Dashnor Kaloçi
Pjesa e tridhjetë e pesë
Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat i përkasin vitit 1982, ku ndodhet një dosje me relacione, raporte, udhëzime, informacione, proces-verbale mbledhjesh të Byrosë Politike, Sekretariatit të Komitetit Qendror, etj., lidhur me “veprimtarinë armiqësore” të anëtarit të Byrosë Politike dhe ministrit të Mbrojtjes Popullore, Kadri Hazbiu, (që për tre dekada me radhë kishte mbajtur postin e ministrit të Punëve të Brendshme), si dhe disa prej bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë, si: Feçor Shehu, Mihallaq Ziçishti, Llambi Peçini, Zoi Themeli, etj., të cilët u akuzuan nga Enver Hoxha, si “bashkëpunëtorët kryesorë të poliagjentit Mehmet Shehu”. Në dosjen në fjalë, ndodhet edhe një dokument me autokritikën e Kadri Hazbiut, e cila mban datën 27 shtator 1982, dërguar Enver Hoxhës dhe Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, lidhur me “punën e tij të dobët, në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe mungesën e vigjilencës, për mos zbulimin e grupeve armiqësore, të cilat të gjitha i kishte zbuluar partia dhe shoku Enver”. Për më shumë rreth kësaj, na njeh dokumenti prej 24 faqesh, me autokritikën e ish-ministrit të Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, (ku në çdo faqe të saj, Enver Hoxha, ka vënë shënime me shkrimin e tij), e cila bëhet për herë të parë publike nga Memorie.al
Dokumenti me proces-verbalin e mbledhjes së Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, i mbajtur më 8 tetor 1982, ku u muarr në analizë “veprimtaria armiqësore” e Kadri Hazbiut
PARTIA E PUNËS SË SHQIPËRISË TEPËR SEKRET
KOMITETI QENDROR
PROCES-VERBAL
I MBLEDHJES SË BYROSË POLITIKE TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH MË 8 TETOR 1982
Rendi i ditës:
- Diskutim mbi fjalët e rënda të shokut Kadri Hazbiu
- Miratimi i raportit mbi transportin për në plenum
Në mbledhje janë të pranishëm të gjithë anëtarët e Byrosë Politike.
ZHVILLIMI I MBLEDHJES
Mbledhjen e hapi dhe e drejtoi, sekretari i parë i Komitetit Qendror të PPSh-së, shoku Enver Hoxha.
Diskutim mbi fajet e rënda të shokut Kadri Hazbiu.
SHOKU LLAMBI GEGPRIFTI: Armiku Mehmet Shehu, i shkruan shokut Hysni në përgjigje të letrës që kishte marrë nga ai lidhur me listën e bashkëpunëtorëve tanë që ishin në varësi të Punëtorit Operativ vendas në Bashkimin Sovjetik, se Kadriu ka bërë gabim që i ka dhënë në lidhje agjenturës së huaj, agjenturën tonë. Këtë pohim ky krye komplotist, dirigjent i kësaj bande tepër të rrezikshme për Partinë dhe Popullin tonë, e bën në vitin 1975. Pra ky gjarpër, hiqet sikur nuk di gjë për këtë faj të rëndë dhe për dëmin e madh që i kanë sjellë Sigurimit tonë, veprimet e kryera nga Kadriu të cilin e ngarkon dhe me përgjegjësi. Tani problemi është mëse i qartë. Armiku Mehmet Shehu, jo vetëm që ka qenë plotësisht në dijeni por ai ka qenë dhe organizatori e udhëheqësi i gjithë asaj veprimtarie.
Ju në rrugë shtetërore, mbanit lidhje me armikun Mehmet Shehu. Këtë të vërtetë ju e pohonit dhe vetë në autokritikën tuaj pra, do bënit mirë që të na flisnit me ç’porosi, ç’detyra, dhe ç’udhëzimesh keni marrë nga ky armik për këto probleme që po diskutojmë, dhe pse nuk e keni vënë në dijeni shokun Enver për to?! Përse këto veprime janë bërë pas shpinës së Partisë?! Lidhur me listën e studentëve tanë, që ishin bashkëpunëtorë të Sigurimit dhe që diheshin, madje mbaheshin edhe në lidhje nga Sigurimi sovjetik, thoni se në vitin 1962, përveç tradhtarëve, këtë çështje ja keni ngritur edhe Sekretarit përkatës të Komitetit Qendror të Partisë.
Edhe lëvizjet e armiqve që janë bërë nga një vend në tjetrin, sipas interesit të krye-agjentit Mehmet Shehu, mbi mua le të bjerë çdo përgjegjësi, thoni ju, por shtoni se për këtë kanë përgjegjësi dhe disa shokë Sekretarë të Komitetit Qendror që mbulonin Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe kuadrin. Me këtë ju mundoheni të shmangni përgjegjësinë, duke qenë i bindur se për të gjitha këto gabime të tuat, përgjegjësia bie mbi ty. Juve, ju kishte caktuar Partia ministër të Punëve të Brendshme, dhe kishit detyrën tuaj themelore të zbulonit çdo veprimtari armiqësore, të mbronit Partinë, Popullin, dhe udhëheqjen e saj nga kjo veprimtari.
Ti ngarkon përsëri me përgjegjësi shokun Hysni, duke thënë se listën e bashkëpunëtorëve tanë të Sigurimit sovjetik, ia ke bërë të ditur atij dhe armikut Mehmet Shehu. Nga ty dhe nga dikasteri që ti drejtoje, Partia, as grurin, as naftën, s’kërkonte, por zbulimin e armiqve të Partisë, Popullit, dhe vendit tonë. Patjetër që dhe mosrealizimi i planit të naftës dhe misrit, e dëmtojnë ekonominë tonë, por ato janë prapë të kompesueshme në tejkalimin e zërave të tjerë. Kurse moskryerja e detyrës dhe moszbatimi i vigjilencës nga organet e MPB-së, është me pasoja të rënda dhe pasoja të pakorrigjueshme për Partinë dhe Popullin tonë.
Ju, se keni bërë detyrën si ministër i Punëve të Brendshme, megjithëse në veprimet dhe në bisedat që bënit, të linin të kuptoje sikur ti, ishe mjeshtër i talentuar i punëve në Sigurim, dhe formove kultin tënd në këtë funksion. Ti thoje shpesh se, në Sigurim i shikojmë gjërat me këmbë përpjetë por, tani po shohim se të tëra këto paskan qenë llafe. Ju nuk ngjallët as më të voglin dyshim, nga armiqtë e shumtë që të rrethonin. Ti si ministër i Punëve të Brendshme, u bëre urë kalimi për zhvillimin e kësaj veprimtarie armiqësore kaq të ashpër dhe të rrezikshme për ne, dhe për këtë mban përgjegjësi ti madhe.
Tani që komunistët, u njohën me fjalën e shokut Enver, në “Tablonë Sinoptike për veprimtarinë agjenturore të armikut Mehmet Shehu”, të gjithë kanë arritur në konkluzionin se vetëm Partia dhe shoku Enver, janë zbuluesit e kësaj veprimtarie dhe shpëtimtarët e popullit tonë nga fuqitë imperialisto-revizioniste, dhe jo organet e Sigurimit të Shtetit dhe ju personalisht, megjithëse ata kanë pasur besim shumë të madh mbi ju. Ne si komunistë që jemi, nuk besojmë te fati, thonë mjaft komunistë në Gramsh, por zotësia e shokut Enver, ishte dhe fati i popullit tonë që na shpëtoi nga kjo e keqe e madhe.
Për çka folëm më lart dhe unë si shokët, propozoj që Kadri Hazbiu, të shkarkohet nga funksioni i anëtarit të Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së, dhe nga detyra si ministër i Mbrojtjes Popullore, ndërsa çështja e tij të shtrohet në organizatën bazë të Partisë. Nga kjo analizë nxjerr mjaft mësime e konkluzione të rëndësishme të cilat do ti kem gjithmonë parasysh për punën time në të ardhmen.
SHOKU FOTO ÇAMI: Shkurt do flas edhe unë pasi shokët treguan plot gjëra. Është e qartë se shoku Kadri, duke qenë për një kohë të gjatë, ka qenë ministër i Punëve të Brendshme, mban një përgjegjësi tepër të madhe për të gjitha ato që kanë ndodhur në këtë dikaster. Për ne, del se Sigurimi i Shtetit në vend që të ishte një armë e fuqishme e Partisë dhe Diktaturës së Proletariatit, për të luftuar armiqtë, ai ishte kthyer në një çerdhe armiqsh në shërbim të të huajve, kundër interesave jetike të vendit. Dhe e keqja është se këta njerëz, kanë vepruar këtu jo për një e dy vjet, por për një kohë shumë të gjatë duke i sjellë vendit tonë dëme të mëdha.
Pastaj këta, nuk kanë qenë një ose dy veta punonjës të thjeshtë por kanë qenë një bandë e tërë elementësh armiq në poste drejtuese dhe me shumë përgjegjësi, e në lidhje të drejtpërdrejtë me shokun Kadri. Për të gjitha këto, është pak të thuhet se kemi të bëjmë me një mungesë vigjilence, me frymë familjariteti, apo me një farë euforie, siç përpiqet ti shpjegojë këto shoku Kadri, në autokritikën e tij. Në ngjarjet që po analizojmë, tërheqin vëmendjen disa gjëra.
Si mund të shpjegohet se armiqtë më të rrezikshëm të Partisë dhe Popullit, janë zbuluar nga shoku Enver, kurse organet e Sigurimit të Shtetit, të specializuara për këtë qëllim, nuk janë ndjerë fare?! Si mund të shpjegohet puna shumë e dobët e këtyre organeve, për zbulimin e agjenturave të huaja, Perëndimore apo Lindore, puna shumë e cekët në hetuesi, dhe fshehja e fakteve nga ana e saj, sidomos lidhjet me puçistët në ushtri dhe ekonomi?! Po si mund të shpjegohet gjithashtu, gjithë kjo miqësi e ngushtë me këta njerëz, që sot po dalin të gjithë agjentë të të huajve që kanë dashur ti bëjnë varrin Shqipërisë?! Gjithë këto konsiderata, vlerësime, e propozime, për ti ngritur në përgjegjësi këta armiq, siç është rasti i Feçor Shehut, për ta bërë ministër, ç’tregon?!
Jo, këto gjëra nuk mund të kalojnë me kaq lehtësi, sic po përpiqet të bëjë shoku Kadri. Nuk është aspak e besueshme që shoku Kadri, nuk ka pasur dijeni, që nuk ka pasur asnjë sinjalizim për të gjitha ato që kanë ndodhur në Ministrinë e Brendshme, për të cilat ai duhet të informonte menjëherë udhëheqjen e Partisë. Gjë që ai nuk e ka bërë, dhe për këtë ai duhet të japi shpjegime. Të vijmë tani tek problemi tjetër, te dhënia e dokumentacionit sekret dhe të agjenturës sonë, sovjetikëve. Le ta pranojmë këtë praktikë, në vitet e para të pasçlirimit, në kohën e Stalinit, kur në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme ishte armiku i urryer Mehmet Shehu, po si mund të shpjegohet vazhdimi i kësaj praktike deri në vitin 1960?!
Nuk të bind aspak ajo që thuhet në autokritikën e shokut Kadri, se kjo u bë për traditë, se unë kështu e gjeta dhe kështu e lashë, etj. E para, edhe siç doli këtu sot edhe pas ardhjes tënde në Ministrinë e Punëve të Brendshme, shoku Kadri, janë bërë ndryshime ku këshilltarët sovjetikë nga 7-8 vetë që ishin, shkuan në 40-50 vetë. E dyta, pastaj gjithë këto gjëra dhe gjithë këto sekrete, u janë hapur sheshit sovjetikëve pas ardhjes në pushtet të Hrushovit, kur midis vendit tonë dhe Bashkimit Sovjetik, kishin ndodhur shumë ndryshime e kontradikta.
Për njerëzit e thjeshtë këto gjëra, mund të mos diheshin por për shokun Kadri, nuk kanë qenë të panjohura faktet e tilla, siç ishin kundërshtimet e Partisë sonë lidhur me vajtjen e Hrushovit në Jugosllavi dhe për rehabilitimin e Titos, për vijën e Kongresit të XX-të të P.K. të BRSS-së, për dënimin e Stalinit, për vlerësimin dhe qëndrimin e Hrushovianëve lidhur me kundërrevolucionin në Hungari e Poloni, për presionet që na bënë revizionistët në Kongresin e III-të për të rehabilituar Koci Xoxen, se gjatë vizitës së Hrushovit në Shqipëri, nuk duhej folur keq kundër Titos, etj.
Në këto rrethana, nuk mund të kuptohet se si mund tju hapeshin sovjetikëve të gjitha dyert e Sigurimit të Shtetit, t’ju jepeshin atyre të gjitha sekretet e shtetit tonë, veprime këto të rrezikshme, që cënojnë drejtpërdrejtë sigurimin e tij. Aq më tepër kur të gjitha këto, bëheshin pa dijeninë e Komitetit Qendror të Partisë, dhe shokut Enver Hoxha. Është i vështirë të pranohet arsyetimi i shokut Kadri, se ai ka qenë plotësisht i bindur se Komiteti Qendror ka pasur dijeni për këto gjëra. Nëse ai do ti shihte këto anomali, atëherë përse nuk e ngriti asnjëherë zërin në Parti?! Fakt është që autokritika e shokut Kadri, nuk është bindëse.
Ajo është më tepër një orvatje, për t’u shfajësuar sesa për t’ja thënë gjërat hapur Partisë. Ato që kanë ndodhur në Ministrinë e Punëve të Brendshme, janë tragjike, janë tronditëse, dhe nuk mund të shpjegohen kalimthi si një metodë e stil pune. Ngjarjet, faktet, dhe logjika, e shëndoshë flasin për tjetër gjë. Prandaj këto neve, duhet të na i thotë më qartë shoku Kadri, ndryshe përgjegjësia e tij bëhet më e rëndë. Por edhe nga ato që u bënë të njohura në fjalimin e shokut Enver, në Plenumin e 4, për veprimtarinë armiqësore të Mehmet Shehut nga materialet që lexuam dhe nga këto pak gjëra që dëgjuam këtu sot në këtë mbledhje, del krejt logjikshëm konkluzioni se Kadri Hazbiu, në asnjë mënyrë nuk mund të qëndrojë më në ato poste që ka në Parti dhe në Shtet. Prandaj unë, jam dakord me propozimin e shokëve.
SHOKU QIRJAKO MIHALI: Siç u bë e qartë, Mehmet Shehu duke qenë në shërbim të disa Zbulimeve të huaja dhe për një kohë të gjatë, ka vepruar në dëm të Partisë dhe Popullit me egërsi, dhe duke e kamufluar veten mjaft mirë. Në mbulimin e veprimtarisë së Mehmet Shehut, kanë ndihmuar duke u bërë shok me të dhe disa kuadro të rëndësishëm të Ministrisë së Punëve të Brendshme, ku për një kohë të gjatë ka drejtuar Mehmet Shehu, dhe që nga viti 1954, Kadri Hazbiu. Pa mohuar punën e bërë në këtë dikaster, për të luftuar armiqtë, vëmë re se mungesa e vigjilencës, moszhvillimi sa e si duhet i luftës së klasave, ka bërë që të mbrohet veprimtaria armiqësore e Mehmet Shehut.
Siç shtjellohet dhe në Tablonë Sinoptike të shokut Enver, kjo veprimtari e gjatë është zhvilluar kryesisht, në shpinë të Partisë, për të goditur vijën e saj në ekonomi dhe ushtri. Nga analizat që janë bërë, gjatë zbulimit të këtyre grupeve, është thënë se nga ana e Sigurimit të Shtetit, nuk ka pasur ndonjë sinjalizim. Kjo, duhet ta bënte shokun Kadri që ta analizonte veprimtarinë e tij dhe të shokëve përreth me vigjilencë. Kjo nuk është bërë, dhe nuk jepen shpjegime të thelluara për të. Në këtë thellim, ka penguar euforia dhe familjariteti, mungesa e kurajës për të ballafaquar qëndrimet, me normat dhe ligjet e Partisë. Partia, nga ne komunistët, i do medoemos këto, por në vazhdimësi dhe në kohën e duhur.
Çdo komunist e kuadër, e ka për detyrë që të mpreh vigjilencën, e të sinjalizojë Partinë kur sheh se këtu apo atje nuk shkon puna mirë, se ky apo ai, po bën këtë apo atë veprim që është në kundërshtim me normat e Partisë. Në detyrën që të kishte ngarkuar Partia, ju e kishit dyfish këtë detyrë dhe nuk e keni kryer si duhet. Mendoj se në këtë drejtim, po qe se nuk ju ka penguar gjë tjetër familjariteti i tepruar me ta, ka ushtruar ndikimin e vet të madh dhe kësaj ju duhet t’i jepni shpjegime të thella. Ju thoni, se keni patur raste që i jeni kundërvënë Mehmet Shehut. Nuk e di ku, por në mbledhjet e qeverisë nuk kam parë ndonjë kundërvënie nga ty, që t’ju dallojë nga të tjerët.
Edhe ndonjë vërejtje që i bënit, kishte më shumë të bënte me ndonjë këshillim që ai, të mos vazhdonte më mendimin e vet, se do ta kundërshtonin të tjerët dhe kështu vetë do të vihej në pozitë të vështirë. Edhe për atë që thoni se është krijuar opinion, se unë isha një nga ata që dhashë më shumë fakte dhe që e kritikova më rëndë Mehmet Shehun, nuk e di se kush e ka pasur këtë opinion dhe kush e ka krijuar, por disa nga ato fakte që dhatë ju, jua kishte dhënë Feçor Shehu pra duhet dhe këtu të nxjerrësh konkluzionin se se pse vinte ai, t’ju thoshte se Mehmet Shehu, dyshonte se ne i përgjonim telefonin. Mossigurimi i të dhënave në nivelin e duhur, për cilindo veç të tjerave, (për këto të tjerat nuk jep shpjegime se ç’janë) e lidh me presionin që të bënin ndihmësit e tu, Mehmet Shehu e Beqir Balluku, që të mos shikoheshin shkeljet e veprimet e jashtëligjshme të kuadrove të lartë, se mos binin në trockizma.
Po të pranohet kjo atëherë lind pyetja : Çfarë veprimtarie trockiste kishin konstatuar ata tek ty, e te shokët e tjerë që të bënin presion. Mbasi siç e dimë nga përvoja e Partisë armiku bën presion atje ku vëren se ka dobësi. Ju kësaj, duhet ti jepnit shpjegim, sepse nuk mjafton me atë që thoni se “unë pa ndërgjegje rashë në këtë gabim, dhe më ka dëmtuar rëndë”. Pastaj pse tek ty, të mos ndikojë edhe për këtë problem ideologjia e Partisë, mësimet e shokut Enver, por të ndikojë presioni i këtyre armiqve?! Si shpjegohet kjo?! Ju thoni, se keni pasur për shumë çështje, mendime të kundërta me armiqtë Mehmet Shehu e Beqir Balluku. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016