Nga Shpendi Topollaj
Memorie.al / Një oficer i vjetër i Marinës Luftarake në Bazën Detare të Pashalimanit, u tregonte oficerëve të rinj, që ishin mbledhur rreth tij atë mbas dite në kohën e lirë, teksa diskutonin për dashurinë, një temë kjo pak si e huaj në ushtrinë.
– “Ngjasin ca gjëra të çuditshme ndonjëherë. Po t`i thuash dikujt se dikur në ishullin e Sazanit ku unë shërbeja, ka qenë një fshat i banuar me rreth dyzet shtëpi, vështirë se do ta besojë. Por ja që ai ka ekzistuar dhe quhej Sebep. Kureshtar i madh, një marinar nga Shkodra, sa herë i jepej mundësia, dilte e shihte gërmadhat e mbetura poshtë ca fiqve të egër. Lepujt i kalonin fare pranë, pa pasur aspak frikë, ngaqë ishin mësuar me ne dhe ai ulej në një hije e mendohej, gjersa i mbushej mendja e kthehej te shokët. Kur ata e pyesnin se ç’dreqin donte atje, se ai nuk ishte as arkeolog, ai u përgjigjej: – Jam arkeolog i dashurisë. Rri atje e vras mendjen se a dashuroheshin njerëzit e këtij fshati. Si takoheshin. Ku takoheshin. Ç`sakrifica bënin për dashurinë. Se unë vetë e kam një të dashur, se ju e dini që jam i fejuar dhe kur më merr malli për të, nuk e di se ç`do bëja vetëm për t`a takuar një herë. E kemi pak të gjatë shërbimin ne marinarët. Një fjalë goje katër vjet, mor ta marrsha, po mua më duken katër shekuj. Ju s`keni se si ta kuptoni… prandaj habiteni kur më shihni që mendohem gjatë”.
Dhe sytë gati i mbusheshin me lot Pjetrit, se kështu quhej ai djalë. Por halli ishte se njësoj si Pjetrin e kishte marrë malli dhe atë vajzën. Ajo ishte nisur një ditë dhe kishte mbërritur në Vlorë.
Nga Posta, nëpërmjet centralit të Marinës Luftarake, sido që nuk lejohej, ajo njoftoi që t`i thoshin Pjetrit se, i kishte ardhur e fejuara dhe e priste në Skelë. Centralisti, shok i tij nga Lezha, i kërkoi asaj që ta merrte edhe një herë pas nja gjysmë ore, sa ta bisedonte me Pjetrin dhe do t`i jepte përgjigje.
Pastaj, si la një tjetër në central, vrapoi tek ato gërmadhat dhe i dha lajmin e gëzuar Pjetrit. Atij nuk po i besohej dhe nisi t`i rrihte fort zemra. Ndërkohë zuri të mendohej dhe u mërzit kur u kujtua se, sido që ta kishte punën, në atë orë nuk mund t`i jepnin leje, se nuk kishte me se të shkonte, pasi rimorkiatori i furnizimeve, nisej vetëm të nesërmen në mëngjes. Duke parë se ishte e kotë të kërkonte leje, e ndau mendjen të nisej me not.
Për i shkathët, ai nuk e kishte shokun, por kini parasysh se deri në Vlorë, janë plot 9.8 milje. “Do bëj si do bëj, – tha -dhe nesër mbas dite do kthehem me rimorkiatorin që do sjellë furnizimet me ujë dhe ushqime. Po më dënuan, le të më dënojnë. Unë i izoluar se i izoluar jam këtu në ishull. Kështu që ia vlen”.
Foli me të fejuarën dhe i tha që ta priste disa orë, pasi gjallë – vdekur, do vente tek ajo se s`bën. Ja tregoi atë që do bënte atij shokut dhe u largua pa humbur kohë. Shkoi te karburanti, u zhvesh dhe si mbështolli rrobat me një plastmasë, u lye me graso.
Dengun me uniformë e hodhi në shpinë dhe pastaj pa humbur kohë, ia dha vrapit andej nga bregu, pa dashur t`ia dijë për distancën e largët. U fut në ujë dhe filloi të notojë. Kaloi Mexo-kanalin dhe herë duke notuar e herë duke u çlodhur pak, ia doli mbanë. Ju jeni vetë detarë dhe e dini se çdo të thotë të kalosh gjithë atë distancë duke notuar.
Pas tetë orësh, i lodhur e i rraskapitur, mbërriti në breg. Ajo vazhdonte ta priste atje te lulishtja ku i kishte thënë ai dhe mbeti e habitur kur e pa Pjetrin që, dukej sikur kishte dalë nga ferri.
U pastrua ashtu si mundi Pjetri dhe u vesh. E kaluan gjithë natën përjashta dhe të nesërmen shëtitën nëpër qytet, ku pasi hëngrën drekën, ajo e përcolli deri tek moli prej ku do të nisej rimorkiatori. Shokët kur e panë, u gëzuan dhe thanë se atje në ishull ishte dhënë alarmi, pasi e dinin të mbytur.
Kuptohet që ai shoku e kishte mbajtur porosinë dhe nuk u kishte thënë asnjë fjalë. Pastaj edhe ndihej fajtor, pasi e kishte rreptësisht të ndaluar që, t`i lidhte ushtarët me këdo që mund t`i kërkonte në telefon.
Me të mbërritur pas nja një ore në repart, Pjetrin e çuan te komandanti Pandi Opari, një burrë i mrekullueshëm, por që e kishte humbur fare nga zhdukja e papritur e marinarit. Pjetri, dha shpjegimet e tij, por ato ishin të pamjaftueshme që ata ta falnin, ndaj komandanti, i dha njëzet ditë arrest disiplinor. Në krye të njëzet ditëve, oficeri i rojës e nxori atë nga dhoma e izolimit dhe e çoi përsëri te komandant Pandi.
– A ke nxënë mend o Pjetër? – e pyeti prerë ai.
– Përse? – bëri të paditurin Pjetri.
– Ja pra: a je bërë pishman që ike pa leje nga shërbimi ushtarak?
– Shoku komandant! A e don të vërtetën?
– Fol o Pjetër!
– Unë e dija se do bëja burg, por nuk jam pishman. Dhashë një provë dashurie e besnikërie dhe për këtë jam krenar.
Pandi e dëgjoi deri në fund, pastaj u ngrit nga tavolina, e përqafoi Pjetrin dhe duke i zgjatur një copë letër i tha:
– Pikërisht për këtë, po të jap një muaj leje. Shko e rri me të fejuarën se e meritoni që të dy. Ti di ta mbrosh dashurinë tënde, ndaj po shpërblehesh. Se dashuria do dhe trimëri dhe sakrifica”.
Kur oficeri mbaroi së treguari, Agimi, një oficer i ri, i gjatë, i fuqishëm dhe shumë i pashëm, dha mendimin e tij pa e pyetur kush:
– Kot u shqetësuan ata të repartit. Ata duhej të alarmoheshin, sikur Pjetri të shkonte me not në Itali.
Kjo ra si bombë, mes atij grupi oficerësh. Ishte viti 1975 dhe Plenumet e Komitetit Qendror të PPSh-së, për dënimin e veprimtarisë armiqësore të “puçistëve” në Ushtri, s`kishin mbaruar ende. Ndaj aludime të tilla, tingëllonin shumë keq. Aty për aty askush nuk i tha gjë Agimit.
Në të vërtetë, atij askush nuk duhej t`ia merrte si të thënë me qëllim. Ai ishte djalë oficeri, i cili jo vetëm kishte qenë partizan i vjetër, por dhe njëri nga 200 komunistët e parë.
Tankisti Murat Agaraj, ishte i njohur kudo në Ushtri, si njeri i ndershëm dhe shumë punëtor. Endërra e tij ishte që dy djemtë e tij Agimin dhe Ilirin, t`i bënte oficerë, për t`i shërbyer Atdheut dhe kjo ëndërr i qe realizuar. Jo vetëm Agimi, por edhe ai më i vogli, kishin kryer studimet në Shkollën e Marinës. Agimi shërbente këtu në nëndetësen Nr. 3, kurse Iliri, qe caktuar komandant ‘Kateri silurue’, në bazën e Shëngjinit.
Qysh në shkollë, Agimi kishte luajtur basketboll me ekipin e “Flamurtarit”. Ai dallohej si sportist me vlera të mëdha dhe si i tillë, kishte fituar dashurinë e gjithë vlonjatëve. I zgjuar dhe i kulturuar, pasi dhe lexonte shumë, ai s`para e çante kokën për rregullat e ngurta të Ushtrisë.
Donte një vajzë dhe ikte kur i mbushej mëndja, kur nuk ishte me shërbim dhe sa herë jepej alarmi, ai mbërrinte i pari, pasi e kishte rregulluar që ta njoftonin me një herë.
Njëri nga shokët e tij, a tifozët, e merrte prapa në motor dhe e sillte në kohën e duhur. Vetëm një herë, si duket nga që ishte shumë i lodhur, komandanti i nëndetëses, Jaku, me dy të tjerë, gjatë kontrollit, e zuri duke fjetur në shërbim.
Nëndetësja ishte në lundrim dhe ai qe caktuar te periskopi rezervë i kabinës luftarake. Kjo ishte shkelje e rëndë dhe nuk mund të kalohej lehtë, pasi edhe pasojat mund të ishin serioze.
Ashtu është organizuar sistemi i vrojtimit në nëndetëse gjatë lundrimit në thellësinë e periskopit me ‘PDNU’ që do të thotë Punimi i Diezelit Nën Ujë. Kjo mënyrë lundrimi që nuk shkonte më shumë se dhjetë metra thellësi, parapëlqehej për të kursyer energjinë, për të karikuar bateritë dhe për të bërë ventilimin e mjediseve të brendshme të nëndetëses.
Atë kënd të vdekur që lë posti Qendror, e mbulon ky i dyti. Kështu që përgjegjësia është shumë e madhe, se mund të ndodhë çdo gjë. Agimi nuk u justifikua.
Ai e pranoi burrërisht gabimin edhe kur kjo çështje u shtrua në kolektiv. Mirëpo shokët e mbrojtën. Edhe Jaku u mjaftua me kaq, pasi e dinte se s`kishte kuptim të dënoje një oficer të tillë. Qysh atë ditë ata, u lidhën edhe më shumë. Jaku, u mjaftua vetëm duke mos e futur hë për hë në shërbim.
Kështu që Agimi, rrinte në kabinën e tij dhe lexonte gjithë ditën. Dhe dëgjonte muzikë në radio, në atë stacion që i pëlqente. Por sidoqoftë ndjehej i fyer. Kur pas pesë ditësh dolën në breg, mësuan se ishin caktuar si ekuipazh që të asgjësonin anijen e mbytur italiane, që gjatë luftës me Greqinë, kishte shërbyer për artilerinë.
Jaku përcaktoi detyrat, pasi asgjësimi i anijes prej gati 50 metra gjatësi do kryhej me silurë. U morën masat e rrepta dhe pasi u siguruan parametrat e duhura, u mor në shenjë anija nga distanca rreth 1.000 metra, me drejtin nga derdhja e Izvorit. As që vihej në dyshim saktësia e qitjes.
Por… kishte ndodhur që një marinar, gjatë pastrimit, e kishte lëvizur shkallëzimin e rrethit azimutal në periskop një gjysmë grade. Si u dha komanda “Zjarr”, silura lëvizi normalisht, u ul si fillim, pastaj mori drejtimin e duhur, por të gjithë mbetën pa frymë, kur panë se ajo po e anashkalonte nja tetë metra kiçin e anijes së mbytur.
Oficerëve gati u pushoi zemra, kur panë se ajo vazhdonte të rrëshqiste drejt bregut, ku me dylbi ndiqte aksionin vetë Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, me komandën e Flotës. Silura, që ishte e tipit “Gaz – avull 53 – 39”, nuk qe nga ato akustiket që e ndjekin objektivin sipas zhurmës që bën.
Ajo eci deri sa doli në zallishte dhe kur s`mundi më, pushoi xhiroskopi dhe ndaloi. Ishte fat që nuk plasi, se do qe bërë hataja. Nuk dihet pse, ndofta ngaqë nuk pati dëme, por ata të ministrisë, u sollën butësisht, duke thënë se këto janë gjëra që ngjasin.
Mirëpo tani lindte një problem jo më i vogël: kush do ishte ai burrë që do të çmontonte silurën?! Menjëherë doli vullnetar Agimi. Dhe pas tij edhe Koço Lubonja e Thoma Rubia. Të tre me guxim të madh dhe me gjakftohtësi, i hynë këtij rreziku. Djersët u shkonin çurkë, por nuk e dhanë veten.
Punuan me durim dhe bënë të mundur mënjanimin e rrezikut të madh, pasi silura ka jo pak, por gati dy kuintal lëndë plasëse, shumë të fuqishme. Të tre këta oficerë, shokët i përgëzuan sikur të ishin heronj. S`kaloi shumë dhe të gjithë mbetën me gojë hapur, kur u thanë se, ishte arrestuar Agim Agaraj.
“S`ka mundësi, – arsyetonin shumica. – Përse duhet arrestuar ai? Mor jo vetëm ai, por edhe i vëllai, tha dikush. Djemtë e Muratit? Komunistit të orëve të para? S`ka mundësi! Po, po ka shumë mundësi, pasi ata kanë dashur të arratisen. Dhe e dini me se? Me katerin silurues që komandonte Iliri. Nga Shëngjini kanë dashur të ikin.
Po a nuk e mbani mend ju se, ai dikur tha se, ai ushtari, fare mirë mund të kishte ikur në Itali? E pra e ka pasur me kohë ndër mend ai. E quante veten sportist të madh që këtu s`kishte mundësira të shfaqte deri në fund talentin e tij, pasi e fusnin me shërbime. Nuk i pëlqente socializmi atij. Donte Perëndimin….! Muzikën dekadente, dëgjonte edhe këtu në repart. Edhe në nëndetëse”.
Disa muaj më vonë u zhvillua gjyqi. Atë e drejtonte një gjykatë ushtarake e cila i dënoi ata djem të rinj me, nga tetë vjet burg. Muratit kuptohet, nuk i hyri në punë tesera e viti 1941. Agimin e dërguan në fillim në Ballsh. Pastaj në Qafën e Barit. Në Ballsh, ishte diçka më ndryshe se edhe luanin ndonjëherë volejboll a, ndonjë sport tjetër, por këtu ishte keq, fare keq.
Ishte e kuptueshme se Agimi, që s`duronte ngurtësinë e rregullave ushtarake, këtu në burg do bëhej problem për komandën. Ndaj asnjëherë nuk u mor vesh pse ai djalë i mrekullueshëm, vetëm një javë më parë se të plotësonte dënimin dhe të dilte nga burgu, vdiq…!
Thanë se shkak ishte bërë tetanosi. Por hajde dhe gjeje tani, pse iku nga jeta ai që kishte thënë fare pa të keq, se ai marinari nga Shkodra, mund t`ia mbathte dhe për në Itali, e vetë ai me të vëllanë, s`e kishte fare problem vajtjen atje me kater silurues, po t`a kishte në plan. Ai djali që s`i gjendej shoku i cili, ikte ndonjëherë tek e dashura e tij. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016