Nga Makensen Bungo
Pjesa e parë
Memorie.al / Makensen Bungo lindi më 14 prill të vitit 1926, në qytetin e Elbasanit, prej nga është dhe origjina e familjes së tij. Ai u arrestua nga regjimi komunist që në vitin 1946 dhe më 12 tetor të po atij viti, Gjykata Ushtarake e Elbasanit, e deklaroi fajtor për ‘krime kundër shtetit’ dhe e dënoi me 5 vjet heqje lirie, humbjen e së drejtës elektorale për 5 vjet kohë, si dhe konfiskimin e pasurisë. Akuza ‘agjitacion e propogandë’, ishte e gjitha e fabrikuar dhe konsiderohej si krim kundër shtetit, sepse kishte thënë në biseda të ndryshme, se: “Kosova është e robëruar…”! Pas dënimit të tij, më 26 shkurt të vitit 1947, Komiteti Ekzekutiv i Nënprefekturës së Qendrës Elbasan, urdhëroi sekuestrimin e gjithë pasurisë së tij, të luajtshme e të paluajtshme. Makensen Bungo u lirua nga burgu në vitin 1950, pasi provoi torturat e egra të hetuesisë së diktaturës komuniste dhe pa vdekjen me sy gjatë vuajtjes së dënimit, në Kënetën e Maliqit, në kampin famkeq të Vloçishtit etj. Pas lirimit nga burgu, ai kreu shkollën “Normale” në qytetin e Elbasanit dhe më pas vazhdoi studimet e larta në Universitetin e Tiranës, Fakultetin Gjuhë-Letërsi, me korrespondencë. Edhe kur ia dhanë të drejtën e mësimdhënies sipas diplomimit, Makensenin e dërguan në zona të thella në fshatra të Tepelenës, Gjirokastrës dhe Fierit, por gjatë gjithë periudhës së regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe pasuesit të tij, Ramiz Alisë, ai nuk u lejua që të botojë. Makenseni mundi të botojë vetëm pas rënies së komunizmit dhe ai është autor i disa librave, si p.sh.: 1- ‘Monografia për Abaz Kupin’ (2001). 2 – ‘Këneta e Vdekjes’ (u botua më 1996 dhe u ribotua edhe 5 herë – më 2009-ën, u botua edhe në gjuhën angleze). 3 – ‘Gruaja me të zeza’ – Vëllim me tregime (2008). 4 – ‘Rrugëtim me psherëtima’- Roman (2009). 5 – ‘Nëna Kosovare’ – poemë (2003). 6 – ‘Varret’, poemë…etj. 7- ‘Musine Kokalari’. Pas viteve ’90-të, Bungo emigroi në SHBA-së dhe ai ishte një ndër bashkëpunëtorët e palodhur edhe për shtypin e diasporës, veçanërisht i gazetës ’Dielli’ në SHBA, ku kontribuoi me studime, artikuj, poezi etj. . Makensen Bungo ndërroi jetë më 15 shtator të vitit 2018, në një spital të New Yorkut, në moshën 92 vjeçare. Shkrimi që kemi përzgjedhur këtu për botim, është marrë nga libri i tij “Këneta e vdekjes”, ku ai ka përshkruar me realizëm, ngjarjet e zhvilluara në kampin e Vloçishtit dhe Kënetës së Maliqit, ku ai vuajti dënimin në vitet e para të pasluftës, së bashku me qindra të burgosur politik nga i gjithë vendi, të cilët punuan në kushte çnjerëzore për tharjen e atyre kënetave.
FRAGMENT NGA ROMANI “KËNETA E VDEKJES”
Qielli ishte ende me yje dhe agimi ishte larg, kur në kamp u shtuan fishkëllimat e bilbilave të policëve. Ishte zgjimi. Pastaj policët u dukën në çdo barakë, ku qëllonin me forcë dyert, duke bërtitur:
– Çohuni! Çohuni! Dilni jashtë! Në rresht për dy!
Të burgosurit, të rraskapitur nga udha e gjatë, nuk ishin ngopur me gjumë. Ata të mëparshmit ishin mësuar me këtë lloj zgjimi dhe u ngritën shpejt, u veshën dhe dolën jashtë. Edhe ata të pestë dolën në mes të kampit, me të tjerët.
– A do të përballohet dot jeta në këtë lloj kampi? – pyeti Hasani.
– Këto janë kampet e diktaturës, – tha Sopoti.
– Jemi në një shtet policor, – shfryu Ahmeti.
Prapa tyre po vinte Daut Burra.
– E dini, o çuna, pse na zgjuan kaq herët? – pyeti me ironi. Dhe pa marrë përgjigje, shtoi:
– Se gjumi të shëndosh!
– Plogështia paguhet me kokë, këtu, – vërejti trishtueshëm Sopoti.
Të burgosurit e Korçës dhe të Durrësit, sa dolën nga barakat, u vunë në rresht për dy, në vendin që u kishte caktuar komanda e kampit. Të burgosurit e Elbasanit u grumbulluan në një anë të kampit, pranë barakës dhe po pritnin se ç’do t’u thoshin. Tek ata shkoi komandanti i kampit, me kapter Zenelin dhe dy policë. Me të burgosurit e Elbasanit komandanti formoi një brigadë, që u quajt brigada e tretë.
Komandant brigade, komandanti caktoi një të burgosur ordiner, që kishte vrarë një djalë të ri në zënie e sipër. Brigadën e ndau në dy kompani. Në krye të secilës vuri një të burgosur, si komandant kompanie, nga ata që kishte rekomanduar komanda e burgut, kur i kishte nisur për në punë. Në njërën kompani caktoi Myqerem Kolën, që ishte dënuar për defiçit, rreth tridhjetë vjeç.
Pasi e kishin mbajtur disa kohë në burgun ordiner, e kishin transferuar në burgun politik, ose, siç quhej atëherë, në burgun e “armiqve të popullit”.
Në fillim Myqeremi u afrua me Vullnetin dhe shokët e tij. Por më vonë këta i ndenjën ftohtë dhe pastaj nuk i folën fare. E kishin kuptuar se ishte bërë vegël e komandës. Një ditë Vullneti, u zu me të me fjalë dhe pas dy ditësh, e rrahu keq, sepse Myqeremi e kishte ofenduar. Komanda e burgut e dënoi Vullnetin me një muaj në birucë. Por megjithatë nuk u kënaq. Ai priste rastin të hakmerrej vetë.
Së fundi, komandanti u tregoi të burgosurve të dy policët që ishin caktuar për të drejtuar dy kompanitë. Pas këtij organizimi, komandanti u caktoi vendin se ku do të rreshtoheshin.
Kapter Zeneli doli pastaj para të burgosurve dhe, duke tundur në ajër shkopin që mbante në dorë, bërtiti fort:
– Shpejt në rresht! Një kokë të shikoj! Vetëm një kokë!
Të burgosurit po mundoheshin të viheshin në rresht, por nuk po e merrnin dot drejtimin. Rreshti ishte i gjatë dhe, në vend që ta ndreqnin, e prishnin. Atëherë kapter Zeneli, duke tundur në ajër shkopin, bërtiti me një zë të çjerrë:
– Nuk dini të viheni në rresht ju, ëëë? Jua mësoj unë!
Dhe filloi t’i qëllonte të burgosurit me shkopin dhe me grushta me sa i mbante krahu. Duke u vënë në rresht, njëri nga të burgosurit, që të mos fuste këmbët në një pellg me llucë, u largua pak. Kapter Zeneli e pa e iu vërsul duke e goditur fort me shkop, deri sa i dënuari ra në llucë. Pastaj i vuri njërën këmbë mbi trup dhe vazhdoi ta qëllojë egërsisht me shkop dhe me shkelma. Si e nxori dufin, i tha:
– Këtu të rrish, qelbësirë!
Dhe doli në krye të rreshtit. I burgosuri u ngrit me mundim. Kokën e kishte tërë baltë dhe njërën faqe, të çarë, me gjak.
Të gjithë të burgosurve, i’u dhanë nga një racion bukë të thatë dhe të zezë dhe nga një qepshe me supë. Me to ndër duar të burgosurit u shpërndanë në kamp dhe filluan të hanin mëngjesin.
Ata të pestë u ulën tok. Pranë tyre u ulën Qamil Daja dhe Vasil Lashi. Pak më tej u ulën Shaban Flaka me Daut Burrën dhe kushëririn e Sopotit. Të dy peqinasit, si gjithmonë, u ulën bashkë, mënjanë.
Sala e ndau bukën në mes dhe, si e pa që ishte si zhavorr, tundi kokën dhe tha:
– Pse, këtë bukë do të hamë ne?
Por Ahmet Kurti ia preu:
– Mos kujton se këtu na kanë sjellë për të na mbajtur me bukëvale?
Ndërsa të burgosurit hanin mëngjesin, policët me shkopinj ndër duar, silleshin rrotull nëpër kamp, për të kapur ndonjë fjalë.
Në fshatin Vloçisht, që ishte ngritur në faqen e një kodre, pak larg kampit, filluan të ndizen dritat e para. Kampi mori emrin e këtij fshati. Emër i panjohur më parë, por që do t’i tmerronte gjithë jetën këta të burgosur, sa herë ta kujtonin. Do të drithëronte edhe familjarët. Historia e diktaturës do ta përmendte si njërin prej kampeve të parë, ku njerëzit punuan si kafshë dhe u trajtuan më keq se skllevërit. Kamp shfarosjeje.
Kampi ishte i madh. Në ballë të tij ndodhej dera kryesore, e përbërë prej dy kanatash hekuri. Pranë derës ishte një truproje, ku qëndronte një polic i armatosur me automatik. Brenda në kamp, nga ana e majtë e derës, ishin kuzhina, nga oxhaku i saj dilte vazhdimisht tym.
Aty pranë ishte depoja e ujit, që furnizohej nga një autobot prej një fshati të largët. Pas kësaj vinin rresht, njëra pas tjetrës, katër baraka të gjata dhe të larta, të ndërtuara prej hekurash dhe të mbuluara anash dhe lart me mushama.
Në mes të tyre ishte një barakë e vogël, që përdorej si infermieri, ku ishin dy shtretër prej dërrase, një tavolinë dhe një stol i vjetër. Në anën e djathtë të derës gjendej një ndërtesë e vogël, në derën e së cilës, një dorë e pastërvitur kishte shkruar fjalën, ‘Bibliotekë’. Në mes të saj ishte një tavolinë e vjetër, e mbuluar me beze: dy stola qëndronin anash.
Jashtë kampit, në të djathtë të derës, ishte një ndërtesë e gjatë me dy të ndara. Njëra shërbente për zyrat e komandës së kampit dhe tjetra si sallë mbledhjesh. Pranë saj ishte ndërtesa ku flinin policët.
I gjithë kampi ishte i rrethuar me një gardh prej pesë rrathë telash me gjemba, i lartë mbi tre metra. Pranë këtij gardhi, nga jashtë, në çdo pesë metra ishin ngritur truproje mbi katër metra të larta, në të cilat ditë e natë qëndronin policë me helmeta në kokë, me automatikë në gjoks dhe me revole dhe bomba në brez. Te këmbët kishin nga një mitraloz me disa krëhëra fishekësh.
Në kamp, edhe në natën më të errët, shikohej mirë, sepse kudo ishin vendosur llamba elektrike: mbi çdo derë, në çdo cep barake, si brenda ashtu edhe jashtë, ndërmjet telave me gjemba, në çdo truproje. Veç këtyre, në mes të kampit, mbi një shtyllë të gjatë, ishin vendosur nga të gjitha anët katër llamba të mëdha elektrike.
* * *
Agimi filloi të çukisë errësirën e natës, që zotëronte me një heshtje të përmortshme tejetej kënetën e Maliqit. Nga Mali i Thatë filloi të shpërndahej lehtë-lehtë e ngadalë një dritë e argjendtë mbi majat e maleve dhe mbi kodrat rreth e qark. Yjet e shumtë, lart në qiell, filluan ngadalë të zbehen, lehtas.
Hëna pa u shqetësuar, si gjithmonë, qëndronte lart në kupën e qiellit dhe vështronte në heshtje atë grumbull njerëzish pranë kënetës së Maliqit. I mëshironte? Hëna sheh çdo gjë, por nuk flet për asgjë!
Të burgosurit hëngrën mëngjesin shpejt e shpejt dhe u vunë në rresht, për dy. Të burgosurit e Elbasanit pritnin në rresht, me ankth, nisjen duke pyetur veten se si do të ishte puna. Me duar në xhepa, se kishin ftohtë. Me jakat e palltove të ngritura, që të pengonin sadopak thëllimin e atij mëngjesi të akullt.
Asnjë nga të burgosurit nuk fliste në rresht. Ishte e ndaluar. Ata e kuptuan shpejt këtë gjë dhe askush nuk thoshte ndonjë fjalë.
Rojet, me shkopinj ndër duar, silleshin rreth të burgosurve si ujqërit e uritur rreth kopesë, të gatshëm për të qëlluar cilindo, që do të fliste ose do të lëvizte pak.
Në këtë kohë, një të burgosuri, nga kompania e parë, që ishte i moshuar, duke qëndruar në këmbë, i ra të fikët dhe u përplas përtokë. Të burgosurit përreth, midis tyre edhe Vullneti me Salën, iu afruan që ta ndihmonin, por policët u vërsulën mbi ta e i qëlluan me shkopinj dhe me shkelma duke bërtitur:
– Largohuni! Mos e ndihmoni!
Të burgosurit, së pari, u hutuan, por, kur panë mbi kokat e tyre policët e hardallosur, u larguan.
– Po kjo? – pyeti Sala i habitur.
– Kjo është diktatura e proletariatit, – iu përgjigj Vullneti.
Njëri nga policët, duke qeshur, iu afrua të burgosurit dhe e tundi me këmbë, por ai nuk u përmend fare. Ai mbeti aty edhe kur të burgosurit u nisën për në punë, i shtrirë në tokë, pa ndjenja, në mes të kampit. Njeriu u shndërrua në një njollë të zezë, për ata që e shikonin nga larg.
Policët, që ishin ngarkuar me mbikëqyrjen e dy kompanive të Elbasanit, dolën para atyre dhe bënë apelin. Të gjithë përgjigjeshin shpejt. Një i burgosur, i moshuar, që po fillonin ta linin veshët, nuk u përgjigj menjëherë. Polici ndërpreu apelin dhe thirri. I burgosuri u zverdh në fytyrë. Doli nga rreshti dhe iu afrua policit.
– Më falni zoti polic, – i tha, – s’dëgjoj mirë nga veshët.
Aq më bën për veshët e tu, – i tha polici dhe e qëlloi me dy shpulla të forta, njëra pas tjetrës.
E pështyu në fytyrë me inat dhe bërtiti:
– Qelbësirë! – herët e tjera hapi mirë veshët!
Si mbaruan apelin, të gjithë policët, sipas kompanive, i raportuan kapter Zenelit se të burgosurit kishin dalë në punë, pa përjashtim.
Zeneli urdhëroi nisjen. Së pari u nisën ata të burgut të Korçës dhe të Durrësit. Pas tyre vazhduan ata të Elbasanit. Kompania ku bënin pjesë ata të pestë, doli në fund fare. Nisja u bë pothuajse me vrap, që të mbërrinin në vendin e punës sa më parë. Mjerë ai që mbetej prapa ose që prishte rreshtin. Mbi të kërciste shkopi i policit.
Njëri nga të burgosurit e Tiranës mbeti prapa. Polici, iu afrua me të shpejtë dhe e qëlloi me shkopin që mbante në dorë. Po tjetri nuk shpejtoi.
– Vrapo! – bërtiti polici. – Vrapo! Ndiq shokët, se të vrava!
– Nuk mundem, – i tha i burgosuri, – nuk mundem! Jua kam thënë.
– Vrapo! – i bërtiti prapë polici, duke e qëlluar me forcë. Ti kështu bën çdo ditë. Vrapo!
Dhe vazhdoi ta qëllojë mizorisht.
I burgosuri nuk u përpoq të mbrohej por, ndërsa polici e qëllonte, i tha:
– Kot qëllon! Unë nuk mund të vrapoj dot, se në hetuesi më kanë prerë gishtat e këmbëve dhe poshtë, në shojet e këmbëve, nuk kam mishra, por vetëm eshtra…!
Më vonë policët u mësuan me këtë njeri: e rrahën sa e rrahën dhe e lanë të rrinte në fund të rreshtit. Në fillim të burgosurit ecën në tokë të thatë. Më tej filluan të shkelin në tokë të butë. Po i afroheshin kënetës. Sa më shumë i afroheshin asaj, aq më tepër toka bëhej më e butë, më e lagësht, më e qullët, – llucë.
Të burgosurve, që e kishin bërë edhe ditët e tjera këtë rrugë, nuk u bëri përshtypje. Ata të burgut të Elbasanit nisën të frikësohen. Në fillim u munduan të ruhen, por, kur e panë se ishte e pamundur, ecën edhe ata si të tjerët. Këpucët iu mbushën me llucë. Çorapet i’u lagën.
Pantallonat, deri afër gjunjëve, iu bënë baltë e gjallë. Tani të burgosurit ecnin nëpër kënetë me vrap. Nuk i pengonte vetëm lluca dhe balta, por edhe zhukat e kënetës që u ngatërroheshin nëpër këmbë. Megjithatë rojet bërtitnin, kërcënonin, rrihnin.
Nga të ruheshin më parë këta njerëz?!
– Kush e di sa e gjatë do të jetë rruga, – tha Sala.
– Mund të jetë e gjatë, se ende nuk po duket vendi i punës, – iu përgjigj Vullneti.
Të burgosurve të Elbasanit, kur u nisën, u dhanë edhe veglat e punës me vete: kazma, lopata, karroca dore dhe tokmakë. Më keq nga të gjithë e kishin ata që u ngarkuan të marrin karroca dore. Këta në fillim i shtynë si zakonisht. Por, kur filluan të ecin nëpër kënetë, ato u mbushën me llucë dhe u rënduan plumb. Disa filluan t’i tërheqin nga pas. Të tjerë, i ngarkonin në kurriz.
Të burgosurve, duke ecur herë pas here, diçka u pickonte këmbët. Nuk mund të ndalonin, por kur mbërritën në vendin e punës, ngritën pantallonat dhe panë të habitur se në mishrat e këmbëve rrinin të varura shushunja të madhësive të ndryshme, që të qeta dhe me etje, u pinin edhe atë çikë gjak që u kishte mbetur. Sopoti kapi një shushunjë dhe e tërhoqi që ta hiqte, por ishte e pamundur. Një i burgosur i tha:
– Mos u mundo kot! Ajo nuk hiqet. Ajo bie vetë në tokë, pasi ngopet me gjak!
Posa arritën në vendin e punës, të burgosurit e Korçës dhe të Durrësit filluan menjëherë punën. Ata kishin ditë që punonin aty dhe në mes të kënetës kishin hapur një kanal të gjatë e shumë të gjerë. Thellësia ishte një bojë burri. Kur hynin në të, nuk dukeshin më. Në të dy anët e kanalit ishin ngritur argjinatura shumë të larta.
Të burgosurit filluan punën për thellimin e kanalit. Ata gërmonin tokën dhe e transportonin dheun në argjinaturë. Duke u thelluar, kanali po mbushej me ujë. Këtu të burgosurit punonin zbathur, me pantallona të përveshura. Aty ku kishte shumë ujë, edhe vetëm me të mbathura.
Pranë këtij vendi ishte caktuar sektori ku do të punonim edhe ne. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016