Nga Dr. Guri Pani
Memorie.al/ Gjatë këtyre kohëve të fundit, kam parë në disa emisione të ndryshme televizive, mjaft diskutime për problemet që janë hapur lidhur me ‘Menaxhimin e Parkut Arkeologjik të Butrintit’.
Është për të ardhur keq, që qëndrimet e specialistëve nuk janë marrë shumë në konsideratë, madje mund të them se janë injoruar.
Shoqëria jonë po përfshihet në këtë kohë me disa alternativa të vrullshme, të ndryshme nga ato të disa viteve më parë. Dhe kuptohet, kjo duhet bërë me disa rregulla dhe ligje të reja, që ndihmojnë zhvillimin dhe afrimin me kulturën evropiane.
Pra institucionet e ndryshme shtetërore, duhet të kryejnë një punë të madhe sensibilizuese për të futur fazat e zhvillimit në brazdën e ligjeve të hartuara, lidhur me zhvillimin ekonomik, politik dhe ligjeve për mbrojtjen e kulturës dhe traditave të vendit. Secili nga këto ligje duhet të jetë në harmoni me njeri tjetrin, për të krijuar harmoninë e përgjithshme shoqërore.
Pra, veç të tjerash, unë si intelektual, qytetar, por dhe specialist i fushës, (arkitekt-restaurator), ndjej shqetësimin e një amullie të krijuar si rezultat i prishjes së kësaj harmonie.
Jo çdo njeri ka përcaktime të njëjta për artin, arkitekturën ose edhe qasjet me jetën kulturore ose zhvillimet politike. Secili, ne baze te kualifikimit ose pozicionit qe ka ne shoqëri, mendon dhe gjykon brenda këtyre limiteve.
Përmenda këto, sepse nuk dua të bëj me faj, ose nuk dua të gjykoj për ata që mendojnë ndryshe nga unë. Misioni im si, Arkitekt-Restaurator, ka qenë të ruajë trashëgiminë kulturore dhe t’a përcjellim atë brezave të ardhshëm. Ky është misioni i të gjitha institucioneve kulturore në botën e qytetëruar.
Ne tërësinë e objekteve që ne trashëgojmë, mund te veçojmë zona historike, parqe arkeologjike, objekte kulti, fortifikime, banesa etj., të ndara në atë mënyrë sipas specifikave të tyre dhe problemet që lidhen me studimin dhe mbrojtjen e tyre.
Po të kthehemi te Parku Arkeologjik i Butrintit, dhe të gjitha parqeve arkeologjike në botë, duhet të kujtojmë misionin e tyre, që është konservimi, mbrojtja dhe trasmetimi i pasurive kulturore brezave të ardhshëm. Pra nuk është përfitimi ekonomik siç po trumbetohet nga disa pushtetar apo grupe njerëzish që duan të përfitojnë nga pasuritë kulturore.
Pasuria kulturore është pronë e të gjithëve, jo vetëm e një grupi të caktuar. Prandaj, çdo ndërhyrje në pasurinë kulturore duhet bërë diskutim i kualifikuar me institucionet e ngarkuara me ligj për mbrojtjen e tyre, dhe organizmat e pushteti ku ndodhen pasuritë kulturore.
Shumë vite me parë, kur unë u ngarkova të miresha me konservimin e rrënojave arkeologjike në Butrint dhe Apolloni, mua më duhej të kuptoja historinë, fazat e ndryshme të ndertimit, teknikat specifike të ndërtimit, arkitekturës etj. Ishte një pune e lodhshme dhe e gjatë studimore, por shume tërheqëse, sepse, hap pas hapi, zbuloja elemente të reja, që të fusnin brenda një bote enigmatike dhe shumë frymëzuese.
Më kujtohet kur po punoja në teatrin e Butrinti, pikëpyetjet ishin të shumta, jo vetëm me arkitekturën, teknikat dhe fazat e ndërtimit, por edhe enigma përse ky teatër ishte ndërtuar pranë me Tempullin e Asklepit apo pranë hyrjes fortifikuese të qytetit.
Ne vitin 1988 unë isha në një aktivitet kulturor në Greqi, dhe përfitova nga rasti për të vizituar teatrin e Epidaurit, mjaft i njohur për vetitë e tij akustike, por për mua kishte rendësi se edhe ky teatër, ishte i lidhur gjithashtu me tempullin e Asklepit. Ishte gjithashtu një koincidencë, që në atë vit, ky teatër u shpall pasuri botërore nga UNESCO.
Duke u kthyer në Shqipëri po mendoja, çfarë duhet të bënim, që dhe teatri i Butrintit, të shpallej Pasuri Botërore. Atë vit zhvillohej dhe Konferenca Vjetore e shteteve anëtare të ICCROM-it në Romë. Aty patëm mundësi të takonim disa personalitete të UNESCO-s, të cilët me respekt na përgëzuan për punën e mirë shkencore që po zhvillohej në Shqipëri, punë e cila ishte bërë e njohur, sidomos mbas dy ‘Kuvendeve Ilire’ të zhvilluara nga Akademia e Shkencave dhe Simpoziumi ‘Mbi mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës’ të organizuar nga Instituti i Monumenteve të Kulturës. Ata na rekomanduan të përgatisnim materialet e nevojshme me, propozimet për shpalljen e disa monumenteve.
Menjëherë në Institutin e Monumenteve u përgatitën dokumentet e nevojshme për shpalljen ‘Pasuri Botërore’ të disa monumenteve, si:
- Parkun Arkeologjik të Butrintit
- Qyteti Historik i Beratit
- Qyteti Historik i Gjirokastrës
- Amfiteatri i Durrësit
(Berati dhe Gjirokastra u shpallën me vonë ‘Pasuri Botërore’, ndërsa Amfiteatri i Durrësit ende nuk është futur në listë)
Në fillim të viteve ’90-të, duke qenë dhe Inspektor i Përgjithshëm i Monumenteve të Kulturës, dhe anëtar i Komisionit të Kulturës, pranë Këshillit të Evropës, morëm pjesë në disa aktivitete të organizuara nga UNESCO, në: Gjermani, Francë, Itali, Greqi Turqi dhe Tunizi, e diskutohej që lista e pasurive botërore po shtohej vazhdimisht.
Ne vitin 1992, unë isha i ftuar për të kryer kursin 6 mujor të ICCROM-it në Romë. Në ICCROM pata mundësi të kontaktoja disa specialistë dhe njohës të: ‘Legjislacionit për mbrojtjen e Pasurive Kulturore’. Unë e shihja si imperative nevojën e një legjislacioni të ri në Shqipëri, duke ditur se legjislacioni ekzistues, nuk përfshinte ndryshimet e reja të ndodhura në vendin tonë, lidhur me pronën private, dhe marrëdhëniet e reja të krijuara mbas vendosjes së sistemit demokratik në vendin tonë.
U ktheva në Shqipëri duke marrë me vete dhe legjislacionin e 20 vendeve të Mesdheut, ndërmjet tyre, legjislacionin e Greqisë, Italisë, Spanjës, Francës dhe Turqisë. Mbas disa kohësh, legjislacioni i ri i përgatitur nga unë dhe i konsultuar edhe nga juristi i Institutit të Monumenteve të Kulturës, u diskutua edhe nga një specialist i ligjeve mbi Trashëgiminë Kulturore, dërguar për ketë qëllim nga Komisioni i Kulturës së Këshillit të Europës, Prof. O’Kiff.
Projekt-Ligji kaloi më vonë te Ministria e Financave dhe Ministrinë e Drejtësisë.
Në vitin 1993, Legjislacioni i ripunuar, Nr.7867, u kalua në Parlament, dhe ai u miratua me dt. 12.10.1994, me titull: “Për mbrojtjen pasurive kulturore të Luajtshme dhe të Paluajtshme”.
Ligji kishte nevojë për plotësime me nën ligje, që do të rregullonin marrëdhëniet e shtetit me privatë, ose do të përmirësonin funksionimin më të mirë të tij, të cilat pothuaj u neglizhuan për shume kohë. Më vonë, në vitin 2003, u bënë disa përmirësime të Ligjit, lidhur me zonat pasuri natyrore dhe problemet e Menaxhimit.
Gjithashtu në vitin 1993, Butrinti u shpall “Pasuri Botërore” dhe kjo bëri një jehone te madhe në ambientin kulturor. (me kujtohet, qe unë vajta të uroj drejtorin e Institutit të Monumenteve të Kulturës. Dr. Prof. Emin Riza, dhe ai me priti shumë keq, duke më thënë, që unë më shumë isha interesuar për Butrintin, sesa për qytetin e Beratit, që ai dëshironte të shpallej “Pasuri Botërore”, etj.…)
(Këtë element të shpalljes së Butrintit “Pasuri Botërore”, në vitin 1993, e përmenda për faktin, që: kryeministri aktual, z. Edi Rama, nuk ishte Ministër Kulture në atë kohë, dhe nuk ka asnjë kontribut për Butrintin, ashtu si kërkon të mburret). Pa dashur edhe të mbaj qëndrim politik për këtë problem.
Duke parashtruar sa më sipër, mendoj se ky është vetëm një kontribut modest, që mund të jap për mbrojtjen e Parkut Arkeologjik të Butrintit. Ligji dhe Konventa e Parisit e, përcakton qartë që është shteti si palë kryesore, lidhur me mbrojtjen e pasurive kulturore.
Është për t’u përmendur dhe fakti, që në vitin 2012, ishte i ftuar Prof. Goira Solar, për të ndihmuar për ‘Mbrojtjen e Pasurive Kulturore’. Midis të tjerash, ai thotë për Shqipërinë, “…unë kam qenë drejtuesi i një ekipi, që përbëhej nga shqiptarë, financuar nga AADF, për të përgatitur një plan të ri menaxhimi, për sitin arkeologjik të Butrintit. Unë vetëm sa kam rishikuar raportet e përgatitur nga ekspertët vendas, të cilat ishin dhe janë shume mbresëlënëse…”!
Gjithashtu ai shprehet: “… në raportim tim paraprak, kam shkruar se; Butrinti kishte më shumë plane menaxhimi të përgatitura për të, dhe më shume misione UNESCO-ICOMOS, se çdo sit tjetër në botë”!
Kaq për të kuptuar se plani i ri i menaxhimit, i përgatitur me kërkesën e Ministrisë së Kulturës, nuk ishte i nevojshëm, por prapa këtij plani, janë fshehur afera korruptive, për të hequr nga zona e mbrojtur e Parkut Arkeologjik qindra km.2 , për t’i shfrytëzuar për ndërtime turistike.
Prof. Goira Solar, është një nga personalitet më të shquara për mbrojtjen e Citeve Arkeologjike, në vende të ndryshme të botes. Ai ka drejtuar projekte të rëndësishme, përfshirë Kinën, Kroacinë, Maltën, Bosnje-Hercegovinën, Turqinë, Sllovakinë, Amerikën, Izraelin dhe Shqipërinë.
Unë kam qenë në Butrint nga viti 1973 deri në 2002-in, dhe gjatë gjithë kësaj periudhe, mund të them që edhe Fondacioni ‘Butrinti’, me gjithë disa anë pozitive, nuk dha asnjë kontribut për konservimin dhe restaurimin e rrënojave arkeologjike.
Po të shikoni artikullin mbi Santuarin e Butrintit, ju do të kuptoni që kryhej një punë shkencore për restaurimin në Butrint, për të cilën janë shprehur të gjithë specialistët e huaj, me simpatinë maksimale.
Prof. Jevat Erder, kur vizitoi zonat arkeologjike dhe qytetet historike në Shqipëri, është shprehur i impresionuar, që: “UNESCO duhet t’a kishte Zyrën e saj, këtu në Shqipëri”.
Kjo është e vërteta dhe unë mund të them që vendi ynë, i ka të gjitha mundësitë dhe përgatitjen shkencore, për te kryer gërmime arkeologjike dhe restaurime të rrënojave antike e mesjetare, në nivel bashkëkohor. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016