Dashnor Kaloçi
Pjesa e dytë
Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat i përkasin vitit 1982, ku ndodhet një dosje me relacione, raporte, udhëzime, informacione, proces-verbale mbledhjesh të Byrosë Politike, Sekretariatit të Komitetit Qendror, etj., lidhur me “veprimtarinë armiqësore” të anëtarit të Byrosë Politike dhe ministrit të Mbrojtjes Popullore, Kadri Hazbiu, (që për tre dekada me radhë kishte mbajtur postin e ministrit të Punëve të Brendshme), si dhe disa prej bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë, si: Feçor Shehu, Mihallaq Ziçishti, Llambi Peçini, Zoi Themeli, etj., të cilët u akuzuan nga Enver Hoxha, si “bashkëpunëtorët kryesorë të poliagjentit Mehmet Shehu”. Në dosjen në fjalë, ndodhet edhe një dokument me autokritikën e Kadri Hazbiut, e cila mban datën 27 shtator 1982, dërguar Enver Hoxhës dhe Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, lidhur me “punën e tij të dobët, në krye të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe mungesën e vigjilencës, për mos zbulimin e grupeve armiqësore, të cilat të gjitha i kishte zbuluar partia dhe shoku Enver”. Për më shumë rreth kësaj, na njeh dokumenti prej 24 faqesh, me autokritikën e ish-ministrit të Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, (ku në çdo faqe të saj, Enver Hoxha, ka vënë shënime me shkrimin e tij), e cila bëhet për herë të parë publike nga Memorie.al,
Dokumenti me autokritikën e ish-Ministrit të Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, dërguar Enver Hoxhës dhe Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSh-së, më 27 shtator 1982
Në këto rrethana e kuptoj përgjegjësinë që kam për lëvizjet e tyre, që siç del tani, janë bërë nga një vend në tjetrin, sipas interesit të krye-agjentit Mehmet Shehu dhe padronëve të tij. Mbi mua le të bjerrë çdo përgjegjësi edhe për këtë, por për këto vlerësime kanë përgjegjësi edhe disa shokë sekretarë të Komitetit Qendror që merreshin me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe me kuadrin.
Nuk e them për t’u shfajësuar, por, për disa nga këta armiq si: Zoi Themeli, Halim Xhelo, Gjin Marku, Maqo Çomo, Panajot Plaku e ndonjë tjetër, unë kam patur mendimin se nuk duhet të ishin në Ministrinë e Punëve të Brendshme, as për të kaluarën e tyre, aq edhe për paaftësi në punë e mungesa në karakter. Këto mendime nuk janë marrë parasysh edhe nën ndikimet e Mehmet Shehut e të Beqir Ballukut.
Deri vonë unë nuk kam ditur asgjë që Mihallaq Ziçishti ka kërkuar të ikë nga Sigurimi vetë dhe as për çështje të karakterit moral që i janë evidentuar. Po ashtu, s’kam ditur që Feçor Shehu më paska akuzuar mua si trockist në kohën e Koçi Xoxes, apo ashtu që rreth tij ka patur fjalë për anën morale.
Nuk janë këto gjithçka, por po t’i dija ndoshta do të isha ndihmuar sado pak në vlerësimin e tyre. Unë i kam kritikuar këta armiq sepse merreshin me llafe, se nuk punonin sistematikisht, kishin shenja mendjemadhësie etj. Këto s’kam munguar t’i evidentoj edhe përpara shokëve kur ka qenë nevoja.
E mira është që gjëra të tilla jo vetëm duhet t’i evidentojnë mirë e t’i rifreskojnë ato herë pas here, por edhe të vënë në dijeni ata të cilëve u përkasin. Këto janë norma, por edhe porosi të vazhdueshme të shokut Enver. Është e domosdoshme t’i zbatojmë ato.
Shokët e Byrosë Politike u njohën me materialin që flet për marrëdhëniet e Ministrisë sonë të Punëve të Brendshme me ministritë e Punëve të Brendshme të Bashkimit Sovjetik dhe vendeve të tjera revizioniste, si dhe për qëndrimin e punën tonë ndaj tyre, sikur ishim në marrëdhënie të mira me ta dhe më vonë kur u prishëm.
Do të përpiqem të shpjegoj, me sa di e më kujtohet dhe si reflektoj tani:
Që në fillim e them se marrëdhëniet zyrtare midis Ministrisë tonë të Punëve të Brendshme me vendet që u përmendën më sipër, kanë qenë në tërësinë e tyre pa marrëveshje e dokumenta të shkruara, pa kufi të përcaktuar mirë e të dokumentuar dhe në brendi kanë qenë të një anshme (sidomos me sovjetikët, ku ne jepnim të dhëna, kurse ata jo, ose jepnin të dhëna fare të parëndësishme)!
U ndërtuan kështu këto marrëdhënie, siç gjykoj tani, sepse u ekzagjerua nevoja për ndihmën, sidomos të sovjetikëve, për organizimin e përsosjen e organeve tona të Punëve të Brendshme, si dhe për domosdoshmërinë e ruajtjes të pastërtisë së studentëve tanë ushtarakë e civil, që shkolloheshin atëherë në masë në këto vende.
Kjo ish njëra arsye, kurse tjetra, ishte besimi absolut që në atë kohë kishim ndaj Bashkimit Sovjetik të Stalinit dhe njerëzve të tij. Si u krijuan dhe u zgjeruan këto? Ndoshta e vlen të jap këto shpjegime:
Përsa di unë, filluan në vitin 1947 me dërgimin për studime në shkollat e Sigurimit në Bashkimin Sovjetik të një grupi prej 5 vetash, në të cilët bëja pjesë edhe unë. Pas 7-8 muajsh, kur ne u kthyem, mësuam se pranë ambasadës sovjetike, ish një këshilltar specialist për të ndihmuar organet e Sigurimit.
Me të mbante lidhje Mehmet Shehu si ministër, kurse më vonë u njohëm edhe ne, sidomos kur filloi të vinte hapur në ministri. Ne si drejtues sektorësh, u futëm gradualisht në kontakt pune dhe i kërkonim atij mendime për çështje nga më të ndryshmet. Nuk di pas sa kohësh (1950-1951), ky këshilltar (Gllaskovi), u largua, siç na u tha se i shi sëmurë dhe nuk mund të përballonte volumin e madh të kërkesave që lindnin në punët e ministrisë.
Nuk vonoi veç disa muaj dhe erdhën një numër i madh këshilltarësh, të cilët punuan zyrtarisht në Ministrinë e Punëve të Brendshme në çdo sektor të Sigurimit (përfshi edhe Zbulimin), të Policisë, të Kufirit, si dhe pranë dy degëve politike që atëherë ishin për Policinë dhe Kufirin. Në organet e Punëve të Brendshme në rrethe, nuk kish këshilltarë, kurse pranë brigadave të kufirit, po.
Ata kishin të drejtë të njiheshin edhe duke u’a përkthyer si dokumenta, me çdo gjë kish të bënte me agjenturën, me strukturën, me rregullore, ligje e norma të brendshme, përfshi dhe platformën. Mesa më kujtohet s’kishin të drejtë të njiheshin me dosjet e kuadrit.
Se mbi çfarë marrëveshje u bë gjithë kjo punë, çfarë kufi marrëdhëniesh ishin caktuar dhe nëse dokumentohej gjithë kjo, unë as sot nuk e di. Në fakt këta këshilltarë e kishin të hapur derën si për ato çështje që u kërkohej mendimi, ashtu dhe për çka u interesonte të dinin, sidomos “për shkëmbim eksperience dhe pasurim të materialeve”, që jepesh në shkollat e tyre, ku mësonin kuadrot tona që në atë kohë shkonin në masë.
Në marrëdhëniet me ta ka patur paqartësi se deri ku kishin të drejtë ata të dilnin, prandaj edhe kanë ndodhur përplasje me disa nga kuadrot tona. Mua më kujtohet se tamam i kësaj natyre ka qenë edhe një rast midis meje e kryekëshilltarit për të cilën pasi nuk u muarrëm vesh me Mehmet Shehun që ish ministër, ai e çoi çështjen në Byronë Politike, ku u thirra edhe unë.
Byroja Politike më kritikoi e më porositi të punoja sa më mirë. Kjo ka ndodhur në vitet 1949-1951 e për saktësi mund të shihen materialet e kësaj mbledhjeje. Që në këtë periudhë janë krijuar edhe marrëdhëniet e “bashkëpunimit” midis Sigurimit tonë dhe atij të Bashkimit Sovjetik e të vendeve të tjera, ku studionin njerëzit tanë, për ruajtjen e pastërtisë së tyre.
Me këtë detyrë u dërguan pranë ambasadave në Moskë dhe në një ose dy vende revizioniste (nuk më kujtohet) kuadro tanët të Kundërzbulimit, të cilët kishin për detyrë të mbanin në lidhje bashkëpunëtorët që ishin në radhët e studentëve dhe të koordinimin me organet përkatëse të vendit problemet që lidheshin me studentët tanë.
Me kalimin e kohës, nuk di sakët vitin, kuadrot tona në këto vende u lejuan që kur ish e nevojshme ose e vështirë mbajtja në lidhje, bashkëpunëtorët tanë mund t’ua bënin të njohur ose edhe t’ua jepnin në lidhje organeve të vendit, sidomos atyre të Bashkimit Sovjetik.
Përveç këtyre, qysh në këtë kohë u vendosën edhe marrëdhëniet për shifrën. Shifra shtetërore dhe instruksionet e përdorimit të saj prodhoheshin në Bashkimin Sovjetik dhe vinin të gatshme, kurse shifrantët përgatiteshin këtu në vend. Në vija të përgjithshme kështu u ndërtuan këto marrëdhënie që kur ish ministër Mehmet Shehu.
Kur u bëra unë ministër, vazhdoi po e njëjta praktikë, deri nga mesi i vitit 1960, kur shoku Enver më porositi t’u mbyll rubinetin këshilltarëve e të kufizojë çdo gjë gradualisht deri në prerjen e çdo marrëdhënie me ta e organet e tyre. Kështu u veprua dhe me këta këshilltarë filluan përplasjet deri sa u larguan dhe kuadrot tona u kthyen, kohë kjo që mund të jetë nga fillimi ose mesi i vitit 1961.
Unë nuk e shpjegoj dot me kujtesën që kam, nëse ishte autorizuar apo jo Llambi Peçini për t’ju dhënë zyrtarisht rusëve ato materiale që përmban lista. Normalisht dhe sipas praktikës, një dokument të tillë duhet ta kisha firmosur unë ose ndonjë zëvendësministër. Veç kësaj, unë e kam pasur dhe e kam në praktikën time që në çdo dokument, vë shënimet ose siglën.
Gjykoj se kjo dërgesë, është bërë në shpinën time dhe me një qëllim të caktuar. E them këtë pasi nuk ishte nevoja për një dërgim të tillë zyrtar përderisa siç u shpjeguam më lart, këshilltarët që ishin në çdo sektor, kishin mundësi që të zgjidhnin dhe t’i merrnin vetë materialet që ju kërkonte shkolla për përgatitjen e kuadrove tona.
Deri në vitin 1960, janë praktikuar edhe mbledhje të Ministrave të Punëve të Brendshme, gjithsej dy, një në Moskë dhe një në Pragë. Kjo e fundit nga mesi i vitit 1960. Në këto mbledhje nuk jepeshin hollësi, por bëheshin konsiderata mbi vlerësimin e situatës së jashtme dhe lidhur me të edhe shkëmbime mendimesh për të koordinuar më mirë veprimet mbi zbulimin e agjenturave kapitaliste. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016