Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon historinë e panjohur të Lëvizjes Antikomuniste në Liceun e Shkodrës vitet e para të pasluftës, e rrëfyer nga një prej ish-gjimnazistëve të saj, Z. Ahmet Bushati i cili tregon se si në atë qytet u krijuan disa grupe antikomuniste, si organizata “Përpjekja Shqiptare”, që e kryesonte Bardhosh Dani, ku mbledhja e grupit themelues u zhvillua te shtëpia e Nihat Bakallit dhe aty bënin pjesë: Ismail Baruti, Gjon Mark Ndoj. Viktor Luka, Et’hem Bakalli, Nihat Bakalli, Mërgim Dani, Rrok Jubani, Xhevat Gjyrezi, Nexhip Osmani, Bardh Shiroka, Njazi Uruçi, Injac Kujxhia, Ferit Myftia, Pjerin Vata, etj. Po kështu u formua dhe grupimi Social-demokrat që kryesohej prej Mark Shllakut., ku bënin pjesë edhe Martin Camaj, Kolec Pikolini, Marin Shyti, Isa Beqiri, etj., dhe disa vite me vonë u rikrijua ai grupim me në krye: Pjetër Filipi (Arbnori) Adnan Muka, Gjovalin Preka e Bep Jubani. Të gjitha këto grupime antikomuniste, kryen dhe aksione konkrete nga viti 1945 deri në 1953-in, duke shkruar parulla nëpër muret e gjimnazit apo duke shpërndarë trakte me përmbajtje antikomuniste dhe si rezultat, u arrestuan e u burgosën rreth 60-të gjimnazistë, nga të cilët u dënuan me pushkatim dhe u ekzekutuan: Bardhosh Dani, Brahim Dërguti, Mark Caca dhe Asim Rusi.
Krijimi i organizatës, “Përpjekja Shqiptare”
Lëvizja antikomuniste në Liceun e Shkodrës e cila e ka zanafillën që nga periudha e Luftës, vazhdoi edhe më pas nga viti 1945 e deri në 1953 kur u arrestuan dhe pjesëtarët e grupit të fundit antikomunist me nxënësit që kishin dalë nga ajo shkollë. Lidhur me këtë lëvizje e cila rifilloi në gjimnazin e atij qytetit (pak kohë pas mbarimit të Luftës) me krijimin e organizatës “Përpjekja Shqiptare”, që kryesohej nga Bardhosh Dani dhe Et’hem Bakalli, zoti Ahmet kujton: “Në tetorin e vitit 1947 në shtëpinë e Nihat Bakallit në qytetin e Shkodrës u formua një organizatë antikomuniste e quajtur “Përpjekja Shqiptare”, cila kryesohej nga Bardhosh Dani dhe Et’hem Bakalli. Për formimin e asaj organizate, unë u njoftova nga Bardhosh Dani, i cili pasi më takoi më tha: Ahmet, na jena të rinj e pa eksperiencën e duhur, e kena nevojë me na drejtue dikush. Mua më ka shkue mendja te ti”. Pas fjalëve të Bardhosh Danit, unë hezitova që t’i përgjigjesha menjëherë dhe për të fituar kohë, nisa ta pyes për veprimtarinë që kryenin ata. Pasi ai më foli gjerë e gjatë, rreth veprimtarisë së tyre, më tregoi dhe për një vendim që ata kishin marrë ato ditë, i cili kishte të bënte me shkruajtjen e disa parullave kundër “pushtetit popullor”, në muret e gjimnazit. Unë ia kundërshtova atë aksion, sepse ata do të zbuloheshin nga Sigurimi i Shtetit, i cili kishte njerëzit e tij, në gjimnaz dhe si rezultat i kësaj do të dështonte, i gjithë misioni që ata i kishin vënë vetes. Mbas këshillave të mija, Bardhoshi u bind dhe më premtoi se së paku përkohësisht nuk do e kryente atë aksion. Pas kësaj bisede me Bardhoshin, unë pranova të bashkëpunoja me të dhe grupin e tij, por i vura disa kushte. Së pari unë nuk pranova të isha në rolin e Kryetarit të Grupit dhe i kërkova që asnjeri nga anëtarët e grupit të tij, të mos e mësonte asnjëherë lidhjen që kisha unë me të. Pas këtij kompromisi, unë u bëra një nga koordinatorët kryesorë, që mbaja lidhjet në mes nxënësve të gjimnazit dhe kryetarit të atij grupimi, që ishte Bardhosh Dani. Për ta shtrirë aktivitetin e asaj organizate edhe në qytete të tjera, unë bisedova me Xhevat Qukun, të cilit i rekomandova Ramazan Kthupin, nga Durrësi (Sigurimi nuk arriti ta zbulonte asnjëherë), që ta zgjeronte grupin në atë qytet, por lidhjet e mija me Bardhosh Danin, nuk ia tregova. Mbas pak ditësh nga takimi që pata me Bardhoshin, në muret e gjimnazit të Shkodrës u gjetën të shkruara me bojë të zezë parullat “Poshtë Komunizmi”, “Jashtë rebelët” etj. Pas kësaj, unë mora takim menjëherë me Bardhoshin dhe i thashë se pse e kishin bërë atë, por ai mu justifikua, duke më thënë se nuk kishte pasur mundësi që t’i ndalonte dot shokët për atë veprim, ngaqë ata ishin përgatitur shpirtërisht për këtë “aksion”. Pasi nuk kishin kaluar as katër-pesë ditë nga ajo ngjarje, ndodhi ajo që unë e kisha paralajmëruar Bardhoshin: u arrestuan dy shokët e mi, Remzi dhe Xhevat Quku e bashkë me ta dhe Osoja, vëllai i vogël i Xhevatit,” kujton Ahmet Bushati atë periudhë kur u formua organizata antikomuniste me emrin “Përpjekja Shqiptare”.
Veprimtaria e Organizatës
“Veprimtaria e organizatës antikomuniste “Përpjekja Shqiptare” e cila u krijua nën drejtimin e Bardhosh Danit u zhvillua e shumanshme dhe mjaft e dendur. Aksioni i parë që kryen anëtarët e saj, ishte ai shkruajtjes së parullave antikomuniste, në muret e gjimnazit. Boja me të cilën u shkruan ato parulla, u përgatit nga Mysret Muka, në dyqanin e Visho Barbullushit. Pas këtij aksioni, Sigurimi i Shtetit ra në gjurmët e asaj organizate, nëpërmjet njerëzve të tij dhe si rezultat i kësaj, u arrestuan një pjesë e anëtarëve të atij grupimi antikomunist, që përbëhej kryesisht nga maturantët. Pas këtyre arrestimeve, situata në gjimnazin tonë u acarua aq shumë nga survejimet e Sigurimit, saqë organizatorët kryesorë që e drejtonin atë, u detyruan që veprimtarinë e tyre antikomuniste ta zgjeronin dhe ta zhvillonin jashtë mureve të asaj shkolle. Kështu në janarin e vitit 1948, me ndërmjetësinë e Viktor Lukës, kjo organizatë u lidh ngushtë me grupin social-demokrat, që kishte si kryetar të saj Mark Shllakun. Atë kohë duke e parë situatën tepër të acaruar nga ndjekjet dhe survejimet e Sigurimit të Shtetit, Bardhosh Dani me dy shokët e tij; Brahim Dërgutin e Mark Cacën, vendosën që të kalonin kufirin dhe të arratiseshin nga Shqipëria. Kështu në janarin e vitit 1948, teksa ata ishin duke kaluar kufirin, u rrethuan nga forcat e ndjekjes dhe mbetën të vrarë të tre. Kjo vrasje e dëmtoi rëndë organizatën “Përpjekja Shqiptare”, e cila në atë kohë u detyrua të riorganizohej, për të zgjedhur njerëzit që do të merrnin drejtimin e saj dhe mbledhjet për këtë, u zhvilluan herë pas here në shtëpitë e Alfons Radovanit dhe Viktor Lukës. Mbas riorganizimit që bëri ajo organizatë, filluan të bëhen dhe aksionet e para, të cilat konsistuan në shtypjen dhe shpërndarjen e trakteve të ndryshme, në të cilat propagandohej kundër regjimit komunist, që ishte vendosur në Shqipëri. Trakti i parë që shtypi dhe shpërndau kjo organizatë, ishte ai me rastin e 28 nëntorit 1948, trakti i dytë u shtyp një vit më vonë në 28 nëntorin e 1949-ës dhe i treti u shtyp në shtatë prill të vitit 1950. Në traktin e tretë që u shtyp nga ajo organizatë, në mes të tjerash thuhej:”29 nëntori i vitit 1944 i cili festohet nga komunistët, si dita e çlirimit të Shqipërisë, nuk ka ndonjë ndryshim të madh nga dita e shtatë prillit të vitit 1939, kur Shqipëria u sulmua dhe u pushtua nga Italia fashiste”. Në atë kohë, këto trakte u shtypën me makinën e shkrimit të Mërgim Danit, por me që makina e tij nuk mund t’i përballonte dot, në të gjitha rastet që kishte nevojë ajo organizatë, u mendua dhe për një makinë shkrimi tjetër dhe për gjetjen dhe sigurimin e saj, u caktuan Zef Vila dhe Agostin Dema. Këta të dy arritën ta gjejnë makinën e shkrimit, duke e marrë atë fshehtas në Drejtorinë e Muzeut të Shkodrës dhe më pas e nisën menjëherë për në Mirditë, tek Gjon Mark Ndoj. Këto trakte që vazhdimisht konceptoheshin nga Et’hem Bakalli, shpërndaheshin më pas për në Shkodër, Kelmend, Mirditë e Tiranë dhe një nga personat që e kryente atë punë, ishte Ndoc Ljarja, i cili në atë kohë ishte nxënës në Teknikumin “7 Nëntori” në Tiranë. Organizata “Përpjekja Shqiptare” në atë kohë, mundi që të shpërndante në malësitë e Shkodrës, elegjinë kushtuar Prek Calit, të cilin e kishte sjellë prej fshatit Vukël, Zihni Baja që ishte mësues atje. Mbas disa kohësh nga dita e krijimit të asaj organizate, u arrestova unë dhe përfundova në hetuesinë e Shkodrës. Gjatë kohës që isha në burg, mësova se Bardhosh Dani e kishte ndërprerë për disa kohë mbledhjen e grupit dhe veprimtarinë e tij, por kjo nuk kishte zgjatur shumë, sepse ai e rifilloi përsëri atë, duke u thënë anëtarëve të grupit: “Përderisa ne nuk po pësojmë gja, tregon se Ahmet Bushati po reziston në hetuesi, e na duhet të vazhdojmë punën që kena nisë”.
Anëtarët e organizatës “Përpjekja Shqiptare”
“Studentët që u grupuan në atë organizatë si në kohën që drejtohej nga Bardhosh Dani, ashtu dhe pas vrasjes së tij, ishin: Ismail Baruti, Gjon Mark Ndoj. Viktor Luka, Et’hem Bakalli, Nihat Bakalli, Mërgim Dani, Rrok Jubani, Xhevat Gjyrezi, Nexhip Osmani, Bardh Shiroka, Njazi Uruçi, Injac Kujxhia, Ferit Myftia, Pjerin Vata, të cilët u arrestuan të gjithë, në periudha të ndryshme kohe dhe u dënuan me burg. Kurse pjesëtarët e asaj organizate që në atë kohë, mundën të arratiseshin ishin: Zef Hila, Ali Llukaçi dhe Lec Vasia. Po kështu pjesëtarë të asaj organizate që u arrestuan më pas, ishin dhe Ramadan Lumani dhe Rrik Prendushi, kurse Karlet Luka u internua familjarisht. Nga pjesëtarët e organizatës që mundën të shpëtonin pa u arrestuar në atë kohë, ishin: Agustin Dema, Sheuki Anamali, Sheuki Mati, Gjovalin Ujka, Rrik Kraja, Ramadan Sokoli, Shefik Jubica, Beqir Sukniqi dhe Hilmi Hoxha. Po kështu u përjashtuan nga shkolla anëtarët e asaj organizate si Terezina Baba. (një nga vajzat më të shquara të “Përpjekja Shqiptare”) Emil Prenushi, Suzana Kraja, Gjovalin Koci, Kolec Simoni, Rrik Kraja, Çiljeta Simoni, Gjystina Kapedani, Alfred Marashi, Gjyljana Misloci, Madalena Misloci, Lali Glasovi, Albina Marashi (vajza e Llesh Marashit), Anica Maloku, Terezina Dajçi, Gjina Dajçi, Rexhina Kola e Marjeta Kiçi. Gjatë asaj kohe përveç veprimtarisë që kryenin këta pjesëtarë të organizatës “Përpjekja Shqiptare”, në gjimnazin e shtetit kishte dhe disa konviktorë, të cilët ishin të lidhur ngushtë me Partinë Komuniste dhe e kryenin me devocion punën e saj si P.F., K.O., A.U. etj”, kujton Ahmeti anëtarët e organizatës antikomuniste të gjimnazit të Shkodrës.
Grupet e tjera dhe profesorët
Edhe pas arrestimit të një pjese të madhe të atyre nxënësve që bënin pjesë në organizatën antikomuniste “Përpjekja Shqiptare”, lëvizja antikomuniste në gjimnazin tonë nuk e pushoi aktivitetin e saj. Në atë kohë krahas asaj organizate në qytetin e Shkodrës vepronte dhe grupimi Social-demokrat, që e udhëhiqte Mark Shllaku i cili më pas u arrestua dhe u dënua me vdekje. Po në atë grup në atë kohë, bënte pjesë dhe Kolec Pikolini, i cili ishte i lidhur me të arratisurit, që ndodheshin në malet e Mirditës. Koleci u kap dhe pasi u dënua me vdekje, dënimi iu kthye në burg të përjetshëm. Më pas ai u arratis nga burgu dhe nga Shqipëria e përfundoi në SHBA. Po kështu si pjesëtar i grupimit social-demokrat ishte dhe Martin Shyti, i cili ndonëse mundi që të arratiset nga hetuesia, nuk e fitoi dot lirinë sepse u vra nga kufitarët në zonën e Oblikës, teksa ishte duke tentuar të arratisej jashtë vendit. Një nga pjesëtarët e tjerë të këtij grupimi ka qenë dhe Martin Camaj, i cili pasi u arratis nga Shqipëria për në Jugosllavi, u vendos në Gjermani, ku dhe fitoi famë të madhe si shkrimtar. Nga pjesëtarët e tjerë të këtij grupimi ka qenë dhe Isa Beqiri, i cili u arrestua dhe vuajti në burg. Pas grupimit social-demokrat u krijua dhe një grup tjetër antikomunist, i cili nuk u zbulua dot nga organet e Sigurimit të Shtetit dhe anëtarët e tij, në atë kohë nuk u arrestuan. Në përbërjen e këtyre grupeve ishin Pjetër Filipi (Arbnori) Adnan Muka, Gjovalin Preka e Bep Jubani. Pas këtyre grupi i fundit që do të zbulohej ishte ai i vitit 1953, me Ali Spahinë dhe Llesh Topallin. Ky grup që përbëhej nga ish-gjimnazistë të Shkodrës, shënoi dhe fundin e grupeve antikomuniste, të gjimnazit të Shkodrës, të cilët luftuan për tetë vite, pa e ndërprerë aktivitetin e tyre kundra regjimit komunist në Shqipëri. Nga gjithë veprimtaria tetëvjeçare e këtyre grupeve antikomuniste, që dolën nga radhët e gjimnazistëve shkodranë, u arrestuan dhe përfunduan burgjeve të regjimit komunist, mbi gjashtëdhjetë nxënës dhe katër të tjerë si Bardhosh Dani, Brahim Dërguti, Mark Caca dhe Asim Rusi u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan, nga regjimi komunist”, kujton Ahmet Bushati lidhur me ish-shokët e tij liceistë në qytetin e Shkodrës.
Profesorët që përkrahën Lëvizjen Antikomuniste
Por në veprimtarinë e tyre antikomuniste nxënësit e Liceut të Shkodrës patën dhe një ndihmë jo të vogël nga disa prej profesorëve të tyre në atë shkollë. Lidhur me këtë, Ahmet Bushati, kujton: “Gjatë gjithë veprimtarisë antikomuniste tetëvjeçare, që kryen studentët e gjimnazit tonë, një ndihmë të madhe patëm edhe nga profesorët tanë të nderuar, si: Preng Kaçinari, Qemal Draçini, Prof Fundo, Kol Alimhilli, Gaspër Jakova, Hydajet Ceka, Kolë, e Ndoc Kamsi, Filip e Gjina Ndoci, Menduh Agolli, Abdyl e Eqerem Rusi, Adem Bazhdari, Zyhdi Sokoli, Tomor Dani (Sekretar i shkollës) etj.”, përfundon rrëfimin e tij mbi Lëvizjen Antikomuniste të gjimnazit të Shkodrës, Ahmet Bushati, një nga ish-nxënësit e asaj shkolle të famshme që siç thonë shkodranët” I ka lenë emër të mirë vetit”!/Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016