Nga Spartak Topollaj
Pjesa e dytë
-Stalin – Enver – paralele të përgjakura të terrorit të kuq dhe përse ne shqiptarët i njohim kaq pak krimet e tmerrshme këtyre dy diktatorëve…?!
A mund të kishte ligësi dhe cinizëm të tillë, veçse nga një xhahil e katil mosmirënjohës si ai?! Nuk duhet harruar, se Zinovievi, ishte edhe Kreu i Internacionales së Tretë Komuniste?! Procesi i dytë i madh, ishte ai i të 17-ve, zhvilluar në sallën “Tetori” të Pallatit të Sindikatave në Moskë, nga 23 – 30 janar 1937.
Katër të pandehurit kryesorë ishin: Radek, Pjatakov, Sokol’nikov dhe Serebrjakov, të tjerët ishin: Arnold, Boguslavskij, Chestov, Drobnis, Hrasche, Livsiç, Knjazev, Muralov, Norkin Pushin, Ratajçak, Stroilov dhe Turak! 13 me vdekje, 4 me burgime të gjata, (që s’i bënë dot, mbasi vdiqën), dy të vrarë nga të “burgosurit” dhe dy të ekzekutuar më 1941-in?! Në këtë gjyq, Radek, përmendi dhe emrin e Marreshalit Mikhail Nikolaieviç Tuk’haçevskij, Shef i Shtatmadhorisë së Armatës së Kuqe dhe Zëvendës i Parë i Ministrit të Mbrojtjes!
Kaq mjaftoi, që ai dhe një numër i madh ushtarakësh të lartë, të dyshuar si njerëz të tij, pra komplotistë, të arrestohen, gjykohen dhe dënohen me vdekje për tradhti dhe spiunazh në favor të Gjermanisë hitleriane…?! Në të vërtetë, mendja djallëzore e Reinhard Heydrich-ut, Shefit të Kundërzbulimit nazist, që njihte mirë aftësitë ushtarako-komanduese të Tuk’haçevskijt, hartoi dokumente false, komprometuese ndaj tij dhe të tjerëve dhe i nisi për të Stalini, i cili edhe pa ato, dyshonte të kushdo. Qëllimi për të dobësuar aftësinë komanduese të Ushtrisë së Kuqe, ishte dukshëm i qartë! Dhe djallëzia gjermane, funksionoi më së miri!
Dënimi dhe ekzekutimi i tyre, luajti rol në humbjet e rënda dhe tërheqjen e turpshme dhe tragjike të sovjetikëve në muajt e parë pas sulmit gjerman të 22 qershorit 1941 mbi BRSS-në (Bashkimin e Republikave Socialiste Sovjetike)! Mijra e mijra jetë u humbën. Vetë Stalini, u mbyll për mbi një javë në Kremlin, ku pinte nga frika dhe nuk pranonte askënd, deri sa Klement Voroshilovi, mblodhi udhëheqjen dhe detyruan Stalinin e trembur të mbante fjalimin e 2 korrikut në Radio-Moska, shkruar nga s’dihet se kush…?!
S’duhet harruar se Tuk’haçevskij, ky ushtarak i lartë aristokrat dhe i sprovuar, ishte në pesëshen e parë të marrshallëve sovjetikë, krahas Budjonit, Voroshillovit, Bljuherit dhe Jegorovit! Për ironi të fatit, pjesë e trupit gjykues special ushtarak, ishin dy miqtë dhe homologët e tij marreshallë të së njëjtës ditë, Budjoni dhe Bljuheri! Kryetar i përhershmi Ulrich dhe Prokuror, gjithashtu i përhershmi dhe i pamëshirshmi, Vishinskij!
Aty u gjykuan, u dënuan me vdekje dhe u ekzekutuan menjëherë më 12 qershor 1937, bashkë me Tuk’haçevskijn, edhe 7 gjeneralë të famshëm: Jakir, Uboreviç, Ejdeman, Kork, Putna, Feld’man dhe Primakov! Shpëtoi çuditërisht vetëm gjenerali Jan Gamarnik, (Jakov Çudikoviç Gamarnik, ndryshe Jan Borisoviç Gamarnik), ish- Sekretar i Parë i Partisë Komuniste të Bjellorusisë, por edhe atë, me sa duket e eliminuan fizikisht më 31 maj 1937, ku versioni zyrtar ishte: vetëvrasje (si kryeministri Mehmet Shehu te ne, 44 vite më vonë, në natën mes 17 – 18 dhjetorit 1981)!
Sipas traditës çnjerëzore bolshevike, leninisto – staliniste, familjet, të afërmit deri dhe miqtë e të gjithë të sipërpërmendurve të dënuar gjatë ‘Purgës’, patën një fund tragjik me tmerr! Procesi i fundit i ‘Purgës së Madhe’ ishte ai ndaj Nikollaj Ivanoviç Buk’harinit dhe 20 të tjerëve, i njohur edhe si “Proçesi i të 21-ve”, i mbajtur në Moskë. Rikov, Kretinskij, Rosengold, Jagoda, Rakovskij, Tomskij etj., konsideroheshin pjesë e këtij Grupi Armiqësor! Buk’harini intelektual, politikan dhe udhëheqës i shquar, deri Sekretar i Përgjithshëm i Internacionales III-të Komuniste, pati edhe ai oshilacione të mendimeve dhe veprimeve të tij, shpesh në opozitë me Stalinin! Ai ishte Kryeredaktor i gazetës ‘PRAVDA’, e më pas edhe asaj ‘IZVJESTIJA’!
Urrejtja e Stalinit ndaj tij, nuk përjashtoi edhe tre bashkëshortet e Buk’harinit, Nadjezhda Mihajlovna Lukina, u ekzekutua, Esfir’ Isajevna Gurvich dhe Anna Mihajlovna Larina, mbrritën t’i mbijetojnë tmerreve të Gulagëve stalinistë! Edhe Aleksej Ivanoviç Rykov (Kryetar i Këshillit të Komisarëve të Popullit në vitet 1924-1929, përndryshe Kryeministër), u arrestua, u gjykua, u dënua me vdekje dhe u ekzekutua bashkë me Buharinin e të tjerët, më 15 mars 1938!
Stalini çoi në vetëvrasje gjeorgjianin Sergej Konstantinoviç Orxhonikixe, (shkurt 1937), bolshevik i hershëm, udhëheqës i lartë dhe mik fëmijërie i tij! Të njëjtin fat kish patur para tij edhe Mikhail Pavloviç Tomskij (Jefremov), Kreu i Sindikatave dhe i Sovjetëve, vetëvrarë më 22 gusht 1936, pak para se ta arrestonin! Radha i erdhi edhe Jezhovit, i njohur si një kryekriminelit, që gjithashtu pati fundin e Jagodës më 1938-ën! Revolucionari hungarez Bela Kun, i Internacionales III-të Komuniste, Mikhail Liber, i Bashkimit të Sindikatave të Punëtorëve hebrej, si edhe dy marreshallët e pesëshes së parë të marreshallëve, Jegorov dhe Bljuher, u ekzekutuan pa mëshirë!
Shkencëtarë, konstruktorë e inxhinierë të njohur, si: Vavilov, Landau, Koroljov, Tupolev, Bronsteyn, Hellman etj., kaluan gjatë ‘Purgës’, në qyngjet e zjarrta të Purgatorit dantesk stalinian, artistët e shkrimtarët e famshëm, si: Erhenburg, Mandel’Stam, Ahmatova, Cvetajeva, Meyerchol’d, me bashkëshorten Zinaida Raich, (miq të Stanislavskijt dhe Majakovskijt), Ochitović, familja e Rasputinit, Rose Cohen gazetarja britanike, e shumë e shumë të tjerë gjithashtu!
Edhe pse Stalini e deklaroi fundin e ‘Purgës’ më 1939-ën, duhet theksuar, se ajo vazhdoi deri sa ai iku në ‘Ferr’, më 5 mars 1953! Shifrat e të ekzekutuarave, të arrestuarve dhe të degdisurve në syrgjyn, nëpër Gulagët staliniste siberianë, rriten frikshëm deri pabesueshëm! Kështu, sipas vetë Arkivit të NKVD-së, (paraardhëse e KGB-së), ndërsa në vitin 1936 ishin ekzekutuar 1.118 persona, në vitet 1937-‘38, ky numër u rrit në mënyrë drastike, deri në rreth 190.000 persona?!
Në vitet 1921-1953, ishin ekzekutuar gjithsej afërsisht 340.000 persona, si: “armiq të pushtetit Bolshevik”, prej të cilëve, vetëm në vitet 1936 – 1939, pra gjatë ‘Purgës’ staliniane, u ekzekutuan afërsisht 225.000 njerëz të pafajshëm! Terror i kuq, tmerr gati unikal në botë, kjo ishte jeta në Bashkimin e madh Socialist Sovjetik, gjatë 30 viteve të sundimit despotik të “Baba Stalinit”, siç pëlqente ta quante diktatori shqiptar Enver Hoxha! Po ashtu, askush nuk mund t’i dijë, e t’i thotë shifrat e vërteta të të ekzekutuarve ushtarakë nga vetë sovjetikët, në vitet e Luftës së Dytë Botërore 1939 – 1945, por pa as dyshimin më të vogël, duhet pranuar, që ai të ketë qenë shumë më i madh…?!
Edhe në politikën e jashtme, Stalini filloi flirtin me nazistët hitlerian, me të cilët, nënshkroi në Moskë edhe Paktin e Mossulmimit Sovjeto – Gjerman të 1939-ës, të njohur si ‘Pakti Molotov – Ribbentrop’, (de jure, se de facto, ishte ‘Pakti Stalin – Hitler’), edhe bëri marrëveshjen e ndyrë, të pabesë dhe kriminale me Gjermaninë nacional-socialiste, për ndarjen e Polonisë mes tyre, çka edhe nisi të zbatohej më 1 shtator 1939, nga hitlerianët, ngjarje që shënon zyrtarisht edhe fillimin e Luftës së Dytë Botërore. Disa javë më pas edhe nga Bashkimi Socialist Sovjetik, bëhet e njëjta gjë?!
Personalisht, (unë autori i këtyre radhëve), si i diplomuar dhe i specializuar për Histori Moderne, kurrë nuk e kam kuptuar, pse nuk paska qenë pushtimi i Shqipërisë nga Italia fashiste mussoliniane, më 7 Prill 1939, fillim i Luftës së Dytë Botërore…?! Si mund të justifikohej Lufta e Dimrit, ajo Sovjeto-Finlandeze, (30 nëntor 1939 – 12 mars 1940), me absurdin e një “klasiku” të pashkollë të Marksizëm-Leninizmit, udhëheqës i shtetit më të madh socialist në Botë, që në kulmin e megalomanisë shovene, i kërkonte Finlandës t’i jepte Bashkimit Sovjetik, territore strategjike, në këmbim të sipërfaqeve më të mëdha mbuluar nga bora e akulli, që nuk shkrinte kurrë, që s’i duheshin askujt…?!
Kjo luftë, i kushtoi popullit heroik finlandez 63.204 të vrarë apo të humbur, e 158.000 të plagosur, ndërsa vetë sovjetikëve 90.939 të vrarë e të humbur si dhe 141.149 të plagosur! Masakra e Katinit, ose gjenocidi sovjetik në Poloni, me 22.000 oficerë dhe intelektualë të aristokracisë polake të ekzekutuar, (3 prill – 19 maj 1940), një nga masakrat më të tmerrshme të NKVD-së së Stalinit, (atribuar si vepër e nazistëve), jo pa miratimin e anglo-amerikanëve, që e dinin, por e fshehën turpshëm të vërtetën…?!
Plot 60 vite më pas, në nderim të të 22.000 të ekzekutuarve polakë në ‘Masakrën e Katinit’, u nisën me avionin presidencial ‘TU–154’ e gjithë udhëheqja e ushtrisë polake me Presidentin (e djathtë), Lech Kaczynski në krye. Por ata, nuk mbërritën kurrë aty, mbasi në rrethana ende të pasqaruara dhe shteruese, avioni i ri i prodhimit rus, i njëjtë me atë të Putinit, preku pemët dhe u rrëzua, duke u djegur i tëri me mbi 100 personat në bordin e tij, teksa ishte vetëm 20 km. afër Smolenskut…?!
Se kush ishte Stalini i vërtetë, për nostalgjikët e këtij Despoti të kuq të Kremlinit, do të mjaftonte vetëm sjellja e tij, me bashkëshortet, fëmijët dhe familjen, apo edhe me miqtë e bashkëpunëtorët më të ngushtë! Bashkëshortja e parë e tij, Jekaterina Svanidze, ndërroi jetë fare e re, vetëm 22 vjeçe më 1907-ën nga tifoja, (por ajo ishte edhe tuberkuloze), e më të shumtën e kohës e trishtuar, ndoshta edhe nga vrazhdësia e Josifit, që askush nuk e mësoi kurrë, sa dhe si e donte atë!
Por fakti që ai s’e deshi kurrë Jakovin, djalin që pati me Jekaterinën, të cilin e poshtëronte vazhdimisht, sidomos kur ai, mbeti vetëm i plagosur, gjatë një tentative vetëvrasjeje, duke i thënë se: “Ti je aq i pazoti, sa edhe veten s’e vret dot”?! Jakovi, edhe pse bir i Stalinit, si gjithë të tjerët, shkoi në Frontin e Luftës ku rrezikoi jetën disa herë, por ra rob në duar të gjermanëve, të cilët propozuan shkëmbimin e tij, me Feldmareshalin Von Paulus, zënë rob edhe ai në Betejën e Stalingradit. Përgjigjja e ‘Kobas’ (Stalinit), ishte: “Nuk kam djalë me këtë emër, por edhe nëse po, një Feldmareshal, nuk shkëmbehet kurrë me një toger”?! Në dëshpërim të thellë, Jakovi u hodh në telat me gjemba me rrymë elektrike të kampit nazist, duke i dhënë fund jetës tragjikisht!
Bashkëshortja e dytë ie Stalinit, Nadjezhda Sergejevna Alillujeva, me të cilin kishte vajzën Svjetllana dhe djalin Vasilij, një grua e shkëlqyer, u vetëvra (ose e vranë njerëzit e Policisë Sekrete), natën e 9 nëntorit 1932, vetëm 31 vjeçe?! Edhe atë shpirtmadhe, që po e kuptonte se ç’mostër kishte për burrë, Stalini e poshtëronte shpesh, madje edhe publikisht, siç ishte edhe mbrëmja e fundit e jetës së saj, kur e kthyer me tren nga larg, pa me sytë e saj mjerimin ekstrem të fshatarëve, ndërkohë që “prijomet” me haviar, tartufi, mish kafshësh të rralla të pyjeve siberiane apo shpendëve të egra, vodka dhe verërat më të shtrenjta franceze, në Kremlin ishin të përnatshme!
I tërbuar nga fjalët e saj, Stalini mori një cigare të ndezur nga njëri prej vartësve të tij (sarhoshë, derra të kënaqur) dhe ia fiku në ballë asaj! Kjo që dhe nata e fundit e Nadjas, për të cilën, zyrtarisht u tha, se ndërroi jetë pas një peritonit akut, shkaktuar nga një plasja e apendicitit?! Familja e saj, pra gjyshërit dhe dajat e fëmijëve të Stalinit, u burgosën dhe u internuan! Svjetllana, bija e Stalinit, (1926-2011), që iku nga BRSS-ja, ka shkruar një libër me tmerret e regjimit të të atit, deri në zhdukjen e miqve dhe të dashurve të saj, si: regjisori 40 vjeçar hebré, Kepler, që përfundoi në Gulagun Varkuta, studenti po hebré, Morozov me të cilin pati djalin Joseph në 1945, më pas martohet me Jurin, djalin e Zhdanovit, dhe lind vajzën Jekaterina, (në vitin 1950), divorcohet dhe martohet me komunistin indian, Brajesh Singh! Svjetllana u detyrua të ikte nga BRSS-ja dhe shkoi në Indi, më pas në SHBA-ës, Angli, përsëri në SHBA-ës dhe më 1984-ën pas një ekzili të gjatë, rikthehet në BRSS!
Ajo u martua me William Wesley Peters, arkitekt pranë të famshmit Franc Lloyd Wright dhe ndërroi emër, duke u quajtur Lana Peters, kur lindi vajzën Olga! Libri i saj “20 Letra një miku”, u bë best seller, pasi ai tregon represionin e tmerrshëm të pushtetit të babait të saj despot! Djali i Stalinit me Nadjezhdën, Vasilij Josifoviç Xhugashvili, lindur më 21 mars 1921, pilot dhe gjeneral i aviacionit, vdiq i alkoolizuar, pasi kish dalë nga burgu, dënuar “për neglizhencë të rëndë në kryerjen e detyrës”, më 19 mars 1962!
Stalini adoptoi edhe një tjetër fëmijë, djalë, Artjom Fjodoroviç Sergejev (1921-2008), bir i një miku të Stalinit, vrarë aksidentalisht në hekurudhë. Ai mbërriti deri gjeneral dhe pati si bashkëshorte, Amaya Ruiz Ibarruri, vajza e Dolores Ibarrurit “La Pasionaria”, Kryetare e Partisë Komuniste Spanjolle, komunistja dhe luftëtarja e famshme republikane, që debatoi ashpër me Enver Hoxhën në Konferencën e 81 Partive Komuniste në Moskë – nëntor 1960! Artjomi përmendet për një episod interesant, e ndoshta ndër të vetmit, ku Stalini paraqitet i sinqertë. Duke debatuar me djalin e adoptuar, që kërkonte një favor, nga që edhe ai ishte një Stalin, diktatori i kthehet dhe i thotë: “Budallá! Stalin, nuk jam as unë vetë! Stalin është vetëm ai, që ti dhe populli sheh në filma e revista dhe lexon në libra e gazeta”!
Në një film të mrekullueshëm por tronditës, (166 minutash, të regjisorit Ivan Passer, i vitit 1992), me titull “Stalin”, Warner Bross i Hollywood-it dhe Studio HBO, në interpretimin e aktorit të madh Robert Duval, paraqitet figura apokaliptike dhe kriminale e diktatorit sovjetik, në dritën e një realiteti të llahtarshëm të BRSS-së, gjatë 35 viteve, nën sundimin e Leninit dhe Stalinit! Edhe vetë rusët, kanë realizuar një film tjetër po aq tronditës, me këtë temë, nën titullin “Djegur në diell”, i regjisorit Nikita Mikhailkov, ku paraqitet fundi tragjik i Kolonelit Kotov, hero i Luftës Civile dhe ish Kryetar Kolkozi, në vitet e Purgës së madhe, spiunuar, arrestuar, torturuar dhe ekzekutuar nga NKVD-ja e Stalinit, ndaj të cilit, ai ushqeu me idealizmin, përkushtimin për revolucionin e socializmin dhe ndershmërinë e tij, iluzione deri në fund!
Stalini, ky fshatar injorant dhe i pashkollë, ishte ishte dhe një antishqiptar i dëshmuar, edhe pse Enver Hoxha, (“Stalini ynë i”, po aq gjakatar sa ai), gjithë jetën u përpoq të na e paraqesë si “Babá”, madje kur ai vdiq, në 5 mars të vitit 1953, i detyroi të ulen në gjunjë, udhëheqjen e lartë të PPSH-së dhe të gjithë pjesëmarrësit në ceremoninë e rastit në sheshin kryesor të kryeqytetit! Në pazaret e fund luftës, apo fill pas saj, Stalini, siç dëshmohet nga dokumente autentike, (tashmë të de-klasifikuara, publikuar nga Prof. Dr. Spiro Mëhilli), ai as i kishte në hesap vendet dhe popujt e vegjël, si Shqipëria e shqiptarët, fjala dhe vota e të cilëve, s’duhej kurrë të ishte e barabartë me atë të të “mëdhenjve”?!
Stalini guxoi t’i propozonte Josif Broz Titos, para se të prishej me jugosllavët, siç dëshmon Milovan Gjilasi, (udhëheqës e më pas disident i Partisë Komuniste Jugosllave), pjesë e delegacionit të lartë jugosllav në atë takim në Kremlin, që ata, ta gëlltitnin (kapërdinin) Shqipërinë! Gjatë Luftës së Dytê, as edhe një fishek sovjetik nuk mbërriti në Shqipëri, veç majorit Ivanov dhe një kapteri, që mbante krahë qafë një çantë lëkure bojë kafe, me një bllok shënimesh, lapsa kuq e blu dhe gomë?!
Natyrisht, duhet pranuar se popujt sovjetikë bënë një luftë të madhe patriotike kundër pushtuesve nazistë hitlerian dhe disa beteja si ajo e Stalingradit, Kursk – Oriollit, apo qendresa gati 1.000 ditëshe në Leningradin të rrethuar, janë madhore dhe këtu nuk mund të përjashtohet edhe roli i Stalinit, krimet e të cilit nuk do t’i lanin as oqeanet! Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016