Nga Idriz Lamaj
Pjesa e trembëdhjete
Jeta dhe veprimtaria e Xhafer Devës në mërgim
– Kosova në kohën e Shqipnisë etnike –
Marrëdhëniet e Xhafer Devës me ‘Bllokun Kombëtar Indipendent’ dhe misionet e tyre parashutiste në Shqipëri e Kosovë
Memorie.al/ Ai vjen në Romë me mision të caktuem me më vra mue dhe nuk e kryen detyrën, por më thotë – bac unë para vras veten, se të vras ty – d.m.th., nuk i kryen detyrat e ngarkueme nga UDB-a. Unë dhe Roger i kemi shpjegue çdo gjë dhe jemi përpjekë për nji muaj me ja ndryshue mendimin dhe me e fsheh diku në Perëndim. Ky prap ngulte këmbë, se i kishte dhëne besën Sheh Hasanit dhe se “Shehi punonte për ne” dhe nuk mund ta tradhtonte, kurse nga ana tjetër, shkon te Popoviqi dhe kthehet në Jugosllavi, ku sigurisht mbas torturave të tmerrshme, e dënojnë me 20 vjet burg. Budallallëk të tillë mund të bënte vetëm Hajredini. E pastë veten në qafë, se mund të ketë marrë në qafë edhe shumë të tjerë, në përpjekje për të shpëtue jetën e vet.
Kur shkruhet për këto çështje në Shqipëri ose në Kosovë, studiuesit duhet të tregohen shumë të kujdesshëm në përdorimin e “dokumenteve” të asaj kohe, të fabrikuara qoftë nga UDB-a jugosllave, ose Sigurimi i Shtetit shqiptar. Ata duhet në radhë të parë të bëjnë dallimin midis atyre që mund të kenë qenë bashkëpunëtorë të Sigurimeve Shtetërore të këtyre dy vendeve, dhe mos të fusin në një kallëp të gjithë udhëheqësit e grupeve nacionaliste shqiptare në mërgim. Shpesh kam vënë re në shkrime te botuara dhjetë vjetët e fundit, të thuhet se udhëheqësit e ‘Bllokut’, si Gjon Marka Gjoni, Koliqi dhe Vërlaci, ishin në shërbim të UDB-es.
Përveç dokumenteve që këta persona kanë ruajtur dhe dokumenteve të shumta të agjencive italiane dhe amerikane të asaj periudhe, edhe njeriu më i thjeshtë, por me logjikë të shëndosh, mund të bëj dallimin. Këta tre persona (Kapidani i Mirditës, Koliqi dhe Vërlaci), duke qenë të lidhur ngusht me shërbimet italiane dhe amerikane, në misionet informative dhe luftarake, nuk mund të ishin bashkëpunëtorë të UDB-ës. Marrëdhëniet e tensionuara të Italisë me Jugosllavinë, për çështje territoriale dhe strategjia amerikane antikomuniste ne kulmin e luftës së ftohtë, bien në kundërshtim të plotë me pohime për bashkëpunimin e tyre me UDB-ën.
Nuk duhet harruar se UDB-a, me mjeshtri të madhe, në proceset e montuara ka përdorë letra, raporte dhe dëshmi gjoja autentike, për të justifikuar shtypjet më mizore kundër kosovarëve. Dosjet e punës, shënimet, letrat e këmbyera të Devës me këta persona dhe me miqtë e tij amerikan e Italian, jo vetëm që provojnë të kundërtën, por nxjerrin në shesh armiqësinë e tyre të thellë me Jugosllavinë komuniste. Udhëheqësit e ‘Bllokut Kombëtar Indipendent’, i kanë ekspozuar zyrtarisht përpjekjet e UDB-ës për te ra në kontakt me ta. Në një shkrim tjetër do të mirremi më gjerësisht mbi takimin e Çedo Mioviqit me udhëheqësit e ‘Bllokut’, bisedën e zhvilluar midis tyre dhe kushtet e ‘Bllokut’ ndaj kërkesës jugosllave për bashkëpunim kundër regjimit komunist të Shqipërisë.
Pikërisht për këtë çështje, Deva i shkruan Koliqit me 12 qershor 1951: “Keni bë shumë mirë që e keni zyrtarizue takimin dhe i keni vu kushtet. Kam qenë i bindun se ai nuk pyet për mue. Nëse ju pyet kush prej tyre, u thoni – ‘Deva asht në Bari. Ata e dinë shumë mirë se kush na mban dhe na ndihmon ne’. Xhafer Deva në atë kohë banonte në rrethe të Barit, afër kampit ushtarak amerikan, ku stërviteshin parashutistët. Një vit më parë (9 prill 1950), Deva i shkruan Krasniqit në Australi: “Shpërthimi i nji lufte në Ballkan dhe ma gjanë nuk duhet t’na gjej të pa përgaditun. Na, nuk mund të bëjmë mrekulli, por me nji batalion, të cilin besoj se mund t’a krijoj dhe udhëheq, mund të thyejmë nji pikë të kufirit, sa me hy në Rrafsh të Dukagjinit”.
Misionet parashutiste të Devës në Kosovë, kërkojnë një studim të imtë. Me interes të veçantë është gjurmimi i dokumenteve rreth vrasjes se Kapiten Riza Osmanit, problem me të cilin janë marrë edhe qarqet ushtarake italiane dhe amerikane të asaj kohe. Riza Osmani “Oscar”, ka qenë komandanti i ‘Grupit Kosovar’. Bazuar në shkrimet e Devës, ai ishte personi më i përgatitur për misionin. Ditën që niset me aeroplan, kishte me vete të hollat – ARIN – për Gjonin, Kolën dhe Alushin. Ai kishte me vete edhe shifrën e fundit sekrete, të cilën duhej t’a përdorte vetëm në rast urgjence. Sa më tepër kam gjurmuar fundin e tij tragjik, aq më tepër kam krijuar përshtypjen se zbardhja e vrasjes së tij kërkon një gjurmim përtej letrave dhe shënimeve të Devës.
Si mbas të dhënave (komunikimeve radio – marrëdhënëse), Kapiten Riza Osmani dhe Nue Frisku, janë vrarë gjatë hedhjes nga aeroplani. Gjatë zbarkimit të ‘Grupit Kosovar’ në fushën Laje, janë plagosur edhe Gjon Gjinaj e prof. Alush Leshanaku, dy udhëheqësit e grupit që kishin përgatitur terrenin dhe prisnin në fushën e zbarkimit. Dihet gjithashtu se ky grup, është nisur me aeroplan nga Bari i Italisë dhe jo nga Ishulli i Montekristos. Nga një letër e prof. Ernest Koliqit, dërgue Devës, me 3 mars 1951, thuhet se: “Në mbledhje u bisedue çështja e likvidimit t’ ‘Oskarit’ të ndjerë. Në Ministrinë e Luftës, u bisedue edhe për ty. Kryedetari (Admirali Talragio, I.L.) do të kujdesohet personalisht m’e shpjegue punën…”!
Megjithëse letra e Koliqit është shkruar me shifra, ky paragraf i veçantë le të kuptohet se lidhur me vrasjen e Kapiten Riza Osmanit, është marrë edhe Ministria italiane e Mbrojtjes. Gjashtë muaj më vonë, (dhjetor 1950), në nje komunikatë të Ministrisë së Punëve të Mbrendshme të Shqipërisë, të transmetuar nga Radio Tirana, mbi atë që e cilëson si “qërim hesapesh” me grupet që hidheshin në Shqipëri, midis tjerash thuhet se: nga një grup i ardhur prej Rome, ishin vrarë, Bardhok Gjeta, Nue Prisku (Frisku-I.L.) dhe Ali Riza. Mendoj se, Ali Riza, është Riza Ali Osmani. Mbas 18 vitesh (shtator 1968), ai merret përsëri me çështjen e vrasjes së Kapiten Riza Osmanit.
Në disa letra dërguar Shaqir Kabashit në Bufalo të New Yorkut, një prej parashutistëve që kishte zbarkuar me Riza Osmani, Deva shkruan: “Fahredin Osmani (Deva mbiemrin Osmani në të gjitha letrat dhe shënimet e shkruan, “Smani” – I.L.) me pat shkrue nji letër mjaft të gjatë – tri faqe maqine – me shumë hollësi, t’ue akuzue Hajredin Vuçitërnin, si vrasësi i kapiten Riza Osmanit, etj., etj. Në mes tjerash thotë edhe që: Nezir Kabashi – nëse nuk jam gabim, Nezirin e kam pas pa nji herë në Stamboll – i cili ndodhet në Gjermani, ka vërtetue vrasësin. Mandej shkruen që Ahmet Aga Rashkoci, ka shkaktue vrasjen e të tjerëve, t’ue veprue në emnin tim. Me pak fjalë gjana të tmerrshme, akuza me vend e pa vend…”! (Letër e Devës, dërguar Shaqir Kabashit, me 5 shtator 1968).
Në vazhdim të letrës, Deva thotë: “Duhet njoftue këtë maniak (fjala është për Fahredin Osmanin, I.L.) se, edhe nëse i kanë thanë që Hajredini e ka vra kapiten Osmanin, me rastin e ndeshjes me komunistët dhe i ka marrë arin që Kapiteni ka pasë me vete, e kanë gënjye, se ju keni qenë bashkë me Hajredinin deri ne Lumë dhe mandej ai, ka vazhdue për në Prizren dhe ju keni ndjek rrugen tuej”. Si mbas një letre të Musa Vuçitërnit, Fahredin Osmani, nuk është i vëllai i Riza Osmanit. Deva i shkruan Musës: “Siç e dinë, ky mision ka qenë mjaftë fatkeq dhe me gjithë mundimet e mija me e ndalue implikimin e juej (mbasi duelt në Greqi), në misione tjera prej Greqisë, siç e dinë vet, nuk pata sukses. Ndjesë paçin, Ahmet Kabashi e Beqir Bajgora, me të cilët pata folë atëherë në telefon, vazhduan gjithashtu, edhe Destani. Hajredin Vuçitërni mbeti n’ Jugosllavi dhe si u kuptue ma vonë, u ngarkue prej UDB-es me u kthye në Romë, për me u kthye prap me mision në Jugosllavi, ku u burgos dhe dënue 20 vjet”. (Letër, 11 shtator 1968).
Për të spjeguar përpjekjet e Xhafer Devës, për nxjerrjen e njerëzve të tij nga Greqia, duhet të kthehemi përsëri te fillimi i vitit 1951. Pikërisht me 23 janar të atij viti, Deva informohet në Bari se katër prej parashutistëve të tij kishin dalë në Greqi. Ai menjëherë shkon në Romë, drejt e të banesa e mikut të tij amerikan, z. Hart, dhe kërkon që ai ta ndihmonte të shkonte ne Greqi sa më parë, për t’u takuar me ta dhe për t’i nxjerrë nga Athina. Deva ishte njoftuar gjithashtu se ata, ishin të izoluar në një kamp të posaçëm. Z. Hart e këshillon miqësisht por me njëfarë kembënguljeje, që mos të shkonte në Greqi, por të priste deri sa të kthehej nga Washingtoni z. Roger, i cili kishte marrë “dhjetë ditë pushim” dhe ndodhej në Amerikë. I zemruar së tepërmi, Deva shpërthen me këto fjalë: “Zotëri unë nuk jam agjent. Unë jam Xhafer Deva. Unë dua t’i sjell këtu njerëzit e mi sa më parë”.
Pa humbur kohë, të nesërmen, Deva çfrytëzon një kontakt të mikut të tij Roger dhe niset për Athinë. Me të arritur në kryeqytetin grek, kërkon takim urgjent me gjeneralin grek, Nikolopulos, të cilin e kishte takuar edhe nje vit më parë po në Athinë. Tani për Devën, kishte ndryshuar çdo gjë. Asimi (Jakova) ishte zëvendësuar. Shërbimi amerikan e kishte dërguar me punë në një vend të panjohur për të. Një oficer i ri shqiptaro-amerikan, me mbiemrin Williams, e kishte zëvendësuar Jakoven. Gjenerali grek, i thotë Devës, se ai nuk kishte të bëjë gjë me njerëzit e tij, ata ishin ne dorë të amerikanëve dhe vetëm z. Williams, mund të bisedonte me ta. Z. Williams i thotë Devës, se ai mund të takohej me parashutistët në praninë e tij dhe mund të bisedonte vetëm rreth gjendjes së tyre shëndetësore dhe asgjë tjetër.
Mbas bisedimit me gjeneralin grek dhe oficerin amerikan, Deva heq dorë nga takimi dhe kërkon të fliste vetëm në telefon me Destanin. Gjenerali i mundëson bisedën telefonike dhe Deva të nesërmen kthehet në Bari. Ai kthehet i dërrmuar moralisht, i ftohur me një plevitje sepse kishte bërë udhëtimin në mes të dimrit veshur me një pardesy të hollë. Nga letrat që u shkruan më vonë z. Krasniqit në Australi dhe mikut të tij Roger në Romë, për herë të parë e shikon veten të mundur, njeri që është prerë në besë nga miqtë e tij, që nuk e kanë ndihmuar në momentin që ai e cilëson si ndër më të vështirët e jetës së tij. Pa vu në dukje dëshpërimin e tij, Deva i dërgon grupit të vet në Athinë, këtë letër: I dashtuni Beqir, Ahmet, Destan e Shaqir! Biseden telefonike që pata me Shaqirin dhe mandej edhe me Beqirin kur isha në Athinë, sigurisht u kan komunikue Beqiri dhe Shaqiri.
Tashti që kam rastin me Ju shkrue me anën e miqëve që janë në gjendje me Ju dorëzue këtë letër, po përsëris: “mirë se keni ardhë’ me gjithë urimet e mija për mirëshendetin e Juej. Me gjithë përpjekjet e mija për me mujt me Ju pa personalisht, deri tashti nuk e pata mundësinë. Ardhja atje shtyhet deri mbas festave. Me rastin që kam për të ardhë atje me Ju pa, do të mundohemi bashkarisht me skjarue shumë sende që tash për tash kanë mbetë të errta. Nuk asht besoj nevoja që të theksoj edhe një herë atë fjalë që Ju thash në telefon. Jam i bindun që jeni besnik të udhëzimeve dhe porosivet që mujta me ju dhanë me rastin e bisedës. Sot m’u komunikue që Ju kishit shfaqë dëshirën, me mbetë në vendin ku ndodheni. Si do qoftë, edhe këtë do ta sqaroshim kur të shifemi.
Asht mirë që të keni durim deri sa mos të shifemi. Zotnia që më dha mundësinë me bisedue me Ju në telefon, më pat sigurue se do të kujdesohej për Juve dhe me pëlqeu sot shumë lajmi me të cilin më siguruen, se gjendja e juej shëndetësore asht përmirësue. Kam përshtypjen se asht meritë e zotnisë që përmenda ma sipër. Për fatekeqësinë e Hajredinit, nuk kam asnji lajm. Nuk e shof të arsyeshme të shpjegohemi këtu ma tepër dhe po më duhet me shty çdo shpjegim deri sa të takohemi bashkë. Të gjithëve ju marrë ngrykë. I jueji, Xhaferi Romë, 10 shkurt, 1951
Ndërkaq, katër ditë më vonë, Xhafer Deva i shkruan lidhur me këtë çështje z. Roger Hollingshead: I dashur zoti Roger, Bari, 14 shkurt 1951. Mbasi mbërrina nga Greqia, me 7 shkurt, kisha ndër mend të nisesha menjëherë për në Romë, por siç e shihni, vazhdoj të jem akoma në Bari dhe më vjen keq që nuk munda të nisem për Romë, edhe për shkak të sëmundjes sime. Jam i detyruar të qëndroj në shtrat edhe disa ditë të tjera. Duke parë që koha po kalon, vendosa t’ju shkruej dhe t’ju njoh me gjendjen që gjeta në Athinë lidhur me njerëzit, por në të njejtën kohë edhe përsa i përket mendimit të njerëzve tuaj në Athinë, lidhur me gjendjen në përgjithësi, meqenëse punët e tyre nuk kanë të bëjnë me mua. Për fat të keq, unë mbërrita në Athinë të shtunën në mbrëmje, me 26 janar dhe m’u desh të pres deri të hënën, për të marrë kontakt me njerëzit kompetent atje.
Unë munda të gjej se ku ishte gjenerali Nikolopulos, meqenëse zyrat e tij nuk ishin më atje ku unë kisha qenë para një viti i shoqëruar nga zoti Jakova. Unë munda, të paktën, të takoj gjeneralin Nikolopulos dhe pas përshëndetjeve të zakonshme, paraqita atij objektivin e qartë të udhëtimit tim në Athinë, me kërkesën për ta zgjidhur të gjithë çështjen, në mënyrë që unë të mund ta shkarkoja veten në të ardhmen nga përgjegjësitë lidhur me njerëzit e ngarkuar aktualisht me misione në Shqipërinë Komuniste. Kësaj kërkese gjenerali Nikolopulos, i’u përgjigj duke shprehur keqardhje për faktin se, nuk dinte vendndodhjen e këtyre njerëzve, por shprehu gatishmërinë e tij për të më takuar me oficerin e ngarkuar me këtë detyrë, duke më thënë të shkoja dy ditë më vonë, për shkak se oficeri në fjalë nuk ishte aty. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016