Dashnor Kaloçi
Pjesa e dytë
Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së) të cilat i përkasin vitit 1960 dhe janë pjesë e një dosje voluminoze, ku ndodhen karakteristikat e disa prej intelektualëve, profesorëve dhe akademikëve më të njohur të Shqipërisë së asaj kohe, si: Aleks Buda, Stefanaq Pollo. Kol Popa dhe Luan Omari, të cilët vite më vonë u përzgjodhën dhe drejtuan për vite me radhë Akademinë e Shkencave të Republikës Popullore të Shqipërisë, apo dhe institucione të tjera arsimore. Në dokumentet në fjalë, të cilat mbajnë firmën e Rektorit të Universitetit Shtetëror të Tiranës, Zija Këlliçi dhe sekretarit të Komitetit të Partisë së atij universiteti, Deko Rusi, për të katër profesorët dhe akademikët e njohur, përveç anëve biografike familjare, ka edhe mjaft absurditete, si p.sh, për Prof. Aleks Budën, ku thuhet se: “përton dhe nuk ulet të shkruaj, se është pak dembel”, për Prof. Stefanaq Pollon: “nuk e bën me dëshirë dhe qejf punën e dekanit, se priret pas interesit personal”, për Prof. Luan Omarin: “kur i pushkatuan babanë, u demoralizua shumë, Luani ka patur me ‘Ballin’ dhe kanë qenë në burg, dy djem të hallës, Isa dhe Hivzi Kokalarin”, për Prof. Kol Popa, “ish-anëtar i Partisë Fashiste, por bën përpjekje për të futur marksizëm-leninizmin në lëndën e Kimisë”, etj.
50 vite më parë, më 10 tetor të 1972-it u themelua Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe në krye të saj si kryetar u emërua Prof. Aleks Buda, ndërsa nënkryetar, Prof. Kol Popa dhe sekretar i përgjithshëm i saj, u emërua Prof. Luan Omari. Të tre profesorët e nderuar që ishin diplomuar në universitete të ndryshme jashtë Shqipërisë, asokohe por dhe më pas, janë konsideruar kapacitete intelektuale dhe emra nga më të spikaturit në fushat përkatëse, duke dhënë kontribute të mëdha, kudo ku kishin shërbyer, në bazë të ligjeve, mundësive dhe kornizave të asaj kohe.
Emërimi i tyre në krye të Akademisë së Shkencave të Republikës Popullore të Shqipërisë, ishte nomenklaturë e Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, apo më saktë vetë Enver Hoxhës dhe nisur nga ky fakt, ata do të kalonin paraprakisht në një “filtër” të hollë, duke “shoshitur” gjithçka nga jeta e tyre. Një nga dokumentet kryesorë që futej në “dosjen e kuadrit” dhe merrej për bazë për karrierën e tyre, ishte dhe dokumenti me karakteristikën personale, ku përshkruhej shkurt dhe me detaje, si ana biografike, ashtu dhe ajo shoqërore, sjelljet në punë, përgatitja profesionale, etj.
Dhe nisur nga ky rregull edhe tre krerëve më të lartë drejtues të Akademisë së Shkencave, profesorëve të nderuar: Aleks Buda, Kol Popa dhe Luan Omari, u është bashkangjitur në dosjet përkatëse të kuadrit, karakteristika e tyre, të cilat mbajnë firmën e rektorit të Universitetit Shtetëror të Tiranës së asaj kohe, Zija Këlliçi si dhe sekretarit të Komitetit të Partisë së Universitetit, Deko Rusi. Karakteristikat e tyre janë përpiluar në vitin 1960, kur Tirana zyrtare ende nuk kishte prishur marrëdhëniet zyrtare me Bashkimin Sovjetik dhe sipas rregullit, ajo (Karakteristika) e ndiqte kuadrin përkatës në çdo punë apo funksion të ri ku ai emërohej.
Në të treja këto karakteristika ku shihet qartë se pjesa më e madhe e tyre, ka absurditete të tillë, si p.sh. për prof. Luan Omarin, ku thuhet se: “Pushkatimi i babait, e demoralizoi…”, apo për prof. Aleks Budën: “Është dembel, nuk mban premtimet dhe nuk ulet te shkruaj…”, ndërsa për prof. Popën: “Bën përpjekje të fusë marksizëm-leninizmin, në fushën e Kimisë”.
Aleks Buda, pinjoll i një prej familjeve më të njohura dhe aristokrate të Elbasanit, biri i një farmacisti (Taq Buda), që ishte diplomuar në shkollat e Evropës, që në vitet e para të shekullit të kaluar dhe financues i Shkollës “Normale” së Elbasanit, falë edhe një pasurie të madhe, që ata kishin edhe vetë ai nga 1920-ta deri në 1938-ën, për 18 vjet me radhë, studioi dhe u diplomua në kolegjet e universitetet më të njohura të Austrisë, duke qenë kështu ndër të rrallët bashkëkombës të tij, që kishte pasur këtë mundësi shkollimi.
Po kështu, gjatë periudhës së pushtimit të vendit, 1939-1944, duke “tradhtuar” hapur shtresën shoqërore së cilës i përkiste, ai fillimisht punoi e luftoi si ilegal në Tiranë dhe Elbasan, gjë e cila bëri që të zgjidhej deri në funksionin e lartë, të nënkryetarit të Këshillit Nacional-Çlirimtar të Qarkut të Elbasanit dhe pranë Qeverisë Provizore të Beratit, e kryesuar nga gjeneral-kolonel Enver Hoxha.
Dhe pas mbarimit të Luftës, në vitet që pasuan, Aleks Buda ushtroi një sërë detyrash; që nga shef seksioni në Ministrinë e Arsimit, Drejtor i Bibliotekës Kombëtare në Tiranë, Drejtor i Institutit të Gjuhës dhe Letërsisë etj., për të arritur në vitin 1972 në postin e Kryetarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Por edhe pse kishte këto arritje, për “shokët e partisë” dhe aparatçikët e institucioneve të ndryshme, ai ishte një njeri që “nuk dinte të organizonte, që premtonte shumë dhe s’mbante premtimet, dhe gjithashtu ca dembel”.
Kështu konsiderohej profesori dhe akademiku Aleks Buda, prej atyre që kishin në dorë fatin e jetës dhe karrierës së tij, por kishte edhe më keq. Sepse dy nipat e tij, Niko dhe Pirro Dodbiba (ish-ministër Bujqësie në vitet ’70-të), provuan qelitë e burgjet dhe kampet e internimit të regjimit komunist të Enver Hoxhës.
Po “të njëjtin fat” me profesor Budën, pak a shumë pati edhe kolegu e miku i tij i ngushtë, profesori i njohur Stefanaq Pollo, me origjinë nga një familje e pasur tregtare e Përmetit, biri i një emigranti dhe veprimtari atdhetar i shoqërisë “Vatra” (Themistokli Pollo), i cili në vitin 1920, iu përgjigj thirrjes “Atdheu në rrezik” të dhënë nga Qeveria e Lushnjës, për të ardhur në Shqipëri dhe për të luftuar me armë në dorë kundër atyre që nuk donin krijimin e shtetit shqiptar.
Edhe vetë Stefanaqi, pasi kishte studiuar në Liceun Francez të Korçës, ndoqi rrugën e të atit, duke u angazhuar që në fillimet e Lëvizjes Antifashiste, në qytetin që njihej ndryshe dhe si “Parisi i vogël”, për të dalë më pas në mal, me armë në dorë, në formacionet partizane, ku u ngarkua me një sërë detyrash me Rininë Antifashiste dhe Shtypin e Propagandën.
Menjëherë pas mbarimit të Luftës, Stefanaqi u dërgua me studime në Moskë dhe pas diplomimit në vitin 1950, ai kthye në Shqipëri, për të ushtruar një sërë detyrash të larta në “lëmin e dijes”, si: nënkryetar i Institutit të Shkencave dhe më pas Dekan i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë pranë Universitetit Shtetëror të Tiranës.
Por edhe pse me këtë të kaluar, përsëri “shokët e partisë” nuk ishin të kënaqur nga puna e tij. Dhe e shkarkuan nga detyra, pasi “nuk e bënte me dëshirë dhe qejf punën e dekanit, se prirej pas interesit personal”, pa harruar kryesoren, se “kishte pasur dhe një kushëri të dënuar me 20 vjet burg, si armik i pushtetit popullor”.
Dokumenti arkivor me karakteristikën e ish-sekretarit të përgjithshëm të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Dr. Prof. Luan Omari
LUAN BAHRI OMARI
Datëlindja: 16 qershor 1925
Vendlindja: Tiranë
Vend – banimi: Lagjja “Partizani”, rruga “Kongresi i Përmetit”, Nr. 63 Tiranë
Origjina shoqërore: Nëpunës i lartë
Profesioni: Jurist
Gjendja organizative: A. P.
K A R A K T E R I S T I K E
Rrjedh nga një familje borgjeze. I ati i tij Bahri Omari, prej vitit 1925 deri në verën e 1939-ës ka qenë në Itali (instaluar në qytetin Bari). Në vitin 1927, n’Itali shkon dhe Luani dhe mëma e tij. Gjatë okupacionit të Italisë Fashiste në Shqipëri, Bahriu ka patur funksione të rëndësishme: me krijimin e ‘Ballit Kombëtar’, ai bëhet eksponent e flaktë i tij.
Me okupacionin gjerman nga shkurti deri në majin e vitit 1944, ka qenë Ministër i Punëve të Jashtme të Qeverisë së kuislingë të Rexhep Mitrovicës. Për këtë aktivitet fashist në dëm të popullit shqiptar, Bahriu u arrestua në nga pushteti jonë popullor dhe u dënua me vdekje dhe u ekzekutua si armik i popullit. Luani ka patur me ‘Ballin’ dhe kanë qenë në burg dy djem të hallës, Isa dhe Hivzi Kokalarin.
Shoku Luan, qysh në gushtin e vitit 1942, ka filluar të punojë në favor të Lëvizjes Nac-Çl. duke u aktivizuar në një grup agjitacioni të rinisë, që formohet në atë kohë nga shoku Nako Spiro, dhe në fillim të vitit 1943, hyn në redaksinë e “Kushtrimi i lirisë”.
Në marsin e vitit 1944, bëhet anëtar i Komitetit të Rinisë Antifashiste të Tiranës. Kur do të bëhej Kongresi I-rë i Rinisë Antifashiste Shqiptare, ishte caktuar delegat i rinisë së Tiranës, por nuk shkoi me pretekstin e sëmundjes së mëmës. Më vonë është penduar, duke e konsideruar këtë një gabim të pafalshëm.
Pushkatimi i të atit (Prill 1945), shkaktoi te Luani, një ndjenjë impresioni dhe e demoralizoi mjaftë: ai mendoi se trajtimi i tij nuk do të ishte i njëjtë (nuk do të shikohej me sy të mirë), por në qershorin e atij viti (1945), kur u caktua në punë si anëtar i kolegjiumit të gazetës “Bashkimi”, e ndryshoi mendimin dhe filloj t’i ngrihet morali, duke e konsideruar këtë një provë besimi që ka kundrejt tij Partia dhe Pushteti.
Shoku Luan, për qëndrimin e tij të mirë u dërgua nga ana e Qeverisë sonë të kryej studimet e larta nga fundi i Janarit të vitit 1947 e deri në Korrik 1948, në Institutin e Drejtësisë të Beogradit.
Me prishjen e marrëdhënieve me Jugosllavinë, për të plotësuar studimet u dërgua në Sofje (Bullgari), dhe në Marsin e vitit 1951, u diplomua si jurist. Porsa u kthye në Shqipëri në prillin e atij viti, e deri në gushtin e 1955, ka punuar në Ministrinë e Drejtësisë me përgjegjësi të ndryshme, si Shef seksioni e kryetar dege.
Me fillimin e vitit akademik 1955-1956, emërohet si Zv. Drejtor i Institutit të Lartë Juridik dhe me krijimin e Universitetit emërohet, dekan i Fakultetit të Drejtësisë.
Në detyrë është i kujdesshëm dhe me ndërgjegje e kryen punën vazhdimisht. Tregohet në nivelin e duhur lidhur me organizimin, forcimin dhe drejtimin e fakultetit.
Shoku Luan jep edhe mësim dhe si i tillë bënë një përgatitje të mirë të leksioneve dhe i zhvillon mirë me studentët.
Me punën është i lidhur dhe i disiplinuar. Për ngritjen e tij tekniko-profesionale, bën përpjekje të vazhdueshme. Nuk mban ndonjë dekoracion.
R E K T O R I
(Zija Këlliçi)
Dokumenti arkivor me karakteristikën e ish-nën-kryetarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Dr. Prof. Kol Popa
KOL SIMON POPA
Datëlindja: 5 gusht 1913
Vend – lindja: Elbasan
Vend – banimi: Lagjja “Guerile”, Rruga “Qemal Stafa”
Profesioni: Kimist – Farmacist
Origjina shoqërore: Nëpunës I mesëm
Gjendja organizative – Pa parti
K A R A K T E R I S T I K E
Qëndrimi i tij politiko – moral dhe i familjes gjatë Luftës, ka qenë indiferent, i ati i tij gjithmonë ka ushtruar profesionin e tij, mjek.
Shoku Kol, shkollën fillore dhe atë të mesme (‘Normalen’) e ka mbaruar në Elbasan, ndërsa në vitin 1930, regjistrohet në Fakultetin Kimi – Farmaci në (Itali), dhe në 1935 e mbaroi.
Që në mbarimin e studimeve dhe deri në vitin 1940, ka punuar si profesor i Shkollës ‘Normale’ të Elbasanit, pastaj deri në 1946, si farmacist, në fillim në dyqanin e tij privat dhe mbas çlirimit në farmacinë e shtetit.
Më vonë ka punuar pranë Komitetit Ekzekutiv të K.P. të Qarkut të Elbasanit, me detyrën e përgjegjësit të Shëndetësisë dhe afro tre vjet në Ministrinë e Arsimit, në Degën e Teksteve (më parë si referent dhe pastaj si K/Dege).
Kola nga Dhjetori 1939, ka qenë anëtar i Partisë Fashiste dhe me detyrë N/Federal i Fashios së Elbasanit dhe në Maj 1940, ka dhënë dorëheqjen nga ky funksion.
Familjarisht janë të prekur nga reformat e pushtetit, duke ju shtetëzuar farmacia dhe 60-70 drurë ulliri. Vllaj i tij, Vlash Popa, për arsye studimi, që prej vitit 1940, ndodhet në Itali. Familja ka pasur korrespodencë deri në vitin 1946, ndërsa nga kjo kohë dhe më tej, nuk kanë patur më lidhje.
Për aktivitetin e tij në punë në Ministrinë e Arsimit, në vitin 1950 është dekoruar me medaljen e punës.
Nga Qershori i vitit 1950 e deri në gusht 1957, ka punuar në Institutin e Shkencave (Në Laboratorin e Kërkimeve), më parë si Kimist – Farmacist dhe më vonë si bashkëpunëtor i ri shkencor (Drejtor i Laboratorit).
Me krijimin e Universitetit Shtetëror të Tiranës emërohet shef i katedrës së Kimisë Organike, njëkohësisht dhe drejtues i Laboratorit të Kërkimeve, si i tillë në punë është i aftë dhe nji nga krijuesit e Laboratorit të Kimisë Organike, dhe nga ana tjetër, është për t’u theksuar se është përpjekur në maksimum për të përfituar sa më shumë nga profesori sovjetik.
Leksionet (dhe praktikat) e studentëve janë përgatitur dhe zhvilluar në naltësinë e duhur tekniko-shkencore nga ana e tij.
Është studioz i madh, vazhdimisht bën përpjekje për të përvetësuar marksizëm-leninizmin, këtë duke e shtrirë në
zgjerimin e njohurive të tij shkencore dhe sidomos fushën e Kimisë.
Me rastin e 10 – vjetorit të Institutit të Shkencave, është dekoruar me Urdhrin e Punës të kl. II. Mban titullin docent. Memorie.al
R E K T O R I
(Zija Këlliçi)
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016