Nga Hajro Hajra
Pjesa e gjashtë
Memorie.al / Një rrëfim autentik, i jetuar dhe i pazbukuruar, i nxjerrë nga kujtesa e skalitur, por jo e fjetur, e shqiptarit që ka përjetuar ferrin komunist, por që ka arritur të ikën nga ai ferr falë shkathtësisë e besimit të madh se vetëm duke dalë nga ai purgatori, mund të luftohet ai dimër i acartë, ajo mjegullnajë e skëterrshme që kishte mbuluar Shqipërinë cep më cep, do të lexoni në këtë shkrim për Remzi Barollin, të dënuarin me 101 vjet burg nga regjimi komunist i Enver Hoxhës.
Duke pritur refugjatë nga Kosova
Shumë shqiptarë nga ai lumë i pafund të ikurish nga Kosova në Shqipëri dhe në trojet e tjera shqiptare në Maqedoni e në Mal të Zi, pas një qëndrimi të shkurtër te vëllezërit e tyre, të cilët kishin hapur për ta edhe zemrat, edhe dyert, kishin marrë udhë për në shtete të ndryshme të botës. Një numër relativisht i madh kishte ardhur këndej oqeanit, në Amerikë. Këtu ishin shpërndarë në të 50 shtetet amerikane.
Ne kryeqytetin e shtetit Arizona, në Feniks, familjet e para nga Kosova kishin arritur më 12 maj 1999. Për t’i pritur në Aeroportin “Sky Harbor” kishin dalë, përveç një numri të madh shqiptarësh, edhe shumë qytetarë amerikanë dhe gazetarë të shumtë të radiotelevizionit e të shtypit.
Ishte Remzi Barolli, që kishte organizuar pritjen e familjeve të para dhe të familjeve të tjera që vazhdonin të vinin njëra pas tjetrës deri nga fundi i gushtit të atij viti, kur pasi forcat e NATO-s kishin hyrë në Kosovë, ishte ndërprerë programi për refugjatë nga Kosova.
Gjithnjë i palodhshëm, gjithnjë vital, Remziu i ndihmuar nga disa kisha sponsoruese amerikane dhe nga individë amerikanë, kishte organizuar shqiptarët e Feniksit, jo vetëm për t’i pritur të ikurit nga lufta, por edhe për të organizuar vendosjen e tyre dhe për t’i ndihmuar ata në mënyra të ndryshme, derisa ta merrnin veten.
Veç kësaj, Remziu kishte njoftuar të gjitha mediet e Arizonës, sa herë që këtu arrinin refugjatë nga Kosova, kështu që një numër i madh i tyre, sa herë që në aeroportin e Fenikist vinin familje a individë të ikur nga Kosova, i shihje në aeroport, bashkë me shqiptarë.
Ditët e para pas arritjes në Feniks do të ishin shumë më të vështira për shqiptarët nga Kosova, po të mos ishte Remzi Barolli, i cili bashkë me zonjën e tij, Meri, gati çdo ditë ishin me ta. Në fillim përkujdeseshin për vendosjen dhe për sistemimin e refugjatëve, pastaj për pajisjen e banesave të tyre me çdo gjë të nevojshme, u ndihmonin për t’i rregulluar dokumentet e ndryshme dhe kontaktonin shoqata humanitare e individë të shumtë.
Institucionet humanitare grumbullonin ndihma (veshmbathje, të përdorura e të reja, orendi, pajime kuzhine, televizorë, lodra fëmijësh, pajime shkollore, mjete higjienike, ushqime e të tjera) dhe i dërgonin te Remzi Barolli. Dy garazhet e tij ishin shndërruar në depo grumbullimi ndihmash humanitare të shoqatave e të qytetarëve amerikanë.
Për ndihmat e grumbulluara në shtëpinë e zotit Barolli më tej kujdesej zonja Barolli, nëpër duart e së cilës kalonin të gjitha ndihmat që u dedikoheshin refugjatëve shqiptarë. Ajo i evidenconte mjetet e grumbulluara, i sistemonte e, në rast nevoje, i paketonte dhe kur refugjatët nuk kishin mundësi të shkonin e t’i merrnin, ajo bashkë me të shoqin ua shpinin atyre nëpër banesa, gjithnjë duke mbajtur evidencë për sasinë dhe për llojin e ndihmave të shpërndara.
Remziu, ndërkaq, si një djalë i ri, gjithnjë i papërtueshëm, shkonte nga njëra familje te tjetra dhe interesohej për hallet e tyre të çdoditshme. I udhëzonte, tamam si një prind i mirë, për gjithçka që ata duhej të dinin, sepse gati të gjithë ata që kishin ikur nga Kosova nuk dinin anglisht dhe kudo që shkonin kishin nevojë për dikë që do t’i shoqëronte e që do t’u ndihmonte për të komunikuar anglisht.
Duke jetuar të kaluarën
Sot Remzi Barolli, pensionist, bën një jetë të qetë në qytetin Glendale, por pa e harruar kurrë të kaluarën, sidomos atë periudhën më të errët të jetës së tij, të kaluar në burgjet komuniste të burgut të madh të quajtur Shqipëri. Ai ka një urrejtje të madhe për komunizmin, për këtë murtajë, virusi i së cilës për fat të keq, vazhdon edhe sot t’i infektojë shqiptarët.
Remziu shpeshherë e përmend shifrën 349. Janë 349 vjet burg e internim për Barollinjtë, të cilët nuk mund të shlyhen lehtë nga kujtesa. Është i madh numri i anëtarëve të familjes Barolli dhe i anëtarëve të familjeve të tjera farefis me Barollinjtë, që e kanë provuar ferrin komunist të Shqipërisë. Janë shumë vjet dënime që kanë marrë Barollinjtë, nisur nga nënë Aishja, e cila ka qëndruar gati 50 vjet në burg e në internim.
Xhaxhai Demiri është pushkatuar pas 4 vjet vuajtjeje dënimi, xhaxhai tjetër, Murati, ka vdekur në burg pas 30 vjet vuajtjeje dënimi, xhaxhai Kamberi, po ashtu ka vdekur në burg, pasi e ka shijuar atë për 35 vjet, kurse gruaja e tij, Nazimja, ka vuajtur 16 vjet burg dhe motra e kësaj, Halidja, 6 vjet burg (për fëmijët e saj të vegjël ishte kujdesur vëllai).
Një djalë halle i Remziut, Ibrahim Tare, pasi ka vuajtur 14 vjet burg, është pushkatuar më pas, kurse babai i tij Seiti, bashkë me të birin tjetër, vëllanë e Ibrahimit, janë pushkatuar në burg, nëna e Ibrahimit, Esmaja, ka vdekur në kamp pas 15 vjet internimi. Pasi është ekzekutuar babai i Remziut, Rakipi, në vitin 1946, janë pushkatuar edhe burri i tezes së Remziut, Rifati me të birin.
Djali i axhës së Remziut, Nexhmiu, ka vuajtur 41 vjet në kamp, bashkë me të shoqen (tre fëmijë të tyre kanë lindur në kamp). Motra e Remziut, Hiqmeti, i ka kaluar 9 vjet në kamp, djali i xha Muratit, Fiqriu, ka vuajtur 17 vjet e gjysmë burg, Haki Tare, djali i hallës, ka qëndruar në burg, nga viti 1946 deri në 1991-in, nipi i tij, Seati, pas 22 vitesh vuajtjeje dënimi, është çmendur në burg dhe është verbuar, një kushëri tjetër i Remziut, Zeqiri, ka qëndruar në kamp nga viti 1949 dhe është vrarë më 1961-in, gjatë tentativës për t’u arratisur.
Një tjetër kushëri (nga nëna) i Remziut, Skënder Sheholli, i akuzuar si diversant, kishte vuajtur 34 vjet burg, i biri i xha Demirit, Fahriu, dy vjet burg e kështu me radhë. Disa emra të të burgosurve nuk i mban mend dot as Remziu, sepse janë shumë. Mjaft prej tyre, pasi janë liruar nga burgjet ose nga kampet pas shembjes së komunizmit, kanë vdekur, shumica në varfëri të plotë dhe pa kujdesin e kurrkujt.
Disa nga të afërmit e Remziut, me ndihmën e tij, kanë ardhur në SHBA-ës. E ëma e Remziut, vitet e fundit të jetës i ka kaluar tek i biri, Remziu, ku edhe ka ndërruar jetë.
Zoti Barolli edhe sot është aktiv e i pranishëm në çdo veprimtari, në çdo tubim të shqiptarëve të Arizonës. Në tubime festash, si në Ditën e Flamurit a në Ditën e Pavarësisë së Kosovës atë e sheh tek vallëzon tok me të tjerët tamam si një djalë i ri, ndonëse pas një viti i mbush 90 vjet. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016