Dashnor Kaloçi
Pjesa e dytë
Memorie.al /publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë, (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), ku ndodhet edhe ditari politik i sekretarit të Përgjithshëm të Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, Enver Hoxha, për periudhën 1973 -1980, ai ka mbajtur shënime dhe ka bërë analiza e konkluzione për takime dhe biseda të ndryshme, që ka pasur në atë kohë, kryesisht me ish-kryeministrin Mehmet Shehu, me sekretarin e Komitetit Qendror të PPSh-së, Hysni Kapon, me zv/kryeministrin dhe anëtarin e Byrosë Politike, Spiro Koleka, etj., me të cilët ai ka diskutuar çështje të politikës së jashtme të Shqipërisë dhe kryesisht marrëdhëniet e raportet me Republikën Popullore të Kinës, si dhe ndikimin që kishte ajo në arenën ndërkombëtare, etj.. Por krahas këtyre, edhe me raportet e marrëdhëniet e Tiranës zyrtare me një sërë shtetesh të tjera të Lindjes Komuniste dhe Perëndimit, kryesisht në marrëdhëniet tregtare, si: Jugosllavia, Polonia, Çekosllovakia, Bashkimi Sovjetik, Greqia, Austria, Italia, Franca, Zvicra, Gjermania Perëndimore, Kanadaja, etj.
Në dokumentet arkivore në fjalë ku ndodhet ditari politik i tij, Enver Hoxha ka mbajtur shënim edhe për disa biseda, që ai ka bërë me Mehmet Shehun, si ajo e 15 korrikut të vitit 1973, i cili i ka sugjeruar që të ndërmerrnin disa hapa në politikën e jashtme, duke zhvilluar bisedime fillimisht me Francën, Zvicrën e ndonjë vend skandinav, gjë të cilën Enveri nuk i’a ka aprovuar, duke i thënë se atë gjë, po priste me padurim, SHBA-ës, Bashkimi Sovjetik, etj.
Dokumenti arkivor me ditarin politik të Enver Hoxhë në periudhën 1973-1980
DURRËS, E ENJTE 13 KORRIK 1978
NE MARRËDHËNIET TREGTARE ME JASHTË NË ASNJË MËNYRE NUK DUHET TE CENOHET AUTORITETI I MADH I PARTISË DHE I SHTETIT TONË
Mehmet Shehu më tha se nesër, më 14 korrik, do të ketë për drekë Ernst Austin, kryetar i Partisë Komuniste të Gjermanisë (marksiste-leniniste). Në mes të tjerave më tha se mendonte t’i propozonte Austit që partia e tij, të na rekomandonte ose të na lidhte me tregtarë të ndryshëm të Gjermanisë Perëndimore, për të bërë tregti dhe për të shkëmbyer mallra.
I thashë të mos e bëjë një gjë të tillë, së pari për arsye se nuk shkon që kryeministri t’i bëjë një propozim të tillë kryetarit të një partie motër.
Së dyti, është çështja që ne nuk duhet të ndjekim atë praktikë që ka ndjekur Partia Komuniste revizioniste e Bashkimit Sovjetik, e cila, nëpërmjet Partisë Komuniste Franceze, Italiane etj., lidhej me firmat kapitaliste dhe u linte atyre nga një përqindje në kontratat që bëheshin.
Ne e konsiderojmë Partinë Komuniste të Gjermanisë (marksiste- -leniniste) dhe çdo parti tjetër marksiste-leniniste si një partnere politike, ideologjike, revolucionare, luftëtare, prandaj të mos mendojmë aspak që me to, të përpiqemi të na gjejnë myshterinj të mallrave tona.
Këtë punë ne duhet ta bëjmë nëpërmjet atasheve tanë tregtarë që kemi jashtë shtetit. Partitë motra marksiste-leniniste janë të ngarkuara deri në grykë në vështirësi të mëdha e në luftë me reaksionin më të egër, ato gjenden përballë një armiku që duhet luftuar.
Prandaj ne në asnjë mënyrë nuk duhet t’i tërheqim ato në një preokupacion të tillë. Shokët e partive motra mund të mos na e refuzojnë këtë propozim, por mund edhe të na thonë që nuk bëhet.
Në lidhje me çështjet e tregtisë, përsëri theksova që Qeveria nuk duhet të shpejtohet për kërkesa e oferta nga të gjitha vendet kapitaliste e revizioniste për objekte industriale, për të cilat ne do të kemi nevojë, qoftë për të përfunduar me sukses planin aktual, qoftë planin e ardhshëm.
Ne, natyrisht, nuk marrim dhe kurrë nuk do të marrim kredi nga këto vende, çdo gjë do të blihet në to me para në dorë, me klering ose me devizë, por duhet të kemi parasysh se në këto kohë që po kalojmë, në këtë periudhë kur ka filluar lufta e hapët me Kinën, çdo hap i pamatur nga ana jonë, do të shfrytëzohet nga propaganda kineze dhe pro-kineze sikur, ne po lidhemi qoftë me Perëndimin, qoftë me Moskën.
Një gjë të tillë, natyrisht, ne nuk e bëjmë, por i thashë se reaksioni, edhe gomarin mashkull e bën me barrë, bile që tash ai ka filluar të thotë dhe të presë se nga ç’anë do të drejtohet Shqipëria, nga Perëndimi, apo do të shkojë drejt Lindjes.
Me qëndrimet tona në marrëdhëniet me jashtë ne duhet t’i japim të kuptojë mirë Perëndimit, Lindjes dhe Lindjes së Largme se, qëndrimet e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë nuk ndryshojnë, se ajo është në luftë me imperializmin, me social-imperializmin dhe me gjithë borgjezinë reaksionare, se ajo do të bëjë tregti me vendet e ndryshme dhe kjo tregti, duhet të bëhet e matur, si kurdoherë e balancuar.
Në tregtinë tonë me jashtë, për kontraktimin e disa objekteve ekonomike, ne duhet të preferojmë, natyrisht, ato shtete të cilat nuk janë me tendenca të theksuara imperialiste ekspansioniste. Për shembull, mund të preferojmë që një termocentral ose një turbinë ta kontraktojmë me devizë, me para në dorë, ose me klering në Austri, në Çekosllovaki, ose në një vend tjetër të vogël, por kurdoherë më pak në Gjermaninë Perëndimore, në Francë, ose në vendet skandinave.
Këtë do ta bëjmë jo vetëm për arsyet që thashë, por edhe se në këto vende që përmenda (në drejtim të të cilave Mehmet Shehu kishte tendencë që në to ne mund të tatojmë), i kanë mallrat shumë të shtrenjta dhe në fakt vetë ai, më tha se çmimet atje i kanë gati dyfish më shumë.
Prandaj edhe nga kjo anë neve nuk na intereson të kontraktojmë me këto shtete, sidomos me shtetet e mëdha imperialiste, siç janë Gjermania Perëndimore, Franca etj. Ne mund të kontraktonim makineri e pajisje me Zvicrën, por, po të ishin mallrat e saj të lira. Mirëpo në Zvicër ato janë shumë të shtrenjta.
Mundet me Italinë diçka të bëjmë, mundet edhe me Austrinë, por duhet të bëjmë tregti edhe me vendet revizioniste, si me Çekosllovakinë dhe me Poloninë, me të cilat nuk i kemi prerë marrëdhëniet tregtare. Ne kemi prerë me to marrëdhëniet shtetërore në drejtimin e ambasadave dhe, megjithëse kemi vazhduar luftën politiko-ideologjike me to, lidhjet tregtare ne nuk i kemi prerë, as ato nuk i kanë prerë me ne, dhe kjo tregti ka vazhduar kështu, të zhvillohet me ritme të rregullta.
Prandaj blerja në Çekosllovaki e një, e dy turbinave, ose e ndonjë makinerie ose aparature tjetër që do të na nevojitet për industrinë tone, nuk është ndonjë gjë e jashtëzakonshme. Një gjë e tillë nuk mund të shfrytëzohet për propagandë dhe shpifje kundër nesh.
Gjithashtu, duhet të tentojmë edhe nga ana e Greqisë, domethënë edhe me të mund të kontraktojmë diçka, në qoftë se atje ka mundësi. Ne duhet ta vazhdojmë tregtinë me Jugosllavinë në atë mënyrë që e lypin interesat e përbashkët dhe interesat politikë që kemi me këtë ose me vende të tjera të kontinenteve të ndryshme, por që nuk kanë karakterin e vendeve imperialiste, të cilat kërkojnë të hedhin kthetrat në Shqipëri.
Me të tilla shtete duhet t’i kemi marrëdhëniet shumë, shumë të kufizuara, pavarësisht se çmimet mund të jenë disi edhe më të ulëta. Ne të preferojmë një çmim edhe një çikë më të shtrenjtë, sesa t’i marrim nga shtete të tilla që, njihen në botë si shtete që zhvillojnë neokolonializmin dhe që bëjnë tregti me tendenca invadimi ekonomik dhe politik.
Në radhë të parë duhet të marrim masa të ndërtojmë ato objekte industriale që na kanë mbetur në mes, të rimarrim masa që të zhvillojmë tregtinë, të shesim mallrat tona dhe të krijojmë fondet e duhura për të përballuar nevojat aktuale, por sidomos nevojat e planit të ardhshëm pesëvjeçar, i cili afërsisht, në qoftë se s’gabohem, do të ketë një kërkesë prej 500 milionë dollarësh.
Këta 500 milionë dollar ne, natyrisht, kemi mundësi të mëdha që t’i krijojmë për blerje fabrikash ose centralesh që do të na duhen, por duhet të prodhojmë mirë dhe këtyre prodhimeve duhet t’u gjejmë treg të qëndrueshëm. Ky duhet të jetë objektivi ynë ekonomik.
Në tratativat me jashtë, nuk duhet harruar asnjë minutë momenti politik i jashtëm i vendit tonë. Në asnjë mënyrë ne nuk duhet të veprojmë në mënyrë të shpejtuar që të cenohet autoriteti i madh i Partisë sonë dhe i Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, prandaj në asnjë rast nuk duhet të ngutemi, por të ecim të matur, çdo gjë ta realizojmë, por me kujdes.
Kjo çështje ka rëndësi, pse, siç më raportoi Mehmet Shehu, kanë dërguar një numër të madh grupe njerëzish jashtë vendit në të katër anët për të parë. Kjo edhe mund të bëhet, por edhe përshtypje nuk duhet të japim që ja tash, shikoni, ne po dërgojmë njerëz nga të katër anët.
Ne po kritikojmë Kinën për një gjë të tillë, prandaj të dërgojmë grupe njerëzish, po atje ku duhet dhe sa duhet, pra me shumë kujdes. Pastaj nuk duhet t’i dërgojmë ata për të parë një teknologji që e njohim, si për shembull teknologjinë bituminoze, prandaj nuk është nevoja që të vejë një grup njerëzish nga ana jonë deri në Kanada.
Shokët tanë që merren me këtë punë kanë vendosur të dërgojnë dhe le të dërgojnë, por derisa ne po i shfrytëzojmë aktualisht rërat bituminoze, s’kemi ndonjë interes të madh imediat që të na nxitë dhe që s’bëjmë dot pa vajtur atje për të parë.
Kanadaja mund të ketë impiante të mëdha për këtë çështje, kurse tonat këtu janë të vogla dhe këto ne kemi filluar t’i ndërtojmë dhe t’i shfrytëzojmë me to rërat bituminoze, prandaj të dërgojmë jashtë ekipe, por t’i dërgojmë me mend, atje ku duhet dhe për probleme që janë medoemos të nevojshme.
E PREMTE 2 MARS 1979
ME ITALIANET NE ÇDO DREJTIM DUHET TE ECET ME KUJDES
Mehmet Shehu më tha se Ministria e Industrisë dhe e Minierave, natyrisht me aprovimin e Kryeministrisë, ka miratuar që të vijë në Shqipëri një inxhinier italian i naftës, me banim në Milano, që hiqet si mik i vendit tonë.
Atje, në Milano, kanë shkuar edhe më parë një sërë specialistësh tanë, kanë marrë kontakt dhe kanë biseduar me të. Ky na paska një aparat që e ka bërë vetë, me të cilin pretendon se mund të diktohet nafta deri në dy mijë metra thellësi. Këtë aparat, natyrisht, ky nuk e ka të vetin, mendoj se duhet ta ketë të AGIP-it, ose të ndonjë shoqërie tjetër të madhe italiane, shoqëri që kanë qenë që në kohën e okupacionit të vendit tonë dhe kanë shfrytëzuar naftën e Shqipërisë.
Unë nuk e dija që kishte ardhur një njeri i tillë. Mehmet Shehu më tha se specialistët tanë kanë biseduar me të dhe i kanë thënë se ne do të dëshironim që ta kishim një aparat që të diktonte naftën deri në katër mijë metra thellësi dhe ai u kishte treguar se do t’i duhet që t’i bëjë për këtë qëllim disa ndryshime këtij aparati, të cilin mundet që ta sjellë këtu dhe ta provojë ose, mundet që njerëzit tanë të venë sipas tij në Milano dhe ta shikojnë se si punon.
I thashë Mehmet Shehut se, meqenëse keni lejuar që ky njeri të vijë në Shqipëri, mirë, por të kihet kujdes në marrëdhëniet e në tratativat me të. Ne nuk kemi të bëjmë dhe nuk duhet të lidhim marrëveshje me AGIP-in, ose me ndonjë shoqëri tjetër italiane të naftës.
Kurse me këtë person, kemi marrëdhënie tregtare dhe mund t’ia blejmë këtë aparat me para në dorë, në qoftë se ky na leverdis dhe na ndihmon për atë që pretendon ai të bëjë. Prandaj në çdo drejtim duhet të ecet me kujdes me përfaqësuesit e monopoleve italiane, pse ata kanë qëllime të tjera, që i dimë. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016