Nga Bert Pampel dhe Siegfrid Reiprich
Memorie.al / Heinz Brandt, ishte një nga shumë njerëz që u persekutuan për bindjen e tyre politike dhe rezistencën, si nga Nacional- Socialistët, ashtu edhe nga komunistët. Ai u mbijetoi burgjeve dhe kampeve nacional-socialiste, si: Luckau, Brandenburg, Sachsenhausen, Auschwitz dhe Buchenwald. Më vonë, në Gjermaninë Demokratike Lindore, ai u burgos në burgjet e Ministrisë për Sigurinë e Shtetit, në Berlin-Hohenschönhausen dhe Bautzen. Pavarësisht të gjithave fatkeqësive dhe mësimeve të jetës, ai mbeti avokat i një shoqërie njerëzore, demokratike socialiste, deri në vdekjen e tij.
Fëmijëria dhe rinia
Heinz Brandt lindi më 16 gusht 1909, në qytetin e atëhershëm prusian të Posenit (Poznań i sotëm, Polonia). Nëna e tij Gertrude Brandt (1879-1943), punoi si mësuese në çerdhe dhe në shkollë. Siç ai shkroi më vonë, ajo e mësoi atë “të notonte kundër rrymës”. Jo të përsëriste si papagall, njerëzit që besonin se gjithçka ‘nga lart’ ishte ashtu siç thuaj. “Vetëm marrëzitë, gënjeshtrat dhe krimi, mund të priteshin nga lart”. Babai i tij Georg Brandt (1874-1940) ishte një shkrimtar dhe kritik arti.
Gjyshi i tij, Rabini, Ludwig Krause, një dijetar i njohur i Talmudit dhe xhaxhai i psikanalistit të mëvonshëm, Erich Fromm, ndikoi fuqishëm mbi të. Ai rrënjosi tek Heinz një ide njerëzore, radikale dhe revolucionare të Judaizmit: “Të mos jesh skllav dhe të mos skllavërosh askënd…”! Në autobiografinë e tij Ein Traum (Një ëndërr e cila nuk mund të rrëmbehet), ai hap një kapitull me një citim nga Manès Sperber’s Etre juif (të jesh hebre), i cili do të bëhej udhërrëfyesi i jetës së tij: “Unë kurrë nuk kam hasur në një ide, që do të më tej mbushte më shumë dhe do të përcaktonte rrugën time, aq shumë, sa ideja se kjo botë, nuk mundet të qëndrojë në mënyrën që është, se mund të bëhet krejtësisht ndryshe dhe se kështu do të bëhet”.
Së bashku me motrën e tij më të vogël, Lili dhe vëllezërit, Richard dhe Wolfgang, ai u rrit në një familje liberale të klasës së mesme kozmopolite, ku katolikët, protestantët dhe hebrenjtë, u bënë bashkë me tolerancë dhe harmoni reciproke. Në Posen, Brandt, dëshmoi shpërthimi i Luftës së Parë Botërore, e cila u kthye në një përvojë dramatike dhe e udhëhoqi atë drejt bindjes se, bota duhej ndryshuar. Përvojat e tij të fëmijërisë, zhvilluan dëshirën e madhe për informacion, vlerësimin e veçantë të dijes, të cilën ata që ishin në pushtet u përpoqën ta shtypnin, përbuzjen për njerëzit, që thjesht përsërisin fjalët e të tjerëve dhe indinjatën, për fshehjen e falsifikimin e informacionit.
Në vitin 1926, Heinz Brandt, u transferua në Berlin. Ai ndoqi shkollën e mesme të Friedrichswerder, nga e cila u diplomua në vitin 1928. Pas mbarimit të shkollës, ai filloi studimet për Ekonomi Politike në Berlin, por u përjashtua nga Universiteti i Berlinit, për shkak të një dënimi me burgim. Si redaktor i gazetave “Përpjekja e Shkollës” dhe “Studentët e Kuq”, për arsye politike, i’u dha një gjobë monetare, të cilën ai nuk e pagoi, por e shleu me burg.
Përvoja e krizës ekonomike botërore, forcoi bindjen e Heinz Brandt, se situata shoqërore, duhej të ndryshohej rrënjësisht. Në vitin 1928, ai u bë anëtar i Organizatës së Rinisë Komuniste dhe i grupit studentor të ‘Berlinit të Kuq’, dhe në 1931, anëtar i Partisë Komuniste të Gjermanisë (K.P.D.). Atëherë çdo gjë i’u duk e qartë; botëkuptimi i tij komunist, kishte themele të fort. Ai ishte i bindur në idenë e një shoqërie pa klasa, për çlirimin e njerëzimit nga shfrytëzimi, shtypja dhe lufta: “Nuk kishte asnjë dyshim, gjithçka ishte në rregull, ne ishim në rrugën e duhur”.
Shumë shpejt ai filloi të kishte dyshime, pasi veprimtaritë e KPD-së, nuk përputheshin më me idealet dhe qëllimet e tij. Ai kritikoi “politikën e pjesshme dorë – për – dorë” që ndoqi KPD Staliniste bashkë me Nacional Socialistët, kundër Republikës së Weimarit. Politika të cilat u demonstruan për shembull, gjatë referendumit të vitit 1931, kundër qeverisë social-demokrate Prusiane dhe gjatë grevës së punëtorëve të transportit, në Berlin në nëntor 1932. Ai u bë anëtar i fraksionit të paligjshëm, të quajtur “Pajtuesit” (Versöhnler), duke anuar nga Buharin dhe Trotsky, të cilët kërkuan zëvendësimin e liderit të KPD-së (Partisë Komuniste Gjermane), Ernst Thälmann dhe bashkëpunim me Partinë Social-Demokrate të Gjermanisë (SPD), për të parandaluar marrjen e pushtetit nga Nacional-Socialistët.
Për shkak të lidhjes së tij me këtë grup, i cili u etiketua armiqësor ndaj partisë, ai u përjashtua nga zyrat e partisë – ku ai kishte qenë përgjegjës, për propagandën politike, për disa kohë. Bashkë udhëtari dhe shoku i tij në grupin e “Pajtuesve” Heinrich Süßkind (emri i partisë Kurt Heinrich), më vonë ra viktimë e spastrimeve staliniste, në Bashkimin Sovjetik, ndërsa bashkëpunëtorja e tij e fushatës, Anka Vikova, u vra nga Nacional- Socialistët.
Persekutimi gjatë periudhës së Nacional-Socializmit
Heinz Brandt, e karakterizoi transferimin e pushtetit te Hitleri më 30 janar 1933, si një disfatë të rëndë, të lëvizjes punëtore dhe si drejtim stalinist në Gjermani. Në ndryshim nga shumë të tjerë, ai nuk kishte iluzione rreth sundimit të afërt të terrorit. Më 13 mars 1933, ai u rrëmbye nga ‘S.A.’, (një njësi paraushtarake e Nacional Socialistëve), dhe u dërgua në një bodrum torturash, në Berlin-Weißensee. Ai u keqtrajtua rëndë, por më pas u la i lirë. Kjo nuk e pengoi atë të përfshihej kundër nacional-socialistëve, si një bashkë botues i gazetës ilegale të fabrikës komuniste “The Siemens Loudspeaker” (Siemens-Lautsprecher).
Më 4 dhjetor 1934, ai u arrestua dhe më 15 mars 1935, u dënua me akuzën e “përgatitjes për tradhti të lartë”, me gjashtë vjet burg, të cilat i kreu në burgjet e Luckaut dhe Brandenburgut. Në burgun e Brandenburgut, të burgosurit komunistë u futën në diskutime të ashpra, rreth Paktin Molotov-Ribbentrop. Heinz Brandt, e kritikoi traktatin, si një tradhti ndaj socializmit, të krahasueshme me miratimin e huave të luftës në vitin 1914, nga Social-Demokratët gjermanë, të cilët kishin siguruar financimin i nevojshëm, për shpërthimin e Luftës së Parë Botërore.
Mosmarrëveshjet e vazhdueshme në burg, ndërmjet komunistëve të Partisë Staliniste dhe “Pajtuesve”, çuan në prishje të solidaritetit të tyre të ndërsjellë, i cili vinte si pasojë e burgosjes së dy palëve nga Nacional-Socialistëve. Në Brandenburg Heinz Brandt, gjithashtu mësoi, se prindërit dhe vëllai i tij i vogël, Wolfgang, ishin dëbuar si hebrenj nga Posen, për në afërsi të qytetit të Lublinit. Kushtet e jetesës atje ishin katastrofike për hebrenjtë. Babai i tij u sëmur dhe vdiq nga pneumonia, në janar 1940 dhe vëllai i tij Wolfgang, vdiq në vitin 1942. Nëna e tij ishte vrarë në Aushvic në 1943. Ndryshe nga të akuzuarit e tjerë, që u dënuan së bashku me të, në gjyqin e vitit 1935, Heinz Brandt, pas mbarimit të 6 viteve burgim, nuk u la i lirë më 8 dhjetor 1940. Në vend të kësaj, në shkurt 1941, ai u dërgua në “mbikëqyrjen parandalues”, në kampin e përqendrimit Sachsenhausen.
Në burg dhe në kampin e përqendrimit, ai takoi shokë të cilët kishin kërkuar strehim në Bashkimin Sovjetik, por Stalini i kishte dorëzuar te Nacional-Socialistët. Kjo ishte një përvojë tronditëse për të: “Gjithçka filloi të rrotullohej para syve. Bota për të cilën kisha ëndërruar, nuk gjendej askund. Unë kisha besuar deri atëherë se e reja ishte ngritur tashmë, duke i hapur derën e humanizmit, por gjithçka që pashë tani, ishte errësirë”. Vetëm shumë më vonë, Heinz Brandt, mësoi se edhe vëllai i tij Richard, kishte rënë viktimë e terrorit stalinist në Bashkimin Sovjetik dhe se motra e tij Lili, jetonte në dëbim, në Siberi. Përvoja e hidhur e jetës, bëri që Brandt, të njihte se midis Fashizmit dhe Stalinizmit, kishte një analogji të pjesshme, pavarësisht se rrënjët e tyre shoqërore dhe ideologjike, ishin të ndryshme.
Në tetor 1942, të gjithë të burgosurit hebrenj u morën nga kampi i përqendrimit Aushvicit. Heinz Brandt, përfundoi në nën kampin Budy. Ai mbijetoi vetëm falë rrethana fatlume dhe ndihmës nga miqtë. Në kamp, vazhdoi qëndresën e tij kundër Nacional-Socialistëve, në një grup ilegal. Së bashku me të tjerët, ai shkroi mesazhe sekrete, të cilat kishin për qëllim të informonin publikun në Perëndim, për gjenocidin. Masazhet u nxorën fshehtas, jashtë kampit e punëtorëve civilë polakë. Pas shpërbërjes të kampit të përqendrimit të Aushvicit, në janar 1945, ai u dërgua në një marshim vdekjeje në këmbë dhe me karro bagëtish, në kampin e përqendrimit Buchenwald, ku mbërriti gjysmë i vdekur, më 23 janar 1945. Ai mbijetoi vetëm falë mbështetjes së të burgosurve të tjerë politikë, që e furnizuan me ushqime shtesë. Më 11 prill 1945, ndërsa trupat amerikane i’u afruan kampit dhe SS filluan të iknin për të shpëtuar, ai mori pjesë në kryengritjen e Komitetit Ndërkombëtar të Kampit, mbas së cilës të burgosurit morën kontrollin e atij kampi.
Në autobiografinë e tij, Heinz Brandt, përmbledh fatin e tij të persekutimit, nën Nacional-Socializmin, midis 4 dhjetor 1934 dhe 11 prill 1945 – 3778 netë – nga një këndvështrim thellësisht personal dhe njerëzor, gjë që e bën të qartë pa dyshim, se çfarë do të thoshte kjo kohë për të: “Secila prej këtyre netëve ishte një natë, pa dashuri. Në moshën 25-vjeçare, më dërguan në burg – në moshën 35-vjeçare, po largohem nga kampi i përqendrimit. Kam kaluar dhjetë vjet pa një vajzë, kam jetuar dhjetë vjet, pa krahët e butë të një gruaje dhe ato ishin vitet në të cilën rinia, njeriu dëshiron më shumë dashuri, për çlirimin seksual.”
Persekutimi në Gjermaninë Demokratike (Lindore)
Menjëherë pas çlirimit nga kampi i përqendrimit, Heinz Brandt, së bashku me tre shokë, morën rrugën për në Berlin. Gjatë rrugës, ata dhe të kapurit e SS, u mbajtën për një kohë të shkurtër, në paraburgim, në një bodrum, nga trupat sovjetike. Më vonë ai mësoi se ata ishin me fat, sepse të burgosurit e tjerë hebrenj, liruar nga kampi i përqendrimit Buchenwald, u depërtuan si “spiunë amerikanë”, në kampin special sovjetik, Sachsenhausen, i cili tani drejtohej nga policia sekrete sovjetike. Tashmë në një fazë të hershme – në verën e vitit 1946 – një ish-shok nga ditët e Republikës së Weimarit, u përpoq ta bindte atë, të shkonte në Gjermaninë Perëndimore, sepse herët a vonë, komunistët gjermanë stalinist në Gjermaninë Lindore, do ta shpallnin atë një armik.
Por Heinz qëndroi në Berlin, ai punoi për administratën e qytetit dhe me ish të burgosurit e tjetër të kampit të përqendrim, themeloi Komisionin Kryesor të Berlinit “Viktimat e fashizmit”. Më 1 dhjetor 1945, ai u bë shef i departamentit të shtypit, të KPD-së në Berlin dhe më vonë sekretar i udhëheqjes së distriktit të Berlinit të SED, që përgjigjej për propagandën politike. Pas një martesë, që mbijetoi vetëm një vit dhe përfundoi në divorc, në 1947, ai u martua përsëri në qershor 1949. Martesa me Anneli-se, zgjati deri në vdekjen e tij. Ata kishin dy fëmijë.
Në prill 1946, KPD dhe SPD u bashkuan, për të formuar Partinë e Bashkimit Socialist, të Gjermanisë (SED). Për Brandt në atë kohë, nuk ishte një bashkim i detyruar, siç u pa nga kritikët e tij të atëhershëm dhe siç shihet nga masa dërrmuese e historianëve të sotshëm, për të ishte një hap logjik dhe një mësim i nxjerrë nga përçarja e lëvizjes së punëtorëve në Republika e Weimar. Megjithatë, shumë shpejt komunistët, të cilët kishin emigruar në Bashkimin Sovjetik dhe që u kishin mbijetuar spastrimeve të Stalinit, duke demonstruar besnikëri të pakushtëzuar ndaj tij, eliminuan demokracinë brenda partisë dhe e kthyen SED në një parti të kuadrit stalinist. Kushdo që u priste rrugën, u burgos. Gjyqet teatrale staliniste kundër “titistëve”, “agjentëve” dhe “kozmopolitëve”, në fillimi i viteve 1950, veçanërisht gjykimi i Slánský në Çekosllovaki, shqetësuan Heinz Brandt, sepse shumë nga njerëzit që po përballen tani me gjykimet, në vitet 1930, i përkisnin “Pajtuesve”. Rreziku për të, u bë edhe më evident në fillim të vitit 1953, kur anëtarët hebrenj të SED, do të kontrolloheshin si armiq të mundshëm të klasës.
Megjithatë, vdekja e Stalinit – për të cilën Brandt besonte se ishte një “Revolucion i pallatit” – e zvogëloi rrezikun në fillim. Brandt, shpresonte për një zëvendësim të shefit të SED Walter Ulbricht, i cili ishte regjent i Stalinit në GDR, dhe për një fillim të ri demokratik. Megjithatë, të gjitha shpresat u shpërbënë; Ulbricht nuk ra me Stalinin, ai mbeti në detyrë.
Më 16 qershor 1953, në Berlinin Lindor, punëtorët e ndërtimit marshuan drejt selisë së qeverisë, që të paraqitnin kërkesën e tyre, për shfuqizimin e normave të larta të punës. Shumë, mijëra njerëz u bashkuan me ta spontanisht dhe zgjeruan kërkesat nga ekonomike në ato politike: “Ne duam të jemi njerëz të lirë dhe jo skllevër”, “Zgjedhje të lira”, dhe “Mjekra me majë duhet të shkojë”. Ky ishte pseudonimi popullor, për shefin me mjekër të SED Walter Ulbricht. Tërheqja e nxituar e normave të shtuara të punës, bazuar në një kërkesë të Heinz Brandt, drejt politikës së SED-it, nuk mund ta ndalte më, kryengritjen në zhvillim. “Punëtorët u ngritën kundër shtetit të punëtorëve dhe të fshatarëve”. Brenda natës, rebelimi i Berlinit u zhvillua në një kryengritje popullore mbarëkombëtare.
Megjithatë, tanket sovjetike arritën ta shuanin atë, më 17 qershor 1953. Brandt i cili u befasua dhe vetë nga kryengritja e popullit të 17 qershorit 1953 në GDR, e konsideroi atë, një tragjedi. Ai u simpatizua me kryengritësit, megjithatë sipas mendimit të tij, ata me veprimin e tyre, kishin anuluar në mënyrë të pakthyeshme shpresën për ndryshim shoqëror, si rezultat ekstremist në Partinë Komuniste, konfirmuan pushtetin e tyre, ndërsa “reformistët” në Moskë dhe Berlinin Lindor, humbën zyrat e tyre, lirinë apo edhe jetën. Në gusht 1953, si rezultat i spastrimeve, Brandt u largua nga pozicioni i tij drejtues në parti dhe u vendos në një departament, për punën e SED-it të Berlinit Perëndimor. Në vitin 1954 e transferuan në Shtëpinë Botuese “Wconomy” (Die Wirtschaft), ku ai u bë kryeredaktor.
Arratisja dhe rrëmbimi nga STAS-i
Zbulimi i krimeve e Stalinit në Kongresin e 20-të të Partisë Komuniste në Moskë, në shkurt 1956, humbja e reformatorëve hungarezë, polakë dhe përforcimi i ripërtërirë i pozitës së pushtetit të Ulbricht-it, rezultuan në një largim përfundimtar nga Komunizmi Sovjetik. Heinz Brandt, kërkoi të kishte pasoja edhe brenda SED, ndër të tjera kërkoi zëvendësimin i Walter Ulbricht dhe të Ministres së Drejtësisë, Hilde Benjamin. Në vitin 1956, vendosi kontakte me “Zyrën e Lindjes” të SPD-së në Gjermaninë Perëndimore dhe u raportoi atyre, për tendencat e opozitës në GDR. Në shtator 1958, ai bashkë me gruan dhe fëmijët e tij u arratis në Berlinin Perëndimor, pasi mori një paralajmërim, rreth kërcënimit të dëbimit nga partia e ndjekur nga një arrestim. Në vitin 1959, Brandt u transferua në Frankfurt am Main dhe u bë redaktor i revistës sindikaliste ‘Metall’ (Metal). Më vonë ai iu bashkua SPD-së.
Sigurimi i Shtetit, policia sekrete e SED Komuniste, nisi menjëherë përgatitjen e masave kundër “tradhtarit”. Më 16 qershor 1961, me urdhër të drejtpërdrejtë të Ministrit të Sigurimit të Shtetit, Erich Mielke, u rrëmbye me forcë nga Berlini Perëndimor, në pjesën lindore të qyteti, pasi një i ‘njohur i ri’ i injektoi fshehurazi, një lëndë narkotike. Njeriu që luajti një rol të rëndësishëm në këtë, ishte Hans Beyerlein, një mik dhe fqinj i familjes Brandt, në Frankfurt am Main. Nëpunësi në Departamentin për Anëtarët e Këshillit të Punëtorëve dhe për personat e besueshëm të kompanisë ‘IG Metall’, punonin për Sigurimin e Shtetit të GDR.
Në paraburgimin e burgut të Ministrisë së Sigurimit të Shtetit, në Berlin-Hohenschönhausen, Brandt u mor në pyetje për muaj të tërë. Ata i ofruan lirimin e tij, nëse ai do të pranonte gabimet e tij politike dhe do të deklaronte se ai ishte kthyer në GDRD, me vullnetin e tij të lirë. Por Heinz Brandt refuzoi propozimet e tyre. Më 10 maj 1962 ai u dënua me 13 vjet burg, në një gjyq sekret në Gjykatën e Lartë të Gjermanisë Demokratike (Lindore). Bashku me të u dënuan dhe dy ish-bashkëluftëtar të tjerë të SED, të cilët ishin përndjekur gjatë kohës së Nacional-Socializmit, me akuzën e “spiunazhit të rëndë në koincidencë me propagandën dhe agjitacionin shtet-kërcënues në rrethana rënduese”.
Midis 27 korrikut 1962 dhe 20 majit 1964, Brandt u burgos në izolimi në burgun special të Sigurimit të Shtetit, në Bautzen. Burgimi i tij në një qeli të izoluar, krijoi një gjendje të rëndë mendore. Ai vazhdimisht kishte makthe të rënda në gjumë, ku shihte për burgosjen e tij, në kampin e përqendrimit. Lirimi i tij më 23 maj 1964, u arrit kryesisht falë një fushatë solidariteti ndërkombëtar, në të cilën u angazhuan sindikatat, filozofi britaniku Bertrand Russell, Amnesty International, si dhe Komitetet Ndërkombëtare të Kampit të Aushvicit dhe Buchenwaldit.
Kthimi në Perëndim
Pas lirimit të tij, Brandt vazhdoi të punojë si redaktor i gazetës ‘IG-Metall’ deri sa doli në pension. Në vitin 1967, u botua autobiografia e jetës së tij “Një ëndërr që nuk mund të rrëmbehet. Udhëtimi im mes Lindjes dhe Perëndimi” (Ein Traum, der nicht entführbar ist. Mein Weg zwischen Ost und West) u botua nga Paul List Verlag, Mynih. Brandt vazhdoi fushatën për një socializëm demokratik, duke kritikuar të majtën, për qëndrimin e saj pozitiv ndaj Bashkimit Sovjetik. Ai gjithashtu kritikoi antifashizmin e majtë: “vetëm ata që mbrojnë kudo të drejtat themelore dhe dinjitetin njerëzor, demokracinë dhe lirinë, mund të jenë anti-nacional socialistë të besueshëm”.
Brandt kërkoi një “rrugë të tretë” midis kapitalizmit perëndimor dhe sistemit komunist, duke e klasifikuar këtë të fundit, qartë si një sistem shfrytëzimi. Që prej vitit 1961, ai u përfshi në aktivitete kundër energjisë bërthamore dhe militarizimi, më vonë mori pjesë në bllokada të uljes (protest ku qëndron ulur, për të paralizuar punën) në Gorleben dhe bashkëpunoi në themelimin e partisë “Të Gjelbrit”, (Die Grünen). Shpejt ai u largua nga partia, për shkak se u desh shumë, një qëndrim jo kritik ndaj Komunizmi, si për të kaluarën, ashtu edhe në të tashmen dhe sipas mendimit të tij, ajo u zhvillua në një “parti të kuadrit të majtë”.
Idealisti komunist i dikurshëm dhe më vonë komunist i partisë, i cili adhuronte vizionin ‘Utopik’ u rrit në një socialist të përkushtuar, por realist: “Ne mbrojmë diçka që mund të mos ketë sukses, e cila mund të shkojë keq. Ne veprojmë edhe pse e dimë që suksesi është i diskutueshëm dhe sepse e dimë që – nëse ka ndonjë sukses – suksesi mund të arrihet vetëm me këtë veprim tonin. Ne nuk kemi më shumë se një shans dhe varet nga ne nëse e përdorim atë”. “Edhe një herë duket se kemi dëgjuar Heinz Brandt kur ai citon Manès Sperber me fjalët: “Unë jam një revolucionar i vjetër, që kam qëndruar besnik shpresave, që i është dashur të varros”.
Heinz Brandt vdiq më 8 janar 1986 në Frankfurt am Main. Me kërkesë e Brandt-it, nuk ka asnjë vend-varrim të tij, ashtu siç nuk ka për prindërit e tij të vrarë, nga Nacional-Socialistët, apo për vëllain e tij të vrarë, nga ithtarët e Stalinit. Që nga 17 qershori 1999, një gjimnaz në Berlin-Weißensee, mban emrin e tij. Në ish-rripin kufitar të Murit të Berlinit, në periferi të zonës industriale Pankow-Park, një rrugë mori emrin e tij. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016