Nga Ventigjar Hamzaraj
Pjesa e dytë
Memorie.al / Ventigjar Hamzaraj, lindi në Vlorë në vitin 1923, në një familje të njohur për tradita atdhetare. Babai i tij Myqeremi, ka hyrë në historinë e Shqipërisë si atdhetar, luftëtar dhe pjesëmarrës në Luftën e Vlorës në 1920-ën. Ventigjari kreu shkollën e mesme në Metz të Francës dhe shkollën e lartë për Inxhinieri Ndërtimi e vazhdoi në Itali, por nuk e përfundoi dot për shkak të trazirave të Luftës. Si pinjollë i një familje nacionaliste, ai u arrestua pak pas mbarimit të Luftës, për shkak se ishte kundër regjimit komunist të sapoardhur në fuqi dhe në vitin 1946 u dënua me 30 vjet burg, nga të cilat vuajti 10 vjet. Tërë jetën e kaloi në vuajtje e mjerim duke bërë punë të rënda krahu, për të mbajtur familjen. Ventigjar Hamzaraj i cili u nda nga jeta në vitin 1999, është konsideruar si një nga legjendat e gjallë të rezistencës antikomuniste në burgjeve e diktaturës së Enver Hoxhës dhe ai ka lënë shumë dorëshkrime me vlerë historike, kryesisht me ngjarje nga kampet e burgjet politike të atij regjimi.
Duke qenë i lidhur dhe i mbledhur kruspull për mungesë vendi në atë të ftohtë, në një birucë të qelbur e me lagështirë, me minjtë që nuk më linin të qetë, ishte pothuajse e pamundur të mbyllje sy.
Të nesërmen, operativ Nauni nuk më mori në pyetje, ndoshta për presion psikologjik apo kishte punë të tjera, por të ftohtit më kishte hyrë në palcë dhe unë vazhdoja të digjja herë pas here gazeta, natyrisht fshehurazi, në mënyrë që polici të mos e diktonte dritën që bënte flaka.
Ditën tjetër, Nauni filloi nga puna me mua. Përsëri shtrëngimi hekurave, përsëri humbje e ndjenjave dhe për të ardhur në vete ishin shqelmat. Humbja e ndjenjave ishte diçka e veçantë që nuk e kisha provuar më parë. Të jepte një lloj prehjeje, një lloj qetësie trupore dhe shpirtërore. Mendoja kur vija në vete se vdekja, më në fund, qenka e ëmbël. Ndoshta kjo qe dhe arsyeja që unë nuk iu përgjigja më Naun Tikos, me gjithë goditjet, sharjet, kërcënimet për pushkatim.
Përsëri më ktheu në shoqërinë e minjve dhe të merimangave. Të ftohtit vazhdonte dhe gazetat për djegie, po mbaroheshin. Ishin gazetat e fundit që kishte dhënë Izet Kallarati. Ndërkohë Shyqyri Allushi (vëlla i Hysni Lepenicës), më dërgoi një palë pantallona të reja prej shajaku të trasha.
Ato më ngrohën, sikur më ri dhanë jetë. Shyqua më shpëtoi nga të ftohtit. Si nuk i ra ndërmend t’i kishte dërguar më parë, do ta kisha ndjerë të ftohtit më pak.
Pasi kaluan edhe tri ditë nga hetuesia e dytë, më rimori prapë në pyetje. Ishin pothuajse të njëjtat pyetje dhe përgjigje. Atij i ranë në sy pantallonat e leshta.
– Ti nuk kishe këto pantallona, kush t’i dha?
– Këto janë pantallonat e mia dhe këto kam pasur.
– Nuk është e vërtetë, nuk i kishe kështu pantallonat, t’i kanë dhënë.
– Këto janë të miat dhe këto kam pasur, ti mund të thuash edhe për pallton që nuk është kjo që kisha.
– Jo për pallton jo, mor maskara, them për pantallonat, dhe filloi të më godiste kërcinjëve me majat e çizmeve.
Shajaku i trashë i zbuste goditjet. Përsëri shtrëngim i hekurave dhe prapë humbje ndjenjash. Më në fund, pasi kishin kaluar gjashtë ditë, më nxorën nga biruca nën shkallë dhe më në fund u riktheva pranë shokëve në dhomë pasi, kisha thyer rekordin e ndejtjes në atë birucë.
E ndjeva veten shumë të pafuqishëm ditët e para, pasi dola nga biruca. Pagjumësia, të ftohtit, dhimbja e duarve nga hekurat, humbja e shpeshtë e ndjenjave, goditjet më kishin dobësuar fizikisht.
Kur e rimora veten e pyeta doktor Jani Melon (që ishte dhe ai i burgosur), se çfarë ishte shkaku i humbjes së ndjenjave. Më shpjegoi që shtrëngimi i hekurave jepte dhimbje që ndikonte në sistemin nervor, i cili dobësonte qarkullimin e gjakut, që duke mos furnizuar plotësisht trurin, shkaktonte anemi cerebrale që, po të zgjatej, shkakton edhe vdekjen.
Kështu ma punoi Naun Tikua, ky kriminel i ndyrë që kur futej në dhomat e burgut i përngjante një bishe të egër që i vërsulet gjahut për ta shqyer. Një ditë ky ndyrësirë erdhi në dhomën tonë dhe ne u ngritëm në këmbë sipas urdhrit, me përjashtim të Shefqet Gjolekës nga Kuçi, që ishte i sëmurë.
Kur hyri Nauni, ky ishte tulatur dhe me kokën mbuluar, nuk ndjeu, as nuk e pa. Pa një, pa dy, kjo bishë e qëlloi me shqelma. Xha Shefqeti, që ndoshta ishte në gjumë, u tromaks, ky e kapi për gryke, e ngriti dhe e përplaste pas murit. Plaku bërtiti “Amani i thoni që jam sëmurë”. Nauni i shtrëngoi fytin me forcë, sa xha Shefqeti vdiq. E mbyti ky, apo sëmundja? Një Zot e di.
Të burgosurit ordinerë i nxirrnin në oborr veçmas nga ne, në orar të ndryshëm. Për të mbushur ujë në çezmë atyre u duheshe të kalonin para dritareve të kaushit tonë, por ishte urdhër i prerë që të mos flisnin me ne. U thoshin se ne ishim armiq, kurse ata ishin ndryshe. Një ditë Murat Traga, pa nga dritarja një njeriun e tij që e kishin burgosur dhe e pyeti përse e kishin arrestuar.
Në atë kohë polici e pa që bisedoi e shau dhe e raportoi te Nauni. E thirrën Muratin te hekurat dhe pas ndonjë ore u kthye duke hequr këmbët zvarrë. Ai kishte trup të madh dhe të fortë por Nauni e kishte rrahur me një shufër të trashë të hekurt. Por çfarë të rrahuri! Gjithë trupi i dhimbte. Kurrizin e kishte vija-vija, si të zebrave dhe u desh shumë kohë, t’i shëroheshin ato plagë.
Nauni praktikonte këtë dhunë për të terrorizuar të burgosurit dhe të rekrutonte për informatorë më të dobëtit, më frikacakët. Kishim në dhomë një boshnjak, e quanin Abdul Hoxha. Ishte njeri i thjeshtë e i sjellshëm, por duke mos pasur familjen në Shqipëri, nuk kishte askush ta ndihmonte. Fillimisht u shty me ca para që kishte kur e arrestuan, por mbas ndonjë viti, ato u mbaruan.
Një ditë Abdulin e thirrën në komandë ku ishte Nauni. Kur më vonë u kthye në dhomë, Abduli ishte zbehur dhe dridhej i tëri sikur ta kishin zënë ethet. U mbulua me teshat që kishte dhe nuk fliste. E pyetëm se çfarë kishte pësuar, por ai thoshte se nuk kishte gjë. Rrinte shumë i mërzitur dhe nuk fliste fare. Dyshuam, menduam që Avdulin e kishte thyer, e kishte detyruar të bëhej informator.
Pas nja dy-tri ditësh atë e bënë kuzhinier të burgut. Qysh nga ajo ditë ai futej në kaush vetëm për të fjetur dhe nuk bisedonte më me njeri. Mundet që ai kishte pranuar nga e keqja, por natyra e tij nuk e lejonte të bëhej spiun, nga kjo arsye ai preu çdo kontakt me njerëzit dhe nuk raportoi njeri.
Këto që thashë janë supozime të nxjerra nga ndryshimi i menjëhershëm i Abdulit pasi e thirri Nauni, për të nuk patëm asnjë fakt, kurse Islami u bë maskara. Veç një gjë është e vërtetë, që në përgjithësi, spiunët nuk i linin gjatë në burg. Si duket u duheshin për të shërbyer më mirë jashtë. Natyrisht këta individë ishin tepër të rrallë në burgun e Vlorës.
Një ndër ta ishte dhe Sh. M. që na kishte edhe pseudonimin “Shelgu”. Ky njeri kishte muhabet edhe me disa nga shokët tanë te të cilët ne kishim besim, si Meçani dhe Qendrua, që bënin llogje me “Shelgun”. Meqenëse ishte i moshuar e thërrisnin xha Sh.
Ky u thoshte shokëve tanë: “Unë jam informatori i Drejtorisë, por jam bërë për të mbrojtur ata që e vlejnë, unë u jap ata që nuk ngrenë peshë dhe nuk i kanë në shënjestra, nuk u bëjnë gjë. E shumta mund të rrahin pak ndonjë si për shembull Spiro Nini, Ramadan Sheri ose Qerim Gunbardhi etj. Këta unë i harxhoj që të shpëtoj nga rreziku të tjerët”.
Këto gjëra ky plak palaço i thoshte pa pikë turpi. Ndodhte që ndërmjet spiunëve të kishte rivalitet se kush do ishte më i besuari i Drejtorisë. Ja se çfarë u kishte treguar një ditë Sh. M., Meçanit dhe Qendros:
Kur vajtëm në Beden, pas dy javësh më thirri komandanti i kampit, Haxhi Pela e më tha:
– “Ti ke pasur lidhje me Drejtorinë në Vlorë”.
– “Si urdhëron”, ishte përgjigjur.
– “Po këtu pse nuk je lidhur me ne”?
– “Prisja të më thërrisnit ju”.
“Mirë, ne duam të na thuash se kush është i rrezikshmi i burgut të Vlorës”.
I burgosuri ishte përgjigjur po.
“Po këtu, pse nuk ka të rrezikshëm”?
-“Oh, ajo është e kollajtë fare, më i rrezikshmi është Z. Rr. (Ky Z.Rr. ishte një spiun i fëlliqur nga fshatrat e Himarës).
“Nuk e njohim”, tha Haxhi Pela.
“Kur të dalim nesër për në punë, unë do të dal me të”.
Dhe ashtu bëri. Z.Rr. e ndaluan tek por kur shkuan për në punë në mëngjes, kur u kthyem e gjetëm të gjakosur e të lidhur tek shtyllat, e kishin rrahur për vdekje, por nuk ngordhi.
Neve u kënaqëm kur e pamë Z. Rr. ashtu, por nuk e kuptonim se si kishte ndodhur që të torturonin një njeri të tyre. Kur xha “Shelgu” tregoi historinë, e morëm vesh kush ia kishte bërë atë rreng. Megjithatë “Pushteti popullor”, i shpërbleu të dy. Xha “Shelgu” filloi punën si kuzhinier, kurse Z. Rr. u lirua pas disa muajve, megjithëse ishte dënuar si agjent i Greqisë.
Çfarë njerëzish kemi hasur nëpër burgje e nëpër kampe! Lloj-lloj natyrash. Kishte nga ata që nuk u trembej syri nga vdekja: kishte nga ata me karakter të hekurt, që asgjë nuk mund t’i përkulte.
Kishte injorantë të ndershëm, kishte intelektualë servilë, kishte njerëz besnikë të zakonit, kishte njerëz llafazanë e ngatërrestarë; kishte nga ata që e mposhtnin urinë si dhe nga ata që për një lugë supë të bënin gjëmën.
Burgu atëherë ishte një shkollë e madhe, një përvojë e madhe, një provë e fortë për natyrën dhe karakterin e njeriut që në kushte të caktuara e zbulon veten në tërë lakuriqësinë e brendshme deri thellë në shpirt.
Te i burgosuri natyra i zhvillon dhe nuhatjen, që ndoshta më parë e ka pasur vetëm në formë latente. Ndoshta që për një gjest të pamatur, një fjalë të papeshuar, një lëvizje pavend, të diktojë njeriun e rrezikshëm, informatorin e pazbuluar që të gjurmonte. Çfarë ishte? Instinkti vetëmbrojtjes? Parandjenjë?
Në burgjet dhe kampet e atëhershme mund të shtireshe për pak kohë, por jeta e vështirë t’i zbulonte të gjitha duke u hequr pak e nga pak kallain, dilte më në fund bakri.
Në verën e vitit 1950, shpunë disa të burgosur (jo me dënime të rënda), për të punuar në hekurudhën Peqin-Elbasan. Ndërmjet tyre edhe Shyqyri Sharrën, që ishte i dënuar me 5 vjet burg më 1946-ën dhe i ngelej edhe një vit për të bërë.
Morëm vesh që Shyqyriu kishte vrarë veten në një mënyrë tronditëse. Një natë kur të gjithë flinin, Shyqua kishte marrë brisqet dhe kishte hapur barkun. Dy brisqe ishin thyer, me të tretin kishte prerë zorrët, bile një copë e kishte hedhur poshtë.
Për të gjithë mbeti një enigmë vetëvrasja e Shyqos, pothuajse në prag të lirimit. Krizë nervash? Depresion psikik? Nuk e morëm dot vesh. Këto janë vetëm disa fragmente të shkurtra nga jeta në burgjet dhe kampet komuniste…! Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016