Dashnor Kaloçi
Pjesa e tridhjetë
Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat i përkasin vitit 1982, ku ndodhet një dosje me relacione, raporte, udhëzime, informacione, proces-verbale mbledhjesh të Byrosë Politike, Sekretariatit të Komitetit Qendror, etj., lidhur me “veprimtarinë armiqësore” të anëtarit të Byrosë Politike dhe ministrit të Mbrojtjes Popullore, Kadri Hazbiu, (që për tre dekada me radhë kishte mbajtur postin e ministrit të Punëve të Brendshme), si dhe disa prej bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë, si: Feçor Shehu, Mihallaq Ziçishti, Llambi Peçini, Zoi Themeli, etj., të cilët u akuzuan nga Enver Hoxha, si “bashkëpunëtorët kryesorë të poliagjentit Mehmet Shehu”. Në dosjen në fjalë, ndodhet edhe një dokument me autokritikën e Kadri Hazbiut, e cila mban datën 27 shtator 1982, dërguar Enver Hoxhës dhe Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, lidhur me “punën e tij të dobët, në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe mungesën e vigjilencës, për mos zbulimin e grupeve armiqësore, të cilat të gjitha i kishte zbuluar partia dhe shoku Enver”. Për më shumë rreth kësaj, na njeh dokumenti prej 24 faqesh, me autokritikën e ish-ministrit të Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, (ku në çdo faqe të saj, Enver Hoxha, ka vënë shënime me shkrimin e tij), e cila bëhet për herë të parë publike nga Memorie.al
Dokumenti me proces-verbalin e mbledhjes së Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, i mbajtur më 8 tetor 1982, ku u muarr në analizë “veprimtaria armiqësore” e Kadri Hazbiut
PARTIA E PUNËS SË SHQIPËRISË TEPËR SEKRET
KOMITETI QENDROR
PROCES-VERBAL
I MBLEDHJES SË BYROSË POLITIKE TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH MË 8 TETOR 1982
Rendi i ditës:
- Diskutim mbi fjalët e rënda të shokut Kadri Hazbiu
- Miratimi i raportit mbi transportin për në plenum
Në mbledhje janë të pranishëm të gjithë anëtarët e Byrosë Politike.
ZHVILLIMI I MBLEDHJES
Mbledhjen e hapi dhe e drejtoi, sekretari i parë i Komitetit Qendror të PPSh-së, shoku Enver Hoxha.
Diskutim mbi fajet e rënda të shokut Kadri Hazbiu.
SHOKU ENVER HOXHA: Ja, kjo duket edhe sot dhe tek vetë Kadriu, këtu përpara Byrosë Politike.
SHOKU HEKURAN ISAI: Po, po, qëndrimi i tij duket edhe sot këtu përpara Byrosë Politike. Kjo është krijuar nga qëndrimi që po mban sot ky këtu. Situata, sigurisht dhe me ndihmën e madhe që po jep Komiteti Qëndror, do të ndreqet. Gjatë gjithë kësaj periudhe që është zhvilluar veprimtaria armiqësore, ti Kadri ke qënë në krye të këtij familjariteti. Unë nuk dua të zgjatem më, po nuk besoj që këtu është vetëm mungesa e vigjilencës nga ana jote, prandaj duhet të thellohesh akoma në këtë cështje, sic të porositën dhe shokët, me mendimet e të cilëve unë jam plotësisht dakort.
SHOQJA LENKA ÇUKO: Partia dhe shoku Enver, na kanë mësuar sesi duhet ta zhvillojmë luftën kundër elementëve që punojnë për të goditur vijën e drejtë të Partisë sonë marksiste-leniniste. Pasi lexova me kujdes autokritikën që ka bërë shoku Kadri dhe unë nuk jam dakort me të, se nuk mora vesh gjë se çfarë ka dashur që të sqarojë. Ai, ju kalon problemeve shkarazi dhe me trajtimin e tyre të lë të kuptosh se kërkon që fajin t’jua hedhi të tjerëve, duke thënë se e di Komiteti Qëndror, ia kam thënë sekretarit përkatës të Komitetit Qëndror, etj.
Mirëpo këto nuk qëndrojnë, sepse këtë e tregojnë dokumentet që dëgjuam këtu sot. Komiteti Qendror, nuk ka qenë fare në dijeni për këto probleme. Materiali i paraqitur, nuk shpjegon shkaqet politike dhe ideologjike të kësaj pune kaq të dobët, dhe shumë armiqësore që është zhvilluar në Ministrinë e Punëve të Brendshme për tërë atë kohë që ka qenë ministër shoku Kadri dhe nuk ka qenë pak, por gati 30 vjet rresht. Aty nuk shpjegohet sinteza e problemeve që ngre shoku Kadri, në materialin që na është paraqitur në Byronë Politike.
Organizatat e Partisë, kur u njohën me fjalën e shokut Enver, të Plenumit të 4 të Komitetit Qendror “Mbi tablonë sinoptike të veprimtarisë agjenturore të Mehmet Shehut”, bënë shumë pyetje. Shoku Kadri Hazbiu, i ka njohur dhe ka qenë vënë në dijeni, për veprimtarinë armiqësore të Beqir Ballukut, e Abdyl Këllezit, me kompani. Pyetje të shumta bëri edhe populli i thjeshtë, dhe këtu të çon logjika e problemit.
Shoku Enver në mbledhjen e Sekretariatit të Komitetit Qendror në Shkurt të vitit 1967, ka thënë: “Të gjithë punonjësit e Ministrisë së Punëve të Brendshme, dhe të degëve të punëve të brendshme, duhet të kenë virtytet më të mira të komunistëve, të kenë të qartë vijën e Partisë, të vënë politikën në plan të parë, dhe të kuptojnë që puna e tyre është një punë politike”. Ju shoku Kadri, nuk e keni patur të qartë këtë mësim të shokut Enver, prandaj në ministrinë që keni drejtuar ashtu siç thua dhe në autokritikën që i ke drejtuar Byrosë Politike, nuk e ke siguruar në nivelin e duhur kuptimin e orientimeve të Partisë, për zbatimin e vijës së saj, për zbulimin, demaskimin, dhe goditjen, e elementëve armiq antiparti.
Duke mos dashur që të zbatosh drejt vijën e Partisë, ke pranuar nga shokët që të rrethonin, të të bënin presion dhe mendimet e tyre të gabuara, të ndikonin tek ty për të mos vepruar ndaj atyre që goditnin vijën e shëndoshë të Partisë. Ky qëndrim nuk të hidhte në luftë që të ndikoje tek ata, me qëllim që gjithë punonjësit e organeve të punëve të brendshme së bashku, të luftonin për zbatimin e kësaj vije. Ti thua që si eprorët që të drejtonin, Mehmet Shehu, e Beqir Balluku, ashtu si edhe vartësit e tu, Feçor Shehu, Mihallaq Ziçishti, Llambi Peçini, Zoi Themeli, etj., kanë qenë elementë antiparti.
Po ti, si nuk i paske kuptuar asnjëherë sado pak, mendimet dhe veprimet e tyre të gabuara, dhe ti denoncoje në Parti ?! Edhe sot që këto mendime e veprime të gabuara, i zbuloi Partia dhe shoku Enver ti, mundohesh të dalësh hero pas beteje. Kjo mendoj unë, lë shumë për të dyshuar dhe nga vetë trajtimi që i bëni ju problemit. Ju e keni ditur që presioni që bënte Mehmet Shehu me shokë, nuk drejtohej vetëm ndaj teje, por ndaj të gjithë punonjësve të Sigurimit të Shtetit.
Atëherë si ndenjët ju kaq gjakftohtë ndaj këtij presioni, kur e shikonit se shokët e bashkëpunëtorët e tu, po luanin me fatet e vijës së Partisë e të revolucionit të fituar me aq gjak e sakrifica. Dhe kjo mendoj unë, nuk është ashtu siç e shpjegoni ju, që paskëshit rënë pa ndërgjegje në këto gabime, që nuk janë të vogla. Dhe nëse këto nuk do të ishin zbuluar, do t’i kushtonin rëndë Partisë dhe Popullit. Ju asnjëherë, nuk ju ka munguar kurajoja që ti ngrini çështjet ashtu siç e mendoni ju.
Me aq kohë sa kam unë këtu në Byronë Politike, ju keni diskutuar vazhdimisht, keni bërë kritika ndaj shokëve, por juve ju ka munguar ajo kurajo që kishte të bënte me mbrojtjen e vijës së drejtë të Partisë dhe me fatin e socializmit në Shqipëri, dhe për këtë ju keni qenë të ndërgjegjshëm. Në autokritikën tuaj, ju radhisni një sërë çështjesh që kishin të bënin me metodën e punës së sigurimit, me arrogancën dhe prepotencën e Mehmet Shehut, me mendime që thua se ishin të ndryshme nga të tuat, dhe që i favorizuan këta armiq që të fshiheshin Partisë në gjithë këto 40 vjet. Partia porosit: Beso e Kontrollo.
Këtë moto ju, e dini shumë mirë në teori, kurse në praktikë sipas autokritikës tënde del se në paraqitjen e çështjeve, të paska mashtruar pabesia e Mehmet Shehut dhe e Beqir Ballukut, si çështje të para e të gjykuara nga shokët. Por unë të pyes, nga cilët shokë?! Komiteti Qendror, nuk di gjë. Atëherë përgjigja sqarohet vetvetiu, nga padronët e Mehmet Shehut?! Meqenëse nuk të ka munguar mundësia që ti shtrohet çështjet shokut Enver, atëherë përse nuk ja shtruat shqetësimet që kishit për mbarëvajtjen e punëve të Sigurimit?!
Apo nuk donit të prishnit familjaritetin e krijuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, në dëm të Partisë?! Përsa i përket pohimit që bëtë, se e keni parë me shqetësim punën e sigurimit, bëj pyetjen përse?! Se mos zbulohesh veprimtaria armiqësore e elementëve antiparti?! Apo juve ju ka shqetësuar se mos goditej vija e Partisë?! Unë mendoj se juve, ju ka shqetësuar e para. Pikërisht ju dhe drejtuesit e tjerë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, keni shkelur mbi parimet e Partisë. Ju keni ditur shumë dobësi në karakterin e vartësve, që binin ndesh me normat dhe parimet e Partisë.
Atëherë si nuk e morët guximin, që këto t’i ngrinit në organizatën bazë ku bënit pjesë apo në kolektiv, për t’i kritikuar shokët, dhe të mos lejonit që të dëmtohej vija e Partisë?! Si nuk mundët t’ja arrinit qëllimit, kur keni parë se disa kuadro të Ministrisë së Punëve të Brendshme si Zoi Themeli, Halim Xhelo, Llambi Peçini, Panajot Plaku, etj., nuk duhej më të ishin atje pasi ju kishte marrë mielli erë?! Unë mendoj se s’ka mundësi që të gjithë eprorët dhe vartësit e tu, të jenë armiq dhe ju të mos e kishit marrë vesh sado pak.
Me këto ju kërkoni të hidhni baltë dhe mbi shokun Hysni e Komitetin Qendror të Partisë, gjë të cilën nuk e pranon asnjë, se janë të gjitha të pa baza. Nuk jam dakord edhe me mendimin që shprehët në autokritikën tënde se tek ty, ka ndikuar dhe opinioni jashtë ministrisë për disa shokë. Po cili opinion?! Opinioni i personave të veçantë, apo opinioni i Partisë?! Dhe ti cilin opinion përkrah?! Se Partia, na mëson që të përkrahim opinionin e Partisë, dhe jo opinionin e atyre që luftojnë për ta diskretituar e goditur, vijën e saj.
Në autokritikën tuaj, ju thoni se keni marrë pjesë në gjykimin e armikut Teme Sejko. Ashtu siç e thua vetë ai, filloj që të hapej dhe ti tregonte agjenturat jugosllave dhe greke, pra filloi të zbërthehej por dikush nga ministria i pati thënë që të mos fliste. Ti me këtë na zbulove një problem, të cilit duhet që ti japësh një shpjegim. E njëjta gjë ndodhi dhe me gjykimin e grupit puçist të Beqir Ballukut dhe Abdyl Këllezit, me kompani. Kjo do të thotë se ti, nuk je treguar i sinqertë para Partisë për t’ja thënë asaj, dhe veçanërisht shokut Enver të gjitha, sidomos për ato probleme që kishin lidhje të drejtpërdrejta.
Unë mendoj se te shoku Kadri, është kultivuar një mendjemadhësi e theksuar, sepse duke qëndruar kaq vjet në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ke menduar se je shumë i aftë dhe zor se gjendet njeri për të të zëvendësuar. Në ministrinë që ti drejtoje, ka pasur familjaritet të sëmurë, egoja dhe elozhet që ju thureshin të tjerëve, ashtu siç thekson vetë në autokritikë, e kanë bërë këtë që të mos shikonte se ç’bënin armiqtë, në mos qoftë dhe ai vetë brenda me ta.
Vetëkënaqësia dhe euforia e vetë kuadrove të Ministrisë së Punëve të Brendshme, është kultivuar edhe poshtë, nëpër Degët e Brendshme në rrethe, liberalizmi i theksuar në kërkesën e llogarisë në organet e Sigurimit, dobësia në zhvillimin e kritikës dhe autokritikës, i ka bërë shokët që kanë punuar në organet e Sigurimit të Shtetit që ta quajnë veten të imunizuar nga gabimet.
Ata, nuk kanë pasur parasysh porosinë e shokut Enver në mbledhjen e Sekretariatit të Komitetit Qendror, që përmenda pak më përpara sipas të cilit për të luftuar familjaritetin, është e domosdoshme që të gjenden shkaqet, një nga të cilat duhet ta gjejmë tek shpirti i repartit, te mendimi jo i drejtë se organet e punëve të brendshme janë një repart special i mbyllur, e deri tek ideja se ata që punojnë në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe në organet e saj vartëse, janë njerëzit më të mirë që nuk bëjmë gabime, por edhe kur bëjnë prapë janë të mirë, dhe atyre çdo gjë mund t’ju falet, e mendime të tjera të gabuara.
Unë, nxjerr mësime nga kjo mbledhje e Byrosë Politike dhe premtoj se do të jem vigjilente për të goditur sado pak veprimet që kanë të bëjnë me shkeljen e normave të Partisë, për të mbrojtur me konsekuencë vijën e Partisë dhe mësimet e shokut Enver.
SHOKU RAMIZ ALIA: Thuajse në të gjitha rrethet dhe në shumicën e organizatave bazë, është bërë pyetja: Çfarë përgjegjësie ka shoku Kadri lidhur me veprimtarinë armiqësore të grupit të Mehmet Shehut?! Këtë pyetje që ja shtruam edhe ne në mbledhjen e Sekretariatit të Komitetit Qëndror, është e ligjshme, sepse shoku Kadri për 30 e ca vjet me rradhë, ka punuar në Ministrinë e Punëve të Brëndshme, në fillim si Zëvëndësministër e prej vitit 1954, si ministër.
Këtu nuk është çështja e besimit apo e mosbesimit te një shok, por e mbrojtjes së vijës së Partisë dhe e sqarimit të një situate të caktuar. Sekretariati i Komitetit Qendror, i kërkoi shokut Kadri që të reflektojë për punën dhe përgjegjësinë e vet, dhe ti flasë Partisë me zemër të hapur. A e ka bërë këtë shoku Kadri në autokritikën e tij?! Do ta them, se që në fillim jam i pakënaqur prej saj. Autokritika e Kadriut, si dhe shpjegimet që dha këtu në Byro, janë të papranueshme.
Atyre ju mungon sinqeriteti, çiltërsia, dhe fjalët në të janë si të kërkuara, dhe mendimet e radhitura me një synim, të fshehë të vërtetën, të minimizojë përgjegjësitë, të justifikojë e të mbrojë vetveten. Në autokritikën e vet Kadriu, nuk bën përpjekjet e nevojshme për të ndihmuar Partinë, në këto momente të rëndësishme. Natyrisht që kjo, nuk e lë që të zbulojë gabimet në punën e vet, tenton që t’i zbusë ato, duke kërkuar rrethana lehtësuese, e pengon që t’ju bëjë analizën e drejtë veprimeve që janë kryer në kundërshtim me interesat e Partisë e të Shtetit, në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Kjo prirje, e çon Kadriun që edhe në ato raste kur faktet janë kryeneçe, të thotë që: “nuk më kujtohet kjo gjë”, ose “këtë duhet ta kem biseduar me shokët”. Në këtë rrugë ai, si në të kaluarën, lëshon akuza dhe për “shokët Sekretarë të Komitetit Qendror që mbulonin Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe kuadrin”, pse nuk i paskan vlerësuar drejt kuadrot që ishin armiq të kamufluar në këtë ministri, dhe që ja paskan mbajtur të fshehur Kadriut, dhe se për Feçor Shehun ka pasur fjalë për anën morale, dhe se ky i fundit e paska akuzuar Kadrinë për faje që nga koha e Koci Xoxes.
Natyrisht me manovrime të tilla, që synojnë të fshehin të vërtetën, dhe ta nxjerrin Kadriun të larë dhe të pafajshëm, nuk sqarohet Byroja Politike. Ç’hyjnë këtu shokët Sekretarë të Komitetit Qendror (dhe besoj se fjala këtu është për shokun Rita), kur dihet se as Mihallaq Ziçishtin, as Maqo Çomon, as Llambi Peçinin, as Feçor Shehun, apo Gani Kodrën, nuk i ka gjetur e ngritur shoku Rita, dhe as ndonjë tjetër nga Sekretarët e Komitetit Qendror?!
Këta të gjithë, janë produkt i Koci Xoxes, të vënë në shërbim si agjentë nga Mehmet Shehu dhe që ti shoku Kadri, kur ke qenë ministër i ke lavdëruar dhe i ke propozuar për grada e dekorata, i ke pasur dhe mbajtur si bashkëpunëtorë kryesorë si kuadro kryesorë në organet e Sigurimit të Shtetit. Madje Feçorin, askush tjetër veç teje, e propozove për ministër. Dhe nuk është e vërtetë se nuk dije gjë, që për të ka pasur fjalë.
Unë, po të kujtoj një letër të Vullnet Thanasit të vitit 1975, dhe këtë letër e kam këtu, ku flitet jo vetëm për qëndrimet imorale të Feçor Shehut, por edhe për relatat e tij të dyshimta politike me armiq, si: Sami Muhameti, Andrea Manço, që ishin implikuar në komplotin e Beqir Ballukut e Abdyl Këllezit. Këtë letër të Vullnet Thanasit ti, e ke lexuar madje ke bërë dhe shënime mbi të, të cilat janë në tekst.
Kështu që ti kot ankohesh, se Partia nuk të ka mbajtur të fshehur asgjë, madje as edhe akuza e Feçorit e vitit 1948, ku flet për faje të bëra nga ti që në kohën e Koci Xoxes, nëse nuk e ke ditur s’ka asnjë rëndësi, sepse Partia nuk mori asnjë masë ndaj teje. Përkundrazi të bëri Zëvendësministër. Por ne, kemi të drejtë që të pyesim: Pse ti, ja mbulove fajet dhe përgjegjësitë Feçorit?! Pse nuk ju shkove deri në fund sinjalizimeve që tha Vullnet Thanasi, po bashkë me Bato Karafilin ju veshët atyre rrobën e thashethemeve?! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016