Nga Vasil Qesari
Pjesa e pestë
Memorie.al/ Përmbysja e ngrehinës së madhe totalitare në Shqipëri do të linte pas, jo vetëm ndryshimin e sistemit, shoqëruar me plot shpresa, mirazhe e klithma lumturie por, fatkeqësisht, edhe mjaft plagë, drama, viktima, pluhur, mllefe e ç’gënjime nga më të ndryshmet. Dhjetë vjet e më tepër pas asaj ngjarje, e cila tronditi thellë shoqërinë, duke përmbysur tërësisht shumë kode, rregulla e koncepte të mëparshme, njerëzit vazhdojnë endé t’i bëjnë vetes pyetje të tilla, si: Ç’kish ndodhur në të vërtetë në shoqërinë shqiptare, gjatë 50 vjetëve të fundit të diktaturës? Si qe e mundur që sistemi arriti të deformonte gjithçka? Përse njerëzit e kishin pranuar atë? Cila qe logjika totalitare e transformimit të shoqërisë e individit? Si qenë konceptuar e funksiononin strukturat e mekanizmave totalitare: propaganda, policia sekrete dhe ushtrimi i ideologjisë së terrorit? Si ndodhi që ndër mbarë vendet komuniste të Lindjes europiane, Shqipëria të cilësohej përjashtim apo rast i veçantë? Pse Enver Hoxha i qëndroi verbërisht, fanatikisht e gjer në fund besnik Stalinit, duke e kthyer vendin në një burg ku dhuna, frika e spastrimet vazhduan gjer në fund të viteve ’80-të? Pse vendi u izolua çmendurisht, duke i mbyllur njerëzit mes bunkerësh e telash me gjemba? Përse, pra, ndodhën gjithë fenomenet e mësipërme…?! Libri ‘Post-scriptum për diktaturën’, s’pretendon t’u japë përgjigje definitive pyetjeve të mësipërme, apo kompleksitetit të arsyeve që sollën e mbajtën në fuqi pushtetin totalitar në Shqipëri. As edhe të jetë një afresk i plotë, i thellë e i gjithanshëm i jetës e vuajtjeve që përjetuan njerëzit gjatë atij sistemi. Autori i tij, ndofta, ka meritën që bashkë me shikimin retrospektiv të periudhës totalitare si dhe zellin e një analisti të pasionuar, është përpjekur të kthejë edhe një herë kokën mbrapa, për të dhenë jo vetëm kujtimet e opinionet e tij personale, por dhe për t’i u rikthyer dhe një herë vizionit të asaj epoke me filozofinë e thjeshtë të ruajtjes së Memories e mbështetjes së Apelit për të mos harruar kurrë maksimën e njohur, se…kadavrës vazhdojnë t’i rriten thonjtë e flokët edhe pas vdekjes! Dhjetë vjet e më shumë pas përmbysjes së madhe, libri në fjalë ka vlera aktuale e shpresojmë të vlerësohet nga lexuesi sepse, siç shprehet edhe një studiues shqiptar…e keqja më e madhe që mund t’i ndodhë një populli, vjen atëherë kur ai nuk arrin të bëjë analizën e së kaluarës së vet. Një popull amnezik është i detyruar të jetë vazhdimisht neuropatik e të përsërisë përvojat e tij të dhembshme…!
Tregim për sekretarin e parë
Këtej e tutje, S.S., nis të shkojë më shpesh në qytet, e vizitat në zyrën e shokut Y.D., shpeshtohen. Punët, po i ecin vërtet, mirë. Pak nga pak, ai i hyn në zemër sekretarit. Shpesh herë, bile, ata e pinë kafen së bashku në bar-et e Kuzbabait apo Ujit të Ftohtë, pikërisht në kthinat e rezervuara për udhëheqjen në rreth.
Më pas sekretari i Komitetit të Partisë Y.D., në krye të një ekipi prej tre specialistësh, shkon për ‘ndihmë e kontroll’ në kooperativën qe drejton personazhi i rrëfimit tonë, shoku i mirë, S.S. Kontrolli zgjat gjashtë ditë. Së pari, vëzhgohen planet e punës dhe objektivat e organizatave bazë të Partisë. Pastaj, treguesit e realizimit të detyrave, bilancet financiarë, grafikët e kryerjes së shërbimeve bujqësore, mbarështimi i blegtorisë, hapja e tokave të reja, etj.
Mbas kontrollit, jepen konkluzionet. Punët në kooperativë ecin mirë. Treguesit janë të kënaqshëm. Komunistët prijnë me shembullin e tyre personal. Shkelje financiare nuk ka. Në raport, fjalët e mira për drejtuesin e kooperativës, janë dhenë me bollëk. Shoku S.S., përgëzohet për punën e mirë nga vetë sekretari i komitetit. Ai e ndjen veten shumë të kënaqur por, si vazhdimisht, jo gjer në fund…!
Siç është tradita, mbas komunikimit të rezultateve të kontrollit, shoku S.S. merr masat e duhura për përgatitjen e drekës, për mysafirin e nderuar Y.D. dhe ekipin e tij. Një drekë të mirë, të bollshme. Krejt të veçantë e të ndryshme, nga ato që ai ka shtruar gjer atëherë, për miqtë e të ftuarit e tjerë nga qyteti. Në fakt, S.S., dëshiron të bëjë diçka origjinale. Diçka, që miqtë e nderuar, ta mbajnë mend për shumë kohë. Ai ka vendosur t’i çojë për të drekuar mes blegtorëve, në mal. Për këtë, ai ka mare masat e nevojshme, qysh më parë…!
Makina e shokut Y.D., një xhips kinez “Xing-Fu”, shkon gjer në një farë vendi e ndalet. Më tej ka vetëm gurë e shkëmbej. Por, s’ka problem. Për transportin e miqve gjer në stan, ka dy-tri orë që presin gjashtë mushka, me në krye brigadierin e blegtorisë. Shoku Y.D., tre shokët e ekipit dhe sekretari i byrosë së kooperativës, hipin mbi to e marrin një rrugë këmbësore.
Fryn një fllad i lehtë përzier me aromë lule mali. Shoku Y.D., duke u përkundur lehtë-lehtë mbi rrugën e thepisur malore, mbyll sytë nga kënaqësia e, pastaj, deklamon plot patetizëm: Si lum ju, shokë! Jeni vërtet me fat që jetoni mes këtij ajri të pastër e në këtë natyrë kaq të bukur…! Ne, aty në qytet, thithim ajrin e ndotur nga pluhurat e Babrikës së Çimentos dhe e kalojmë më të shumtën e kohës, nëpër zyra e mbledhje…!
Në mal, as dyqind metra larg baxhos, në një kasolle pranë një burimi të kristaltë me ujë të ftohtë akull, barinjtë kanë shtruar gunat dhe kuvertat e leshta. Në qendër të saj, një zjarr i madh shpërndan ngrohtësi e dritë. Fytyra e sekretarit të Komitetit shkëlqen nga kënaqësia. Së pari, ai rrufit plot kënaqësi një gotë dhallë. Pas pak, nis të shtrohet dreka.
Mbi postiqet prej lëkure, brigadieri i blegtorisë, i ndihmuar nga një bari i thatë e i heshtur, shtrojnë në vend të mbulesës, disa faqe të gazetës “Zëri i Popullit”. Mbi to, pastaj, vendosen shishet e arançatave me raki të zgjedhur, si edhe mezet me djathë të njomë, presh, ullinj e copa kukureci me zorrë, mëlçi e shpretka.
Ndërkohë, në një kënd të kasolles, qengji i pjekur në hell copëtohet e, mikut të nderuar i vihet përpara një shpatull e majme e mbi të, sipas traditës, edhe bishti me dhjamë. Shoku Y.D., ngre dolli i pari. “Të rrojë Partia! Jetë të gjatë shokut Enver…”! – uron ai, dhe e kthen me fund. Të lumtë goja ! – pohojnë të tjerët. Të gjithë hanë të babëzitur. Me duar e thonj. “Era e malit të shton oreksin” – shton duke qeshur sekretari. Ashtu është… – pohojnë rreth tij.
Më pas, serviret kosi me qumësht deleje e, bashkë me të, edhe fruta, rrush, dardha, arra e hoje me mjaltë etj. Shoku i mirë, S.S., kujdeset e bën me sy që, sekretarit t’i vihet para edhe një shishe tjetër me raki. Dreka kalon për mrekulli. Me shëndete, romuze e të qeshura.
Ajo mbyllet me këngë polifonike për Partinë. Para se të ngrihen nga dreka, brigadieri i blegtorisë, thërret mënjanë shoferin e sekretarit të Komitetit të Partisë e të dy, dalin për pak çaste nga kasollja. Në bagazhet e “Xhips” -it ngarkohen dy arka me 10-15 kg. mish, disa shishe me raki, kavanoza me mjaltë, e një thes me arra.
Shokut Y.D., i hyn edhe më thellë në zemër, kryetari i kooperativës S.S. E përqafon fort dhe e falënderon për drekën. Pastaj, shkon e përshëndet edhe barinjtë e tufës që drekojnë jashtë, tek burimi. Mbi copa gazetash ata kanë mish, qepë, djathë e në mes, një shishe të vetme rakie. Shoku Y.D. dhe ekipi u hipin mushkave e zbresin poshtë.
Ai vazhdon të mendojë për S.S.!
(“Xhevahir djalë ! – thotë me vete – I dashur, i sinqertë, dinamik, me biografi të pastër e i gatshëm për çdo sakrificë”. Në ditët që vijojnë, sekretari i Komitetit, e përmend gjithmonë e më shpesh emrin e tij. Në mbledhje e mes kolegësh. Ai është i mendimit se, diçka duhet bërë për vlerësimin e atij kuadri me perspektivë…!
Një ditë, ai thërret për këtë qëllim, shefin e zyrës së Kuadrit, shokun K.U. Ndërsa pinë së bashku kafe, shoku Y.D., i thotë shokut K.U:
“Dëgjo, shoku K…! Ka më se një muaj që, vendin e shefit të Seksionit të Bujqësisë në rreth, e kemi bosh. Kemi një djalë të shkëlqyer për ta emëruar aty. Ti e njeh fare mirë! Është S.S., kryetar kooperative në fshatin Z. Djalë punëtor, i përgatitur. Komunist i devotshëm, besnik e zbatues i zellshëm i mësimeve të Partisë. Me figurë të pastër morale.
Nuk pi e nuk merret me femra. Pra, pa asnjë ves…! Mendoj se, duhet ta propozojmë në byro për vendin e shefit të seksionit. Si thua ti…? Sidoqoftë, shoku K., ky është thjesht mendimi im personal. Ti, shihe vetë. Pyet, informohu…! Po qe se, ai djalë të duket i përshtatshëm, atëherë, bëje këtë punë! Vure në projekt e përgatit materialin…!
Dy burrat, i buzëqeshin njëri-tjetrit me mirëkuptim e ndahen duke shtrënguar duart. Mesazhi është i qartë. Porosia e shefit është urdhër dhe, ajo duhet zbatuar pa mëdyshje. Qysh të nesërmen, shefi i zyrës së Kuadrit, shoku K., fillon procesin e quajtur përgatitja e dosjes së kandidatit. Së pari, ai kërkon nga komiteti ekzekutiv i rrethit, t’i vijë dosja personale e kryetarit të kooperativës, S.S.
(E shoqëruar me karakteristikën e tij të punës, e cila përpilohet nga treshja: sekretari i byrosë së organizatës bazë të Partisë, drejtori i ndërmarrjes e kryetari i bashkimeve profesionale).
Gjithçka duhet përgatitur me kujdes, për ta paraqitur në mbledhjen më të afërt të Byrosë, organ që vendos për lëvizjet, emërimet e shkarkimet e kuadrove në poste të ndryshme drejtuese. Brenda pak ditësh, dosja përgatitet dhe, për të kaluar edhe procedurën e fundit, shefi i kuadrit K., siç ndodh në raste të tilla, kërkon edhe informacionin përkatës nga dega e Punëve të Brendshme, mbi pastërtinë politike të kandidatit për ngritje në detyrë.
Mbas një jave, përgjigjja nga organet e Sigurimit të Shtetit vjen. Nuk ka asgjë, asnjë cen, i cili mund të pengojë emërimin e S.S., në post drejtues. Figura e tij është e kulluar. Kështu, procedura e përgatitjes së dosjes, ka përfunduar dhe, shefi i kuadrit, njofton për këtë sekretarin e Komitetit të Partisë, shokun Y.D., i cili e përgëzon për punën e kryer.
Tashmë, pritet vetëm mbledhja e zakonshme e Byrosë së Partisë, e cila mbahet çdo fund muaji. Gjatë zhvillimit të saj, pikërisht në seancën Emërime e lëvizje kuadri, shefi i zyrës së kuadrit K. prezanton dosjen me elementet e saj përbërës, si edhe propozimin për emërimin e S.S në postin e shefit të bujqësisë. (Në raste të tilla, janë sekretarët e Komitetit të Partisë dhe anëtaret e Byrosë ata, të cilët pasi njihen me dosjen, vendosin apo refuzojnë kandidaturën në fjalë).
Në rastin tonë, çdo gjë shkon në rregull. Pak a shumë, të gjithë janë në dijeni se ajo kandidaturë mbështetet e se, është propozuar nga shoku Y.D. Gjatë votimit, duart ngrihen lart pa përjashtim dhe dosja kalon. Me t’u aprovuar ngritja në detyrë e kandidatit, vendimi zyrtar me shkrim firmoset nga sekretari i Komitetit të Partisë që mbulon kuadrin e pas saj, procedura quhet e përfunduar.
Mbas tri ditësh, kryetari i kooperativës S.S., thërritet nga sekretari i parë i rrethit, i cili pasi i komunikon emërimin e përgëzon duke theksuar vlerësimin e punës së tij nga Partia. S.S. është i emocionuar. Duart i dridhen. Falënderon për besimin e zotohet se, po qe nevoja, për Partinë është gati të japë dhe jetën. Nga zyra del i turbulluar. Zbret shkallët, del jashtë e merr frymë thellë. Veten e ndjen të lumtur. Tash e tutje, ai ka hyrë në radhën e kuadrove të lartë. Për të, rruga e mëtejshme e karrierës, është plotësisht e hapur. Drejt detyrash edhe më të larta shtetërore e partiake…!
Nënë trysninë totalitare
Sipas ideologjisë marksiste-leniniste të PPSH-së, objektivi final i zbatimit të Diktaturës së Proletariatit në Shqipëri, ishte ndërtimi i një shoqërie ideale, e cila, në qendër të vëmendjes do të kish jetën e lumtur të njeriut, lirinë, të drejtat, barazinë e mirëqenien e tij. Për ta bërë sa më të besueshëm atë mision të shenjtë, në çdo hap të jetës, kudo e kurdoherë, individi ndodhej vazhdimisht nenë trysninë e propagandës idealizuese, sipas së cilës, ai duhej të besonte vazhdimisht se, vendi i tij lulëzonte e ai ish me fat që jetonte në shoqërinë socialiste. Në një shoqëri ku, pushteti e vullneti i popullit, qenë bërë realitet. Ku të gjithë, të bashkuar grusht rreth Partisë, punonin e sakrifikonin gjithçka, për realizimin e ambicieve të saj…!
Por, në realitet, ideologjia e PPSH-së, nuk ish veçse një pseudo-ideologji e cila, vërtet kish në qendër të vëmendjes (shënjestrës) shoqërinë e njeriun, por në një sens tjetër. Në shpërfytyrimin, sfilitjen e tjetërsimin e tij të plotë. Në krijimin e një atelieje industriale gjigante, ku realizohej prodhimi në seri i njeriut të ri.
Për instalimin dhe konsolidimin e një strategjie të tillë diabolike, Enver Hoxha me shokë, më tepër se prej mësimeve të marksizëm-leninizmit, ndër të tjera, përfituan me mjeshtëri edhe nga shumë aspekte primitive të shoqërisë shqiptare. Nga rivalitetet e xhelozitë klanore, ndarjet e armiqësitë fisnore, ndryshimet fetare e krahinore, mercenarizmi e zelli për t’i shërbyer më të fortit etj.
Pikërisht, mbi bazën e defekteve të tilla të trashëguara në shekuj, udhëheqësit komunistë shqiptarë projektuan Përçarjen e Madhe, e cila, e realizuar nëpërmjet Luftës së Klasave, do sillte pasoja katastrofale për mbarë shoqërinë dhe vendin. Qëllimi final i asaj kryqëzate, e cila përgjaku e vrau jetën e brezave të tërë, qe një dhe vetëm një: ruajtja me çdo kusht dhe përjetësisht e pushtetit, zhdukja pa mëshirë e kundërshtarëve, poshtërimi dhe shtypja totale e njeriut, glorifikim i Partisë e, mbi të gjitha, i patriarkut të saj eternel, Enver Hoxhës.
Megjithatë, në Shqipëri, komunizmi ndryshonte mjaft nga ai i vendeve të tjera të Lindjes. Ndryshe nga ato, tek ne, ai nuk ishte thjesht komunizëm stalinist i importuar nga Bashkimi Sovjetik, por mbi të gjitha, produkt specifik i vetë përvojës shqiptare të krye-marksistit origjinal, Enver Hoxha.
Stalinizmi enverist, pra, sipas shumë analistëve të huaj perëndimorë, nuk ishte gjë tjetër veçse, një amalgamë, fuzion i një ideologjie të veçantë nacional-socialiste, unike në Europë. Ja, pse, ndryshe nga shumë vende të tjerë, ku tradicionalisht nacionalizmi qe kundërshtar i betuar i komunizmit, në Shqipëri, ai doli në plan të parë.
Enver Hoxha me shokë, u bënë ithtarë të flakët të tij, duke i dhenë edhe emrin e ri patriotizëm socialist. Në fakt, qëllimi i asaj krijese ekzaltuese, qe ruajtja, forcimi dhe himnizimi i sistemit, Partisë e pushtetit të saj absolut totalitar.
Kështu, në krye, ndodhej Nomenklatura e lartë. (Partia, Shteti, Sigurimi). Ndërsa, në skajin tjetër ekstrem, armiqtë e popullit të ndarë në kategori, sipas rrezikshmërisë. (Në burgje, internime apo në gjendje të lirë, por nenë vëzhgimin e policisë sekrete).
Së fundi, midis dy grupimeve të mësipërme, ndodheshin ata që përbënin shumicën e shoqërisë: masat e gjëra të popullit. Ata, të cilët, s’ishin as të privilegjuar e as të dënuar. Këto ndarje apo shtresëzime të diferencuara sociale, vërtetonin të kundërtën e asaj që propagandonte me të madhe ideologjia marksiste, e cila pretendonte se, shoqëria që ajo ndërtonte nuk kish klasa.
(Në fakt, ajo kish pjesërisht të drejtë. Kategoritë e mësipërme, nuk përbënin klasa në kuptimin e strukturave sociale kapitaliste të shekullit të XIX-të. Ato ishin thjesht kasta të privilegjuarish e grupime njerëzish të destinuar të vuanin përjetësisht).
Ndërkohë, ndarja në kasta shoqërohej me një fenomen tjetër, i cili konsistonte në faktin që, edhe vetë brenda tyre, kish diferenca. Një anëtar partie i thjeshtë, për shembull, s’mund të kish të njëjtat atribute si ato të një instruktori të Komitetit të Partisë apo, të një drejtori ndërmarrje.
Po ashtu, një anëtar i KQ të Partisë, nuk qe në një rang me një anëtar të Byrosë. Ndërsa, pushteti i një polici përmblidhej në rrogën e tij ordinere, uniformën blu dhe rrobat e brendshme gratis, ndërkohë që Operativi i Sigurimit gëzonte privilegjin e një shpërblimi mujor shumë më të madh e, veshmbathjen civile gratis, pa folur pastaj për pushtetin e tij autoritar dhe avantazhe të tjera speciale.
Nga ana tjetër, lëvizjet apo kalimi nga një kastë në tjetrën, kishin edhe rregullat e tyre të lojës. Kështu, jo rrallë herë, ndodhte që dikush e niste karrierën nga shtresat më të ulta për t’u ngjitur pastaj në majat më të larta.
Shpesh, ndër ta, njerëz mediokër, shoferë, karrocierë, mekanikë, mjelëse lopësh e saldatorë, qenë ngjitur gjer në instancat më të larta drejtuese të Partisë e shtetit. Por ndodhte edhe e kundërta. Pra, që të kaloje nga kasta më e lartë, në një tjetër më të ulët. Apo, më keq akoma, të bije direkt e në humnerë…! /Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016