Misja”, Shkodër.
Gjaku që thërret, nuk harrohet!
Ishte vera e vjetit 1943, kur forcat nacionaliste dhe forcat komuniste filluan të mendojnë programimin e bashkimit të tyre, në luftën për lirim kombëtar kundër okupatorit italian. Me 1-3 Gusht 1943, në Mukje, afër Tiranës, u organizua nji takim që mori emrin “Konferenca e Mukjes”, ku morën pjesë përfaqësues të forcave nacionaliste dhe komuniste, me qëllim bashkëveprimin në luftë.
Vendimi i përbashkët, që u firmos prej të dy palëve u hodh poshtë, kategorikisht, prej Enver Hoxhës, me urdhër të komunistëve jugosllavë, të cilët nuk pranonin referendumin popullor për të ardhmen e Kosovës. Ky moment njihet në histori si fillimi i “luftës civile”, gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botore, në Shqipni.
N’atë mbledhje, si ndigjues pa të drejtë vote, merrnin pjesë edhe dy ushtarakë atdhetarë, prej Kosove, të diplomuar në akademitë ushtarake evropiane: z. Ismail Shehu dhe z. Krasniqi. Si mbas të dhënave, të familjarëve, rezulton se ushtarakët e mësipërm ishin shprehë, gjatë mbledhjes së Mukjes, në favor të bashkimit të Kosovës më Shqipërinë. Kaq kishte mjaftue, për armiqtë dhe tradhtarët e Shqipërisë, që t’i dënojnë me vdekje.
Me 8 tetor 1943, ata po ktheheshin në Gjakovë, me auto-veturën e tyre, kur papritmas rrugës drejt Kukësit, në Rrapaj (Rrethi i Pukës), para tyre ndalohet – tue i zanë rrugën, – nji kamionçinë, prej të cilit ulen dy vetë, që po kontrollojshin defektin e makinës…! Z. Shehu me Z. Krasniqi, zbresin prej veturës, për me i dhanë ndihmë, por në momentin që ato i afrohen, dy personat nxjerrin automatikët dhe i pushkatojnë!
Koha kaloi dhe askush nuk jepte të dhëna të besueshme, se çka ndodhi me këta dy burra atdhetarë, çdo gjë mbeti mister si në mjegull. Megjithatë, familjet e tyre e patën kuptue, se vrasja ishte vepër e urdhnueme prej komunistëve jugosllavë dhe e zbatueme prej atyre shqiptarë (si mbas familjarëve, atentatori kishte qenë Vasil Shanto). Kishte fillue kështu eliminimi i të gjithë, atyre patriotëve, që kundërshtojshin vazhdimin e mbetjes së Kosovës nën Serbi.
Kaluan vjet, të tjerë nacionalistë shqiptarë u eliminuan në të dy anët e kufirit politik. Terrori komunist kishte dalë prej legalitetit, tashmë vrasjet e eliminimet bëheshin me gjyqe popullore, të paravendosur prej “Partisë”. Me 26 Shkurt 1951, pa proçes gjyqësor, por vetëm me vendim terrorist të Byrosë Politike, të kryesuem prej Enver Hoxhës e Mehmet Shehut, u pushkatuan 22 intelektualë të pafajshëm (sot, Nderi i Kombit) ndër të cilët Tefik Shehu i diplomuar për ekonomi dhe jurisprudence n’Itali, vëllai i Ismailit (i vramë në atentatin sipër tregue)
Djali i të ndjerit Tefik Shehu, Hyseni, nuk mbërriti me e njoh babën, sepse me 26.02.1951, kur komunistët i pushkatuan t’atin, ai ishte në barkun e nanës së tij…! U rrit e mori shtat në internim, si pjesëtar i klasës së deklasuar, meqë ishte i biri, i “armikut”…! Ushtrinë e kreu në “repartet e punës”. Gjatë shërbimit ushtarak miqësohet me nji ushtar, që banonte në katundin Rrapaj, Pukë, me mbiemrin Çera.
Dhe, siç ndodh zakonisht, n’orët e lira, biseda qet bisedën e ndër të tjera, ushtari Avni Çera, i kishte tregu (me zë të ultë, si sekret), për nji ngjarje që kishte pas ndodhë, në kohën e Luftës së Dytë Botërore, në familjen e tij, ku rastësisht i ati, z. Çera, me origjinë prej Peshkopie, por i zhvendosur për arsye familjare, në Rrapaj, kishte qenë dëshmitar.
Livadhi, para shtëpisë së z. Çera, kufizohej me rrugën automobilistike, që prej Shkodrës, shkonte drejt Kukësit, dhe në nji moment të ditës z. Çera, kishte ndie breshni automatiku, që vijshin prej anës së rrugës. Menjëherë kishte marrë drejtimin e rrugës automobilistike dhe kishte mbetë me sy hapë, prej tmerrit: dy burra të shtrimë për tokë, të përgjakur e të vdekun. Ishte shtangë! Kishte pritë, se ndoshta dikush, do të vinte me i marrë dhe me i sistemue të vdekurit, por kaluan orë, e askush nuk u bë i gjallë.
Burrnia e humanizmi i tij, e detyruan me krye nji veprim, jo vetëm të vështirë, por edhe me pasoja të mundshme…! Me ndihmën e njerëzve të familjes, transportoi kufomat, deri te oborri i shtëpisë së tij. Prej dokumenteve kuptoi identitetin e tyre dhe, meqenëse koha nuk priste ma, i varrosi në oborrin e shtëpisë, së bashku me nji shishe, ku ishte i shkruem identiteti i kufomës.
Ishin kohë të turbullta, të vështira dhe të rrezikshëm, kohë lufte…! Me intuitë, z. Çeraj i ishte afrue së vërtetës; vrasja mund t’ishte politike! Nuk kishte asnjë arsye me bë denoncimin e ngjarjes, sepse mund të kishte edhe akuza, e të tjera problem, jo të pëlqyeshme. Kaluan vjetët, erdhi diktatura komuniste, ishte e preferueme heshtja e plotë. Sekretin e ngjarjes e dinte vetëm ai, dhe familja e tij!
Hysen Shehu nuk i besonte veshëve, në çast pat bë lidhjen e ngjarjes: mos ndoshta njeni prej kufomave ishte axha i tij, Ismaili, i zhdukun pa gjurmë, ndërsa po kthehej vetë i dyti, në shtëpi nëpërmjet rrugës për në Kukës, me 8 tetor të vjetit 1943? Mezi priste, që të mbaronte shërbimi ushtarak, për me zbulue të vërtetën.
Koha erdhi dhe Hyseni nuk vonoi, por shkoi për “vizitë” te familja e shokut të tij, në Rrapaj, Pukë, ku gjeti mikpritjen tradicionale shqiptare dhe pati mundësinë, me bisedue drejtpërdrejt, me të zotin e shtëpisë, z. Çera. Ai, rikonfirmoi ngjarjen e mësipërme, si edhe vendin, ku patën qenë varrosë, të dy kufomat.
Hapën së bashku gropën, ku ishte varrosë axha, Ismail Shehu e, në sekret të plotë Hyseni, mblodhi eshtrat e kufomës, i futi në nji kuti teneqeje që përdorshin bojaxhinjtë, e izoloi sa mundi në të tana anët, falënderoi z. Çera dhe familjen e tij, tue i dhanë fjalën që, jo vetëm nuk do ta bisedonte ngjarjen me të tretët, por as me familjarët e tij; nanën, e motrën.
Fjalën e dha, e fjalën e mbajti. Familjes Çera, nuk i hyni asnjë “ferrë në këmbë”, në lidhje me sa, ma sipër.
Ishte vjeti 1974, kur Hyseni i veshur me tesha pune (për mos me ra në sy, të ndonjë kontrolli, të mundshëm gjatë rrugës), u kthye në shtëpi, së bashku me “kutinë e bojës”, të futun në çantën e shpinës. “Kutinë e bojës”, e vendosi në ballkonin e apartamentit. Grave të shtëpisë, u tha: mos e prekni, se nji shok ia kishte lanë, në ruajtje!
Të nesërmen, shkoi te varrezat në Tiranë, e takoi “Rrupin”, vorraxhinë me “lëkurë të nxime prej diellit”, të cilit i kërkoi ndihmë për varrosjen e eshtrave të nji personi të familjes, që shumë kohë ma parë kishte pas qenë varrosë n’oborrin e shtëpisë së tij. Rrupi, i kishte tregue me zë të ultë, se kjo punë nuk bahet, sepse për çdo varrim, kërkohen dokumenta etj. “Kutia e bojës”, prej teneqeje, qëndroi në ballkonin e apartamentit e paprekur, për 17 vjet!
Vetëm në vjetin 1991, kur sistemi diktatorial komunist u vetë shemb e, u liruan prej burgjeve të burgosurit politikë, Hysen Shehu, mbërriti me e varrosë, për të dytën herë axhën, të ndjerin Ismail Shehun, në nji varr dinjitoz, ngjitë me varrin e nanës së Ismailit, gjyshes së Hysenit, Nasidës.
Por, biri i familjes me emër të Shehlerve të Gjakovës, Hyseni nuk gjeti qetësi; kishte varrosë axhën e tij, por kishte mbet pa varr i ati, Tefiku. Krahas detyrave të jetës e të familjes, mendja nuk i pushonte në kërkim të “gropës së kuqe”, ku ishte mbulue krimi komunist.
Në përpjekje të vazhdueshme, falë fjalëve që qarkullonin, mbërriti me kontaktue familjen fshatare, në Mënik (afër urës së Ndroqit), ku plaku i shtëpisë tregoi tmerrin e asaj nate, në të cilën qenë pushkatue dhe hedhë në nji gropë, 22 persona. Fshatari dëshmitar, kishte tregue me përafërsi ku ndodhej “gropa e kuqe”.
Me ndërhyrjen e Hysenit, nji buldozer hapi gropën e për fatin tim e të 21 familjeve të tjera, u zbuluan eshtrat e viktimave: nji unazë ari martese, konfirmoi identitetin e njëri prej tyre; ishte unaza e martesës, e të ndjerit Zydi Herri, çka dha siguri të plotë, se aty ndodheshin viktimat e masakrës komuniste, të 26 Shkurtit 1951.
Në vjetin 1993, me ceremoni zyrtare, të organizueme prej Bashkisë së Tiranës, eshtrat e të 22 viktimave u rivarrosën, në nji varr monumental, të pozicionuae në nji vend të veçantë në varrezat e “Dëshmorëve të Kombit”, në Tiranë. Personalisht, i jam mirënjohës përjetësisht mikut, vëllaut tim të fatkeqësisë, z. Hysen Shehut, për veprën e tij, në nderim të prindërve tonë, të paharrueshëm. Memorie.al
Shënim: Të dhanat, për shkrimin e masipërm, janë marrë prej protogonistit të ngjarjes, z.Hysen Shehu.
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016