Dashnor Kaloçi
Pjesa e parë
Memorie.al publikon historinë e panjohur të Beqir Sure Ajazit, me origjinë nga fshati Prezë i Tiranës, i cili gjatë periudhës së Monarkisë së Zogut, u shkollua në Liceun francez të Korçës, ku pati rastin të njihej dhe të krijonte miqësi me Enver Hoxhën, i cili ishte pedagog i jashtëm dhe për të plotësuar pagën, punonte edhe në bibliotekën e shkollës, ku Beqiri ishte caktuar si kujdestar i saj. Historia e panjohur Beqir Ajazit, nga periudha e Luftës dhe deri në shembjen e regjimit komunist të Enver Hoxhës, ku pasi ai refuzoi “ofertën” e Sigurimit të Shtetit, “për t’u arratisur nga Shqipëria” dhe për të shkuar me mision sekret në Angli, ku do merrte kontakt me ministrin Xhulian Emeri, (me të cilin kishte njohje që nga periudha e Luftës, kur ai ishte në Shtabin e Abaz Kupit), në shenjë hakmarrje, në vitin 1986, Sigurimi i Shtetit i arrestoi djalin, Namikun, duke e dënuar me 10 vjet burg politik, të cilat i vuajti në kampin e Qafë Barit dhe Burrel, nga ku u lirua vetëm në fillimin e vitit 1991, me shembjen e regjimit komunist. Si arriti Beqiri të botonte pas viteve ’90-të disa libra me kujtime si: “Nga Shkaba me kurorë te Drapri me çekan”, “S’mu nda burgu i Burrelit”, “Sure Ajazi, ky kreshnik i kohës sonë”, “Kush ishte Enver Hoxha”, etj., si dhe librat me përkthime, (kryesisht nga frëngjishtja), si: “Tistani dhe Izolta”, “Henerieta”, “Spastrimi etnik”, “Lufta e pashenjtë”, etj.
Kush ishte Beqir Ajazi?
Beqir Ajazi u lind në vitin 1920 në Dibër të Madhe ku ndodhej familja e tij në atë kohë, por origjina e tyre është nga fshati Prezë i Tiranës. Babai i tij, Sure Ajazi ishte krahinari i Prezës dhe gjatë viteve 1915-1920, ashtu si shumë familje të njohura të Shqipërisë së mesme, ishte një nga mbështetësit e Esat Pash Toptanit. Në vitet e Monarkisë së Zogut, ai vuajti disa vjet në burgun e Gjirokastrës, pasi ishte dënuar për shkak të një vrasje që e kishte bërë për gjakmarrje. Edhe për këtë shkak, familja e dërgoi Beqirin që të vazhdonte mësimet pranë konviktit të shkollës unike në qytetin e Ersekës të rrethit të Kolonjës.
Pasi e mbaroi atë me rezultate të larta, në vitin 1933, Beqiri fitoi të drejtën që të ndiqte Liceun francez të Korçës, ku ai pati rastin të njihet dhe me Enver Hoxhën, i cili në vitin 1937, u caktua si pedagog i jashtëm në atë shkollë. Në vitin 1937, pasi Enver Hoxha nuk i plotësonte dot orët e plota, për të kompensuar rrogën, u caktua të punonte pranë bibliotekës së shkollës, ku ishte kujdestar përgjegjës Beqiri, me të cilin punoi për tre vjet me radhë. Në vitin 1939, kur Italia fashiste ndërmori agresionin ushtarak duke sulmuar Shqipërinë, Beqiri u bashkua me batalionin vullnetar që komandohej nga ish-profesor i Liceut, Abaz Ermenji.
Pas mbylljes së Liceut nga italianët në vitin 1940, Beqiri u kthye në Tiranë, ku u regjistrua në gjimnazin shtetëror të cilin e mbaroi në vitin 1942, duke u diplomuar me rezultate të larta. Gjatë kohës që Beqiri ishte në Tiranës, ai shpesh herë takohej me ish mësuesin e tij Enver Hoxhën, i cili kishte filluar punë duke shitur cigare në dyqanin “Flora”, pronë e familjes së Ibrahim Biçakut, (dajës së Esat Dëshnicës), me të cilin Enveri ishte njohur që gjatë kohës që ishte në qytetin e Korçës.
Në atë periudhë kohe, Beqiri punoi edhe si gazetar në “Bashkimi i Kombit” dhe në vitin 1942, me nxitjen e ish-mësuesit të tij, Abaz Ermenji, ai u bashkua dhe aderoi në organizatën politike “Balli Kombëtar”. Kurse babai i tij Sure Ajazi, për aktivitetin e tij antifashist, pasi refuzoi dhe gradën e kolonelit që i ofroi Mustafa Kruja, u internua në Itali nga 1940 deri në 1944.
Në vitin 1942 Beqiri u largua nga forcat e Ballit Kombëtar dhe u bashku me forcat e Legalitetit që kryesoheshin nga Abaz Kupi dhe mori pjesë në Kongresin që u mbajt në fshatin Herr të Tiranës, më 21 nëntor të vitit 1943, ku kreu edhe detyrën e sekretarit së bashku me Nevzat Vilën. Në vitin 1943, Beqiri u emërua me punë si sekretar në Ministrinë e Kulturës Popullore e më pas si redaktor në Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Nisur nga fakti se Beqiri njihte mirë disa gjuhë të huaja, si: anglisht, frëngjisht dhe italisht, në vitin 1943 me ardhjen e misioneve britanike pranë shtabit të Abaz Kupit, ai u caktua si përkthyes dhe oficer i ndërlidhjes në mes Kupit dhe oficerëve britanikë, ku qëndroi deri në vjeshtën ’44-ës kur Abaz Kupi u largua nga Shqipëria.
Gjatë kësaj kohe, Beqiri zuri një miqësi të ngushtë me majorin britanik Xhulian Emëri, të cilin kur u plagos e mbajti për tre javë në shtëpinë e tij në fshatin Prezë. Në 14 tetor të vitit 1944, ndërsa Beqiri ishte duke u kthyer nga Tirana, ku i kishte çuar një letër kryeministrit Ibrahim Biçaku (të cilën ja dërgonte Abaz Kupi) rrugës për në Prezë, ai u arrestua nga forcat partizane, të cilat e mbajtën të izoluar në disa baraka të improvizuara si burg diku në malin e Dajtit dhe më datën 21 nëntor, pas largimit të gjermanëve nga Tirana, Beqirin dhe të burgosurit i tjetër, i sollën në burgun e vjetër të Tiranës.
Më 25 prill të vitit 1945, Beqiri doli në gjyq dhe fillimisht u dënua me vdekje, duke u akuzuar për “krime lufte”, por më pas ia ndryshuan nenin dhe ai u dënua me 15 vjet burg politik, i akuzuar si: “pjesëmarrës në organizatat kolaboracioniste”, duke ia sekuestruar edhe të gjitha pronat dhe pasuritë që kishte familja Ajazi, kryesisht në Prezë dhe Tiranë. Pak kohë më pas, më 7 qershor të atij viti, komunistët i pushkatuan babanë Sure Ajazin, i cili ishte arrestuar më parë si bashkëpunëtor i Abaz Kupit. Po kështu pas një viti, më 3 gusht të ’45-ës, në një përpjekje me armë me forcat e Divizionit të Mbrojtjes në rrethinat e Tropojës, u vra dhe Sulejmani, vëllai i Beqirit.
Nga dënimi i dhënë prej 15 vjetësh, Beqiri vuajti vetëm shtatë vjet, sepse përfitoi nga falja (amnistia) që u bë në ’49-ën, pas goditjes së ministrit të Punëve të Brendshme, Koci Xoxe, të cilit Enver Hoxha, veç akuzave të tjera, i’a faturoi të gjitha krimet që ishin bërë deri në atë kohë. Beqiri u lirua nga burgu më 17 qershor të vitit 1954 dhe punoi si punëtor krahu. Por edhe pas lirimit nga burgu, Beqiri ishte nën survejimin e rreptë të Sigurimit të Shtetit, siç ndodhte zakonisht me të gjithë ish-të burgosurit politikë dhe familjet e tyre.
Lidhur me këtë, Beqiri na dëshmonte: “Në vitin 1975, më thirrën ata të Sigurimit të Shtetit gjoja për një sqarim dhe pasi më thanë disa fjalë të përgjithshme, siç e kisha ata zakon ata si p.sh.: Partia e kishte zëmrën e madhe dhe po mendonte edhe për rehabilitimin e ish-të dënuarve politikë’, hynë direkt në temë, duke më propozuar që të bashkëpunoja me ta. Madje më treguan se kishin edhe një plan konkret që unë gjoja do të arratisesha nga Shqipëri dhe do të shkoja në Angli, pranë Xhulian Emrit, (ish-oficer britanik që kishte qenë me mision në Shqipëri gjatë Luftës), i cili asokohe ishte ministër në qeverinë e Konservatorëve.
Por unë e refuzova me shumë takt dhe në mënyrë kategorikisht “ofertën” e Sigurimit të Shtetit, duke u thënë se nuk kisha mundësi që ta realizoja e ta përballoja dot një gjë të tillë. Por edhe pse ata ngulën këmbë se do kisha ndihmën e tyre të pakursyer në kryerjen e atij misioni dhe se ajo detyrë patriotike bëhej për interesat e larta të atdheut, unë isha i vendosur, duke thënë se nuk mund ta realizoja dot atë gjë. Por edhe pas refuzimit tim, ata thanë që të mendohesha disa ditë dhe do më thërrisnin përsëri, por unë ngula këmbë duke thënë se nuk kisha ca të mendohesha, pasi për mua ai ishte një mision i pamundur.
Vetëm pas kësaj, pra, pasi panë vendosmërinë time që në mënyrë kategorike nuk po e pranoja bashkëpunimin që po më ofronin, ata i humbën shpresat dhe më kërkuan që të firmosja një deklaratë, ku të shkruaja që unë nuk do i’a tregoja as njeriu lidhur me atë takim dhe përsa kishim biseduar aty, në të kundërt, do të arrestohesha menjëherë dhe më priste burgu, për “tradhti të lartë ndaj atdheut”. Unë natyrisht e firmosa deklaratën, duke shkruar se nuk do tregoja askujt për atë takim dhe gjithçka ishte biseduar aty, (gjë të cilën e zbatova vërtet, duke mos ia treguar asnjeri atë gjë, të paktën deri nga viti 1989-’90, kur po shihej se ai regjim i kishte ditët e numëruara), por pas tre ditësh, më 14 tetor ’75-së, mua më internuan familjarisht në Smokthinë të Vlorës”, kujtonte Ajazi, “ofertën” e Sigurimit të Shtetit.
Beqiri qëndroi në internim, deri në gusht të vitit 1984, kur atë e lejuan që të kthehej në Tiranë dhe pas katër vjetësh në ’86-ën, Sigurimi i Shtetit i arrestoi djalin, Namikun, i cili fillimisht u dënua me 20 vjet burg politik, i akuzuar “për tentativë përmbysje me dhunë të pushtetit popullor”, e më pas me 7 vjet burg, për “agjitacion e propagandë”. Namiku vuajti dënimin në kampin e Qafë-Barit, dhe Burrelit, nga ku u lirua vetëm në fillimin e vitit 1991, me përmbysjen e regjimit komunist.
Pas viteve ’90-të, përveç të tjerash, Beqir Ajazi i’u kushtua pasionit të tij të parë, publicistikës, duke botuar shkrime të ndryshme në gazetat e revistat e kohës, gjë të cilën ai e vazhdonte me shumë pasion edhe pse ishte në një moshë të thyer. Krahas shkrimeve, ai shkroi dhe disa libra, (kryesisht me kujtime), dhe arriti të botonte librin “Nga Shkaba me kurorë, tek Drapri me çekan”, i cili u prit mjaft mirë nga lexuesit, studiuesit dhe historianët, pasi në atë libër ai trajton me kompetencë profesionale dhe vërtetësi historike, ngjarje të ndryshme nga jeta e tij dhe të tjera që i kishte mësuar nga personalitete dhe njerëz të ndryshëm të cilët ai i kishte njohur kryesisht në burgjet e regjimit komunist.
Po kështu pas librit të parë, Beqir Ajazi botoi edhe disa libra të tjerë, si: “Burgu i Burrelit”, “Sure Ajazi, ky kreshnik i kohës sonë”, “Kush ishte Enver Hoxha”, etj. Krahas këtyre librave, Beqiri u mor edhe me përkthime, (kryesisht nga frëngjishtja), duke përkthyer librat “Tistani dhe Izolta”. “Henerieta”, “Spastrimi etnik”, “Lufta e pa shenjtë”, etj.
Beqir Ajazi u nda nga jeta më 3 gusht të vitit 2017, në moshën 97 vjeçare dhe u përcoll për në banesën e fundit me shumë nderime nga Shoqatat e ish-të Burgosurve dhe Përndjekurve Politikë të Shqipërisë e nga bashkëvuajtësit e tij. Në vitin 2002, shteti Francez e dekoroi Beqir Ajazin, me titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Meritës”!
Kujtimet e Beqir Sure Ajazit
“Si më arrestuan dhe më burgosën partizanët që në tetorin e vitit 1944”?
Dita e 21 nëntorit 1944, ishte dhe mbetet për mua një rastësi e çuditshme. Më bën të hyj në mendime të thella, po atëherë nuk kisha as mend e as përvojë nga jeta…!
Aty ku na rrasën si bagëti, ishte një mizerje e vërtetë, një skëterrë e braktisur dhe e lënë në një pocaqi të pazakontë. Të burgosurit ordinerë sapo kishin dalë së andejmi dhe të 17 robërit gjermanë që kishin qenë aty, i kishin nxjerrë pak më parë, duke i rrasur në një kaush të vogël aty pranë banjave.
Ne, që sapo kishim ardhur nga Shënpali, bëheshim afro 300 vetë…! Numri i të burgosurve shtohej nga minuta në minutë, në sajë të zellit të spiunëve pa para, që gëlonin atë kohë në Tiranë. Kjo kategori njerëzish, të cilët forca centrifugale e shoqërisë i kishte flakur nga rrethi i vet sepse, duke qenë të pa kurrfarë normash njerëzillëku, ata ishin krimbur në borxhe dhe ndër vese, u shkonin pas partizanëve dhe me qëllim që të krijonin për veten e tyre njëfarë besimi te këta të porsaardhur, sikur gjoja ishin luftëtarë të terrenit të brendshëm, e kallëzonin këdo.
Dhe partizanët hynin, kështu nëpër shtëpitë e botës, i përlanin njerëzit si bagëti dhe vinin e i rrasnin në burg. Para se t’i rrasnin të gjithë në një kaush robërit gjerman, e kishin pasur tërë burgun në dispozicion dhe që mund të ngroheshin sadopak në atë çimento lakuriqe, pa kurrfarë shtrese e mbulese, ata digjnin ç’të gjenin, si kartonë e copa katra-maje. Kështu, të gjithë muret e kaushëve ishin nxirë e bërë porsi fundi i kusisë.
Një djalosh me prirje artistike, po që i jepej dhe për pikturë, me një gozhdë që kishte gjetur aty-pari, kishte vizatuar me gërvishtje një Skënderbe sa faqja e murit. Nuredin Çabej, veç këtij vizatimi, kishte shkruar me shkrim të bukur artistik mbi të gjitha dyert: “Lasciate ogni speranza, o voi che entrate” (“O ju që hyni këtu, braktiseni çdo shpresë”).
Në këtë ritëm ardhjesh të burgosurish, qysh në mbrëmjen e asaj dite të parë, ne ishim aq puqur e ngjeshur ndërmjet nesh, sa që nuk kishim mundësi të lëviznim, se për t’u shtrirë, as që bëhej fjalë fare. Me kalimin e orëve, të burgosurit që sillnin partizanët aty, u bënë aq shumë, saqë rojet e brendshme nuk e përballonin dot më trajtimin e gjermanëve. Prandaj ata e hapën derën e tyre dhe kështu, gjermanë, gra, dhe shqiptarë, u bënë njësh.
Meqë burgu komunist ende nuk po e gjente formën e vet klasike, ata na mbanin së bashku, burrat, robërit gjermanë dhe gratë…! Aty mes nesh ndodheshin dhe nja dy italine, njëra prej të cilave kishte një djalë rreth katër vjeç që e quanin Franko. Ky piciruk, duke fjetur me të ëmën në mes të tërë asaj rrëmuje, trembej dhe sidomos, kur dëgjonte takat e këpucëve me thumba të trashë, që kërcenin nënë këmbët e partizanëve.
Dritaret e kaushit, që ishin vendosur në lartësinë e tavanit, jo vetëm që ishin secila një pëllëmbë të larta e, po aq dhe të gjëra, po kishin dhe tre lloj telash me trashësi e imtësi të ndryshme. Në një kaush të tillë prokurori i Zogut, nuk lejonte kurrë të banonin më shumë se 13 vetë, kurse tani që këta kaushë po i merte në dorë Enver Hoxha, aty ishim jo më pak se 40 vetë. Si pasojë e kësaj ngushtësie, ajri nuk mjaftonte, kështu që ishim të detyruar të gërhasnim, siç bëjnë pulat dhe qentë në verë.
Kur e pamë se askush nuk po kujtohej se po vdisnim për ajër, djaloshi Skënder Dine, djalë i shkathët, i lidhur dhe me trup e muskuj prej atleti, u kacërrua në mur dhe arriti të vinte njërin gju në pezul të dritares, nga ku pastaj, duke e ruajtur drejtpeshimin e trupit, me një dorë të sigurt, i shpartalloi e i shkuli të tre kafazët e dritareve dhe i hodhi përtokë, si të kishin qenë lecka. Që atë çast frymëmarrja jonë u bë disi më e lehtë dhe thamë se kishim lindur për së dyti, sepse, duke mos e çarë askush kokën për ne dhe duke mos na pasur askush zyrtarisht në ngarkim, askush nuk mbante përgjegjësi nëse, do të vdisnim për shkak të mungesës së frymëmarrjes.
Sikur të ndodhte një gjë e tillë në kohën e Zogut, prokurorit që kishte futur në kaush më shumë se 13 vetë nga sa lejonte ligji, si dhe ministrit të Brendshëm, u fluturonin leckat dhe nuk e di se si ndaheshin me burgimin. Kështu që këtë rrezik të sigurt që po na kanosej, ne e kishim mënjanuar me “shpatën e dardharit”, dhe askush nuk ishte për ç’ka kishim bërë. Ishte puna rrumpallë…”! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016