Dashnor Kaloçi
Pjesa e dytë
Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish – Presidiumit të Kuvendit Popullor të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë), të cilat i përkasin vitit 1983 dhe janë pjesë e një dosje me siglën “Tepër Sekret”, ku ndodhet e gjithë korrespodenca ndërmjet Gjykatës së Lartë të Republikës Popullore të Shqipërisë, Presidiumit të Kuvendit Popullor, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Komitetit Qendror të PPSh-së, lidhur me materialet në ngarkim të katër ish-funksionarëve të lartë të udhëheqjes dhe qeverisë shqiptare, si: Kadri Hazbiu, anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së, Ministër i Punëve të Brendshme dhe Ministër i Mbrojtjes Popullore, Llambi Ziçishti, ministër i Shëndetësisë, Feçor Shehu, zv/ministër dhe ministër i Punëve të Brendshme, si dhe Llambi Peçinit, drejtor i Drejtorisë së Ruajtjes Fizike dhe Sigurisë së udhëheqjes së lartë të PPSH-së, të cilët që në vitin 1982, ishin arrestuar si “armiq të popullit” dhe mbaheshin në hetuesinë e Tiranë pranë ‘Repartit 313’, me akuzën: “bashkëpunëtorë të poli-agjentit Mehmet Shehu”. Në dosjen në fjalë, përveç akt-akuzës së Gjykatës së Lartë të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, (të kryesuar nga Aranit Çela), e cila i dënoi me vdekje Kadri Hazbiun, Llambi Peçinin, Feçor Shehun dhe Mihallaq Ziçishtin, ndodhen edhe dhe dokumenti me proces-verbalin e mbledhjes së Presidiumit të Kuvendit Popullor të kryesuar nga Ramiz Alia, (ku merrnin pjesë: Rita Marko, Xhafer Spahiu, Mine Guri, Sihat Tozaj, Eleni Selenica, Elmaz Puto, Faik Çinaj, Ibrahim Gjevori, Nik Shyti, Petrit Gaçe, Rrahman Hanku, Simon Ballabani, Stefan Qirjako, si dhe të ftuar kryetari i Gjykatës së Lartë, Aranit Çela dhe Prokurori i Përgjithshëm i Republikës, Rrapi Mino), ku kanë diskutuar pjesa më e madhe e anëtarëve të tij, duke marrë në shqyrtim kërkesat që katër të pandehurit, i kishin dërguar atij forumi të lartë, për faljen e jetës.
Dokumenti i Gjykatës së Lartë të Republikës Popullore të Shqipërisë, dërguar Presidiumit të Kuvendit Popullor, lidhur me dënimin me vdekje të Kadri Hazbiut, Llambi Ziçishtit Feçor Shehut e Llambi Peçinit
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË
GJYKATA E LARTË
Nr. 778 Prot Tepër sekret
Tiranë më 8.9.1983
Lënda: Mbi të dënuarit me vdekje Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Llambi Peçini, dhe Llambi Ziçishti.
PRESIDIUMIT TË KUVENDIT POPULLOR
TIRANË
Pas vetëvrasjes së poli-agjentit Mehmet Shehu mbeturinat e tyre kundërrevolucionare me Kadri Hazbiun në krye dhe në koordinim të plotë me zbulimet e huaja, ri konstruktuan planin për zbatimin e puçit ushtarak. Dërgimi nga titistët jugosllavë i bandës terroriste të kryesuar nga Xhevdet Mustafa, është dhe zanafilla e zbatimit të këtij plani.
Gjatë gjykimit u vërtetua se Mehmet Shehu, ka qenë frymëzuesi dhe nxitësi në prapaskenë i të gjitha grupeve komplotuese e sabotuese të mëparshme të cilat, megjithëse u zbuluan e u shkatërruan veç e veç ishin pjesë përbërëse e një komploti të vetëm kundërrevolucionar të bashkërenduar që përgatiste përmbysjen e diktaturës së proletariatit dhe të rendit socialist në Shqipëri.
“Beqir Balluku, Petrit Dume, Hito Çako, Abdyl Këllezi, Koço Theodhosi, Kico Ngjela, etj, janë udhëhequr e drejtuar po nga Mehmet Shehu e Kadri Hazbiu”, pohoi në hetuesi e në gjyq armikja Fiqrete Shehu duke shtuar se: “Me masat që janë marrë, u bë e mundur që këta të mos tregonin as në hetuesi e as në gjyq të gjithë bashkëpunëtorët e tyre”.
- Të dënuarit me vdekje Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, Llambi Peçini, dhe Llambi Ziçishti, së bashku dhe me të dënuarit e tjerë, nën drejtimin e poli-agjentit Mehmet Shehu, kanë kryer veprime terroriste për likuidimin fizik të Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë.
Për arritjen e këtij synimi poli-agjenti Mehmet Shehu, ka menduar e vepruar në bashkëpunim me padronët e tij që gjatë luftës Nacionalçlirimtare. Ai, me porosi të anglezëve gjatë Operacionit të Dimrit në vitet 1943-1944 nuk shkoi me Brigadën e Parë në ndihmë të Shtabit të Përgjithshëm që qe rrethuar nga gjermanët, me qëllim që ai të asgjësohej.
Por siç dihet, jashtë vullnetit të armiqve kjo gjë, u evitua. Shtabi i Përgjithshëm e çau vetë rrethimin. Padronët, i kanë dhënë Mehmet Shehut variante të ndryshme për të asgjësuar fizikisht Sekretarin e Parë të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë.
Zbatimin e kësaj vepre të poshtër terrori Mehmet Shehu, ka dashur që ta realizojë që në vitin 1973 me anë të mjekëve që do të kuronin shokun Enver Hoxha të cilët, duhet t’i shkaktonin ndërlikime shëndetit të tij, për ta shmangur nga drejtimi i punëve dhe pastaj ta çonin drejt asgjësimit fizik. Këtë detyrë ky terrorist i pashembullt, ja ngarkoi të dënuarit Llambi Ziçishti, i cili e pranon që Mehmet Shehu e ka thirrur në Shtator-Tetor të vitit 1973 dhe i ka thënë:
“Ti si Ministër i Shëndetësisë, do të luash rolin e violinës së parë, si dhe do të shfrytëzosh të gjithë autoritetin tënd që të përdoren mjekime që do të porosisin mjekët kinezë (të cilat paraqesin rrezik për jetën e Udhëheqësit kryesor të Partisë). Por mjekimet që dhanë kinezët, u hodhën poshtë nga mjekët tanë, pra veprimi i Mehmet Shehut me kinezët, ishte i përbashkët, e i konventruar”.
Konsekuentë në realizimin e aktit terrorist armiku Mehmet Shehu dhe bashkëpunëtorët e tij, i janë kthyer herë pas here këtij problemi, kanë shkëmbyer mendime e kanë thurur plane të reja për ta zbatuar atë. Për t’u theksuar janë përpjekjet e bëra në vitet 1980-1981.
Ngjarjet e Kosovës në pranverën e vitit 1981, kriza e rëndë politike dhe ekonomike që ka mbërthyer Jugosllavinë titiste, si dhe qëndrimi parimor e i hapur i Partisë sonë në përkrahje të kërkesave të ligjshme të vëllezërve kosovarë, e tronditën nga themelet dhe e diskredituan para opinionit publik këtë vend tipik kapitalist.
Në këto kushte jugosllavët, kërkonin që nga ana jonë të mbahej kundër tyre një qëndrim më i butë në lidhje me demonstratat e Kosovës, gjë që ata donin ta realizonin nëpërmjet likuidimit fizik të Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, dhe përmbysjen e gjendjes së shëndoshë në vendin tonë.
Në pranverën e vitit 1981 me kërkesën e agjenturës jugosllave armikja Fiqrete Shehu, është takuar me agjentin jugosllav në Paris, i cili i ka kërkuar që Mehmet Shehu, të marrë sa më parë në dorë udhëheqjen e Partisë duke likuiduar fizikisht Udhëheqësin e saj me anë të helmit të cilin, ja dha kësaj agjenteje me anë të një pakoje të vogël.
Pasi siguruan helmin me efekt të vonuar, pjesëtarë e organizatës kundërrevolucionare të kryesuar nga poli-agjenti Mehmet Shehu, përgatitën planin e detajuar të veprës terroriste dhe më pas atë të marrjes së pushtetit, duke ndarë rolet dhe detyrat në varësi të funksionit të gjithsecilit.
Armikes Fiqrete Shehu, ju ngarkua detyra që gjatë pushimeve në Vlorë kur Sekretari i Parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, të shkëmbente vizita me Mehmet Shehun, ajo të gjente momentin më të përshtatshëm për të hedhur në kafe, helmin me efekt të vonuar. Armiku Llambi Ziçishti, do të manipulonte rezultatet e analizave toksikologjike, si dhe të autopsisë mjeko-ligjore.
Kurse armiku Nesti Nase do të gjente literaturë për format dhe metodat e atentateve kundër personaliteteve politike, do të shmangte daljen e sekreteve të kësaj veprimtarie kriminale jashtë shtetit, si dhe do të ndërpriste çdo informacion që mund ti vinte Shqipërisë për veprimtarinë e zbulimeve të huaja kundër vendit tonë. Detyra të tjera të rëndësishme, kanë pasur dhe anëtarët e tjerë të kësaj organizate.
Kështu i dënuari Ali Çeno, do të lajmëronte në momentin e duhur Kadri Hazbiun e Feçor Shehun që të ndërhynin me forcë, duke përdorur dhe teknikën luftarake. Kurse të dënuarit Llambi Peçini e Mihallaq Ziçishti, ishin ngarkuar që të bënin arrestimet e nevojshme. Më 16 dhe 17 Dhjetor të vitit 1981 nëpërmjet agjentëve të saj Kadri Hazbiut dhe Feçor Shehut, UDB-ja i transmetoi Mehmet Shehut ultimatumin që: “Enver Hoxha, të vritet me çdo kusht me armë zjarri në mbledhje, qoftë duke u vrarë dhe ai vetë”.
Terroristi Mehmet Shehu u ndodh në udhëkryq. Në njërën anë Byroja Politike e Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, i kërkonte llogari për fejesën e djalit dhe veprimet e tjera antiparti, në anën tjetër UDB-ja e urdhëroi për veprim. Në konsultim me bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, ky vendosi dhe vrau veten. Partia, i zbuloi fijet e këtij komploti dhe e shpartalloi atë.
Me vetëvrasjen e kryetarit të organizatës kundërrevolucionare, poli-agjentit Mehmet Shehu, vendin e tij e zuri i dënuari Kadri Hazbiu, i cili ishte ndihmësi më i afërt i Mehmet Shehu. Zbulimet e huaja, kërkuan nga armiku Kadri Hazbiu që në mënyrë kategorike të vritej me çdo kusht, Sekretari i Parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, si dhe të realizohej puci ushtarak për përmbysjen e pushtetit popullor në Shqipëri.
Për këtë qëllim zbulimi jugosllav përshpejtoi nxjerrjen e bandës së terroristit Xhevdet Mustafa i cili, zbarkoi në vendin tonë, në zonën e Divjakës duke u gdhirë 26 Shtatori i vitit 1982 për të marrë lidhje me të dënuarin Kadri Hazbiu, si dhe për të kryer misionin e saj të zi. Kjo bandë në përpjekje për të çarë rrugën me çdo kusht për në Tiranë, vrau 6 shtetas shqiptarë që u vunë në mbrojtje të interesave të Atdheut. Tradhtari Kadri Hazbiu, u përpoq që t’i asgjësonte të gjithë banditët për zhdukur çdo gjurmë të punës së tij armiqësore, por këtij qëllimi nuk ja arriti dot.
- Një nga drejtimet e tjera kryesore të kësaj organizate kundërrevolucionare, të drejtuar nga tradhtari Mehmet Shehu, ka qenë sabotimi i orientimeve dhe direktivave të Partisë, dhe i të gjithë veprimtarisë së saj në fushat e ndryshme të zhvillimit të jetës në vendin tonë.
Kjo veprimtari sabotuese, është një lidhje e ndër sjelltë, e koordinuar, e sabotimeve që kanë bërë të frymëzuar nën drejtimin e mercenarit Mehmet Shehu, grupet e tjera antiparti, tradhtare, komplotiste, puçiste, e sabotuese, në fushat e ndryshme të ndërtimit socialist në vendin tonë. Objektivi kryesor i armiqve Kadri Hazbiu, Fecor Shehu, Mihallaq Zicishti, etj, në kuadrin e goditjes së Partisë dhe Sekretarit të Parë të saj, ka qenë minimi dhe sabotimi i politikës së Partisë në veprimtarinë e organeve të Punëve të Brendshme.
Ata, kanë zhvilluar një veprimtari të mprehtë armiqësore për futjen e metodave trockiste në punën e Sigurimit të Shtetit dhe në Organet e Punëve të Brendshme në përgjithësi, për kalbëzimin e këtyre organeve, për degjenerimin e kuadrove, duke ju kundërvënë platformës së Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë për organet e Sigurimit të Shtetit.
Nën maskën e sekretit ky dokument, që duhet të shërbente si udhëheqje për veprim, është mbyllur me shtatë palë kyçe, dhe zbërthimi i tij është bërë me shumë shtrembërime. Në shumë raste nga armiqtë Mehmet Shehu, Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, e Mihallaq Ziçishti, vendimet dhe direktivat e Partisë u janë fshehur organeve të Punëve të Brendshme me qëllim që të mos gjejnë zbatim, siç ka ndodhur në vendimin e Byrosë Politike Nr. 53 datë 2.2.1955, si dhe në fjalimin e shokut Enver Hoxha në 31 Janar të vitit 1981, për organet e Punëve të Brendshme, etj.
Këta armiq janë munduar që ti shmangen kontrollit të Partisë, të vënë veten e tyre dhe organet e Sigurimit të Shtetit mbi Partinë. Përpjekjet për ta vënë Partinë nën kontrollin e Sigurimit të Shtetit, duken edhe te disa akte normative të nxjerra nga këta armiq në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Tipik trockist është urdhri i dhënë nga Kadri Hazbiu dhe Feçor Shehu, që të studiohen nga Sigurimi i Shtetit të gjithë ata persona që kërkojnë të futen në Parti, si dhe marrja e Komiteteve Ekzekutive të rretheve si Objekte të Rëndësisë së Veçantë.
Këta armiq, kanë sabotuar vijën e Partisë lidhur me organizimin dhe punën e Sigurimit të Shtetit, duke synuar shtrembërimin e politikës në goditjen, në mos organizimin e punës për zbulimin e veprimtarisë armiqësore e keqbërëse, moszbatimin e ligjshmërisë socialiste, uljen e efektivitet të punës së këtyre organeve në sektorë të ndryshëm, etj.
Armiqtë Kadri Hazbiu, Feçor Shehu, e Mihallaq Ziçishti, duke punuar në interes të organizatës kundërrevolucionare të kryesuar nga poli-agjenti Mehmet Shehu, u janë kundërvënë porosisë së Partisë që organet e punëve të brendshme, tehun e luftës së tyre, ta drejtojnë kundër armikut, të zbulojnë, të dokumentojnë, e të parandalojnë, veprimtarinë armiqësore e keqbërëse duke e përdorur arrestimin si masë të fundit, kur nuk ka vend për masa të tjera edukuese.
Këta armiq, sabotuan që në fillim vendimin e Byrosë Politike Nr. 160 të datës 21.121973 për unifikimin e Hetuesisë dhe për qëndrimin e saj në Ministrinë e Punëve të Brendshme, vunë rregullat që godasin drejtimin dhe pavarësinë e saj në ushtrimin dhe realizimin e detyrave.
Si rrjedhojë e këtij sabotimi Sigurimi i Shtetit, nuk ka zbuluar asnjë nga komplotet e armiqve të brendshëm ose të jashtëm. Përkundrazi, nëpërmjet nxitjes artificiale të luftës së klasave ata, e vunë theksin tek masat represive. Një nga format e tyre të prishjes së unitetit Parti-Popull, kanë qenë dhe goditjet në prag të ngjarjeve të mëdha.
Aq të prirur ishin për arrestime këta armiq, saqë i dënuari Feçor Shehu ndonëse i kritikuar ashpër nga Byroja Politike, në mbledhjen e datës 31.1.1981, brenda 2 muajve ju bëri 2 radiograme Degëve të Punëve të Brendshme, duke ju thënë “Jemi keq me goditjet”. Duke vënë si kriter vlerësues për punën e Punëtorit Operativ, numrin e arrestimeve, këta i kanë sjellë një dëm të madh politikës së Partisë e të Shtetit tonë. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016