Nga Petrit Velaj
Memorie.al / Petrit Velaj lindi në Vlorë në vitin 1924 dhe ai rrjedh nga një familje e njohur për veprimtari atdhetare, me origjinë nga fshati Kaninë i atij rrethi. Mbasi përfundoi Shkollën Tregtare në Vlorë, vazhdoi studimet në Itali, por nuk arriti t’i mbarojë ato, për shkak të fillimit të Luftës. Në atë kohë ai vendosi të kthehet në Shqipëri dhe të aktivizohet në Lëvizjen Antifashiste, duke u rreshtuar me forcat nacionalist të “Ballit Kombëtar”, gjë e cila do t’i kushtonte shtrenjtë…! Menjëherë pas mbarimit të Luftës, Petriti u arrestua nga forcat e Sigurimit të Shtetit dhe ai kaloi një kalvar të gjatë vuajtjesh, duke qëndruar për plot 37 vjet në kampet e burgjet e diktaturës komuniste të Enver Hoxhës dhe më pas vazhdon jetën në internim, për 5 vjet të tjera, deri atëherë kur u hoq masa e përgjithshme e internimeve, në vitin 1990. Pas viteve ’90-të, ai ka botuar librat: “Një dritare burgu” dhe “Nga prangat në demokraci”. Prej librit të parë, që përmbledh kujtimet autobiografike, kemi shkëputur dhe pjesën që po botojmë më poshtë në këtë shkrim.
JETË BURGU
Viti 1945. Makina ndali para derës së burgut të Vlorës. Zbrita. E pashë qiellin e Vlorës me ca re të bardha, që kishin dalë mbi Karaburun dhe shtyheshin për nga malet e Shashicës, drejt fshatit tim të dashur Kaninës…!
Në Degën e Punëve të Brendshme më pritën me arrogance, Hito Çakua, kryetari dhe Qatip Dervishi, nënkryetari i Degës. Më izoluan te dhoma në hyrje të burgut të vjetër, përballë Bashkisë. Të nesërmen, edhe pse isha i izoluar dhe i dërrmuar, më thirrën në hetuesi.
Para meje u shfaq portreti i Namik Cakranit. Ky njeri kishte për grua çupën e hallës sime. Gjatë Luftës kisha dëgjuar se Namik Cakranin, e kishin zënë forcat e Ballit Kombëtar, që komandoheshin nga i vëllai i tij, Kujtim Cakrani. Kujtimi e vuri me shpatulla për muri te shtëpia, në Cakran dhe i kishte thënë:
– “Je i dënuar me vdekje”!
Aty ndërhyri menjëherë babai i tyre, Bektash Cakrani, dhe i tha:
– “Mos, biri im Kujtim, se është evlati ynë”!
Kujtimi ishte kthyer nga i ati dhe i kishte thënë:
– “Unë nuk kisha ndërmend ta vrisja, por po nuk e vramë ne, ky do të të hajë kokën ty, baba”.
Kjo skenë m’u kujtua kur isha përballë tij në bangën e hetuesisë. Namik Cakrani, dënoi babanë e tij me vdekje dhe tani më kishte mua përpara…!
Drejtor i burgut të Vlorës ka qenë Muço Naska. Një burrë i leshtë dhe injorant. Ishte me plot kuptimin e fjalës zemërzi. Ky njeri na u pështiros, pasi e shihnim me sytë tanë si i plaçkiste të burgosurit që pushkatoheshin, u merrte unazat dhe orët e xhepit.
Kështu ndodhi edhe me orën e florinjtë të xhepit të Hamdi Çepratit. Pasi e mori sahatin e Hamdiut, kur e pushkatuan, e tregonte në oborrin e burgut. E nxirrte dhe e shikonte në sytë tanë. Neve na vinte keq, se në burg ishte edhe babai i Hamdiut, Hair Çeprati si dhe vëllai i tij, Seiti që një ditë më tha:
– “Sa herë që Muçua nxjerr sahatin e vëllait, mua më duket sikur luan me zemrën e Hamdiut…”!
Kryetar i gjyqit tim ishte Qemal Klosi. Në kohën që vëllai i tij varej në litar në Rubik, si sabotator, Qemali, si prokuror special dënonte nacionalistët vlonjatë me vdekje. Ai ishte një mallkim nga Zoti për ne shqiptarët.
Prokuror kisha Lufter Hoxhën. Ky, Lufteri, në tetor 1943, me një pishë në dorë, nxori gratë nga shtëpia e tij në Tragjas dhe i vuri asaj flakën, sepse babai i tij, Tahir Hoxha me të vëllanë Bardhon, ishin në radhët e Ballit Kombëtar. Lufteri me të gjithë vëllezërit, ishin partizanë.
Ky ishte prokurori im. I ati i tij, Tahiri, priste në qeli lidhur duar e këmbë ekzekutimin e dënimit me vdekje, që i kishte dhënë i biri, ndërsa i biri me kënaqësi, dënonte bashkëluftëtarët e babait të vet. Lufter Hoxha, shoku im i klasës dhe i rinisë, kërkoi dënimin tim me vdekje.
… Pasi mora “peshqeshin” e Lufterit, na çuan në burg. Porsa më pa Tahir Hoxha, më tha: “Po edhe ty more bir të dhanë dënim kapital”?! Pas tij Bego Gjonzeneli, ngriti zërin dhe bërtiti: “Përse mua më dënojnë me 5 vjet burg, ndërsa nxënësin tim e dënojnë me vdekje…”?!
Ju qasa pranë profesor Tahir Hoxhës dhe i thashë: “Petritër ka plot Shqipëria. Por unë uroj që Shqipëria të mos ketë Lufterë, Namikër dhe Qemalër, pasi do të shndërrohen në lugetër për të ngrënë shqiptarët.
… S’kaluan veç dy ditë dhe në burg na vjen nipi i Tahir Hoxhës, Niko Hoxha, gjoja për t’u takuar me xhaxhanë! Ky njeri gjatë Luftës, ishte përpjekur ta vriste xhaxhanë, në krye të një njësiti komunist. Tani kishte ardhur ta demaskonte atë para se ta ekzekutonin. Çfarë nuk i tha xhaxhait.
Ato fjalë që dilnin prej gojës së tij m’u dukën si copa metali, që dilnin nga ingranazhet e hekurta të dhëmbëve…! Iso i mbante Kryetari i Degës, Banush Goxhaj, të cilin ne e urrenim sepse sa herë që vinte në korridoret e burgut, u pëshpëriste rojeve se ne ballistët ishim pa flamur dhe pa Atdhe.
… Viti 1947. Kryetari i Degës së Brendshme, Banush Goxhaj, si një bishë e tërbuar, vjen në burg me një listë në dorë…! Pasi na thirrën emrat, të gjithë u izoluam në qeli…! Filluan torturat me Qemal Vrionin dhe vazhduan me të tjerë…! E torturuan për vdekje të zinë Qemal.
Dy xhelatë e torturonin, ndërsa dy ushtarë u binin çiftelive duke kënduar këngë epike, nga ato të veriut. Kështu torturuan edhe Atif Golen e Mihal Bellkamenin, vëllain e rilindasit Spiro Bellkameni, derisa vdiqën të dy nga torturat. Çiftelitë në ato vite në burgun e Burrelit, u bënë si muzikë mortore, funerale…!
Më 10 maj të vitit 1947, në kazanin e gjellës (gjella ishte lëng me qepë), kishin hedhur një lloj bari për të na zënë barku. Gjithë burgu atë natë nuk kishte qetësi. Ndytën të gjithë nëpër dhoma se rojet me gjithë të bërtiturat tona, nuk na i hapnin dyert. Kjo ishte një prej shpikjeve të Vangjel Rrëmbecit… mendja e të cilit pillte vetëm ligësi…!
Gjatë viteve 1947-‘48 në burgun e Burrelit u groposën 720 të burgosur politikë. Ishte Banush Goxhaj dhe Vangjel Rrëmbeci që urdhëronin rojet që kufomat t’i përcillnin me valle…! Po çonim kufomën e Fuat Voshtinës tek e famshmja Qershi e Burrelit. Ishim unë, Pjetër Meshkalla, Anton Kosmaçi, Xhevdet Kapshtica dhe Ali Radhima. Qershia e Burrelit mbeti si një lapidar i varrezave të viktimave të terrorit komunist.
Duke çuar trupin e të pushkatuarit pamë se si rojet hidhnin valle duke na shoqëruar neve! Njëherë tjetër, unë, Koço Tasi, Petraq Isaku dhe Kudret Kokoshi, u caktuam për të çuar kufomën e një djaloshi të ri, Hasan Priftit, nga Dibra. Vigu ynë ishte një batanije. Rojet na shoqëronin duke hedhur valle. Kur shkuam te Qershia, ç’të shohim: trupin e Fuat Voshtimës që e varrosëm tre ditë më parë, qentë e kishin nxjerrë mbi dhé.
…Në vitin 1957 na transferuan në burgun e Vlorës, aty rrahëm disa spiunë……dhe për këtë na izoluan në qeli…! Një ditë na erdhi aty “një kafshë me fytyrë njeriu”, e quanin Mehmet Jaho Bolena, që komunistët e quanin Luftar Bolena. Vëllanë e tij Faslli Jahon, e kishte pushkatuar që më 1945, si ballist. Ai na thirri dhe na kërcënoi:
– “Edhe kockat do t’jua bluajmë, nëse ju diskreditoni elementët tanë informatorë”.
… Aty nga viti 1970, me rastin e ditëlindjes së Enver Hoxhës, disa të burgosur i kishin shkruar një letër ku midis të tjerave i thoshin: “T’u shkurtoftë jeta, o katil, për të mirën e popullit shqiptar”.
Atëherë filluan ri dënimet… izolimet… torturat, ndalimi i korrespondencës, takimi me të afërmit e familjes, ushqimet. U shtuan rrahjet e sharjet e policëve. Kur binte çanga dhe roja bërtiste për të ngrënë drekë, të gjithë të burgosurit, bërtisnin në kor: “Haje vetë”!
… Nga vitet 1970-1980, anëtarë të Byrosë Politike, vinin njëri pas tjetrit për të na sqaruar situatën politike në Shqipëri. Për çudi ndodhi që njëri pas tjetrit, ata ranë që të gjithë edhe vetë në burgje e pushkatime…! Në një nga këto takime, Besnik Baxho, i rrëmbyer, ngrihet, merr portretin e diktatorit që varej në një kornizë dhe e hedh për tokë.
E shkeli edhe me këmbë duke bërtitur: “Kështu do të përfundoni të gjithë ju që e kthyet Shqipërinë në një burg”! E morën rojet dhe e mbyllën në izolim. Shpirti i tij e di se ç’ka hequr në tortura. Kur u kthye në kapanon, e shihja çdo ditë se si mbahej me duar nëpër faqet e mureve për të lëvizur. E kishin bërë invalid…!
… Duke hequr në zemër, siç bëhej në estradat amatore të kooperativave bujqësore, nëpërmjet gulçimave, Pali Miska, anëtar i Byrosë Politike, na shqiptoi emrin e diktatorit fatkeq që kishte vdekur.
Gjithë të burgosurit u ngurosën në vend. Nga mezi i tyre, ashtu në heshtje, bëri përpara një arixhi, që ishte dënuar 25 vjet për tentativë arratisjeje. Doli përpara nesh. Ngriti pëllëmbët e duarve drejt qiellit, me vështrimin nga ushtarakët e Pali Miska, dhe foli me zë të lartë: “O Zot! O Zot! Paska me të vërtetë një Zot”!
Pasi shqiptoi këto fjalë ra përmbys përtokë. Pali Miska, bëri tre-katër hapa përpara, u përkul mbi të duke i thënë: “Vëlla, vëlla, çohu se të gjithë e kemi këtë dhimbje të madhe. E kuptoj se ty të dhemb më shumë”.
Arixhiu u ngrit në gjunjë dhe ashtu siç ishte, iu drejtua Pali Miskës: “Aman ore, shyqyr që shpëtuat edhe ju se kishte filluar t’u hante një nga një si kokrra gorrice, pa lere ne që po vuajmë dhe u kalbëm burgjeve…”!
Kur dëgjoi ato fjalë, Pali Miska e qëlloi me shqelm dhe urdhëroi policët për ta izoluar në qeli. Qysh aty para syve tanë dhe të Pali Miskës, policët filluan ta rrahin me hasretin dajak. Mes të qeshurave skena tragjiko-komike e asaj dite mbaroi.
… Kur rashë në burg për herë të dytë, gruaja ishte në maternitet për të lindur…!
… Për herë të parë në jetën time, kur u lirova nga burgu, dëgjova fjalën e ëmbël fëmijërore “baba”. Ai që m’u hodh në qafë ishte djali, Ahmeti…!
Nuk mbaj mend si erdhi fjala dhe djali më pyeti:
– “Sa vjet burg ke bërë baba”? Ishte një pyetje me nënkuptim.
– 37 vjet burg e 5 vjet internim, – i them.
Djali më hodhi një vështrim të dhimbshëm, u vrejt, uli vetullat si retë mbi malet e Karaburunit dhe më tha:
– “Jeta e burgut është e rëndë, por duhet ta dish se edhe izolimi i shumë njerëzve si ne, është njëlloj si burgu”.
E pashë tim bir që dy lot të nxehtë iu rrokullisën faqeve. Kuptova që ishte rritur, por edhe se ishte pjekur para kohe. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016