NIKOLLË LOKA
Av. ALFDRED DUKA
NIKOLIN KURTI
Pjesa e dymbëdhjetë
PSE NUK QËNDRON AKUZA POLITIKE PËR KOLABORACIONIZËM?
-Vazhdues i traditës së klerikëve katolikë atdhetarë –
Bashkëpunim për shtetin dhe vetëm në interes të tij
Vendimi i Gjykatës
Memorie.al /Por në përfundim të gjykimit, me vendim të Gjykatës së Rrethit Tiranë (Ushtarake), datë 17.4.1947, Dom Shtjefën Kurti, në bazë të neneve 3.7 paragrafi 8 – 9 -10 të Ligjes nr.372, u dënua me 20 (njëzet) vjet burgim pune të detyruar dhe humbjen e të drejtave civile edhe politike për 5 (pesë) vjet kohë. Gazeta “Bashkimi” e 18 prill 1947, komentoi vendimin e Gjykatës Ushtarake të Garnizonit të Tiranës, duke e shpallur “fajësinë” e tyre, sipas saj me “pak nga gjërat që thanë të dyshuarit dhe pak nga gjërat që ata i atribuan njëri-tjetrit”.
VENDIM I GJYKATËS SË RRETHIT TË TIRANËS (USHTARAKE)
Me vendim të Gjykatës së Rrethit Tiranë (Ushtarake), datë 17.4.1947, duke qenё se veprimtaria e tij parashikohet si faj, prej nenit 3,7 tё paragr. 8,9,10 tё ligjit nr.372
P R A N D A J
Pёr tё gjitha kёto bashkërisht dhe nё kundёrshtim me kёrkimin e Prokurorit, nё bazё tё nenit 4 tё Ligjit tё sipёrpёrmendur;
V E N D O S I:
Fajёsinё e fajtorit Dom Shtjefen Kurti dhe ndёshkimin e tij me njёzet (20) vjet privim lirie, punё tё detyruar, humbjen e tё drejtave civile dhe politike pёr pesё vjet kohё.
Vuajtja e ndёshkimit i fillon nga data e arrestimit.
Ky vendim u dha me tё drejtё kundёshtimi dhe u deklarua nё datёn 17/4/1947
Tё dёnuarit i ngarkohen shpenzimet gjyqёsore fr. (6)
Sekretari Kryetar
Ilia Xheka Major Gjon Banushi
Antarë Nëntoger Rushit Kananaj dhe Vasil Karajani
Akuzat kishin të bënin thjeshtë me veprimtarinë e tij fetare, me punën e tij si klerik dhe jo me ndonjë angazhim të veçantë politik ose ushtarak jashtë profesionit. Shtjefën Kurti në procesin hetimor dhe gjyqësor, i kishte shprehur hapur pikëpamjet e tij demokratike për ndryshime politike në Shqipëri. Nga bisedat që kishte bërë me përfaqësuesit e misioneve të huaja, kishte mësuar se: “do të zhvilloheshin zgjedhje të lira dhe mbas tyre do të kishte liri mendimi”. Duke besuar se Shqipëria do të kalonte në demokraci, ai ishte angazhuar për t’i përgatitur besimtarët e tij për zhvillimet politike që priste të ndodhnin, duke u angazhuar për demokratizimin e politikës dhe të shoqërisë, por nuk kishte marrë pjesë asnjëherë në organizatat që predikonin dhunë. Si meshtar, ai i kishte qëndruar besnik misionit të tij paqësor, por nuk i kishte fshehur asnjëherë bindjet e tij dhe veprimtarinë politike paqësore.
Kurti e kishte quajtur edhe në gjyq pozitive, praninë e një Partie Demokristiane në Shqipëri, në kuadrin e sistemit shumëpartiak. Ai i mbeti besnik bindjes së vet se ndryshimet në shoqëri duhet të shprehin vullnetin e shumicës së saj. Kurti nuk u dënua se kishte thyer ligjet e asaj kohe, por se kishte punuar sinqerisht në zbatim të tyre, ndërkohë që zyrtarët e rinj në pushtet, shumë nga ligjet i kishin nxjerrë për qëllime propagandistike, por në praktikë vepronin kundër tyre. Dom Shtjefni paraqitet si luftëtar i madh i lirisë fetare dhe politike dhe i ndryshimeve politike pa dhunë.
Të dhëna të tjera operative me rëndësi
Me 15 nëntor 1952, kur po vuante dënimin në burgun e Burrelit, është marrë në pyetje Dom Shtjefën Kurti për të dhënë sqarime në lidhje me akuzën për të cilën ishte dënuar. Në pyetjet që iu drejtuan atij, si dhe murgeshës Gabriela Prenushi një vit më vonë, del se organet e sigurimit po merrnin të dhëna për klerikët, përfshirë ata që ishin dënuar nga gjykata dhe po vuanin dënimin.
Seancë hetimore e të burgosurit Shtjefën Kurti
Sot me datën 15.XI.1952, ditë e shtunë, merret në pyetje i burgosuri Shtjefën Kurti, i biri i Jakut dhe i Katerinës, me profesion prift katolik, i burgosur për aktivitet armiqësor kundër pushtetit.
Pyetjeve që i drejtohen u përgjigjet si më poshtë vijon:
Pyetje: Kur ka ardhur gjenerali Hudgson i Misionit Anglez, kush prej klerikëve u takua me të?
Përgjigje: Me Gjeneralin Hudgson jam takuar un dhe Monsinjor Prengë Dushi, të tjerë klerikë nuk janë takuar me të, por se kanë parë kur ka ardhë në famulli Hutsoni. Klerikët që e kanë parë janë: Dom Luigj Gashi në Gurzë Krujë, Dom Frano Ilija në Rreth Krujë, përkthyes më kujtohet se ka qenë Dom Luigj Gashi.
Pyetje: A ja kthyet vizitën Hudgsonit dhe kush prej jush shkoi në këtë vizitë?
Përgjigje: Vizitën ja kthyem Hudgsonit dhe në vizitë kanë qenë: Monsinjor Preng Dushi dhe unë Dom Shtjefni, kurse të tjerë klerikë nuk ka pasë në vizitë, por se kanë pasë dijeni për vizitën që bamë, Patër Gjardi në burg, Patër Senti në Itali, Patër Mashkalla në burgun e Burrelit dhe Pater Filice Kieza, në Itali.
Pyetje: Koloneli Palmer me Majorin Smith kur erdhën në famulli me kë u takuan, përveç teje?
Përgjigje: Koloneli Palmer me Majorin Smith, kanë ardh në famulli në vitin 1945, në muajin fruer ose mars, saktësisht nuk e mbaj mend. Me Palmerin dhe Smithin jam takuar vetëm unë dhe për takimin që bana unë, ka pas dijeni dhe Dom Anton Zogaj, sot i vdekun.
Pyetje: Kur ju ka ardh Jakobsi dhe Anton Stivens të Misionit Amerikan në famulli, kush u takua me ta prej jush?
Përgjigje: Jakobsi dhe Stivens të Misionit Amerikan, kanë ardhur në famulli në ditët e Krishtlindjeve të vitit 1945. Me ta jam takuar vetëm unë, por se i kam tregue edhe Dom Anton Zogajt, për takimin që bana me ta.
Pyetje: Kur ja kthyet vizitën Jakobsit, kush vajti prej jush në vizitë?
Përgjigje: Vizitën Jakobsit ja kam kthyer unë mbas 10 ditësh. Kam vajtur vetëm unë, por i kam kallxue dhe Dom Anton Zogajt dhe Monsinjor Prengë Dushit për vizitën që i bana Jakobsit. Kam qenë edhe një herë tjetër në vizitë ke Jakobsi, por kam qenë vetëm dhe nuk kam pasë njeri tjetër.
Pyetje: A je takuar ndonjëherë me Fultzin dhe a i ke dërgue ndonjëherë letër?
Përgjigje: Me Fultzin nuk jam takuar ndonjëherë. Fultzit i kam dërgue një herë vetëm një letër. Nuk më kujtohet se përse ja kam dërgue këtë letër, për të cilën ka pas dijeni vetëm Rrok Oboti, të cilit ia dhashë letrën për Fultzin .
Pyetje: A e di ti se kush nga klerikët e tjerë ka pas lidhje me Fultzin?
Përgjigje: Unë nuk di tjetër njeri që të ketë pas lidhje me Fultzin.
Pyetje: Kur je njoft me Kryetarin e Misionit Françez Vizdorf dhe kush tjetër prej klerikëve ka pas të njohur ose lidhje me ta?
Përgjigje: Me Vizdorfin jam njoh në vitin 1945, kur ka ardh në Famulli bashkë me Vili Brut, edhe ky francez. Në kohën që më ka ardh në Famulli ka qenë edhe Anton Dukagjini bashkë me mua. Vizdorfi ka ardh edhe një herë tjetër në pranverë të vitit 1945 në Famulli dhe i ka bërë vizitë Monsinjor Prenushit. Po kështu Vizdorfi i ka bërë edhe një vizitë në Shtëpinë e Jezuitëve – Monsinjor Frano Gjinit.
Pyetje: Në çfarë kohe i janë dërguar letrat Vatikanit me anën e Misionit Francez dhe kush ka pas dijeni nga klerikët mbi këto letra që i dërgoheshin Vatikanit?
Përgjigje: Letrat i kam dërgue unë Dom Shtjefni në vitin 1945 dhe për dërgimin e këtyre letrave, kanë pas dijeni: Monsinjor Prenushi, Dom Zogaj, Dom Thaçi, Dom Gjinaj, At Meshkalla, Padër Gjardi, Pader Santi, Dom Frano Ilija, për të tjerët nuk më kujtohen. Kam dërgue edhe një letër në vitin 1946, tre katër ditë para se të arrestohesha me anën e Agustin Bonatit. Për këtë letër ka pas dijeni Dom Anton Zogaj dhe Imzot Bonati në burg. Nuk më kujtohet mirë nëse i kam thënë edhe Dom Mark Dushit. Përmbajtja e letrës ishte mbi mbylljen e shkollave, shtetëzimin e shkollave, laiçizimin e shkollave, mbi arrestimet dhe ekzekutimet që kishte bë pushteti ndër klerikë dhe të tjerë.
Pyetje: Ku i kishte marrë 7000 dollarët që t’i dërgoi Nigris?
Përgjigje: Dollarët që më dha Nigris, me sa e di unë i kishte marrë prej Vatikanit?
Pyetje: Në ç’vite ti dha Nigris 7000 dollarët?
Përgjigje: Nigris dollarët mi ka dhënë para se të shkonte për në Itali. Por se nuk më kujtohet se, a në fund të vitit 1945 apo, në fillim të vitit 1946.
Pyetje: Kush ka pas dijeni mbi dollarët që të kishte dhënë Nigris?
Përgjigje: Për dollarët që mi kishte dhënë Nigria, ka pas dijeni Monsinjor Prenushi dhe Dom Anton Zogaj.
Pyetje: Kur ti i mshefe këta dollarë, për të mos ia dhënë shtetit, kush ka pas dijeni prej klerikëve?
Përgjigje: Mbi mshefjen e dollarëve nga ana jeme, në kohën që u shtetëzua Shtëpia e Murgeshave, u morëm vesh se unë kisha mshef paret në shtëpinë e Murgeshave Servite, për këtë kanë pas dijeni Prenushi, Zogaj, Dom Mark Dushi, Dom Zef Bici, prifti Petraq në burg, Pashko Prela, Gjyltrude Toma, Motër Agostina, Motër Mikelina, Rrok Oboti, Nush Prendi, etj.
Pyetje: Kur je njoh me gruan amerikane Meri dhe kush tjetër prej klerikëve asht njoh me ta?
Përgjigje: Unë jam njoh me Merin në Pashkët e vitit 1945. Prej saj kam marrë edhe një biçikletë me dëftesë pagese. Me Merin janë njoh edhe murgeshat; tjetër njeri nuk di që të jetë njoh me Merin. Për biçikletën që mora prej saj, kishte dijeni edhe Dom Mark Dushi. Kur u arrestova unë, biçikletën e lashë në Famulli.
Pyetje: A kishit radio në famulli dhe çfarë stacionesh dëgjonit?
Përgjigje: Kemi pas radio dhe dëgjonim më shpesh përveç Radio Vatikanit edhe Radio Barin, Radio Londrën, dhe Radio Amerikën.
Pyetje: Ç’ke për të thënë më rreth pyetjeve që t’u bënë?
Përgjigje: Tjetër gjë nuk kam për të thanë, porsa këto që kam thanë, janë të vërteta dhe i firmos me firmën time.
I burgosuri Hetuesi
Dom Shtjefën Kurti Kapiteni I-rë, Maliq Jaupi
Seancë hetimore e të procedurës Gabriela Prenushit, me proceduesin, Major Rasim Dedja
Pyetje: Na tregoni çfarë dini juve për priftërinj e Famullisë së Tiranës ku ju banoni?
Përgjigje: Në vitin 1946 kur asht mbyll Kuvendi i Serviteve në Tiranë, Dom Shtjefën Kurti na ka marrë pranë Famullisë së Tiranës. Kam shkue unë (Gabriela), murgesha Gjyltrume Suma (vdek më 1950), Mikelina Demiri, e cila para tre vjetësh ka ardh në Shkodër.
Pyetje: Kë keni gjetë në Famullinë e Tiranës?
Përgjigje: Famullitar Dom Shtejfën Kurti, Sekretar Dom Mark Dushi, ndërsa Dom Zef Bici, ka ardh në famullinë e Tiranës kur ka hyrë në burg Dom Shtjefën Kurti. Harrova të them se me ne murgeshat në Famulli të Tiranës, ka ardh Dila Kurti, e cila rrinë me priftërinjtë dhe u shërbente atyre.
Pyetje: Na tregoni çfarë dini, pse është burgos Dom Shtjefën Kurti?
Përgjigje: Me sa di unë, Dom Shtjefni asht burgos për arsye se ka qenë mik i Jakomonit dhe në anë tjetër sepse, Dom Shtjefni ka pas msheh një sasi valute amerikane, dollarë, të cilat një pjesë i ka pas marrë Dom Anton Zogaj i cili, asht pushkatue dhe pjesa tjetër asht zbulue e marrë nga pushteti. Paret i kishte msheh e para jonë, Gjyltrume Suma, por edhe ne e ditshim se ku lihen të mshehura këto pare amerikane. Di gjithashtu se kur kanë fut në burg Dom Shtjefën Kurti, Dom Mark Dushi e Mikelina Demiri, kanë djegë në Famulli gjithë ato letra, pse kishin frikë. Dom Marku na ka thane se me bë me i gjetë këto letra, na shkojmë në hava (na burgosin).
Pyetje: Çfarë dini ju për Dom Mark Dushin?
Përgjigje: Dom Mark Dushi asht armik i pushtetit të sotëm dhe për shpirt do që ky pushtet të mos jetë e pret që për çdo ditë të ndërrojë situata. Dom Marku e të tjerë priftërinj, na kanë fut edhe ne urrejtjen për komunistët, të cilët na i paraqitshin të pa fe dhe na thoshin ne murgeshave se: “komunistët kanë djegë murgesha”. Na kishim frikë prej komunistëve se mos na djegin. Dom Marku, Dom Shtjefni etj., thoshin se: “këta janë katilë injorantë, që vrasin e presin etj”. Qysh te plaku topall (Monsinjor Benardin Shllaku), deri te prifti i fundit nuk e dojnë këtë pushtet dhe siç thashë, presin të rrëzohet pushteti.
Pyetje: Përveç urrejtës që Dom Mark Dushi kishte për regjimin, çfarë dini tjetër për të?
Përgjigje: Me Dom Shtjefën Kurtin e Dom Mark Dushin, ka pas të bënte një amerikane e quajtura Meri. Kjo Meri vinte gjoja me qep gjana te ne, por takohej me Dom Shtjefën Kurtin e Dom Markun, ku Gjyltrude Suma, luante rolin kryesor. Atë e përdorshin për të mos dal vet në dukje.
Pyetje: Gjyltruda Suma takohej me Merin?
Përgjigje: Me Gjyltrude Sumën Merin e ka njoft Marta Doda, e cila tani ndodhet në burg. Kjo Marta bënte çmos që të vinte në lidhje klanin (Dom Shtjefën e Dom Markun) me legatat e huaja. Për sa di unë, kjo Marta dhe më vonë e bija Frida, kishin të bënin me Legatën Franceze dhe më përpara me anglezët që kanë qenë në Shqipëri.
Pyetje: Çfarë dini ju për marrëdhëniet që kanë pas priftërinjtë ose murgeshat me anglezët dhe legatën franceze?
Përgjigje: Unë di që Dom Shtjefën Kurti e Dom Marku, nëpërmjet Gjyltruda Sumës, kanë marrë nga anglezët shumë sende ushqimore si kutia mishi, kakao, çokollata, anti-pasta, mjaltë, sheqer etj.
Pyetje: Po të holla kanë marrë nga anglezët murgeshat ose priftërinjtë?
Përgjigje: Di që Gjyltruda Sumës, anglezët i kanë dhanë edhe të holla dhe këto pare, pjesën më të madhe, Gjyltrudja ja jepte Dom Shtjefë Kurtit dhe ndonjë herë edhe Dom Markut.
Pyetje: Si binte në kontakt Gjyltrude Suma me anglezet që ishin në vendin tonë?
Përgjigje: Gjyltrudja në fillim ka marrë kontakt me anglezët nëpërmjet Marta Sadedinit. Mandej anglezet kanë ardh disa herë edhe në Kuvendin tonë. Unë di tre raste që i kam pa vetë. Të parën herë kanë ardh pesë veta dhe me ta kanë nejë (i kanë pritë), Gjyltrude Suma dhe Mikelina Demiri (të dytën herë kanë ardh katër veta). Edhe këtë radhë unë u kam çue kafet. Të tretën herë na kanë lajmrue me anë të Martës, se do të vinin për vizitë, dhe erdhën katër veta. Edhe këtë radhë i kanë pritë Gjyltrudja (Madre) dhe Mikelina (sekretare).
Pyetje: Di ti çfarë bisedash janë bë në mes të anglezeve dhe Gjyltrudes e Mikelinës ?
Përgjigje: Gjyltruda fliste me ta anglisht dhe me kenë se këtë gjuhë nuk e dija, nuk kam mundun me marrë vesh se çfarë bisedojshin, por Gjyltrudja na thotë se anglezet thonin se kjo gjendje do të ndërrojë, prandaj mos u mërzitni.
Pyetje: Po Dom Shtjefni e Dom Marku e dinin se vinin anglezët te murgeshat?
Përgjigja: Posi e dinin sepse Gjyltrudja që ma përpara i vinte në dijeni. Dom Shtjefni kishte kërkue që kur të vijnë, të futen nga dera e prapme dhe çdo gjë që ata t’u japin, merreni!
Pyetje: Po Dom Shtjefni e Dom Marku a janë takue ndonjë herë me anglezët?
Përgjigje: Në kuvendin tonë asnjë herë nuk janë takue sepse kishin frikë.
Pyetje: Përveç anglezëve më kë kishin të bënin murgeshat ose priftërinjtë?
Përgjigje: Përveç anglezëve kanë pas të bëjnë dhe me një grua amerikane që ia thoshin emrin Meri. Kjo Meri ka ardh në Kuvend të Serviteve (tek ne) me atë Marta Sadedin, gjoja për të pa disa fëmijë që mbajshin amerikanët.
Pyetje: Vinte shpesh Meri te murgeshat?
Përgjigje: Po thuajse një herë në javë vinte dhe binte sende ushqimore e pare. Sillte ma pak ushqime se sa anglezët. Amerikania e kish ditë që kishim pare amerikane të fshehura, që i’a kishte përmend Dom Shtjefnit në prezencën tonë e të Dom Markut.
Pyetje: Po Dom Shtjefni e Dom Marku a janë njohtë me Merin?
Përgjigje: Unë di që në Kuvend tonin Dom Shtjefni e Dom Marku janë takue nja 3-4 herë. Përveç kësaj d.m.th. takimeve te ne, Dom Shtjefën Kurti e Dom Mark Dushi janë takue me Merin edhe në kishë, kur ajo gjoja vinte me u falë.
Pyetje: Çfarë bisedonin Meri me Gjyltruden dhe Dom Shtjefën Kurtin e Dom Mark Dushin?
Përgjigje: Meri dinte italisht dhe flisnin në këtë gjuhë qoftë me Gjyltruden e Mikelinën, si dhe me Dom Shtjefnin e Dom Markun. Di që kësaj Merit, Dom Shtejfni dhe Dom Marku i’u ankojshin për gjendjen e vështirë të krijuar nga komunistët. Ajo u qante hallin dhe u jepte shpresa se gjendja do të ndryshonte për së shpejti. Merit, sidomos i dhimbsej Dom Marku, sepse ishte bukurosh. Mbaj mend që njëherë Dom Shtjefni na çoi, Gjeltrudën dhe mua te Meri që rrinte në një shtëpi të bukur në rrugë të Elbasanit, për t’i dhënë një porosi që të vinte të nesërmen te na. Na porositi, që në qoftë se ju pyet kush, kur të dilni nga shtëpia ku rrinte Meri, se pse kishim shkue aty, të përgjigjeshim se kemi shkue me marrë punë, se na murgeshat qëndisim. Vajtëm, por Merin nuk e gjetëm dhe na pritën dy burra, të cilëve u thamë se na kishte porositë Dom Shtejfni dhe pas pak u larguem. Gjyltrude Suma, Mikelina Demiri dhe unë (Nusha), kemi djegë nja sasi të madhe dokumentesh që ndodheshin në Famulli. Dom Mark Dushi na ka porosit që të mos i këndonim këto dokumenta, gjoja se kishte frikë se mos vinin komunistët e i xanë e, atëherë thonte “na mori lumi”.
Pyetje: Dom Zef Bici kur ka ardh në Famullinë e Tiranës?
Përgjigje: Dom Zefi ka ardh në famullin e Tiranës, mbas arrestimit të Dom Shtjefën Kurtit, si ndihmës i Dom Mark Dushit. Kam harrue pa thanë që, para se të hynte Partia, Dom Lazër Shantoja ka bisedue me Dom Kurtin që t’i mbante një sasi dokumentesh. Dom Shtjefën Kurti vjen dhe i thotë Gjyltrude Sumës që, këto dokumenta, të fshihen në Kuvendin e Murgeshave. Këtë ma ka dëftua Gjyltrudja. Në kuvend ka ardh edhe vetë Dom Lazri dhe i thotë Gjyltrudes që: m’i mbani mirë ato plaçkat, se unë po largohem. Nuk do të ik jashtë shtetit, sepse këta komunistët nuk e kanë të gjatë ndejën. Kur asht kap Dom Lazër Shantoja, ka ardh në Kuvendin tonë Dom Shtjefën Kurti dhe i thotë Gjyltrudes edhe ne të tjerëve që të gjitha dokumentet e Dom Lazrit t’i djegim dhe i kanë djegë Gjyltrude Suma, Mikelina Demiri, Agetina Ndreca. Unë kam ndejë me fëmijë të vegjël, por i kam pa tuj u djegë. Ka ardh pak kohë edhe Dom Shtjefni, kur po digjeshin dokumentet.
Pyetje: Çfarë dokumenta ishin ato të Dom Lazrit që u dogjën?
Përgjigje: Unë nuk i kam pa, por me sa më kanë thanë murgeshat që i dogjën këto dokumenta, kanë qenë dokumenta kundër komunizmit, por ma gjatë nuk di.
Pyetje: Mas arrestimit të Dom Shtjefën Kurtit ka vazhdue me ardh në Famulli, Marta Sadedini?
Përgjigje: Edhe mbas arrestimit të Dom Shtjefën Kurtit, ka ardh në Famulli Marta Sadedini dhe e bija Frida, që takohej me Dom Markun dhe Dom Zef Bicin. Ato vinin shpesh te prifti, pothuajse nji herë në javë dhe rrallë vijshin me na pa dhe ne murgeshat.
Pyetje: Me cilë italianë të tjerë ka pas të bëjë Dom Marku ose Dom Zefi?
Përgjigje: Tek priftat kanë ardhë shumë italianë, para se këta të niseshin për në Itali, por cilët kanë kenë këta unë nuk i kam njohtë. Di që më shumë prej këtyre italianëve kanë folë me Dom Shtjefën Kurtin, Dom Markun e, nga njëherë me Dom Zef Bicin. Këta i’u ankojshin për komunistët dhe ju luteshin atyre që kur të shkojnë në Itali, t’a paraqitnin gjendjen që asht krijua për Klerin Katolik dhe fenë Katolike. Nuk di që ndokujt prej italianëve t’u kenë dhanë letra.
Pyetje: Po mbas ikjes të italianëve për në Itali, a kanë ardhë të tjerë italianë në Famulli te priftat?
Përgjigja: Mbasi kanë ikë italianët e fundit për në Itali, tek tuk ka ardhë ndonjë italian tek priftat, sidomos ka ardhë shpesh një italian që ka qenë martue me me një murgeshë spitali të quajtur Suorë Terezja nga Gurëzi. Ky italian më duket se ka punue mekanik dhe për 4-5 muaj asht zhduk e nuk dihet a ka shkue në Itali, apo ka kalue në Jugosllavi. Për ç’ka do të bien ndërmend gjana që nuk i kam thanë, do t’u them ma vonë.
Sa u thanë ma sipër, mbasi mu lexuan i vërtetoj me firmën time.
E proceduara Proceduesi
Gabriela Prendushi Major Rasim Dedja
Vërtetohet se është njëlloj me origjinalin. Memorie.al
Punëtori operativ
Major Çesk Shoshi
Tiranë 19/10/1953
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016