Memorie.al/ Sven Anders Gustav Aurén,lindi në Himmelstalund në Norrkëping (Norrköping) në vitin 1906 dhe vdiq në Paris më 1985-ën. Njihet edhe me pseudonimin ‘Griggs’.
Shtatëvjeçaren e kreu në vendlindje, kurse të mesmen dhe Juridikun, në Stokholm. Në vitin 1931 shkon në Tours, Francë, për të mësuar gjuhën dhe atje, filloi të shkruaj për tema të ndryshme, nëpër gazeta e revista suedeze.
Gjatë 10 vjetëve të para si korrespondent, punoi për: Radion suedeze, Gazeta e darkës (Mbrëmjes) (‘Aftonbladet’), Gazeta e re e darkës (Mbrëmjes) (‘Nya Aftonbladet’), Gazeta Re Ditore e Përgjithshme, (‘Nya Dagligt Allehanda’) dhe Gazeta Ditore Suedeze (‘Svenska Dagbladet’). Punoi vullnetar (pa rrogë) në ‘Aftonbladet’ 8 muaj në vitin 1931-32, në kohën e depresionit ekonomik botëror. Gjatë udhëtimit me automobil për në Stamboll, i la shumë mbresa Ballkani dhe atëherë, vendosi që muajin e mjaltit, ta kalojë në Shqipëri.
Gjatë Luftës punoi si korrespondent, kudo në vendet e pa dhe të okupuara. Nga fillimi i bombardimeve të Londrës, punoi në Angli ku takoi, shumë burra shtetesh, që kish intervistuar para okupimit nazist, në shtetet përkatëse.
Sven Aurén, si korrespondent jashtë Suedisë, jo vetëm ka shkruar mbi shumicën e ngjarjeve politike në Evropë gjatë viteve 1930 –1940, por edhe i ka përjetuar ato.
Kujtimet e tij janë përjetime të jashtëzakonshme të bashkëkohësisë, ku në një mënyrë evidente dhe të çuditshme, ka përjetuar përzierjet midis qetësisë dhe kërcënimit, në vitet e paraluftës.
Pas viteve të para si vullnetar në ‘Gazetën e Darkës’ (‘Mbrëmjes’) (‘Aftonbladet’) – ku bëri një udhëtim fantastik me automobil Stokholm-Stamboll, dëshmitar i takimit midis Qemal Ataturkut dhe Reza Khanit të Persisë. Sveni u bë raportues, fluturues dhe pati shansin unik, personalisht, të intervistoj Hitlerin.
Pastaj pasuan njëra pas tjetrës detyrat e politikës së madhe, nga viti 1936 për ‘Gazetën e Re të Përgjithshme të Ditës’ (‘Nya Dagligt Allehanda’): intervistë me Presidentin e Çekosllovakisë, Eduart Benes, të Austrisë, Dollfus (që e vranë nazistët në zyrë shën. A. Biçaku) dhe Schuschning (Shushning), reportazh nga “Anshlus” (‘Anschluss’) (“Bashkimi” shën. A. Biçaku), hyrja e nazistëve në Vjenë dhe “ndjekjen e Luftës Botërore”, me udhëtime të shpejta, në kufirin Poloni dhe Lituani, në shtator 1939, përsëri Berlin, nëpërmjet Belgjikës në Paris, gjatë zjarrit të luftës, në Finlandë në vitin e Ri 1940. Më 9 prill, shkon në Norvegji, ku takon familjen Mbretërore në arratisje. Atëherë i emëruari, gjenerali Vidkud Quisling, bëhet përfaqësues i nazistëve dhe kryetar shtetit të Norvegjisë (shën: A. Biçaku).
Kur forcat gjermane ishin në kulmin e fuqisë, Sven Auréni u ftua për një udhëtim shtypi, Berlin – Paris – Berlin, ku i treguan zonat e pushtuara; dhe udhëtimi përfundoi, me një takim me vetë Gëbelsin. Dhe më në përfundim, Auréni, arriti të futet në Londër në fund të vitit 1941, një nga qytetet e shkatërruara nga rrufeja (‘blitzen’ e forcave ajrore gjermane shën: A. Biçaku), por që megjithatë ishte plot me shpresa.
Sven Aurén ka vizituar bunkerin ku Hitleri piu cianidin, e pastaj, me një plumb revolveri i ra vetes në ballë dhe ku Eva Braun u helmu. Sven Aurén, ka një aftësi të veçantë, të bëj që të përjetosh ngjarje dhe ambiente, që shumë lexuesve u duket sikur e njohin veten aty, dhe të tjerët që nuk i kanë përjetuar vitet 1930-1940, do të formojnë një përjetim mahnitës, në këtë epokë historike, të pa perceptueshme dhe të çuditshme. Sveni qëndroi në Londër si gazetar dhe radio-reporter, deri në vitin 1945.
Prej 1945-ës dhe deri kur vdiq në vitin 1985, jetoi në Paris, si gazetar i gazetës konservative “Svenska Dagbladet”, radio reporter dhe shkrimtar i 55 veprave.
KËTO JANË VEPRAT E JURISTIT, GAZETARIT DHE SHKRIMTARIT TË NJOHUR SUEDEZ SVEN AURÉN në suedisht.
Librat nga nr. 45, janë gjet në biblioteka të tjera në Suedi dhe prandaj nuk koinçidon radhitja kronologjike e ishte e vështirë t’i radhisja.
Përkthyesi Adil Biçaku
Kush është Adil Biçaku?
Adil Biçaku, ka lindur në fshatin Qarrishtë të Elbasanit më 1938-ën. Atje kreu shkollën fillore. Shtatëvjeçaren, “Naim Frashëri” (1951-‘53) dhe Pedagogjiken “Luigj Gurakuqi” (1954-‘58) i kreu në Elbasan. “Falënderime dhe të paharruar sa të rroj xhaxhait tim Veliut, që më çoi në shkollë po ashtu edhe miqve të familjes, Kasem dhe Ryzhdi Daja (gjithë kohën) si dhe Et’hem Arapit (një vit) që më strehuan në shtëpi”, shprehet z. Biçaku, për ata që e ndihmuan të shkollohej.
Pasi punoi pesë vjet si mësues në rrethin e Fierit (1958-1963), më 8 gusht të vitit 1963, (ditë e enjte), së bashku me kolegun, Mustafa Lleshanakun, niset për t’u arratisur dhe të shtunën më 10 gusht, mundën të kalojnë kufirin shtetëror dhe të dalin të gjallë në Maqedoni.
Pas 3 muajsh në burg në ish Jugosllavi, Adili me shokun e tij tentoi të arratiset për në Greqi, por pa sukses. Përjetoi tortura kur u kap në kufirin Bullgari-Greqi-Shqipëri.
Në fund të nëntorit 1963, mundi me kalu kufirin nga Gjevgjelia për në Greqi edhe pse u diktuan dhe u qëlluan, por nata i shpëtoi nga plumbat e automatikëve. Në fillim në Selenik, pastaj në Kostur, ma në fund në Kampin e Llavrios, i cili ka qenë kampi i O.K.B-s për vendet pas perdes së hekurt. Aty në atë kamp, kanë qëndruar gati 10 vjet, e gjithë paria shqiptare nacionaliste antikomuniste, që priste të zbarkonte në Shqipëri, për ta çliruar nga diktatura komuniste e Enver Hoxhës.
Më 24 korrik të vitit 1964, Adili shkoi në Suedi, ku vazhdon të jetojë edhe sot së bashku me familjen e tij. Ai është i martuar me Julitën (spanjolle) dhe kanë tre fëmijë: Nexhipin, Teutën dhe Ilirin.
Në fillim Adili ka punuar në një fabrikë, pastaj ka kryer Institutin Teknik të Stokholmit (STI) për Inxhinieri Elektroteknike dhe deri më 1977-ën, ka punuar në firmën telefonike “L. M. Ericsson”. Pas vitit 1977, ka pasur aktivitet privat. Paralelisht ka punuar ca vjet si mësues dhe si përkthyes, gjë të cilën vazhdon ta ushtrojë ende edhe sot. Po kështu, gjatë gjithë periudhës së qëndrimit në Suedi, është angazhuar edhe me aktivitet politik, për çështjen e Shqipërisë. Ka shkruar kundër diktaturës komuniste shqiptare gjatë gjithë kohës në mërgim.
Që më 22 maj të vitit 1968, Adili asht njohur me Mbretin e Shqiptarëve, Leka I-rë në Spanjë. Në 2 dhe 3 korrik të vitit 1972, ka marre pjese në mbledhjen e Madridit, të cilën e thirri Mbreti Leka I-rë dhe e ka dokumentuar atë mbledhje duke e regjistruar me kamera (në film) dhe me aparat fotografik.
Kjo pasi, ai ka qenë i emëruar nga Mbreti, si kameramani ekskluziv i dasmës mbretërore më 10 tetor 1975; kur M.T. Leka I-rë, u martua më Mbretëreshën e ardhme të Shqipërisë, Suzana.
Adili u kthye për herë të parë në Shqipëri, në shtator të vitit 1991 dhe shkoi në kampin e përqendrimit në Fierëz, të Dumresë, ku ende ndodheshin mbi dhjetë familjet e fisit tij.
Kur u bë e mundur në Shqipëri më 1998-ën, ka botuar dy libërtha: “AHMET ZOGU, jeta dhe puna e tij për Shqipërinë” dhe “Një popull që rënkon”(poezi dhe poemë).
Po ashtu që nga vitin 1991, ai ka shkruar shumë artikuj nëpër gazeta të ndryshme që dilnin në Shqipëri.
“Me librin “Europeisk Orient”, u njoh në vitin 1968. Me të ndierën Nanën Mbretneshë, Geraldina, patëm biseduar që të shkojnë në Paris, e të takojmë gazetarin, shkrimtarin e njohur Sven Aurén, por fati nuk e desh. Mbretit i’u desh të largohet nga Madridi në 1979”, shprehet z. Biçaku.
Prej asaj kohe, ai e ka pas ndërmend, që një ditë ta përkthente librin “Orient Evropian”, që ajo vepër të jetë një lëndë edukimi për brezat, që nuk e dinë ç’ka ka qenë shqiptari i vërtetë, para ardhjes së kolerës komuniste, e cila e denatyroi me dhunë atë.
Edhe pse kanë kaluar gati 60 vjet, që jeton jashtë vendit, në asnjë moment, nuk i ka shkëputur mendimet dhe ndjenjat nga Shqipëria. Z. Biçaku ndjen se ka pasur një barrë dhe borxh moral, kundrejt vendi tij, si në diktaturë ashtu edhe tani në këtë tranzicionin e pafund. Memorie.al
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016