Nga Amik Kasaruho
Pjesa e dytë
Memorie.al / Amik Kasaruho lindi në Tiranë në vitin 1932. Babai i tij, Qemal Kasaruho, i’u pushkatua nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, mbas ngjarjes së bombes në ambasadën sovietike në Tiranë, në vitin 1951. Në të njëjtën kohë, kur ishte vetëm 17 vjeç dhe nxënës në gjimnazin e Tiranës, Amikun e arrestojnë dhe dënojnë me 10 vjet burg politik, me akuzën agjitacion e propagandë dhe me vendim gjyqi, u përjashtua nga të gjitha shkollat e vendit. Mbas lirimit nga burgu, në periudhën 1956-1962, ai jetoi në qytetin e Kavajës dhe më pas u internua familjarisht në fshatin Gosë të Kavajës, (ku familja e tyre qëndroi deri në vitin 1990, që po shembej regjimi komunist). Nga viti 1956 deri në vitin 1960, Amiku punoi si punëtor krahu në Elbasan, Lushnjë, Kavajë, më pas si punëtor ndërtimi në Gosë, gjeometër dhe si teknik ndërtimi, në Ndërmarrjen Shtetërore të Ndërtimit në Durrës. Ndërkohë, gjatë viteve ’60-të, ai u mor edhe me përkthime, por emri i tij nuk vihej në librat dhe tekstet që përkthente. Vetëm pas shëmbies së regjimit komunist në fillimin e viteve ’90-të, u bë e mundur botimi i shkrimeve dhe librave të tij. Në fillimin e viteve ‘90-të, ai u largua nga Shqipëria dhe pasi jetoi për një kohë të gjatë në Itali, (ku shkroi disa libra), në 2009-ën ai u kthye përsëri në Tiranë, ku për disa kohë, shërbeu edhe si këshilltar i Presidentit të Republikës. Po ashtu në këtë kohë, ai u mor edhe me eseistikë e përkthime. Librat e tij, si p.sh. “Një ankth gjysmëshekullor”, (1997) “Çmimi i një ëndrre”, botuar në Itali (2000), “Midis qiellit dhe burgut”, “Ikje nga trilli i perëndive” (Roman autobiografik), “Pa mëri – Publicistika e jetës sime” (2013), (ku përfshihen shkrime dhe intervista të autorit, botuar në shtypin shqiptar), janë të përkthyera në gjuhë të huaj dhe disa janë nderuar edhe me çmime ndërkombëtare. Po ashtu, Amik Kasoruho ka përkthyer në shqip edhe vepra nga autorë të huaj, si: Pirandello, Isabel Allende, Harold Robbins, Patrick O’Brian, John Selby etj. Një ndër përkthimet e tij të fundit ishte edhe “Revolta e Atlasit” e shkrimtares dhe filozofes së mirënjohur amerikane Ayn Rand. Kasaruho është fitues i çmimit special të jurisë në konkursin Eks & Tra për shkrimtaret emigrantë në vitin 1999. Në vitin 2000, ka marrë çmimin “Civitas – Arberia 2000 Calabria” për mirëmbajtjen e revistës italo-shqiptare të arbëresheve “Katundi Ynë”. Kasoruho është dekoruar nga Presidenti i Republikës me titullin “Nderi i Kombit”. Ai u nda nga jeta më 5 maj të vitit 2014, në moshën 82 vjeçare. Shkrimi që kemi përzgjedhur këtu për botim, është marrë nga libri i tij “Një ankth gjysmëshekullor”.
FRAGMENTE NGA LIBRI ESEISTIK “NJË ANKTH GJYSMËSHEKULLOR”
Lindja e një partie ose “Mortis Tua Vita Mea”!
Me qindra shtëpi u dogjën apo u bënë rrafsh me tokën. Me mijëra njerëz u pushkatuan në krahinat e Dibrës e të Mirditës, në Dukagjin, në Krujë, Mat, në Malësi të Madhe dhe në Shqipërinë e Mesme. Po aq u internuan apo u burgosën.
Fshatra të vegjël si Gradishta, Grabjani, Plugu, Llakatundi u bënë sinonime të vdekjes civile; kush u dërgua aty, me përjashtim të ndonjë rasti shumë të rrallë, nuk pati më kurrë mundësinë të largohej syresh. Me dhjetëra e qindra familje mbetën nëpër këto lagere për më shumë se 40 vjet: aty ku ishin internuar njerëzit e dënuar, mbas gjysmë shekulli rriteshin nipat e tyre. Një vazhdimësi tepër tragjike për t’u besuar!
Bedeni (më 1947), Maliqi (më 1948), Vlashuku (në vitet pesëdhjetë), Spaçi (këto kohët e fundit) si dhe vende të tjera qenë Dachau-t, Mathausenët, Buchenëald-ët e Shqipërisë Socialiste. Ata që i’a dolën të shpëtojnë nga këto “kampe pune”, e quajtën veten njerëz me fat.
Presioni i brendshëm, që ushtrohej në të gjitha drejtimet, persekutimet ndaj kundërshtarëve, qëndrimi keqdashës ndaj njerëzve të thjeshtë të fesë dhe sidomos ndaj atyre të Klerit Katolik, shprehjet artistike të kufizuara dhe politikisht të kanalizuara, çensurimi deri edhe i mendimeve, frika: mbi këta binarë po lëvizte shteti i ri.
Edhe në politikën e jashtme punët nuk shkonin mirë. Perëndimi nuk dëgjonte të njihte qeverinë që ishte formuar gjatë Luftës. Për gjëra të tilla rastet dhe kleçkat diplomatike nuk kanë munguar kurrë, por arsyeja kryesore pse ndodhte një gjë e tillë ishte mungesa e besueshmërisë së Shqipërisë në marrëdhëniet ndërkombëtare. Sikur të mos mjaftonte diskreditimi që u kishte bërë aleatëve gjatë Luftës, menjëherë pas çlirimit, patën filluar arrestimet e “agjentëve” anglo-amerikanë!
Misionet ushtarake aleate dhe deri edhe UNRRA-s u akuzuan se ishin shndërruar në çerdhe agjentësh. Le t’i shtojmë edhe një shembull asaj që është thënë në kapitullin e mëparshëm: Reshad Asllani, i arrestuar në vitin 1951 me akuzën e agjitacionit e propagandës, u akuzua edhe se kishte qenë agjent i amerikanëve kur, në të vërtetë, kishte qenë vetëm nëndrejtor i Shkollës Bujqësore të Kavajës.
Shkasën e fundit e dha incidenti i Korfuzit. Në ngushticën midis Sarandës dhe Korfuzit në ujërat territoriale shqiptare, anijet angleze u ndeshën në disa mina që shkaktuan viktima. Protestave të Londrës, që i kontestonte Shqipërisë mos sinjalizimin e rrezikut, qeveria shqiptare i’u përgjigj, duke thënë se minat ishin vendosur nga trupat gjermane gjatë Luftës dhe se protestat angleze kishin për qëllim të nxitnin “luftën e ftohtë”. Kjo vijë e ngurtë vazhdoi edhe mbasi Gjykata e Hagës dënoi Shqipërinë të paguante dëmet nga ky incident. Ky vendim nuk u pranua dhe anglezët konfiskuan arin e Bankës Kombëtare të Tiranës që kishin gjetur në Gjermani në mbarimin e luftës.
Gjithë kjo i jepte dorë propagandës që e paraqiste Shqipërinë në qendër të synimeve imperialiste anglo-amerikane dhe përligjte kundërmasat që kishte marrë qeveria e Hoxhës, duke përfshirë edhe mbylljen e misioneve diplomatike amerikane dhe angleze në Tiranë.
Përgjigja nuk u vonua: Shqipëria qe i vetmi vend që nuk u ftua në Konferencën e San Françiskos. Një paralelizmi emblematik historik do të verifikohej në vitin 1990, atëhere kur Shqipëria do të ishte i vetmi vend europian që nuk u ftua të merrte pjesë në Konferencën e Parisit. Ishte ky një rreth vicioz brenda të cilit përpëlitej një popull në kërkim të lirisë së humbur.
Të ngopurit me lugë të zbrazët
Dhe brenda një rrethi vicioz përpëlitej edhe ekonomia.
Nëpër ara, më 1945, nuk ishte korrur kushedi çfarë: një pjesë e tokave kishte mbetur pa u punuar, një pjesë e prodhimeve qenë dëmtuar nga lufta. Por, edhe pse mund të duket e çuditshme, menjëherë mbas mbarimit të luftës, Shqipëria kishte më pak probleme nozullimi në mallra të përdorimit të gjerë, nga ç’kishin vendet fqinjë. Kjo qoftë për shkak se konflikti nuk kishte qenë aq i ashpër sa gjetiu (në Greqi, për shembull), qoftë edhe sepse gjatë pesë vjetëve të sundimit fashist, ishte vënë re një mirëqenie relative. Duke dashur të merrte me të mirë një popull krenar, Musolini i siguroi Shqipërisë, gjithë ato që i mungonin Italisë.
Ndërsa në Itali shumë sende ishin të racionuara, triskëtimi u ndërfut në Shqipëri vetëm mbas çlirimit (dhe do të zgjaste më shumë se katërmbëdhjetë vjet, provë kjo e gjendjes së dobët të ekonomisë shqiptare, në një kohë kur në pjesën tjetër të Evropës vepronte plani Marshall).
Gjatë viteve të pushtimit fashist, tregtia njohu një zhvillim si askurrë më parë, fshati kishte prodhuar jo vetëm për nevojat e konsumit të brendshëm, por edhe për të eksportuar në Itali, duke bërë të grumbullohej në këtë anë të Adriatikut, ari italian. Kosova e plleshme kishte kontribuar me të korra të bollshme. Tregtia me zonat kufitare greke dhe jugosllave ishte krejt në të mirë të shqiptarëve, për shkak të zhvleftësimit të dhrahmisë e të dinarit, të provokuar edhe nga marka gjermane e pushtimit. Në Shqipëri, edhe për hir të këmbënguljes së qeverisë së kryesuar nga Ibrahim Biçaku dhe veçanërisht si rrjedhojë e punës së ministrit të tij të Financave, Et’hem Cara (që të dy të diplomuar në Gjermani), nuk u vunë re ato fenomene inflacioni që rrënuan ekonomitë e vendeve të tjera fqinje.
Me pak fjalë, gjithçka bënte të mendohej se në territorin shqiptar kishte rezerva të atilla që të mund të përballoheshin nevojat e vendit për disa vjet. Por më 1945-ën, njëmendja doli ndryshe, duke dhënë provën si nuk duhet administruar një vend. Shqipëria, edhe pse kishte disa shtresa naftëmbajtëse, gati për tre vjet mbas lufte mbeti pa energji elektrike: në qytetet e mëdha dritat fikeshin në orën 22. U vendos të triskëtoheshin të gjitha prodhimet ushqimore dhe të manifakturës. Në tregun e zi, një kile sheqer kushtonte sa mëditja e tri ditëve pune, të një punëtori të specializuar.
Mishi ishte edhe më i shtrenjtë, kur mund të gjendej. Kush humbiste triskën, nuk kishte të drejtë të merrte një tjetër për të njëjtën periudhë. Jeta e secilit ishte obsesionuar aq shumë nga sistemi i triskave sa, në atë kohë, qarkullonte bejtja: “Si ja çon, si je? Triskën me vete e ke”?: në këtë mënyrë i drejtohej i zoti i shtëpisë një miku të rastit, të cilit nuk kishte mundësi t’i shtronte asgjë përpara.
Askush nga përgjegjëset qeveritarë nuk tha qoftë edhe gjysmë fjale për shkaqet që kishin çuar në një gjendje kaq problematike. Më vonë, kur u prenë marrëdhëniet me Jugosllavinë, filloi të thuhej se kishte qenë politika jugosllave ajo që i kishte thithur Shqipërisë gjithë burimet e saj. Dhe këtë e thanë pikërisht ata që me qeverinë e Beogradit, kishin nënshkruar një pakt miqësie dhe ndihme reciproke, një marrëveshje tregtare dyvjeçare, një marrëveshje doganore dhe një monetare: dhe të gjitha këto u bënë në një kohë kur diheshin mirë kushtet ekonomike jugosllave.
Kjo politikë, të japësh gjithçka thuajse pa marrë asgjë, të mos marrësh në konsideratë nevojat e popullit edhe kur është fjala për nevoja jetike, dalëngadalë çoi në krijimin e një mendësie absurde dhe vetë shkatërruese që, mbas disa vjetësh, do ta detyronte Shqipërinë të tregtonte me vende nga më të ndryshme të botës, duke shkaktuar varfërimin denigrues të popullit të vet. Në korrik 1991, me rastin e vizitës së Sekretarit Amerikan të Shtetit, James Baker në Tiranë, në një pankartë lexohej: “Jepna sot bukën tonë të përditshme”! Mbas 45 vjetëve që lufta kishte mbaruar, në Shqipëri mungonte buka! E pra, në fillim të viteve tetëdhjetë (apo në mbarim të atyre shtatëdhjetë?) një institut amerikano-jugor, që hiqej si arbitër i standardit të jetesës së kombeve të ndryshme, i dha Shqipërisë çmimin e parë! Nuk kishte si të sajohej ironi më çjerrëse, fyerje më tallëse dhe gënjeshtër më poshtëruese!
Në këmbim “vëllezërit” jugosllavë, ndihmuan për ndërtimin e hekurudhës së parë të vendit, të realizuar me materiale jashtë përdorimit, disa prej të cilave, si datë prodhimi, mbanin atë të vitit 1910! Punimet e dheut dhe të ndërtimit të trasesë apo betonimi i urave, u kryen nga rinia shqiptare, me punë vullnetare. Të zbathur, të zhveshur, me kazma e lopata ata të rinj entuziastë nënshkruan me gjak e me djersë këtë “dhuratë të madhe popullit shqiptar nga Jugosllavia e Marshallit Tito”.
Fjalët e mëdha, vlerësimet që nuk kushtonin asnjë dysh, lavdërimet pa karar, slloganet e pafund qenë shpërblimi për atë që punonte e prodhonte.
Fshirësja dhe sëpata
Politika që synonte të rrafshonte shpërblimet dhe të nxiste të qenët të përciptë u drejtohej edhe artistëve. Enver Hoxha e njihte mirë gjeninë e Fishtës, mprehtësinë therëse dhe kulturën e thellë të Konicës ashtu sikurse edhe të shumë intelektualëve të tjerë, por vendi duhej ta përqendronte vëmendjen vetëm tek ai. Veçse egocentrizmi i Hoxhës është vetëm një shpjegim i pjesshëm; Fishta në poemën e tij ‘Lahuta e Malësisë’ kishte proklamuar karakterin autokton të popullsisë shqiptare në tokat e Ilirisë së lashtë dhe kishte treguar se burim i të gjitha fatkeqësive të mëvonta të Shqipërisë, kishte qenë nacionalizmi serb. Diskriminimi ndaj Fishtës, pra, lidhet edhe me faktorin politik serb.
Marrëdhëniet e mira me federatën e shteteve jugosllave, impononin garanci nga ana shqiptare. Dënimi i veprës së Fishtës dhe fshirja e tij nga kujtesa e kombit, duke e akuzuar si fashist (si shkas shërbeu emërimi i tij si anëtar i Akademisë Italiane më 1940), qe një nga favoret e shumta, që me aq përkushtim, u blatoi jugosllavëve Enver Hoxha. Nëse për jugosllavët ky qëndrim qe një lëshim i vogël për paketën e lëshimeve të pretenduara prej tyre, për historinë e kulturës shqiptare, qe një haraç i pandershëm dhe i turpshëm. Askush nuk mund ta përmendte më Fishtën dhe Hoxha mori frymë lirisht: edhe një herë tjetër kishte merituar simpatinë e sllavëve. Në vitet pesëdhjetë, shkrimtari Mark Ndoja, u përjashtua nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe më vonë u burgos, sepse kishte propozuar rehabilitimin e poetit të madh.
Por Fishta nuk pati qenë vetëm një letrar i talentuar, gjuhëtar i shquar, gazetar i mprehtë dhe një figurë shoqërore publike me vlerë: para së gjithash ai ishte një prift dhe për më tepër një prift i Kishës Katolike. Në personin e tij goditej i gjithë Kleri Katolik, që kishte luajtur një rol aq të madh në formimin e kulturës shqiptare. Dhjetra emra njerëzish të kishës u fshinë me një të shkuar fshirëseje nga historia e Shqipërisë. Ishte ky një hap tjetër drejt turpit.
Gjithashtu u gjykuan dhe u dënuan intelektualët që po përgatiteshin të themelonin një parti të opozitës, Partinë Socialdemokrate. Ata që nuk u pushkatuan, u dergjën për shumë vite nëpër burgje. Ndërmjet tyre qenë Gjergj Kokoshi (ministër i Arsimit menjëherë pas çlirimit), Suad Asllani (avokat), Sami Qeribashi (intelektual), Musine Kokalari (shkrimtare) dhe shumë të tjerë. Gjyqi i tyre mbeti shembull i epërsisë së atyre që, duke pasur parime fort të rrënjosura, s’e njohin epërsinë e forcës së egër.
Më vonë qe radha e të ashtuquajturit “grupi i Maliqit”, një grup inxhinierësh dhe teknikësh, të akuzuar se kishin sabotuar punimet e tharjes së kënetës së Maliqit, punime që ecnin ngadalë vetëm në saje të paaftësisë organizative të shtetit.
Në mbarë vendin shfletoheshin dosje nga gjykatat ushtarake për të “provuar” fajësinë e të pandehurve. Ranë kështu në goditjen e drejtësisë socialiste (duke folur vetëm për vitet e para të diktaturës) inxhinierët Kujtim Beqiraj, Sulo Klosi e Andrea Xega, avokatët Baltazar Benusi, Haki Karapici, Asllan Ypi, klerikët Donat Kurti, Vinçens Prennushi e Pjetër Meshkalla, mjekët Irfan Pustina, Aqif Hysenbegasi dhe Ahmet Sadedini, profesorët Anton Deda, Foto Bala dhe Ali Cungu, poetët dhe shkrimtarët Arshi Pipa, Kudret Kokoshi, Pjetër Gjini, Mustafa Greblleshi dhe Dhimitër Pasko, ekonomistët Pjerin Guraziu, Skënder Cikla dhe Qemal Kasaruho, për të përmendur vetëm disa nga ai varg i pafund emrash që, të shpëtuar nga një harresë fajtore, do të përbënin krenarinë e një Shqipërie të lirë dhe mirënjohëse ndaj bijve të vet që vuajtën e pësuan për një të ardhme më të mirë. Rrugët e Zotit janë të pafund: historia e Shqipërisë dhe kthesa që ka nisur këta muajt e fundit e provojnë këtë.
Shpata e Demokleut
Të gjitha shfaqjet e Revolucionit Kulturor (lexo anti kulturor) kinez u importuan në Shqipëri për kënaqësinë e thellë të atij që zbulon se ka në duar një drogë kolektive. Makbethi kishte vrarë gjumin e vet. Enver Hoxha do të vriste gjumin e të tjerëve. Në fillim të viteve ’70-të, ai drejtoi mërinë e tij kundër Festivalit XI të Këngës në Radio-Televizion. Me pretekstin se i ishte lënë shteg borgjezimit të muzikës së realizmit socialist, shkarkoi, përjashtoi nga partia dhe arrestoi dy anëtarë të Komitetit Qendror, Fadil Paçramin dhe Todi Lubonjën.
Mbas tyre, duke u ngjitur më lart në hierarkinë e aparatit të propagandës, ishte Ramiz Alia, që drejtonte sektorin ideologjik të partisë. Shpëtoi për një qime, u fol, në saje të ndërhyrjes së të shoqes së Hoxhës, Nexhmijes. Në qe kjo një e mirë për popullin shqiptar, do të mund të thuhet vetëm në të ardhmen. Fakti është se, më vonë, ndër ditët tona, do të ishte Ramiz Alia në krye të partisë kur, do të verifikoheshin manifestimet në sheshet e qyteteve dhe do zinte fill lëvizja e studentëve për demokraci.
Ekonomia nuk po e kapte veten. Për të mos pranuar se kjo gjë ishte e lidhur me efektet dëmsjellëse të regjimit, edhe në këtë rast u gjend kush duhet të shkonte për dhjamë qeni. U takoi Abdyl Këllezit, anëtar i Byrosë Politike, nën-kryeministër dhe ministër i Financave; Koço Theodhosit, anëtar i Komitetit Qendror dhe ministër i Industrisë e Minierave dhe shumë drejtuesve të tjerë të institucioneve ekonomike. Edhe Ushtria nuk ishte më një garanci për klasën drejtuese.
Ishin shumë, pak si tepër, ata oficerë që kishin studiuar nëpër shkollat dhe akademitë ushtarake të BRSS-së. Prandaj edhe në radhët e ushtrisë, ra sëpata e Diktaturës së Proletariatit, dhe u ekzekutuan Beqir Balluku, anëtar i Byrosë Politike, nën-kryeministër dhe ministër i Mbrojtjes, gjenerali Petrit Dume, anëtar i Komitetit Qendror, zëvendësministër i Mbrojtjes, gjenerali Hito Çako, drejtor i Drejtorisë Politike të Ushtrisë, si dhe u arrestuan dhjetëra gjeneralë e oficerë të tjerë.
Këto masa drastike u paraqitën si një përgjigje e Partisë ndaj komplotit të organizuar nga armiqtë e socializmit në lëmin e kulturës, të Ekonomisë dhe Ushtrisë.
Për njëfarë kohe Enver Hoxha nuk do ta ndjente instinktin e hakmarrjes.
Në të gjitha sferat e sektorët e jetës politike dhe shoqërore, duke përjashtuar anëtarët e Byrosë Politike, shkoi më tej nivelimi i vlerave. Të gjithë duhej të bënin punë fizike me një pagë që të mos e rëndonte më shtetin por që, në teori, të ishte e lidhur me aftësinë prodhuese. Kjo gjë, u tha, bëhej për të mos humbur lidhjet me klasën punëtore. Kallot e duarve, qofshin ato në duart e ministrit apo të një violinisti, do t’i shërbenin çështjes së socializmit. Nuk kishte rëndësi që ky muaj u kthye në një periudhë pushimesh suplementare në kurriz të ndërmarrjeve dhe të kooperativave bujqësore, të cilat paguanin për një punë që nuk kryhej.
Në vitin 1966, Fronti Demokratik (në të vërtetë Komiteti Qendror i PPSH-së) u drejtoi një thirrje kuadrove shtetërore për të lënë qytetin “vullnetarisht” dhe për të shkuar në fshatra, ku do të kontribuonin për zhvillimin e tyre. Mbas periudhës së parë fillestare vullnetare (natyrisht që të gjithë e ngritën dorën në shenjë miratimi), qe partia ajo që caktonte kush duhej të linte qytetin dhe, në shumë raste, bashkë me familjen. Kjo qe një mënyrë tjetër për të larguar nga vendet me përgjegjësi të gjithë ata që kishin prirje të mendonin më tepër nga ç’lejohej.
Lufta kundër burokratizmit, kësaj sëmundjeje të Shqipërisë, njohu disa faza. Por gjithmonë mbas çdo vale “reformash”, aparati administrativ rritej edhe më shumë. Këto spastrime, edhe pse hera-herë nuk kishin karakter politik (edhe pse të parët për t’u larguar do të ishin ata që kishin ndonjë “njollë në biografi”) kishin për qëllim ta bënin më të zhdërvjellët administratën shtetërore. Por kjo fryhej përsëri, në emër të një shpërndarjeje më të mençur të përgjegjësive. Nuk ishte pra pasojë e vullnetit për të shëruar një organizëm të sëmurë: qëllimi i vërtetë i këtyre “reformave” ishte të mbahej gjallë pasiguria. Qarkullimi i kuadrove mund të prekte këdo. Shpata e Demokleut kishte gjetur vend tek arsenalet e Hoxhës. Partia, zyrtarisht, shqetësohej dhe bënte punën e saj për të shmangur borgjezimin e nëpunësve të shtetit.
Varfërimi kulturor
Një letër e pasur shpirtërore, mund të nxisë dëshirën për të bërë ndryshime. Indoktrinimi, pra, nuk duhet të përjashtonte asgjë: as edhe këngët e muzikës së lehtë. Shqiptarët duhet të vallëzonin duke dëgjuar lavdet që i thureshin Partisë dhe Hoxhës; të shoqëruar nga melodia e një fokstroti, do të mësonin se sa ishte forcuar miqësia ndërmjet fshatarëve dhe klasës punëtore, si rrjedhojë e martesës së një mjelëseje të dalluar, me një traktorist. Notat e valcerit shoqëroheshin nga lëvdatat drejtuar Tiranës, që do të bëhej gjithnjë e më e bukur me ofiçinat e saj të reja mekanike dhe me dritat e neonit. Për të thurur këto tekste, ishin vënë në garë gjithë poetët e regjimit.
Goditjen më të rëndë arteve ua dhanë vendimet e Plenumit IV të Komitetit Qendror të vitit 1973. Kaluan në harresë apo u arrestuan shkrimtarët: Mehmet Myftiu, Petro Marko, Mark Ndoja, Ibrahim Uruçi, Bilal Xhaferri, Minush Jero, Kapllan Resuli, Kasëm Trebeshina, regjisorët Mihallaq Luarasi, Kujtim Spahivogli, arkitekti e piktori Maks Velo, piktori Edison Gjergo, basi Lukë Kaçaj, aktorët Edi Luarasi, Justina Alia, këngëtarët Sherif Merdani, Besnik Taraneshi, kritiku Vasil Melo e mjaft të tjerë.
Deri edhe Ismail Kadare, shkrimtari më i rëndësishëm i formuar në shkollën e realizmit socialist, u bë viktimë e sistemit që e kishte mbështetur, duke provuar shtrëngimin e morsës së asaj shkolle letrare. Atij i’u desh ta modifikonte librin ‘Dimri i madh’, për të nxjerrë në pah figurën e Enver Hoxhës, duke arritur t’i ndërronte edhe titullin veprës, që në botimin e parë ishte quajtur ‘Dimri i vetmisë së madhe’, në referim të gjendjes së krijuar mbas prishjes me Bashkimin Sovjetik.
Përkthimet nga autorë latinë, të bëra nga Guljelm Deda dhe Mark Dema, nuk u botuan kurrë, ashtu sikundër novela për një vit e Pirandellos, poezitë e Trilusës apo novela të Blasko Ibanjezit, të përkthyera nga autori i këtyre radhëve. Pashko Gjeçit, iu desh të priste vite të tëra për ta parë të botuar në shqip ‘Komedinë hyjnore’. Nga përkthimet e klasicistit Henrik Lacaj, nuk u botua gjë e madhe. Vasil Gjymshana, e ndërpreu punën që kishte nisur, sepse censura ia sakatonte shkrimet e Volterit që ishte duke përkthyer.
Robert Shvarc, një nga përkthyesit më të mirë të këtyre 35 vjetëve të fundit, u kërcënua në Komitetin e Partisë së rrethit, se do të procedohej, po të mos tërhiqte menjëherë nga qarkullimi dorëshkrimin e daktilografuar të përkthimit të tij, ‘Harku i Triumfit’ të Remarkut. Veç poetëve dhe shkrimtarëve të së kaluarës, u dënuan me harresë poeti Lasgush Poradeci, ndoshta poeti më i ëmbël dhe më i rafinuar i të gjitha kohëve; novelisti i mprehtë dhe origjinal Mitrush Kuteli; Arshi Pipa, poet i brezit të fundit, kritik që depërtonte në thelbin e fenomeneve me vrull dhe ndershmëri; Branko Merxhani; gazetar me vlerë dhe i guximshëm i viteve ’30-të.
U vunë në indeks revista që kishin dhënë një kontribut themelor në jetën kulturore gjuhësore, filozofike: Leka, Hylli i Dritës, Illyria, Njeriu, Fryma, Përpjekja shqiptare, Albania, Kritika, Demokracia, Bleta. U tërhoqën nga bibliotekat publike thuajse të gjithë librat që kishin kontribuar për zhvillimin e vendit. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al” Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016