Dashnor Kaloçi
Pjesa e katërt
Memorie.al publikon një dosje që është siguruar para pak kohësh nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhet dosja hetimore, gjyqësore dhe ajo e përpunimit të shtetasit Kasëm Hoxha, me origjinë nga fshati Markat i Sarandës dhe me banim, në SHBA që nga viti 1985, kur ai mundi të arratiset nga Shqipëria për në Greqi, pasi kishte vuajtur dhjetë vite në kampin e Spaçit, i dënuar për “agjitacion e propagandë, ndaj pushtetit popullor”. Në momentin e arrestimit, më 21 qershor të vitit 1973, nga ana e organeve të Sigurimit të Shtetit, të Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Sarandës, në shtëpinë e tij i’u gjetën disa “materiale komprometuese”, si poezi dhe trakte, ku ai bënte thirrje “për përmbysjen e pushtetit popullor”., etj. Dosja në ngarkim të shtetasit Kaso Hoxha, (tashmë e de-klasifikuar) fillon me atë të përpunimit, ku organet e Sigurimit të Shtetit dhe Dega e Punëve të Brendshme e rrethit të Sarandës, bëjnë të gjithë përpjekjet, për të gjetur autorin e letrës “me përmbajtje të thellë armiqësore”, që ishte hedhur në qendër të fshatit Markat (me banorë të komunitetit çam), ku pas shumë kohësh, me ndihmën edhe të Laboratorit Qendror Kriminalistik, pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme në Tiranë, u bë e mundur, që të saktësohej dhe identifikohej se shkrimi në atë letër, ishte i Kaso Hoxhës, kjo solli edhe arrestimin e tij. Dosja në fjalë vazhdon me procesin hetimor dhe gjyqësor ndaj tij, ku ai pasi vuajti dhjetë vite në burgun e Spaçit, në nëntorin e 1982-in kthehet në fshatin e lindjes, Markat, ku që në ditët e para, ndaj tij fillon ndjekja dhe survejimi nga organet e Sigurimit të Shtetit, që kishin angazhuar jo vetëm disa bashkëpunëtorë të Sigurimit, por edhe familjarë të afërt të tij, kjo e detyroi Kaso, për t’i shpëtuar arrestimit, të arratisej nga Shqipëria, duke kaluar kufirin shtetëror, për në shtetin fqinjë, Greqi. Pas disa kohësh qëndrimi në Kampin e Llavros, fitoi statusin e azilantit politik, për të shkuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku edhe atje, ndaj tij vazhdoi ndjekja e survejimi, nga ana e organeve të Sigurimit të Shtetit (Zbulimit Politik Shqiptar, që ishte i kamufluar me rezidenturën e tij, pranë Misionit Diplomatik në Organizatën e Kombeve të Bashkuara) dhe disa agjentëve të saj të fshehtë, deri në vitin 1991, që u shemb regjimi komunist në Shqipëri. Historia e Kaso Hoxhës, u bë e njohur pas botimit të librit të tij “Tokë e bukur, njerëz të shëmtuar”, që ai ia besoi në dorëshkrim Memorie.al, vjen tashmë nëpërmjet dokumenteve të Sigurimit të Shtetit, (ku ndodhen, raporte bashkëpunëtorësh të Sigurimit të Shtetit, me pseudonimet e tyre, letra, shënime, informacione, relacione, raport-informacione, përgjime me teknikë operative, etj., të oficerëve të Sigurimit të Shtetit, hetuesve, titullarëve të Degës së Punëve të Brendshme, të rrethit të Sarandës, etj., deri te rezidentura e Zbulimit Politik në SHBA, e agjentët e saj atje), të cilat fillojnë në vitin 1973 dhe përfundojnë në vitin 1991, kur dosja e tij u arkivua njëherë e përgjithmonë.
Dokumenti sekret i hartuar nga Punëtori Operativ i Sigurimit të Shtetit, Novruz Haxhia, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin, “Bregu”, lidhur me bisedat që ai kishte bërë në fshat, me Kaso Hoxhën
Dhënë B.p “Bregu”
Marrë P.Op. N. Haxhia, asiston
Zv / Kryetari S. Dhrose.
Raport i datës 20.4.1973
Burimi njofton se me datën 19.4.73, rreth orës 19 e 30, ai u takua me Kaso Hoxhën pranë sallës së Kulturës në fshat dhe pasi u përshëndetën, ai i tha se, meqenëse shkon për në shtëpi, po vij dhe unë.
Duke ecur rrugës, ai i tha Kasos se desha të bisedoj pak me ty dhe në të njëjtën kohë, u kthyen për në shtëpinë e atij, ku ndaluan në fund të oborrit dhe biseduan.
Bisedën e çeli i pari ai, duke i thënë Kasos se kam një hall që nuk mund të bisedoj me njeri, prandaj dua të të them ty se, të kam timin dhe të dua të mirën. Para ca kohe unë kam gjetur një letër pa emër, që shkruhej kundër Enver Hoxhës dhe mburrnin Teme Sejkon e llafe të tjera.
Këtë letër pasi e lexova dhe m’u duk se ishte shkrimi yt, e mora dhe e grisa. Tani që kaloi kaq kohë, nuk e mbaj dot dhe vendosa të të them, se mos ke bërë ndonjë gomarllëk.
Kasua i tha se ke bërë gabim që e grise letrën dhe e dyta që, nuk e dorëzove, se qeveria e nxjerr shkrimin se i kujt është, se me mjetet që ka, i bënë ekspertizën dhe e nxjerr. Mos vallë ti, nga frika se mos ishte shkrimi im dhe për të vërtetuar këtë, më ke marrë gjë dhe bllokun nga xhepi?!
Ai i tha se nuk ta kam marrë dhe ju betua për kokë të djemve, dhe në vazhdim e pyeti se: kur të ka humbur ty blloku. Kasua i tha se, më ka humbur para një muaji.
Ai i tha se; letrën unë e kam gjetur që në qershor në shkallët e shkollës. Kasua i tha atij, se pse e ke grisur letrën, se ata duhej ta dorëzoje dhe po nuk e ke grisur, ta dorëzojmë, se ti ke bërë gabim që, kur e gjete, mbasi me që dyshova për shkrimin tim, të ma kishe thënë dhe pastaj letrën e dorëzonim.
“Bregu”
Detyra: Në takimin që do të kesh me të, do të presësh që bisedën të hapë i pari Kasua.
Në rast se ai nuk e hap këtë bisedë, atëhere do ta hapësh ti dhe do t’i thuash se: pashë që u shqetësove, por unë të thashë se m’u duk se ishte shkrimi yt dhe si më i madh që jam, desha ta di, por tani që u sigurova, jam i qetë dhe ti mos u mërzit, se unë të thashë që e grisa atë letër.
Masat operative: Do të vazhdojmë të veprojnë masat e marra më parë për këtë objekt, për sigurimin e tij.
Do të shkohet përsëri sa më shpejt në Markat, për të parë reagimet e tij.
Shënim: Në përfundim të kësaj bisede, ai vuri re se Kasua u shqetësua shumë për hallin e tij, që gjeti dhe grisi letrën dhe nuk e dorëzoi.
Punëtori Operativ
Novruz Haxhia
Dokumenti sekret me vendimin e hartuar nga hetuesi i Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Sarandës, Vangjel Kote dhe i miratuar nga Prokurori i Përgjithshëm i Republikës, Dhori Paanariti, për fillimin e çështjes penale, ndaj Kaso Hoxhës
VENDIM
MBI FILLIMIN E ÇËSHTJES PENALE
Në Tiranë, më 14/6/1973
Unë, hetuesi i Ministrisë Punëve të Brendshme, Vangjel Kote, mbasi studiova materialet në ngarkim të Kasem Hoxhës, bir i Çerçizit dhe i Hanës, i datëlindjes 1951, lindur dhe banues në katundin Markat të rrethit të Sarandës, me kombësi dhe shtetësi shqiptare, punëtor, arsim tetë vjeçar, shtresë e varfër, pa parti, i padënuar
KONSTATOVA:
Se në materialet në fjalë, ka të dhëna që e fajësojnë të lartpërmendurin në kryerjen e krimit të parashikuar nga neni 73/1 të kodit penal.
Duke u bazuar mbi sa sipër dhe i udhëhequr nga neni 951 Kodit Procedurës Penale të Republikës Popullore të Shqipërisë
VENDOSA:
Fillimin e çështjes penale kundër Kasem Çerçiz Hoxhës për krimin e parashikuar nga neni 73/1 të kodit penal.
HETUESI
VANGJEL KOTE
SANKSIONOJ ARRESTIMIN
PROKURORI I PËRGJITHSHËM
DHORI PANARITI
Tiranë, më 14/6/1973
Dokumenti sekret me vendimin e përpiluar nga hetuesi i Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Sarandës, Vangjel Kote, për arrestimin e shtetasit Kasëm Çerçiz Hoxha, nga fshati Markat
V E N D I M
“Për arrest”
Në Tiranë, me 14/6/1973
Unë hetuesi i Ministrisë Punëve të Brendshme Vangjel Kote, mbasi studiova materialet në ngarkim të Kasem Hoxhës, bir i Çerçizit dhe i Hanës, i datëlindjes 1951, lindur dhe banues në katundin Markat të rrethit Sarandë, me kombësi dhe shtetësi shqiptare, me profesion punëtor, arsim 8 vjeçar, shtresë e varfër, pa parti, i pa dënuar.
KONSTATOVA
Se i lartpërmenduri ka agjituar e propaganduar për minimin dhe dobësimin e pushtetit popullor, krim ky që parashikohet nga neni 73/1 të kodit penal.
Veprimtari armiqësore provohet nga dokumentet që i bashkëngjiten këtij vendimi.
Duke marrë parasysh se qenia e lirë e të përmendurit, mund të sjellë shmangien e tij para organeve hetimore ose gjyqësore i udhëhequr nga neni 145 dhe 157 të kodit procedurës penale.
VENDOSA:
Arrestimin e Kasem Çerçiz Hoxhës.
Vendimi t’i njoftohet të lartë përmendurit, duke i marrë edhe nënshkrimin e tij.
HETUESI
VANGJEL KOTE
Vendimi m’u njoftua me 21/6/1973
Kasem Çerçiz Hoxha
Dokumenti me proces-verbalin e hartuar nga hetuesi i Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Sarandës, Halit Kardhashi dhe Nd/Prokurori i rrethit, Llambi Kule, mbi njoftimin e akuzës të pandehurit, Kasëm Hoxha
Proces-verbal
Mbi njoftimin e akuzës
Sarandë më 21.6.1973
Unë Halit Kardhashi, hetues në Degën e Punëve të Brendshme të Sarandës, me pjesëmarrjen e Ndihmës Prokurorit të rrethit, Llambi Kule, mora në pyetje për t’i bërë njoftimin e akuzës, të pandehurit Kaso Çerçiz Hoxha.
Pyetje: E dëgjuat dhe e kuptuat akuzën, nëse po a e pranoni atë ?!
Përgjigje: Akuzën e dëgjova, e kuptoj, dhe e pranoj atë. Është e vërtetë se unë kam zhvilluar veprimtari armiqësore kundër pushtetit popullor. Në muajin Maj 1972 unë, kam shkruar një letër me përmbajtje armiqësore, dhe e hodha në katundin tim Markat, për të parë se çfarë qëndrimi do të mbanin njerëzit që do ta gjenin.
Pyetje: Ju kujtohet i pandehur, se çfarë përmbajtje kishte letra që shkruat dhe hodhët në qendër të Markatit?!
Përgjigje: Përsa i përket përmbajtjes së letrës unë, nuk e mbaj mënd mirë tekstualisht, por më kujtohet që ndërmjet të tjerash, kisha shkruar “Poshtë PPSH”, “Poshtë Enver Hoxha”. Këto ishin shprehjet më të rëndësishme, ndërsa të tjerat, nuk kanë pasur rëndësi.
Pyetje: Çfarë ju detyroi juve i pandehur, që të shkruanit një letër me përmbajtje kaq të thellë armiqësore?!
Përgjigje: Unë Kasemi, vendosa që ta shkruaj këtë letër me përmbajtje armiqësore dhe ta hidhja në rrugë, për të parë se çfarë qëndrimi do të mbanin, njerëzit që do ta gjenin atë.
Procesi pasi m’u lexua, dhe pashë se janë shkruar drejt fjalët e mia, e nënshkruaj.
I pandehuri Nd/Prokurori
(Kasem Hoxha) (Llambi Kule)
Hetuesi
(Halit Kardhashi)
Proces-verbal
Sarandë më 21.7.1973
Unë Halit Kardhashi, hetues në D.P.B. të Sarandës, mora në pyetje të pandehurin Kasem Çerçiz Hoxha.
Pyetje: Na shpjego i pandehur, sesi qëndron e vërteta, lidhur me letrën që ju keni shkruar dhe hedhur në qendrën e katundit Markat?!
Përgjigje: Unë Kasemi deri tani, ju kam gënjyer dhe nuk ju kam thënë të vërtetën lidhur me letrën që kam shkruar dhe hedhur në qendrën e katundit Markat. E vërteta është jo ashtu siç kam thënë më parë, por për të vërtetën do të jap shpjegime si më poshtë.
Unë Kasemi, aty nga muaji Shkurt i 1972, kam blerë një radio, pasi deri në këtë kohë nuk e kisha një të tillë. Nga ky moment përveç stacionit të Tiranës unë, dëgjoja dhe stacionet e huaja që jepnin emisione në gjuhën shqipe, veçanërisht Radio Moskën.
Këtë stacion unë, e kapa pas dy muajsh që kisha blerë radion dhe fillova ta dëgjoj rregullisht, aq herë sa isha në shtëpi, në orët që ajo fliste shqip. Po kështu kam dëgjuar herë pas here Radio Prishtinën, ‘Zërin e Amerikës’, etj.
Në emisionet e Radio Moskës, veçanërisht flitej shumë keq për udhëheqjen e Partisë dhe Pushtetit në vendin tonë, se PPSH-ja është në rrugë të gabuar, dhe i bëhej thirrje popullit tonë për tu ngritur në luftë kundër saj. Në të njëjtën kohë Moska, ngrinte në qiell rrugën marksiste leniniste që ecte Partia Komuniste e Bashkimit Sovjetik.
Duke u ndodhur përballë një propagande të tillë, unë Kasemi, fillova të ushqej një simpati për këto emisione, mendoja se Radio Moska tregonte të vërtetën, dhe se krijova dyshime rreth qëndrimit të Partisë sonë. Se ajo ecën në rrugë të gabuar, dhe se i ishte kundërvënë marksizëm leninizmit, dhe se ajo nuk punonte për të mirën e popullit, me një fjalë fillova të urrej Partinë e Pushtetin dhe të bëhem i pakënaqur ndaj politikës së tyre.
Duke marrë parasysh këtë, nga ana tjetër, meqenëse edhe vetë e shikoja se në fshat bëheshin padrejtësi të shumta, me qëllim që të kontribuoja dhe unë në luftën kundër pushtetit popullor, për të ngjallur panik në popull, dhe nga ana tjetër, njerëzve që nuk e shihnin me sy të mirë këtë pushtet, t’ju ngjallja shpresat, se armiku akoma vepron në katundin Markat, vendosa që të shkruaj letrën me përmbajtje armiqësore dhe ta hedh në qendër të fshatit.
Duke bërë një gjë të tillë unë, shprehja dhe dëshirën time pasi, tani isha vënë në pozita armiqësore me Partinë dhe Pushtetin. Letrën që hodha në qendër të fshatit, e kisha shkruar një ditë që ndodhesha në shtëpi. Po atë ditë në shtëpi, kanë qenë nëna dhe gruaja por, ato ishin duke u marrë me punët e shtëpisë, ndërsa unë isha në dhomën lart.
Mbasi e shkrova një ditë më vonë atë, e hodha në vendin e caktuar. Duke shkruar letrën unë mendova se pavarësisht se në dorë e kujt do të binte kjo, ajo do të lexohej nga një ose më shumë njerëz. Përsa i përket përmbajtjes së letrës, unë në përgjithësi u frymëzova nga emisionet e Radio Moskës.
Unë Kasemi, pavarësisht se pashë që kjo letër u gjet nga përgjegjësi i sektorit, Rexhep Rexho dhe ai, me siguri do ta dorëzonte në organet kompetente, nuk mendoja se do zbulohesha që e kisha kryer unë, sepse edhe gjatë shkruarjes së saj, jam munduar që ta ndryshoj sadopak shkrimin.
Procesin tim pasi e lexova, dhe pashë që janë shkruar drejt fjalët e mia, e nënshkruaj. Memorie.al
I pandehuri Hetuesi
(Kasem Hoxha) (Halit Kardhashi)
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016