Dashnor Kaloçi
Pjesa e dyzetë
Memorie.al publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhet dosja voluminoze (formulare, hetimore dhe gjyqësore), e Myrteza Bajraktarit me origjinë nga Gostivari, i cili pasi mbaroi shkollën e mesme në qytetin e Tetovës, në vitin 1952, filloi studimet e larta në Universitetin e Shkupit, në degën e Filozofisë, ku krahas mësimeve ai u punësua edhe si gazetar në gazetën “Flaka e Vllaznimit” që botohej në Shkup, nga ku e largojnë shpejt, pasi botoi një artikull ku dilte hapur kundër shpërnguljes së shqiptarëve të Jugosllavisë për në Turqi dhe, si rezultat u emërua mësues në shkollën 7-vjeçare “Shaban Zeneli” të Kumanovës. Arrestimi i Myrtezait nga UDB-ja në vitin 1952, pasi ai bënte pjesë në një organizatë të fshehtë të quajtur, ‘Organizata Nacional-Demokrate Shqiptare’ dhe dënimi i tij me shtatë vite burg politik, të cilat i vuajti në burgun e Nishit dhe të Idrizovës. Arratisja nga Jugosllavia dhe ardhja në Shqipëri, ku pasi qëndroi disa kohë në kampin e internimit në Seman të Fierit, i’u dha e drejta e shkollës së lartë, duke u diplomuar në Universitetin e Tiranës në degën Gjuhë-Letërsi, por pasi refuzoi emërimin në qytetin e Beratit, në vitin 1971, arrestohet dhe dënohet me shtatë vite burg politik, me akuzën “agjitacion e propagandë”. Dalja nga burgu e lënia pa punë deri në shembjen e regjimit komunist dhe emërimi i tij si Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë në Zvicër, deri në vitin 1993, si dhe më pas zgjedhja e tij si Kryetar Nderi i Lidhjes Shqiptare në Botë, për vendet e Beneluksit, ku ai punoi për çështjen e Kosovës, deri sa u nda nga jeta më datën 11 dhjetor 2020. E gjithë dosja e plotë e Myrteza Bajraktarit, me emrat e funksionarëve dhe oficerëve të Sigurimit të Shtetit, pseudonimet e bashkëpunëtorëve, “kolegëve” e “bashkëpatriotëve” që e ndiqnin dhe survejonin, provokatorët në qelitë e hetuesisë, dëshmitarët që i dolën në gjyq, letrat dërguar Enver Hoxhës dhe instancave të larta zyrtare ku kërkonte pafajësinë e tij, etj., etj., publikohet për herë të parë nga Memorie.al
Dokumenti sekret me shënimin operativ i hartuar nga Punëtori Operativ të Sigurimit të Shtetit, Besim Veizi, lidhur me dëshmitë që i ka dhënë shkrimtari Adem Istrefi, për Myrteza Bajraktarin
Sekret
Ekzemplar
Tiranë më 9.12.1983
SHËNIM OPERATIV
Në datën 9.12.1983, u takua nga ana jonë Adem Istrefi i cili, u pyet në lidhje me personat që ai ka pasur kontakte dhe që janë me origjinë kosovare dhe konkretisht për të arrestuarin Selim Kelmendi. Ademi për të tha se arrestimi i tij nuk i ka çuditur aspak lidhjet e tij shoqërore pasi, pritej një gjë e tillë. Selimi, u ishte vënë kujtdo si në shkollë ku jepte mësim, ashtu edhe në jetë dhe kishte lënë përshtypjen sikur ishte njeri i Sigurimit.
Pastaj Ademi tha se Selimi, ka pasur shoqëri shumë të ngushtë me Myrteza Bajraktarin pasi, me këtë person ka qenë i lidhur që kur ishte në Kosovë. Unë tha Ademi, në fillim kam pasur shoqëri me Myrtezain por, që kur dola dëshmitar për veprimtarinë e tij armiqësore, nuk shoqërohem më me të. Po kështu di se lidhje të ngushtë Myrteza Bajraktari ka gjithashtu dhe me Agim Gjakovën. Me këtë të fundit edhe Ademi kishte lidhje, pasi bënin bashkë punën e krijimtarisë.
Po kështu Ademi dinte që Myrtezai kishte lidhje dhe me Osman Rustemin (Kelmendin) dhe kjo lidhje ka ardhur pasi, Osmani ka pasur miqësi të ngushtë me baxhanakun e Myrtezait, Estref Kelmendin. Në një rast tregonte Ademi, kur kanë ardhur një grup sportistësh nga Jugosllavia ata, shoqëroheshin nga një person që ishte shefi i UDB-së për Pejën. Ky person, ishte martuar me mbesën e Myrteza Bajraktarit.
Veç këtyre, Ademi më tha se Myrtezai pretendon se është persekutuar nga UDB-ja, dhe tregon edhe një shenjë që ka në dorë gjoja të bërë prej tyre. Ajo shenjë Myrtezait i është krijuar aksidentalisht. Ademi është i predispozuar që të ndihmojë organet e Sigurimit të Shtetit, por njohja e tij në këtë drejtim ishte e vogël pasi, ai për njëfarë kohe ishte shkëputur nga këto ambiente.
Punëtori Operativ
Besim Veizaj
Dokumenti sekret i Punëtorit Operativ, Th. T., me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin, “Shkëlzeni” i cili ishte dërguar në qelitë e Degës së Punëve të Brendshme të Krujës, për të zbërthyer Selim Kelmendin, shokun e Myrteza Bajraktarit
Marrë nga P.Op. Th.T.
Dhënë nga B.p. “Shkëlzeni”
Sekret
Raport i datës 24.10.1983
Burimi njofton se në datën 22.12.1983, Selimi i ka thënë atij se: sonte hetuesi më kërkoi të flisja për të tjerë me të cilët kam biseduar për detyrën kryesore. Hetuesi më tha se emrat ne, i kemi në proces. Unë i thashë që të ikim nga kjo pikë, dhe në disa pika të tjera nuk do të ndalojmë më, por hetuesi nuk pranoi që të dilte nga kjo pikë.
Unë tha Selimi, kuptova se këta nuk kanë emrat e Myrteza Bajraktarit e të Kristina Palit por, mbasi unë fola në hetuesi dhe shpjegova për atentatin, këta kanë emra për dëshmitarë, por as Myrtezain dhe as Kristinën nuk e kishin.
Dhe atëherë ju drejtova atij se ku mund të jenë Myrtezai dhe Kristina?! Atëherë ai m’u përgjigj se çdo bjeshkë e di borën e vetë. Selimi nuk mundi më ta vijonte bisedën pas kësaj përgjigje. Në datën 23.12.1983, ai kur u kthye nga hetuesia, Selimi e pyeti sesi ja kalove.
Ai tha se: mua po më vjen shpirti në majë të hundës pasi, hetuesi nuk po më ndahet pa fol. Më mbajti 8 orë, dhe një ditë 5 orë. Më tha se nuk iki pa folur ti. Kur e pashë se nuk kisha nga t’ja mbaja, fola për ardhjen e Nimanit dhe takimin me Zefin te Isuf Qyti, herën e dytë në muajin shtator të 1978.
Hetuesi mbajti dhe këto shënime. Ai, më tha që unë po flas me gjysma, por do të pyetem më vonë për këto. Për të folur flet, por flet me vonesë. Selimi tha se edhe hetuesi jot, do të të bëjë pyetje të tjera në të ardhmen. Ai i tha hetuesit se unë nuk di gjë. Në datën 24.12.1983, Selimi i tha se këtu nuk rrihet dhe është mërzitur shumë.
Hetuesi nuk më ndahet edhe mua pa folur. Unë, kam leverdi që të dënohem me 10 vjet, më tepër nga ajo që kisha parashikuar. Por dua të iki në kamp tek shokët. Ne kemi nevojë për liri dhe në kamp jemi mirë dhe kam bindjen se këto nuk e kanë shumë të gjatë. Kurrë 10 vjet nuk i mbushin.
Këtyre u janë krijuar shumë lëmshe këtu. Në asnjë shtet të botës nuk ka aq shumë lëmshe ku çdo dy-tre vjet pushkatohen udhëheqës. Këtyre do ju krijohen dhe telashe të tjera dhe ne do dalim nga burgu. Ai, i tha Selimit se: mesa kuptoj unë, ti do e mbarosh hetuesinë dhe do më lësh mua këtu. Selimi më tha se jo, pasi ai kishte dhe shumë punë të tjera këtu dhe këtë gjë do e shohësh vetë.
“Shkëlzeni”
Sqarim: Selim Kelmendi ndodhet i arrestuar ndërsa Myrteza Bajraktari është shok i Selimit dhe Kristina Palit……………..janë të lirë.
Vlerësim: E dhëna ka vlerë operative pasi, Selimi flet për Myrteza Bajraktarin dhe Kristina Palin, se këta nuk i paskan dëshmitarë. Kjo tregon se këta, paskan aktivitet me njëri tjetrin dhe se B.p. bën agjitacion e propagandë.
Detyrë: B.p. ju dha si detyrë, të bisedojë me Selimin e ti thotë se më mori hetuesi por unë nuk fola veç atyre që fola dje. Hetuesi më tha që do të flasësh por unë nuk pranova, e kështu u ndamë.
Masat Operative: E dhëna të shtypet në katër kopje, për Selimin, për Myrtezain, për Kristinën, dhe për Degën e Parë. Me të dhënat të njihet edhe hetuesi.
Punëtori Operativ
Th.T.
Dokumenti sekret me ekstraktin e hartuar nga Punëtori Operativ i Sigurimit të Shtetit, Sokrat Paskali, me të dhënat e agjentit të Sigurimit me pseudonimin “Furtuna”, i cili ishte dërguar në dhomat e izolimit të Degës së Punëve të Brendshme të Krujës, për të zbërthyer Selim Kelmendin
S E K R E T
Ekzemplar e vetëm
Tiranë, më 9.12.1983
E K S T R A K T
Nxjerrë nga e dhëna e B.p. të dhomave të izolimit “Shkëlzeni” që përpunon të arrestuarin Selim Kelmendi, datë 20.12.1983
…Selimi tha se këtu është fjala për një shok tjetër të ngushtë, Myrteza Bajraktari. Ai tha se a e kanë arrestuar Myrtezain, Selimi ju përgjigj jo. Ai i tha se pse nuk e kanë arrestuar? Kjo tregon se ai ta ka ngulur ty, bile, mund t’ju dalë dëshmitarë.
Këtë unë e kuptoj nga bisedat që më ke thënë ti Selim për të. Selimi tha se mua, nuk më besohet që të ketë folur Myrtezai për mua. E njoh mirë.
Kemi folur para dhe pasi doli nga burgu Myrtezai. Më ka thënë se çfarë ka hequr në hetuesi dhe si qëndroi pa u thyer dhe po të fliste, do të dënohej rëndë. Bile më ka thënë, se: unë ty Selim, nuk të nxora dhe e pe si qëndrova në gjyq ku ishte edhe vetë dëshmitar. Ai i tha se: a kishte gjëra të rënda Myrtezai po të fliste? Selimi tha se pakënaqësira ne kemi pasur të gjithë.
Antipati për udhëheqësin kryesor. Bisedat për atentatin ne i kemi bërë në vitin 1971, ndërsa Myrtezain, e kanë arrestuar në 1973-in, tani kuptoj, këtu e kam fjalën dhe sapo unë të flas, e të marrim dokumenta, Myrtezain e arrestojnë dhe njëherë (Selimi e bisedoj këtë disa herë).
“Shkëlzeni”
Vërtetoi njësia me origjinalin
Punëtori Operativ
Sokrat Paskali
Dokumenti sekret me raportin e hartuar nga Punëtori Operativ, Gjergj Gjoni, me të dhënat e agjentit të Sigurimit me pseudonimin “Furtuna”, lidhur me ndjekjen e survejimin e familjes së Estref Kelmendit, baxhanakut të Myrteza Bajraktarit
Marrë: Punëtori Operativ, Gjergj Gjoni
Dhënë: Agjenti “Furtuna”
Baza A.p. konsiprativ
Raport i dt. 20.1.1984
Më datën 17.1.1984, burimi shkoi në shtëpinë e Estref Kelmendit, e shoqja e Estrefit, Lejlaja, i thotë atij: “Gjatë bisedave me Myrtezanë, ai më porositi që në shtëpi të mos vijnë njerëz, sepse acarohet më shumë problem. Myrtezai më pyeti se si është ky burimi? Unë i thashë se burimi, mos e dysho, për të tilla gjëra. Ato kanë pyetur se nga na erdhi kjo e keqe! Myrtezai më tha që burimi në veçanti nuk duhet të vij në shtëpi”.
“Furtuna”
Sqarim i të dhënës: E dhëna bën fjalë për Myrteza Bajraktarin, i cili ndiqet në 2/A, nga Drejtoria e Punëve të Brendshme në Tiranë.
Vlerësim i të dhënës: E dhëna ka vlerë operative për faktin se lidhjet e të arrestuarit, Estref Kelmendi, e porosisin të shoqen, që të mos i shkojnë njerëz në shtëpi.
Detyrë për bashkëpunëtorin: Në biseda me Lejlanë, i thuaj, se unë i kam parasysh porositë e Myrtezait, por, pasi u sigurova për ardhjen tek shtëpia jote, nuk mund të rri pa ardhur me të taku ty, se sikur më duket që nuk kam ardhur tek ju, kur nuk kishit asnjë nevojë për mua. Po shkove në Tiranë, i bëj të fala Myrtezait.
Punëtori Operativ
Gjergj Gjoni
Dokumenti sekret me raport-informacionin e hartuar nga Punëtori Operativ i Sigurimit të Shtetit, Th. T., me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Shkëlzeni”, që ishte dërguar në dhomat e izolimit të Degës së Punëve të Brendshme të Krujës, për të zbërthyer Selim Kelmendin
Marrë: Pun. Op. Th. T.
Dhënë: “Shkëlzeni”
Raporti i datës, 1.2.1984
Burimi njofton, se mbasi shkoj nga hetuesia në dhomë, me datën 31.1.1984, paradite, Selim Kelmendi, e pyeti atë se: si ja kalove sot, mbasi hetuesi të paska shtrënguar shumë me hekura dhe t’i paska copëtuar duart. Po, i tha ai, më shtrëngoi boll, por edhe sot nuk fola, dhe më ka gjendur ngushtë me pyetjen që më ka bërë, pse erdhe në Tiranë dhe me cilët je takuar, për këtë kam frikë se mos ka folur Zefi im, ndonjë fjalë për mua.
Po, tha Selimi, Zefi duhet të ketë folur, prandaj të shtrëngon hetuesi dhe e ke kot që mbahesh, mbasi këta nuk të lënë pa folur, deri sa t’i thuash të gjitha dhe vazhdoi t’i thotë atij, se hetuesi e mi, nuk po duken të vinë akoma, si duket e kanë bërë planin me na nxjerr në gjyq.
Pasi kalojmë një copë kohe pa folur, Selimi e hodhi muhabetin tek Shefqet Kelmendi dhe Estref Kelmendi, ku tha se: Shefqeti ka rreth dy vjet që e ka filluar duhanin, ndërsa Estrefi, pi vetëm ndonjë në të rrallë. Estrefi me Myrteza Bajraktarin, janë baxhanakë. Unë e Myrtezai, kur kemi qenë në universitet, kemi qenë shokë të ngushtë dhe çdo gjë e bënim bashkë, e në çdo vend ishim bashkë.
Kur ishim në universitet, unë dhe Myrtezai më shumë rrinim nëpër klube, duke pirë, mbasi pare kishim boll, se sa shkonim në mësim dhe në klasë, neve ishim nga më të dobëtit. Përveç Myrtezait, në universitet unë kisha edhe dy shokë të tjerë, Estrefin dhe një nga Peja, i cili quhet Ahmet, tani është mësues në Fushë-Krujë.
Gjatë kohës që Myrtezai ishte student, u fejua me një vajzë këtu në Tiranë, baba ii të cilës, është këpucar, në shtëpinë e të fejuarës, Myrtezai u bë zot shtëpie, kjo kishte edhe dy motra të tjera, njëra nga këto, ja dha Estrefit, ndërsa tjetrën, ja dha Ahmetit, i cili tash është me banim në Tiranë, por me punë në Fushë-Krujë.
Ahmeti tha Selimi, ka qenë shok i ngushtë i vëllait tim, Ymerit dhe kur ka qenë këtu Ymeri, kam ndenjur bashkë në Seman, në një dhomë, dhe kur iku vëllai jem, Ymeri, Ahmeti erdhi dhe më kërkoi mua. Për kohën që kam ndenjur në Fushë-Krujë, tha Selimi, unë i kam zgjedhur shokët dhe sidomos, më tepër rrija me ata që ishin të prekur, shokë të ngushtë kam pasur, Ali Kasmin, mësues i Matematikës në gjimnazin e Fushë-Krujës.
Aliut, po t’i thoshe që lërë, iks nxënës në klasë, ai e linte menjëherë, pas këtij, zura shok Dritan Spahiun, ishte i goditur, mbasi ka vëllanë e tij, të dënuar për veprimtari armiqësore, gjithashtu, shok kam pasur edhe Kasem Biçokun, mësues në Fushë-Krujë, i cili ka qenë me punë në Tiranë, por u godit, pasi vëllai i tij, u dënua me 20 vjet burg, me këto grupet e fundit.
Me të tre këta shokë, shkonim mirë me njëri tjetrin dhe kur shkonim ne nëpër mbledhje, për t’u dukur se ishim korrekt me punën, bënim kritika formale. Më gjatë, nuk vazhdoi biseda.
“Shkëlzeni”
Sqarim: Myrteza Bajraktari, banon në Tiranë dhe është baxhanak me Estref Kelmendin, i cili është arrestuar kohët e fundit, si dhe me Ahmet Sadikun, i cili banon në Tiranë dhe me punë është në Fushë-Krujë, me sa dimë, në ngarkim të Ahmetit, ka materiale, sepse është emigrant.
Ali Kasmi, banon në Fushë-Krujë, është arsimtar.
Dritan Spahiu, është me qëndrim të keq, banon në Fushë-Krujë dhe punon mësues.
Kasem Biçoku, ka një vëlla në burg, banon në Fushë-Krujë dhe është mësues në shkollën e mesme.
Vlersim: E dhëna ka vlerë operative, pasi Selimi ka filluar të flasë, B.p.-it, për lidhjet e tij shoqërore, të cilat janë me përbërje të keqe dhe UDB-ja i ka dhënë detyrë Selimit, që me të tillë njerëz të qëndrojë.
Detyrë: Edhe sot në hetuesi, more Selim nuk fole, megjithëse hetuesi më bëri politikë që të flisja. Me këtë pikë që më kërkon hetuesi, jam ngushtë dhe nuk di si t’ja bëj, pasi ai nuk të lëshon.
Masat Operative: E dhëna të shtypet në pesë kopje, Selimi nji, Estrefit, Myrtezain, Ahmeti, Ali Kasmi, Dritan Spahiu, Kasem Biçoku.
Me të dhënat të njihet hetuesi. Në drejtim të personave të mësipërm, të drejtohet ndonjë B.p., për të parë reagimet e tyre, për Selimin. Memorie.al
Punëtori Operativ
Thanas Toto
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016