Nga Ndue Dedaj
-“Na jemi shtëpi tash pesëqind vjet, qysh nga koha e Skanderbegut, na thoshin të parët”. –
Pjesa e parë
Memorie.al / Shpesh në jetën e popullit has fakte që të bëjnë të mendohesh thellë, si në rastin kur një derë malësie, një shtëpi e dëgjuar, si ajo e Qafajve të Fushë-Arrësit, me origjinë prej Spaçit të Mirditës, ka patur flamurin e vet, njëlloj si dinastitë shqiptare të mesjetës, Kastriotët e Dukagjinët, që kishin stemat, emblemat, vulat, siç besohej se kishin dhe “hyllin” e vet rojtës. Në ato mote kishte flamurin e vet dhe krahina, dhe bajraku, por dhe shtëpia e madhe, shtëpia e parë, që ishte si një shtet më vete. E vërteta është se nëse diku në zonat fushore e qytete disa vlera autentike ranë, prej furisë së pushtimeve të huaja, në male ato u ruajtën si mbijetoja, si praktika jetësore a ceremoniale, si rituale. Mundet që flamuri i Pirustëve të ketë qenë me pamjen e ndonjë përkrenareje ilire, apo emblemë bakri a bronzi. Flamuri i Principatës së Arbërit dhe ai i Dukagjinëve më vonë ishin me të njëjtën heraldikë, shqiponjën njëkrenare. Flamuri i Mirditës, ishte ai kombëtar, shqiponja dykrenore, por me element shënjues diellin me rreze, aty ku më pas u vendos ylli pesëcepësh. Flamuri i Dheut (bajrakut) të Kuzhnenit, përbëhej nga një dorë e bardhë e hapur në një fushë të kuqe, me një kryq të kuq në fushë të bardhë, siç e përshkruan Franc Nopça. Është e njohur se në Mirditë duvaku i nuses ishte me shqiponjë. Aristokracia shqiptare e maleve, që kishte si tipar themelor prijën mundi të mbetej e pa shprishur në thelbin e saj autokton, pa u lakuar e tjetërsuar prej kulturave të pushtimeve, me të gjitha shenjat e saj prijetare, kuvendore.
Flamuri origjinal i Qafajve: një degë lisi e blertë, në një fushë të bardhë
Flamuri i Shtëpisë së Qafës ishte si ai i Mirditës përsa i përket fushës së bardhë, por mbi të ishte skalitur një degë lisi e blertë, me të vërtetë diçka origjinale, që sot do të dukej i përshtatshëm për ndonjë parti ekologjike që na mungon. Lisi ishte simbol i forcës, lartësisë, bukurisë natyrore dhe njerëzore, dega e njomë e lisit me gjeth ishte shprehje e paqes, mirëkuptimit, lejimit të tjetrit për të kaluar nëpër territorin tënd.
Ai flamur vihej në ballë nga karvanët që kalonin nga Prizreni e Gjakova në Shkodër, çka do të thoshte se ishin në besën e saj dhe askush nuk mund t’i prekte nga Qafa e Malit, deri në kufijtë e Qafë-Qelës matanë Pukës. E kur nuk kishin flamurin e Qafajve, mjaftonte të thyenin një degë lisi e ta vinin në qafë dhe atëherë gjithkush e dinte se ishin në besën e tyre, padyshim një nga zakonet më të fisme shqiptare. Një degë lisi që përçonte besën qafë më qafë e grykë më grykë.
Ti, ishe një udhëtar i largët, i panjohur, i pambrojtur, kur befas kujtoheshe se kishte një ligj të pashkruar të kësaj bote, që të merrte në mbrojtje, të dilte për zot, ishte, pra, thjeshtë një degë lisi që t’i mund ta këpusje sapo të zgjasje dorën dhe atëbotë ishe i mbrojtur njëlloj si mbreti i Francës apo Anglisë, që kishte gardën përreth, ani se ai që të kishte marrë në besë nuk të njihte dhe as nuk e njihje.
Nëse mund të ndodhte ndonjë mrekulli e ti shtegtari të vriteshe në pabesi, atëherë ti assesi nuk shkoje gjak hupët, pasi gjaku yt do të merrej nga shtëpia që kishte për flamur atë degë lisi. E kjo nuk është një legjendë, por një doke e zbatueshme. Ka ndodhur më se njëherë, që i vrari në agoninë e fundit ka shqiptuar para ndonjë bariu a shtegtari tjetër, se kam hëngër në dardhat e filanit dhe kaq ishte e mjaftueshme që ai të quhej “mik i premë” në bukën e tij.
Nuk kishte një drejtësi më të mirë se kjo në atë kohë plot trazime sociale e rravgime morale. “Dega e lisit”, vërtet u njoh si flamuri i Qafajve, por me të njëjtën simbolikë ajo është përdorur kudo në zonën e Kanunit, si shenjë mbrojtje e shtegtarit, i cili, kur kalonte pranë shtëpisë tënde, mjaft që të kishte atë “medaljon” në setër, dhe ishte në besën tënde.
Shtëpitë e vjetra shqiptare kishin një status më të veçantë, si e Gjomarkut, e Kaloshit, e Gjo Lulit, e Skandës, e Qafës, e Përvizit, e Friskut, e Cerës etj., që nga koha e Motit të Madh. “Shtëpia jonë dhe shtëpia e Qarrit të Hasit, ishin të njohura për bujari, me dhanë bukë për këdo. Asokohe shtroheshin 5-6 sofra në ditë për udhëtarët.
Në drekë hahej buke më ç’të kishte, kurse në darkë hahej bukë me mish, për miqtë, udhëtarët e shtegtarët”, kujtojnë pasardhësit e këtyre shpive. Ky ka qenë një zakon i mrekullueshëm në malet tona, kësaj i thonë që bujaria të dilte sheshit, në udhë të madhe, çka mund të jetë unike në botë.
Ishe nisur për të shkuar në punën tënde dhe ndërkohë drekën e gjeje të shtruar ku të gjente mesdita, e darkën ku të zinte nata, paçka se nuk e njihje shtëpinë ku do të veje. Ka pas disa shtëpi të tilla bukëdhënëse në udhë në Mirditë, si e Qafës në Fushë-Arrës, e Tucit në Simon etj.
Po ashtu është i njohur zakoni me iu qit raki me meze krushqve në Udhë të Madhe, kur ata kalonin ndanë shtëpisë tënde, pasi mund të kishin bërë udhë të gjatë. Kjo bujari i ka pas mbajt krushqit të “pa ngrirë” dhe doket të pathyeshme.
Arsti në Udhën Publike që kalon nëpër Dukagjin
Këto vende të epërme në të kaluarën janë vizituar në të rrallë nga Ipeshkvit e Sapës (Nënshat), apo vizitorët apostolikë të Vatikanit. Frang Bardhi, shkrimtari ynë i vyer, viziton për dy javë kishat, famullitë dhe banorët në verën e vitit të largët 1637, duke shkruar dhe raportin përkatës për Selinë e Shenjtë. Janë një tufë relacionesh të asaj kohe që falë Injac Zamputit, prej gjysmë shekulli i kemi dhe në shqip. Frangu përshkruan me imtësi rrugëtimin e tij baritor:
“Prej Kabashit shkuem n’Arës, katund 8 mil larg nga Kabashi. Ky katundi i Arësit asht 7 shtëpish e 51 frymësh…! Kishën e kanë n’emën të Shën Sebastianit dhe aty ata varrosin të vdekunit e vet. Kjo kishë nuk ka asnjë stolisje. Nga Arësi, po atë ditë, shkuem në Berdhet, mbi 8 mil larg prej Arësit. Berdheti asht katund 19 shtëpish dhe 146 frymësh. Ka një kapelë n’emën të Shna Prendes…!
Asht e vendosun në Udhën Publike që kalon nëpër Dukagjin e shkon në Serbi…! Gjindja e Berdhetit shpesh herë kanë ngritun krye kundra turqve dhe u kanë dalë në pritë te rruga që kalon nëpër Malzi (Shëmria e Kukësit. nd.), që asht pranë popujve të Spasit, dhe i kanë shpartalluar, u kanë marrë plaçkat, kuajt e armët dhe pastaj prap kanë bamë paqe tue u dhanë turqve një sasi haraçi. Berdhetasit janë për armë ma të zotët e të gjithë Pukës…”!
Edhe pse vendi quhet Fusha e Arësit, ai është krejt me male dhe vetëm aty ku është ngritur qyteti gjendet një ultësirë me pak ara të rrafshëta e pjerrina, po ku nuk të zë syri dhe aq shumë drurë arrash. Nuk mund ta ftillosh me të parën, nëse emri Arësit vjen nga arrë, arë/arëz apo dhe nga ar (i), kur nëntoka e këtyre maleve është plot me madem? I’u hedhim një sy shkrimeve të vjetra dhe ja tek hasim një shënim të studiuesit Kol Luka: “Në Fushë-Arrës, – shkruan ai, – janë toponimet: Kroni i Fushaxhive, Vija e Fushaxhive, etj., d.m.th., të atyre që kishin zbritur poshtë në pllajë. Edhe ai nuk mund t’i shmanget Frang Bardhit, i cili banorët e Arstit i quan ar (r) ësi (n) j (Arëssini).
Ka kaluar mjaft kohë derisa kanë zbritur arrësinjt e tjerë për t’u bashkuar me ato të fushës dhe për të formuar emrin e ri Fushë-Arrësi. Dy trajat arst dhe arr(ë)s nisen nga një e vetme ku trajta arst është më e vjetër. Eshtë dhe fshati tjetër Arst (Arst Miliska) në Iballe. Pra, kemi të bëjmë me një fitonim. Trajta arrësi (aressi) te Bardhi nuk na lë më asnjë dyshim.”
Fushë-Arrësi kishte rëndësi strategjike, ngaqë ishte qendër urbane e baras-larguar nga Shkodra dhe Prizreni, 12 orë nga qyteti rrëzë Taraboshit e, ndanë Bunës dhe 12 orë nga qyteti në krah të maleve të Sharrit.
Ishte një simetri e përkryer, si në legjenda, ku karvanët e kuajve duhej të shtegtonin plot njëzet e katër orë, një ditë e një natë, për të mbërritur te qyteti tjetër. E nëse e sheh dhe nga këndej, nuk mund të mos mahnitesh sot me Rrugën e Kombit, kur nga Shkodra në Prizren, shkohet në më pak se dy orë.
Sa larg ka mbetur martesa baladeske 9 orë larg e Doruntinës…! Udha e njohur Shkodër-Prizren, që kalonte nëpër Gomsiqe, Pukë, Fushë-Arrëz, Qafë-Mali, Shëmri, Kukës, Morin, Prizren, me hijën e Pashtrikut, nderë mbi kreshta, ka qenë ndër më të rëndësishmet rrugë të Veriut qysh në kohët e kaluara.
Ajo e ngjiste Adriatikun në Kosovë e më tej rajoneve të Ballkanit dhe i zbriste ato në det. Vetëm falë kësaj udhe mund të ndër komunikonin Shkodra, Ulqini, Shëngjini, Lezha me qytetet e Kosovës e më gjerë. Ishte dhe në ato kushte me tiparet e një udhë kombëtare, që i rrokte trojet tona nga perëndimi në lindje, si një faktor zhvillimi, kryesisht përmes tregtisë.
Qafa e Malit është një simbol pathyeshmërie, për ndaljen e hovit të ushtrive pushtuese otomane, serbe etj., para dhe pas shpalljes së Pavarësisë (1912), duke u shndërruar në një kala natyrore, ku emri i Ndrecë Ndue Qafës, është i gdhendur nëpër gurët e malit dhe pishat shekullore. Qysh në pragun e Lidhjes së Prizrenit, në raportet e konsujve austro-hungarez në Shkodër drejtuar Vjenës, shkruhej se: “Qafa e Malit u zu prej 400 mirditasve”, për të ndalur urdinë e Dervish Pashës drejt Mirditës, Pukës, Lezhës etj.
Spikat aty trimëria dhe prija kryengritëse e Qafajve, Currajve etj. Më vonë ajo Qafë historike u përshkua nga rruga nacionale e makinës, ku për mos bllokimin e saj nga bora, që pllakoste çdo dimër deri në tre-katër metra, mobilizohej krejt qeveria e ushtria, sepse ndërpritej furnizimi dhe qarkullimi me Kukësin, Tropojën, Hasin etj.
Qafë-Mali, kështjellë natyrore turistike, shpesh ka qenë dhe qafë e theqafjeve. Qafë me krushq të ngrirë, si në Eposin e Kreshnikëve! Gjithsesi qafë me një histori të veten, si dhe Qafa e Brodolecit, Qafa e Llogarasë, Qafë Shtama, Qafë Thana etj.
Qafajt, familja më e njohur tregtare në Pukë e Mirditë, që bënte tregti deri në Nish të Jugosllavisë
Në Mirditë e Pukë janë ushtruar zeje të ndryshme, kryesisht punimi i drurit, gurit, dheut, prodhimi i pezhgves, një tregti e vogël prodhimesh familjare, por tregtia e madhe nuk ka qenë e përhapur. Shtëpia e Qafës është ndër më të njohurat në këtë fushë, jo vetëm në këtë krahinë, por shumë më tej. Kjo është një kuotë e veçantë e saj, që meriton të njihet më thellë. Ishte një kulturë e re pune, në fillesat e marrëdhënieve kapitaliste në vend, nëse kjo nuk mund të merret për një fjalë e madhe.
Tregtia me disa nga qendrat më të rëndësishme shqiptare (Shkodër, Lezhë, Elbasan, Korçë, Kukës, Gjakovë, Prizren, Pejë etj.) i japin një identitet të ri kësaj shtëpie të dëgjuar, duke patur dhe përmasën humane. Ajo pati meritën se futi konceptin e tregut, shitblerjes në një territor ku ai nuk kishte ekzistuar më parë.
Zef Ndue Qafa, një nga burrat e njohur të kësaj shtëpie, tregonte deri vonë për këtë traditë tregtare të shtëpisë së tij, për tre bujtinat (hanet) mikpritëse të Qafajve. Në një fotografi të afishuar në një nga sallonet e hoteleve të pasardhësve në Fushë-Arrës, ai pozon sipas stilit të Marubëve, që duhet të jetë e bërë prej tyre në Shkodër, veshur me kostum kombëtar, ulur në karrige, me pisqollën që i duket në brez dhe dorën në pushkën mbështetur mbas murit.
Është një vështrim tipik i malësorit të hershëm që thotë shumë, përmes pamjes së tij krenare, me mustaqe të plota dhe kësulën karakteristike të bardhë “pipiruce”, me majë të Spaçit, që Aleksandër Stipçeviqi, i quante me origjinë ilire.
Është interesante të shqyrtohet marrëdhënia shpesh komplekse që kanë patur disa shtëpi të njohura me qeverisjen e lartë të vendit apo atë krahinore, përfshi dhe atë të Qafës. Edhe pse mund të mos jetë thënë ndonjëherë, konflikti ka ndodhur për shkak të një rivaliteti që shumë shtëpi në zâ kishin filluar të kishin me Kapedanin e Mirditës. Doemos ato që ishin shtëpi “shtet” dhe i’a dinin vlerat dhe zotësitë vetes.
“Ishim shtëpi e pasur, me burra të fortë”, shkruan Dedë Qafa në kujtimet e veta, duke nënkuptuar se si të tillë nuk mund të mos përfilleshim nga Kapidani apo Mbreti Zog, që sido që të ishte, kishin një pushtet autokratik, herë-herë duke kërkuar të vendosnin autoritet dhe aty ku nuk ishte e mundur, pasi shteti ishte në konsolidim, kurse pushteti kapidanor në rënie.
Po ashtu miqësore e të spikatura kanë qenë marrëdhëniet me njerëzit dhe familjet e besimit mysliman në zona ku besimet takoheshin, pas islamizimit të disa trevave shqiptare. Shtëpia e Qafajve kishte miqësi me shtëpinë e Bajram Agës në Kryezi.
Ndrecë Ndue Qafa, kishte “pirë gjakun” me Gjylen, gruan e Bajram Agës, për ta mbrojtur si grua e vejë, që të rriste jetimët dhe të mos i binte kush në qafë. Kjo ndodhi mbas vrasjes së të shoqit, Bajramit, që Ndreca e kishte pasur dashamir dhe kumbar.
Ky ishte një gjest i lartë fisnik dhe si i tillë u përmend në ato kohë nga njerëzit e Kryeziut, Qafë-Malit, Fushë-Arrësit etj. Bajram Aga ishte atdhetar, ashtu si dhe Mustafë Aga, shtëpi e parë në të shtatë bajrakët, me të cilën Qafajt kishim lidhje e bashkëpunim, siç e thotë dhe kënga popullore.
Nuk i pengonte aspak besimi i ndryshëm që kishin mes tyre, bile i shkonin për festë njëri-tjetrit, ata vinin për Pashkë te katolikët, këta u shkonin për Bajram etj., një traditë që e gjejmë aq të spikatur veçanërisht në Lurë ku dy besimet rronin në një shtëpi. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016