Nga Idriz Lamaj
Pjesa e nëntë
Jeta dhe veprimtaria e Xhafer Devës në mërgim
– Kosova në kohën e Shqipnisë etnike –
Xhafer Deva në dritën e letrave të veta
Memorie.al / Marrëdhëniet e Xhafer Devës me ‘Bllokun Kombëtar Indipendent’ dhe misionet e tyre parashutiste në Shqipëri e Kosovë
Dy stilografë të mirë me shishe boje. Nji orë dore për Pjeter Gjocin – ora e parë i asht prishë. Pesëmbëdhjetë pagure uji. Kapelë ushtarake pa strehë, tip Bustina. Dy makina qethse – dy palë gërshanë dhe krahna komplet. Nji mijë fletë cigaresh duhani. Brisqe rroje. Të holla – këtu çdo gjë asht shtrenjtë”.
Nr. 1304 19/6/50. “Ktheva prap në bazën e grupit të Gjonit. Shkova deri në katundin Thirret afër Krujës. Prej aty nisa nji person me letra për në Elbasan. Po të bien letrat në dorë të shokëve të grupit tim, sigurisht kanë me u vu në dijeni mbi gjendjen time”.
– Alushi Nr. 33 pa datë. “Për Kontin Karobio. Lutemi me këshillue që radiotelegrafistat të tregohen të ndërgjegjshëm në transmetim. T’ue mos dhanë emna, dëshiroj të kemi z. Ferrin në orar të transmetimit”. – Alushi 78
Nr. 424 ora 11:25 19/6/60. “Jemi diktue nga forcat anmike. Parashohim rrezik. Detyrohemi me u largue nga zona e Kurbinit. Marshojmë për në Kthellë. Ndoshta nuk do të mundemi me komunikue rregullisht, por ju qëndroni në ndigjim çdo ditë në orët gjashtë – tetë dhe dymbëdhjetë”.
Nr. 429 pa datë. Këto ditë në katundin Thirre të Fandit, u vra spiuni i rrezikshëm Nue Ndrec Loka, prej ish kapterit të Sigurimit Llesh Gjet Karaçi”.
Nr. 5 19/6/50. “Nuk jemi në gjendje me i’u caktue vendin e zbarkimit, as për njerëz as për material, para datës njëzetepesë qershor. Manovrojmë për-midis forcave të armikut”.
– Alushi Informatë nr. 434 – 0905 21/6/50. “Në lokalitetin Mamurras, kryetar asht Ismail Bajrami. Sekretar Muharrem Hajdari. Komandant i Sigurimit, Nevruz Belli nga Pogradeci. Forcat e Sigurimit kanë shkuar në Milot. Forca e Policisë, pesëmbëdhjetë veta, komandohet nga kapteri Hasan Xhetani nga Mati”.
Informatë nr. 434 22/6/50. “Në qendrën e nënprefekturës së Krujës, funksionon Komiteti Ekzekutiv. Kryetar i Komitetit, asht Muharrem Emiri nga Kruja. Sekretar, asht Qamil Guni nga Kruja, ish-Kapiten i Ushtrisë në kohën e Italisë. Shef i Sigurimit, asht Toger Ragip Reça nga Gjinokastra. Komisar Politik i Sigurimit, asht Ali Çunaj nga Vlona. Kryetar i Komitetit të Partisë, asht Shaban Hasa nga Kruja, me gradën Toger i Sigurimit. Forca e Policisë në qendër, asht pesëdhjetë veta. Komandohet nga nji nëntoger. Forca permanente e Sigurimit asht tridhjetë veta”.
Informatë nr. 435 22/6/50. “Në lokalitetin Ura e Zezë, asht kryetar Tare Raja. Sekretar, Xhemal Bami. Për forcat e Sigurimit si në Milot e Mamurraz, komandohen nga Haki Toska, me graden aspirant. Forca e Policisë, pesëmbëdhjetë veta. Komandohet nga nji kapter”.
Nr. 436 23/6/50. “Njerëzit duhet t’i hedhni në pyjet gjatë Luginës së Propit. Harta Perlati, zero-shtatë zero-tetë dyzetenjë e dyzetetre. Në kët zone, kemi me pas nji zjarr tjetër në formë trekëndëshi, ke sheshi poshtë në prrue. Afër pesëqind metra, vijë ajrore në perëndim të kuotës dyqindegjashtë.”
Nr. 8 23/6/50. “Ndodhemi jashtë rrezikut. Për të shpëtue nga manovrat e armikut, u detyruem me i shpërnda forcat tona në çeta të vogla, kështu që tash ndodhemi vetëm gjashtë veta në pyllin te kuota Treqindetetë. Harta Perlati, zero – pesë – zero – gjashtë – dyzetedy – dyzetetre”.
Nr. 441 23/6/50. “Vazhdojnë udhëzimet. Porositni njerëzit në rast se ndonjë mbetet mbi ndonjë lis të naltë, mos të gabojë me zbërthye parashutën vetë, sepse mund të vritet ose plagoset. Le të presin derisa t’i shkojë dikush në ndihmë nga shokët e tij të grupit parashutist, ose nga ana e jonë. Nëse ndonjë ndahet nga shokët, le të kërkojë vend për strehim dhe të presin sa më afër zonës së zbarkimit, derisa dikush prej nesh t’a gjejë me anë të shenjave dhe parullës tonë”.
Nr. 448 24/6/ mungon viti. “Konfirmojmë gjashtë njerëz dhe pesë pako. Zjarret do jenë katër, ashtu si ju kemi përshkruar një vetëm e tre në formë trekëndëshi. Parulla Shkodër-Shkup. Ora e hedhjes, njëzetedy sot e djelë. Koha e mirë. Nata pa errsi, qielli i kthjellët. Ditën qielli i vranët gati me ra shi”.
Nr. 444 24/6/50. “Konfirmojmë ditën dhe orën. Mos dyshoni në Kotën e zonës. Mbahuni spjegimeve që kemi dhënë”.
Nr. 446 gr. 95 24/6/50. “Në Fand janë arratis rishtas edhe dymbëdhjetë persona të tjerë, të cilët qëndrojnë nëpër male. Prej tyre vetëm tre veta janë të armatosun. Kërkojnë me urgjencë armë prej nesh. Shumë të tjerë janë arrestuem e burgos në Kukës. Të gjithë këta janë persona që e kanë përkrahë misionin tonë në fillim dhe janë komprometue haptazi. Këta na kanë parashtrue nji ultimatum, tue thanë që t’i armatosim, ose t’i lejojmë me kalue në Jugosllavi. Mendojmë se nuk asht mirë që këta persona të sakrifikuem prej nesh, te lihen sot me duar në xhep. Ju lutem përgjigjuni sa ma parë”
– Gjoni Nr. 9 24/6/50. “Ju lutem ma plotësoni këtë dëshirë. Më dërgoni me Grupin Kosovar, Radion Komplet. Një dylbi të markës ‘Hensoldt/W Etslar’ gjashtë me tridhjetë, ose Zais. Dylbinë due me e pas si dhuratë personale, nga Konti Carobio. Dy dylbitë që kam pas, janë prishë, nuk shihet asgjë me to. Me dërgoni edhe nji palë këpucë gome basketbolli. Kam mbetë zbathë, e nuk mund udhëtoj për Elbasan. Numër dyzetedy”.
– Alushi. Mesazh i marrun nr. 499 28/6/1950 “Kemi eliminue zjarrin e vetëm. Do të kemi vetëm trekëndëshin e zjarreve. Ndiqni drejtimin nga Lika – Kubce – Poput – Krahe – Lumin Mat. Pikat djathtas, jo më shumë se njëqind metra vijë ajrore të shkoni drejtüe kuotës njiqindenjëzeteshtatë. Kështu bëni zbarkimin. Hedhja e dytë e materialit, duhet të bahet mbasi të keni fluturue mbi Fushën Laje, t’ue bë disa xhiro mbi këtë fushë. Mos gaboni me bë shumë xhiro mbi zonën e hedhjes. Mund të ndigjohet zhurma e aeroplanit dhe të diktohemi”.
– Alushi Nik nr. 771 q. 116 – urgjent. “Këshillit te Partisë. Disa persona të grupit Puka, të lodhun nga vuajtjet e gjashtë vjetëve, kanë shfaq mendimin për t’u arratis në Jugosllavi, me gjithë përpjekjet e mia, për t’i bind të mos bëjnë nji gjë të tillë. Vetëm nji sigurim nga ana e jonë, ku tregoni se gjendja ndërkombëtare asht pjekë, e që parasheh lirimin Shqipnisë brenda gjashtë muajsh, mund të ndalojë vendimin e tyre. Për këtë çështje, ju lutem përgjigjuni qartë, pa dorza e me urgjencë të madhe”.
Nr. 90. Për Gjon-Nik-Pal 4/12/50. “Mbrrina mirë. Ju kujtoj të gjithëve me nderimet e mija. Ju falënderoj për sa keni bë për mue e ju përqafoj e përshëndes të gjithëve me zemër”.
– Alushi, Pjeter Gjoci Nr. 57 26/4/1951. “Në Shqipninë e Veriut asht riformua ‘Lidhja Kombëtare e Maleve’ prej të cilës doli nji Komitet Qendror, për lirimin e atdheut. Përfaqëson vullnetin e popullit. Me nand shkurt, asht bë shpallja zyrtare. Kjo Lidhja u shpall me pëlqimin e nacionalistëve të Maleve dhe sot njihet si autoriteti ma i naltë nacionalist në Shqipni.
Gjoni dhe Alushi kanë pas kontakt me kryetarin, nënkryetarin dhe sekretarin e Komitetit dhe kane ra dakord me i’u paraqitë aleatëve rezolucionin e promemorien nëpërmjet ‘Bllokut Kombëtar Indipendent’. Emrat e personave i’u komunikoj kur të kthehen Gjoni e Alushi. Personat e Komitetit janë dhjetë intelektualë, që të gjithë me kredi politike në popull dhe të vuejtun për nacionalizëm”.
Nik nr. 45 2/7/1951. “Asht ma se e sigurt se tue dalë përtej kufirit komita e Mirditës, rezistenca e Maleve përfundon gjithkund. Asht e kuptueshme gjithashtu se në këtë rast, autoritetet jugosllave do të tregojnë nji farë interesi, me ditë arsyen e daljes tonë vonë, tok me të arratisurit. Supozimet mund të jenë të shumta dhe të gjitha në disfavorin tone, kur të dalim mund t’na dëmtojnë mjaft në lirinë tonë personale.
E shohim të arsyeshme që me datën pesëmbëdhjetë korrik, t’i bashkohemi edhe na grupit të Mirditës. Pritja e takimi i Palit me autoritetet e kufirit nuk mund t’na vlejë, ma tepër se sa dimë mbi qëndrimin politik të Jugosllavisë ndaj Shqipnisë. Ju lutemi na u përgjigjni me urgjencë telg. nr. njëzetedy, njëzetepesë, njizetenandë, tridhjetenjë e dyzetenjë, mbasi përgatitja e daljes tonë në Jugosllavi, kërkon kohë e kujdes”.
Nik nr. 13/7/51. “Nue Melyshi e Pjeter Gjoci, janë ngarkue për mbledhjen e të gjithë të arratisurve Mirditas. Arritja e tyre në bazën Nik, caktue me datën nji i tetit. Të njëjtën ditë kaluan Drinin me sigurue zonën nga policia Nik (radio nuk shënon shifër as datë). “Kanë ardhë në bazë të gjithë përfaqësuesit e Mirditës dhe të Krujës. Pashk Suma, Mark Melyshi, Luk Perzefi, Nue Gjergj Hasani, Nue Gjok Lala, Gjin Kros Buna. Për sigurimin e emisionit informative, e shohim të arsyeshme me dërgue nji pjesë të grupit në zonën e tyre. Ju lutem përgatitni pakon e Radios, e cila nuk duhet të vonohet. Presim përgjigjen nesër”.
Pyetje: Kur shikohet ky material me kujdes, njeriut i ngrihet gjaku. A keni qenë i vetëdijshëm se këto misione do të përfundonin me humbje e fatkeqësi, me gjakderdhje, me vrasje, me persekutime të tmerrshme dhe internime në kampet e përqendrimit. Si një prej strategëve dhe frymëzuesve të tyre, çfarë brenge keni për këto misione sot që jeni në moshën 87 vjeç?
Përgjegje: Unë këto misione, kurrë nuk i quaj humbje e as fatkeqësi. Përkundrazi, me anë të tyre, asht mbajte gjallë lufta antikomuniste dhe asht brumos me gjak ideali për nji Shqipni te lirë nacionaliste. Po të ishte ajo kohë sot, edhe sot në moshën time, do ta lija si amanet, që dikush të bëj të njëjtën veprim.
Brenga e vetme që kam pas, jo vetëm unë por edhe shokët e mi me të cilët e kemi frymëzue dhe përgatitë (si thue ti) këtë veprimtari, si prof. Koliqi, z. Deva, z. Verlaci, baba i im, Gjon Marka Gjoni dhe miqtë tonë të vërtetë, admirali i Marines Italiane, Talarigo, Konti Karobio dhe dy amerikanët, Roger dhe Hart, e kemi pas të vetmen brengë, se nuk kishim asnjë mënyrë si me i tërheq forcat tona nga terreni. Mundësia ishte me i dërgue, por jo me i tërheq. Prandaj ata që shpëtuan, me përjashtim të ndonjërit, ishin të detyruem me kalue në territorin jugosllav.
Mbas kalimit të tyre në Jugollavi, nuk ishin ma në dorën tone, por në dorën e komunistëve jugosllav, të cilët i shfrytëzonin për interesat e tyre që kryekëput ishin kundër interesave tona kombëtare. Për këtë arsye, kemi pas mbajt në mënyrën ma sekrete strategjinë tone, e cila ishte edhe strategji e dy vendeve mike perëndimore.
Luftëtarët tonë të lirisë, janë përgatitë në kampe të posaçme ushtarake italiano-amerikane, por ata gati nuk kanë ditë asgjë mbi oficerët ushtarakë, pilotët ose burimet materiale. Momentin e fundit kemi urdhnue që radio-marrëdhanëse të shkatërrohej dhe të mos binte në dorë të jugosllavëve, dhe e vërteta ashtu ka ndodhë, radio asht shkatrrue në vend dhe kurrë nuk janë gjetë copat e saj.
Ky ka qenë nji mision me interesa reciproke dypalëshe, midis atyre që përpiqeshin për realizimin e Shqipnisë së lirë etnike dhe vendeve mike, Italisë dhe Shteteve te Bashkueme. Të dy palët ishim të vetëdijshëm se interesat tona të përbashkëta, ishin në kundërshtim të plotë me interesat jugosllave në Shqipni. Fatkeqësi, mund të quej vetëm detyrimin e luftarëve tone, për të dal në Jugosllavi. Këtu due të theksoj edhe nji faktor tjetër – Greqinë. Misionin e grupeve tona vepruese, e kemi mbajt strikt sekret edhe prej grekëve. Kur njerëzit tonë kanë dalë në Greqi, ti e dinë si janë trajtue. Disa prej tyre janë izolue menjëherë dhe disa kanë arritë me i rirekrutue për veprim në Shqipni, natyrisht nën ombrellën e Komitetit Kombëtar “Shqipnija e Lirë”.
Ti e dinë se çfarë dredhish i kanë bë grekët z. Xhafer Devës, kur parashutistet e tij të ndjekur nga forcat komuniste jugosllave dhe shqiptare, kanë shpërthye kufirin dhe kanë hy në Greqi. Ti për këtë duhet te folësh, mbasi e ke njoftë mirë z. Devën dhe tash njeh në hollësi të gjithë veprimtarin e tij të mbështetun në vet korrespondencën e tij. Për ‘Bllokun’, për shokët e mi të atyre ditëve, të cilët nuk jetojnë ma, dhe për mue, fatkeqësi ka qenë dhe asht ndikimi i politikës serbe dhe greke në Shqipni.
Xhafer Deva ishte në dijeni të plotë me të gjitha planet strategjike dhe stërvitjet parashutiste të ‘Bllokut’, nga 15 shkurti 1949, deri në përfundimin e tyre, fillimi i vitit 1953. Gjatë atyre viteve Deva, bënë një jetë thellësisht të angazhuar në përgatitjen e strategjisë së interesave amerikane në Shqipëri dhe në Kosovë. Baza e banimit të tij kryesor ishte Bari, kampi ushtarak i stërvitjeve.
Ai merrej me rekrutimin dhe stërvitjen e parashutistëve që dërgoheshin në terren. Siguron mbështetjen e personave me ndikim në Shipërinë e Veriut, bënë udhëtime të shpeshta në kampet e refugjatëve në Itali dhe në Greqi. Bënë udhëtime të shpeshta dhe takohet me personalitete të ndryshme, turke, italiane, austriake, gjermane e amerikane.
Nxit në të gjitha fushat veprimtarinë politike e luftarake kundër sistemeve komuniste në Jugosllavi dhe në Shqipëri. Këtë lloj fushate Xhafer Deva e zhvillonte në një mënyre te përsosur, në heshtje të plotë, pa pompozitet, brenda dyerve te mbyllura. Mërgata politike shqiptare nuk dinte shumë rreth veprimtarisë së Devës, në atë kohë. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016