Nga Idriz Lamaj
Pjesa e katërt
Jeta dhe veprimtaria e Xhafer Devës në mërgim
– Kosova në kohën e Shqipnisë etnike –
Xhafer Deva në dritën e letrave të veta
Memorie.al / Para kapitullimit të Italisë, kam qenë tri herë në Shqipni. Kosova ishte lirue por jo inkorporue me Shqipninë. Ministri i Tokave të Lirueme, ishte i ndjeri Ekrem Vlora. Ishim mysafir të Fuad Dibrës. Jam pâ me shumë “leader” të asaj kohe, si Mit’hat Frashëri (kryetar i ‘Ballit Kombëtar’), Mustafa Kruja (kryeministër) etj. Ndërsa të ashtuquajturit “italofil dhe fashist” përpiqeshin me sigurue ushqimet për popullin. Ballistët bënin politikën e Aleatëve, shpresat ishin që aleatët do të zbarkojnë në Shqipni, etj. Komunistet nën drejtimin e jugosllavëve ishin aktiv dhe kishin sigurue me anë të tyre përkrahjen e anglezëve.
Me kapitullimin e Italisē, gjendja në Shqipni pësoi nji ndryshim me shumë randsi. Gjermanët ishin në dijeni që Italia do të kapitullonte. Kishin marrë masa të duhuna. Brenda orëve, Shqipnia u pushtue. Ishin dy divizione gjermane dhe jo italiane. Mirëpo dikushi, ishte interesue me bâ nji marrëveshje me gjermanët në Beograd. Nji marrëveshje që parashifte inkuadrimin e krejt Kosovës me Shqipninë, mosndërhyrjen e gjermanëve në çështjet e brendshme të Shqipnisë, neutralitetin e Shqipnisë dhe sigurimin e monedhës shqiptare nëpërmjet të derdhjes së arit në Bankën Kombëtare në Tiranë, kushtet që dhanë mundësinë me bâ Asamblenë, me zgjedhë Këshillin e Naltë, Parlamentin dhe qeverinë, etj.
Mirëpo, ‘Balli Kombëtar’, i bindun që aleatët do të fitonin luftën (krejt bota e dinte që Gjermania e kishte humb luftën me hymjen e Amerikës në luftë kundër saj), mbajshin lidhje me misionet angleze, të cilët përkrahshin përfushe komunistët, (shif librin e Brigadierit anglez, ‘Trotzky’ Davies) dhe ndigjojshin BBC (British Bradcasting Company). Budallët e Kosovës (i referohet vetes, I.L.) kishin sjellë nji fuqi në Shqipni. Në saje të kësaj fuqie dhe me disa grupe nacionaliste, jo të ‘Ballit Kombëtar’, me përjashtim të rinisë së Tiranës, disi mundën me vu komunistët në defanzivë dhe me rivu qetësinë dhe sigurinë në Shqipni.
Në qershorin e vitit 1944, të prekun që kosovarët kishin marrë fuqinë e shtetit në dorë, kërkuen me marrë qeverinë në dorën e tyne. ‘Grupit të Kosovës’ nuk i mbeti tjetër, veç se me u tërhjekë në Kosovë. Mbas largimit tonë, qeveria i’u dha Fiqiri Dines. Si mësojmë prej librit të ministrit gjerman, Dr. Hermann Neubacher, hapi i parë i qeverisë së Fiqiri Dines, ishte me i paraqitë nji plan ministrit gjerman me furnizue mbrojtjen e Shqipnisë me 20 tanke, municion përkatës dhe armatim etj., i këshilluem prej misionit anglez në shtëpinë e Abaz Kupit në Krujë, gjâ që nuk ishte pranue prej gjermanëve, nën pretekstin e mungesës së personelit shqiptarë, të stërvitun për përdorimin e tankeve gjermane.
Me dështimin e kësaj kërkese, Fiqiri Dines nuk i mbetet tjetër vetëm me dhanë dorheqjen e Këshillit të Naltë. Mandati i ishte besue Ibrahim Biçakut, mbasi ky kishte besimin gjerman. Me ardhjen e Ibrahim Biçakut në krye të qeverisë, komunistët inkurajohen prej këtij ndryshimit, ringjallen dhe kaluen në ofenzivë. Mbrenda nji kohe të shkurtë, komunistët me shpejtësi marrin qytetet e Shqipnisë. Ibrahim Biçaku as që mundi me ikë. Kishte shpresë që ish-nënpunësi i tij, Enver Hoxha, do t’ia falte atij gjynahet. Ibrahim Biçaku e ka pasë nji fabrikë të cigareve dhe Enver Hoxha ka qenë shitësi i cigareve në degën e Tiranës.
Fati i tij ishte me i falë jetën, por me e mbajtë në burg. Kështu mbaroi Shqipnia e zezë, së bashkut me Ibrahim Biçakun. Mit’hat Frasheri, anglofili i madh, mundi me ikë me ndihmën e gjermanëve prej Shkodre në Itali, t’ue besue se atje do ta prisnin anglezët me lule. Atij dhe disa shokëve të tij, anglezët i dhanë nji çadër në baltë, në kampet italiane.”
Në një letër, Shllaku e pyet Xhafer Devën rreth Anton Harapit dhe tërheqjes së tij nga qeveria. Deva i përgjigjet më 26 dhjetor, 1973: “Nuk e dij burimin e informatave që keni mbi ngjarjet mbas kapitullimit të Italisë më 8 shtator 1943, posaçërisht mbi fatin e të ndjerit, pastë dritë, Patër Anton Harapit. Do të përpiqem me shpjegue kronologjikisht ngjarjet e asaj kohe. Kapitullimi i Italisë, dihej mirë prej gjermanëve. Levizjet ushtarake dhe diplomatike gjermane, ishin në vijim e sipër. Miku im, Dr. Hermann Neubacher, i ngarkuem i posaçëm i Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë për Juglindje, kishte mbërri në Beograd dhe me 4 Shtator, m’u dasht me fluturue në Beograd. Sekretari i tij më priti në aeroportin e Zemunit dhe arritëm në Dedinje, në zyrën e Shtabit të Ushtrisë Gjermane, “Juglindje”.
Mbasi që ma shpjegoi arsyen e takimit, u shtruen problemet për diskutim. Aty u përpilue nji program, t’ue përfshi edhe kushtet e qëndrimit gjerman ndaj nji qeverie shqiptare që duhej së shpejti të krijohej në Tiranë, me sigurimin nga ana gjermane, si: pamvarësia, neutraliteti, bashkimi i tokave shqiptare me Shqipninë e 1913-ës, anulimi i të gjitha ligjeve të imponueme gjate okupacionit italian; çâshtja monetare, d.m.th., mosnderhymja e ushtrisë gjermane në çashtjet e qeverisë shqiptare, etj. U parapa edhe krijimi i nji Kuvendi, që ma vonë u emnue Asamble.
Pa humbë kohë, unë u nisa për Mitrovicë dhe vazhdova rrugën për Prizren, (me automobil). Aty bâna nji mbledhje me qëllim me krijue organizatën e mbarë tokave shqiptare, me emnin Lidhja e Dytë e Prizrenit. Me 8 shtator, natën, mbrrina në Shkodër. Aty u mor vesh kapitullimi i Italisë. Vazhdova rrugën për Tiranë së bashkut me sekretarin e Dr. Neubacher, Dr. Stärker. Në Tiranë u bâ nji mbledhje e përbame prej 22 burrave, në krye me Ibrahim Biçakun (i biri i Aqif Pashës), në Bashkinë e Tiranës. Qeveria e Ekrem Libohovës ishte në fuqi, e pa asnji fuqi në dorë. Mbrenda dy ditëve prej kësaj mbledhjeje, doli nji Komitet Ekzekutiv, me detyrën: me pranue dorëheqjen e qeverise, fuqizimin dhe normalizimin e jetës administrative shtetnore, përgatitjen e nji Kuvendi Kushtetues Kombëtar, etj. etj. U emnuen ministrat për çdo dikaster. Unë isha ngarkue me detyrën e Ministrit tē Punëve të Mbrendshme.
Mbrenda nji kohe mjaftë të shkurtë, Asamblea u ba. Përfaqsuesit e Kosovës u zgjodhën me vota të lira në Kosovë. Në Shqipni nuk kishte asnji mundësi me ba zgjedhjet. Kështu delegatët, për çdo nënprefekturë, u emnuen prej nji komisioni të kryesuem nga Lef Nosi. Asamblea u ba dhe të gjitha pikat që u shënuan ma sipër u plotësuen. Kryetar i Asamblesë, duhej të bahej Idhomen Kosturi. Mjerisht, po atë ditë komunistët e vranë Idhomenin. Kështu, prej dy nënkryetarëve, z. Rexhep Krasniqi dhe Mark Gjomarkaj, z. Marku i lëshoi Rexhepit kryesinë.
Antarët e Këshillit të Regjencës u zgjodhen aty për aty, dhe me përjashtimin e ndjesë pastë Patër Antonit, të gjithë banë betimin. Patër Anton Harapi, nuk mund të bante betimin pa marrë pëlqimin e Papës. Kuvendi u transformue në Parlament dhe ditën e parë të hapjes së Parlamentit, edhe Patër Antoni e dha betimin. Nëpërmjet të Ambasadorit të Gjermanisë në Romë, pëlqimi i Papës mbrrini mjaftë shpejt.
Seanca e parë e Këshillit të Naltë, u ba dhe me këtë rast u vendos që Statuti i Lushnjes, të pranohet si Kushtetuesi i Shtetit Shqiptar. Simbas Statutit të Lushnjes, kryesia bahet me rotacion, pranue edhe prej Mehdi Beut, i cili u zgjodh si kryetar prej shokëve të tij.
Mirëpo, Patër Anton Harapi bani vërejtjen e tij, që ai nuk mund të nënshkruente nji denim me vdekje, gja që u pranue me kënaqsi prej Mehdi Frashërit. Fuad Dibra vdiq, nji prej antarëve të Këshillit të Naltë. Edhe kjo u miratue prej Mehdi Beut. Lef Nosi, si njeri i urtë e i mençëm, nuk kishte ambicje me u ba kryetar. Mirëpo, Mehdi Beu, jo vetëm që mbante kryesinë, por ndërhynte gjithnji në kompetencat e qeverisë. Patër Anton Harapit, nuk i pëlqente aspak sjellja e Mehdi Beut. Për respektin që kishim për Patrin, njikohësisht edhe miqësia me të, i dijshëm hallet e tij. Kështu nji ditë më telefonoj, dëshironte me u pâ veçmas me mue.
Me këtë rast më tha: “Xhafer, nuk mundem mâ! A mundesh me folë me Dr. Neubacherin, i cili ndodhej në Tiranë, që të fluturoj me te në Austri. Ju përgjegja: Pater, do të kujdesohem, dhe ashtu u bâ. Dr. Neubacher kishte nji aeroplan të posaçëm në dispozicion. Nji natë, ishte fundi i qershorit, Patri u nis me Neubacher dhe mbrrini në Beograd. Mbas disa ditëve, Patri ishte nisë për në Hall dhe në Schwac, në Austri. Në këto dy qytete të vegjël të Austrisë, Patri ka kalue disa vjet në rininë e tij. Patri e dinte edhe gjermanishten mirë.
Prap për fat të keq të tij, Patri as aty nuk ka qenë fort rahat. Sigurisht ka vuejt shpirtnisht. Pa pritë e pa kujtue, nji ditë ishëm në Prizren, kur Patri erdhi në zyrën time. (na, d.m.th., ‘Grupi i Kosovës’ në qeveri, kishim dhanë dorëheqjen dhe ishëm tërhjekë në Prizren). Kërkoi ndihmë për me ja sigurue udhëtimin në Shkodër. U nis me një automobil timin.
Dr. Neubacher, në librin e tij (Sonder-Auftrag SüdOst) përmend fluturimin e Patër Anton Harapit, qëndrimin e tij në shtëpinë e tij ne Beograd dhe kthimin prap në Prizren. Në fund, thotë:
“Patri, mbas disa javëve u kthye në Shqipni, ku vdekja e priste atë. Asnji revolucion nuk mund ta shuej dritën e këtij njeriu. Drita e amshueme, të cilës i ka shërbye, do të zdritë mbi te përherë!”
Kështu i dashtun zotni Shllaku, qëndron e vërteta tepër e idhët dhe jo si komentojnë gojët e prishuna.
Po e mbylli sot me kaq. Gjatë betimit të Tij në Parlament, Patri ka folë këto fjalë, t’ue ju drejtue oficerave të ushtrisë shqiptare:
“Ku jeni o oficera, burra që mbani spaletat? A nuk e dini që spaletat e jueja janë arkivolet e jueja? Tashti asht koha”!
* * *
Në një dosje të tij, ndodhen dy letra të miat ku shihet se i kam bërë presion të shkruante rreth 4 Shkurtit dhe Regjimentit “Kosova”. Më bënte përshtypje heshtja e tij ndaj akuzave rreth masakrës së 4 shkurtit dhe gjoja rreth krimeve që kishte bërë ai. Xhafer Deva heshtte dhe në qetësinë më të madhe shihej se nuk i’u jepte asnjë rëndësi akuzave në fjalë. Vazhdimisht thonte: “Rexhepi i dinë të gjitha, ato janë shpifje, na nuk duhet të mirremi me gënjeshtrat e komunisëve”. Në një letër dërguar Krasniqit, (8.12.1971) Xhafer Deva shkruan:
“Idrizi ngul kambë se këto nuk janë ma shpifje por akuza. Ai nuk po e bân dallimin midis shpifjes dhe akuzës dhe asht i mendimit, se heshtja ime përforcon akuzën. Ai thotë: Ju duhet patjetër të jepni versionin tuej dhe të shpjegoni rrethanat e ngjarjeve për të cilat akuzoheni, të pakten aq sa dini dhe aq sa mbani mend’. Idrizi i shkretë, nuk i dinë intrigat që janë thurë kundër nesh, nga të dy palët, nacionalistët dhe komunistët! Ai nuk dinë se unë jam akuzue edhe për vrasjen e atyne dy ballistave, nuk më kujtohen emnat e tyne, kur tanë Shqipnia e dinte se ata u grabitën prej djemve të Babë Myslimit dhe u ekzekutuen prej tyne, ose të atyne tjerëve që i pushkatuen gjermanet, kur unë nuk isha hiç në Tiranë. Idrizi nuk dinë shumë gjana të asaj kohe…, etj.”.
Unë nuk arrita ta bindë Devën të shkruante më tepër, megjithëse dy-tre herë përmendë në letrat e tij: “Nji ditë do të ulemi bashkë dhe do të shtrojmë muhabetin për këto çashtje.”
DR REXHEP KRASNIQI SHKRUAN PËR 4 SHKURTIN
Mbas vdekjes së Xhafer Devës, me insistimin tim, Dr. Rexhep Krasniqi shkroi diçka për 4 Shkurtin, në librin që përgatitëm për Devën:
Fushatë e tërbuar kundër Kosovës
Menjëherë pas prishjes së marrëveshjes së Mukajt, gusht 1943, partia komuniste e Shqipërisë, sigurisht me shtyrjen e organizatorëve të saj jugosllav, fillon një fushatë të ashpër propagandistike dhe të vëllavrasjes, sidomos kundër anëtarëve të ‘Ballit Kombëtar’. Njëkohësisht, komunistët organizojnë një fushatë të gjerë, pëshpëritjesh dhe të shtypit të tyre kundër Kosovës dhe kosovarëve, me qëllim të kalkuluar, për të diskretituar idenë e Shqipërisë etnike, me të cilën ‘Balli Kombëtar’ kishte fituar një plus në popull.
Fushata në fjalë arriti një kreshçendo pas formimit të qeverisë se re dhe humbjeve luftarake e propagandistike që pësoi lëvizja bolshevike në Shqipëri, humbje në të cilat personalitetet politike e intelektuale kosovare, ashtu si dhe Regjimenti “Kosova”, kishin luajt rol me rëndësi të dukshme. U vunë në qarkullim gjithfarë shpifjesh të ndyra, si bie fjala se kosovarët janë një masë injorante, që kishin për të rrezikue ekuilibrin e përbërjes së popullsisë shtetërore shqiptare, se ata janë katila, vrasin rininë tonë të pafajshme, ç’nderojnë vajzat tona, plaçkisin tregtarët dhe fshatarët”, e njëmijë të zeza të tjera.
Në lidhje me sa u thâ më sipër, këtu shenojmë një ngjarje të shëmtuar që ndodhi në Tiranë, në fillim të vitit 1944, e që është perdorë prej propagandës komuniste për të përhapur shpifje të tilla kundër kosovarëve. Dy oficera të sigurimit publik, që nuk ishin kosovarë, kishin shpërdorë detyrën, duke nxjerrë nga burgu dhe ç’nderuar dy partizane komuniste. Mbrenda orësh, me urdhërin personal të Ministrit Xhafer Deva, pas hetimeve të rastit nga një gjyq ushtarak, oficerët në fjalë, janë dënuar me vdekje dhe janë ekzekutuar të nesërmen në mëngjes, në parkun e Sheshit të sotëm “Skenderbej”. Banorët e atëhershëm të Tiranës, janë dëshmitarë për ngjarjen në fjalë, emrat dhe vendet e prejardhjes së tyre.
Edhe për aksionin e spastrimit që u krye me 4 shkurt 1944, kundër partizanëve komunist që përditë terrorizonin banorët e Tiranës e të krahinave të tjera me atentate brutale, me aksione plaçkitjesh të magazinave tregtare dhe të depove me ushqime e mallra të shtetit. Propaganda komuniste, vjet përvjet mbushë botën me ulurimë dhe akuza hipokrite kundër kosovarëve dhe sidomos kundër Xhafer Devës.
Doemos se aksioni në fjalë është kryer me pëlqimin e Ministrisë së Mbrendshme, që kryesohej prej Xhafer Devës, por e vërteta është se Regjimenti “Kosova”, atë natë ka kryer vetëm detyrën e rojes së zakonshme në qytet dhe nuk ka marrë pjesë në aksionet që ju kushtoj jetën disa komunistëve dhe terroristëve të njohur të tyre.
Aksionet në fjalë, gjithkush e dinë, në realitet janë kryer prej një grupi luftarësh që nuk ishin në shërbim të qeverisë dhe kryesoheshin prej z. Xhelal Staravecka, ish-oficer shqiptar që ka qenë ndër udhëheqësit më aktiv të partizanëve komunist, në një shkallë me shokët Mehmet-Enver, siç e vërteton edhe Dushan Mugosha, njëri prej organizatorëve jugosllav pranë Partisë Komuniste, në kujtimet e veta me titull: “Kur kam qenë në Shqipëri”. Në Shtator të vitit 1943, pas kapitullimit të Italisë fashiste, Staravecka, një njeri me ambicje patologjike, për arsye që vetëm mund të spekulohen, kaloi në anën e qeverisë së re të Tiranës.
Në kalimin e vet, ndoshta për të shpjeguar shkaqet që e shtynë të largohet nga lëvizja komuniste, ai botoi nje seri pamfletesh, në të cilat zbulonte metodat brutale dhe aktet e torturave të tmerrshme të partizanëvet komunist, kundër ushtarakëve italiane të zënë rob dhe të rinjëve shqiptarë që ishin rekrutuar me forcë nga partia.” (Xh. Deva – Jeta dhe Veprimtaria, N.Y. 1980, fq. 85-86).
Krasniqi vazhdon në shkrimin e tij rreth efektit të thellë psikologjik të propagandës komuniste kundër kosovarëve në një pjesë të rinisë dhe popullsisë shqiptare në Shqipëri. Ai akuzon qeverinë komuniste të Tiranës edhe për masakrën e Tivarit. Simbas Krasniqit, afër 2000 kosovarë kalojnë duarlidhur nëpër territorin e Shqipërisë (Kukës-Shkodër), duke u pështyrë e thirrë me sharje “tradhtarë të poshtër”, dhe më në fund ekzekutohen nga forcat serbo-malazeze në Tivar. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016