Dashnor Kaloçi
Memorie.al publikon disa dokumente me siglën “Sekret” të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (arkivi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat i përkasin vitit 1972 dhe janë pjesë e një dosje voluminoze që përmban një korrespodencë midis ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë dhe Drejtorisë së Marrëdhënieve me Jashtë, pranë aparatit të Komitetit Qendror të PPSh-së, ku zv/ministri i Punëve të Jashtme, Ksenofon Nushi, informon udhëheqjen e lartë të PPSh-së lidhur me ngjarjen e ndodhur në ambasadën shqiptare të akredituar në Hanoi, e cila u bombardua nga aviacioni amerikan dhe si rezultat aty mbetën të plagosur ambasadori Qemal Rrahmanaj dhe punonjësi i ambasadës, Nazmi Canaj. Lidhur me këtë ngjarje, zv/ministri Nushi, pasi sugjeronte që të bëhej një protestë nga ana e qeverisë shqiptare, “shokët Qemal Rrahmanaj dhe Nazmi Canaj, të dekorohen nga Presidiumi i Kuvendit Popullor, respektivisht të parin me “Urdhrin e Trimërisë”, dhe të dytin me “Medaljen e Trimërisë”. Lajmi i dekorimit të tyre, të jepet në shtyp pasi kjo ka një rëndësi të madhe politike”. Po kështu në dosjen në fjalë, ndodhet edhe dokumenti me raport-informacioni e plotë të hartuar nga ministri i Punëve të Jashtme, Nesti Nase, i cili pasi informonte udhëheqjen e lartë të PPSh-së, lidhur me pritjen që ai u kishte bërë ambasadorit të Republikës Demokratike të Vietnamit në Republikën Popullore të Shqipërisë, Nguyen Van Thu, si dhe ambasadorit të Qeverisë Revolucionare, të përkohshme të Republikës së Vietnamit të Jugut, Nguyen Kuan Long, ku pasi ata e kishin informuar lidhur me zhvillimet e bisedimeve, për marrëveshjen e paqes në Paris, ai u kishte sugjeruar, që të kishin kujdes, pasi amerikanët ishin të pabesë dhe çdo gjë mund të pritet prej tyre!
Dokumenti me raport-informacionin e hartuar nga zv/ministri i Punëve të Jashtme, Ksenofon Nushi, dërguar Komitetit Qendror të PPSh-së dhe personalisht shefit të sektorit të Marrëdhënieve me Jashtë, Behar Shtylla, lidhur me bombardimin e ambasadës shqiptare në Hanoi, nga aviacioni amerikan
Shokut Behar Shtylla
I N F O R M A C I O N
Lidhur me bombardimin e Hanoit dhe plagosjen e dy punonjësve të ambasadës sonë në kryeqytetin vietnamez, përkatësisht shokëve Qemal Rrahmanaj dhe Nazmi Canaj, propozojmë që të merren këto masa:
1 – Të bëhet një deklaratë proteste në emër të qeverisë ose të Ministrisë sonë të Jashtme. Ne, jemi të mendimit që deklarata të bëhet në emër të qeverisë, për arsye se bëhet fjalë për plagosjen e të ngarkuarit me punë, ad-interim që në rastin konkret, zëvendëson përfaqësuesin e vendit tonë në Republikën Demokratike të Vietnamit. Kjo gjë, do t’i jepte më shumë rëndësi kësaj çështjeje.
2 – Shokët Qemal Rrahmanaj dhe Nazmi Canaj, të dekorohen nga Presidiumi i Kuvendit Popullor, respektivisht të parin me “Urdhrin e Trimërisë”, dhe të dytin me “Medaljen e Trimërisë”. Lajmi i dekorimit të tyre, të jepet në shtyp pasi kjo, ka një rëndësi të madhe politike.
3 – Të dërgohet përkatësisht në Hanoi, pranë ambasadës sonë ambasadori ynë në Pekin, shoku Xhorxhi Robo, ose një punonjës i Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Kjo gjë, është e nevojshme për t’i dhënë rëndësinë e duhur çështjes së ndodhur, si dhe për të drejtuar punën e ambasadës gjatë kohës që shoku Qemal, do të mungojë, por më tepër për arsyen e parë.
Ksenofon Nushi
12.10.1972
Dokumenti me raport-informacionin e hartuar nga zv/ministri i Punëve të Jashtme, Ksenofon Nushi, dërguar Komitetit Qendror të PPSh-së dhe personalisht shefit të sektorit të Marrëdhënieve me Jashtë, Behar Shtylla, lidhur me kërkesën e bërë nga ana e qeverisë së Republikës Demokratike të Vietnamit, për përkrahjen e tyre në arenën ndërkombëtare
Shokut Behar Shtylla
I N F O R M A C I O N
Lidhur me kërkesën e qeverisë së Republikës Demokratike të Vietnamit, për të përkrahur thirrjen e 3 Tetorit 1972 të kryetarëve të 37 qyteteve të mëdha dhe kryeqendrave të provincave në Republikën Demokratike të Vietnamit, drejtuar kryetarëve të bashkive dhe popujve të qyteteve nga vende të ndryshme të botës, dhe që një nga fshatrat ose qytetet e vendit tonë, të bëjë një deklaratë në përkrahje të kësaj thirrjeje, propozojmë që deklarata të bëhet nga Këshilli Popullor dhe nga populli i qytetit të Përmetit.
Kjo për arsye se qyteti i Përmetit, është shkatërruar rëndë gjatë Luftës Nacional-çlirimtare nga fashistët italianë dhe nga nazistët gjermanë. Gjithashtu Përmeti, njihet ndryshe dhe si qyteti historik, ku u hodhën themelet e shtetit të ri shqiptar.
Ksenofon Nushi
12.10.1972
Dokumenti me raport-informacionin e ministrit të Punëve të Jashtme, Nesti Nase, dërguar Komitetit Qendror të PPSh-së, lidhur me pritjen që ai u kishte bërë ambasadorit të Republikës Demokratike të Vietnamit, Nguyen Van Thu, si dhe ambasadorit të Qeverisë Revolucionare të përkohshme të Republikës së Vietnamit të Jugut, Nguyen Kuan Long
I N F O R M A C I O N
Më 19 Tetor 1972 në mbrëmje, prita me kërkesën e tyre ambasadorin e Republikës Demokratike të Vietnamit në Republikën Popullore të Shqipërisë, Nguyen Van Thu, si dhe ambasadorin e Qeverisë Revolucionare të përkohshme të Republikës së Vietnamit të Jugut, Nguyen Kuan Long.
Ambasadori i Republikës Demokratike të Vietnamit, lexoi me shkrim informacionet lidhur me bisedimet e Parisit mbi Vietnamin.
“Shoku Ministër!
Sot me autorizimin e qeverive tona, unë dhe shoku ambasador i Republikës së Vietnamit të Jugut, kemi ardhur t’ju informojmë mbi bisedimet e Konferencës së Parisit.
Në takimet prej katër ditësh, nga data 8 deri në 11 Tetor 1972, ne paraqitëm projekt-marrëveshjen, midis nesh dhe SHBA-ve. Ndërsa ne, u përqendruam në disa kërkesa, pala amerikane duhet të pranojë këto kushte:
1 – Të respektojnë të drejtat themelore kombëtare të popullit vietnamez.
2 – Ti japin fund çdo angazhimi ushtarak në Vietnamin e Jugut.
3 – Të pranojnë që në Vietnamin e Jugut, ka dy pushtete, dy ushtri, dhe dy zona. Të njohin parimin për realizimin e vetëvendosjes dhe të sigurimit të të drejtave demokratike e të lira të popullit të Vietnamit të Jugut.
4 – Të kontribuojnë në shërimin e plagëve të luftës, në rimëkëmbjen e ekonomisë në të dyja zonat, d.m.th., të paguajnë dëmshpërblimet në dy pjesët e Vietnamit.
Deri tani në Konferencën e Parisit, për Vietnamin është arritur marrëveshja me SHBA-ve për këto pika:
1 – Lidhur me të drejtat kombëtare themelore SHBA-ës, zotohen që të respektojnë pavarësinë, sovranitetin, dhe bashkimin territorial të Vietnamit sipas marrëveshjes së Gjenevës.
2 – SHBA-ës, do të tërheq plotësisht brenda dy muajsh të gjithë personelin e saj ushtarak nga toka vietnameze, duke përfshirë këtu edhe këshilltarët ushtarakë. Të mos përdorin më bazat ushtarake, trupat zbuluese, dhe armatimin, ndaj Vietnamit të Jugut.
3 – Lirimi dhe shkëmbimi i robërve të luftës të të dyja palëve, do të bëhet në të njëjtën ditë.
4 – SHBA-ës, zotohet se do të respektojë parimin e vetëvendosjes për popullin e Vietnamit të Jugut.
5 – SHBA-ës, duhet të shërojë plagët e luftës, duhet të rimëkëmbi ekonominë e Vietnamit të Jugut.
6 – Për organizimin e zbatimit të marrëveshjes do të formohet i ndërlidhjes katërpalëshe, si dhe komitetet ndërkombëtare ushtarake dypalëshe dhe të vëzhgimit ndërkombëtar.
7 – SHBA-ës, e tërheq kërkesën e saj që problemi i Vietnamit, të lidhet me problemin e Kamboxhias dhe Laosit, pasi kjo çështje do të zgjidhet nga vetë popujt kamboxhianë dhe laosianë.
Këto janë shtatë pikat që SHBA-ës, pranon t’i zbatojë. Por kanë mbetur disa çështje të rëndësishme, të cilat ata akoma nuk duan ti pranojnë siç janë:
1 – SHBA-ës, pranon vetëm lirimin e robërve civilë të pafajshëm dhe jo atyre ushtarakë.
2 – Ata, duan t’i japin sërish ndihmë ushtarake klikës së Saigonit, në mënyrë që të jenë të barabartë në këmbimin e armëve me Vietnamin e Veriut.
3 – SHBA-ës, nuk është dakord me formimin e Këshillit Kombëtar, menjëherë pas marrëveshjes.
Këto janë tre pikat që akoma nuk është arritur në marrëveshje dhe për të cilat vazhdojnë bisedimet. Të gjitha këto, janë shprehje e vullnetit tonë të mirë, njëkohësisht edhe rezultat i luftës fitimtare të popullit tonë, në të dyja anët e Vietnamit.
Nëse SHBA-ës, mban qëndrim serioz, do të arrihet në nënshkrimin e marrëveshjes para ditës së zgjedhjeve, për t’i dhënë fund luftës, por ne jemi gjithnjë vigjilentë”.
Përsa dëgjova sa më sipër, bëra disa pyetje, me qëllim sqarimi, por ata m’u përgjigjën, se nuk dinin më shumë nga sa më informuan.
Nuk e zgjata më shumë, dhe u vura në dukje shkurtimisht se amerikanët, janë të pabesë, dhe çdo gjë mund të pritet prej tyre.
I falënderova për informacionin dhe ju premtova se, do të informoj udhëheqjen e Partisë dhe Shtetit. Memorie.al
Nesti Nase
Tiranë më 20.10.1972
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016