Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon një dokument të panjohur arkivor që për shumë kohë ka pasur siglën “sekret” dhe tashmë të de klasifikuara, i cili përket vitit 1989 dhe përmban një informacion të Komitetit për Marrëdhënie Miqësore dhe Kulturore me Botën e Jashtme, të kryesuar nga Jorgo Melica, që i dërgohet Ministrisë së Punëve të Jashtme prej nga kishte një lloj vartësie ai institucion dhe Komitetit Qendror PPSH-së, ku i bëhet me dije lidhur me një vizitë që kishin bërë në Shqipëri, dy shqiptarë me banim në Kaliforni të SHBA-ve: Adem Dukaj me origjinë nga Dinosha e Tuzit si dhe Agim Ziba me orgjinë nga Struga.
Sipas informacionit të hartuar nga Jorgo Melica, Adem Dukaj i cili “nuk ishte i shkolluar, por shumë i zoti dhe kishte bërë emër të madh dhe para në Amerikë”, kishte ardhur në Shqipëri në bazë të një rekomandimi që kishte dhënë për të Misioni diplomatik shqiptar, pranë OKB-së në New York, pasi ai kishte një kompani private për punime mekanike të imt,a me rreth 50 punonjës me të cilën kishte fituar çmimin e parë në Amerikë, për kompanitë nën 100 punëtorë.
Adem Dukaj që “shfaqte ndjenja të forta patriotizmi dhe urrejtje kundër serbit”, shoqërohej edhe nga Agim Zibaj, një emër i njohur për Komitetin që drejtohej nga Melica, pasi ai prej vitesh merrej me shpërndarjen dhe propagandimin në SHBA-ës të librave, revistave dhe video-kasetave të ndryshme, që i merrte në Tiranë.
E gjithë agjenda e dy shqiptarëve të SHBA-ës në atdheun e tyre, ku ata pasi bënë homazhe dhe vendosën një kurorë me lule, te varri i Enver Hoxhës, bën vizita dhe takime të shumta në institucione, qendra pune dhe prodhimi, ku u pritën nga drejtues, kuadro dhe funksionarë të lartë, ku ata shkëmbyen përvojë në drejtim të Industrisë Mekanike, duke ju sugjeruan mjaft gjëra dhe lanë edhe detyrat përkatëse për disa nga drejtuesit e ndërmarrjeve shqiptare, me të cilët ata u takuan, në mënyrë që të përsosej më shumë prodhimi…?!
Nisur nga gjendja e mjerueshme dhe gati katastrofike në të cilën ndodhej ekonomia shqiptare, në fundin e viteve ’80-të, udhëheqja e lartë e PPSH-së me në krye Ramiz Alinë, duket se e “lëshoi pak dorën” dhe bëri të mundur që asokohe të hapej rruga, e në Shqipëri të vinin individë apo grupe të ndryshme, si “për probleme pune”, ashtu dhe si vizitorë tek të afërmit e tyre. Por krahas shumë shqiptarëve, që vinin në atdheun e tyre me mallin për vendlindjen dhe me qëllime krejt të sinqerta, asokohe pati edhe individë joseriozë e deri aventurierë të ndryshëm, të cilët duke shfrytëzuar varfërinë e tejskajshme, që kishte pllakosur vendin, mungesën e informimit për shumëçka që kishte bota, mitizimin për të huajt, si dhe ekonominë shqiptare në kufijtë e katastrofës, bënin premtime të ndryshme, duke thënë se do sillnin pajisje dhe teknologji nga më të fundit! Dy prej tyre duket se kanë qenë dhe këta shqiptarë të diasporës së SHBA, Adem Dukaj dhe Agim Zibaj, të cilët vizituan Shqipërinë në vitin 1989, pas një rekomandimi që kishte dhënë për ta, Misioni diplomatik shqiptar në OKB. Ndërsa Agim Zibaj me origjinë nga fshati Livadhe i Strugës, prej gati një dekade merrej me shpërndarjen e materialeve propagandistike të regjimit komunist të Enver Hoxhës në SHBA-së, si librave, revistave, broshurave, fletë-palosjeve, videokasetave, etj., ku i bëhej jehonë “arritjeve të Shqipërisë socialiste”, Adem Dukaj rezultonte një biznesmen që operonte në punimet e imta të industrisë mekanike. Por, ndonëse i pashkolluar, ai ishte “shumë i zoti pasi kishte bërë emër të madh dhe para në Amerikë”?! Dhe sipas raport-informacionit të Kryetarit të Komitetit për Marrëdhënie Miqësore dhe Kulturore me Botën e Jashtme, Jorgo Melica, dërguar Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Komitetit Qendror të PPSH-së, prej nga kishte varësinë ai institucion, bëhet me dije e gjithë “vizita e suksesshme” që kanë bërë në Shqipëri dy bashkë atdhetarët me banim në SHBA. Ajo që vihet re dhe bën përshtypje në këtë informacion, nuk janë vetëm premtimet që bënin ata (kryesisht Adem Dukaj), por pritja që i rezervohej atyre nga funksionarë të lartë të shtetit shqiptar dhe drejtues ndërmarrjesh kryesore të industrisë mekanike shqiptare e më gjerë, si: Porti Detar i Durrësit, Kombinati i Autotraktorëve “Enver Hoxha”, Uzina “Dinamo”, Uzinat Mekanike në Patos e “Qytetin Stalin” etj. Pra drejtues ndërmarrjesh dhe kryeinxhinier që kishin vënë në punë dhe drejtonin prej vitesh ato vepra të industrisë mekanike shqiptare, tashmë merrnin mësime nga një individ fare anonim, i cili para se të largohej, ju linte dhe detyrat përkatëse?! Jo vetëm kaq, por ata në takimet me funksionarët e lartë të shtetit shqiptar, ju linin atyre me shkrim dhe prioritetet që duhet të kishte industria mekanike në Shqipëri?! Ky poshtërim që iu bëhej atyre, ishte “dhuratë” nga udhëheqja e lartë e PPSH-së, e cila pasi e kishte katandisur ekonominë shqiptare, në kufijtë e katastrofës, kërkonte shpëtim nga të tillë njerëz anonim, gjëja e vetme që dinin të bënin, ishin “ndjenja patriotizmit”?! Gjë për të cilën pak a shumë bën fjalë dhe ky dokument arkivor që Memorie.al e publikon.
Letra e Jorgo Melicës për Komitetin Qendror të PPSH-së
Komiteti Tiranë, me 2.7.1989
Nr_169___
I N F O R M A C I O N
Në bazë të rekomandimit të Misionit tonë në New York, bëri një vizitë në vendin tonë nga 11 deri 27 qershor, shqiptari me banim në Kaliforni të SHBA, Adem Dukaj. Ai shoqërohej nga shqiptari Agim Ziba, i cili gjatë qëndrimit të tij u muar me përgatitjen e materialeve shqiptare për të regjistruar videokaseta.
Adem Duka vjen për herë të parë dhe me të u trajtuan probleme të përsosjes teknikës dhe teknologjisë në vendin tonë, bazë dëshirës të shprehur prej tij për të ndihmuar me këtë drejtim. Ai është 53 vjeç, ka lindur në fshatin Dimoshe të Tuzit, afër Ulqinit dhe është emigruar në Amerikë 30 vjet më parë. Sipas tij, i ati ka qenë partizan dhe është njohur si trim. Gjatë luftës Nacional–çlirimtare ka shoqëruar 2-3 herë Vasil Shanton në kalimet në Jugosllavi. Për këtë ai shkoi edhe në Vrakë të Shkodrës, ku bëri fotografi para bustit të Vasil Shantos, që t’ua tregonte fëmijëve. Ka 5 fëmijë (vajzës së vogël ja ka vënë emrin Envera). Është me temperament i qetë dhe i matur, por duket se është njeri i zoti dhe ka bërë pasuri dhe emër në Amerikë. Disa herë thoshte “….dua ta shfrytëzoj unë Amerikën dhe jo ajo mua”. Manifestonte ndjenja të forta patriotizmi dhe urrejtje të thellë për serbët. Nuk ka kryer studime të larta, por me kurset e praktike është specializuar për punime të imta e të sofistikuara mekanike dhe ka një rrjetë të gjerë inxhinierësh, rreth 50 veta me të cilët bashkëpunon.
U tregua i interesuar të informohej për historinë dhe traditat shqiptare. Siç e pohonte edhe vetë ai kish ndihmuar vëllezërit e tij dhe fshatin në Jugosllavi, me të holla e traktorë, moto pompa, sharra elektrike etj. Ai shtonte se këto ndihma për të afërmit ose fshatin të cilat një pjesë s’janë vënë fare në jetë, përsëri ato janë pak e të kufizuara ndaj e ndjente veten borxhli, në një kuadër më të gjerë që t’i përkushtohej me ç’të mundej Shqipërisë.
Ademi për vite të tëra është marrë në Los Angelos, me punimin e daltave për sondat e ç’pimit, gjë që i ka sjellë fitime të mëdha. Por me që në këto 5 vjet të fundit, çmimi i naftës në vendet arabe është ulur dhe Amerika pakësoi punën me sondat, atij iu ulën fitimet dhe u detyrua të merrte një drejtim tjetër, të përgatisë pjesë ndërrimi për aeroplanë e satelitë, duke blerë makineri të fjalës së fundit. Ndonëse edhe në këtë fushë punët i kanë shkuar shumë mire dhe vitin e kaluar, ka fituar çmimin e parë në shkallë Amerike midis firmave të vogla që kanë nën 100 punëtor, për prodhimet cilësore me një shkallë të lartë preçizioni, ai ka vendosur që makineritë e sondave, të cilat aktualisht i ka pa punë, t’i transferojë në Bursa të Turqisë. Për këtë ka dy vjet që ka blerë vendin dhe ka filluar ndërtimin dhe vitin e ardhshëm ose më vonë, ka mendimin të shpërngulet edhe familjarisht në Turqi. Në këto kushte Ademi priti me shumë kënaqësi ardhjen në Shqipëri dhe shprehu gatishmërinë duke thënë:”Jam gati të ndihmoja me mendime, me punë dhe çfarë të lindë nevoja Shqipërinë”.
Duke u nisur nga gatishmëria e tij dhe nevojat e industrisë tonë mekanike, iu organizua një program vizitash në qendra pune e prodhimi, për të parë direkt fushat ku ai mund të ndihmonte. Vizitoi Kombinatin e Autotraktorëve “Enver Hoxha”, uzinat mekanike në Patos e Qytetin Stalin, Portin Detar ”Enver Hoxha”, dhe kantierin detar në Durrës dhe bëri një seri takimesh e bisedash, me kuadro drejtues e inxhinier. Për këto probleme u takua dhe me shokun Gani Qemo.
Adem Dukaj në të gjitha vizitat e takimet shprehu dashurinë dhe respektin për Shqipërinë dhe kënaqësinë për arritjet tona. “Enver Hoxha”, e la Shqipërinë të lulëzuar, me toka të punuara, me fabrika të ngritura, me kuadro të aftë, me njerëz të lumtur, me mbrojtje të forte. Unë i pashë me sy, kështu do të donte secili prej nesh t’ua linte pasardhësve. Ne Kosovarët kemi nevojë të vizitojmë Shqipërinë se këtu shikojmë ç’është socializmi, e jo në Jugosllavi, ku nuk respektohet mundi dhe gjaku i derdhur në luftë, tradita e njeriu”.
Ngjarjet e Kosovës i ndiqte me interes e shqetësim e herë herë nervozohej. Në fillim u shpreh se përse rinia shqiptare nuk proteston dhe nuk bën demonstrata në përkrahje të vëllezërve Kosovar, por gradualisht duke njohur më mirë me gjithë qëndrimin dhe politikën tonë ndaj Jugosllavisë dhe për Kosovën u sqarua dhe e quajti me vend qëndrimin tonë. Pasi lexoi fjalimin e shokut Ramiz në Kongresin e 6-të të Frontit, tha se i ka dhënë përgjigjet e duhura të gjithëve. Ju dhanë dhe mori me vete artikuj të shtypit tonë si dhe videokaseta me hapjen e Kongresit të 6-të të Frontit dhe me fjalën e shokut Ramiz, të cilat Agim Ziba do t’i shumëfishojë dhe do t’i ndajë në Amerikë.
Ademi i vlerësonte njerëzit që i kanë shërbyer Atdheut në tërë historinë e kombit si dhe nivelin e lartë të realizimit të veprave që u kushtohen siç është muzeu “Enver Hoxha” ai i Skënderbeut, Varrezat e Kombit etj. Ai bashkë me Agimin vendosën buqeta me lule pranë varrit të shokut Enver. I bëri mjaft përshtypje zhvillimi industrial i vendit, shtrirja në të gjitha degët sidomos në industrinë e rëndë dhe ajo mekanike. Ai nuk e mendonte se ne mund të kryenim kaq shumë proçese në industrinë mekanike. U habit dhe u kënaq dhe shtonte “kjo është pavarësi”. Konkretisht Adem Dukaj u zotua që të japë ndihmën e tij për problemet e mëposhtme:
Në Kombinatin e Autotraktorëve, kryeinxhinieri Ismail Sharra i paraqiti të nevojshme përsosjen e teknikës:
- Në makineritë ratifikuese për ingranazhe. Ademi pohoi se mund të gjenden të përdorura me çmime të ulta por që punën e kryejnë më mirë.
- Koka frezuese për modifikim makinash.
- Rasketa elektrike për të zëvendësuar punën e krahut që bëhet tani.
- Sharra për prerje metalesh mbasi ekzistueset kanë një seri dizavantazhesh.
Në Portin Detar në Durrës:
- Elevator për shkarkim mallrash rifuxho me kapacitet 10-15 mijë tonë/24 orë.
- Vinça paralele 25 ton e lartë
- Vinça me rrota 20-25 ton e lartë
- Buldozer të mëdhenj
Në kantierin Detar në Durrës
- Frezë për modul 16=800
- Dock lundrues 15-20000 ton/orë
- Torno L=6, m=1m
- Pajisje rektifikimi të boshteve motorike (Kollodok)
Për industrinë e naftës do të shikojmë mundësinë e zgjidhjes të problemeve të mëposhtme:
- Literaturë për projektimin konstruktiv të daltave të ç’pimit
- Literaturë për teknologjinë e prodhimit të daltave të shpimit me dhëmbë të vënë prej lidhje të fortë (karbit Wolframi)
- Të dhëna për materialin antifërkues për daljet e ç’pimit (për përmirësimin e punës të kushinetës) dhe teknologjia e prodhimit të tyre.
- Për material e teknologji e përgatitjes të hermetizuesve të kushinetave (nibber seal).
- Vizatime konstruktive për dalta shpimi që mund të disponoj.
- Oferta të ndryshme për aparate e pajisje të ndryshme për kontrollin, e daltave të shpimit gjatë prodhimit dhe të përfunduar.
- Teknologjia e armimit të dhëmbit të daltës dhe mundësia e mekanizmit të procesit të saldimit.
- Për teknologji të riparimit të pompave me burëm.
- Teknologjia e shfrytëzimi të vendburimit të naftës me injektim avull (në Venezuel ka një eksperiencë 30-vjeçare në këtë drejtim). Për këtë mund të ndihmohemi me pakerat fundore në injektimin e avullit etj. Metodat e llogaritjes të kollonave në puset që injektohet avull.
- Botim i fundit i standartit API për paisje të naftës instrumenta, tubo etj.
- Teknologjinë e përpunimit mekanik dhe makinën përkatëse për prodhimin e këmishës së pompës të thellësisë me gjatësi 300- 600 mm sipas vizatimit të dhënë.
- Makinerinë e nevojshme për çarjen e rrotave me dhëmbë e bosht ingranueshëm shevron sipas vizatimit.
Ademi i pa dhe i miratoi në vend këto kërkesa, listën e të cilave i morri me vete bashkë me ndonjë skicë dhe një kampion të elektrodës për veshjen e daltave të sondave të shpimit. Për rrugën dhe kohën e realizimit të tyre u tha se do të na mësojë puna. Së pari Ademi do të shikojë problemin e daltave duke parë pas analizave që do t’i bëjë materialit që morri nëse siguron cilësinë e duhur. Po ashtu u zotua të verifikojë kërkesat e tjera dhe ta kthejë përgjigjen për treguesit kryesor dhe rrugët se si mund të merren. Më të lehtë ai paraqiti sigurimin e literaturës bashkëkohore të cilën do ta nisë menjëherë.
Për plotësimin e këtyre kërkesave materialet ai tha se është mirë të përdorim 2 rrugë:
- Nëpërmjet një të treti, një firme që do të merrej vesh ju në Turqi a gjetkë.
- Të atashoni njerëzit tuaj pranë firmave të huaja apo tuajave që mund të ngrini në këto vende me qëllim që t’u jepet mundësia të vijnë atje tek unë e t’i çoj ku të doni të kontaktojnë ç’kini nevojë e si të jetë më mirë. Kjo do të ishte shumë e frytshme.
Me qenë se kishte një bibliotekë të pasur ai shprehu dëshirën që prej tyre ose nga botimet e reja t’i dërgojë Bibliotekës Kombëtare një sasi librash të fushave të ndryshme.
Po kështu edhe për arkitekturën do të dërgojë revista dhe në video tipe ndërtimesh, për institutet e ndërtimit.
Meqë ka përgatitur makinerinë për prodhimin e energjisë elektrike me anën e erës, ofroi ndihme me skica e projekte.
U zotua të na gjejë dhe të na dërgojë shpejt lëndë ngjitëse (silikon) për ngjitjen ne metalit me xhamin në Muzeun “Enver Hoxha”.
Në bisedë e sipër Ademi i tha shoqëruesit: “Duke mos pas besim te serbi, i cili ka fuqinë, unë jam gati të rrezikoj dhe të siguroj për ju armë të sofistikuara me rreze të gjatë veprimi nga të cilat janë shitur jashtë kontrollit të qeverisë sivjet në shkurt, por përsëri mund të shiten. Tha se ka kredi dhe shoqëri me një ish-oficer madhor amerikan tani në pension dhe me shumë firma ushtarake me autoritet të cilëve ju ka përgatit vegla”.
Gjatë vizitave të ndryshme ai bëri sugjerime:
-Të përsosim teknikën e prerjes dhe ambalazhimit të mermerit me anën e së cilës hapen fronte pune, por dhe rritet çmimi i shitjes së mermerit. Të mos shitet gur, por blloqe.
-Të hyjmë në lidhje me Ministrin e Eksportit të Egjiptit që të blejë ujë në Shqipëri. Ndërlidhës, tha ai, do të bëhem unë se e kam mik dhe ma dëgjon fjalën. Do të veprojmë sapo të marrim përgjigje nga Ademi.
-Uzina e Instrumenteve në Korçë të përgatisë pajisje për klinika dentare në mënyrë që të shkurtohet importi, mbasi disponon të gjitha pajisjet.
Para se të largohej, Ademi shprehu kënaqësinë dhe përfitimin nga kjo vizitë si dhe zotimin për të plotësuar gjërat që morri përsipër duke mbajtur lidhje me Komitetin si dhe me specialistët nëpër ndërmarrje. Duke u larguar tha se në Kaliforni ka rreth 300 shqiptarë që pyesin për arritjet pse nuk e njohin mirë Shqipërinë sot. Sidomos të moshuarve unë do t’u them: “Duhet lavdëruar Partia, që lulëzoi Shqipërinë e jo zoti që për shekuj si dha gjë”.
Në vizitat në qendrat e punës është shoqëruar nga përfaqësues të Ministrisë së Industrisë. Problemi që trajtoi me ta ja ngriti shokut Gani Qamo, i cili i foli për perspektivën e zhvillimit të Ekonomisë tonë dhe për format e shkëmbimit./Memorie.al
K R Y E T A R I
Jorgo Melica
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016