Dashnor Kaloçi
Pjesa e pestë
Memorie.al publikon një dosje që është siguruar para pak kohësh nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhet dosja hetimore, gjyqësore dhe ajo e përpunimit të shtetasit Kasëm Hoxha, me origjinë nga fshati Markat i Sarandës dhe me banim, në SHBA që nga viti 1985, kur ai mundi të arratiset nga Shqipëria për në Greqi, pasi kishte vuajtur dhjetë vite në kampin e Spaçit, i dënuar për “agjitacion e propagandë, ndaj pushtetit popullor”. Në momentin e arrestimit, më 21 qershor të vitit 1973, nga ana e organeve të Sigurimit të Shtetit, të Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Sarandës, në shtëpinë e tij i’u gjetën disa “materiale komprometuese”, si poezi dhe trakte, ku ai bënte thirrje “për përmbysjen e pushtetit popullor”., etj. Dosja në ngarkim të shtetasit Kaso Hoxha, (tashmë e de-klasifikuar) fillon me atë të përpunimit, ku organet e Sigurimit të Shtetit dhe Dega e Punëve të Brendshme e rrethit të Sarandës, bëjnë të gjithë përpjekjet, për të gjetur autorin e letrës “me përmbajtje të thellë armiqësore”, që ishte hedhur në qendër të fshatit Markat (me banorë të komunitetit çam), ku pas shumë kohësh, me ndihmën edhe të Laboratorit Qendror Kriminalistik, pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme në Tiranë, u bë e mundur, që të saktësohej dhe identifikohej se shkrimi në atë letër, ishte i Kaso Hoxhës, kjo solli edhe arrestimin e tij. Dosja në fjalë vazhdon me procesin hetimor dhe gjyqësor ndaj tij, ku ai pasi vuajti dhjetë vite në burgun e Spaçit, në nëntorin e 1982-in kthehet në fshatin e lindjes, Markat, ku që në ditët e para, ndaj tij fillon ndjekja dhe survejimi nga organet e Sigurimit të Shtetit, që kishin angazhuar jo vetëm disa bashkëpunëtorë të Sigurimit, por edhe familjarë të afërt të tij, kjo e detyroi Kaso, për t’i shpëtuar arrestimit, të arratisej nga Shqipëria, duke kaluar kufirin shtetëror, për në shtetin fqinjë, Greqi. Pas disa kohësh qëndrimi në Kampin e Llavros, fitoi statusin e azilantit politik, për të shkuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku edhe atje, ndaj tij vazhdoi ndjekja e survejimi, nga ana e organeve të Sigurimit të Shtetit (Zbulimit Politik Shqiptar, që ishte i kamufluar me rezidenturën e tij, pranë Misionit Diplomatik në Organizatën e Kombeve të Bashkuara) dhe disa agjentëve të saj të fshehtë, deri në vitin 1991, që u shemb regjimi komunist në Shqipëri. Historia e Kaso Hoxhës, u bë e njohur pas botimit të librit të tij “Tokë e bukur, njerëz të shëmtuar”, që ai ia besoi në dorëshkrim Memorie.al, vjen tashmë nëpërmjet dokumenteve të Sigurimit të Shtetit, (ku ndodhen, raporte bashkëpunëtorësh të Sigurimit të Shtetit, me pseudonimet e tyre, letra, shënime, informacione, relacione, raport-informacione, përgjime me teknikë operative, etj., të oficerëve të Sigurimit të Shtetit, hetuesve, titullarëve të Degës së Punëve të Brendshme, të rrethit të Sarandës, etj., deri te rezidentura e Zbulimit Politik në SHBA, e agjentët e saj atje), të cilat fillojnë në vitin 1973 dhe përfundojnë në vitin 1991, kur dosja e tij u arkivua njëherë e përgjithmonë.
Dokumenti me proces-verbalin e marrjes në pyetje të pandehurit, Kasem Çerçiz Hoxha, nga ana e hetuesit Halit Kardhashi, efektiv i Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Sarandës
Proces-Verbal
Në Sarandë, më 24/VII/1973
Unë hetuesi Degës Punëve të Brendshme, Halit Kardhashi, mora në pyetje të pandehurin Kasem Çerçiz Hoxha.
Pyetje: Vazhdoni të jepni hollësira më konkrete lidhur me shkaqet e vërteta të përpilimit të letrës me përmbajtje armiqësore dhe hedhjes së saj në katundin Markat?
Përgjigje: Shkaqet që më detyruan mua të shkruaj një letër me përmbajtje armiqësore për kundër pushtetit popullor, nuk ishin ato që kam shpjeguar në proceset e më parshme, se gjoja unë e bëra këtë për të provuar njerëz të ndryshëm dhe po të qe se do ta pranonin dhe nuk do e bënin çështje, t’i provokoja dhe të denoncoja në Sigurim, duke u bërë kështu bashkëpunëtor i këtyre organeve, por këtë letër e shkrova, duke u nisur nga qëllimi armiqësor, mbasi siç kam shpjeguar dhe në procesin e mëparshëm, unë Kasemi, si konsekuencë e një propaganda të madhe që bënte Radio Moska, fillova të krijoj dyshime për saktësinë e vijës së Partisë Punës Shqipërisë, se në Shqipëri nuk ndërtohet me të vërtetë Socializmi ashtu siç propagandohet, se sovjetikët thonë të drejtën kur flasin kundër Shqipërisë dhe Udhëheqjes së Partisë Punës Shqipërisë.
Përveç Radio Moskës, që isha dëgjues i rregullt i emisioneve të saj në gjuhën shqipe, unë kisha filluar të ushqeja pakënaqësi me pushtetin edhe nga fakti se, veçanërisht pas kthimit nga ushtria, nuk trajtohesha mirë nga organet e partisë dhe pushtetit në fshat, që kjo me siguri vinte nga që unë kisha të arratisur në Greqi, kushërinjtë e mi, Selfo e Rexhep Hoxha, kisha kërkuar disa herë, të shkoja në ndonjë kurs për të mësuar, por nuk ma kishin dhënë mundësinë.
Unë kisha arritur në konkluzionin se: njerëz si unë në Markat, që ishin me biografi jo të mire, duhej që të shkonin të punonin aty ku të na thonin, vetëm për të marrë një copë bukë. Të gjitha këto, më detyruan të shpreh armiqësinë time edhe nëpërmjet kësaj letre, qëllimi tim ishte që të bëja njerëzit të pa kënaqur karshi pushtetit popullor, t’i jepja shpresa e kurajo popullit që, pavarësisht nga të gjitha këto që po ndodhin, por në fshatin tone, ka akoma njerëz që punojnë kundër pushtetit.
Pyetje: Përsa deshët ta mbanit popullin me shpresa, cili ishte qëllimi juaj në këtë drejtim i pandehur?
Përgjigje: Siç shpjegova më lart, Radio Moska e paraqiste gjendjen në vendin tonë mjaft të vështirë dhe se Bashkimi Sovjetik dhe vendet e tjera të botës, kishin arritur suksese të mëdhaja në të gjitha drejtimet, se populli në ato vende bënte jetë të mirë dhe luksoze, kështu që unë prisja edhe ndryshimin e situatës në Shqipëri, d.m.th. rrëzimin e pushtetit popullor në vendin tonë.
Okupimin e Shqipërisë unë e kam pritur nga ana e Bashkimit Sovjetik, që për këtë në disa raste, kisha dëgjuar që të jepeshin lajme të ndryshme dhe nga Radio Moska. Por për veç kësaj, para disa vjetëve unë kisha parë në gazetën “Zëri i Popullit”, për futjen e ushtrisë Sovjetike në Çekosllovaki, për afrimin e këtyre ushtrive në kufijtë me Jugosllavinë, etj.
Nga këto, pavarësisht se shtypi tonë i trajtonte si forca agresive dhe se donin të zaptonin shtete të ndryshme, unë nxirrja konkluzionet e mija, se do të vinte një ditë dhe Shqipëria do të ndodhej e okupuar nga forcat sovjetike. Ky mendim m’u forcua edhe më shumë në kohën që qeveria tonë, deklaroi daljen e saj nga traktati i Varshavës.
Këto shpresa që ushqeja unë për ndryshimin e situatës në një kohë të dhënë, unë dëshiroja që t’i ushqente dhe populli, prandaj dhe mora iniciativën dhe shkrova letrën që thamë me lartë.
Procesi, pasi mu lexua dhe pashë se janë shkruar drejtë thëniet e mia, e nënshkruajta.
I pandehuri Hetuesi
Kaso Hoxha Halit Kardhashi
Dokumenti me proces-verbalin e marrjes në pyetje të pandehurit, Kasem Çerçiz Hoxha, nga ana e hetuesit Halit Kardhashi, efektiv i Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Sarandës
Proces – Verbal
Më Sarandë, me 26/VII/1973
Unë hetuesi Degës Punëve të Brendshme, Halit Kardhashi mora në pyetje të pandehurin, Kasem Çerçiz Hoxha.
Pyetje: Vazhdoni të jepni shpjegime, lidhur me veprimtarinë tuaj armiqësore?
Përgjigje: Unë Kasemi, siç kam shpjeguar edhe në proceset e mëparshme, duke qenë në pozita armiqësore me pushtetin popullor, mendime këto që m’u krijuan duke dëgjuar Radio Moskën dhe radiostacione të ndryshme të vendeve kapitaliste revizioniste, vendosa të përpiloja këtë letër me përmbajtje armiqësore dhe ta hedh në rrugën kryesore të fshatit.
Me anë të kësaj letre unë Kasemi, desha të inkurajoja elementin kundër në fshatin tim, se do të vinte një ditë që sistemi në Shqipëri do të ndryshonte, se këtu do të vinte një fuqi e huaj, të ngjallja pakënaqësi në masat, se në këtë pushtet nuk ekziston drejtësi, ndërsa në të njëjtën kohë, qëllimi tjetër tim ishte që, të bëheshin sa më shumë njerëz të pa kënaqur nga masat e gjëra të popullit. Ndonjë çështje tjetër nuk kam për të thënë.
Procesi, pasi mu lexua dhe pashë se janë shkruar drejtë thëniet e mia, e nënshkruaja.
I pandehuri Hetuesi
Kaso Hoxha Halit Kardhashi
Dokumenti me proces-verbalin e marrjes në pyetje të pandehurit, Kasem Çerçiz Hoxha, nga ana e hetuesit Halit Kardhashi, efektiv i Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Sarandës
Proces-verbal
Sarandë, më 1.8.1973
Unë Halit Kardhashi, hetues në D.P.B. të Sarandës, mora në pyetje të pandehurin Kaso Çerçiz Hoxha.
Pyetje: Na tregoni i pandehur, që kur keni filluar që të viheni në pozita armiqësore me pushtetin popullor?!
Përgjigje: E vërteta është se unë kam filluar që të vihem në opozitë me partinë dhe pushtetin që në vitin 1969, në rrethanat që do të përshkruaj më poshtë. Duhet të ketë qenë muaji Prill ose Maj i vitit 1969, që vjehrri im Tare Bejko, bën një fletë-rrufe në drejtim të Nafiz Agakos po nga katundi jonë, i cili, kishte hedhur në shtëpinë e tij në mes të fshatit, një minë për të hapur një gropë për stere uji.
Në përgjigjen e fletë-rrufesë ndër të tjera, Nafiz Agako shkruan se Tarja, kishte bërë gabim që kishte dhënë për grua vajzën e tij tek mua, pasi unë, isha njeri i padëshirueshëm që kisha në fisin tim njerëz të arratisur në Greqi. Këto fjalë të Nafiz Agakos, mua më indinjuan dhe krijova besim që, unë isha vënë në shënjestër si armik, nga ana e pushtetit popullor.
Pas kësaj ngjarjeje, aty nga muajt Korrik-Gusht të vitit 1969, unë punova së bashku me kushëririn tim, Selfo Hoxhën në bërjen e kavaletave të kashtës në fushën e Markatit. Duke shfrytëzuar këtë rast, Selfo më shfaqte pakënaqësi të ndryshme ndaj pushtetit. Më kujtohet që më thoshte se, ai ishte dënuar kot me burg dhe se tani të gjithë, e shikonin si njeri të deklasuar dhe se nuk mund të qëndronin më këtu.
Njëkohësisht ai, fliste mirë për gjendjen ekonomike që ekzistonte në vendet kapitaliste si në Greqi apo SHBA-ës, dhe se njerëzit atje jetojnë duke fituar para me shumicë, etj. Unë e pyeta Selfon se nga e dinte ai që jetesa jashtë shtetit ishte shumë e mirë?!
Ai, më thoshte se: kjo duket dhe tek ata njerëz të fshatit tonë që janë arratisur në këto vende, se ata nuk kishin si të mos ishin mire, pasi dërgonin mjaft para njerëzve të tyre këtu. Selfo më thoshte se: neve njerëzve të prekur, na japin punët më të rënda, dhe që nuk mund t’i realizojmë dot normat.
Po kështu me Selfon, kam biseduar shumë gjëra të tjera, por që tani si mbaj mënd. Duke u influencuar nga fjalët e Selfos, unë mendoja dhe besoja se, ne nuk shiheshim me sy të mirë nga partia dhe pushteti. Dhe siç po dukej ne, do të vdisnim duke punuar arave, vetëm për një copë bukë.
Përfundimisht, dua të shtoj se Selfo, i cili u arratis në Gusht të 1969 së bashku me Bilal Xhaferrin dhe Bajram Shuaipin, influencoi negativisht tek unë. Dhe që nga ajo kohë unë, fillova ta konsideroj veten armik të pushtetit popullor dhe hodha letrën me përmbajtje të thellë armiqësore.
Procesi, pasi mu shkrua dhe thëniet e mia u lexuan drejt e nënshkrova.
I pandehuri Hetuesi
(Kasem Hoxha) (Halit Kardhashi)
Dokumenti me proces-verbalin e marrjes në pyetje të pandehurit, Kasem Çerçiz Hoxha, nga ana e hetuesit Halit Kardhashi, efektiv i Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Sarandës
Proces – Verbal
Në Sarandë, më 6/VIII/1973
Unë hetuesi Degës Punëve të Brendshme, Halit Kardhashi, mora në pyetje të pandehurin, Kasem Çerçiz Hoxha.
Pyetje: Vazhdoni të jepni shpjegime të hollësishme, rreth veprimtarisë tuaj armiqësore?
Përgjigje: Përveç propagandës së huaj me anë të radios që unë dëgjoja në emisionet e Radio Moskës dhe radiostacioneve të tjera, një tjetër burim i cili influencoi negativisht te personi tim, ishin dhe emisionet televizive Jugosllave.
Gjatë kohës që unë isha duke kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak, kam pasë raste që të shikoja disa herë emisione të ndryshme të televizorit jugosllav, pasi komanda e brigadës tonë, kishte televizor dhe ishte vendosur në njërën nga klasat e shtabit.
Televizioni jugosllav në emisionet e tij jepte reklama të ndryshme, duke e paraqitur jetën në Jugosllavi shumë të mirë, se njerëzit atje rronin në luks, sukseset që arrinin ata në sektorë të ndryshme, si dhe për shtetet të ndryshme kapitaliste – revizioniste.
Duke parë ato çka paraqiste televizioni jugosllav, unë fillova të krijoj në veten time iluzione për gjoja jetën e mirë që bëhej në Jugosllavi, për liritë e shumta që ekzistonin atje, kështu që fillova të admiroj këtë vend, pastaj bëja krahasimin dhe me jetën që bënim neve këtu, rrjedhimisht të vihesha në pozita armiqësore.
Gjatë kohës në ushtri, për emisionet televizive që shikonim dhe dëgjonim, veçanërisht për Jugosllavinë, neve i konsideronim me njëri tjetrin, sidomos me problemin e modës.
Me kalimin e kohës, mbasi erdha në fshat dhe bleva radion, ato që shikoja në emisionet televizive Jugosllave, fillova ti dëgjoj dhe në emisionet e Radio Moskës, Prishtinës, etj., kështu që fillova të mendoj për gjoja jetën e mirë që bëhet në këto vende, për liritë që ekzistojnë atje dhe çështje të tjera për të cilët kam folur në proceset e datave të mëparshme.
Procesi, pasi mu lexua dhe pashë se janë shkruar drejtë thëniet e mia, e nënshkruajta. Memorie.al
I pandehuri Hetuesi
Kaso Hoxha Halit Kardhashi
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016