Nga Idriz Lamaj
Pjesa e njëzet
Jeta dhe veprimtaria e Xhafer Devës në mërgim
– Kosova në kohën e Shqipnisë etnike –
Korrespondenca e Xhafer Devës me udhëheqësit e ‘Lidhjes së Prizrenit në Mërgim’.
Memorie.al / Kapitullin e korrespondencës së Xhafer Devës me udhëheqësit e ‘Lidhjes së Prizrenit në Mërgim’ e hapim me letër-këmbimin e tij me z. Kalosh Hamdin, një prej figurave më të shquara dhe më tragjike të “Lidhjes së Prizrenit në Mërgim”. Korrespondenca e Devës me Kalosh Hamdin, zë një vend të veçantë dhe mund të quhet si korrespondenca më sekrete e Devës me udhëheqësit e ‘Lidhjes’. Deva bjen në kontakt me Kalosh Hamdin me 1963. Ai i shkruan atij se disa miq të ngushtë, mendonin për riorganizimin e ‘Lidhjes së Prizrenit në Mërgim’ dhe se ende nuk kishte vendosur nëse do të pranonte kryesinë e saj, që ata i kishin propozuar duke i kërkuar Hamdis, në rast se i imponohej kryesia, të angazhohej në përkrahjen e tij politike.
Në korrespondencën e Devës nuk gjendet përgjigja e Hamdis por duket se ai i kishte shkruar për arsye se ai me gjithë rrethin e tij angazhohet në Lidhjen e Prizrenit qysh në fillim të riorganizimit. Nga korrespondenca e mëvonshme e tyre e cila, përfshinë afër njëqind faqe, kuptohet se Deva dhe Hamdia, mbanin mend njëri tjetrin qysh në Kosovë nga gjysma e vitit 1944. “Nëse ju bie në mend, kohët e fundit, besoj në gusht të vitit 1944, kur u takuam në qytetin e Tetovës me Xhem Hasen (Xhem Gostivarin-I.L.) dhe Aqif Reçanin, paçin ndjesë, të dy janë të vdekur, hëngrëm drekë në Hotelin “Jadran”, ku zotrote na këshilluat rreth luftës dhe ngjarjeve që po zhvilloheshin në atë kohe dhe kaluat dy tri ditë me ne”, i shkruan Hamdia Devës me 25 gusht 1968-të, si përgjigje të një letre që ai i kërkonte informata, mbi përfundimin e Aqif Reçanit.
“… Jo vetëm që të mbaj mend mire, por kurrë nuk i harroj ato pak ditë me ju. Ti ke qenë atëherë shumë i ri, ndoshta 17-18 vjeç. Të mbajë mend me pushkë në dorë dhe një rrethore fishekësh në brez, kur i solle Aqifit do duhan, të mbështjell në një shami. Kur i derdhëm cigaret, të gjithëve na zuri kolli, sa i fortë kishte qenë. Aqifi i shkretë tha: – Kalosh, për Zotin ky duhan ose asht i mykun ose s’ka shoq në botë – dhe filluam me qesh”! Shumë letra qesin dritë mbi të kaluarën e tyre. Deva e njihte mirë Kalosh Hamdin, dhe për këtë arsye, nuk mbante sekrete ndaj tij.
Në nëntor të vitit 1968, i shkruan Kaloshit: I dashtuni Kalosh, Në radhë të parë dëshiroj me të falënderue përzemërsisht për pritjen e juaj aq bujare gjatë qëndrimit tim në Çikago dhe në Kenosha. Asht e para herë në mërgim, që e kam ndije veten si në shtëpinë time, i rrethuam me familje dhe dashamirë tuajt, që do t’i mbaj mend gjithmonë. Në ‘kurbet’, si thuhet te ne, një pritje si e juaja, ka çmim të naltë dhe nuk mund të barazohet me të holla as lavdërime. Gjatë fluturimit, kam pas mjaft kohë me blu edhe një herë pleqnimet dhe vendimet që morëm në Kenosha. Jam nda prej teje dhe shokëve tuaj atje, me ndjenja që kam shtue besimin tonë të përbashkët, që do të mundemi me dhanë një kontribut të konsiderueshëm në drejtim të shërbimit ndaj atdheut tone, të pushtuam nga armiku.
Këtë radhë nuk kam pas guximin me fol mbi një plan, të cilin e din vetëm një miku im në New York, që asht i përgatitun si me mend, ashtu edhe me shkrim, për një veprim mjaft të guximshëm, aq sa mund të keqinterpretohet nga ana e një pjese të bashkëpunëtorëve tonë. Nuk ta kam shfaqë këtë mendim, mbasi ky mendim dhe plan, kërkon që të rrihet me një mik dhe shok që mund të kupton rëndësinë e një plani të tillë. Me rastin e vitit të ri, ndoshta mund të bëjë një udhëtim në Kenosha, për të diskutua personalisht me ty ketë plan. Ju lutem ta mbani këtë letër vetëm për veten tuaj, megjithëse këtu nuk kam zbulue ndonjë sekret, këtë e konsideroj si iniciativën e pare, që po e theksoj në këtë letër. Ky plan ka të bëjë ma shumë me “timing” dhe më duket që koha asht pjekë, për një bisedë të tillë me ty në këtë fushë.
Të fala të përzemërta, Xhaferi, 2/11/1968.
Ky plan sekret i Devës, të cilin i zbulon më vonë Hamdis, nuk gjendet në korrespondencë, por kishte të bënte me përpjekjet e tij për studimin e personaliteteve politike të Kosovës, për të interesuar qarqet sekrete amerikane e që të viheshin në kontakt me ta, për të krijuar njëfarë miqësie personale. Deva me kohë kishte zbuluar “një gjë interesante” në Washington. Komunistët serbë dhe kroatë, secili për interesat e veta kombëtare, kishin krijuar miqësi personale me persona të ndryshëm të inteligjencës amerikane. Edhe Deva iu kishte propozuar miqve të tij Roger dhe Stiv (R. Hollingshead dhe S. Mc. Gruder), që të bënin çmos të rekrutoheshin shqiptarë të Kosovës në shërbim të projekteve afatgjata për strategjinë politike amerikane në Ballkan.
Ky plan i Devës zbërthehet, nga një letër që ai i dërgonte Rexhep Krasniqit me 3 korrik 1966, mbas një vizite në Washington: “Komunistet tonë në Tiranë dhe në Prishtinë, ose janë me të vërtetë ma frikacakët e botës, ose ma budallët e saj. Serbët, kroatët dhe bullgarët, këtu kanë krijue rrjetat e veta të miqësisë personale; këtë e mora vesh prej dy miqve të mi të besueshëm. Komunistët tonë janë verbue sysh dhe nuk mendojnë fare se çka mund t’i ndodhë nesër vendit tonë dhe vet atyre, po u ra nevoja për amerikanët”.
Korrespondenca e Xhafer Devës me Kalosh Hamdin është miqësore, familjare dhe sekrete për kohën e vet. Në letrat e tyre shihet se ata bënin plane të ndryshme për të ardhmen e ‘Lidhjes’ dhe mënyrën si duhej vepruar në kushtet e reja politike të Kosovës dhe marrëdhëniet e saj me Shqipërinë. Ata bëjnë plane “për krijimin e një ure”, midis ‘Lidhjes’ e Kosovës. Planet e tyre ndryshojnë nga planet e të tjerëve që përpiqeshin të krijonin lidhje me qeveritarët ose shtresën e ekspozuar intelektuale. Deva e Hamdia mendonin se kontaktet e para duhej t’ krijonin me shtresën tregtare, dhe mundësisht me intelektualë të pa komprometuar me U.D.B.-ën. Duke njohur mirë karakterin, seriozitetin, urtësinë, bujarinë, mundësitë ekonomike, dhe angazhimin e tij për ti shërbyer çështjes kombëtare, Deva përgatiste me kujdes tërheqjen e vet nga skena politike dhe vënien e Kalosh Hamdis në krye të ‘Lidhjes’. Në katër-pesë letra të Devës vihen re përsëritjet, “…Ti duhet të veprosh pa ngurrim, unë do të mbështes me të gjitha forcat e mia. Ti mund ta mbash në harmoni ma mirë se askush Komitetin Ekzekutiv të ‘Lidhjes’…”, etj.
Ndërkaq, në letrat e Hamdis shquhet respekti i veçantë për Devën. Ai shpesh vë në dukje, “fatin e madh të kosovarëve të mërguam që të kanë ty në krye të veprimtarisë së vetë politike”. Në asnjë letër të Hamdis nuk shihet synimi i tij për të drejtuar ‘Lidhjen’. Përkundrazi, në çdo letër, ai inkurajon Devën për vazhdimin e drejtimit të organizatës, duke e siguruar atë se do të sakrifikonte çdo gjë për t’a mbajtur Lidhjen në këmbë, derisa Deva të ishte në krye të saj. Kalosh Hamdia vritet ne korrik te vitit 1973. Vrasja e Kaloshit, e tronditi rëndë Devën. Ai kalon dy-tri javë në Kenosha pranë të birit, Qefalis, vëllezërve e familjes së tij. Xhafer Deva, personalisht u mor me hetimet e vrasjes dhe qysh në fillim e cilësoi si vrasje me motive politike. Versioni i tij vërtetohet nga gjykata dhe dënimi që mori vrasësi. Në të njëjtën kohë ai e inkurajonte Qefalin, të vazhdonte punën në tregti dhe të ndjekte gjurmët e babait të vet, në fushën e veprimtarisë kombëtare.
FJALIMI I XHAFER DEVËS ME RASTIN E VARRIMIT TE KALOSH HAMDIS
Sot jemi mbledhë këtu para burrit, babës, vëllait dhe mikut tonë të nderur dhe të dashur, Kalosh Hamdis, për t’i dhanë lamtumirën e fundit. Nuk asht hera e parë që ndahemi prej një luftëtari, i cili ka kapërcye rreziqe të shumta në malet tona duke mbrojt lirinë për mbarë popullin shqiptar. Tani ka ra viktimë e plumbit të një të çmenduni që asht bë vegla e ndonjë tradhtie të pazbuluare ende për këtë çast. Tepër të rrallë janë njerëzit e pajisun me virtytet e këtij trimi të dalluem, që mbylli sytë përgjithmonë. Ke jo vetëm babë, vëlla dhe mik shembullor, për çka ka pas si admirimin dhe dashurinë e të afërmve të tij të ngushtë, ashtu si edhe të atyre që kanë pas rastin t’a njohin, por edhe njeri i urtë me një përvojë të gjanë e të gërshetueme me një para-pamje ndërtuese për fatin e mbarë kombit.
Sado që kreshnik i dalluam në luftërat e përgjakshme në malet e thepisura të Gostivarit, Tetovës, Kërçovës dhe Dibrës, Kaloshi ka tregue në mënyrë të pabesueshme zemërbutësinë e tij si kujdestar i familjes së tij të ngushtë; i babës, nanës dhe i motrave të tij, e po ashtu edhe i familjeve të shokëve të tij në atdhe, të cilët, të ekspozuem torturave, internimeve e pushkatimeve nga ana e armikut, për të zbulue lëvizjet e Kaloshit, kanë pranue vdekjen por nuk kanë tradhtue. Besnik i traditave shqiptare edhe në mërgim, Kaloshi e ka pasë të rrënjosura në shpirt dëshirën me ndihmue shqiptarët në nevojë. Dera e shtëpisë së tij ka qenë e hapun ditën e natën jo vetëm për miqtë, por edhe për çdo shqiptar nevojtar pa dallim feje e krahine. Ndërhyrjet e tij pranë autoriteteve qeveritare, sigurimi i avokatëve dhe i punës, si dhe ndihmat financiare kanë qenë në rendin e ditës së këtij shpirti bujar.
Nga natyra inteligjent, plot energji e dinamizëm, Kaloshi ka qenë gjithmonë gati me dhanë kontributin e tij fizik e material për çdo ndërmarrje ndërtuese të karakterit social e politik. Koncepti i tij kryesor ka qenë: “Të gjithë ata që kanë halle janë shokët e mi të vuajtjeve. Pesë vjet kam jetua nëpër male. Më kanë dhanë strehim dhe kanë nda bukën me mua. Tashi asht rendi im me shpërblye”. Në këtë ditë të kobshme këtu po shohim fytyra të huaja jo vetëm prej Kenoshes, por edhe prej Milwaukee e vendeve të tjera. Të gjithë kanë lanë punën dhe me lot ndër sy, gra dhe burra me fëmijë, janë bashkue me nda me ne zinë që na ka qëllua. Janë nëpunësit e shtetit, drejtor bankash, avoketën, doktorë, etj. Prania tyre këtu pasqyron vlerat e shumanshme që ka pasë Kaloshi i shuar. Aq e dhimbshme asht sot humbja e mikut dhe e vëllait tonë sa nuk mund ta shprehi me fjalë në këtë moment. Plumbi mizor që goditi këtë vëlla tonin, ka goditë mbarë nacionalizmin e shumëvuajtur shqiptarë.
Tamam ashtu si na mëson historia, vërtetohet edhe me këtë viktimë se: “Armiku ma i madh i Shqiptarit, asht vet Shqiptari”. Familja e tij humb babën dhe vëllain e pashoq, ndërsa ‘Lidhja e Prizrenit’, humb një prijës dhe luftëtar të pazëvendësueshëm. Në emër të ‘Lidhjes së Prizrenit’, njëkohësisht edhe në emër te Kryetarit te Komitetit “Shqipëria e Lirë”, Dr. Rexhep Krasniqit, paraqes familjes në atdhe, zonjës bujare këtu, djalit Oefali dhe vëllazënve Rashid, Sakib, Xhavid dhe Bahri, ngushëllimet tona ma të thella. Mbas vrasjes së Kaloshit, e deri një muaj para vdekjes, Deva mbajti miqësi të ngushtë dhe këmbeu vizita e letra me Oefali Hamdin. Letrat midis tyre, megjithëse të natyrës familjare, qesin në dritë shumë gjëra dhe janë me interes të veçantë mbi depërtimin e spiunazhit jugosllav në radhët e mërgatës shqiptare, sidomos asaj të Kosovës. Qefali Hamdia tregoi një kujdesje të veçantë edhe për zonjën Oswalda, pas vdekjes së Devës. Ai mbajti kontakte të vazhdueshme me fëmijët e saj të martuar, si doemos me zonjën dhe zotin Logie.
Kalosh Hamdia.
Kalosh Hamdia lindi me 25 dhjetor 1925 në Reçan të Gostivarit. Qe i pesti vëlla dhe kishte edhe katër motra. Shkollën fillore në gjuhën serbishte e mbaroi në Reçan. Sado inteligjent dhe i talentuar nga natyra, ai nuk pati mundësi financiare për të vazhduar mësimet në gjuhën serbe në Gjimnazin e Tetovës. Si më të madhit prej vellazërve të tij, me një trup të fortë e të ngjeshur, qysh në moshën dhjet vjeç, i është dashur të bëhej krahu i djathtë i babait bujk. Me kapitullimin e Mbretërisë Jugosllave me 1941, i brengosur se do t’i duhej të vazhdonte mësimet në gjuhën serbe, Kaloshi në krye të disa moshatarëve prej Reçanit dhe Gostivarit, organizoi shkollën fillore të Reçanit në gjuhën shqipe, duke zëvendësuar mësuesit serbë me të rinj shqiptarë, të cilët kishin mbaruar ose ishin në mbarim te Gjimnazit të Tetovës. Nga entuziazmi prej suksesit të shpejtë të kësaj vepre, ai vazhdoi me dhënë ndihmën e tij për mëkëmbjen e arsimit shqiptar në krahinën e tij të Tetovës.
Kështu ai pati rastin me njohtë parinë shqiptare të atyre anëve, si: Kadri Salihin, Xhem Gostivarin, Dr. Xhaferin, etj. Në takimet me ta dhe gjatë mbledhjeve sidomos në Gostivar, Kaloshi tregoi vendosmëri për t’i shërbyer vendit të tij. Ai qe ngarkuar me detyra të shumta që kishin të bëjnë me organizimin e vullnetarëve për çdo rast, sidomos pasi Lufta Botërore po merrte drejtim në disfavor të vendit të tij. Me kapitullimin e Italisë me 1943, dhe si pasojë e dukjes së partizanëve bullgarë, serbë, maqedonas dhe komunistesh shqiptarë prej Shqipërisë së 1913-ës, Kaloshi bashkohet me fuqitë vullnetare shqiptare të komanduara prej trimit legjendar Xhem Gostivari.
Operacionet kundër partizanëve fillojnë dhe Kaloshi dallohet si një ndër luftëtarët më të spikatur në luftërat e përgjakshme në malet e Izvorit, Karaosmanit, Zagorjes, etj., si dhe kundër brigadës partizane të komanduar prej Sfetozar Vukmanoviq – Tempos. Shpeshherë ai me shokë u erdhi në ndihëm edhe forcave vullnetare të Kërçovës të komanduara nga Mefail Zajazi. Pas pushtimit të krahinës së tij prej partizanëve, Kaloshi së bashku me shokët e tij qëndron ndër male për një kohë për shkak të reprezaljeve nga ana e qeverisë komuniste të Beogradit e sidomos të gjakpirësve bullgarë, të cilët i internuan familjen dhe bënë terror mbi farefisin dhe miqtë e tij.
Në fund të vitit 1946, Kaloshi me shokët e vet i lenë lamtumirën krahinës së tij dhe shtrëngohet të kaloj në Shqipëri. Në malet e Dibrës ai bashkohet me çetën e Dan Kaloshit. Atje bjenë në ndeshje të shpeshta me forcat komuniste shqiptare dhe plagoset. Duke pasur jetën në rrezik dhe pa kurrfarë mjekimi, Kalosh Hamdia i dorëzohet policisë shqiptare, duke paraqitur një letërnjoftim të falsifikuar me emrin Alush Shabani, nën pretekst se ishte plagosur nga rojet jugosllave, duke kaluar kufirin. Kështu, ai dërgohet në Spitalin e Tiranës. Pas shërimit e dërgojnë në kampe pune në Jug. Duke shfrytëzuar zbutjen e sjelljes së policisë shqiptare ndaj kosovarëve dhe për shkak të prishjes së marrëdhënieve në mes të Shqipërisë dhe Jugosllavisë me 1948, Kaloshi arriti të sigurojë një leje për të dalë nga kampi dhe kështu u vu përsëri në lidhje me shokët e tij në malet e Dibrës. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016