Nga Kastriot Dervishi
Memorie.al / Historiani dhe studiuesi i njohur, ish-kreu i Arkivës së Ministrisë së Brendshme, Kastriot Dervishi, ka publikuar një dokument arkivor ku bëhet e ditur se një 106-vjeçar, ka qenë i burgosur në një prej burgjeve të regjimit komunist të Enver Hoxhës, që në vitet e para të pasluftës. I moshuari Nikollë Ndre Bardhoku nga fshati Mali i Bardhë i Kurbinit (që ndodhet diku në mes qytetit të Laçit dhe Milotit), ishte dënuar në vitin 1949 si pjesë e “një grupi armiqësor”, dhe në këtë kohë ai ishte 103 vjeç. “Nuk besoj se në ndonjë vend të botës ndonjë njeri në moshën 106 vjeçare, ka qenë i burgosur. Këtë “rekord të zi” e mban Shqipëria komuniste e Enver Hoxhës. Një i moshuar, krejt pa asnjë faj mbahej në burg. E vërteta e historisë së tij zbulohet nga një letër që i dërgon diktatorit në vitin 1952, në të cilën kërkon që ta lironte burgu”, shkruan ndërmjet të tjerash, studiuesi dhe historiani i njohur, Dervishi.
106 vjeç, në burgjet komuniste të Enver Hoxhës
Nuk besoj se në ndonjë vend të botës, ndonjë njeri në moshën 106 vjeçare, ka qenë i burgosur. Këtë “rekord të zi” e mban Shqipëria. Një i moshuar, krejt pa asnjë faj mbahej në burg. E vërteta e historisë së tij zbulohet nga një letër që ai i dërgon diktatorit komunist, Enver Hoxha, në vitin 1952, në të cilën i kërkon që ta lironte burgu.
I moshuari nuk priste gjë tjetër nga jeta pasi, i kishte provuar të gjitha, kërkonte vetëm të vdiste në shtëpinë e vet. Prej 3 vjetësh ai gjendej në burgun nr. 5 të Tiranës (në vitin 1955 u quajt burgu nr. 313). Ishte dënuar në vitin 1949, si pjesë e “një grupi armiqësor”, kur ishte plot 103 vjeç.
I përmenduri akuzohej se në shtëpinë e tij, kishte strehuar djalin e nipat e vet, të cilët ishin të arratisur. Nga shqyrtimi i dokumenteve të dosjes hetimore-gjyqësore, nuk rezulton që i moshuari të ketë qoftë edhe implikimin më të vogël sepse, vetë mosha, nuk e lejonte të ishte organizues apo veprimtar. Ai u arrestua më 21.8.1949, pra kur ishte 103 vjeç.
Në atë kohë, regjimi komunist, për të mos u zbuluar mosha e të pandehurit më të moshuar në gjithë botën, ka shkruar në vendim se ai ishte 95 vjeç. Kjo e dhënë rezulton e rreme, pasi vetë personi, shkruan moshën e vërtetë në letrën që i drejton Enver Hoxhës.
Nikollë Ndre Bardhoku, u dënua në një proces me 15 persona të tjerë, midis të cilëve edhe një grua. Të pandehurit e procesit, ishin nga fshatrat e zonës së Kurbinit, si: Zhej i Poshtëm, Gurrëza, Selita e Vogël dhe Mali i Bardhë (i përmenduri).
Çështja u gjykua nga Gjykata e Lartë Ushtarake, vetëm në një shkallë gjykimi. Me vendimin nr. 142, datë 17.9.1949, gjykata i deklaroi fajtorë të gjithë dhe të moshuarin Nikollë Ndre Bardhoku, e dënoi me 20 vjet heqje lirie. D.m.th., sipas logjikës së drejtësisë komuniste, ai do të dilte nga burgu, kur të ishte 123 vjeç!
Me të njëjtin vendim, u dënuan me vdekje: Kolë Dedë Tota (45 vjeç), Frrok Mhill Rika (46 vjeç), ndërsa të tjerët, morën dënime që varionin nga 5-15 vjet burgim, punë të detyruar, si dhe konfiskim të pasurisë dhe humbjen e të drejtës zgjedhore për dy vjet.
Për më shumë rreth historisë së këtij të dënuari, që me shumë gjasa rezulton një një prej të dënuarve me burg më të vjetër në moshë në të gjitha burgjet e botës, na njeh letra që ai i shkruan diktatorit komunist Enver Hoxha, në vitin 1952, të cilën po e publikojmë të plotë bashkë me faksimilen përkatëse që ndodhet në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë.
Letra e 106 vjeçarit, Nikollë Ndre Bardhoku, në vitin 1952
V.F. – L. P.
Gjeneral-armate, Enver Hoxha
Kryeministër i R. P. Sh.
Tiranë
I nënshkruari Nikollë Ndre Bardhoku, lindur dhe banues në katundin Mali i Bardhë (Milot), kam nderin t’ju parashtroj sa më poshtë:
Jam arrestuar në muajin gusht 1949, nën akuzën se kam strehuar djalin dhe nipat e arratisur dhe të vrarë prej Sigurimit dhe i dënuar prej gjyqit special me 20 vjet privim lirie.
Z. Komandant!
Jam një plak në moshën 106 vjeç; unë në shtëpinë time gjithë ditën natyrisht edhe natën isha i detyruar të rrija shtrirë në dyshek.
Djali dhe nipat që ishin arratisë vepronin me kokën e tyre, aspak nuk më përfillnin vdek apo gjallë isha jam.
Pra në të tilla kondita si mund të cilësohem strehues? Sot jam i sëmurë dhe nuk jam në gjendje as të vete në nevojë, por duhet të shoqërohem nga shokët.
Prandaj marrë guximin të drejtohem personalisht, juve z. Komandant, duke ju lutur të më mëshironi edhe të urdhëroni lirimin tim në mënyrë që të vdes në shtëpinë time. Memorie.al
Me nderime
Nikoll Ndre Bardhoku
Burgu nr.5 Tiranë
Tiranë 5.2.1952
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016