NIKOLLË LOKA
Ax. ALFDRED DUKA
NIKOLIN KURTI
Pjesa e pesëmbëdhjetë
PSE NUK QËNDRON AKUZA POLITIKE PËR KOLABORACIONIZËM?
-Vazhdues i traditës së klerikëve katolikë atdhetarë –
Bashkëpunim për shtetin dhe vetëm në interes të tij
Gjatë vuajtjes së dënimit
Raporti i B.p. “Shigjeta”
Memorie.al/Më 27-8-1966, nga ora 19.30, burimi duel për të shëtit bulevardit me Dom Shtjefën Kurtin, i cili ishte caktuar si famullitar i katundeve Jube, Sukth e Ruzhbull. Duke ecë burimi i thotë Dom Shtjefnit: “Me italian e gjerman e ke pas çue mirë”, – “ishte ashtu detyra e pozita”, përgjigje Dom Shtjefni “jo mor, çfarë detyra e pozitë, është personi vetë, ke qenë ti”, ia priti burimi dhe vazhdoi, “t’kishte qenë ndonjë tjetër s’do të ishte qenë ashtu”, -Dom Shtjefni qeshi dhe duke kujtuar me nostalgji kohën e vet i tregoj tue i thanë: “A e beson kur pata thye këmbën në veturën time, nuk ka mbet një prej të mëdhenjve që nuk ka ardhë me më bë vizitë”. Burimi t’ue kalue bisedën për Vietnamin, i thotë Dom Shtjefnit: “More këta vietnamezët, dualën të fortë”. Ishte përgjigj bashkefjaluesi: “Të fortë se, asht Kina mbas tyre, indirekt asht luftë amerikano-kineze, pastaj unë kam thanë gjithmonë, komunisti në luftë shkon me dekë, e paramendon dekën, nuk i bën përshtypje”!
20-9-1966
“Shigjeta”
Detyra:
1- Shumë herë që vjen në Durrës Dom Kurti, takohu me ta dhe bisedoni edhe më gjatë sidomos për të mësuar shërbimet që u ka bërë gjermanëve e italianëve konkretisht. Nga ana tjetër, bisedoni dhe për situatën ndërkombëtare gjëra konkrete, por të mësuara si i komenton ai.
Masa-operative:
Një kopje e kësaj të dhëne ti kalojë P.Op të Lok. Qendrës me qenë se është me punë në territorin e tija prifti katolik Dom. Kurti.
Puntori Operativ
Skënder Duçi
Marrë nga P.Op. Q.K.
Dhënë nga B.P. “Adresa”
Raport i datës 21/4/1967
Burimi njofton se me datën 30/3/1967, jam takuar me Shtjefën Kurtin në dhomën e tij, ishte zyra e vjetër. Ndër të tjera u ankue për gjendjen ekonomike, mbasi nuk ka as një burim jetese, “Kooperativa nuk na jep as një copë tokë, se nuk jam anëtar i saj, më kërkuan që të bëhesha anëtar i kooperativës, ndoshta edhe nuk do të më pranofshin se jam pa kartë fronti”. “Shqefni vazhdon: Më ka thënë Dom Mark Dushi, që të merrem me përkthime në gjuhën latinishte ose të punoj korrektor”. Shqefni i tha burimit: Se po të isha unë në vendin e tij, do ta preferoja punën e dytë, mbasi në përkthime shpesh takon që ne priftit nuk na lejohet me i shqyrtue disa, se ne jemi dakord me e shtruar predikimin e fesë. Shqefën Kurtit vazhdon: Duke i thënë burimit: Dom Andon Doçi e kishte mbyll kishën dhe populli i këtij fshati nuk kish qenë e organizuar mirë, puna nga Partia dhe rinia nuk ishte organizuar në Gurëz, që populli ta kuptojë se ky asht vendim nga lart, si kur e kuptoi populli i Gurëzit. Kështu ishte e kotë me e kundërshtua këtë vendim, por me sa di unë tha Shqefni, kësaj të diele do t’i mbyllet edhe Dom Adon Duçit. –
Burimi e pyet: si mendoni ju a ka dijeni Vatikani për këtë ndryshim në lidhje me fenë në vendin tonë? Shqefni tha: Po unë besoj se Papa e dinë, mbasi shtypi shkon edhe jashtë, pastaj konsullata italiane, franceze, i venë në dijeni patjetër qeveritë e tyre, për çdo gjë. Burimi i dytë: a e dini se çfarë ka thanë Vatikani për këtë punë? Jo tha Shqefni, deri më sot nuk jam në dijeni të ndonjë momenti të Vatikanit ka fol rreth çështjes se Kishës në vendin tonë, së pakut me ata që jam takuar, as nga Dom Zef Bici që drejton fenë Katolike në Shqipëri deri tash dhe vazhdon të shërbejë në Kishën e Tiranës që ndodhet në rrugën e Kavajës, e vetmja kishë që ka mbet pa u mbyllë.
Shqefni i tha burimit: Shyqyr që Vatikani nuk ka bërë ndonjë protestë botërisht, mbasi nuk do na sillte ndonjë dobi kjo punë, veç se dam, mbasi qeveria do të na persekutonte. Edhe në të kaluarën, sa herë që shtetet e perëndimit ose Vatikani kanë dalë me fraza mbrojtëse ndaj njerëzve politikan apo fetar, kanë sjellë një keqësim trajtimi të personit të mbrojtur nga jashtë. Burimi e pyeti: A e prini një gjë të tillë? Shqefni i përgjigjet: Ne na e priste mendja se do të ndodhet një gjë e tillë, që kur filloi revolucioni në Kinë, për faktin se edhe ne si aleat me Kinën, duhet të vepronim ashtu si bahesh atje, me atë që të jesh mik dhe shokë duhet me i’a pëlqye veprimin ose me u nda prej tij.
“Adresa”
Detyrat ndodhen në origjinalen që ndodhet në dosjen e Degës së Punëve të Brendshmesh.
Puntori – Operativ
(Qemal Karamani)
Shënim!
Datë 2.6.1967, “Shëndeti” thotë për Shtjefën Kurtin: “Ka qenë arrestua më 1946, se ka qenë shok me Zef Bicin, se ata të kryesisë kooperativës nuk e shikojnë fare (nuk interesohen)”. I ka thënë se “radio Iliria i punon shumë mirë dhe e dëgjon shumë mirë». Kanë komentuar ngjarjet ndërkombëtare. “Shëndeti” jep shumë të dhëna të thjeshta dhe disa herë nuk jep hiç fare. Është i interesuar për fatin e klerikëve e sidomos të fesë. Se nga jashtë, asnjë nuk u interesua për ne (klerikët), as Italia e as OKB-ja. Del kundër masave që ka marrë Partia kundër fesë: “Pse atëherë ngrihen këta më tepër mbi ne, të na lenë rahat”? Është interesuar për Markun që është arrestuar.
Me datë 16.11.1968 “Shëndeti” thotë se Kurti ankohet se jeton shumë keq, se është plak e nuk mund të punonte se nuk kishte gjë, përveç bukën e gojës. – Se nuk e kishte lënë Këshilli Popullor që, të merrte pjesë në ceremoninë e varrimit të nënës së Frano Ilisë.
Më datë 14.12.1969, Shtjefën Kurti ka njoftuar “Shëndetin”, se çfarë është bërë me liturgjinë fetare, se janë bërë edhe ndryshime në radhë, ishin bërë ndryshime në meshë, aq shumë sa besimtarët në Itali, kishin dalë nga kisha për të mos parë meshë, në shenjë proteste. Kush di se çfarë të them ndryshime të mëdha po bën ky Papë. Andej në Perëndim, duket se është përkëdhelur populli katolik, që nuk i bindet urdhrit.
Kallëzim nga një “qytetar”
Në Milot më 28/6/1967.
Unë Punëtori Operativ i Degës Punëve të Brendshme “Anës Sigurimit” Krujë, Q.K., mora kallëzimin me gojë nga qytetari D. lindur dhe banues në katundin Gurëz të rrethit Krujë, me kombësi dhe shtetësi shqiptar, me profesion….dhe tash…., me arsim fillor, i martuar me…!
Qytetari në fjalë u paralajmërua për përgjegjësinë penale që ka në bazë të nenit 219 të Kodit Penal, në rast se bën kallëzim të rremë ose përkufizon atë.
Mora njoftim
(D……)
Pyetje: Na tregoni nëse e njihni Dom Shtjefën Kurtin nga Gurëzi, kur dhe ç’marrëdhënie kini pasur me të?
Përgjigje: Njihem me Dom Shtjefën Kurtin prej kohësh se ka qenë famullitar në kishën e Gurëzit dhe tash banon përsëri në Gurëz. Marrëdhëniet me të nuk i kam patur të këqija.
Pyetje: Ç’dini të na thoni për Dom Shtjefën Kurtin?
Përgjigje: Unë di t’u them se para dy muajve isha në Tiranë dhe para kafes së “Bar-Sahatit”, jam takuar me Dom Shqefën Kurtin me banim në Gurëz dhe mbasi u përshëndetëm, shkuam në Pallatin e Kulturës, pimë nga një kafe e nji fërnet dhe gjatë bisedës shkoj fjala te pakot që i kishin ardhur nga jashtë. Në këtë rast Shqefni tha: “Këto pako m’i pat dërguar motra që kam në Prishtinë të Jugosllavisë, ajo më ka ndihmuar gjatë kohës që isha në burg dhe ajo po më ndihmon e po më mban edhe sot.
Unë sot jam 60 vjeç burrë, por po të bëhesha dhe një herë i ri sa ti, do të disha unë seç rrugë do të merrja, me gjithë se akoma i fortë jam nga këmbët, po pi D… dhe një fërnet e mos e zgjat bisedën se ka njerëz e po na dëgjon no nji kot”. Me zë ma të vogël, Shqefni shtoj: “Unë kam qenë 4 vjet në Itali dhe di se çfarë jete bahet andej e këndej”.
Atë natë unë dhe Dom Shqefen Kurti kemi fjetur në hotel “Vollga” Tiranë, po jo në një dhomë dhe kur ishim duke ngrënë darkë në “Vollga”, Shqefni më tha: “Kam kaluar shumë mirë kur isha famullitar në Tiranë, në Itali e gjetkë, bile atëherë vija sa herë doja me veturë në Itali”.
Po kështu unë D…. isha dhe para 5-6 ditësh për një vizitë tek shtëpia e Dom Shqefën Kurtit në Gurëz, meqë kisha marrë vesh se ishte i sëmurë dhe në këtë rast më ka thënë: “Jam duke vuajtur nga stomaku, kam dëshirë t’i shkruaj motrës për ilaçe, por akoma nuk i kam shkruar se nuk e shoh gjendjen mirë”.
Tjetër gjë nuk kam biseduar me Dom Shqefën Kurtin, por sa thashë janë të vërteta dhe mbasi m’u lexue proçesi, pashë se thanjat e mija janë shkruajtur drejt, prandaj i vërtetoj me firmën time.
Kallzuesi.
(D…)
Puntori Operativ
(Qemal Karamani)
Marrë nga P. Op. Q.
Dhanë nga B.p. “Adresa”
Krujë datë 14/7/1968
Raport i datës 14/7/1968
Burimi njofton se me datë 5.7.1968, jam takuar me Shqefën Kurtin. Shqefnin e dëgjova të thotë se: Dom Zef Bici me shokë kanë vazhduar rrugën time (punën time), që e kam ndërpre me rastin e arrestimit, nga organet e Sigurimit para 20 vjetëve, unë kam qenë i lidhur me Vatikanin, nëpërmjet Legatës italiane, ashtu siç vepronte grupi i Bicit, pas meje-nuk besoj tha Shqefni, që Dom Zef Bici të ketë thanë në gjyq që ne priftërinjtë jemi të gatshëm me cilin do. Mjafton që ai dhe ato të jenë kundër komunizmit.
Shqefni vazhdon: Unë nuk jam i bindur që Dom Franjo e Dom Zef Bici, të kenë patur marrëdhënie seksuale me femra; këto janë fjalë të ndyra që venë në diskreditim Klerin Katolik para besimtarëve! Burimi e pyeti priftin: si paske shpëtuar pa të ngatërruar me faj Dom Zef Bici, me që ke ndejt do kohë me ta në Gurëz tash vonë? Shqefni ju përgjigj: Ju a di për shumë faleminderit, si Bicit ashtu edhe Dom Markut që, nuk më vunë në dijeni për veprimtarinë e tyre, se do të kishim pësuar edhe unë si ata.
Në këtë kohë prifti tha: Pa bë gjë sot, Sigurimi nuk të kap, ndërsa në vitet e para të ardhjes së tyre në fuqi, për një fjalë goje, shkosh në botën tjetër. Kur B.p. e pyeti: Dom Shqefni, po në shtetet e tjera të Lindjes që janë socialiste, a janë kështu si në Shqipëri? Shqefni i përgjigjet, kjo asht e ndryshme në logjikë, më që heretizmi ka ekzistuar edhe para komunizmit dhe tashmë në komunizëm idhujtarët (të pa fetë), kanë ardhur duke u shumëzua.
Kur ai i tha Shqefnit se: unë çuditem se si klerikët, sidomos ju katolikët, nuk hoqët dorë nga veprimtaria antiparti dhe antipushtet? Ky u përgjigj se: çdo njeri ka idealin e tij dhe kur kam marrë një rrugë, të cilën e besoi si të vërtetë e të drejtë, e kam shumë të vështirë me e lanë, ashtu siç veprojnë komunistët, për rrugën e tyre po kështu edhe klerikët me besim të plotë e karakterin që kanë, pasi asht shumë vështirë me nejt në pasivitet…!
Në lidhje me përpjekjet e Vatikanit për, bashkimin e dy feve katolike, Shqefni tha: Ajo punë në kushte të sotme shihet shumë e nevojshme dhe jo vetëm ortodoksizmi e katolicizmi, por edhe të degëve të tjera si litueralizmi, kalvinizmit, me i shkri në një të vetëm, pra të jenë në një qendër drejtuese, në Vatikan. Se kështu përballohet me efikasitet komunizmi dhe hermetizmi. Në lidhje me trajtimin që i bahet në kooperativë, Dom Shqefni tha; se punoj sa mundem, në magazinë, ku faleminderit pra, magazinierit Nikollë Daka, që me sa mundet më ka trajtue mirë.
Ndërsa për strehimin jam shumë i pakënaqur, më që kjo dhomë, siç po e shoh, nuk është ma e madhe se birucat e Koçit.
Në magazinë janë edhe nja dy a tre punëtorë që punojnë, me mua, me të cilët unë shkëmbej pak fjalë, gjithashtu edhe të tjerë nuk vinë që të folin me mua, mbasi kanë frikë. Ashtu si që kam unë frikë me fol me të tjerët, mbasi t’i marrin fjalët tersë, edhe kur biseda asht familjare dhe shoqërore. Pasi rrobaqepësi, Prenga, vinte shpesh me ndejtë me mue, me të cilën kaloshin disa kohë muhabetin pa marrë nëpër gojë fjalë me gjider.
Për pranimin e shpenzimeve të ushqimit, kam kaluar deri tash me parat e plaçkave të shiturave, me që mëditja e punës dhe të tjerat më kanë munguar, siç të thash ka, as që dëshiroj, por nuk guxojnë. Për të zgjatur kohën e priftin, për arsyet e qëllimit që isha dërguar, fillova të pyes mbi disa çështje të fesë pa hezitim, bile kur ju duket se e teprova, dhe më tha se ju mësuesit, kërkoni materiale për ta përdorur në diskutimet tuaja me nxënësit. – E më popullin për kundra fesë, më falë se po t’i them, se ti nuk i ke për atë punë. Por thellimi i jot në disa çështje të fesë, të çon në atë që ti do me i ditë për kuriozitet.
“Adresa”
Detyrat: Janë të shkruar në origjinalin që ndodhen në dosjen e punës të B.p.
Masat operative:
U prodhua në një kopje, e cila do të vendoset në dosjen e Shqefën Kurtit.
Puntori Operativ
(Qemal Karamani)
Sekret
Ekstrat
Nxjerrë nga raporti i bashkëpunëtorit “Seman”
Nga përpunimi që i bënte në birucë B.p. “Semani”, Dedë Vukës, në raportin e datës 19/3/1969, faqe 3, rreshti 15 thotë se, Dedë Vuka më ka thënë: “Marka Kol Preçi (baba i Agostin Preçit) është thirrur dy herë në hetuesi. Ai nuk ka treguar as gjë mesa kuptoj unë. Kur kemi qenë në burg me Marka Kol Preçin, a’tij i kemi biseduar çdo gjë. Në fillim Marku më thoshte se: këtë Qeveri nuk e luan as topi, por tash u bind, mbasi kur kemi pasur një rast që unë jam takuar me Markun dhe Dom Shtjefën Kurtin në Gurëz, aty kemi biseduar të tre dhe e bindëm Markun se, me ardhjen e atyre të jashtmet, për të cilët i treguam dhe i thamë se të jashtmit shpesh herë na kanë rrejtur, por këtë radhë do t’u dalë fjala e tyre, bile do të bëhet diçka me rastin e Pashkëve. Se kur e kanë bindur Marka Kol Preçin, Deda e thotë”. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016