Dashnor Kaloçi
Pjesa e tridhjetë e katër
Memorie.al/ publikon disa dokumente arkivore të nxjerra nga institucioni i Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhet dosja voluminoze (formulare, hetimore dhe gjyqësore), e Myrteza Bajraktarit me origjinë nga Gostivari, i cili pasi mbaroi shkollën e mesme në qytetin e Tetovës, në vitin 1952, filloi studimet e larta në Universitetin e Shkupit, në degën e Filozofisë, ku krahas mësimeve ai u punësua edhe si gazetar në gazetën “Flaka e Vllaznimit” që botohej në Shkup, nga ku e largojnë shpejt, pasi botoi një artikull ku dilte hapur kundër shpërnguljes së shqiptarëve të Jugosllavisë për në Turqi dhe, si rezultat u emërua mësues në shkollën 7-vjeçare “Shaban Zeneli” të Kumanovës. Arrestimi i Myrtezait nga UDB-ja në vitin 1952, pasi ai bënte pjesë në një organizatë të fshehtë të quajtur, ‘Organizata Nacional-Demokrate Shqiptare’ dhe dënimi i tij me shtatë vite burg politik, të cilat i vuajti në burgun e Nishit dhe të Idrizovës. Arratisja nga Jugosllavia dhe ardhja në Shqipëri, ku pasi qëndroi disa kohë në kampin e internimit në Seman të Fierit, i’u dha e drejta e shkollës së lartë, duke u diplomuar në Universitetin e Tiranës në degën Gjuhë-Letërsi, por pasi refuzoi emërimin në qytetin e Beratit, në vitin 1971, arrestohet dhe dënohet me shtatë vite burg politik, me akuzën “agjitacion e propagandë”. Dalja nga burgu e lënia pa punë deri në shembjen e regjimit komunist dhe emërimi i tij si Konsull i Përgjithshëm i Shqipërisë në Zvicër, deri në vitin 1993, si dhe më pas zgjedhja e tij si Kryetar Nderi i Lidhjes Shqiptare në Botë, për vendet e Beneluksit, ku ai punoi për çështjen e Kosovës, deri sa u nda nga jeta më datën 11 dhjetor 2020. E gjithë dosja e plotë e Myrteza Bajraktarit, me emrat e funksionarëve dhe oficerëve të Sigurimit të Shtetit, pseudonimet e bashkëpunëtorëve, “kolegëve” e “bashkëpatriotëve” që e ndiqnin dhe survejonin, provokatorët në qelitë e hetuesisë, dëshmitarët që i dolën në gjyq, letrat dërguar Enver Hoxhës dhe instancave të larta zyrtare ku kërkonte pafajësinë e tij, etj., etj., publikohet për herë të parë nga Memorie.al
Dokumenti sekret i hartuar nga Drejtoria e Punëve të Brendshme të Tiranës, ku është zbardhur biseda që është regjistruar me T.O. (teknikë operative, përgjues), në ambientet e restorant “Arbëria” në Tiranë, ndërmjet Myrteza Bajraktarit dhe bashkëpunëtorit të Sigurimit, me pseudonimin “Ylli”
Ministria e Punëve të Brendshme Sekret
Drejtoria e Punëve të Brendshme Tiranë Ekzemplar i vetëm
Nr. 8
Grupi i II-të
Tiranë në 13.2.1980
Legjenda: O – Myrteza Bajraktari, B – B.p. “Ylli”
Ndalohet riprodhimi
Informacion i T.O. mbi bisedat e zhvilluara ndërmjet objektit Myrteza Bajraktari dhe B.p. “Ylli”, bërë në restorant “Arbëria” në datën 9.11.1980.
B – Duhet ti njihje ti.
O – Deklaruan më në fund.
B – Ti ishe i vetëdijshëm.
O – Ëë.
B – Këtë e mora vesh.
O – E more vesh, se të njohim dhëmbë e dhëmballë.
B – Kush ta tha këtë?!
O – Nuk po ta them emrin.
B – Pa zënë emra.
O – Jam Zëvendës Ministri i Punëve të Brendshme dhe anëtar i Komitetit Qendror më tha. Bëhu i arsyeshëm dhe mos u bëj i çmendur. Lahu në shtëpi dhe dil sonte, do të thuash se kam për të të çuar unë jashtë shtetit. Jo, nuk e bëj dot. Do të ngordhësh më tha ai, do të ngordhësh.
B – Se ti e pe, se ai i madhi është…!
O – Unë për…………………..e di se nuk bëhet ashtu, se është një………………….i bukur.
B – Hë.
O – Ky është i poshtër, ai nuk ka qen……………………!
B – Pse si e ka bërë ai?!
O – Po ai qe për të, ai duhet ti organizojë njerëzit si qeni të shkojnë të nesërmen, të lajmërojnë (qesh).
B – Si i organizon?!
O – I përgatit ai që të shkojnë në Kosovë dhe të bëjnë luftë nacionalçlirimtare e more vesh.
B – Po sikur nuk duket shumë gomarllëk këtu, more ti ë….?!
O – Ou, kjo është tërësisht utopiste. Pse more qen bir qeni kur ishe ti në Kosovë nuk e bëre këtë, po tani t’u mbush mëndja ty të bëhesh apologjet i shqiptarizmit.
B – Mirë këto dhe të tjerat, i dije ti.
O – Nuk dija gjë. Nuk mund të denoncoja unë se s’jam mësuar. Më thirri njëherë Skënder Backa në shtëpi nja tre katër orë dhe më tha: Myrteza të flas në emër të…………………………..më thirri dhe njëherë tek holli i Hotel “Dajti”-t dhe pasi pimë nja shtatë a tetë, më tha, thuaj të vërtetën se do të të kushtoj shtrenjtë. Unë për më tej nuk di.
B – Qeni.
O – Nejse unë ato fjalë që dija, nuk i kam thënë po…………………………….dhe……………………i kanë thë që ai din këtë e atë. Ça ti bësh.
B – Kot, kot.
O – Ça ti bësh, kështu jemi brumosur.
B – T’ja them, thua ti?!
O – Pse nuk ja the. Unë e di që ai është njeri për të cilin nuk duhet të sakrifikosh. Se mos kisha një rrugë me të unë, jo ore por vetëm nga forca e zakonit. Për poshtërsirat që më bëheshin kur isha në burg, i shkruajta letër Rexhep Kollit, Komitetit Qendror, etj. Rexhep Kolli kishte dijeni dhe tha që të më lirojnë nga burgu. Shpesh herë njeriu duhet të dijë si të manovrojë.
B – Po.
O – Në raste.
B – Po pas tre vjetësh u kujtove ti, unë atëherë të kisha vepruar kështu.
O – Po mua, më kanë ardhur fatkeqësitë njëra pas tjetrës.
B – Mos të ardhshin më.
O – Le të vijnë, punë e madhe.
B – Nuk duhet menduar me kaq pesimizëm.
O – E hëngrëm ne, se mos kemi ndonjë interes më. Unë dua të jetoj për ca hesape që kemi për të larë atje dhe këtu.
B – Hesapet këtu me kë i ke?!
O – Me A.S.
B – Jo more, atij i thashë: a je mirë.
O – (Qesh).
B – Tha; po nuk dihet sesi mendojnë njerëzit nëse, jam mirë unë apo ti, prandaj qesha.
O – Ëhë.
B – Qesha po nuk e dhashë veten.
O – (Qesh) ke filluar të manovrosh ëë….?!
B – Elastik, kam ca detyrime ndaj Ahmetit. Nuk mund të harrohen ato që më ka ardhur 3 vjet rresht.
O – Nuk vinte njeri, ë?!
B – Idrizi më ka ardhur.
O – Më shpesh Ahmeti.
B – Jo, Ahmeti.
O – Ëë.
B – Ky ka ardhur, në një moment më të rrezikshëm. Sa dola nga gjyqi dhe erdhi e unë i thashë që ke ardhur të vizitosh një armik e bandit. Për atë, po tha, ndërsa për mua, jo.
B – Këtu në hetuesi……………?!
O – Ky që është tani.
B – Ai të mori ty?!
O – Ai më mori dhe më përgatiti shpirtërisht dy orë dhe më tha që do të dalësh dhe përgatitu pasi kanë ardhur njerëz që të takojnë por, mos fol ashtu siç bën me mua.
B – Pse me të?!
O – Mbarë e prapë, nuk kam lënë gjë pa thënë, e pa sharë kundër tij.
B – Kundër tij ë…?!
O – Ai ka qarë si fëmijë.
B – Kush?!
O – Ai si fëmijë, beso për nder.
B – Përse?!
O – Kanë qenë momente shumë të vështira dhe ti kushtosh jetën që e kam mohuar dhe atë m…….jete për nji çështje të idealit të kombit, e të të marrin nëpër këmbë dhe të hedhin këtu se je i poshtër. Po unë këtë po e bëj vetëm për t’i nevrikosur që të detyrojnë që të falsifikojnë dhe dokumentet, kur kanë pyetur gjithë ata kosovarë dhe që ju kanë dhënë informacione të shkëlqyeshme, e kur ke përballë një person që, nuk e njeh se ç’është intriga se, u nënshtrova nga zori. Po të isha në Jugosllavi do bëja të 99-tat, i thashë që jam vetëm nji zbatues, po ke mundësi ta lajmërosh ministrin e Punëve të Brendshme dhe t’i thuash që përballë kam nji person patriot, se ti tani, më njeh më mirë se kushdo, hetuesi filloj të preket si fëmije.
B – Ky ishte hetues i thjeshtë?!
O – Për çështjet politike ky ishte kryesori, e njihte problemin.
B – Hë?!
O – E njihte problemin e njëmijë dyshime, por e njihte zanatin po s’ka gale, ne do bëjmë përsëri atë që kemi bërë dhe ti do dënohesh patjetër. Unë kam kaluar gjithë jetën nëpër hetuesira dhe ata kërkonin të më bënin spiun. Ça të të them unë?!
B – Po mirë more Myrteza, të të pyes se erdhi.
O – Kush?!
B – Ai që është në lagje, se ai……!
O – Dhëndri i tij ka qenë, vdiq tani dhe ishte me pozitë.
B – Vdiq?!
O – Ka vdekur.
B – Ashtu, kur vdiq?!
O – Ka nja dy vjet.
B – Nga se?!
O – Kancer.
B – Po ai që erdhi këtu njëher……………………….që më the, ai i Laçit.
O – Inxhinier.
B – Inxhinier është ai?!
O – Është inxhinier kimist shumë i zoti (Namik Luca në përpunim aktiv 2/A nga Laçi).
B – Se çdo më kishe thënë.
O – Inxhinier shumë i zoti.
B – A erdhi nji këtu?!
O – Erdhi nga Kosova.
B – Që të tha se do interesohem për punën kur të shkoj…………………….!
O – Më tha që do interesohem për punën time.
B – Ça e quanin, Nazif?!
O – Jo.
B – S’ke Nazif ti të njohur?!
O – Nga erdhi ai, erdhi mysafir këtu?!
B – E more mysafir.
O – Te kush erdhi?!
B – Unë të mbaja mënd aq shumë, sa më the që po interesohet.
O – Për punën e kthimit tim.
B – Se më the që në atë kohë, ishe pak kështu ti, me gjithë…………………….!
O – Më mirë ë?! As që e ka çarë kokën ai.
B – Ee se njeriu kur është aty në kontakt, ço ku premton d.m.th.
O – Është ai që ka qenë me mua në burg, në Jugosllavi.
B – Ka ardhur njiher këtu ai?!
O – Nuk e angazhova me ndonjë detyrë atje më kupton, sepse isha pa punë.
B – Ishte koha që ishe pa punë ti.
O – Nuk e di çfarë isha.
B – As i gjallë, e as i vdekur.
O – Ee.
B – Po andej kishte vajtur nga i vëllai, si e kishte emrin ai……?!
O – Nezir Llabunishta?!
B – Nuk e mbaj mënd emrin Nazif.
O – Nezir është, po ai pak ndejti. Më tha që do interesohem ç’ke ti.
B – Se njeriu ndodhet ndonjëherë në kondita të tilla se, s’ka çfarë bën.
O – Tha do interesohem për filanin, por ai ka ikur. Ka dhe njerëz të tillë që të premtojnë.
B – Epo mirë, ja i ra rruga dhe njiher atij, ke për ta shtyrë ti, megjithëse nuk duhet besuar shumë tek njerëzit.
O – S’ka ndonjë detyrim.
B – Edhe ti je.
O – Ai e merr këtë me fjalë të tjera, më tha mua.
B – E pra.
O – Hëngre m……vetë erdhe. Kërkon tani zgjidhje për problemin tënd dhe për problemet e tjera.
B – Ashtu është.
O – Jo ai i shkret, më tha më vjen keq për gjendjen. Kemi menduar që ti do jesh njeri me rëndësi dhe më vjen keq që po të shohim në këtë gjendje, në kampe dhe pa punë. Do interesohem më tha, por unë nuk e ngarkova, t’i thoja që do shkosh te filani.
B – Ai vetë e mori përsipër?!
O – Vetë, vetë. Unë nuk e ngarkova me asnjë gjë.
B – Pse nuk kishe besim apo………………?!
O – Jo, po ça t’i thuash, shko te filani?!
B – Posi vetë nuk do vinte te vëllai, t’u thoshte.
O – Edhe ta çonte punën ça do t’i thoshte, ai këto probleme si ka përpunu me kohë?! E di që Myrtezai s’është mirë këtu, e s’ka mundësi të bëj diçka.
B – Aq e ka mundësinë thuaj.
O – Po pra, pret të ketë nesër pasnesër, më shumë mundësi.
B – Po tani po ta marrin, çdo bëjnë?!
O – Tani, do ta shohim.
B – Nuk është puna tek pesimizmi më shumë sesa tek ndarja krahinore.
O – Po.
B – Po kanë akoma besimin e këtij.
O – Xhemalit?!
B – Po, Xhemalit.
O – Do ta shohin nëse do ti japin ndonjë pozitë, atëherë do të kenë besim.
B – Mirë the ti qëparë.
O – Nuk thashë gjë.
B – E the me mimikë dhe unë të kuptova, po ne tani po rrahim ujë në hava.
B- Dridhesh nji gjë ti Myrteza, se zakonisht ke pasur një…………………….!
O – Po.
B – Nuk je njeri i tekave.
O – Po, po.
B – Se brumoset njeriu. Se dhe unë nuk jam, them tani, po atyre do u themi tani………………….të më bindësh.
O – Më beso (B.p.) të them me sinqeritetin më të madh, për ty, është shumë e qartë dhe je i detyruar për të rregulluar atë minimalen. Përulesh nganjiher dhe bëhesh njeriu i teta…………….!
B – Po këtë e kupton ti, pse bëhesh?!
O – E kuptoj…………………kemi ca hesape për të larë.
B – Këtu desha të dal, që t’ju vëmë dhe emrin bisedave. Ti ke pasur njëfar distance e ke të drejtë. Në nji moment të thashë unë…….dhe ti u qetësove. Në një moment të caktuar, njeriun e humb.
O – E humb posi.
B – Ishte koha që ishe pa punë.
O – Po.
B – Ishte koha.
O – Edhe kërkonin me insistim për punë.
B – Pastaj i the riatdhesim.
O – Po.
B – Quhesh tani, të bësh riatdhesim?
O – Nuk bëhesh riatdhesim por një…..(nuk e mbaron fjalët, flet B.p.).
B – Krim.
O – Krim është dhe të iki se, nuk e quaj atdhe atë atje.
B – Natyrisht as ashtu.
O – Ndaç quaje, ndaç mos e quaj.
B – Pastaj ti fillove punën dhe në muajt e pare, ngele i kënaqur?
O – Po ashtu është.
B – Momente.
O – Po ashtu është.
B – Edhe si të ndodhi kështu këtu, kishe dhe një moment tjetër.
O – Po.
B – ……………………..këto rrethana shkaktohen se nuk sheh ashtu edhe.
O – Ah more (B.p.), more është çudi për një europian, që ne nuk jemi çmëndur 20 herë.
B – Pse europiani vetë?!
O – Ai në vëndin tonë do kishte bërë be, për atë që ishte bërë.
B – Pse?!
O – Ça të bësh, u bëmë zvarranikë por, ne kemi qenë njerëz me karakter more. Fjala jonë ngrinte peshë me qindra e mijëra njerëz, por u bëmë palaço. Ka raste ndonjëherë që, nuk mendon se është, ai që është…!Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016