Nga Eugjen Merlika
Pjesa e dytë
– “Ju takon juve të përmirësoni botën” –
Papa Gjon Pali i II-të
Memorie.al / Duke shëtitur në një rrugicë pylli të një fshati turistik malor të Alpeve italiane, një mëngjes të kthjellët gushti, mendimi vuri flatrat dhe më ktheu prapa në kohë. Para syve të mi u ripërtërinë skena ngjarjesh, njerëzish e mjedisesh, që ishin palosur si fletët e zverdhura të një ditari të vjetër në mendjen time. E shkuara u shpalos me fytyrat e njohura të shokëve e të shoqeve të fëmijërisë, të shkollës, të punës, të kampeve të internimit, të burgjeve, të të njohurve të rastësishëm në udhëtime, në plazhe, në ceremoni vdekjesh, në dasma, në…! Më dukej se i kisha pranë, se bisedoja me ta, se së bashku shëtisnim në këtë pyll magjepsës, se shkonim drejt një teleferiku që do të na ngrinte në majën e një mali, ku horizonti zgjerohej e ku shikimi tretej në këto bukuri të natyrës…!
Çfarë ruan e ardhmja për ne, nëse do të ketë një të tillë mbas një jete ankthi e mundimesh, është vështirë të parashikohet. Ne mbetëm gjithmonë në luftë, në një luftë të gjatë e të vështirë për mbijetesë. Qe një luftë pa armë, por jo më pak mizore. Viktimat e saj qenë ëndrrat tona të varrosura, dëshirat tona të parealizuara, liria jonë e gjymtuar, vitet e të vetmes jetë të flijuara për egoizmin e pafre të kolltukofagëve. Jeta jonë qe një tribut që i duhej paguar utopive kriminale të të ashtuquajturve teoricienë të komunizmit, padijes, mungesës së skrupujve e xhahillëkut të atyre që i vunë në zbatim në Shqipëri ato teori, arkitektëve të botës së ndarë në zona ndikimi, paaftësisë së prindërve tanë për të kuptuar e shmangur rrezikun e gangrenës komuniste, paaftësisë sonë për t’a kryer me sukses operacionin e zhdukjes së saj. Dashje pa dashje ne e paguam atë tribut, nuk mundëm t’i shmangeshim. Ai qe fati ynë i hidhur, i ashpër, i pamëshirshëm. I ngjan legjendës së Sizifit…!
Për të sendërtuar këto synime madhore, që do të ndërronin rrjedhën e historisë për një popull të drobitur, siç ishte populli ynë, duhej një mendësi tjetër, jo ajo me të cilën me ose pa dashje ishim brumosur ne. Klasa politike duhej të kishte kurajën dhe largpamësinë e duhur të vinte në jetë një seri reformash radikale, që do të prisnin gjithë urat me sistemin e lënë pas krahëve. Koha e re kërkonte një përveshje të përgjithshme të mëngëve, kërkonte punë, mund e sakrifica të reja. Nuk kishte asnjë shkop magjik që, me një të rënë, do të sillte mirëqenien.
Mirëqenia, që përbënte një nga ëndrrat shekullore të shqiptarëve, duhet të arrihej si rezultat i vënies në jetë të parimeve të tjera, të rregullave të tjera, të ligjeve të tjera. Mirëqenia do të vinte dalëngadalë, hap mbas hapi të ndërtimit të një shoqërie tjetër, në të cilën, shteti i plotfuqishëm që drejtonte çdo lëvizje të individit, që nga djepi deri në varr, duhej të hiqte dorë nga një pjesë e funksioneve e t’ua kalonte këto qytetarëve të tij. Kjo nuk do të thoshte se roli dhe rëndësia e tij pakësohej, por ndryshonte fushë veprimi. Ky Shtet, që nuk duhej njëjtësuar më me partitë politike, duhej të ishte garanti i një objektivi tepër të rëndësishëm: t’u siguronte gjithë qytetarëve të tij mundësi të barabarta në nisjen e startit drejt mirëqenies, në një Vend të lirë, por në të cilin ligjet, që rregullojnë jetesën në bashkësi, duhej të ishin e, mbi të gjitha, të respektoheshin nga të gjithë.
Shteti duhej t’ju kthente qytetarëve jo vetëm liritë e mohuara për pesëdhjetë vite, por dhe pasuritë e shtetëzuara padrejtësisht, nga një regjim kusarësh. Ai duhej të gjente rrugët më të frytshme për të vënë në shfrytëzim gjithë pasuritë e mundshme të Vendit, nëpërmjet një strategjie të menduar mirë e të zbatuar po aq mirë. Ai duhej të vlerësonte e të ndante me kritere të ndershme e të drejta atë pasuri të trashëguar nga homologu i tij i mëparshëm, pasuri që ishte baras me djersën dhe mundin e gjysëm shekulli pune të papaguar të shqiptarëve nga kapitalizmi shtetëror komunist. Ai duhej të shpërblente veçanërisht ata, që në këtë pasuri kishin ndihmesën e tyre, nëpërmjet viteve të gjata të punës së detyruar pa shpërblim, si pasojë e dhunës së Shtetit proletar.
T’i kthente kësaj pjese të popullsisë, jo vetëm me fjalë, dinjitetin e nëpërkëmbur, t’i njihte me sinqeritet peshën e vuajtjeve të saj, të kthente në të shpresën e t’i siguronte mundësitë materiale për t’u ndjerë barabar me të tjerët, ishin nga të parat detyra, që viheshin para kujtdo që pretendonte të printe ecjen drejt një shoqërie, të bazuar mbi vlerat e larta të qytetërimit.
Këto ishin përparësitë që duhet të kishte në rrugën e tij Shteti demokratik e së bashku me to, reformimin e tij, krijimin e institucioneve të reja, futjen e një mendësie tjetër në to. Kjo mendësi e re, që dalëngadalë do të pushtonte gjithë mjediset, do të ishte baza e krijimit të një shoqërie civile që, nga ana e saj do të shprehte një klasë politike, të denjë për emrin e të aftë për t’a drejtuar atë shoqëri drejt synimesh gjithnjë e më lakmuese. Por si i realizuam neve këto detyra, që papritmas koha na vuri në tryezë? A ishim në gjendje t’i përgjigjeshim sfidës së madhe të fundit të shekullit?
Pa mohuar një sërë arritjesh të rëndësishme si liria, në kuptimin e gjerë të fjalës, nisma private, mërgimi e ndonjë tjetër, më duket se synimet e tjera nuk qemë në gjendje t’i kapim, madje as të hyjmë në rrugën e drejtë që çon në realizimin e tyre. Kuadri politik i Vendit, faktor përcaktues në zhvillimet e mundshme kaloi nga një skaj në tjetrin. Kishim dikur një parti shtet dhe uria gjysëm shekullore për to na çoi sot në një numër apokaliptik, në një Vend me tre milion banorë e me një sistem maxhoritar votimi, një paradoks i vërtetë. Nuk mohohet se dhe në Vende të tjera, me sistem parlamentar, ka shumë parti, por kjo gjë nuk është një dobi për to e një arsye për t’u marrë shembull nga ne. Në Vendet që peshojnë sot në botën e zhvilluar, gjejmë një bipolarizëm politik, që përfaqësohet nga dy parti të fuqishme ose, në ndonjë rast si Italia, në dy blloqe partish. Këto dy parti ose dy blloqe shprehin dy mënyra të ndryshme të të konceptuarit të shoqërisë e të drejtimit të saj, kanë dy programe të ndryshme e çdo katër a pesë vjet dalin para zgjedhësve, për të marrë votëbesimin e qeverisjes. Kush fiton qeveris, kush humbet kontrollon dhe përgatitet të qeverisë.
Në Shqipëri teorikisht dy grupimet kundërshtare janë të pranishëm, por praktikisht, ndryshimi mes tyre dhe lufta e mprehtë politike nuk ka në qendër, të konceptuarit e ndryshëm të modeleve të zhvillimit, por lakminë e pakufi për të zënë pushtetin. Ky synim është i lidhur krejtësisht, jo me dëshirën për të realizuar në të mirë të Vendit ato gjëra që kundërshtari nuk i bëri, por me krijimin e mundësive të përfitimit vetjak, familjar, farefisnor e të rrethit të përkrahësve e simpatizantëve. Si pasojë e kësaj mendësie Shteti, që duhet të ishte garanti i mundësive për të gjithë, është kthyer në një vegël të një grupi, që në çfarëdo mënyre merr drejtimin e tij.
Klientelizmi është bërë kriteri bazë i funksionimit e korrupsioni, karburanti që e vë në lëvizje.
Alternancë e pushtetarëve shërben për të vazhduar “luftën e klasave”, deri në nivelet më të ulta të administratës shtetërore, gjë tepër e dëmshme, mbasi nuk lejon formimin e asaj strukture të përhershme të Shtetit, që është shtylla kurrizore e tij e që, në teori, duhet të formohet duke patur si të vetmin kriter meritokracinë. Rasti i dy të rinjve, të laureuar në Holandë për administratë, që nuk gjejnë vend pune në zyrat e Shtetit shqiptar mbas muajsh sorollatjeje, tregon se jemi tepër larg rrugës që duhet të ndjekim. Ai tregon gjithashtu se “Aleanca për Shtetin”, që aktualisht qeveris Shqipërinë, nuk është e tillë siç ka emrin, por është lidhje interesash të ndërsjellat të përbërësve të saj dhe mbarëvajtja e Shtetit mbetet i fundmi shqetësim i saj.
Në dhjetë vjet Shteti demokratik qeveritë e parlamentet e kuqe apo blu nuk vendosën të kthenin pronat pronarëve të ligjshëm, nuk krijuan në kohë kuadrin e duhur ligjor për thithjen e kapitaleve të huaja, të domosdoshme për daljen nga palëvizshmëria gjysëm shekullore, nuk patën kurajën të jepnin konçesionet ekonomike të huajve. Ata nuk qenë në gjendje të siguronin funksionimin normal të Shtetit të së Drejtës, nuk krijuan modelet e institucioneve të pavarura, vazhduan të qeverisin nga sekretaritë e partive, kaluan stafetën tek njëri tjetri për ligje liberale, si ai i shtyrjes së afateve të qiraxhinjve në shtëpitë private, shpërblyen me copa letre pa vlerë jetët e marra apo të gjymtuara të viktimave të komunizmit, kontribuuan në shkatërrimin e shtetit dhe imazhit të Vendit më 1997, etj.
Këto dy forca politike madhore të Shqipërisë drejtohen nga përfaqësues të Brezit tonë, të formuar moralisht e intelektualisht në shkollat e regjimit më dogmatik të Lindjes komuniste, të mbrujtur me mendësinë stataliste e populiste, të paaftë të konceptojnë e të shtjellojnë një strategji afatmesme e afatgjatë, për të nxjerrë Vendin nga bataku. Arsyeja e thjeshtë do të këshillonte krijimin e një force politike më të vërtetë të ndërsjellët, liberale e liberiste si Aleanca e të rinjve demokratikë, që sot qeveris Hungarinë. E Djathta e bashkuar, që duhet t’a kryente këtë funksion është tepër e copëzuar e në gjirin e saj ka parti që nuk e njohin veten në këtë strategji dhe për konceptet ultra nacionaliste e të vjetra që mbartin.
Paaftësia për të shfrytëzuar shortet e demokracisë, shpërdorimi në mundësitë që krijon ajo për të shprehur pikëpamjet dhe opsionet politike, pamundësia për të hartuar strategjitë e taktikat e duhura ekonomi-politike bindëse, rezultative e në pajtim me veçantitë e Vendit e kërkesat e kohës, vërtetojnë katërcipërisht se klasa politike shqiptare nuk është në lartësinë e detyrave të saj. Pasojat e këtij përfundimi pasqyrohen në gjendjen e Vendit që, me gjithë ndonjë rezultat makroekonomik si monedha, fatkeqësisht paraqet një mungesë të madhe përsa i përket zhvillimit të gjithanshëm e të ekuilibruar ekonomik, konsolidimit të Shtetit ligjor, imazhit të përgjithshëm dhe treguesit të besueshmërisë, sidomos mbas ngjarjeve tragjike të vitit 1997. Sot Shqipëria, me ose pa të drejtë, hyn në radhën e vendeve problematike për kontinentin, quhet qendër trafiqesh të paligjshme nga më të ndryshmit. Me këto kredenciale ajo paragjykon marrëdhëniet e saj me botën e sidomos me Evropën.
Sfidën, që koha na vuri para, dhjetë vjet të shkuara, ne nuk qemë në gjendje t’a përballojmë. Dështuam në misionin tonë për të ndërtuar një Shqipëri bashkëkohore dhe konkurruese mbi gërmadhat e socializmit. Problemeve të vjetra, të trashëguara nga pesë shekuj zgjedhë turke e gjysëm shekulli sprove komuniste, i shtuam të tjera, ose së paku nuk qemë në gjendje t’i parandalojmë. Më kujtohet një mbas dite festive, për një përvjetor të gazetës “Liria” në Pallatin e Kongreseve. Më kanë mbetur në mëndje fjalët e një veterani të burgjeve politike dhe të anti komunizmit: ”Shqipërisë sot i duhen dymijë idealistë”. Ndofta shifra ishte tepër e madhe, ndofta ajo nuk i përgjigjej as popujsh shumë më të mëdhenj e më të zhvilluar se i yni, por pohimi ishte i shenjtë.
Ne nuk qemë në gjendje t’i përgjigjeshim kësaj kërkese parësore të Vendit tonë, në një çast tepër delikat për të ardhmen e tij. Ishin vitet e para të demokracisë, ishim ende në kohë për të rimarrë rrugën e drejtë, të cilën, sigurisht, ata qindra idealistë do t’a kishin bërë më të lehtë. Ata nuk u dukën në skenë, ose më saktë nuk patën forcë t’a pushtojnë skenën. Koha dhe të tjerët i thyen dhe ata të paktit që u munduan të qëndrojnë e të luftojnë me të vetmen armë të idealit, ndershmërinë. Asgjë për t’u habitur, historia e botës është e mbushur plot me shembuj të tillë…!
Ka çaste në jetën e njerëzve, por dhe të popujve e të brezave, në të cilat bëhet i detyrueshëm vetë-rrëfimi, prova e vetëdijes. Më duket se ne kemi arritur në një të tillë. Duhet të kemi kurajën t’a vëmë në peshore veten tonë si brez, pavarësisht nga bindjet politike të secilit e me ndershmëri të pranojmë se i përkasim një “Brezi të humbur”. E di se nuk është e lehtë, përkundrazi është mjaft e vështirë, e dhimbshme të kuptosh se ke kaluar një jetë të tërë lufte në humbje, se merita më e madhe mbetet riprodhimi, mundi për të rritur e çuar përpara një brez tjetër, bijtë tanë. Nëse ky brez pasardhës do të jetë i aftë të bëjë ato që ne, për shumë arsye nuk i bëmë, nëse do të mundet t’a fusë Vendin tonë dhe të tij në rrugën e vërtetë të përparimit, duke rifituar sadopak “kohën e humbur”, ne do të jemi gjithsesi të paguar, në rast të kundërt do të jemi të dështuar në katror.
Ka një ligj etik e moral në jetën politike të çfarëdo demokracie të vërtetë, që është dhe një nga treguesit e shkallës së besueshmërisë së saj. Është tërheqja nga skena në çastin e duhur, kur roli ka mbaruar ose beteja është e humbur. Me dhimbje më duhet të pohoj se roli ynë ka mbaruar, sepse ne i humbëm të gjitha betejat e për pasojë, tani me vetëdije e sadopak ndershmëri, duhet të lemë të tjerët në skenë, bijtë tanë. Ju urojmë me gjithë zemër atyre një fat më të mirë nga i yni e, u lemë si trashëgim moral një porosi: të mos përsërisin gabimet tona, të mos përvetësojnë veset e mendësinë tonë, të mos pajtohen kurrë me tiraninë, në çfarëdo forme qoftë edhe nëse do t’u duhet t’a paguajnë me çmime tepër të shtrenjta atë mospajtim…! Nuk është shumë e lehtë, por nuk është e pamundur.
Le t’i besojmë shpirtit krijues dhe mendësisë bashkëkohore të bijve tanë fatet e Vendit. Edhe nëse janë të rinj, edhe nëse ju mungon përvoja, edhe nëse do të gabojnë në ndonjë gjë të fillimit, atyre ju përket e ardhmja, le t’ju lemë në dorë dhe të tashmen. Jam i bindur se do të dinë t’a ndërtojnë e mbarështojnë më mirë se ne. Një hap mbrapa i Brezit tonë sot, në jetën politike e administrative të Vendit, do të na nderonte në sytë e brezave të ardhshëm, që në botën e kompjuterëve e të globalizimit, nuk do të arrijnë as t’i konceptojnë e jo më t’i falin vonesat, paaftësinë e gabimet tona, të cilat që tani janë duke paragjykuar dhe jetën e tyre.
Le të bëjmë tonën thirrjen e Papës Gjon Pali i II-të, drejtuar të rinjve, në ditën botërore të rinisë, në Tor Vergata: “Ju takon juve të përmirësoni botën”. Aty qenë dhe të rinj shqiptarë, që valëvisnin flamurin me shkabën dykrenore. Nëse për bashkëmoshatarët e tyre amerikanë, anglezë, francezë, italianë etj. fjalët e Atit të Shenjtë ishin një shtysë për të ndrequr e përmirësuar pamje të ndryshme e të veçanta të shoqërive të tyre, për të rinjtë tanë janë një thirrje e fuqishme për të rindërtuar gjithçka nga themelet. Nuk do të jetë e lehtë barra dhe për ta, mbasi vështirësitë janë shumë të mëdha, por më mendësinë e njeriut të lirë e pa paragjykime, me entuziazmin, vrullin, nismat dhe shpirtin krijues të moshës, me përgatitjen e duhur në shkolla e shoqëri të tjera, duke vërejtur, përsiatur e përshtatur përvojat e të tjerëve, ata do të dinë t’i përballojnë ato e të fitojnë mbi to.
Detyra jonë është të mos i pengojmë në punën e tyre dhe nëse ndonjë gjë e tyre nuk do të na pëlqejë, do të na duket e tepërt, e çuditshme, e papranueshme. Ne, mendërisht, i përkasim një bote tjetër, me gjithë kufizimet e saj dhe shpesh nuk arrijmë t’i kuptojmë ndryshimet që urdhëron koha dhe zhvillimi. Po t’i kishim kuptuar barra e tyre sot do të ishte më e lehtë. Uroj që në zgjedhjet e ardhshme administrative të kandidohen sa më shumë të rij e të reja. Do të jetë një tregues i dy vullneteve mjaft të rëndësishme: i tonit, për të filluar tërheqjen me nderin e armëve dhe i tyre, për të marrë përgjegjësitë e detyrat, për pasojë dhe mundimet që ato kërkojnë për përballimin e vënien në jetë. Uroj gjithashtu, që kriteret e zgjedhjes e të pjesëmarrjes në garën e ardhshme, të jenë ato të përmasave morale, por njëkohësisht të aftësive vetjake e të përkushtimit ndaj një pune që, po të bëhet mirë, jep frute e kënaqësi jo vetëm për autorët.
Këto ishin disa nga arsyetimet, që më erdhën ndërmend në atë bisedë të gjatë të përfytyruar me të njohurit e të panjohurit e asaj aradhe njerëzish, që është Brezi im. Ndofta kishte diçka të pazakontë në këtë bisedë, ndofta i vura përsipër atij të meta e gabime më shumë se ç’kishte, ndofta gjyqi i historisë nuk do të jetë kaq i ashpër, do t’i njohë dhe rrethanat lehtësuese. Do t’i njohë faktin se patëm fatin më të keq të gjithë brezave të këtij shekulli të Vendit tonë, për të jetuar nën thundrën e e diktaturës më të paskrupullt, më mizore, më të pabesë që kishin njohur shqiptarët. Qemë Brezi i triskave dhe i racionimeve, nuk shijuam as fëmini, as rini, as burrëri. Fëmijëria na kaloi duke luajtur me topa lecke e duke dëshiruar një copë bukë më shumë sesa racioni i përditshëm i triskës. Rinia u shkri në aksionet e pafund, në kampet e internimit e të punëve të detyruara, në kufizimet më absurde që mund të përfytyrohen.
Burrëria na erdhi në një kohë që ndryshoi gjithçka, por që ne na gjeti të papërgatitur për këto ndryshime. U detyruam të fillonim jetën nga hiçi, mbasi e gjithë puna e bërë deri në atë kohë ishte shumëzuar me zero. Disa prej nesh u morën me politikën e rezultatet u renditën më sipër, të tjerë filluan rrugën e pasurimit e disa të paktë dhe ja arritën, shumica përballon një jetë me vështirësitë ekonomike, shpesh të pakapërcyeshme, të kësaj faze të pafund kalimtare dhe shumë morën rrugët e mërgimit, për t’u bërë shërbëtorë e shërbëtore, duke gëlltitur në heshtje lotët e hidhur të një dinjiteti shpesh të lënduar.
Çfarë ruan e ardhmja për ne, nëse do të ketë një të tillë mbas një jete ankthi e mundimesh, është vështirë të parashikohet. Ne mbetëm gjithmonë në luftë, në një luftë të gjatë e të vështirë për mbijetesë. Qe një luftë pa armë, por jo më pak mizore. Viktimat e saj qenë ëndrrat tona të varrosura, dëshirat tona të parealizuara, liria jonë e gjymtuar, vitet e të vetmes jetë të flijuara për egoizmin e pafre të kolltukofagëve.
Jeta jonë qe një tribut që i duhej paguar utopive kriminale të të ashtuquajturve teoricienë të komunizmit, padijes, mungesës së skrupujve e xhahillëkut të atyre që i vunë në zbatim në Shqipëri ato teori, arkitektëve të botës së ndarë në zona ndikimi, paaftësisë së prindërve tanë për të kuptuar e shmangur rrezikun e gangrenës komuniste, paaftësisë sonë për t’a kryer me sukses operacionin e zhdukjes së saj. Dashje pa dashje ne e paguam atë tribut, nuk mundëm t’i shmangeshim. Ai qe fati ynë i hidhur, i ashpër, i pamëshirshëm. I ngjan legjendës së Sizifit…! Memorie.al
Korrik 2000
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016