Dashnor Kaloçi
Pjesa e shtatë
Memorie.al publikon disa dokumenta arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (Fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), ku ndodhet një dosje voluminoze me siglën “Tepër Sekret” e cila i përket vitit 1982, ku Grupi i Instruktorëve të Ushtrisë pranë aparatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, Dega e Sigurimit të Ushtrisë, zv/ministri i Punëve të Brendshme Zylyftar Ramizi dhe ministri Hekuran Isai, informojnë Komitetin Qendror dhe personalisht Ramiz Alinë, apo sekretarin e Komitetit Qendror, Simon Stefani (që mbulonte organet e Diktaturës së Proletariatit, pas vdekjes së Hysni Kapos), lidhur me: “veprimtari të ndryshme armiqësore dhe spiunazhi” si dhe ngjarje të jashtëzakonshme të ndodhura gjatë atij viti në disa rrethe të vendit, kryesisht ato që ishin nën vartësinë e Degëve të Punëve të Brendshme të Shkodrës, Lezhës, Durrësit, Vlorës, Gjirokastrës, Sarandës, Pogradecit, Kolonjës etj.
Të gjitha dokumentet e plota me raport-informacionet e përpiluara nga ministri i Punëve të Brendshme, Hekuran Isai, dërguar Komitetit Qendror dhe personalisht Ramiz Alisë e Simon Stefanit, duke filluar nga: Dokumenti me informacionin për ngjarjen e Shkodrës, ku nënoficeri i Regjimentit të Artilerisë Kundërajrore, Hasan Sulejman Hyseni, pasi qëlloi katër herë me pistoletë ndaj komandantit të Prapavijës, oficer Hilmi Gavoçit, u nis në drejtim të fshatit Zogaj, ku i veshur si çoban me dele, kaloi klonin, por mbeti i vrarë në përpjekje me forcat e Kufirit, pasi më parë kishte plagosur nënoficerin e Kufirit, Misto Osmani.
Dokumenti me raport-informacionin e Degës së Sigurimit të Ushtrisë, për muajin tetor 1982, ku 37 persona, (oficerë, nënoficerë, ushtarë dhe punonjës civilë), “implikohen në ngjarjet armiqësore dhe veprimtari spiunazhi”, etj., si: ish-Komandanti i Korpusit të Shkodrës, Tefik Ruçi me detyrën e Komandantit të Forcave Vullnetare të rrethit, i akuzuar si “agjent i UDB-së”, oficer Nasi Bakuli, efektiv i Grupimit të 8-të të Elbasanit, për “agjitacion e propagandë”, etj., oficer Sami Sokoli, pedagog i Shkollës së Aviacionit në Vlorë, ndiqet në përpunim aktiv 2/A, për “veprimtari spiunazhi”, etj., Xhelal Stojku, me origjinë nga Dibra dhe banues në Tiranë, punonjës në Ndërmarrjen e Riparimeve të Ushtrisë, akuzohet se: “është tallur me fjalimet e udhëheqësit kryesorë të Partisë”, “oficeri Beqir Xhaxho, efektiv i Shkollës së Lirë, Demës – Fier…,thotë se këta e vranë vetë Mehmet Shehun dhe e trajtojnë popullin si bagëti, oficer Petro Mile, në Brigadën e Këmbësorisë në Himarë, “ka humbur një dokument sekret me planëzimin e shërbimit të Kufirit”, oficer Riza Cara, i Shkollë së Lirë Ushtarake në Melan të Peshkopisë, “ka humbur Buletinin nr. 1 të Komitetit Qendror të PPSH-së”, oficer Petrit Jarnexhi, ish-sekretar i organizatës bazë të Partisë së Shkollës “Skënderbej”, “mbante të fshehura materialet e armikut Mehmet Shehu”, oficer Spiro Adhami, Komandanti i Akademisë Ushtarake, “mbante në kasafortë dokumente të armikut Kadri Hazbiu”, etj.
Dokumenti me raport-informacionin ku për periudhën janar-nëntor 1982, forcat e Kufirit të Degës së Punëve të Brendshme të Durrësit dhe Sarandës, kanë kapur 16 mjete detare të huaja me 49 persona në bord, (italianë, grekë, australianë, gjermano-perëndimore, etj.), që ishin futur në ujërat tona territoriale, “gjoja për shëtitje turistike”, vrasja nga forcat e kufirit të dy shtetasve italianë afër pikës ushtarake të Kakomesë dhe Gjirin e Karaburunit, për: “shkelje të kufirit, veprimtari spiunazhi, kontrabandë”, etj., kapja e një numri të madh shkelësish brenda territorit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, “pas zbulimit të veprimtarisë armiqësore të Mehmet Shehut, Kadri Hazbiut, Feçor Shehut, etj., me qëllim zbarkimi siç ndodhi me bandën Xhevdet Mustafa”, etj.,
Raport-informacioni për katër sportistët: Ali Kastrati, Arjan Bimo, Halim Durimi dhe Petro Ruci, të cilët i përkasin ekipeve të futbollit: “Partizani”-, “Shkëndija”, “17 Nëntori”, dhe “Flamurtari”-, ku gjatë aktiviteteve sportive të zhvilluara jashtë shtetit, “kanë marrë me vete sasi të mëdha valute, duke blerë mallra të ndryshme dhe gjatë kthimit, janë kapur nga organet tona doganore, i pasi i kanë futur ato kontrabandë”, etj.
Raport-informacioni për ngjarjen e jashtëzakonshme të ndodhur në mesin e muajt tetor të vitit 1982, kur në afërsi të Bazës së Ushtarake të Pashalimanit, “u diktua një nëndetëse e huaj dhe megjithëse Flota Luftarake Detare, mori urdhër ta detyronte atë ta dilte në sipërfaqe dhe më pas ta qëllonte, ajo nuk e kreu këtë detyrë luftarake, për shkak të…”!
Raport-informacioni për oficerin Nasi Bakuli me origjinë nga fshatrat e Gjirokastrës dhe me detyrën e komandantit të Grupit 155 m/m. në Peqin, efektiv i Brigadës së 3-të të Artilerisë në Elbasan i cili “zhvillon agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor dhe flet me fjalë fyese kundër fëmijëve të udhëheqjes…”, etj.
Raport-informacioni për “veprimin e lëshimit të 70 km. sipërfaqe ujore palës jugosllave në afërsi të Lumit Buna, nga ana e Mehmet Shehut, Kadri Hazbiut dhe Nesti Nases, gjë e cila erdhi pas kontakteve të vazhdueshme disa vjeçare ndërmjet komisioneve përkatëse, lidhur me ngjarjen e vitit 1975, kur një anije jugosllave qëlloi anijen tonë “Ismal Mustafa” dhe vrau kapitenin Fran Ivanaj”, etj.
Fondi: KOMITETIT QENDROR TË PARTISË PUNËS SHQIPËRISË
(GRUPI I INSTRUKTORËVE TË USHTRISË)
Titulli dhe përmbajtja
INFORMACIONE TË MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME, DREJTUAR KOMITETIT QENDROR TË PARTISË SË PUNËS SË SHQIPËRISË DHE GRUPIT TË INSTRUKTORËVE TË KOMITETIT QENDROR,PËR VEPRIMTARI ARMIQËSORE DHE NGJARJE TË JASHTËZAKONSHME
Raport-informacioni i sekretarit të Komitetit të Partisë së repartit Ushtarak 5660 në Tropojë, Gani Hoxha, dërguar sekretarit të Komitetit Qendror të PPSh-së, Ramiz Alia, lidhur me bisedën e bërë nga shefi i Xhenjos të atij reparti, oficer Zenel Koka, me shefin e Kuadrit, Rustem Brahja, për problemin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm
PARTIA E PUNËS SË SHQIPËRISË
KOMITETI I PARTISË REP. 5650
Nr. 277
Lënda: “Informacion për një koment të mprehtë politik”.
KOMITETIT QENDROR TË PPSH
SHOKUT RAMIZ ALIA
TIRANË
Në datën 14 gusht të vitit 1982, nga Dega e Sigurimit të Korpusit u informuam se oficer Zenel Koka, anëtar Partie, dhe shef i Xhenjos në Rep. 25 të Tropojës e ka pyetur shefin e kuadrit të kësaj brigade, shokun Rustem Brahaj se: “A ka ndonjë urdhër që të hiqen nga përdorimi dokumentet me firmën e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, se ai është ftohur”, duke bërë aluzion sikur ai është shkarkuar nga detyra.
Shefi i Kuadrit, i është përgjigjur se: “Unë nuk di gjë për këtë problem, se po të ishte e vërtetë, Partia, do na kishte vënë në dijeni. Ti, mos u merr me këto fjalë”! Pa dekonspiruar format e punës së Sigurimit, me datën 15 gusht, ne e thirrëm oficer Zenel Kokën, dhe midis çështjeve të tjera të Xhenios, ne e pyetëm dhe biseduam lidhur me këtë thënie, por ai nuk pranoi të ketë bërë fjalë me njeri. Kundërshtimi i tij, nuk ishte kategorik e i vendosur, prandaj që në fillim ne krijuam bindjen se ai mund të ketë biseduar për këtë çështje.
Për këtë, insistuam me kujdes që ai të na fliste hapur e pa ndrojtje, por ai nuk pranoi gjë. Megjithëse ne, i tërhoqëm vëmendjen që të mendohej mire, e po të ketë biseduar me njeri, të na e thotë më vonë. E porositëm që të bëjë kujdes me këto çështje, dhe për sa biseduam, të mos flasi me njeri. Zeneli, është nga Tropoja dhe ka dalë oficer në vitin 1975, ndërsa anëtar Partie, është pranuar në vitin 1981.
Në tërësi ai, është kuadër punëtor dhe me aftësi të mira teknike e organizative. Është kritikuar për komprometim me vartësit, të liberalizmit për kërkesën e llogarisë, dhe të pakujdesisë për administrimin e materialeve xheniere. Ai, njihet si kuadër që nuk merret me thashetheme. Për ta saktësuar më mirë këtë të dhënë, kemi dërguar Shefin e Sigurimit të Korpusit, që ta marrë vetë në takim burimin e kësaj të dhëne. Ne njësitë e tjera nuk kemi të dhëna për këtë problem.
SEKRETARI I KOMITETIT TË PARTISË SË REP. 5650
GANI HOXHA
PARTIA E PUNËS SË SHQIPËRISË KOMITETIT QENDROR
Nr. 5274
Lënda: “Mbi disa probleme të shërbimit kufitar bregdetar”.
MINISTRISË SË MBROJTJES POPULLORE
(SHOKUT VELI LLAKAJ)
TIRANË
Komiteti i Partisë së Korpusit 4 në Tiranë, dha informacionin që i ka dërguar Komitetit Qendror të PPSH në Tiranë, lidhur me shkeljen e kufirit në rajonin e Gotullës (Hamallaj) në Durrës dhe veç të tjerave, ngre problemin e organizimit të shërbimit të Kufirit që duhet studiuar nga ana juaj.
Ndër të tjera theksohet se: ushtarët e shërbimit kufitar, kryejnë 8 orë shërbim pa ndërprerje, natën si patrullë, një ngarkesë kjo e lodhshme pasi ditën, ata kryejnë dhe detyra të tjera, përgatitje për shërbim dhe 3 orë stërvitje.
Kjo ngarkesë, nuk mund të përballohet nga nënrepartet e caktuara për shërbim kufiri. Gjithashtu peshkimi buzë ujit nga ndërmarrjet dhe grupet e peshkimit në bregdet, si dhe frekuentimi i madh i plazheve, krijon premisa për cënimin e shërbimit të kufirit. Në dëm të kësaj cilësie, ndikojnë dhe mjetet optike që nuk sigurojnë largësi të madhe vrojtimi, si dhe mungesa e kuadrit në detyrën e instruktorit të Kufirit. Ka mendime që edhe sasia e temave, të programuara në interes të këtij shërbimi, është e pamjaftueshme. Lidhur sa më sipër, të studiohen këto probleme nga ana juaj dhe të informohet Komanda e Korpusit të 4.
ME POROSI TË SEKRETARIT TË KQ TË PARTISË
RAMIZ ALIA
GAFUR ÇUÇI
Raport-informacioni i hartuar nga Skënder Doçi, instruktor i grupit të ushtarakëve pranë aparatit të Komitetit Qendror të PPSh-së, dërguar Gafur Çuçit, lidhur me disa probleme të kufirit detar
I F O R M A C I O N
SHOKUT GAFUR ÇUÇI
Më 15 dhjetor të vitit 1975, një anije jugosllave, vrau në ujërat tona, kapitenin e anijes “Islam Muftafa” Fran Ivanaj. Drejtoria e Kufirit të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Komanda e Flotës Luftarake Detare, filluan t’i bënin analizë ngjarjes dhe doli se: kufiri detar, me rrjedhën e lumit Buna, nuk përputheshin.
Ministria e Mbrojtjes, e kishte përcaktuar dhe vënë kufirin në këtë rajon, duke u bazuar në konventën ndërkombëtare, ndërsa Ministria e Brendshme, e kishte vënë kufirin në bazë të marrëveshjes së bërë në vitin 1925 (dokumenti ndodhet në Ministrinë e Punëve të Brendshme, në Drejtorinë e Kufirit) dhe të Protokollit të vitit 1967, firmosur nga Komisioni i Kufirit shqiptar (ka firmosur Llambi Premti) dhe atij jugosllav, ratifikuar nga Kryeministri, Mehmet Shehu.
Ky Protokoll i vitit 1967, është një tërheqje nga Protokolli i Firences të vitit 1926, në të cilin, nuk përcaktohet gjerësia e ujërave territoriale midis dy vendeve në këtë zonë. Kjo situatë, ju bë prezentë Mehmet Shehut, nga Komanda e Flotës verbalisht, duke i shfaqur shqetësimin se; ky veprim nga komisioni dhe ratifikimi nga qeveria, është një lëshim që j’u bëhet jugosllavëve, duke j’u dhënë atyre pa të drejtë, një sipërfaqeje ujore 40 mije miljesh, ekuivalente me 75 km. katror dhe si rezultat i këtij Protokolli, kufiri detar i joni në perëndim të Kepit të Rodonit, ngushtohet me 10 milje.
Në mbledhjen e Kuvendit Popullor, ku do të diskutohej, zgjatje e kufirit të ujërave tona nga 12, në 15 milje, Mehmet Shehu, porositi Kadri Hazbiun, që të takohet me mua dhe t’i jap shpjegime për kufirin detar.
Mbas kësaj, Mehmet Shehu jep detyrë që të raportohet për këto gjëra dhe organizon një mbledhje të shpejtë, në datë 22.2.1976, ku merrnin pjesë: Nesti Nase, Kadri Hazbiu, Telo Mezini, Nazar Berberi, Avni Buxheli, si dhe disa drejtorë dhe specialistë të Ministrisë së Jashtme, të Brendshme, të Mbrojtjes, dhe Presidiumit.
Mbasi j’u raportua dhe ju argumentua nga neve (foli Shefqet Pinari), se këtu ka shkelje të rënda, që janë në kundërshtim me rregullat ndërkombëtare dhe ligjet tona, Mehmet Shehu, bëri sikur u revoltua dhe i’u bërtiti atyre të Ministrisë së Brendshme e të Jashtme, dhe i’u vuri si detyrë, që të shfrytëzohen konjekturat dhe të vendoset kufiri në bazë të rregullave ndërkombëtare.
Në mbledhjen e Komisionit të Kufirit shqiptaro-jugosllav, pala shqiptare i’a paraqiti palës jugosllave këtë çështje, për ta shqyrtuar por ata, j’u përgjigjën se; ne nuk jemi kompetentë dhe të autorizuar për këtë problem. Nëse qeveria juaj do ta rishikojë këtë problem, t’i thotë qeverisë jugosllave.
Kaq mbeti dhe kjo çështje. Ne atëherë menduam se gabimi për lëshimin e sipërfaqeje ujore, në rrjedhën e lumit Buna, ishte bërë sepse Komisioni i Kufirit, e kishte nënshkruar këtë protokoll në vitin 1967, nuk i njihte mirë rregullat dhe ligjet ndërkombëtare.
Tani duke e parë këtë çështje me kujdes dhe duke e lidhur me veprimtarinë armiqësore të Mehmet Shehut, Kadri Hazbiut, Nesti Nases, etj., krijojmë bindje se ky lëshim, pra dhënia e 75 km. katror sipërfaqe ujore jugosllavëve, përbën tradhti të lartë kombëtare dhe ata, duhet të japin llogari.
Ky informacion u përgatit nga Shefqet Pinari, Skënder Doçi, Skënder Kapllani, të cilët kanë qenë prezentë në këto diskutime. Memorie.al
ME RESPEKT
SKËNDER DOÇI
TIRANË, MË 17.10.1982
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016