Nga Luan Rexha
Pjesa e dytë
– Kujtimet e një gazetari të regjur –
Memorie.al / Luan Rexha është një gazetar i mirënjohur në stafin e gazetës “Giornale di Sicilia” dhe “Ansa” në Itali. Pavarësisht formimit të tij italian, në zemrën e tij ka shumë mall për Shqipërinë. Libri që po i paraqitet lexuesit përmban një përmbledhje me artikuj që pasqyrojnë periudhën komuniste, në Shqipëri në vitin 1967. Siç e pohon vetë autori, ai ka qenë gazetari i parë perëndimor, që iu dha një vizë për të vizituar Shqipërinë dhe për të bërë një panoramë të vendit, lidhur me raportet e marrëdhëniet e Shqipërisë komuniste të Enver Hoxhës, me Republikën Popullore të Kinës së udhëhequr nga Mao Ce Duni. Në këto artikuj, nuk mungojnë elementet autobiografikë, që e pasurojnë edhe më tepër kuadrin e ngjarjeve. Ato shfaqen gjithashtu edhe në romanin e tij të njohur për lexuesin shqiptar: “Vdekja i ka sytë e kaltër”, nën petkun e gazetarit Michele Sermonti, në rolin e personazhit kryesor. Autori është larguar nga Shqipëria në krahët e nënës, kur ishte vetëm dhjetë muajsh, për të filluar një jetë të re në Siçili dhe vetëm në vitin 1967, i’u dha mundësia për t’u kthyer në Tiranë, për të takuar gjyshen dhe të afërmit e tij, që nuk i kishte parë kurrë më parë. Karriera e tij është e shumë anshme: Në fillim si gazetar pranë “Giornale di Sicilia”, atij i duhet të përshkruaj Siçilinë në periudhën e Mafias, tërmetin e vitit 1967 dhe eksperiencën shqiptare. Njëkohësisht, kontributi i tij shtrihet edhe në fushën e teatrit si, autor i disa pjesëve dhe muzikaleve e të kinotekës. Kjo i krijon atij mundësinë që të jetë në kontakt me njerëz të letrave dhe të artit. Këto ambiente janë me orientim të majtë, por, ndikimi tek ai i komunizmit italian, që është në thelb perëndimor dhe nuk mund të pajtohet me totalitarizmin e real socializmit, është i dukshëm. Me këtë i duhet të përballet gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri. Ai përshkruan realitetin e një vendi të indoktrinuar, ku media ishte e censuruar. Në fakt, ai vëren se Shqipëria kishte kaluar nga feudalizmi në komunizëm, pa e njohur zhvillimin borgjez. Një vend të veçantë zënë dhe analizat e mënyrës së perceptimit të komunizmit nga kinezët dhe shqiptarët. Para syve të tij shfaqet realiteti i jetës së përditshme. Ai admiron punën e njerëzve, që edhe pse vullnetare, me vështirësi dhe sakrifica, kishin ndërtuar hekurudha etj. Edhe në raportet me njerëzit që e rrethojnë, autorit i duhet të ndeshet me slloganet e regjimit, që nuk i përgjigjeshin të vërtetës si në rastin e fletë-rrufeve. Gjithashtu, një nga gjërat që i ka bërë përshtypje autorit, është fizkultura e mëngjesit, mënyra qesharake e formimit të rreshtave dhe e lëvizjeve në harmoni me drejtuesit. Luani nuk mund të pajtohet as me qëndrimin e ngurtë të komunizmit shqiptar, ndaj lirisë fetare, objekteve të kultit e besimeve që shprehet në mbylljen e tyre dhe në pamundësinë e praktikimit të fesë. Pra, tablloja e Shqipërisë, përshkruhet me ngjyra të gjalla nga autori që ka ndarë për një periudhë disa vjeçare jetën me bashkëkombësit e tij në Shqipëri.
“Giornale di Sicilia”, 3 mars 1967
“Kur kalonit ju dhe SS-të, ishte më keq se apokalipsi”
I besojnë vetëm luftës “anëtarët e organizatës së rinisë”, të Enver Hoxhës – Ndërsa për dialogun ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit? – Nuk kanë folur asnjëherë ujku me qengjin…”!
Tiranë, 2 mars
Monumenti ngrihet ne sheshin e madh të Republikës. Prapa tij një minare e dalë nga përdorimi dhe në sfond pemët anës bulevardit të Revolucionit. Më tregon me respekt shoferi që Komiteti për Marrëdhëniet Miqësore me Jashtë më ka vënë në dispozicion.
“Udhëheqësi i madh”, tha dhe preku beretën.
U ndalëm dhe objektivi i makinës time fotografike “Rollei” fokusoi të vetmen statujë të Stalinit të mbetur në këmbë në Europë.
“Ne nuk e kemi mohuar”.
Me sa duket, Zefi, quhet kështu “engjëlli im mbrojtës”, nuk ka vetëm për detyrë që të vërë në lëvizje makinën e vjetër çekosllovake “204” në rrugët pa trafik të Tiranës: ai ka një listë të tërë me slogane, për t’i thënë me tonin e duhur në momentin e përshtatshëm.
Përpara statujës së diktatorit rus Stalin, zhvillohet jeta e kryeqytetit të Shqipërisë së Enver Hoxhës. “Në vitin 1939 kishte dyzet mijë banorë, ndërsa sot numërohen tashmë dyqind mijë”. Nuk kishte asgjë. Përveç vilave të bejlerëve dhe varfërisë, që ishte e madhe”.
Udhërrëfyesi ideologjiko-turistik që Komiteti ka zgjedhur për mua, është në humor të mirë: e njeh mirë italishten dhe leksionin mund ta përsërisë pa u lodhur.
Kaluam lagjet e reja. Godina të mëdha me beton, pa asnjë tolerancë ndaj estetikës, pemë, njerëz me biçikleta, ndonjë autobus të “Fiat”-it’ të lyer me ngjyrë të kuqe, ushtarë, gra që akoma mbajnë “shaminë” turke, të tjera më të reja me tuta blu, grupe fëmijësh që mbahen për dore (janë Pionierët, “balilla-t” e marksizëm-leninizmit), inxhinjerë kinezë me sjellje të këndshme me libra nën krah, pak dyqane, shumë pak makina, kudo afishe dhe portrete.
Shoferi flet pa pushim: “Don të dijë se çfarë është shkruar? Nuk është ndonjë sekret, mund t’ia them. Ja mbi sfondin e verdhë shoku Sekretar na siguron se klika imperialiste-kapitalisto-revizioniste, nuk do të arrijë të na mundë; në një parullë tjetër flitet për nevojën që të goditen pa mëshirë të gjitha devijimet që kërcënojnë komunizmin botëror”.
Tani Zef buzëqesh me dhelpëri: “Nën portretin e Maos përkundrazi është shkruar që do t’i bëjmë tradhtarët e popullit të kenë të njëjtin fund si nazifashistët”.
Me sa duket, mendon se fjala “fashizëm” ngjall tek unë si italian, drithërima revanshiste dhe argëtohet duke e ndjerë veten si më i forti. Pastaj ndryshon menjëherë ton, sytë e kaltër i bëhen agresivë, zëri i tendoset: “Për fajin tuaj, kemi vuajtur shumë dhe disa gjëra nuk harrohen. Keni dashur ta ktheni vendin tonë në një koloni, një tokë të pushtuar nga këmishat e zeza.
Edhe kur jeni përpjekur të çlirohemi, na keni vrarë, torturuar dhe shkatërruar. Ku kalonit ju dhe miqtë tuaj hitlerian, ishte fundi i botës. Por tani kijeni parasysh, Shqipëria i është kthyer popullit dhe populli është i gatshëm të mbrojë tokën e tij dhe komunizmin. Nuk kemi frikë”.
Kanë kaluar më shumë se njëzet vjetë, por plagët nuk janë mbyllur ende. Aventura jonë imperialiste nuk na është falur dhe sidomos kujtesa e italianëve mbetet e lidhur me masakrat e SS-ve.
“Ishit aleatë edhe ju jeni përgjegjës si ata”.
Desha t’i shpjegoja se ajo Itali nuk egzistonte më dhe se askush nuk mendon ta sulmojë Shqipërinë, që fashizmi është si një sëmundje që ka kaluar, por ishte e kotë, për Zefin dhe të tjerë si ai, lufta nuk ka mbaruar, nuk duhet të mbarojë.
Shpirti i rezistencës këtu ndjehet akoma: nuk është prekur nga opiumi i mirëqenies, me shqetësimin që të sigurohej një copëz “mrekullie” dhe sheshimi i dukshëm dhe gradual i ndërgjegjeve. Shqiptarët nuk duan t’i mbajnë vitet e terrorit në kujtesë: “Kur diçka kthehet në kujtim, thotë Zefi, fillojmë tashmë ta harrojmë”. Për ta, të humbësh kuptimin konkret të atyre ditëve heroike, do të thotë të mohosh vetveten dhe historinë e vet dhe të përdhosësh kuptimin e shumë sakrificave.
Shqipëria e re ka lindur nga malet, është artificiale, antifashiste në gjak dhe në karakter. Do të ishte e njëjta gjë nëse në pushtet, menjëherë pas çlirimit, do të kishin ardhur forca të tjera në vend të komunistëve. Tek Enver Hoxha, një popull pa njeriun që arriti ta bëjë Shqipërinë një vend të pavarur, duke çuar deri në fund një proçes rilindjeje, të trazuar prej shekujsh nga luftëra dhe nga sundime nënshtruese.
Këtij Skënderbeu të kuq, shqiptarët i besojnë si në një shpëtimtar: qe ai që u hakmor ndaj mizorive të pashembullta të kryera nga fashistët (Shqipëria ka patur në përqindje në luftën e fundit një numër të rënësh tre herë më të lartë se sa Anglia) dhe që i shpëtoi nga brutaliteti ekonomik dhe social nga i cili, kishin qenë të dënuar prej shekujsh nga bejlerët me shpata të gjata dhe feude të panumërta. Për këtë arsye, fjala “partizan”, në bastionin europian të marksizëm-leninizmit, nuk është lënë mënjanë dhe prandaj sipas tyre lufta duhet të vazhdojë.
Në sheshin “Lenin” hasim në një varg të gjatë kamionësh. Janë studentët që shkojnë për të hapur toka të reja bujqësore: vullnetarë, pionierë me shalla të kuq, anëtarë të Rinisë së Punës. Qëndrojnë larg qytetit për një muaj, pastaj kthehen në shkollë për t’u zëvendësuar nga shokë të tjerë.
Atyre u del si detyrë që të çojnë përpara bonifikimin rural dhe anën ideologjike. “Ashtu si kazmat dhe lopatat tuaja, do t’i shndërrojnë gurët në pemë, edhe kultura duhet ta shkulë atë që mbetet nga e kaluara dhe të zhdukë përgjithmonë zakonet e këqija”.
Është pika e parë e Revolucionit Kulturor. Zakonet e këqija janë plot: feja, egoizmi, vuajtja përpara sakrificave, shpirti spekulativ, tendenca revizioniste, pacifizmi që të ngjall dyshime, lodhja fizike, interesi i dukshëm për kënaqësitë materiale.
Regjimi është i ashpër. I nevojiten dy milionë vetë, që me të mbaruar tetë orët e punës së përditshme, që të gjithë intelektualë dhe punëtorë duhet të bëjnë, janë të gatshëm që të ndalen në zyra, fabrika, fusha, etj., për të dhënë një kontribut vullnetar për vendin që të ecë me hapin e historisë.
“Ne kemi kaluar nga një sistem feudal në socializëm, pa e njohur kurrë fazën borgjeze. Në vitin 1939, në Shqipëri ishte mesjetë: tridhjetë bejlerë kishin në dorë të gjithë vendin. Jetohej me blegtori. Nëntëdhjetë për qind e popullsisë nuk dinte shkrim as këndim. Kishim naftën dhe i kalonim nga sipër pa e ditur. Malet tona ishin të pasura me minerale dhe na i merrnin të tjerët.
Në tokat që sot japin grurë, vreshta, duhan, ullinj, kishte vetëm këneta. Çfarëdolloj sakrifice që na kërkon Partia, ne jemi gati ta bëjmë, sepse vendi ka ende nevojë për ne. Por sot vija e finishit është e afërt: në 25 vjet kemi rifituar një disavantazh prej katër shekujsh.
Kjo është përgjigjja jonë ndaj atyre që duan të denigrojnë marksizëm-leninizmin”. Ishin fjalët e një pionieri me shall të kuq. Nuk duhet t’i ketë mbushur pesëmbëdhjetë vjeç. Mban një pallto ushtarake të gjatë dhe një beretë me një yll me pesë cepa.
“Jemi duke shkuar në mal, – më thotë përsëri, – duke ecur në gjurmët e brigadave partizane. Po kthehemi në vendet e fitoreve tona. Do të flasim në fshatra me ata që i kanë parë dhe i kujtojnë. Do të stërvitemi me luftën partizane dhe në të njëjtën kohë shpirti ynë do të forcohet, duke përjetuar veprat e paharrueshme të baballarëve tanë”.
Toni i bashkëbiseduesit tim të ri është i fuqishëm dhe bindës. E kishte thirrur Zefi. Sigurisht, ishte një njeri që gëzonte besimin e Komitetit. E pyeta nëse do të ishte e mundur dhe do të vinte një ditë kur nuk do të ishte më e nevojshme që të mbanim një armë mbi supe. “Kjo do të thotë dialog? Ulje tensionesh? Qëndrim prej tradhtarësh revizionistë”?
Ka një pamje serioze të një të plakuri para kohe. Tund kokën dhe më drejtohet në një frëngjishte me “s” të forta: “Më thoni a ka patur ndonjëherë ndonjë bisedë të qetë ndërmjet ujkut dhe qengjit?”
Është i kënaqur sepse, i duket se më ka zënë mat. Përshëndet Zefin me grushtin e mbyllur dhe i bën shenjë me kokë. E kalon mitralozin nga shpatulla e djathtë dhe vrapon për të arritur grupin e militantëve që e pret përpara Pallatit të Kulturës.
Përfundimit nuk i mungon rrjedha logjike: mbetet për t’u parë vetëm se kush është ujku. Memorie.al
Përktheu dhe përgatiti: Alvin Saraçi
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016