Dashnor Kaloçi
Pjesa e njëzetë e shtatë
Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat i përkasin vitit 1982, ku ndodhet një dosje me relacione, raporte, udhëzime, informacione, proces-verbale mbledhjesh të Byrosë Politike, Sekretariatit të Komitetit Qendror, etj., lidhur me “veprimtarinë armiqësore” të anëtarit të Byrosë Politike dhe ministrit të Mbrojtjes Popullore, Kadri Hazbiu, (që për tre dekada me radhë kishte mbajtur postin e ministrit të Punëve të Brendshme), si dhe disa prej bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë, si: Feçor Shehu, Mihallaq Ziçishti, Llambi Peçini, Zoi Themeli, etj., të cilët u akuzuan nga Enver Hoxha, si “bashkëpunëtorët kryesorë të poliagjentit Mehmet Shehu”. Në dosjen në fjalë, ndodhet edhe një dokument me autokritikën e Kadri Hazbiut, e cila mban datën 27 shtator 1982, dërguar Enver Hoxhës dhe Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, lidhur me “punën e tij të dobët, në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe mungesën e vigjilencës, për mos zbulimin e grupeve armiqësore, të cilat të gjitha i kishte zbuluar partia dhe shoku Enver”. Për më shumë rreth kësaj, na njeh dokumenti prej 24 faqesh, me autokritikën e ish-ministrit të Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, (ku në çdo faqe të saj, Enver Hoxha, ka vënë shënime me shkrimin e tij), e cila bëhet për herë të parë publike nga Memorie.al
Dokumenti me proces-verbalin e mbledhjes së Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, i mbajtur më 8 tetor 1982, ku u muarr në analizë “veprimtaria armiqësore” e Kadri Hazbiut
PARTIA E PUNËS SË SHQIPËRISË TEPËR SEKRET
KOMITETI QENDROR
PROCES-VERBAL
I MBLEDHJES SË BYROSË POLITIKE TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH MË 8 TETOR 1982
Rendi i ditës:
- Diskutim mbi fjalët e rënda të shokut Kadri Hazbiu
- Miratimi i raportit mbi transportin për në plenum
Në mbledhje janë të pranishëm të gjithë anëtarët e Byrosë Politike.
ZHVILLIMI I MBLEDHJES
Mbledhjen e hapi dhe e drejtoi, sekretari i parë i Komitetit Qendror të PPSh-së, shoku Enver Hoxha.
Diskutim mbi fajet e rënda të shokut Kadri Hazbiu.
SHOKU ADIL ÇARÇANI: Ti shoku Kadri, si anëtar i Byrosë Politike dhe si Ministër i Punëve të Brendshme, përse i lejove të trasheshin këto rreziqe. Përse i nënvlerësove ato në një kohë që Komiteti Qendror i Partisë dhe personalisht shoku Enver, disa herë me radhë, të kishin sinjalizuar si prirje e shfaqje të rrezikshme ndaj të cilave, duheshin marrë masa rrënjësore për ti luftuar?! Në këtë drejtim jo vetëm që nuk u mor asnjë masë nga ana jote, por faktet treguan se deri në fund, pra derisa u zbulua komploti i tyre, familjariteti dhe sentimentalizmi vazhduan, kurse mbartësit e tyre në vend që të dënoheshin, u janë bërë lavdërime, u janë dhënë dekorata, janë ngritur në përgjegjësi, duke nxitur dhe inkurajuar kështu për të intensifikuar më tej si dhe për të maskuar veprimtarinë e tyre armiqësore.
Sigurisht që armiqtë do të inkurajoheshin, kur e shikonin se vetë shoku Kadri Hazbiu në krye si ministër, siç duket me fjalë fliste kundër shfaqjeve të familjaritetit e të sentimentalizmit, kurse në praktikë i lejonte ato. Ti vetë Kadri, i ke propozuar për t’ju bërë lavdërime, për t’i dekoruar, dhe për t’i ngritur në përgjegjësi këta elementë armiq, siç është rasti flagrant i Feçor Shehut, që ti e propozove për Ministër të Brendshëm, siç e thekson dhe vetë në autokritikë.
SHOKU RAMIZ ALIA: Jo, në autokritikë nuk e thotë ashtu Kadriu. Ai aty, thotë që vetëm ishte dakord dhe se paskësh qenë dikush tjetër që e ka propozuar si ministër Feçor Shehun, kur në fakt është vetë Kadriu që e ka propozuar.
SHOKU KADRI HAZBIU: Po unë isha dakord, dhe këtë e dini mirë edhe ju o shoku Ramiz.
SHOKU RAMIZ ALIA: Po ti ma ke thënë vetë mua që unë, kam bërë një gabim të madh që e kam propozuar. Tekstualisht kështu më ke thënë.
SHOKU KADRI HAZBIU: Po e kemi biseduar, dhe kur më ka pyetur shoku Enver për kandidaturën e Feçorit, i pata thënë se ai mund të pranohej si ministër.
SHOKU RAMIZ ALIA: Shoku Enver të ka pyetur se cilin nga kandidaturat mendon ti se është më i përshtatshëm për ministër, dhe ti i ke thënë për Feçorin.
SHOKU KADRI HAZBIU: Po çfarë po them unë?! Pikërisht për këtë po them.
SHOKU ADIL ÇARÇANI: Kjo për ne është e qartë.
SHOKU KADRI HAZBIU: Po avash o shoku Adil, se ju ma merrni për ters edhe fjalën sikur unë, dua të njollos emrin e shokut Hysni. Në perspektive, kur kam biseduar me të për këtë çështje, ai më ka pyetur se cilat mund të ishin kandidaturat më të përshtatshme, unë jam përgjigjur se mendimi im është edhe për këtë, apo edhe për atë.
SHOKU PALI MISKA: Por kur u vu Feçor Shehu ministër, nuk ishte shoku Hysni.
SHOKU KADRI HAZBIU: Po mirë mo, unë them më përpara.
SHOKU RAMIZ ALIA: Shiko Kadri, si më ke thënë mua për këtë çështje?!
SHOKU KADRI HAZBIU: Unë të thashë ty, ashtu siç i thashë dhe shokut Enver.
SHOKU RAMIZ ALIA: Si më the?!
SHOKU KADRI HAZBIU: Shoku Enver, më tha.
SHOKU RAMIZ ALIA: Jo xhanëm. Unë po të them ashtu siç më the mua.
SHOKU ADIL ÇARÇANI: Kur janë propozuar kandidaturat për në Plenumin e Komitetit Qendror, ku mori pjesë dhe shoku Hysni, në atë kongres u propozua dhe Feçor Shehu si kandidat. Ti u ngrite dhe kërkove që ai, të ishte anëtar por shoku Hysni, të kundërshtoi.
SHOKU ENVER HOXHA: Po, po, edhe unë kam kundërshtuar për kandidaturën e Feçorit.
SHOKU SIMON STEFANI: Ja, dua t’i shtoj kësaj çështjeje që edhe në kongresin e kaluar, kur jemi konsultuar për kandidaturat, ti ke pasur mendimin që Feçori të ngrihet lart madje, të bëhej dhe kandidat i Byrosë Politike madje, së bashku me të kandidat të bëhej dhe Veli Llakaj.
SHOKU KADRI HAZBIU: Unë?!
SHOKU SIMON STEFANI: Po, po, ti ke propozuar.
SHOKU ENVER HOXHA: Madje Feçori, po përgatiste edhe shtëpinë.
SHOKU KADRI HAZBIU: Unë nuk e kam thënë këtë gjë.
SHOKU ENVER HOXHA: Ti pastaj duhet të dish dhe një gjë, që unë Feçor Shehun nuk e kam simpatizuar kurrë, për arsye se më jepte përshtypjen e një djalke, prandaj e kam thirrur në zyrë nja dy a tri herë dhe këtij njeriu, i kam larë kokën ashpërsisht për dobësitë e punës së tij, për mungesën në fushën e informacionit, etj. “Si urdhëron, si urdhëron”, më përgjigjej ai. “Dale, dale, se se kam mbaruar akoma atë që do të të thosha”, e ndërpreva, “mua mos më thuaj si urdhëron”! Dhe propozimi për të si ministër ka ardhur nga ju, nga ti ose nga Mehmeti, pasi ju ishit me të dhe e njihnit. Dhe nëse unë të kam pyetur ty, ti ishe allahile o xhan amin, më the për kandidaturën e tij.
SHOKU KADRI HAZBIU: Po.
SHOKU ENVER HOXHA: Prandaj nuk e kam propozuar unë Feçor Shehun si Ministër të Punëve të Brendshme.
SHOKU KADRI HAZBIU: Jo, ju më keni pyetur se kush mund t’ju zëvendësojë ty Kadri si ministër, dhe unë ju jam përgjigjur se mund të më zëvendësojë ky.
SHOKU RITA MARKO: Kur ika unë nga Durrësi, shoku Enver më pyeti se ç’mendon ti për këtë?!
SHOKU KADRI HAZBIU: Mirë mo mirë, po përse po e zgjasim tani këtë çështje?!
SHOKU RAMIZ ALIA: Po e zgjasim se ti, je kontradiktor me ato që ke thënë, dhe që vazhdon të thuash. Ja e shikon, si i the tani shokut Adil, që s’jam dakord?!
SHOKU ADIL ÇARÇANI: Unë e kam kuptuar drejt këtë çështje atë ditë, dhe kështu është thënë nga Kadriu.
SHOKU ENVER HOXHA: More Kadri, mos luaj me fjalë, thuaj më mirë që unë kisha këtë mendim, që kur më kërkuan mendim, propozova Feçorin.
SHOKU KADRI HAZBIU: Unë, e kam thënë edhe më vonë shoku Enver, që për ministër të vinim ose Feçor Shehun, ose Mihallaq Ziçishtin. Ky, ishte mendimi im në atë kohë.
SHOKU ENVER HOXHA: Aa, paske menduar për të dy “të mirët”.
SHOKU KADRI HAZBIU: Këtë mendim kam pasur.
SHOKU ENVER HOXHA: Ti, mbaje atë mendim, kurse mua, më ke propozuar vetëm për Feçor Shehun. Për Mihallaq Ziçishtin unë, kam pasur dyshime të mëdha, madje të kam thënë dhe ty që ky është djalë nga Ziçishti, prandaj nuk ma merr mëndja që ai, të jetë larguar me dëshirën e tij nga Sigurimi i Shtetit. Edhe pse një punonjës të thjeshtë, po ta largoje nga Sigurimi ai, zinte të qarët, se nuk e donin këtë gjë.
SHOKU KADRI HAZBIU: Po unë, nuk kam ditur gjë për largimin e tij.
SHOKU ENVER HOXHA: As unë nuk kam ditur gjë, megjithatë ai u largua.
SHOKU KADRI HAZBIU: Po as unë nuk kam ditur gjë, dija vetëm njëherë që në Durrës ju…..
SHOKU ENVER HOXHA: Po as unë nuk e dija, se ç’bënte Mehmet Shehu me këtë njeri.
SHOKU KADRI HAZBIU: Kur ishte procesi i puçistëve, shyqyr që do të jetë një gjë e mirë po të ketë shpëtuar ai nga ky grup, më thatë ju.
SHOKU ENVER HOXHA: Po mirë mo mirë, këtë di ti. Se po ti dija unë me kohë, këto që di tani, i kishim arrestuar me kohë Mihallaqin me shokë.
SHOKU PALI MISKA: Me gjithë këto që di ti, sikur edhe një sinjal të vetëm të kishe pasur në mëndje, si ai që të tha shoku Enver, përse do ta propozoje Mihallaqin për ministër?!
SHOKU RITA MARKO: Ti e dije mirë, që Mihallaqi është kushëriri i parë i Maqo Çomos.
SHOKU ENVER HOXHA: Shiko Adil, përpiqu ta mbarosh një çikë diskutimin, se u zgjate shumë.
SHOKU ADIL ÇARÇANI: Ja, thuajse mbarova. Si përfundim dua të them që grupin e këtij me rrezikshmërinë më të madhe unë, e dënoj me urrejtjen më të madhe. Unë jam solidarizuar me gjithë shpirt me vijën e Partisë, me drejtësinë e madhe të saj, me masat e saj shumë të drejta. E gjithë kjo punë tani, do të kthehet në një mobilizim dhe forcë shumë të madhe për realizimin e detyrave, për rritjen e vigjilencës, dhe gatishmërinë për mbrojtjen e atdheut, siç porositi shoku Enver. E gjithë Partia, është angazhuar tani në një betejë politike të madhe për zbulimin dhe demaskimin e veprimtarisë armiqësore të Mehmet Shehut dhe grupit së tij, si dhe për marrjen e të gjitha masave për zhdukjen e pasojave të kësaj pune armiqësore.
“Kanceri” kryesor, u likuidua, tha shoku Enver në “Tabllonë sinoptike mbi veprimtarinë armiqësore të Mehmet Shehut”. Por “mikrobe të vegjël”, na kanë mbetur akoma andej këndej që duhen spastruar. Kjo, kërkon nga ne që, duke kuptuar e përvetësuar thellë ato që shtroi shoku Enver, të rrisim intensitetin e punës politike në radhë të parë, pastaj të mobilizohemi me të gjitha forcat që, t’i realizojmë të gjitha detyrat e tjera. Të rrisim vigjilencën, disiplinën në punë, kërkesën e llogarisë, të luftojmë liberalizmin, duke e ballafaquar secilin me rezultatet e tij të punës, duke punuar me vendosmëri për zbatimin e vijës së Partisë, dhe ligjeve të saj.
Këto detyra, janë të domosdoshme për t’u zbatuar në çdo kohë, por veçanërisht sot kur armiqtë e jashtëm e të brendshëm për shkak të disfatës së madhe që pësuan me humbjen e super agjentit të tyre në Shqipëri, Mehmet Shehut, janë bërë si të tërbuar kundër Partisë dhe vendit tonë. Prandaj, sot bëhet më e domosdoshme, tendosja shumë më tepër e nervave, rritja shumë më tepër e vigjilencës, zbatimi i të gjithë planeve ekonomike e shoqërore. Kudo ne kemi suksese të shumta, por kemi edhe defekte e mosrealizime në punë, sidomos në organet e pushtetit dhe të ekonomisë. Dhe këto janë si efekt edhe të veprimtarisë armiqësore të Mehmet Shehut të cilat, duhet t’i zhdukim me vendosmëri të madhe sa më shpejt të jetë e mundur, por edhe vetë kemi shumë të meta në stilin tonë të punës.
Agjenturat e huaja, kanë vazhduar që të punojnë me vite të tëra kundër Partisë dhe pushtetit tonë popullor. Zbulimi i komplotit të madh të kryesuar nga Mehmet Shehu, tregoi edhe një herë se sa intensivisht kanë punuar armiqtë tanë për të minuar të gjithë fitoret tona në arritura. Prandaj për të gjitha këto ne, duhet të shumëfishojmë punën dhe vigjilencën. Unë jam dakord me shokët dhe mendimi im është se përgjegjësia e shokut Kadri, është shumë e madhe. Ato që ka bërë ai, nuk janë gabime të thjeshta por faje të rënda të një rëndësie të veçantë dhe karakteri politik, sepse bien në kundërshtim të hapur me vijën dhe normat e Partisë.
Edhe rrezikshmëria e këtyre fajeve që ka bërë ai është e madhe sepse kjo vë në balancë, interesat e Partisë, Popullit, dhe Socializmit, mbi të cilat Partia nuk vë asgjë, duke mos u tërhequr nga asnjë konsideratë. Autokritika e Kadriut, është e papranueshme për faktin se së bashku me qëndrimin e tij këtu në Byronë Politike, që ishte krejtësisht mohues dhe pikërisht ky qëndrim, e rëndon edhe më tepër përgjegjësinë e shokut Kadri. Për të gjitha këto pajtohem me mendimin e shokëve dhe propozoj që ai, të mos jetë më anëtar i Byrosë Politike dhe i Komitetit Qendror të Partisë, dhe nënkuptohet që të mos jetë më as Ministër i Mbrojtjes Popullore.
SHOKU ENVER HOXHA: Dakord atëherë të vijmë në orën 4 pasdite.
(Këtu mbaron seanca e paradites)
SHOKU ENVER HOXHA: Kush do t’a marri fjalën?!
SHOKU MANUSH MYFTIU: Autokritika e shoku Kadri, është e përciptë, ai i është shmangur me qëllim analizës së punës në Ministrinë e Brendshme, nxjerrjes së gabimeve që janë bërë atje, sepse mbi këtë bazë do të binin përgjegjësi shumë të rënda mbi të. Kadriu, e ka quajtur më të lehtë çështjen më shumë nga ana e disa të metave personale, mirëpo kjo jo vetëm që nuk na e mbush mendjen por e rëndon edhe më shumë pozitën e tij. Shoku Kadri nuk ju përgjigjet midis të tjerave dy pyetjeve me rëndësi: Së pari, si është e mundur që kuadrot kryesorë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Zëvendësministra, Drejtorë, etj., të ishin rekrutuar agjentë nga fuqitë e huaja dhe të vepronin për një kohë kaq të gjatë, dhe me kaq lehtësi nën drejtimin e tij?!
Së dyti, brenda këtyre 10 viteve të fundit janë zbuluar nga Partia grupe të mëdhenj dhe shumë të rrezikshëm armiqësorë sic janë ato të Fadil Pacramit, Beqir Ballukut, Abdyl Këllezit, dhe tani së fundi grupi i krye-agjentit e armikut të egër, kriminelit Mehmet Shehu. Nga hetimet e bëra dhe nga disa shembuj që na u dhanë sot këtu vumë re se nga ana e Ministrisë së Punëve të Brendshme, dhe veçanërisht nga Sigurimi i Shtetit, nuk i është dhënë ndonjë sinjal Partisë. Kjo, flet par një punë shumë të dobët dhe për një drejtim shumë të keq të shokut Kadri, si ministër që nga viti 1954. Si ka qenë e mundur që të ndodhë kështu ?! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016