Nga Vepror Hasani
Pjesa e dytë
Memorie.al / E kishim lënë të takoheshim në një nga lokalet e Korçës. Pashë që ai po vinte me “Kadillakun” e tij, (kështu e quante ai biçikletën), më të cilën del çdo ditë…! Pasi porositëm, “Mjeshtri i Merituar i Sportit”, Teodor Vaso, i dekoruar me ‘Medaljen e Artë’ – për merita të shquara në sport-, futbollist nga vitet 1957-1973 dhe trajner nga viti 1973 e deri më sot, nisi të më rrëfente një nga historitë e tij të futbollit: “Gjithçka për qëndrimin tim në ekipin e ‘Partizani’-t ose jo, kishte mbetur në dorë të gjeneralëve…” nisi të më tregojë ai.
Rrëfimi i “Mjeshtrit të Merituar të Sportit”, legjendës së futbollit, Teodor Vaso
“Më në fund isha kthyer në Korçë…! Gjatë kohës që studiova në Tiranë në shkollën profesionale të Rezervave të Punës luajta me ekipin e “Dinamo”-s dhe me të rinjtë e “17 Nëntori”-t. Tashmë prisja të merrja pjesë në ndeshjen e parë me ekipin e Korçës. “Skënderbeu” do të ndeshej me skuadrën polake “Odra Opole”. Ishte data 13 dhjetor i vitit 1959. Nuk isha i sigurt nëse kisha bërë mirë që isha larguar nga “Dinamo”, por sido që të ishte, “Skënderbeu” kishte mbetur një ëndërr e madhe për mua.
Megjithatë, ndjeja një farë ankthi dhe shqetësimi. Doja të dija si do të ishte prezantimi im i parë me skuadrën e qytetit tim. A do të mundeshim ne që t’u rrëmbenin fitoren edhe skuadrave më të mëdha të vendit. Ndërsa i mendoja të gjitha këto, nuk e dija se do të ishte “Skënderbeu” ai që do të bëhej shkak për dënimin e “Partizani”-t që lojtarët e saj të ktheheshin më këmbë në Tiranë, sepse e kishin humbur ndeshjen me Korçën, ashtu sikurse nuk e dija që disa vjet më pas, unë do të bëhesha pjesë e ekipit të madh të ‘Partizanit”.
Shqetësim
Ndeshja me skuadrën polake kishte filluar dhe “Skënderbeu” luante me tre përforcime: me Lin Shllakun, me Stavri Lubonjën dhe me Telin e Lushnjës, i cili do të zëvendësonte në pjesën e dytë portierin korçar, Raqi Piskun. Loja po ecte mirë. U shënuan tre gola njëri pas tjetrit. Polakët mundën ta preknin rrjetën vetëm një herë. Megjithatë, trajnerët më nxorën për nxehje. Më nxorën për nxehje, por në të vërtetë më harruan atje te fusha e basketbollit, e cila shtrihej afër shkallëve të stadiumit, aty në hyrje të tij.
Kaluan gati 30 minuta dhe unë isha sërish aty duke bërë nxehjen, i veshur me uniformë, i gatshëm për të hyrë në lojë. Rezultati do të vazhdonte të ishte 3-1 për Skënderbeun dhe kështu do të përfundonte. Dy gola u shënuan nga Lubonja dhe një nga Kosta Koça. Gjithsesi, nuk po e kuptoja dot, kur nuk kishin ndërmend të më fusnin në lojë, përse më kishin nxjerrë për të bërë nxehjen? Atë çast më kapi një trishtim i thellë. Mos vallë kisha bërë gabim që kisha lënë “Dinamo”-n dhe isha kthyer në qytetin tim? Mos vallë kishin të drejtë ata që thoshin se futbolli i vërtetë luhet vetëm në kryeqytet? Tirana kishte qenë shumë e ngrohtë për mua, ndërsa këtu në Korçë bënte mjaft ftohtë. Për herë të parë pyeta seriozisht veten: “Vaso, mos ke gabuar që e le Tiranën”?!
Gjithçka që po ndodhte me mua po më dukej e pabesueshme. Vetëm tre muaj më parë, në ndeshjen e fortë “Dinamo” – “17 Nëntori”, trajneri novator dhe moderator Mysliam Alla më dha rolin e mbrojtësit të majtë, ku luajta përkrah titullarëve të ekipit kombëtar: Skënder Halili, Fatmir Frashëri, Pavllo Bukoviku etj., kurse këtu në Korçë më nxirrnin për nxehje dhe më harronin! Dy skuadrat e mëdha ushtarake “Partizani” dhe “Dinamo” ishin të pamposhtura. Sa herë ndodhte që këto skuadra të shënonin humbje, shqetësimi shkonte deri në kupolën e Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Brendshme. Alarmoheshin të gjithë. Kështu do të ndodhte edhe kur “Partizani” do të humbiste me “Skënderbeun”.
Kthimi në Korçë
Por unë isha kthyer në Korçë sepse e doja qytetin tim. Ndërsa vazhdoja të bëja nxehjen nisi të më kujtohej çasti i ndarjes me “Dinamo”-n. U takova me gjithë miqtë e mi të vjetër. Usta Zini Gjinalit, duke e falënderuar përzemërsisht, i thashë se po largohesha për arsye ekonomike. Ai më vështroi i menduar dhe pastaj më tha: “Megjithatë, besoj se do të kemi lidhje të tjera në të ardhmen dhe më dha dorën, njësoj sikur të më thoshte: “Kryeqyteti nuk do t’u lërë për shumë kohë në qytetin tuaj të lindjes”.
Ardhja ime në Korçë u kushtëzua edhe nga një ngjarje tjetër: më 16 mars të vitit 1958, ditën kur do të zhvillohej ndeshja “Dinamo” – “Skënderbeu”, u ndodha në stadiumin e Korçës. E kam ndjekur me shumë trishtim atë ndeshje. Kur ndeshja ishte në përfundim e sipër, gjyqtari Izet Cani dha një penallti në favor të ekipit të “Dinamo”-s. Gjithkush që ishte në stadium mbeti i befasuar. Vendimi që kishte marrë ai ishte tejet absurd. Nuk kishte pasur asnjë lloj shkeljeje dhe as një prekje fizike mes lojtarëve. Megjithatë, penalltia ishte dhënë. Lojtarët e “Dinamos” e morën topin, e vendosën në pikën e 11- metërshit dhe e gjuajtën…!
Ndeshja u anulua, por unë pata fatin të shihja edhe përsëritjen e ndeshjes së anuluar. Përsëri pësova një zhgënjim të madh. Ndeshja përfundoi me rezultatin 5-0. Fitoi “Dinamo”. Ndoshta kishte qenë ky çast, kur unë kisha marrë vendimin që të luaja me “Skënderbeun”. Megjithatë, tashmë që po bëhesha pjesë e ekipit të “Skënderbeu”-t, nisa të zbuloja se mes lojtarëve kishte ekzistuar ambicia, xhelozia, mëria dhe vogëlsira të tjera që nuk kishin bërë gjë tjetër veçse, kishin errësuar shkëlqimin e mozaikut të skuadrës. Fenomene të tilla nuk kishte pasur kurrë me ekipet e moshave, ndërsa te të rriturit ishte shfaqur një frymë ndryshe…! Grindja, që kishte lënë pas një krisje të dukshme kishte qenë ajo që kishte ndodhur pas ndeshjes me Kuçovën.
“Skënderbeu” kishte humbur 3-2. Gjithçka kishte ndodhur për shkak të delireve që kishte mbërthyer skuadrën në kampionatin e vitit 1957, kur “Skënderbeu” do të zinte vendin e tretë. Vetëm një gjë të tillë nuk do ta dëshiroja kurrë për ekipin tim. Angazhimi im fizik dhe moral ishte tërësor. Me edukatën e stërvitjeve që e kisha fituar në klubet e kryeqytetit, vazhdoja të qëndroja në krye të stërvitjeve, madje isha nga të rrallët që punoja individualisht. Këtë edukatë pune e kisha marrë edhe gjatë kohës kur stërvitesha me atletikën. Ëndërroja një skuadër të madhe. Megjithatë, prisja aktivizimin e parë me skuadrën e qytetit tim.
Lojtarët
Gjithsesi, dekada e viteve 1960-1970 do të sillte një përfaqësim e një performimi të ri të vlerave të skuadrës. Në të vërtetë, prurjet e reja ndodhën gjatë vitit 1959. Futbollistët u përzgjodhën nga ekipi i të rinjve të “Skënderbeu”-t. Një vit më parë, më 1958-ën, ata kishin fituar titullin kampion. Në ekipin e “Skënderbeu”-t tashmë kishin ardhur Aleko Pilika, Maksim Tuxhari, Dhori Dhami, Vangjush Samarxhi, Vangjush Bicolli etj. Aleko Pilika kishte luajtur qendërmbrojtës me të rinjtë e Korçës, kurse me të rriturit, do të luante qendërsulmues. Një qendërsulmues i tillë për Korçën po vinte pas 20 vjetësh.
Askush nuk kishte mundur të zinte vendin e qendërsulmuesit famoz, Teli Samsuri që kishte luajtur 20 vjet më parë. Ata që i kishin parë të dy tregonin me ëndje se Pilika ishte një shëmbëlltyrë e të madhit Aristotel Samsuri. Në librin “Historia e kampionateve të Shqipërisë”, (libri 5, fq, 166-167), Besnik Dizdari shkruan: “Ndërkohë bëjnë pagëzimin e tyre dy firma të mëdha të së ardhmes: Fatmir Frashëri i “17 Nëntorit” dhe më pas mbrojtësi emblemë i klubit kryeqytetas dhe i kombëtares së Shqipërisë, si dhe Aleko Pilika i “Skënderbeu”-t të Korçës, padyshim një nga talentet më të spikatur të futbollit shqiptar.
Debutimi i parë i Aleko Pilikës u shënua javën e parë të kampionatit, më 22 mars të vitit 1959, duke zëvendësuar në lojë Ëngjëll Dvoranin, në një ndeshje në Elbasan. Një javë më vonë, në Korçë, “Skënderbeu” mposhti “Vllazninë” me 3 gola të shënuar nga Gaqo Strati, Kosta Koça dhe Aleko Pilika, duke inauguruar kështu për herë të parë, prekjen e rrjetës në një ndeshje kampionati. Po në librin “Historia e kampionateve të Shqipërisë” (faqen 181), Besnik Dizdari shkruan: “Futbolli, përmes fitores korçare, kishte konfirmuar edhe një herë talentin e qendërsulmuesit 18-vjeçar Aleko Pilika, i cili shënon qysh në minutën e parë”.
Ishte fitorja 2-1 në Korçë, kundër Kavajës. Pilika e mbylli kampionatin e vitit 1959 përsëri me gol, të shënuar në ndeshjen e fundit në Vlorë, ku “Skënderbeu” u mund 4-1. Përfundimisht, Pilika bëhet titullar i ekipit të Korçës dhe mbetet i tillë deri në përfundim të karrierës së tij, pas 13 vitesh aktivitet si lojtar. Në vitin 1962, Pilika shkoi të luante me ekipin e “Dinamos”. Ndërmjet shënuesve të golave: G. Strati, Xh, Mborja, K. Koça, E. Dvorani, Z. Çela dhe M. Tuxhari, Pilika është golashënuesi më i mirë.
Ekipi i “Skënderbeut”
Në prill të vitit 1959, në ekipin e “Skënderbeu”-t u shfaq edhe një sulmues tjetër i talentuar: Maksim Tuxhari. Luajti për herë të parë në ndeshjen e javës së tretë në Kavajë, ku Korça u dorëzua me rezultatin 2-0. Pas një dëmtimi, Tuxhari, do të rikthehej të luante në 11-en korçare në Tiranë, kundër “17 Nëntori”-t, më 8 nëntor 1959. Ndeshja përfundoi 2-0 për “Tiranën”. Maksimi e filloi lojën e tij me të rriturit si sulmues krahu. Në ndeshjen e parë të vitit 1960 kundër “Traktori”-t të Lushnjës, në fazën kualifikuese për kategorinë e parë, qendërmbrojtës rifilloi Petro Milo, i cili ishte shkëputur në vitin 1958, pas asaj ndeshjeje në Kuçovë.
Kështu që për mua trajnerët gjeten si rrugëdalje kalimin tim nga mbrojtës në mesfushor. Pas katër ndeshjesh, Petro Mile u largua për shkak sepse pësoi dëmtime në gju. Në ndeshjet e tjera të kampionatit të vitit 1960, në qendër të mbrojtjes do të luante kapiteni i ekipit, Xhuvi Mborja, i cili do ta mbyllte karrierën e tij futbollistike po atë vit. Ai ishte njeriu model i kolektivit. Zgjidhi me aftësi ngërçin e krijuar për rolin e qendërmbrojtësit. Megjithëse ekipi korçar kishte shumë mbrojtës, asnjë prej tyre nuk u përshtat të luante në atë rol. Pikërisht në këtë kohë, në fillim të viteve 1960, u larguan nga “Skënderbeu” lojtarët: Raqi Sholla, Gaqo Strati, Raqi Topuzi, Raqi Pisku, Xhuvi Mborja, Zhani Pilika, Maqo Prodani dhe pak më vonë Aleko Deli, Niko Kole, Petraq Toshi, Viktor Prodani etj.
Ndeshja me Lezhën
Ndeshjen e parë jashtë Korçës e bëra në Lezhë, fill pas asaj që u bë me këtë ekip në Korçë. Nuk kisha luajtur asnjëherë në mesfushë. I praktikuar si mbrojtës (qendre) më duhej të përshtatesha me kërkesa të reja. Përgatitja fizike më krijonte mundësi të kryeja një volum të madh pune në ndihmë të sulmit dhe të mbrojtjes. Faktikisht, me detyra të veçanta, me kërkohej të forcoja mbrojtjen në qendër, por edhe të mbështetja sulmin. Duke qenë se mbrojtësi, kryesisht është i përgatitur për shkatërrimin e aksioneve, në rolin e ri duhej e kundërta. Në këtë aspekt shihja se duhej të rrisja nivelin teknik.
Në ndeshjen e dytë, të vitit 1960, në Lezhë, pas pësimit të golit, trajneri më ngarkoi me detyrën për të eliminuar ndikimin e sulmuesit lezhjan Kraja. Gazeta “Sporti Popullor” i datës 14 shkurt, 1960, shkruante: “Kraja që u dallua në pjesën e parë për shënimin e golit të barazimit, nxirret jashtë nga fusha për qëndrim aspak të mirë kundrejt Vasos”. Ndeshja u mbyll 1-1. Ne u kualifikuam për ndeshjet pasardhëse. Do të luanim dy ndeshje me Lushnjën në fushat respektive. Gjysmë goli i shënuar në ndeshjen e parë të karrierës sime me të rriturit e “17 Nëntorit”, u pasua nga goli i parë me “Skënderbeun”, i shënuar në ndeshjen e parë me Lushnjën në Korçë. Lushnja u dorëzua në të dy ndeshjet: e para përfundoi 2-1 dhe e dyta me rezultatin 4-0 në Lushnjë.
Ndeshjen e parë ndërkombëtare me Korçën e luajta kundër “Admiraltejec” të Leningradit. Miqtë fituan në Korçë 1-0. Për këtë ndeshje “Sporti Popullor” shkruan: “Shyqëri Reli (qendërmbrojtës), kishte ardhur përforcues së bashku me trajnerin Zihni Gjinali, të dy të “Dinamos”, me dy mbrojtësit dhe sidomos Vaso e Zhani Pilika, tregohen gjithmonë të gatshëm dhe të kujdesshëm”. Trajneri sovjetik pranë FSHF-së, M. M Lukshinov, në nëntor të vitit 1960, në gazetën “Sporti Popullor” shprehet: “E gëzueshme për futbollin shqiptar është se ka dalë me mjaft të rinj: Halili, Pano, Bushati, Frashëri, Dingu, Pilika, Vaso, Mema, etj., që janë një e ardhme e mirë për futbollin tuaj”.
Ai kishte parë ndeshjet e mia si mesfushor me “Admiraltejec” dhe një ndeshje me Beratin në Korçë. Në “Sporti Ppopullor”, shkruhet: “Në minutën e 5-të janë përsëri korçarët që sulmojnë, por nga e majta, futbollisti vendas Vaso, gjuan në befasi 30 metra larg, por Karaj tregohet përsëri i mprehtë dhe me një planzhon të bukur vihet në zotërim të topit”. (dt. 4 maj, 1960)”.
“Skënderbeu” me të mëdhenjtë
Nëse në vitet 1945-‘57 ishte ngjarje e madhe të merrje një pikë me të mëdhenjtë e futbollit shqiptar, në vitet ’60-‘63, “Skënderbeu” fiton edhe në Tiranë. Fillon epoka, kur “Skënderbeu” u merr vazhdimisht pikë skuadrave të kryeqytetit. Gjatë kampionatit të vitit 1947, Korça me emrin “Dinamo”, ka dy barazime: 1-1 me “Partizani”-n në Korçë dhe 2-2 në Tiranë me “17 Nëntorin”. Një fitore e pastër me “Dinamon” është fitorja e parë që nga viti i krijimit të “Dinamos” më 1950. Ndeshja “Dinamo”- “Skënderbeu”. “Dinamo” ka mundësi të barazojë, nuk ia arrin dot qëllimit…. sepse Vaso, Leno, Dhami, urë-lidhja midis mbrojtjes dhe sulmit dhe gjithë të tjerët impenjohen me shumë dhe kanë një mënyrë goditjeje topi në baltë më praktike se vendasit” (Gazeta “Sporti Popullor”, dt. 13.02.1963).
Ndeshja përfundoi 1-0. Radha për humbje i erdhi “Partizani”-t. Skifter Këlliçi te: “Historia e Futbollit”, (fq. 105) shkruan: “Dhe ja, në ditën e 13-të, korçarët u rrëmbejnë pa ceremoni 2 pikë kampionëve”. Rezultati 1-0. Ky rezultat befasues krijoi një legjendë. U bë legjendë, sepse rrëfyesit e kësaj ngjarjeje u bënë të shumtë. “Partizani” humbi ndeshjen në Korçë, pikërisht atë vit kur u bë kampion në vitin 1957, por “Partizani” humbi 1-0 në Korçë dhe më 1963-in si kampion i një viti më parë. Rrëfenja e çuditshme thotë se, kalimtarë të rastit kishin parë lojtarët e “Partizani”-t të lavdishëm, duke ecur në këmbë në rrugën nacionale Korçë – Tiranë.
Dëshmitarë të tjerë tregojnë se e kishin parë ekipin e “Partizani”-t duke vrapuar si dënim pas ndeshjes. Pikërisht në rrugën kombëtare Korçë – Maliq, aty ku ngrihej Fabrika e Sheqerit, e cila gjendej në të dalë të Korçës. Pështjellimi që solli kjo ngjarje, detyroi kupolën e Ministrisë së Mbrojtjes, gjeneralin Petrit Dume të nxirrte këtë urdhër: “Ekipi të niset në këmbë nga Korça”! Kjo legjendë u bë edhe më e besueshme kohë më vonë, kur gjatë kampionatit kombëtar të vitit 1965-‘66, luajtën ndeshje miqësore në Kavajë. U larguan me rezultatin 3-0. Humbja e rriti edhe më shumë shqetësimin. Kishte qenë një nga ndeshjet më të këqija me skuadrat shqiptare.
Me të mbërritur në Tiranë gjetën urdhrin e gjeneral Petrit Dumes: “Ekipi të niset për të punuar në tunelin e Saukut”. Të nesërmen ekipi u nis, por vetëm futbollistët ushtarë. Historia e radhës bën fjalë për ndeshjen në Korçë me “Partizanin”, më 20 prill të vitit 1963. Atë vit “Skënderbeu” i merr tre pikë ekipit që del kampion në vitin 1962-‘63, sepse në javën e dytë të fazës së parë në Tiranë, e mbyll ndeshjen 1-1. Gazeta “Sporti Popullor”, (dt. 02.10 1962) shkruan: “Nuk kemi të bëjmë aspak me rastësi, jo vetëm fitorja me “17 Nëntorin” në Tiranë në qershor të vitit 1962, por as fitorja ndaj “Dinamos” në shkurt të vitit 1963, këto janë disa fitore dhe barazime me skuadrat e kryeqytetit”.
Përfundimisht superioriteti absolut kishte mbetur në histori. Megjithatë, që nga viti 1961 e deri në vitin 1963, ftesat nga ekipet e mëdhenj të kryeqytetit nuk do të mungonin. Gjithçka do të zgjidhej në fund të gusht të vitit 1963, kur unë u nisa për të kryer shërbimin ushtarak në repartin 3700 në Tiranë. Pas kësaj do të isha lojtar i ekipit të “Partizanit” përfundon një pjesë të rrëfimit nga jeta e tij sportive, “Mjeshtri i Merituar” i Sportit, Todo Vaso. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016