Nga Abdulla Berberi
Memorie.al / Abdulla Berberi lindi në Krujë në vitin 1926. Shkollën e mesme, që po e vazhdonte në Institutin “Leonardo Da Vinci” në Romë, e ndërpreu për shkak të fillimit të luftës dhe ai u kthye në atdhe. Pas mbarimit të Luftës, ai e rifilloi përsëri shkollën në Tiranë në vitin 1945, por përsëri nuk mundi ta përfundojë, sepse në shkurt të vitit 1946, u arrestua dhe u dënua me 10 vjet heqje lirie, duke u akuzuar “për pjesëmarrje në krijimin e organizatës “Rinia e Rezistencës”. Mbas mbarimit të dënimit, Abdullai iu rikthye edhe një herë tjetër shkollës dhe, kësaj radhe, duke ndjekur shkollën e natës pa shkëputje nga puna dhe arriti të marrë maturën në vitin 1957. Pa kësaj, duke përfituar nga një lloj zbutje e luftës së klasave e cila regjimit komunist të Tiranës, i’u imponua nga Hrushovi pas vdekjes së Stalinit, Abdullait i’u dha e drejta të regjistrohej në degën e Ndërtimit në fakultetin e Inxhinierisë në Tiranë, por nuk arriti ta përfundonte atë, pasi në vitin 1967, atij i’u hoq e drejta e studimit, si person “i prekur politikisht”. Pas kësaj, atij nuk i mbeti gjë tjetër, veçse të ushtronte profesionin e muratorit, pranë Ndërmarrjes së Ndërtimit, ku ai punoi për një kohë të gjatë. Në vitet ’70 dhe ’80-të, ai vazhdoi punën si teknik ndërtimi në zbatim dhe me shembjen e regjimit komunist në fillimin e viteve ’90-të, ai emigroi në Itali. Shkrimi që kemi përzgjedhur për botim, është marrë nga kujtimet e tij, ku ai përshkruan gjyqin e tij dhe më pas vuajtjen e dënimit. “RINIA DEMOKRATIKE E REZISTENCËS”
Salla e gjyqit, brenda një godine në Rrugën e Kavajës, gjatë njëzet e pesë ditëve të zhvillimit të procesit tonë gjyqësor, mbeti e mbushur plot e përplot. Në mes grupit që ishim në bangën e të akuzuemve, ishte edhe i riu gjerman, Rudolf Wiber…! Nuk mund të la pa e përmend guximin dhe trimërinë e këtij martiri…!
Për çdo pyetje që i bahesh, jepte vetëm një përgjigje: “Nein”. Por ç’e do! Këtë guxim dhe trimin, ky martir gjerman e pagoi me jetë! Në dhjetor të vitit 1946 e morën natën nga Burgu i Vjetër i Tiranës, bashkë me trimin e nderuem, të paharrueshmin, Ndrekë Kodheli, dhe gjatë rrugës, gjoja për në burgun famëkeq të Burrelit, i zbritën nga makina dhe i vranë.
I vetmi dëshmitar që qe në atë makinë përcjellëse, ishte Gaqo Dreri, ish-polic në atë kohë…! Ai, fatkeqësisht, ka ndërrue jetë dhe njeriu që i ka ndëgjue nga goja e tij këto ngjarje, jam vetëm unë, që, në këto kohë të vështira, gjendem jashtë atdheut tonë të dashtun…!
Shumë nga anëtarët e grupit qendror të “Rinisë së Rezistencës”, kishin qenë ushtarakë apo nëpunës të pushtetit komunist në fuqi. Përveç atyre që gjendeshin në bangën e të akuzuemve, jashtë ishin dhe shumë të tjerë, që e kishin ndihmue këtë Lëvizje. Nuk mund ta harroj kurrë ndihmën që na dha sekretari i gjyqit ushtarak që na gjykonte, kapteri Zalo Xhamaqi, nga Kolonja.
Ai u bë si një barometër i të gjitha seancave. Ai pat krijue lidhje direkte me mua dhe vazhdimisht, kur më hiqte prangat ose kur m’i vinte, më jepte të dhënat mbi atë ç’ka zhvillohej prapa perdes së asaj gjykate të paligjshme…!
Për qëndrimin heroik të të “Rinjve të Rezistencës” gjatë seancave të gjyqit, flet një dokument (një kopje e deponimeve tona dhe pyetjeve që na janë bë), që trimi dhe bashkëpunëtori ynë Zalo, i përcolli në mënyrë sekrete jashtë shtetit, gjë për të cilën dhe u dënue me pushkatim.
Një mëngjes, pa zbardhë mirë dita, kur prokurori kriminel po shkonte me i dhanë Zalos “il colpo di grazia”, ma parë erdhi në korridorin e ngushtë të Burgut të Vjetër, ku ne, disa të rinj të Rezistencës, flejshim. Më zgjoi me një shqelm (të zakonshëm) dhe m’u drejtua me këto fjalë:
– Po shkoj drejt “në breg të lumit” (i ziu breg lumi sa trima ka pa duke dhanë frymën e fundit!) dhe do ta vras atë mikun tënd me dorën time. Ajo ditë për ne të gjithë, jo vetëm për ata që e kishin njohë mirë Zalon, por edhe për të gjithë të burgosurit e tjerë të ndershëm dhe antikomunistë, qe një ditë e errët zije…!
…Një ndodhi, që tregon guximin e asaj rinie, në vitet e para të pushtetit komunist terrorist dhe ndoshta edhe të gjithë periudhës që ai pushtet sundoi, asht kjo:
Po ndërtohesh stadiumi “Qemal Stafa”. Rinia e burgosun në burgun e Tiranës, çdo ditë shkonte, e lidhun nën pranga dhe nën bajonetat e oficerëve e të policëve të regjimit, me punue në atë stadium. Shkonte dhe kthehej, paradite dhe mbas dite, nëpër ca kamionë të hapun.
Një ditë, tamam përpara sheshit që sot është Sheshi “Skanderbeg”, në të katër makinat që ishin plot e përplot me të rinj në pranga dhe policë të armatosun, shpërtheu njëherësh, një këndim i këngëve patriotike: “Eja mblidhuni këtu, këtu…” dhe “… në këmbë o nipat e Gjergj Kastriotit”.
Dhe ndërsa ne këndojshim me zjarr këtë këngë, policët dhe oficerët që na shëqërojshin, në vend që t’u jepnin makinave përpara, filluan me na qëllue sa me kondakët e pushkëve, sa me kërbaçet, që i mbajshin gjithnjë me vete, sa me grushta dhe me shqelma.
Dhe populli që u gjend andej, u grumbullue aq shumë, sa që kjo gjë mori formën e një demonstrate spontane. Në fytyrat e secilit nga ata që ishin grumbullue në atë vend, dukesh qart si dhimbsunia, për torturat që po ushtrojshin mbi trupat tanë të rinj, aq edhe gëzimi, për guximin tonë, në atë kohë të errët.
Në mes të asaj turme, gjendeshin, ndoshta, dhe pjesëtarë të familjeve tona apo fis e shokë, të cilët mund t’i merrshin me mend vuajtjet që do të pasojshim nëpër qelitë e mallkueme, sapo të zbritshim nga ato mjete, torturat shumë ma të rënda nga ato që po ndodhshin nën sy të tyre në atë shesh.
Por rezultati nuk qe edhe aq i rëndë: Sapo mbërritëm në oborrin e burgut, nën kërbaçin dhe shqelmat e policëve, ashtu siç ishim të lidhur, po pritshim vazhdimin e torturave. Xhelatët Muço, Skënderi e kompani, posa morën vesh këtë ndodhi, u lëshuan si bisha me të gjitha mjetet e dhunës në mend dhe në dorë…!
Në ato momente, pa fillue ende këta përbindësh nga zanati tyre, mbërriti një veturë e shoqnueme dhe me ca të tjera. Një burrë i shkurtën, thuajse i shqetësuem dhe me pamjen e njeriut me pozitë, që mesa dukesh, ishte ministri i Brendshëm në ato vite, menjëherë i’u drejtue drejtorit të burgut, Janaq Karapataqit (një burrë i mire, në mes të të këqijve):
– “Pse po e lidhni këtë djalë? Çfarë ka ba…”?
Drejtori i tregoi ngjarjen e pak orëve ma parë.
– “Kanë këndue rrugës, tue u kthye në burg”!
– “Dhe çfarë kangësh po këndojshin…”?
Drejtori vazhdoi t’i tregojë llojin e kangëve dhe bërtitjet në formë proteste.
– “Turp” – u bërtiti ai me pozitë të gjithë atyre që ishin të pranishëm. – “Turp, turp për ju të gjithë… Ne kujtuem se çfarë lloj kënge kanë këndue! Këto këngë, që po më thoni, janë këngë patriotike shqiptare. E ç’të keqe kanë këto këngë për ju? A e dini se këto veprime çojnë ujë në mullirin e reaksionit? Ne kujtuam se po këndojshin këngë të fashizmit, “xhiovinezza” e të tjera… Turp, turp”, shumë keq – vazhdoi ai, i zemëruem!
– “Po ju, more djalë, pse e batë këtë manifestim antipopullor? Këto këngë kishte lezet të këndoheshin në kohë të fashizmit, ashtu si i kemi këndue na komunistët, nëpër burgjet e atëhershme, e jo sot, në një kohë kur vendi i ynë qeveriset nga një qeveri e dalë nga gjini i këtij populli! – Lejeni të shkojë në vendin e vet dhe mos e prekni me dorë” – përfundoi burri i shkurtën, sa i neveritshëm, aq dhe i sjellshëm, në atë rast…! Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016