Dashnor Kaloçi
Pjesa e dyzetë e gjashtë
Memorie.al publikon disa dokumente të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), ku ndodhet një dosje voluminoze me materiale arkivore të cilat mbajnë siglën ‘Tepër sekret’, të cilat i përkasin periudhës së viteve 1981-1982, me raporte, relacione, dëshmi, informacione, proçes-verbale të mbledhjeve të Byrosë Politike dhe sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, etj., duke filluar nga ajo që u mbajt për të shqyrtuar dhe analizuar autokritikën e ish-kryeministrit Mehmet Shehu në dhjetorin e vitit 1981, për shkak se kishte lejuar fejesën e djalit të tij, Skënderit, “me një vajzë e cila në rrethin e saj familjar kishte disa të arratisur politikë”, mbledhja maratonë e Byrosë Politike e pasdites së 17 dhjetorit të tij viti që vazhdoi deri në orët e vona të asaj nate, ku u shqyrtua ai problem me debatet dhe diskutimet e të gjithëve anëtarëve që “kryqëzuan” ish-kryeministrin Shehu, mbledhja e paradites së 18 dhjetorit, pas lajmit se kryeministri Mehmet Shehu kishte vrarë veten, mbledhja maratonë e Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së e datës 20 shtator të vitit 1982, me temë: “Analiza e gabimeve të rënda të Kadri Hazbiut, të kryera gjatë periudhës kur ai ishte zv/ministër dhe ministër i Punëve të Brendshme”, ku Enver Hoxha nisi fillimisht akuzat ndaj Kadri Hazbiut, duke e joshur atë si “besnik i Partisë”, (në mënyrë që ai “t’ja hapte zëmrën Partisë”, duke folur kundër ish-kryeministrit Mehmet Shehu), ku që në fillim të fjalës së tij, Enveri u shpreh: “Pas puçistëve në ushtri, zbuluam grupin tradhtar në ekonomi të Abdyl Këllezit, Koço Theodhosit dhe Kiço Ngjelës me shokë. Edhe këtë grup e zbuluam ne këtu, nuk e zbuloi Sigurimi i Shtetit. Po kështu mund të themi edhe për zbulimin e grupit të Fadil Paçramit, të Todi Lubonjës dhe të një sërë njerëzish të tjerë të lidhur pas tyre, si Ismail Kadareja me shokë, nuk e zbuloi Sigurimi, por ajo punë armiqësore u zbulua nga ana e Komitetit Qendror, etj.”! Të gjitha këto dhe të tjera dokumente me siglën ‘Tepër sekret’, do të publikohen në disa numra me radhë, ekskluzivisht nga Memorie.al
Dokumenti arkivor ‘Tepër sekret’ me proces-verbalin e mbledhjes së Byrosë Politike të datës 18 dhjetor të vitit 1981, e cila u zhvillua pa praninë e kryeministrit Mehmet Shehu, pasi disa orë më parë, ai ishte gjetur i vdekur në dhomën e tij të gjumit!
PARTIA E PUNËS E SHQIPËRISË Sekret
KOMITETI QENDROR
-Sektori i Përgjithshëm-
PROCES – VERBAL
I MBLEDHJES SË BYROSË POLITIKE TË KQ TË PPSH TË DATAVE
17 E 18 DHJETOR 1981
SEANCA E PESTË
SHOKU ENVER HOXHA: Me gabimin e fundit Mehmeti shkeli vijën e Partisë, duke e ditur se e shkelte. Ai e thotë vetë se në fillim u lëkund, por vendosi, se mendoi që ishte i imunizuar. Në qoftë se ka menduar me të vërtetë kështu, prapë ka menduar gabim nga mendjemadhësia, duke e përjashtuar veten nga normat e Partisë. Pse t’i lejohet atij të bënte një krushqi të tillë, kur e di se Partia dënon edhe një komunist të thjeshtë, në rast se ai vendos të martohet me vajzën e një kulaku? Pse kemi vënë ne në ushtri rregullin që çdo oficer, para se të martohet, duhet të pyesë e të marrë aprovimin nga organizata-bazë ose nga komanda e njësisë ku shërben? Por ai e përjashton veten se është udhëheqës i kalitur, i imunizuar!
Po ne të tjerët ç’jemi? A do t’i lejohet kjo çdonjërit nga ne, këtu të bënte krushqi të tilla? Sikur secili nga ne të gjykonte se mund të bëjë të tilla hapa, çdo të ngjiste? Jo, kjo nuk qëndron, është shumë e trashë! Kjo është një alibi që i’a thashë edhe mbrëmë dhe dihet që alibia është gënjeshtër. Kështu, edhe kjo që thotë ai është një gënjeshtër.
Gabimet që ka bërë Mehmeti dhe qëndrimet që mban në disa raste, tregojnë se nuk ka koncepte të drejta për udhëheqjen kolegjiale, nuk ka në çdo rast koncepte të drejta mbi luftën e klasave, nuk ka si duhet edhe konceptin e drejtë për unitetin në Parti dhe në udhëheqje.
Në biseda me Mehmetin, unë i kam folur hapët, por më duhet t’i ritheksoj përpara Byrosë Politike, atë që i’a kam thënë më parë edhe atij:
- Mehmeti mbivlerëson veten, mendimet e tij dhe këndej rrjedh shumë herë nënvlerësimi i mendimit të shokëve nga ana e tij.
- Ai dëshiron që mendimi i vet të imponohet, duke krijuar me shokët një situatë të vështirë ndrojtjeje, për të thënë mendimet e tyre dhe për të diskutuar si të barabartë me të, gjë që në parim Mehmeti e pranon, por në praktikë e harron. Ka mendime të tij që janë të drejta, me përjashtim të vërejtjeve të mia, ai i pret shokët me këmbët e para dhe krijon në ta një ndjenjë frike dhe inferioriteti. Shokët druhen të hapin gojën, të shfaqin një mendim, të bëjnë një propozim, pse në shumë raste, Mehmeti u përgjigjet ashpër, kritikat bien si breshër edhe kur nuk është rasti. Kjo krijon një ftohtësirë të pa shfaqur, por që ndihet.
- Ai është shumë impulsive, gjaknxehtë deri në arrogancë dhe mjaft diskutime për probleme të zakonshme, kur s’i vinë për shtat, i kthen në çështje parimore, deri në ofeza ndaj shokëve. I kam hequr mjaft herë vërejtjen për këto gjëra, është penduar (dhe këtë e ka pozitive), por kalon kohë dhe kjo dobësi përsëritet tek ai, gjë që nuk është korrekte.
- Mehmeti nuk ka atë ekuilibër në qëndrime që duhet të kenë komunistët. Shumë herë qëndrimet e tij janë të drejta, po ka raste që janë ekstremiste të majta, të ekzagjeruar, rigoroze, ose nganjëherë edhe liberal-oportuniste, të dënueshme, si rasti që kemi në diskutim. Kjo është një e metë e madhe tek ai, pse, në disa raste të caktuara, ato i bëjnë shumë keq Partisë.
- Si Mehmeti edhe Fiqreti, janë shumë “cachottier”, ose sekretë, të mbyllura, të fshehura në një karapasë familjare, me një mentalitet jo të hapët, jo të çlirët. Brenda në familje, që e mbajnë pothuaj të mbyllur edhe për të afërmit e tyre, janë liberal, janë sentimentalë për fëmijët e tyre, ndërsa jashtë janë shumë sektarë, hiqen “parimorë” deri në ashpërsi të dëmshme. Kjo bën të shohin qimen në sy të të tjerëve, por jo trarin në sytë e tyre. Veçanërisht Fiqreti mendimet e saj jashtë i ka “filandrëzë”, siç thotë francezi, domethënë të dredhura, që për veten e saj të duket se është kurdoherë parimore, rigoroze dhe pikërisht kjo psikozë e mbyllur, është një nga arsyet që e bëri Mehmetin të vrasë veten.
Fiqreti si komuniste dhe anëtare e Plenumit të Komitetit Qendror, nuk u tregua në lartësinë që duhej. Ajo jo vetëm nuk e pengoi Mehmetin të bënte këtë gabim, por gaboi vetë në këtë rast, si dhe në disa raste të tjera. Shokët e rinj duhet të dinë se në kohën e Luftës, është përjashtuar edhe Fiqreti nga Partia, pikërisht për akte terrorizmi. Fiqreti nuk e ka lojtur rolin si komuniste e nënë në familjen e saj. Siç na thonë shokë të ndryshëm të Partisë e të rrethit të saj, ajo është vënë në dijeni të qëndrimeve imorale të Skënderit, si dhe të disa sjelljeve të djalit tjetër, Bashkimit.
Fiqreti i ka nënvleftësuar këto dhe është përpjekur të mos i zgjidhë në rrugë partie. Ajo ndoshta edhe Mehmeti s’ia ka thënë këto në kohë, pa le pastaj Partisë. Fiqreti, edhe lidhur me gabimin e fundit, u përpoq të ulë përgjegjësinë e saj, duke mohuar me zë të mekur edhe faktet flagrante. Mehmeti nga ana e tij u përpoq të marrë përsipër edhe gabimet e Fiqretit, duke më përsëritur mua me forcë dhe duke qarë: “Unë, unë, e bëra këtë gabim”, ose kur thotë në autokritikë: “…aq u nxitova, sa që edhe me Fiqretin nuk e gjykova dhe nuk e shqyrtova gjerë e gjatë dhe nga të gjitha anët çështjen …”! Ajo është e mbyllur në odë mund të jetë ashtu, mund të mos jetë ashtu, të martojë tjetri djalin me një vajzë nga familje reaksionare dhe të mos bisedojë për këtë çështje me gruan, një gjë të tillë asnjeri s’e kupton, vetëm Mehmeti kërkon të na e servirë këtë ta hamë, duke na marrë edhe për naivë.
Këto ne nuk i themi tani, me që Mehmeti nuk është këtu, këto edhe mbrëmë i’a thamë, e ia kemi thënë vazhdimisht.
Si Mehmeti edhe Fiqreti e bënë këtë gabim të madh politik, prandaj duhet t’ia thoshin Partisë si gabimin, ashtu edhe psenë e tij. Me fjalë të tjera, menjëherë pas sinjalizimit të gabimit, të bënin të dy autokritikë jo vetëm përpara Enverit, por sidomos përpara organizmave udhëheqëse të Partisë. Mehmeti, në të kaluar, si nëpër këmbë, u’a tregoi këtë gabim të rëndë lehtë-lehtë me disa fjalë vetëm 2-3 shokëve të Byrosë Politike, duke menduar se me kaq do të mbyllej kjo çështje me shumë rëndësi. Fiqreti skish ndërmend të bënte autokritikë gjëkundi.
Pasi kishin kaluar shumë ditë, kur Simoni e porositi të shkonte në organizatën – bazë dhe atje të bënte autokritikë, ajo i tha: “Po shokët do të më pyesin: “E di Mehmeti këtë gjë”? Simoni i dha përgjigje të drejtë: “Ti nuk mund ta gënjesh Partinë, prandaj duhet t’u thuash: E di edhe Mehmeti dhe ai po ashtu ka gabuar si edhe unë në këtë çështje”. Duket qartë se autoriteti i Mehmetit dhe i saj, i preokuponte këta më shumë se sa autoriteti i Partisë, zbatimi i normave dhe mbrojtja e interesave të saj.
Mehmeti, në autokritikën e tij, nuk realizon çfarë dëmesh do t’i shkaktonte më tej Partisë, pot ë lejohej ky gabim nga ana e saj. Unë ia kam theksuar këto dëme e rreziqe në takimet që kemi bërë për këtë ndodhi, por po i them përsëri përpara Byrosë Politike, megjithëse ai nuk i ka vënë këto.
Partisë nuk i intereson shumë e ashtuquajtura traumë e Skënder Shehut ose e Mehmet Shehut, se sa trauma në Parti. Disa ngjarje shumë të vështira do të ndodhin: Ose Partia do të mbyllte sytë përpara një gabimi të madh politiko –ideologjik të një udhëheqësi kryesor, dhe kjo do të kishte pasoja të rënda, sepse kështu do të zbutej lufta e klasave, autoriteti i Partisë dhe i udhëheqjes do të binin poshtë. Mehmetit nuk i lejohet të mos i mendonte këto dhe ai nuk i mendoi deri në fund sa vrau veten. Këto gjëra ne tani do t’i hasim, por do t’i kapërcejmë.
Mehmetit ia kam thënë këto dhe po i’a them edhe para jush: Ti e do Partinë dhe ke luftuar për të. Kjo nuk diskutohet. Unë personalisht si shok e komunist, të kam dashur e të kam respektuar. Të njëjtën gjë ke bërë edhe ti ndaj meje. Unë kam vënë kurdoherë në dukje, në Parti dhe në publik, meritat e tua, por edhe të kam kritikuar haptazi, kuptohet në Parti, kur ke bërë gabime.
Në jetën e Partisë, shoku Mehmet ka bërë mjaft herë gabime, bile edhe të rënda. Ju të rinjtë nuk i dini këto, por do t’i mësoni. Cilat janë këto? Shkurtimisht na bie detyrë, me këtë rast, t’ia ri përmendim disa: Mehmeti nuk mungon të vërë në dukje vlerën e luftës së tij, të cilën askush s’ia mohon dhe askush s’duhet t’ia mohojë. Por qëndrimet e veprimet e tij gjatë luftës kanë edhe anë të dobëta, edhe gabime.
Mehmeti, në disa letra të tij dhe në qëndrimet që dimë, nuk e kishte aq të qartë vijën e Partisë për Frontin Nacionalçlirimtar. Ai shprehej me përbuzje dhe i ka shkruar një letër Dushan Mugoshës, me të cilën kritikon Shtabin e Përgjithshëm, duke quajtur “zabitë” oficerë, komunistë ose jo, ata që Partia i kishte afruar dhe u kishte dhënë reparte për t’i drejtuar. Kjo nuk do të thotë që komunisti nuk ka të drejtë të bëjë vërejtje, por në atë letër duken megalomania dhe karrierizmi i Mehmetit. Rëndësi kanë orientimi politik i Partisë dhe interesi i Luftës Nacionalçlirimtare në shfrytëzimin e kapaciteteve dhe të influencës së këtyre njerëzve, që në atë kohë dhe për atë kohë nuk ishin as nulitet, as kundër vijës së Partisë.
Për çlirimin e Tiranës, në çdo përvjetor, vihet në dukje vetëm roli i shokut Mehmet. Ai ishte komandant i forcave dhe i Shtabit Operativ që u caktuan për çlirimin e “Tiranës”. Por dihet që plani për çlirimin e Kryeqytetit, u përpunua nga Shtabi i Përgjithshëm (këto dokumente harrohen), u përpunua edhe nga Korpusi i Parë, ku ishte komisar Hysniu. As roli i Hysniut, që merrej me drejtimin e bashkërendimin e veprimeve ushtarake për çlirimin e Tiranës, as kontributi i Gogos, si drejtues i organizatës së Partisë për Tiranën dhe i deleguari i Komitetit Qendror, nuk zihen fare në gojë. Përse ky monopolizim? Për këtë kanë faj kryesisht shokët e propagandës, të shtypit dhe ata që shkruajnë artikuj e japin intervista. Pse duhet të ndërhyj unë për këto gjëra? Edhe vetë Mehmeti mund t’i vinte dhe duhet t’i vërë gjërat në vendin e tyre, si komunist dhe udhëheqës që është.
Gjatë kohës së Luftës, te Mehmeti janë shfaqur mendime dhe janë kryer veprime të dënueshme, anarkiste dhe terroriste. Ai ka vrarë në masë fshatarë dhe këto veprime e dëmtonin Luftën dhe nuk e ndihmonin. Mehmeti dhe shokë të tjerë kanë qenë vullnetarë në Luftën e Spanjës. Kjo është një meritë për të gjithë këta, por nuk është e drejtë që të ngrihen lart vetëm meritat e Mehmetit, kurse për të tjerët, që kanë luftuar edhe ata si ai, që kanë pasur edhe përgjegjësira më të larta, (se Mehmeti ka qenë vetëm vullnetar i thjeshtë dhe arriti të bëhej deri në përgjegjës toge dhe jo komandant batalioni, siç thoshte ai), gati nuk flitet fare.
Të kuptohemi, nuk është Mehmeti që ka penguar njeri të flasë për ta, po këtë punë e kanë merak vetë lajkatarët dhe oportunistët. Kur je në pushtet, të tillë tipa të lavdërojnë, ndërsa, kur të shket këmba, të hedhin gurin. Lufta e Spanjës ka anët e mira, por ajo ka edhe të metat e “koracës” së saj, si anarkizmin, terrorizmin, voluntarizmit etj. Prandaj po e përmend këtë çështje, se ka mundësi që këto influenca të rrezikshme të kenë lënë padashur mbresa te Mehmeti dhe të konsiderohen si merita që i mbulon hija e Luftës së Spanjës.
Në bisedën me mua, kur po analizoja gabimin që bëri, Mehmeti më tha ndër të tjera: “Armiku kërkon të na çajë unitetin, të çajë Enverin dhe Mehmetin”. Me këtë rast tha po ashtu se “jugosllavët më goditën më parë mua (Mehmetin, që të izolonin Enverin dhe ta likuidonin këtë”.
Të dyja këto mendime s’janë të drejta, i’a kundërshtova dhe i’a korrigjova, duke i thënë se “uniteti në Parti qëndron në vijën e saj marksiste-leniniste dhe jo të unitetit Enver – Mehmet”.
Për sa i përket çështjes së Jugosllavisë, për të cilën Mehmeti hiqet si hero i kësaj lufte, vura në dukje se “jugosllavët atakuan Partinë tonë, vijën e saj dhe Sekretarin e Përgjithshëm. As u fol fare në Berat dhe në vitet e para pas Beratit për Mehmetin. Ai erdhi më vonë në shenjën e tyre dhe të grupit tradhtar të Koçi Xoxes. Dhe le ta shpjegoj pak këtë për shokët e rinj. Shigjeta nga jugosllavët u drejtua kundër Mehmetit, për çështjen e artit ushtarak jugosllav.
Në atë kohë Tempoja mbajti një referat në Beograd. Atje shkuan, më duket Shulja dhe Mehmeti. Tempoja në referatin e tij theksoi se: “nuk duhet ndjekur më stili dhe taktika e luftës staliniane, domethënë arti ushtarak sovjetik, se ne kemi artin tonë ushtarak jugosllav”.
Siç e dini, shokë, po edhe ju të rinjtë duhet ta dini se në Berat unë u ndodha i rrethuar me armiq. Të tërë këta luftonin kundër meje, të tërë luftonin për pushtet. Për pushtet luftonin Koçi Xoxja, Pandi Kristoja, Nako Spiroja, Sejfulla Malëshova, Ymer Dishnica. Qëllimi i tyre ishte të më hiqnin mua nga mesi dhe pastaj të vepronin, po nuk arritën të më hiqnin dot. Historia duhet njohur ashtu siç janë zhvilluar ngjarjet dhe jo të shkruhet sipas dëshirave subjektive të disave. Të gjithë të sipërpërmendurit më atakonin mua, se donin të atakonin vijën e Partisë.
Velimir Stoiniçi që erdhi më vonë paraqiti një tezë tjetër. Ky na akuzoi ne si majtistë. Kur Partia jonë kish fituar Luftën, kur partizanët shqiptar ishin treguar heroikë në luftën kundër okupatorëve dhe tradhtarëve të vendit dhe kishin marrë pushtetin, ky erdhi të na thoshte se Lufta jonë paskësh qenë e gabuar, sektare. Po si mund të ish e gabuar, kur këtë luftë ne e fituam? “Ju nuk keni bërë një politikë të drejtë me Cen Elezin, me Muharrem Bajraktarin, me Gani Kryeziun etj.”, vazhdonte Velmir Stoiniçi, ç’ka donte të thoshte sipas tij që ne të pranonim reaksionin brenda radhëve tona. Sejfulla Malëshova, siç e dini, haptazi më tha mua se nuk isha i aftë për përgjegjësinë që mbaja, ai na nxori edhe teorinë e “shefit”. E me radhë plot të tjera si këto.
E kam çështjen me këtë që Mehmeti hiqet si ‘Heroi i Luftës’ anti jugosllave. Jo, luftën kundër revizionistëve jugosllavë e bëri Partia, e bënë anëtarët e shëndoshë të saj, midis të cilëve ishim edhe ne. Ne nuk mund ta ekskludojmë veten nga kjo luftë. Nuk është pra ashtu si thotë Mehmeti që jugosllavët luftuan këtë, që të më likuidonin mua. Mehmeti doli më vonë në skenë. Këto unë i’a kam thënë dhe ai i di këto gjëra, vetëm se nuk i pëlqen të paraqiten kështu. Memorie.al
Vijon numrin e ardhshëm
Copyright©“Memorie.al”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e “Memorie.al”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj., pa autorizimin e “Memorie.al”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016