Nga Vasil Qesari
Memorie.al/ Përmbysja e ngrehinës së madhe totalitare në Shqipëri do të linte pas, jo vetëm ndryshimin e sistemit, shoqëruar me plot shpresa, mirazhe e klithma lumturie por, fatkeqësisht, edhe mjaft plagë, drama, viktima, pluhur, mllefe e zhgënjime nga më të ndryshmet. Dhjetë vjet e më tepër pas asaj ngjarje, e cila tronditi thellë shoqërinë, duke përmbysur tërësisht shumë kode, rregulla e koncepte të mëparshme, njerëzit vazhdojnë endé t’i bëjnë vetes pyetje të tilla, si: Ç’kish ndodhur në të vërtetë në shoqërinë shqiptare, gjatë 50 vjetëve të fundit të diktaturës? Si qe e mundur që sistemi arriti të deformonte gjithçka? Përse njerëzit e kishin pranuar atë? Cila qe logjika totalitare e transformimit të shoqërisë e individit? Si qenë konceptuar e funksiononin strukturat e mekanizmave totalitare: propaganda, policia sekrete dhe ushtrimi i ideologjisë së terrorit? Si ndodhi që ndër mbarë vendet komuniste të Lindjes europiane, Shqipëria të cilësohej përjashtim apo rast i veçantë? Pse Enver Hoxha i qëndroi verbërisht, fanatikisht e gjer në fund besnik Stalinit, duke e kthyer vendin në një burg ku dhuna, frika e spastrimet vazhduan gjer në fund të viteve ’80-të? Pse vendi u izolua çmendurisht, duke i mbyllur njerëzit mes bunkerësh e telash me gjemba? Përse, pra, ndodhën gjithë fenomenet e mësipërme…?! Libri ‘Post-scriptum për diktaturën’, s’pretendon t’u japë përgjigje definitive pyetjeve të mësipërme, apo kompleksitetit të arsyeve që sollën e mbajtën në fuqi pushtetin totalitar në Shqipëri. As edhe të jetë një afresk i plotë, i thellë e i gjithanshëm i jetës e vuajtjeve që përjetuan njerëzit gjatë atij sistemi. Autori i tij, ndofta, ka meritën që bashkë me shikimin retrospektiv të periudhës totalitare si dhe zellin e një analisti të pasionuar, është përpjekur të kthejë edhe një herë kokën mbrapa, për të dhenë jo vetëm kujtimet e opinionet e tij personale, por dhe për t’i u rikthyer dhe një herë vizionit të asaj epoke me filozofinë e thjeshtë të ruajtjes së Memories e mbështetjes së Apelit për të mos harruar kurrë maksimën e njohur, se…kadavrës vazhdojnë t’i rriten thonjtë e flokët edhe pas vdekjes! Dhjetë vjet e më shumë pas përmbysjes së madhe, libri në fjalë ka vlera aktuale e shpresojmë të vlerësohet nga lexuesi sepse, siç shprehet edhe një studiues shqiptar…e keqja më e madhe që mund t’i ndodhë një populli, vjen atëherë kur ai nuk arrin të bëjë analizën e së kaluarës së vet. Një popull amnezik është i detyruar të jetë vazhdimisht neuropatik e të përsërisë përvojat e tij të dhembshme…!
VËLLEZËRIT NGA TIBETI
Aty nga fundi i viteve ’60-të, e veçanërisht gjatë viteve ’70-të, në Shqipëri u shtua në mënyrë të shpejtë e tepër masive, prania e turistëve të huaj e një lloji të veçantë. Ata vinin në Shqipërinë motër nga thellësitë e Azisë së largët. Nga Kina – atdheu i timonierit të madh, Mao Ce Dun. Të ndarë në grupe të vogla, pothuajse dy e nga dy, kinezët u dukën së pari nëpër rrugët e trotuaret e qendrës së Tiranës, duke ecur në rresht, të heshtur e të urtë si ushtarë të disiplinuar. Shumë prej tyre, mbasi dilnin nga Hotel “Dajti”, pozonin para monumenteve të Leninit e Stalinit, duke bërë fotografi me aparate në duar e, pastaj, vazhdonin vizitat në kryeqytet.
Shpesh, njerëzit ndaleshin për pak çaste e vështronin me kureshtje miqtë e rinj, me të cilët i kish lidhur Partia. Ish hera e parë që ata shihnin përfaqësuesit e një race tjetër, të cilët ngjanin aq shumë me njeri-tjetrin, jo vetëm nga ngjyra e verdhë e lëkurës, xigomatet e dala e sytë e vegjël si bajame, por edhe nga veshjet e njëllojta blu e të kopsitura fort gjer në grykë. (Pa folur pastaj për pantoflat e sheshta prej stofi, flokët e qethura shkurt e, veçanërisht, buzëqeshjet e ngrira e të pakuptimta që ata mbanin vazhdimisht të stampuara mbi fytyrë).
Si në shumë anë të Shqipërisë, dhe në Vlorë prania e tyre brenda pak kohësh, u shtua dukshëm. Por, për këdo që kish rastin të takohej me ta, përshtypja e parë s’qe aspak entuziaste. Përkundrazi, zhgënjyese. Miqtë aziatikë, bashkëluftëtarët e idealeve marksiste-leniniste, nuk ishin aq tërheqës sa i bënte propaganda zyrtare. Së pari, njerëzit e thjeshtë vinin ré se, në shumë drejtime, ata s’u ngjanin aspak të huajve të tjerë që kishin ardhur gjer atëherë, në Shqipëri.
Natyrisht, s’bëhej fjalë që ata (kinezët), të kishin qoftë edhe diçka të vogël nga sharmi e origjinaliteti i atyre që vinin nga Europa. Për më keq, ata, s’kishin asgjë të përbashkët as me sovjetikët e miqësisë së dikurshme të cilët, përgjithësisht patën qenë të shoqërueshëm, hokatarë, qejflinj të dansit, alkoolit e femrave. Krejt të veçantë nga gjithë turistët e tjerë, vëllezërit kinezë kishin ardhur vetëm për një qëllim. Për të ndihmuar në ndërtimin socialist të “motrës” Shqipëri.
Për vlonjatet, prania e tyre, (me gjithë sloganet propagandiste të pushtetit për miqësinë e pathyeshme me Kinën Popullore), ish diçka që s’ngjiste. Askush, as edhe ata që punonin me ta, s’kishin arritur të krijonin ndonjë lidhje miqësore, qoftë edhe simbolike. Kinezët ishin të ftohtë, të mbyllur, të tërhequr, enigmatikë, të pa shoqërueshëm e të distancuar nga vendasit. Natyra e tyre aziatike s’përputhej aspak me temperamentin e ngrohtë e dinamik mesdhetar të vlonjatëve.
Ata punonin e vetëm punonin. Nga mëngjesi gjer mbas dite vonë. Duke pirë vazhdimisht çaj pa sheqer nga termuset e tyre karakteristikë të cilët i kishin sjellë nga Kina. Mbas pune, mbrëmjet e netët i kalonin në banesën e tyre. Një hotel modest, emri i dikurshëm i të cilit, (“Vollga”), kish ngelur si një kujtim i largët, vetëm për brezin që kish përjetuar miqësinë e dikurshme shqiptaro-sovjetike. Koha e tyre e lirë, qe mbyllur brenda katër mureve të atij hoteli. Aty luanin ping-pong, laheshin me peshqirë të lagur, gatuanin gjellërat e tyre të çuditshme e, pastaj, kyçeshin nëpër dhoma.
Çdo mëngjes, një autobus kinez i tipit “Ylli i Kuq”, i merrte e i çonte drejt kantiereve të ndërtimit. Hotel – punë e anasjelltas. Ai qe rritmi i jetës së tyre si asketë e të veçuar nga zbavitjet. (Me përjashtim të ditëve të diela kur, i njëjti autobus i çonte në plazhin e Ujit të Ftohtë. Aty, ata zinin vend buzë detit, duke shtruar në rresht mbi rërë, peshqirët e tyre ngjyra-ngjyra. Më vonë, për arsye që s’dihen, kinezët hoqën dorë nga banjat në plazhet publike e, nisën të frekuentonin ca kënde të largëta e të shkreta të gjirit të Vlorës).
Si zakonisht, gjatë ndërtimit të uzinës së PVC-së, sa herë që shkoja për të përgatitur reportazhe televizive, takoja së pari drejtuesit shqiptarë e pastaj realizoja filmimet e nevojshme. (Aso kohe, uzina na prezantohej si vepër e një teknologjie tepër moderne. Më vonë, mësuam se shumë skema prodhimi e procese teknologjike të saj, ishin të nivelit të viteve ’40 -’50-të. Në fakt, s’kaluan veç pak vjet e, asaj vepre madhështore, i doli boja duke u bërë kështu edhe ndotësja më e madhe e mjedisit në qytet. Nga silueta grandioze prej beton-armeje e asaj krenarie teknologjike, sot ka mbetur vetëm një mal impresionant me gërmadha e hekurishte të ndryshkura…)
Ishte disa herë që kisha provuar të intervistoja ose të shkëmbeja qoftë edhe dy fjalë me specialistët kinezë të montimeve të linjave të klorit, karbitit, oksigjenit etj. Me shokët Çu, Çe, Çin, Çan…! Por qe e kotë! Edhe pse përkthyesit që i shoqëronte, i shpjegoja se isha gazetar, ata s’pranonin të thoshin qoftë dhe një fjalë. Bënin sikur s’kuptonin, buzëqeshnin e tërhiqeshin me lezet për t’i u shmangur sidomos objektivit të kamerës.
Dukej qartë se kontaktet me njerëzit e shtypit s’u pëlqenin. Për t’u shmangur nxirrnin lloj-lloj justifikimesh, të cilat shpesh qenë kontradiktore. Kështu, fillimisht, thonin se qenë shumë të zënë me punë, e pastaj, kur ndeshnin në këmbëngulje, shtrëngoheshin të thoshin se nuk qenë të autorizuar të flisnin me gazetarë e se, të dhëna e hollësi për ecurinë e ndërtimeve në uzinë, mund të merrnim vetëm tek shoku Xang.
Siç më ka treguar J.M., ish-teknolog në atë uzinë, specialistët kinezë dridheshin kur dëgjonin emrin e shokut Xang. Ai qe përgjegjësi i gjithë grupit të kinezëve e, në punë shkonte e vinte jo si gjithë të tjerët, me autobusin e personelit, por me një “Xing-Fu” të re e pa targë. Personazh misterioz, shoku Xang, siç thuhej, qe njëkohësisht dhe komisari politik i grupit, një lloj shefi i policisë së tyre politike.
Ndërsa, K.L., i cili pat shërbyer për shumë vite si kamerier në Hotelin e Kinezëve, më ka rrëfyer se, shoku Xang, ish për ta njeri i plotfuqishëm, vetë Perëndia. Fjala e tij qe ligj. Një herë, brenda 24 orëve, ai pat nisur pako postale, fillimisht në Tiranë e më pas në Kinë, një specialist të ri kinez, për të cilin thuhej se qe shoqëruar ca si tepër, me një vajzë topografë shqiptare, R.H. (Kryetari Mao s’kish thënë kot se: “Është më e dobishme të vrasësh mushkonja, se sa të bësh dashuri…!”)
I rrepti e i pamëshirshmi, shoku Xang, ish gjithashtu drejtuesi i ritualit të seancave të përnatshme të leximit, meditimeve e reflektimeve kolektive rreth librit të kuq me Citate të kryetarit Mao. (Ata, mblidheshin rregullisht në sallën e madhe të katit të dytë, në orën tetë të çdo mbrëmje. Të bindur e të heshtur si myslimanë fanatikë, uleshin në gjunjë mbi tapete para portretit të madh të profetit të Kinës, e lexonin në korr gjer në mesnatë, Citatet e tij).
Para se uzina të niste nga puna, u ngritën edhe kurset e kualifikimit për përgatitjen e teknologëve të saj të ardhshëm. Ato i drejtonin kinezët si edhe disa shqiptare të cilët qenë specializuar në Kinë. Në kurse, merrnin pjesë qindra e qindra djem e vajza, pjesa më e madhe të moshave nga 18-24 vjeç. (Atë gjeneratë të rinjsh e të rejash e cila nisi të punojë në uzinë, në rrjedhën e viteve do ta shihja gjithmonë e më të lodhur, të konsumuar, të vyshkur, të mplakur e të sëmurë nga turnet e natës, puna tejet e rendë, kushtet mizerabël, helmet e gazrat mbytëse të asaj teknologjie moderne, ku ata qenë dënuar të kalonin vitet më të bukura të rinisë).
Gjatë zhvillimit të kurseve, specialistët kinezë me natyrën e tyre tipike, pedante e të ngurtë, ia kushtonin gjithë kohën shpjegimeve e zbërthimeve të skemave teknologjike. S’bënte vaki asnjë bisedë e lirë, shkëmbim cigaresh apo shikim drejt gjithë atyre vajzave të reja e të hijshme që mbanin shënime. Ish një atmosferë me të cilën shqiptarët, nuk arrinin të ambientoheshin. Atëherë, ndodhte që ndonjë vajzë nga ato më çapkënet, bënte shaka e u hidhte profesorëve kinezë, thumba të tillë: “Më fal, profesor! Kam një pyetje? Si e shprehni, dashurinë, ju kinezët…”?
Të gjithë shkriheshin së qeshuri. Ndërsa, kinezët me fytyra të ngrira si allçi, nxitonin të pyesnin përkthyesin. Pasi mësonin kuptimin e tyre, ata qëndronin një copë herë të heshture pa reaguar. Me fytyra të skuqura e në siklet. Pastaj, të shtrënguar për t’i dhenë fund zhurmës e gallatës, shtrëngoheshin t’i hidhnin sallës disa nga ato buzëqeshjet e tyre të pa deshifrueshme. Megjithatë, shakara të tilla, ishin pa zarar. Por, herë të tjera kish bërë vaki që me kinezët, të ndodhnin edhe incidente.
“Në repartin e elektrolizës ku punoja – tregon B.E., ish-teknolog në atë uzinë – një ditë ndodhi diçka e papritur e cila pastaj, u shndërrua në problem të madh. Punëtori XH.K., ish duke mbledhur copat e zhivës që kishin rënë gjatë provave teknologjike në katin e parë të repartit. Me sa dukej, në punë e sipër, një shok e kish ngacmuar duke bërë me të një shaka të tepruar. XH.K., i nevrikosur, nuk e mbajti dot veten dhe e qëlloi me një guarnicion të vjetër që iu ndodh aty pranë.
Pikërisht, në ato çaste në repart hynë dy kinezë e, për dreq, guarnicioni goditi këmbët e tyre. XH.K., në vend që të kërkonte falje, vuri duart në mes e ia plasi gazit. Kinezët, të befasuar nga “goditja” e të fyer në kulm nga e qeshura e punëtorit shqiptar, dolën nga reparti të zemëruar dhe shkuan drejt e në zyrën e shefit të tyre ku raportuan për “provokacionin” e qëllimshëm nga “pala” shqiptare.
Qe koha kur marrëdhëniet shqiptaro-kineze ishin në krizë, prandaj çështja mori përmasa tepër serioze. Për incidentin në fjalë, kinezët njoftuan menjëherë ambasadën e tyre në Tiranë, ndërsa në Komitetin e Partisë në rreth, u thirr urgjentisht mbledhja e Byrosë. Të nesërmen edhe në uzinë u mblodh Byroja e Partisë e, punëtori XH.K., përfundoi me pranga në qelitë e Sigurimit të Shtetit, ku ndenji ca ditë e pastaj doli, por i pushuar përgjithmonë nga puna.
Të njëjtin fat pati, pas ca muajsh edhe inxhinieri V.M., i cili në një debat pune me specialistët kinezë, i pat kundërshtuar ata me këmbëngulje për një problem të rëndomtë teknologjik. Më pas, sjellja arrogante e inxhinierit qe cilësuar prej tyre incident i qëllimtë dhe i paramenduar. Edhe në këtë rast, vijuan mbledhje pas mbledhjesh e, si përfundim, edhe inxhinierit V.M., iu komunikua pushimi nga puna…! Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016