Nga Drita Çomo
Pjesa e dytë
Memorie.al / Drita Çomo lindi në Tiranë, në vitin 1958. Në nëntor të vitit 1960, në moshën dy-vjeçare, ajo internohet së bashku me të gjithë familjen, për shkak të dënimit politik të nënës së saj, Liri Belishovës, anëtare e Byrosë Politike she sekretare e Komitetit Qendror të PPSh-së, e cila u akuza nga Enver Hoxha si revizioniste. Ndërsa babai i Dritës, Maqo Çomo, ish-zvëndës ministër i Punëve të Brendshme dhe Ministër i Bujqësisë, u dënua dhe ri dënua nga regjimi komunist, duke e kaluar pjesën më të madhe të jetës në burgun e Burrelit, deri në shembjen e regjimit komunist, i akuzuar si “armik i popullit”. Nisur nga kjo, Drita Çomo, një pjesë të fëmijërisë dhe të adoleshencës së saj e kaloi e internuar në fshatin Kuç të Vlorës e më pas në Progonat të Kurveleshit. Në fundin e viteve ’70-të familja e saj u internua në qytezën e Cërrikut, ku ajo mbaroi shkollën e mesme, por për arsye të disa mungesave që kishte bërë në shkollë, për shkak të sëmundjes së pashërueshme si dhe pengesave që i nxirrnin si “familje reaksionare” ajo nuk u lejua të përfundonte maturën. Fatkeqësisht sëmundja avancoi dhe më 19.02.1981, në moshë fare të re, ajo ndërroi jetë në spitalin Onkologjik të Tiranës. Në momentet tragjike të ditëve të fundit të jetës nuk iu lejua të kishte pranë as nënën dhe deri në grahmat e vdekjes ajo mbeti e vetme, edhe pse nëna e saj, Liri Belishova, i kishte shkruar disa letra Nexhmije Hoxhës (ish-shoqes së ngushtë të saj që nga periudha e luftës), por s’morri përgjigje kurrë…! Shkrimi që po publikojmë më poshtë, është shkëputur nga libri i saj “Dritë që vjen nga humnera”.
PJESË NGA DITARI I DRITA ÇOMO
(SHKËPUTUR NGA LIBRI “DRITË QË VJEN NGA HUMNERA”)
E enjte, 13.III.’80
Sot morëm letër nga babi. Më uron ditëlindjen. 20 vjet që e urojmë njëri-tjetrin me letra. Vetëm për një gjë më vjen keq, shkruante. Për shëndetin e Dritës.
Sa i çuditshëm dhe i pabesueshëm të duket fakti që nuk do të jetosh si të gjithë të tjerët. Ku qëndron ajo diçka që të bën të ndryshosh, ku është fshehur? Ajo që i vë të ardhmes një pikëpyetje të madhe, që të bën ta ndiesh veten kalimtar krejt të rastit në botë, të përkohshëm, që të bën t’i shohësh të gjithë si i huaj.
Ajo që i bën të afërmit të vuajnë për ty dhe të të trajtojnë në mënyrë të veçantë, butësisht, ajo që i bën edhe njerëzit e huaj të të shikojnë me keqardhje dhe kureshtje. E pra, në pamjen e jashtme nuk ndryshon aspak nga të tjerët. Megjithatë, je ndryshe. Morbus Hodgkin. Nga mbiu kjo kërpudhë në qenien tënde. Nuk të ndahet gjersa të vdesësh…!
E hënë, 17.XI.’80
Nuk di ç’do të bëj në të ardhmen. Po çdo histori ka për të rrjedhur e ngjashme. As që ia vlen. Bile edhe shoqëria e dikujt në rrethana të tilla mban një dozë ulje dinjiteti, le pastaj që ka dhe gjëra të tjera.
Ja që u dashka të jetosh fare vetëm. Të marrësh vendime të tilla që 22 vjeç…! Ndoshta është diçka absurde, koha do ta tregojë, po sidoqoftë unë kurrë nuk kam për t’u shthurur, as kam për t’ia lejuar vetes të mbyll sytë për ndonjë gjë. I betohem vetes…!
E martë, 27.I.’81
Mbrëmë tërë natën ka fryrë erë. Sot është ditë e kthjellët dhe me diell. Sa e dua diellin. Veten e ndiej më mirë. Dje i kisha leukocitet 2000. Edhe oreks kam.
Porositim një herë në dy ditë nga një pulë, na e pjek Ga.,(Garentina Memisha) na ka ndihmuar shumë. Hamë bashkë me V., nganjëherë edhe me I., pimë nga një gotë verë. Ç’të bëjmë tjetër.
Mbrëmë dhe sot kam bërë punë-dore, shqepa shallin e kuq.
E ardhmja s’dihet, ajo i del njeriut përpara si mjegulla e vjeshtës që ngrihet nga këneta: plot zogj fluturojnë mbi të poshtë e lart duke llapa-shitur krahët, pa e shquar njëri-tjetrin; pëllumbi s’e sheh skifterin dhe as skifteri s’e sheh pëllumbin…! Kështu asnjëri nuk e di nëse e ka afër apo larg ditën e vdekjes…” (Gogol).
E premte, 30.I.’81
Të mërkurën i kisha leukocitet 3100 dhe dje 4000. Veten e ndiej më mirë. Mbrëmë zbrita shkallët me V. (Vjollca Telaj-Suparaku) pas kaq ditësh. Edhe oreks kam.
Pardje më telefonoi G. Sikur nuk ishte mirë. I nisa kartolinë Titit për ditëlindje. Mbush 25 vjeç, po thotë që ta festojmë, kur të shkoj unë. Mbrëmë fola në telefon me mamin.
E hënë, 9.II.81
Të shtunën fola në telefon me G. Biseduam vetëm për sëmundjen time dhe nuk i thashë dot asgjë tjetër, as e pyeta si është.
Dje kam qenë jashtë mase e këputur. Kam pengesë në frymëmarrje, nuk ngopem dot me frymë dhe pulsi më rreh shumë shpejt, sidomos kur ngrihem. Edhe oreksi sikur më iku…!
Ky është shënimi i fundit në ditar. Pas 10 ditësh, më 19 shkurt 1981, Drita Çomo mbaroi. Nuk kishte pranë as nënën, asnjë të afërm – diktatura nuk i lejoi…!
Ditët e fundit mbahej me oksigjen; natën vonë duke u gdhirë 19 shkurti për një kohë oksigjeni i mungoi dhe pas kësaj ra në koma. Rinia e saj e pajtuar u mbyll në vetmi. Çfarë do të thoshte për të fundit herë?
Shënime me sqarime rreth ditarit
Babanë e Dritës, Maqo Çomon, pas 16 vjetësh (7 në ishullin e Zvërnecit dhe 9 në burgun e Burrelit) e kishin shpënë në hetuesinë e Ministrisë së Brendshme dhe, pas afër një viti hetuesie, e dënuan përsëri me 10 vjet për agjitacion e propagandë.
Dënimi i të burgosurve politikë për herë të dytë e të tretë praktikohej nga diktatura për të mos i lënë të dilnin gjallë nga burgu “kokëfortët”.
Periudhat e hetuesisë që zgjatnin shumë muaj dhe gjatë të cilave të arrestuarit ishin plotësisht nën pushtetin e pakufizuar të hetuesve mizorë, krejtësisht të izoluar, pa asnjë lidhje me familjarët, pa avokat, ishin tepër të vështira edhe për njerëzit e familjes, që jetonin në ankth, pa marrë asnjë lajm.
Telegramin e bënte Vala, e shoqja e Agronit.
Gjyqi i Agron Belishovës, (Daja i Dritës), ishte një nga gjyqet më të shëmtuara të diktaturës. Pas 6 muaj sfilitës në qelitë e hetuesisë e dënuan me 10 vjet burg për agjitacion e propagandë.
Këtë mjek të aftë e të ndershëm që kishte punuar 17 vjet me vetëmohim! Edhe pas burgut e syrgjynosën në zonat më të thella, larg familjes. Të tre fëmijët i rriti me shumë sakrifica e shoqja, Vala.
Për 12 vjet, nënën e Dritës (Liri Belishovën) nuk e lejuan të takonte të shoqin dhe pastaj gjatë 15 vjetëve e çuan vetëm 4-5 herë, me masa të rrepta e absurde sigurimi (me “GAZ” të Ministrisë së Brendshme dhe dy oficerë Sigurimit të Shtetit). Makbule Belishova, ishte gjyshja e Dritës, kurse daja, Bardhyl Belishova, atëherë qe shtruar në spitalin e burgut të Tiranës
ATA QË LUFTUAN
“Kërkoj tre ditë kohë”, – tha anëtari i Byrosë Politike. “Këto janë akuza kaq të rënda, kërkoj tre ditë kohë që të përgatitem për t’u mbrojtur…që…t’i hedh poshtë”. Zëri i tij nervoz dhe i lodhur befas u bë prapë i fortë dhe tingëllonjës. “Si është e mundur të mos i jepen komunistit tre ditë kohë për të mbrojtur veten, për të hequr baltën nga vetja”?!
Po ja që ishte e mundur. Nuk i dhanë asnjë ditë afat. Atëherë ishte fillimi. Kishte vetëm tre vjet që kishte mbaruar lufta dhe në bardhësinë e ëndrrave të tyre akoma nuk kishin hyrë shumë gjëra. Deri atëherë çdo gjë kishte qenë e qartë, e bardhë ose e zezë, çdo gjë e ndante gryka e pushkës.
E ardhmja deri para pak kohe kishte qenë në përfytyrimin e tyre diçka e kthjellët, e pastër, e mbuluar me dritë. Po ditët kalonin dhe në botën e tyre kishin filluar të shfaqeshin, ashtu si pa u kuptuar, shumë gjëra që ata gati nuk i vinin re, ose nuk donin t’i shikonin.
Vetëm ata prej tyre, që rrethanat i përplasnin befas në bankën e të akuzuarit dhe që e shikonin veten befas të veçuar nga të gjithë shokët, hapnin sytë të habitur dhe pyesnin: “Si është e mundur”?!
Ditë dhe netë të tëra kjo pyetje trokiste në trurin e tyre pa pushim. Fati i tyre paskëtaj u dukej si një përqeshje për gjithçka të mirë dhe të drejtë për të cilën kishin luftuar e jetuar. Dhe atyre u lindte dëshira që të ulërinin deri në kupë të qiellit:
“Si është e mundur”?!
Po tani ishte fillimi. Kjo ishte tragjedia e parë dhe më e dhimbshmja nga të gjitha, ndoshta ngaqë ishte e para, ose ndoshta ngaqë njeriu që u sakrifikua ishte një ndër më të ndershmit, më të zotët dhe më të denjët për të jetuar ndër tërë ata që e sakrifikuan.
Mbledhja mbaroi vonë. Në makinë ai deshi të shikojë orën dhe vuri re se ajo kishte mbetur 8 pa dy minuta. Kjo duhej të kish ndodhur atëherë kur ai kish përplasur grushtin në tavolinë dhe kish bërtitur: “Si është e mundur…”?!
Tridhjetë vjet më vonë, futur në portofolin e tij të vjetër prej lëkure, ajo orë do të tregonte gjithnjë 8 pa dy minuta…!
Iu përftua ndjesia se koha kishte ndalur në vend. Jo koha ecte, po për atë…!
Drita e ka shkruar këtë fragment për Nako Spiron, që u likuidua më 20 nëntor 1947. Drita kish dëgjuar shumë për të nga e ëma, që kish qenë bashkëshortja e bashkëpunëtorja e tij. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016