Nga Filip Guraziu
Pjesa e dhjetë
Memorie.al / Valentino Cuccu, me origjinë Sarde, e banim në Trieste, asht miku im, i parë, me të cilin u njoha në Itali, në korrik të vjetit 1991. Ishte i dashun, mikpritës, i gjindshëm, i sakrificës dhe “për ironi të fatit”, komunist! Por, kjo, nuk na pengoi, me u miqësue dhe me e ruejtë miqësinë, deri sot, mbas 30 vjetëve. Ftesën time, për me vizitue Shqipninë, e priti me kënaqësi. Në ditët e para, të shtatorit 1991, Valentino erdhi me autoveturën e tij, nëpër rrugë tokësore, ku gjeti mikëpritje në familjen time. Mbas atyne vjetëve izolimi prej botës, në vitin 1991, ardhja e nji italiani në Shkodër, ishte eveniment, kështu që prej shokëve dhe kushrijve, patëm ftesa për vizita, dreka, darka dhe martesa.
Velipojë, 1 tetor 1991
Kudo, që shkojshim, në rrethin tim familjar apo shoqëror, Valentino, përballej me fakte rrëqethëse, të vuajtjeve prej “luftës së klasave”, gja që i bani përshtypje të madhe. Nji komunist idealist, i tipit europian, si Valentino, kurrë s’e kishte imagjinue se, ekziston nji lloj komunizmi kriminal mafioz, si ai, i komunizmit shqiptar. Ballafaqimi me të keqen e tronditi shpirtërisht. Kur u kthye n’Itali, më pat deklarue, se nuk e ndiente veten ma komunist!
Dita, 1 Tetor 1991, qëlloi jashtëzakonisht e bukur dhe e nxehtë. Vendosëm me shkue me Valentinon në Velipojë, për shëtitje, por morëm edhe kostumet e banjës.
Me ne, erdhi edhe shoku im i ngushtë, Beniamin Deda (Beni). Plazhi i Velipojës, atë ditë, na u duk ma i bukur se kurrë, sepse ishte krejt i joni, nuk ishte askush. Deti kishte dallgë, por jo ndonji gja të veçantë, veshëm kostumet e bajës dhe të gjithë, me shpejtësi, drejt detit. Meqenëse Erina (vajza) ishte 9 vjeçe, nuk e pashë t’arsyeshme me e lanë vetëm në breg të detit, prandaj u thashë të tjerëve: shkoni ju, se unë, po rri me vajzën.
U ula buzë detit, Erina filloi me luajt te uji. Mbas pak, si pa dashje, më shkuan sytë te “grupi i notarëve”, të cilët po largoheshin me mjaft shpejtësi, prej bregut dhe për nji çast u çudita se, si ata po notojshin kaq shpejt! E dija, se Beni nuk notonte mirë. Ç’ka po ndodhte, pra? Nuk pata kohë me mendue ma gjatë, se prej detit u dëgjua nji britmë: ‘Aiuto, aiuto’ – dhe, dikush prej grupit më jepte sinjal, tue luajtë të dyja duart. Imagjinova situatën tragjike. U solla kah Erina, e i bërtita rreptë: Mos guxo me hi në det, vetëm! E, as nji e, as dy, por iu vërsula detit.
Në atë kohë, në moshën 48 vjeçare, energjitë e nji ish-sportisti ende nuk kishin mbarue. Notova me krol të shpejtë, drejt grupit dhe kur mbërrija, gjeta Benin gati tue u mbytë, nuk ishte në gjendje me folë, veçse ende kishte ndërgjegje. I bërtita, sillu në shpinë e mos luajt as duar dhe as këmbë, veçse bashko këmbët (e dija, se qëndronte shumë mirë mbi ujë, në pozicionin me shpinë kah detit). E shtyja, me kolpo te këmbët e bashkueme drejt bregut e për me pas sa ma shumë fuqi në shtytje, notoja stil bretkosë, me zhytje.
Beni, gjatë shtyrjeve pinte edhe ujë, por nuk kishte shumë rëndësi, sepse ju afruam bregut dhe unë mbërrija me takue këmbët n’tokë, mandej e mora në krah dhe e tërhoqa jashtë detit. Sapo u shtri në ranë, filloi me vjellë, e kuptova që Beni shpëtoi. Por, nuk mbrrita me u gëzue si duhet, sepse n’atë moment filloi me bërtit edhe italiani, Valentino: ‘Aiuto, aiuto’.
Përsërita për herë të dytë aksionin si me Benin; Valentinon e gjeta diçka ma lehtë, se Benin, por nuk kishte ma forcë me qëndrue mbi ujë (ai vuante edhe prej nji sëmundje, që i kishte fillu me i mpi muskulaturën). Atëherë i thashë: Mbështetu te qafa ime, e luaj vetëm këmbët. Përsëri me stil bretkosë, me zhytje, iu afruam të dy bregut. Sapo vura këmbët në tokë, e mora në krah dhe e nxora prej detit.
Në momentin, që lëshova në ranë Valentinon, doli Livia (vajza e madhe, në atë kohë, 14 vjeçe) prej detit dhe me shumë emocion më tha, që nana nuk muejte me dalë, me not në breg, prandaj duhej ndihmua. Për të tretën herë u vërsula drejt detit, në krol, e mbërrija te Justi, e cila po notonte shumë mirë dhe ishte mjaft e qetë, por më tregoi se, megjithëse notonte me sa fuqi kishte, uji i detit e shtynte larg bregut…!
E porosita që të luante vetëm duart, në stil bretkosë, kurse këmbët t’i mbante të bashkueme. Vepruam si në rastin e Benit, por ma lehtë, sepse Justi rrinte mbi ujë dhe ndihmonte me lëvizjen e krahëve, unë e shtyjsha me forcë të këmbët e saj, tue notue me stilin bretkosë, me zhytje.
Zoti më dha fuqi, nuk e ndjeva lodhjen, ndoshta edhe emocioni i situatës më kishte tendosë në maksimum. Notuam bashkë me Justin deri sa takuam këmbët, mandej dolëm normalisht, në breg.
Më kujtohet se, patëm qëndrua disa minuta, pa fol, ashtu të shtrimë në ranë, emocioni nuk na lejonte me mendue asgjë…! Mandej nji shpërthim histerik i të qeshurit, na mbuloi të tanëve. E keqja kaloi, “carpe diem”, u kthyem shëndosh e mirë në shtëpi.
Deri n’atë ditë, nuk më kishte ndodhë dhe nuk e kishe ditë, se në kondita të veçanta të detit, në Velipojë, rryma e ujit nën sipërfaqe merr drejtim, tue u largu prej bregut. Prej grupit, vetëm Livia doli me lehtësi, sepse Livia notonte, afër sipërfaqes së ujit, pra iu shmangte rrymës nën sipërfaqe, që të shtynte larg bregut.
Kohë mbrapa, peshkatarët e Velipojës më patën shpjegua se, dukuria që na kishte ndodhë atë ditë, ishte frekuente në Velipojë, sidomos në vjeshtë dhe se pjesa ma e madhe e atyre, që janë mbytë në Velipojë, e kanë psue prej rrymës nën sipërfaqe, që i ka largue prej bregut!
Preludi i vetë shembjes së diktaturës enveriste
Kriza ekonomike e sistemit komunist botëror, në fund të viteve ‘80-të, kapi nivele alarmante. Jo vetëm në Shqipni, por edhe në vendet e ‘Bllokut’ komunist, gjendja ishte në prag urie masive, situatë që paralajmëronte formën ma të dhunshme të protestave popullore. Të vetëdijshëm për situatën, drejtuesit e regjimeve diktatoriale komuniste, u detyruan të pranojnë nevojën e ndryshimit të sistemit, dhe të hapjes drejt demokracive perëndimore.
Lëvizjet popullore antikomuniste, në Poloni, nuk u shtypën me represion, po kështu ndodhi edhe në rastin e shkatërrimit të gardhit me rrjetë metalike që ndante kufirin e Hungarisë, me Austrinë, prej ku u larguan me mija hungarezë drejt botës së lirë.
Megjithëse ekonomia shqiptare ishte e gjujzueme (kujtoj praktikën e pandigjueme të pagesës prej 80% të rrogës mujore, punëtorëve pa punue…,por t’ue ndejë në shtëpi!), komunizmi shqiptar nuk jepte shenja konkrete e të dukshme, të mundësive për ndryshim. Pakënaqësia popullore dhe bisedat kundër regjimit komunist, u shtuan së tepërmi, e në brendësinë tonë, kishim fillua me kuptue, se diçka mund të ndryshonte…?!
N’atë kohë, kishim ble televizorin dhe lajmet e botës së jashtme i ndiqshim nëpërmjet televizionit jugosllav, valët e të cilit, i kapshim lirshëm në Shkodër. Gjendja psikologjike e familjes sime, ashtu si në familjet e të afërmve dhe të miqësisë, ishte shumë emocionale; po ndodhte ajo, që e kishim shpresue gjithë jetën, shembja e sistemit komunist.
Më kujtohet se atë pasdite të ftohtë të 9 nëntorit 1989, dhoma nuk ishte aq e nxehtë, dhe për me ndjekë në televizion shembjen e murit të Berlinit, që transmetohej direkt, ndihmuam babë Emidion (Emidio Tedeschini, vjehrrin tim, intelektual me doktoraturë për Jurisprudencë në Mynhen), që n’at kohë, ishte shumë i lodhun me shëndet, për me u ulë në poltronë, afër televizorit, me nji batanije krahëve.
Gjatë pamjeve, babë Emidio u përmallu me lot, dhe ashtu i emocionuem tha: “Lum si ju, që keni me pa fundin e komunizmit”. Na disi u çuditëm, sepse këtu në Shqipni, nuk kishte asnjë shenj të dukshëm se diktatura po mbaronte, megjithatë nuk e kundërshtuam, por u kënaqëm prej profetësisë së tij.
Mbas disa ditëve, nji shok i imi, Gjergj Marena, shtroi nji darkë në shtëpinë e tij, ku ishim të pranishëm unë, Zefi (vëllau i gruas) dhe gjashtë të tjerë, të gjithë shokë të tij të ngushtë. Atë natë, festuam së bashku, ramjen e Murit të Berlinit. Dy muajt, që pësuan, shkuan aq shpejt me komente dhe biseda mbi të rejat, që po ndodhshin, sa nuk mund ta llogaritshim ma kohën dhe…! Erdhi 24 nëntori 1989!
Atë ditë, televizioni jugosllav transmetoi direkt revoltën e popullit rumun, kundër diktaturës komunistë të Nikolae Çausheskut, gjë që na elektrizoi të tanve. Të nesërmen, datë 25 nëntor, ditën e diel të Kërshëndellave, gjatë pritjes së vizitave, të përmortshme në shtëpi, me rastin e ndërrimit të jetës së vjehrrit, (Emidio Tedeschinit), morëm vesh lajmin për ekzekutimin, në Rumani, të çiftit Çaushesku (burë e grua), gjë që na ushqeu fantazinë për shembjen e diktaturës edhe në Shqipni.
Vrasja e diktatorit komunist rumun, me të shoqen, ishte biseda e ditës në Shkodër, dhe merret me mend se, sa e madhe duhet të ketë qenë tronditja e kriminelëve të Byrosë Politike, në Shqipni. Mbledhja urgjente e Byrosë Politike, për me analizue situatën, nën kryesinë e Ramiz Alisë, doli me nji deklaratë “shumë të rëndësishme”: “Për t’i qëndruar pranë popullit shqiptar, Byroja Politike e Partisë së Punës, i lejonte çdo familjeje fshatare, për të mbajtur, për nevoja familjare, nji dhi ose dele, ose nji derr”…!!!
Ky, qe lëshimi i parë i komunistëve, në favor të nji populli të uritur! No coment!
Jetojshim me “veshët përpjetë”, për me kapë çdo lloj lajmi, mbi ndryshimin e pritshëm të kursit politik të regjimit. Në javën e dytë, të janarit, filluan me qarkullua zane, se nji grup të rinjsh shkodranë, ishin organizua për me rrëzua monumentin e Stalinit, që ndodhej në sheshin qendror të Shkodrës (sot Sheshi “Nanë Tereza”), dhe se, ditën e diel, datë 14 janar 1990, ora 12.00, ishte ftue populli i Shkodrës, me u mbledhë para monumentit.
Ne, shkodranve që e kishim përjetue dhunën e diktaturës komuniste, këto lajme na u dukshin si “prralla me mbret”, megjithatë, ditën e dielë rreth orës 11.30 minuta, së bashku me Zefin (kunatin), që kishte ardhë prej Durrësit, dolëm te sheshi. Aty morëm vesh, se nji natë ma parë, Sigurimi Shtetit kishte arrestue të gjithë organizatorët e revoltës për rrëzimin e monumentit. Sheshi qëndror, ku ndodhej monumenti i Stalinit, ishte plot e përplot me agjenta të Sigurimit të Shtetit, të veshun civil.
Shumë njerëz, si puna e jonë, që kishin dalë si spektatorë dhe nuk kishin guxim me qendrue te sheshi përballë monumentit, “bajshin xhiro”, prej rrugicës së Çobejve (Kino-Verore), deri te Rruga e Fretenve. Nji qetësi e frikshme, zotnonte atmosferën. Më kujtohet se, tre gra të reja; Huana Kurti, Keti Koçi dhe e ndjera Laura Keçi, me familjet e tyne, i ishin afrue monumentit ku Huana, me nji guxim (për kohën) të jashtëzakonshëm, nxiste fëmijën 4 vjeçar, me çue dy gishtat nalt, në formë të ‘V’!
Mbas pak, qetësia “artificiale” u ndërpre, prej zhurmës të nji guri, që goditi fugonin e Sigurimit, të parkuem afër monumentit, dikush në biçikletë, kishte shprehë urrejtjen e tij, tue e qëllue me gur, veprim që u pasue me nji lëvizje të menjëhershme, të agjentëve, të veshur civil, që e kapën me shpejtësi “Armikun e Pushtetit”.
Mbas kësaj skene, pak kah pak, njerëzit filluan me u shpërnda.
At ditë, pasdite, u morën në pyetje, në hetuesi shumë djem e vajza të dyshuam, për bashkëpunim, në tentative për me rrëzua monumentin e Stalinit (nder ta, pat qenë edhe Meri Beni, kushrina ime). Shumë u çuan në hetuesi speciale, në Tiranë, dhe prej tyre, rreth 16 persona, u torturuan dhe u dënuan deri 12 vite burg; tre u dërguan në çmendi (Spitali Psikiatrik) e njeri prej tyre, Rin Monajka, prej torturave, mbasi doli prej burgut, në gjendje të rëndë shëndetësore, ndërroi jetë mbas dy vjetëve, në Austri.
Mbas disa muajve, pushteti komunist e pat heqë natën, pa zhurmë monumentin e Stalinit, me pretekst se gjoja po rinovojshin sheshin…! Me amnistinë, që regjimi komunist bani, me 23 shtator 1991, të gjithë të burgosurit politik, u liruan prej burgjeve. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016