Nga Vasil Qesari
Memorie.al/ Përmbysja e ngrehinës së madhe totalitare në Shqipëri do të linte pas, jo vetëm ndryshimin e sistemit, shoqëruar me plot shpresa, mirazhe e klithma lumturie por, fatkeqësisht, edhe mjaft plagë, drama, viktima, pluhur, mllefe e zhgënjime nga më të ndryshmet. Dhjetë vjet e më tepër pas asaj ngjarje, e cila tronditi thellë shoqërinë, duke përmbysur tërësisht shumë kode, rregulla e koncepte të mëparshme, njerëzit vazhdojnë endé t’i bëjnë vetes pyetje të tilla, si: Ç’kish ndodhur në të vërtetë në shoqërinë shqiptare, gjatë 50 vjetëve të fundit të diktaturës? Si qe e mundur që sistemi arriti të deformonte gjithçka? Përse njerëzit e kishin pranuar atë? Cila qe logjika totalitare e transformimit të shoqërisë e individit? Si qenë konceptuar e funksiononin strukturat e mekanizmave totalitare: propaganda, policia sekrete dhe ushtrimi i ideologjisë së terrorit? Si ndodhi që ndër mbarë vendet komuniste të Lindjes europiane, Shqipëria të cilësohej përjashtim apo rast i veçantë? Pse Enver Hoxha i qëndroi verbërisht, fanatikisht e gjer në fund besnik Stalinit, duke e kthyer vendin në një burg ku dhuna, frika e spastrimet vazhduan gjer në fund të viteve ’80-të? Pse vendi u izolua çmendurisht, duke i mbyllur njerëzit mes bunkerësh e telash me gjemba? Përse, pra, ndodhën gjithë fenomenet e mësipërme…?! Libri ‘Post-scriptum për diktaturën’, s’pretendon t’u japë përgjigje definitive pyetjeve të mësipërme, apo kompleksitetit të arsyeve që sollën e mbajtën në fuqi pushtetin totalitar në Shqipëri. As edhe të jetë një afresk i plotë, i thellë e i gjithanshëm i jetës e vuajtjeve që përjetuan njerëzit gjatë atij sistemi. Autori i tij, ndofta, ka meritën që bashkë me shikimin retrospektiv të periudhës totalitare si dhe zellin e një analisti të pasionuar, është përpjekur të kthejë edhe një herë kokën mbrapa, për të dhenë jo vetëm kujtimet e opinionet e tij personale, por dhe për t’i u rikthyer dhe një herë vizionit të asaj epoke me filozofinë e thjeshtë të ruajtjes së Memories e mbështetjes së Apelit për të mos harruar kurrë maksimën e njohur, se…kadavrës vazhdojnë t’i rriten thonjtë e flokët edhe pas vdekjes! Dhjetë vjet e më shumë pas përmbysjes së madhe, libri në fjalë ka vlera aktuale e shpresojmë të vlerësohet nga lexuesi sepse, siç shprehet edhe një studiues shqiptar…e keqja më e madhe që mund t’i ndodhë një populli, vjen atëherë kur ai nuk arrin të bëjë analizën e së kaluarës së vet. Një popull amnezik është i detyruar të jetë vazhdimisht neuropatik e të përsërisë përvojat e tij të dhembshme…!
SFINKSI MISTERIOZ I KRIMIT
Në Vlorë, selia e Sigurimit të Shtetit, ndodhej e fshehur diku në të dalë të qytetit. Hija e nami i asaj ndërtese, rrethuar nga të katër anët me mure të lartë, qe aq të frikshme sa që njerëzit, kur kalonin përbri, instinktivisht i hidhnin këmbët me nxitim e plot ankth. Brenda mureve të saj rrethues, arrije të shihje vetëm kulmin e një çatie të stërmadhe mbuluar me tjegulla të kuqe Marsejeza e, pak më tutje, në të djathtë, tarracën e qelive të izolimit, plot tela me gjemba. Asgjë më tepër..! Vetëm ata që kishin kapërcyer atë prag, (e që kishin pasur punë aty) mund të tregonin se ç’kish e ç’ndodhte brenda asaj fortese të heshtur e misterioze. Netëve, dritat aty qëndronin vazhdimisht të ndezura, ndërsa ditën, dera e madhe dhe e hekurt, hapej vetëm kur hynin e dilnin “Jeep”-et famëkeqe të Sigurimit. (Në fillim, “Gaz”-et sovjetikë e, më pas, “Xing Fu”-të kineze). Por, natyrisht, njerëzit e Sigurimit, nuk qëndronin vetëm të mbyllur nëpër zyra. Sepse, puna e tyre konkrete zhvillohej mes njerëzve. Ata ishin në çdo qelizë të shoqërisë. Në çdo qendër pune. Në çdo familje. Tek çdo individ. Kudo ku jetohej e punohej…! Ishte kjo arsyeja pse, askush, nuk mund ta quante veten të mbrojtur, të përjashtuar apo të pa depërtueshëm nga sytë dhe veshët e Sigurimit.
Sigurimi i Shtetit…!
Mjaftonte, thjesht, prononcimi i emrit të tij që, kushdo, të ndjente brenda vetes një ndjenjë të menjëhershme frike e dyshimi. Një lloj dridhje, një vibracion të çuditshëm adrenaline, përzier me një instinkt vetëmbrojtje të dëshpëruar. Një ndjenjë të shoqëruar me frikën e dyshimin se, ndofta, edhe ti kishe bërë diçka, gjë e cila mund të shërbente si shkak për survejim.(Mos vallë aty, në zyrat e tij të ftohta e të errëta, kishe edhe ti një fletë denoncimi a dosje? Apo, më keq akoma, mos vallë ishe në listat e arrestimit? Në radhën e njerëzve të dyshimte e të rrezikshëm) Sepse, Sigurimi, siç shprehej edhe populli, të bënte Gjëmën. Goditja e Helmit të tij, qe e menjëhershme e vdekje-prurëse. Njëlloj si ajo e ‘KOBRES’. Ai qe Syri Vigjilent i Partisë
Nenë kontrollin e tij, jeta e përditshme i ngjante një gjendje shtet-rrethimi e cila ndillte jo vetëm frikë, por edhe mosbesim ndaj kujtdo. Ish kjo arsyeja pse, kushdo, mundohej të bënte një jetë sa më të tërhequr e të mbyllur. Rrjedhimisht, edhe shoqëritë e vizitat ishin të pakta e të kufizuara, kryesisht mes miqsh e shokësh intimë apo mes lidhjesh të vjetra e të qëndrueshme të krijuara në rrethe familjare a në kushte të tjera të veçanta. Miqësitë e reja shiheshin vazhdimisht me dyshim. Sepse, askush s’do të donte të binte në kurth e të kalbesh në burg, ashtu siç kish ndodhur me shumë të tjerë. (Nga sinqeriteti naiv a besimi i tepruar tek shoku, fqinji a kolegu i punës). Sepse, Sigurimi, qe i pranishëm kudo. Ai përgjonte çdo pëshpërimë. I organizuar në mënyrën më diabolike, atij s’i shpëtonte asnjë lëvizje a fjalë, asnjë opinion, asnjë rrëfim, ide a mënyrë të menduari…!
Në rrethana të tilla, të shtypur e të kolonizuar brenda vetes, njerëzit kishin humbur çdo lloj shprese për të gjetur rrugëdalje. Rrjedhimisht, heshtja e mbyllja në vetvete, qenë edhe karakteristikat kolektive të shoqërisë. (Bisedat e pakta intime kryheshin vetëm midis dy vetash ). Të deklasuarit, të cilët qenë të ndërgjegjshëm se përgjoheshin hap pas hapi, kishin ndërtuar një sistem vetëmbrojtjes të sofistikuar. Në kohën e lirë, bie fjala, për t’i u shmangur bisedave provokuese, nga të cilat mund të kishin pasoja të rënda, ata u përkushtoheshin interesave në fusha të tilla, ku mundësia e implikimeve apo e rrënjës në kurth, ishin më të vogla. Kam pasur rastin të njoh mjaft prej tyre, që, pikërisht për këto arsye, praktikonin hobby apo sporte të ndryshme. Në qytetin tonë, për shembull, ish-futbollisti i njohur S.I, për vite të tëra i qe përkushtuar studimit të teorisë e taktikës së futbollit, mjeku stomatolog me orgjinë armeniane B.J., e kalonte kohën e lirë duke ushtruar sportin e notit, xheneriku i parkut A.XH., për çdo fund jave shkonte në Jonufër për peshkim, disenjatori L.K., merrej me peizazhe e pikturë etj.
Por, me gjithë sistemin e kujdesshëm të vetëmbrojtjes, arrestimet nëpërmjet denoncimeve apo dëshmive të rreme, ( apo, qoftë edhe për një fjalë të vetme të shprehur në kundërshtim me politikën e Partisë ), ishin më se të rëndomta e çonin drejt burgjeve e kampeve të punës, me qindra e qindra njerëz…!
Viti 1972, arrestimet e dënimet politike në Skrapar…!
Isha mësues në Çorovodë të Skraparit…! Qe krejt rastësisht, si edhe për herë të parë, që ndiqja një proces gjyqësor politik. I akuzuari ishte P.L., një beqar 50 vjeçar me profesion teknik ndërtimi. Gjatë një stërvitje ushtarake, ai i kish rrëfyer në intimitet një miku se, armatimet perëndimore ishin shumë më tepër moderne se sa ato të Ushtrisë Popullore Shqiptare. Natyrisht, aq kish mjaftuar që, atij, t’i hidheshin menjëherë hekurat.
E ndoqa procesin nga fillimi në fund. Qe revoltues, i montuar, qesharak e, mbi të gjitha, tepër tragjik. Gjykatësi, një djalë i ri, s’arrinte dot të mbështeste me fakte akt – akuzën dhe i ndërsehej, të gjorit, duke i recituar citate kërcënuese nga fjalimet e Enverit. Përfundimisht, me tri dëshmi të sajuara, ish-tekniku i ndërtimit, u dënua me 8 vjet burg për agjitacion e propagandë. Përveç akuzës së mësipërme, gjatë procesit, ndër të tjera, ai u cilësua armik edhe për mëkatin se kish mbaruar shkollën teknike të Kavajës e cila, në vitet ’30, pat qenë ngritur e drejtuar nga amerikani Harry Fultz. (Harry Fultz, cilësohej nga regjimi komunist si një spiun tepër i rrezikshëm i cili paskësh rekrutuar në shërbimet e agjenturave të huaja, pjesën më të madhe të nxënësve të asaj shkolle).
Ai vit, në Çorovodë, paskësh qenë taksur për arrestime. Nuk kaluan pak muaj kur, nenë akuzën për agjitacion e propagande, u fut në burg edhe farmacisti i vetëm i qytetit, një minoritar i quajtur K.P. Pas tij, e pati radhën arsimtari minoritar S.Z., nga Gjirokastra, e më vonë, L.D., inxhinieri i Fabrikës së Pijeve Alkoolike. (Prindërit e të cilit e kishin lenë qysh të vogël e qenë arratisur fill mbas çlirimit nga Vlora në Itali. I shkëlqyer në mësime, ai kish mundur të siguronte një të drejtë studimi e kish mbaruar studimet e larta për Kimi. Pastaj, prej shumë vitesh, ish emëruar aty ku dhe jetonte vetëm e beqar i kaluar në moshë) Çorovoda, aso kohe, qe një qytezë tepër e trishtueshme, e zymtë dhe e frikshme.
Pothuajse, një vend tipik internimi. Në krahasim me numrin e popullsisë e mungesën e veprimtarive prodhuese, aty kish një prezencë të madhe e të tepërt intelektualësh të specialiteteve të ndryshëm. Në fakt, arsyeja e ndodhjes në atë humbëtirë, qëndronte gjetkë. Pjesa më e madhe e tyre bënin pjesë në kategorinë e njerëzve me njolla në biografi. Ata qenë emëruar apo transferuar në atë qytezë – burg, thjesht për t’u izoluar e për t’i kaluar vitet e rinisë në një lloj internimi, ose për të qenë nenë kontroll e për t’u survejuar sa më mirë nga Sigurimi.
Por, s’ishin vetëm të deklasuarit që binin rëndom viktima. Askush, s’kish siguri se mund të mbetej jashtë rrjetës së dyshimit, përgjimit e ndëshkimit të Sigurimit. Askush, pa përjashtim. Edhe njerëzit më të besuar…!
Një mbasdite vere, ndodhesha në zyrën e një kuadri të Komitetit të Partisë të rrethit të Vlorës. Ish viti 1989 e, ca për hir të të ashtuquajturit demokratizim të jetës së Partisë e, ca nga një farë konfidence, diskutimi ynë mbi disa tema delikate, dukej se u zhvillua më lirshëm. (Qe periudha e pluralizmit të mendimeve të lançuar nga Ramiz Alia. Kjo, kish bërë të mundur që në raste të veçanta e në intimitet, mund të flitej shkarazi edhe për ca tema, të cilat më parë konsideroheshin me zarar) Personi në fjalë, sapo qe kthyer nga një udhëtim në Francë, ku kish shoqëruar Grupin Polifonik “Labëria” e, ndër të tjera, po më tregonte se s’e priste e qe befasuar nga nderimi që në atë vend, u bëhej dëshmoreve të Rezistencës Antifashiste.
“Jo vetëm në qytete, por dhe në çdo fshat – tregonte ai – ne pamë përmendore, lapidarë e pllaka përkujtimore në nderim të tyre. Ato ishin vazhdimisht me kurora e tufa lulesh. Kjo gjë më ka habitur së tepërmi, nga që besoja se vetëm në Shqipëri, dëshmorët nderohen më shumë se kudo, me lapidarë, monumente e festa përkujtimore”. Pastaj, biseda, pas ca pyetjeve të mia tërthorazi, u zgjerua edhe në fusha të tjera të jetës së atij vendi kapitalist. Kuadri i Komitetit të Partisë, P.P., nisi të flasë për rregullin e pastërtinë në qytete, zhvillimin e bujqësisë, për fushat me drithëra e kodrat me vreshta. Pas pak, papritmas, si i zgjuar nga gjumi, ai u shkund nga patosi i tregimit dhe heshti.
– “E di ti, që në një farë mënyre, kjo që bëj unë është propagandë për një vend kapitalist”? – tha pas një pauze të shkurtër, me një ndjenjë pakënaqësie në fytyrë. Pastaj, duke ngritur sytë lart nga tavani i zyrës, shtoi pranë veshit tim, me zë të ulët: S’janë muhabete për këtu, këto që bëj…! Më mirë flasim ndonjë herë tjetër. Do pimë një kafe diku…! Sepse, e di? S’i dihet? Bën vaki që në zyrën time të ketë përgjues…!
Përgjues? Këtu…? Në zyrën tende? – shtanga unë.
“Po! Po…”! Mos u habit! – shtoi ai.
Heshta e nuk bëra asnjë koment. Pas pak, gjeta një pretekst e dola. Të përgjohej me mikrofona, Komiteti i Partisë…?! Jo! Kjo qe e pa pabesueshme! Sigurimi, arma e dashur dhe besnike, të përgjonte kokën, trurin dhe zemrën e saj? Padronin që e kish krijuar e që i shërbente verbërisht? (…Atë çast, më erdhi në mend shprehja e njohur e Tol francezit, të cilin gjithë vlonjatët e mbanin për budalla, por që nuk gabohej, kur thosh: Këtu tek ju, në Shqipëri, ka Sigurim por ka edhe Mbi-Sigurim…)
Në fakt, P.P., kish të drejtë. Ai i dinte gjërat me rrënjë…! Disa vjet më vonë, më 1996-ën, atëherë kur sistemi totalitar kish kohë që e kish ngrënë (siç shprehet populli), dhe kur shumica e operativëve e bashkëpunëtoreve të ish-Sigurimit të Shtetit, kishin ndryshuar profilin e punës së dikurshme e qenë bërë biznesmenë, shitës çikërrimash, skafistë, kontrabandistë, trafikantë, agjentë të firmave piramidale e pse jo dhe të
SHIK-ut, takova rastësisht njërin prej tyre. Ish një djalë nga veriu, F. G., të cilin e njihja së largu, qysh kohë më parë. Mbi trotuar, të ndodhur për koincidencë përballë ndërtesës së dikurshme të Degës së Punëve të Brendshme, ku ai kish hapur një kafene, i bëra pyetjen e mëposhtme:Po munde, më thuaj diçka për të cilën kam dyshuar, por se kam besuar…! A qe e vërtetë, se, aso kohe, ju përgjonit edhe kuadrot më të larta të Partisë? Bashkëbiseduesi u vu në siklet. Megjithatë, pas një buzëqeshje të trishtueshme, tha: “Po deshe, mos më bëj pyetje, për atë kohë. As për punën që kam bërë…”!
Të lutem! – këmbëngula – Është vërtet mister. Jam shumë kureshtar…! Ish-operativi i Sigurimit, më në fund, u dorëzua. Pata përshtypjen se, edhe pse në fillim u tregua mohues e kategorik, diçka e brendshme e shtyu të flasë: “Po, është e vërtetë! – pohoi ai – Bile, ajo punë për ne u bë edhe më e lehtë, atëherë kur nga Kina erdhën një sasi magnetofonash përgjues në miniaturë. Tani s’përben më ndonjë sekret, prandaj po të them se, me aparate të tillë, kemi përgjuar bile edhe sekretarin e parë të Komitetit të Partisë. Ndërsa, një gazetari lokal të cilin ti e njeh mjaft mirë, arritëm t’i a vendosim përgjuesin brenda në vatat e xhakaventos. Kësisoj, përveç bisedave të riregjistruar, të cilat ishin me interes për punën tonë zbuluese, ne dëgjonim dhe çdo dialog intim që zhvillohej në familjen e tij”.
Misteret e Sigurimit të Shtetit…?!
Askush, gjer më sot, edhe pse kanë kaluar mbi dhjetë vjet e më tepër nga shpërbërja e shtetit totalitar, s’ka arritur të bëjë autopsinë e plotë të asaj ‘hidre helmuese’. Në vitet e para të euforisë post-staliniste, shumëkush shpresoi se, ndofta, ndonjë sigurims i penduar, do merrte guximin të bënte publike, nëpërmjet botimit të një libri (qoftë dhe në mënyrë anonime, siç ka ndodhur në mjaft vende të ish-bllokut komunist), strukturën, organizimin, funksionimin e veprimtarinë e plotë të tij.
Por me kot…!
Tentativa e parë, (e kjo ndodhi atëherë kur regjimi ishte ne agoni) për të hedhur pakëz dritë mbi labirintin e krimeve të Sigurimit ishte, ndofta romani ‘Thikat’ i Neshat Tozajt. Ai u botua një apo dy vjet para ndryshimit të sistemit në Shqipëri dhe trajtonte arbitraritetin e brutalitetin e policisë sekrete (natyrisht në gjininë e fiction-it). Pas tij, vijuan të botohen disa libra me kujtime nga vuajtjet në burgjet e kampet, të shkruara kryesisht nga ata që përjetuan represionin komunist.
Asgjë më tepër…! Asnjë botim, vërtet i plotë. Asnjë tentativë serioze për t’i bërë autopsinë murtajës. Megjithatë, mund të thotë lexuesi i këtyre radhëve, për këto gjëra është folur e shkruar jo pak… Por, aq sa është folur e shkruar gjer më sot, është vërtet shumë pak ! Qoftë edhe thjesht për të qetësuar shpirtrat e dhjetëra e dhjetëra mijëra viktimave, që nuk dihet se ku i kanë varret. Pa folur pastaj, për mungesën e hedhjes dritë në mënyrë të thellë e të plotë, mbi një nga mynxyrat më të zeza të historisë shqiptare…!
Megjithatë, nga botime e burime të ndryshme, pjesa me e madhe e të cilave të huaja, arrijmë të mësojmë disa hollësi, për të cilat nuk jam i sigurt, në se gjer tani është shkruar. Kështu, për shembull, bëhet e ditur se Sigurimi i Shtetit Shqiptar kish një efektiv prej më se 20.000 oficerësh ose, siç quheshin ndryshe: operativë. Nga ana tjetër, çdo oficer i tillë, kish një rrjet informatorësh të fshehtë prej 10-15 vetash, pa përfshirë ata me pagesë, të cilët përgjonin e grumbullonin informacion, në çdo vrimë të jetës shqiptare. Në radhët e bashkëpunëtorëve të Sigurimit, zakonisht, rekrutoheshin tri kategori të caktuara individësh: Më të besuarit, të cilët, përgjithësisht, rridhnin nga familje tejet të pastra komuniste, paguheshin me rrogë mujore e kryenin misione speciale. Vullnetarët, që informonin pa shpërblim. (Thjesht, për të ndihmuar Partinë në zbulimin e armiqve). Informatorët me biografi të keqe, pjesa më e madhe, të rekrutuar nga frika e presionet. Por, shumë edhe vullnetarisht, me shpresën se, duke i shërbyer Sigurimit, do të mund të merrnin frymë më lirisht, do të mund të jetonin pa telashe, e pse jo, mund të shiheshin edhe me sy më tolerant nga regjimi.
Aktualisht, nuk dihet zyrtarisht se sa ka qenë numri i njerëzve që kishin dosje e fisha sekrete, në kasafortat e Sigurimit. Për këtë, gjithë qeveritë e deritanishme në Shqipëri, të djathta a të majta, çuditërisht kanë mbajtur heshtje të plotë. Një heshtje misterioze e të pashpjegueshme. Megjithatë, një gjë është e sigurt. Edhe për dyshimin më të vogël, edhe për sinjalizimin më ordiner, edhe për informacionin më absurd, në zyrat e Sigurimit mbahej shënim e hapeshin dosje. Është folur, bile, se kanë ekzistuar bile edhe lista të zeza me emra personash, të cilët konsideroheshin si kontingjent rezervë e potencial real i armikut. Sipas udhëzimeve, individë të tillë, në rast emergjence, duhej të eliminoheshin fizikisht, me urgjencë e pa më të voglin hezitim…! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016