Dashnor Kaloçi
Pjesa e dytë
Memorie.al publikon një intervistë me z. Nasi Gjika me origjinë nga Përmeti, i cili pasi mbaroi shkollën e mesme në gjimnazin e qytetit të Ersekës ku banonte familja e tij në atë kohë, duke pasur shumë pasion letërsinë, konkurroi në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë, por edhe pse doli fitues për në degën e aktrimit, ai nuk u dërgua në Arte, por në Shkollën e Lartë të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në Sauk të Tiranës, të cilën e përfundoi në vitin 1974, duke u diplomuar në degën e Kufirit dhe më 9 gusht të atij viti, ai u emërua si komandant i Postës Kufitare, në fshatin Mrek të Vermoshit, e cila konsiderohej si një nga pikat kufitare më të vështira, që kishte Shqipëria deri në 1990-ën. Dëshmitë e ish-oficerit Nasi Gjika, lidhur me disa nga ngjarjet e jashtëzakonshme të ndodhura në periudhën 1974-1982, kur ai shërbeu si komandant i Kompanisë Autonome të Kufirit dhe më pas si shef i Stërvitjes në Degën e Brendshme të Shkodrës. Siç ishin arratisjet në Jugosllavi të Gjeto dhe Kanto Vushaj në vitin 1974, arratisja e një familje prej pesë personash, në vitin 1978 në vendin e quajtur Livadhi Arushës, arratisja e Nikoll Hysaj (Gjeka), nga Vermoshi, në korrikun e vitit 1979, që arriti të kalonte kufirin në vendin e quajtur Gërxhare, e deri tek vrasja e dy djemve të rinj 22-24 vjeçar, nga ushtarët e postës kufitare të Taraboshit, mbi fshatin Zogaj në gushtin e vitit 1982, ku njëri prej tyre, ishte djali i Shefit të Kundërzbulimit (Sigurimit) të Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Shkodrës, Pjetër Gjini. Dokumenti arkivor me siglën “Tepër sekret”, i ish-ministrit të Punëve të Brendshme të asaj kohe, Feçor Shehu, dërguar Komitetit Qendror të PPSH-së dhe personalisht Enver Hoxhës, lidhur me ngjarjet e ndodhura në kufirin shtetëror të zonës së Shkodrës dhe gjithë kufirit shtetëror të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, për periudhën 1979-1980.
Zoti Gjika, më pas, në mbledhje dhe analiza pune, u përmendej juve arratisja e Nikoll Hysaj si ngjarje negative për t’ju rënduar dhe çfarë thuhej për Nikollë Hysajn nga kolegët tuaj të forcave të Kufirit?
Nëpër mbledhje dhe analiza edhe është përmendur, por jo me qëllim për të më rënduar mua, por pas disa kohësh, unë vetë pyeta njëherë në kofidencë, Ajet Zenelin, Shefin e Kundërzbulimit të Kufirit të zonës, se ça thuhej për Nikoll Hysajn, pra se çfarë bënte Nikolla jashtë (duke pasur parasysh, se regjimi komunist i kishte vrarë babain), dhe ai më tha: “Jo, jo, nuk është aktivizuar me ndonjë organizatë reaksionare tradhtare. Siç duket i ka vënë gishtin kokës dhe shikon punën e vet”.
U shprehët, se ka pasur raste kur ushtarët e kufirit kanë vrarë persona që kanë tentuar të arratisen jashtë shtetit, kujton ndonjë rast konkretisht?
Më 19 gusht 1982, (pak kohë përpara se unë të transferohesha nga Shkodra për në rrethin e Tropojës), në afërsi të klonit mbi fshatin Zogaj, në malin e Taraboshit, forcat e kufirit vranë dy djem të rinj, (22-24 vjeçar), pasi ata kishin tentuar të kalonin kufirin dhe do të dilnin në Jugosllavi, në zonën e Malit të Zi. Njëri nga këtë djem të rinj, quhej Aleksandër Gjini dhe babai i tij, Pjetër Gjini (kështu e quanin në mos gaboj dhe me origjinë nga Mirdita), ishte me detyrën e Shefit të Kundërzbulimit (shefi i Sigurimit), në Degën e Punëve të Brendshme të Shkodrës. Të dy këta djemtë, së bashku me familjet e tyre, banonin në qytetin e Shkodrës. Unë prej disa kohësh, kisha ikur nga Kufiri, duke u transferuar me detyrë në Degën e Punëve të Brendshme të Shkodrës, si shef i Stërvitjes. Nisur nga ky fakt, duke qenë se shërbeja në atë detyrë, rastisa me shërbim (i gatshëm) dhe në orët e para të mesnatës së 19 gushtit, (në mos gaboj, vrasja e tyre ka ndodhur nga ora 02.00 e natës), më njoftuan se duhet të nisesha urgjent për në vendin e caktuar (në majën e Taraboshit), pasi forcat e Kufirit kishin asgjësuar dy shkelës kufiri, që kishin tentuar të arratiseshin nga brenda, jashtë. Me të marrë këtë urdhër, unë bashkë me oficer Xhevit Kullolin, (Komisarin e Kufirit të gjithë rrethit të Shkodrës), me një makinë “Gaz” të mbuluar, shkuam drejt dhe në vend ngjarje, ku pamë dhe dy trupat pa jetë të atyre dy djemve të rinj.
Çfarë bëtë fillimisht u identifikuan se kush ishin ata dy djemtë e vrarë nga rojet kufitare?
Ne u tronditëm shumë, sapo shkuam aty, mësuam se njëri nga të vrarët, ishte djali i Shefit të Kundërzbulimit (shefi i Sigurimit) në Degën e Punëve të Brendshme të rrethit të Shkodrës, Pjetër Gjini, kurse tjetri, ishte djal i një oficeri, (por që i ati i kishte vdekur para ca kohësh), ndërsa një xhaxha i tij, ishte ende oficer ushtrie. Në bazë të rregullave, me përjashtim të sigurimit të vendit të ngjarjes, që mos të afrohej askush aty, për të prishur provat, ne nuk duhet të bënim asnjë veprim tjetër, pa ardhur ekipi i ekspertëve që do këqyrte vendin e ngjarjes.
Kur erdhi ekipi ekspertëve?
Ekipi i ekspertëve me në krye shefin e Hetuesisë së rrethit të Shkodrës, Qemal Meta, erdhën në mëngjes, të cilët sipas ligjit bënë detyrat e tyre, duke këqyrur vendin e ngjarjes, matjet, librin e shërbimit, kontrollin e armëve, detyrat e dhëna para shërbimit, raportin etj.
Pas kësaj çfarë ndodhi, ku i dërguat trupat e tyre?
Pasi ekipi i ekspertëve me në krye shefin e Hetuesisë, Qemal Meta, mbaroi punën e tij, na u dha detyrë, që unë me Xhevit Kullollin (Komisarin e Kufirit të rrethit të Shkodrës), do të merrnim dy trupat e pajetë të tyre, me makinën “Gaz” dhe do t’i dërgonim në Degën e Punëve të Brendshme, nga ku do vazhdonin procedurat e tjera sipas ligjeve në fuqi, në morg, etj. Kështu, pasi u ngarkuan në karrocerinë e “Gazit” të mbuluar, dy trupat e pajetë të atyre fatkeqve, ne u nisëm për në destinacion dhe para se të shkonim në Shkodër, ndaluam në lokalin e Shirokës, për të pirë një kafe, më shumë për të mbledhur veten, se ishim të tronditur për këtë ngjarje, se njëri prej atyre djemve, pra Aleksandër Gjini, ishte djali i kolegut tonë të Degës, Shefit të Kundërzbulimit, Pjetër Gjisni.
Ndërkohë që unë dhe komisar Xheviti ishim duke pirë kafe, te makina e mbuluar që ruhej nga disa ushtarë, u afruan shumë njerëz. Ndërkohë, dikush hapi spondin e pasmë të “Gazit” (për të cilën edhe sot e kam mister, se kush e hapi), dhe të gjithë njerëzit që ishin aty, panë dy trupat e pajetë të djemve të rinj, të vrarë nga rojet kufitare. Në atë moment, një gruaje që ishte afër spondi, sa pa dy trupat e pajetë, i ra të fikët dhe mezi e kanë përmendur pas disa minutash.
Më pas, u bën mbledhje dhe analiza e si u konsiderua ajo ngjarje?
Patjetër që u bënë mbledhje dhe për atë që kishte ndodhur, u vlerësuan e u përgëzuan për punë të lavdërueshme efektivat e Postës së Kufirit të Taraboshit, ku kishte ndodhur ngjarja, duke u dhënë dhe flet-nderi, me motivacionin për rritje të vigjilencës, etj., apo shpërblime me leje të jashtëzakonshme, siç bëhej në atë kohë.
U dekorua ndonjë prej tyre, siç ndodhte jo rrallë në atë kohë?
Ushtari i kufirit që i vrau ata dy djemtë e rinj, u dekorua nga Presidiumi i Kuvendit Popullor, në mos gaboj me “Medaljen e Trimërisë”.
Nga ishte ai ushtari?
Nga Frashëri i Përmetit.
Trupat e dy të vrarëve, ju dhanë familjeve të tyre më pas?
Mesa di unë, nuk ju dhanë. Ashtu veprohej në atë kohë, pra të gjithë ata që vriteshin në kufi, as bëhej fjalë që trupat e tyre t’u jepeshin familjeve. Kështu u veprua edhe me ta, nuk ju dhanë familjeve.
Me babain e Aleksandër Gjinit, Shefin e Kundërzbulimit të rrethit të Shkodrës, çfarë ndodhi, e shkarkuan nga detyra?
Pjetër Gjini u shkarkua nga detyra me urdhër dite nga ministri i Punëve të Brendshme, Hekuran Isai, që në mëngjesin e asaj dite, ende pa mbërritur ne në Degën e Punëve të Brendshme.
Zoti Gjika, ju falenderoj për intervistën dhe që pranuat të prononcoheshit për Memorie.al.
Ju faleminderit ju.
Dokumenti ‘Tepër sekret’ me raport-informacionin e ministrit të Punëve të Brendshme, Feçor Shehu, dërguar Sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të PPSH-së, Enver Hoxha, më 29 gusht 1980
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPËRISË
MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME
DREJTORIA E PARË SEKRET
Nr. 3436 Ekzemplar Nr. 1
Tiranë, më 29.8.1980
LËNDA: Mbi disa çështje të veprimtarisë armiqësore dhe keqbërëse gjatë muajve korrik, gusht dhe ngjarjeve negative në vetë efektivat e Ministrisë së Punëve të Brendshme
SEKRETARIT TË PARË TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH
SHOKUT ENVER HOXHA
T I R A N Ë
I N F O R M A C I O N
MBI ARRATISJET E NDODHURA NGA MUAJI JANAR DERI NE KORRIK 1980
Prej janarit deri në korrik 1980, nëpërmjet kufirit shtetëror tokësor realizuan qëllimin e arratisjes 12 persona: kurse gjatë gjithë vitit 1979, u arratisën 21 të tillë. Personat e arratisur u përkasin: 6 Shkodrës, 3 Korçës, nga një Erseka dhe Tropoja dhe një rrethi i Beratit.
Nga materialet dhe problemet në ndjekje, si dhe nga analiza e bërë pas këtyre ngjarjeve, del qartë se:
Duke mbajtur parasysh faktin se gjatë një muaji në rrethin e Shkodrës ndodhën tre arratisje me gjashtë persona, ose 50 % e atyre që realizuan këtë gjë gjatë shtatë muajve në shkallë republike, ndoqëm nga afër analizën që i bëri këtij problemi të mprehtë Byroja e Komitetit të Partisë së rrethit. Nga kjo mbledhje u arrit në përfundimin se në këtë rreth për arratisjet, kanë ndikuar disa shkaqe:
Komunistë e kuadro të veçantë të Degës së Punëve të Brendshme Shkodër, nisur nga ajo që muajt e fundit nuk kishte pasur arratisje, në vend që të merrnin masat e duhura për të rritur vigjilencën ndaj njerëzve me tendenca të tilla, filluan të flasin se: ‘këtë vit jemi më mirë, ngjarje kemi më pak, shërbimi është revolucionarizuar, kuadrot dhe efektivi është i tendosur’, kur tamam në këtë periudhë të vitit të kaluar, në këtë rreth kanë ndodhur arratisje, si p.sh., rasti më flagrant ai i elementit armik Nikoll Hysaj (Gjeka) nga Vermoshi, që mundi të arratiset edhe pse prej kohësh ishte nën vëzhgimin e organeve tona të Sigurimit dhe atyre Kufitare.
Për këtë arsye dhe për mungesë të ndjenjës së përgjegjësisë, Kryetari i Degës, sekretari i Komitetit të Partisë dhe Shefi i Policisë, në këtë kohë shkuan me leje. Teshat e një personi që ua arratis në sektorin e pikës kufitare Reç, shërbimi i kufirit i gjeti pas 8 ditësh.
Sigurimi dhe Kufiri nuk kishin vlerësuar faktin se këta element armiq të veçantë, po shfrytëzojnë drejtimet e pa mbyllura me sistemin e pengesës elektro-sinjalizuese. Organi i Sigurimit nuk kishte mbuluar me forcë sinjalizuese ekspeditën gjeologjike, e cila vepron në zonën e Vermoshit.
Vazhdojnë rastet e mungesës të informimit reciprok midis kuadrove të Degës dhe atyre të terreni, për ndryshimet që ndodhin në zonë dhe individë të caktuar.
Në repartin e kufirit, këtë 7 mujor ka pasur mbi 30 raste negative në shërbim, çka dëshmon për nënvleftësimin të veprimtarisë së armikut dhe uljen e vigjilencës në detyrë.
Sektorët e Degës së Punëve të Brendshme kanë bërë lëshime në zbatimin e normave që përcaktojnë urdhrat për regjimin e kufirit.
Pas ngjarjeve, nga kontrollet e ushtruara, në zonën e Vermoshit u gjendën 14 fëmijë dhe disa familje të punonjësve, të cilët nuk kishin as qendrën e banimit, e as atë të punës. Disa këshilla popullore, jo vetëm që nuk zbatojnë kriteret e caktuara, por në ndonjë rast shpërdorojnë të drejtën e tyre për të dhënë leje personave që kërkojnë të venë në zonat kufitare.
Kryetari i Këshillit Popullor të fshatit Tamarë, u kishte dhënë leje në vijën e kufirit katër personave nga një familje me përbërje të keqe politike dhe me të arratisur jashtë shtetit.
Gjatë vitit 1980, në disa zona kufitare u zhvilluan aktive të gjera me kuadro e punonjës për problemin e vigjilencës dhe të forcimit të regjimit kufitar, por pikërisht këtë vit, nga 189 shkelës të regjimit, populli i këtij rrethi kapi vetëm 18 prej tyre, pra më pak se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. Kjo tregon se në ato që thuhen në këto aktive, nuk venë si duhet në masat e popullit.
Sekretari i organizatës së partisë së Uzinës “Drini”, ku kishin punuar dy të rinj që u arratisën, në vend që të analizonte punën e përgjegjësinë e organizatës së Partisë në rastin konkret, arriti deri atje sa të thotë:
“Përgjegjësinë për këtë e ka Komiteti Ekzekutiv që na ka dërguan në punë njerëz të tillë”. Kështu shkarkua përgjegjësitë e tyre edhe Drejtori i Ndërmarrjes Gjeologjike dhe ai i Bonifikimit, për rastet të kësaj natyre.
Që këtej del konkluzioni se organizata e Partisë e Komiteti i Partisë së Degës, si dhe Komiteti i Partisë të rrethit, nuk kanë mundur të krijojnë atë tendosje dhe frymë mobilizimi dhe atë vigjilencë e gatishmëri që e kërkojnë situatën e sotme.
Prandaj në mbledhjen e Byrosë të Komitetit të Partisë së rrethit, theksi u vu sidomos në disa çështje të edukimit, të drejtimit, të organizimit, të kontrollit, kërkesës së llogarisë dhe të thellimit të luftës kundër liberalizmit. Sa sipër, veç masave që përcaktoi Byroja e Komitetit të Partisë së rrethit. Memorie.al
GRUPI I INSTRUKTORËVE PËR ORGANET E
PUNËVE TË BRENDSHME
Ministri i Punëve të Brendshme
Feçor Shehu
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016